ATV

Category: Lajme

  • Protestojnë punëtorët teknik të QKMF-së në Prishtinë Kërkojnë paga me te larta

    Protestojnë punëtorët teknik të QKMF-së në Prishtinë Kërkojnë paga me te larta

    Përgatiti: Sara Shehu

    Punëtorët teknikë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë kanë protestuar para objektit ku punojnë në shenjë pakënaqësie me pagat e ulëta.

    Aktualisht punëtorët teknikë paguhen prej 230 deri në 250 euro varësisht nga pozita, por nuk është vetëm paga e ulët halli i vetëm i tyre. Ata ankohen se në këtë qendër nuk kanë as kushtet elementare për punë.

    “Me paga jemi tejet të diskriminuar, jemi të pshtetur për muri. Kushtet infrastrukturore brenda qendrës janë të dobëta. Na duhet me pastru xhama por s’ka as shkallë. Domethënë higjiena duhet të jetë në nivel e knej s’ka kushte”, tha Emine Sahiti, punëtore në sektorin e higjienës .

    “Na s’paguhmi as për festa e as në kujdestari. E knej higjienën e dojn po s’ka as kushte këtu janë tmerr”, tha Kumrije Shabani, punëtore në sektorin e higjienës.

    Në anën tjetër Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se QKMF-ja u ka kërkuar punëtorëve të nënshkruajnë kontratë me vlerë 303 euro pagë neto por, kjo është refuzuar.

    Azemi tha se punëtorët teknik duan rritje të pagës në 450 euro neto.

    “Ne si sindikatë por sigurisht edhe punëtorët kanë kërkuar që të mos pranohet kjo pagë. Ne sigurisht nuk do bëjmë greva dhe protesta tjera pasi kemi ardhur deri te një vendim përfundimtar, në mënyrë unanime pasi të nënshkruhen kontratat do të lëshojmë të gjitha vendet e punës dhe QKMF-ja do të mbetet pa përkujdesje. Jemi takuar dhe nuk jemi dakorduar që paga e këtyre punëtorëve të mos jetë 275 euro, jo se dojmë të kryejmë komoditet por megjithatë nuk mund të ja dalim andaj ne i preferojmë kryetarit të Prishtinës që të sigurojë punëtorë të Bangladeshit sepse ne ma nuk punojmë”, tha Azemi.

    Mbështetës i kërkesave të tyre, është edhe Kryetari i Shoqatës Sindikale të QKMF-së, Sherif Makolli.

    “Fuqimisht i mbështes këta punëtorë. Dhe e them se janë kategoria e punëtorëve më të diskriminuar..”, tha Makolli.

    Nga ana tjetër, edhe drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi, dha një sqarim për situatën në fjalë.

    “Janë punëtorë të kontraktuar nga një kompani private që ka marrëveshje me komunën e Prishtinës. Nuk i ndajmë prej punëtorëve tonë, pavarësisht që janë punëtorë të një kompanie private që ka marrëveshje me komunën. Sa i përket kushteve të punës, në këto kushte të njëjta janë duke punuar të gjithë punëtorët e institucioneve shëndetësore. Këto kushte janë që janë, por kemi bërë edhe renovime”, tha Gashi.

    Dhjetëra punëtorë teknikë të Kujdesit Parësor Shëndetësor në Prishtinë ndërvite kërkojnë rritje page gjë e cila deri më sot ende nuk është përmbushur.

  • Shkon në 8 numri i të arrestuarve në veri, konfiskohet arsenal armësh

    Shkon në 8 numri i të arrestuarve në veri, konfiskohet arsenal armësh

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Grumbullit të automjeteve që u kapën nga Policia e Kosovës gjatë aksionit në Banjskë të Zveçanit, iu shtua edhe një tjetër. Policia tërhoqi edhe një mjet të blinduar të tipit pinzgauer që dyshohet se u përdor nga sulmuesit serbë.

    Organet e rendit prangosën edhe 2 persona të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e grupit sulmues duke e çuar në 8 numrin e të arrestuarve.

    Bashkë më ta, policia kapi edhe një sasi të konsiderueshme armatimi të rëndë.

    • lansues me nitro 30 mm),
    • tre gulinov me tri tyta,
    • dy mitraloza),
    • një snajper (black spear 12.7mm),
    • një minahedhës (82 mm).

    Derisa aksioni i policisë po vazhdon në brendësi të fshatit Banjskë, banorëve u është kërkuar të mos dalin nga fshati deri në përfundimin e aksionit. Çdo lëvizje në atë pjesë, po kontrollohet edhe nga policia, qysh në patrullën e parë.

