ATV

Category: Lajme

  • DASh:Kosova e Serbia të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës

    DASh:Kosova e Serbia të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës

    Departamenti amerikan i Shtetit ka konsideruar se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës në Kosovë është i nevojshëm.

    Zëdhënësi i DASH-it, Matt Miller, në një konferencë për media të mbajtur të martën ka thënë se për ta qetësuar situatën në veri është e nevojshme që të gjitha palët të punojnë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

    Kështu u shpreh ai derisa u pyet për qëndrimin e SHBA-së lidhur me propozimin që NATO-ja përmes KFOR-it të marrë kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

    “Mendojmë se është e rëndësishme që të gjitha palët të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të depërshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë, sundimin e ligjit dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë Miller.

  • Limaj: AKI-ja e ka mundur BIA-n

    Limaj: AKI-ja e ka mundur BIA-n

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) e ka mundur Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA) në veri të vendit.

    Ai ka thënë se shërbimi inteligjent i Kosovës ka qenë në dijeni për lëvizjet e grupit terrorist dhe stërvitjet e tyre.

    “Shërbimi i Inteligjencës së Kosovës e ka mundur BDI-në dhe UDB-ën… Shërbimet tona kanë pasur informacione për lëvizjet e tyre, për stërvitjet e tyre. Një javë më parë, nëse e shihni deklaratën e Escobarit – Vuçiqit ‘të mos ta destabilizojë situatën’. Kjo ka qenë e qartë, është ditë se diçka po lëvizë atje. Informacione kemi pasur si siguri shtëtërore, si AKI, si inteligjencë e Policisë. Momenti se kur dhe ku do të vendosen është diçka që nuk mundesh më e përcjellë. Nuk është rastësisht që institucionet tona kanë qenë të përgatitura. Përndryshe, Njësia Speciale ka qenë e përgatitur”, ka thënë Limaj në emisionin “context” në ATV.

    Në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, një grup terroristësh sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa plagosi dy policë të tjerë. Ndërsa në mesin e terroristëve mbeten të vrarë 3 prej tyre.

    Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh në Manastirin e Banjskës ku terroristët u strehuan.

    Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

  • Kurti: Vuçiq i obsesionuar me Adem Jasharin, dëshironte ta shndërronte Manastirin e Banjskës në “Kullë të Jasharajve”

    Kurti: Vuçiq i obsesionuar me Adem Jasharin, dëshironte ta shndërronte Manastirin e Banjskës në “Kullë të Jasharajve”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas deklaratave të tij për komandantin legjendar, Adem Jashari.

    Kurti, me anë të një postimi në ‘facebook’ ka thënë se Vuçiq është i obsesionuar me komandantin legjendar, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen”, ka thënë ai.

    “Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë”, shtohet më tej në postimin e tij.

    Vuçiq pak ditë më parë pati kritika pse ndërkombëtarët i referoheshin Adem Jasharit si luftëtar lirie