    Megjithatë, policia u kujdes që banorëve të Banjskës të mos u mungojë asgjë gjatë kohës sa duhet të qëndrojnë brenda.

    Policia shpërndau pako ushqimore pothuajse të gjitha familjeve të komunitetit serb që jeton atje. E derisa në Banjskë Policia po kërkon nëse ka edhe sulmues të tjerë, me kërkesë të Listës Serbe në katër komunat veriore, flamujt u ulën në gjysmështizë, në nderim të sulmuesve të vrarë.

  • Sveçla: Serbët planifikonin ta shpallnin autonominë te lumi Ibër

    Sveçla: Serbët planifikonin ta shpallnin autonominë te lumi Ibër

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është i bindur se nëpërmjet grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radojicic, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, u përpoq ta destabilizonte veriun e Kosovës.

    Duke e cilësuar të pamohueshme përfshirjen e presidentit të Serbisë në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, në një intervistë për Euronews, ministri Sveçla tha se synim ishte një lloj aneksimi i veriut.

    “Qëllimi i tij ka qenë një destabilizim i shkallës së gjerë në veri të Kosovës. Një lloj aksioni, sikurse ai i Putinit në vitin 2014 në Donbas, me qëllim që duke ndryshuar situatën në terren, realisht të detyrojë Kosovën të pranojë zgjidhje, të cilat janë jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e Kosovës. Ose, të shkaktojë një konflikt rajonal për ta shantazhuar bashkësinë ndërkombëtare për të intervenuar në kuptimin e veriut të Kosovës. Fatmirësisht kjo është parandaluar”, tha Sveçla.

    Duke lartësuar kontributin e rreshterit të vrarë, Afrim Bunjaku, dhe kolegëve të tij, ministri tha se është parandaluar një skenar jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe një gjakderdhje e madhe.

    “Mund të themi se falë angazhimit profesional, falë guximit dhe gatishmërisë për sakrificë të secilit pjesëtar të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë të kyçur në këtë aksion, ne kemi parandaluar një luftë të re në atë pjesë. Nuk them se nuk ka ende armatime, nuk them se nuk ka ende grupe që janë të gatshme për të filluar konflikt, por sipas përgatitjes së tyre logjistike, është parë se janë përgatitur për konflikt të përmasave të gjera në kohë më të gjatë”, tha Sveçla.

    Ministri kosovar theksoi se armatimi dhe municionet e konfiskuara dëshmojnë përfshirjen e ushtrisë serbe dhe presidentit të Serbisë.

    Pasi tha se sipas përllogaritjeve të para, vlera e arsenalit të konfiskuar është rreth 5 milionë euro, ministri shtoi se kjo dëshmon, po ashtu, përfshirjen e shtetit serb.

  • Opozita serbe akuzon Vuçiqin për ngjarjet në Kosovë

    Opozita serbe akuzon Vuçiqin për ngjarjet në Kosovë

    Një pjesë e partive opozitare në Parlamentin serb e kanë akuzuar partinë në pushtet, Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për sulmin në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.

    Presidenti i partisë opozitare serbe, Lëvizja Kombëtare e Serbisë, Mirosllav Aleksiq, tha më 26 shtator se presidenti Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq “janë përgjegjësit kryesorë për gjakderdhjen në Banjskë” të Zveçanit, transmetoi agjencia Beta.

    Duke komentuar për videon e publikuar më 26 shtator nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, që pretendoi se shfaqte Radoiçiqin në manastirin e Banjskës i pajisur me armë zjarri, Aleksiq tha se politika e Listës Serbe, SNS-së dhe qasja e Vuçiqit ndaj Kosovës pësuan debakël.

    “Pas konfliktit të armatosur në Banjskë, në të cilën vdiqën të paktën katër persona, Vuçiq duhet të japë dorëheqje. Radoiçiq nuk ka mundur të armatosë dhjetëra serbë në veri pa dijeninë dhe miratimin e Vuçiqit dhe shërbimeve serbe të sigurisë. Këta të dy kanë më së shumti përgjegjësi për gjakun e derdhur në Banjskl”, tha Aleksiq.

    Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe Radoiçiq është në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar. Emri i tij është i lidhur edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, një politikani opozitar në Kosovë.

    Deri më tani, Lista Serbe dhe Vuçiq publikisht e kanë mbrojtur atë. Vuçiq nuk ka komentuar pretendimet për përfshirjen e Radoiçiqit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri.

    Deputeti nga subjekti opozitar, Partia pro-Evropiane Demokratike, Sërxhan Milivojeviq, tha se Vuçiq duhet të japë dorëheqje, sepse në, siç u shpreh ai, luftën njëditore të tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lideri serb sakrifikoi serb të rinj në Kosovë.

    Duke komentuar akuzat e Sveçlës se Radoiçiq udhëhoqi 30 serbë që sulmuan Policinë në Banjskë të duekën, Milivojeviq tha se pjesëmarrja e Radoiçiqit në këtë ngjarje tragjike “nuk do të ishte befasi”.

    “Nëse Radoiçiqi ka marrë pjesë në këtë ngjarje, atëherë është e qartë se regjimi në Beograd i udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq qëndron prapa çdo gjëje. Nëse Radoiçiqi ose kushdo tjetër ka organizuar këtë gjë pa miratimin apo urdhrin nga Beogradi, ai tashmë do të ishte arrestuar apo do të ishte fundi i Vuçiqit”, tha ai.

    Kreu i partisë opozitare të krahut të djathtë, Dveri, Boshko Obradoviq, kërkoi nga Qeveria serbe që të njoftojë për numrin emrat e të vrarëve, të plagosurve dhe arrestuarve në mesin e serbëve në Kosovë.

    Ai tha se është “veçmas skandaloze” që pushteti në Serbi po ua lë fajin serbëve në Kosovë.

    Ndërkaq, lideri i partisë së krahut të djathtë, Partia e Re Demokratike, Millosh Jovanoviq, tha se ngjarjet e fundit në Kosovë tregojnë se Qeveria e SNS-së duhet të ndryshojë “politikat shkatërruese” sa i përket Kosovës.

    “Ky është fundi dhe kjo situatë tragjike tregon se ne duhet të bëjmë ndryshime thelbësore në Serbi. Qeveria duhet të ndryshojë sepse për 12 vjet në pushtet të tyre dhe politikat që nga viti 2008 na kanë sjellë deri te kjo”, tha ai.

    Një grup i maskuar dhe i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe – më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi përleshjen e armatosur me Policinë e Kosovës.

    Autoritetet në Kosovë thanë se tre sulmues janë vrarë dhe tetë persona janë arrestuar.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

    Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.

    Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.

    Sulmi është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL/

  • Sulmi në Banjskë vë në pikëpyetje dialogun

    Sulmi në Banjskë vë në pikëpyetje dialogun

    “Dialogu me Serbinë nuk ka më kuptim”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zeqir Gashi.

    Duke folur pas përleshjeve të dhunshme në Banjskë, ky qytetar i Prishtinës thotë se të gjitha rundet e deritashme të bisedimeve “kanë shkuar kot”.

    “Rasti i fundit në veri është një pasqyrë për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare, Evropës dhe Amerikës, se Kosova është duke e mbrojtur territorin e saj dhe se Serbia është agresori që nxit incidente”, thotë ai.

    Më 24 shtator, një polic i Kosovës mbeti i vrarë pasi patrulla me të cilën ishte, u sulmua nga grupe të armatosura.

    Ngjarja ndodhi në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe.

    Përleshjet që pasuan mes sulmuesve dhe forcave të rendit rezultuan edhe me tre sulmues të vrarë dhe disa të arrestuar.

    Zyrtarët e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për “agresionin”, ndërsa në Serbi mohuan se kanë gisht në këto ngjarje.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011, por përmbushja e qëllimit duket e largët.

    Çfarë thonë qytetarët?

    “Kur bien viktima nga aktet terroriste, dialogu bëhet i pavlerë”, thotë Zeqir Gashi.

    “Duhet ne të qesim kushte për dialog dhe jo Serbia të prijë gjithmonë me kushte”, thotë Rrezarta Basha.

    “Nuk ia vlen të diskutohet më për dialogun, sepse qëllim i Serbisë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe destabilizimi i situatës. Ata e destabilizuan dhe a ia vlen tutje? Jo”, shprehet ajo.

    Për Shemsedin Popajn, dialogu është alternativa e vetme për zgjidhjen e problemeve. Por, shton ai, pa sqarimin e të gjitha rrethanave të incidentit në Banjskë, kthimi i Kosovës në dialog nuk do të ishte opsion real.

    “Unë mendoj se duhet të ndërrohet formati. Çështjen e dialogut mund ta zgjidhin vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kuptohet, me përkrahjen edhe të Bashkimit Evropian, por fjalën kyçe duhet ta ketë SHBA-ja”, thotë Popaj.

    Çfarë prisni nga dialogu Kosovë-Serbi?

    Dragani nga Mitrovica e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe -thotë se palët duhet t’i kthehen dialogut në mënyrë edhe më intensive.

    “Dialogu duhet të jetë e ardhmja dhe mendoj se është gabim i madh që këto bisedime nuk janë më të shpeshta”, thotë ai.

    Sipas Sandrës, askush nuk do që situatat si ajo në Banjskë të përsëriten, andaj “dialogu është i domosdoshëm”.

    “Nuk mendoj se shumë gjëra do të ndryshojnë për mirë në fillim, por mendoj se duhet të punojmë për këtë. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare deklarojnë se duhet të punohet për dialog dhe vazhdimisht bëjnë thirrje për dialog, mbase do t’i detyrojnë të dyja palët të vazhdojnë”, thotë Sandra.

    Ku qëndron dialogu?

    Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet në vitin 2011, tre vjet pasi Kosova ka shpallur pavarësinë.

    Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar kurrë.

    Rundi i fundit i bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është zhvilluar më 14 shtator, por nuk është raportuar për ndonjë përparim.

    Kurti ka fajësuar ndërmjetësuesit evropianë për anshmëri – gjë që është konsideruar si “akuzë e pabazë” nga BE-ja.

    Pas ngjarjeve në Banjskë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialog, Mirosllav Lajçak, ka thënë se, në ditët në vazhdim, do të përqendrohet në gjetjen e një rruge përpara në bisedime.

    Thirrje për t’iu kthyer rrugës diplomatike Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara.

    Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse do të merrte pjesë në një rund të ri bisedimesh, po qe se do të kishte ftesë për një të tillë.

    Maliqi: BE-ja bëri “gabim trashanik” në dialogun Kosovë-Serbi
    Njohësi i proceseve politike në Prishtinë, Agon Maliqi, thotë se incidenti në Banjskë e ka përkeqësuar situatën dhe ka thelluar mosbesimin midis Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas tij, palët nuk janë të gatshme për dialog.

    “BE-ja e ka bërë një gabim trashanik, veçanërisht në Marrëveshjen e Ohrit, duke mos iu paraprirë zhvillimeve dhe duke mos i paraparë të gjitha elementet që mund të jenë problematike në terren, përfshirë problemet që u krijuan me bojkotimin e institucioneve, elementet kriminale, si dhe sigurinë ndaj aktorëve të jashtëm që janë destabilizues”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

    Maliqi i referohet marrëveshjes që palët kanë arritur gojarisht në mars, e që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

    Hapat që ka prezantuar BE-ja për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në takimin e 14 shtatorit, janë bërë edhe shkak i dështimit të dialogut.

    Kurti ka thënë se nuk mund të pranojë kushte, përkatësisht të pajtohet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe përpara se të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

    Gogiq: Dialogu aktual, kundër-produktiv

    Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se formati aktual i dialogut në Bruksel duhet të ndryshojë, sepse, sipas tij, “ky format është shtrydhur dhe nuk mund të japë më rezultate”.

    Tensionet që nisën në veri vitin e kaluar, për shkak të riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe, e më pas dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë treguar se dialogu është i pafrytshëm, thotë Gogiq.

    Për më tepër, shton ai, “imponimi i marrëveshjeve të reja”, sikurse Marrëveshja e Ohrit, tregoi se dialogu nuk përkon me zhvillimet në terren.

    “Gjendja në terren, në veri të Kosovës, tash është më e keqe sesa para dy apo tre vjetësh. Pra, ai dialog nuk ka efekt dhe mbase është kundër-produktiv. Mbase edhe kriza është radikalizuar, për shkak se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë erdhën me disa propozime dhe plane, të cilat nuk ishin të pranueshme as për Kosovën dhe as për Serbinë”, thotë Gogiq.

    Si Maliqi, ashtu edhe Gogiq beson se nuk do të ketë rikthim të shpejtë të palëve në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, por mund të ketë bisedime për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të situatës në veri, e cila, sipas tyre, mund të sjellë mjaft rreziqe.

    Kjo zonë është e banuar me shumicë serbe, e cila nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës. /REL

  • Vjen thirrja nga Austria: Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste nga Kosova dhe BE

    Vjen thirrja nga Austria: Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste nga Kosova dhe BE

    ryetari i Këshillit Atlantik të Austrisë, Gunther Fehlinger, ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Kosova duhet ta shpallin Listën Serbe organizatë terroriste.

    “I bëj thirrje BE-së dhe Kosovës që të shpallin Listën Serbe organizatë terroriste”, ka thënë Fehlinger.

    Kjo erdhi pas videove qe publikoj Ministria e Brendshme e Kosovës, ku në mesin e sulmuesve terrorist ishte edhe nënkryetari i partisë Lista Serbe, Milan Radojiçiq.

  • Butikofer pyet Borrellin e Lajçakun: A keni më dyshime për përfshirjen e Serbisë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës?

    Butikofer pyet Borrellin e Lajçakun: A keni më dyshime për përfshirjen e Serbisë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës?

    Eurodeputeti gjerman nga radhët e “Të Gjelbërve”, Reinhard Butikofer, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, derisa ka etiketuar shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarin e posaçëm, Miroslav Lajçak, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjegjës për eskalimin e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

    Butikofer, derisa ka shpërndarë një video ku shihet nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Milan Radoiçiç, gjatë sulmit terrorirst kundër Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, ka thënë se zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) nuk duhet të kenë dyshime për përfshirjen e Serbisë në vrasjen e një rreshteri të Policisë së Kosovës.

    “Nuk besoj seriozisht se kryeministri i Kosovës Albin Kurti mund të mbajë përgjegjësi për këtë, apo nuk jeni dakord Josep Borrell? Dhe seriozisht nuk besoj se mund të ketë dyshim se autoritetet e Beogradit kanë qenë bashkëpunëtorë, apo nuk jeni dakord Miroslav Lajcak? Tani çfarë do të bëni?”, ka pyetyr Butikofer të martën pasdite.

    Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë në veriun e territorit të banuar kryesisht me shumicë serbe, qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe lënduar dy tjerë.

    Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar nga shteti serb.

    Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë. Në mesin e tyre edhe Radojiçiç.

    Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe tetë janë arrestuar deri më tash, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

  • Policia shpërndau pako ushqimi në Banjskë, Kurti për banorët serbë: Faleminderit që qëndruat të qetë

    Policia shpërndau pako ushqimi në Banjskë, Kurti për banorët serbë: Faleminderit që qëndruat të qetë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Policia e Kosovës, krahas operacionit anti-terror, ka shpërndarë më shumë se 100 pako ushqimore për serbët e Kosovës në Banjskë.

    Ai i ka falënderuar ata për qetësinë, maturinë dhe besimin e tyre.

    “Krahas operacionit të saj anti-terror, Policia e Kosovës ka shpërndarë më shumë se 100 pako ushqimore në Banjskë për banorët serbë të Kosovës në këtë zonë, përveç adresimit të nevojave të tjera elementare.

    I falënderoj qytetarët tanë për qetësinë, maturinë dhe besimin e tyre. Policia është në shërbimin tuaj”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

  • ​FSHF fiton organizimin e Evropianit 2025

    ​FSHF fiton organizimin e Evropianit 2025

    Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se ka arritur një tjetër sukses historik, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri finalet e një turne madhor ndërkombëtarë.

    Bëhet e ditur se UEFA i ka besuar FSHF-së dhe Shqipërisë organizimin e finaleve të Kampionatit Evropian 2025 në grupmoshat U17, raporton KosovaPress.

    Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e sotme që u zhvillua në Qipro ka votuar pro kandidaturës së FSHF-së, me finalet e turneut kontinental që do të zhvillohen në Shqipëri pas dy vitesh.

    Investimet në infrastrukturë me stadiumet e reja, që plotësojnë kriteret e duhura për turne ndërkombëtarë, apo edhe eksperienca e pasur e administratës së FSHF-së në mikpritjen dhe organizimin e turneve ndërkombëtarë ka bindur sërish UEFA-n që t’ia besojë Shqipërisë një tjetër ngjarje madhore.

    Në majin e vitit 2022, në Shqipëri u organizua finalja e parë Ligës së Konferencës (AS Roma-Feyenoord), ngjarje historike kjo për popullin shqiptar.

  • Dhjetëra automjete të KFOR-it nisen në drejtim të Leposaviqit

    Dhjetëra automjete të KFOR-it nisen në drejtim të Leposaviqit

    Dhjetëra automjete të KFOR-it, duke përfshirë edhe makineri të rëndë kanë kaluar rreth orës 15:00 nga Mitrovica, përmes Bajnskës në drejtim të Leposaviqit, përkatësisht kufirit të Jarinjes, raporton KosovaPress.

    Nuk dihet saktë nëse është gjetur diçka në këtë zonë dhe ato kanë arritur në mbështetje të Policisë së Kosovës.

    Helikopteri i KFOR-it pothuajse vazhdimisht është duke fluturuar mbi këtë zonë, duke vëzhguar situatën nga ajri.

    Ndërkaq, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë “krehjen” e terrenit edhe në zona malore, në kërkim të gjurmëve të terroristëve.

    Në këto momente kur po raporton ekipi i KosovaPress, kanë arritur edhe disa automjete të EULEX-it, të cilat kanë shkuar në drejtim të manastirit të Bajnskës. /KP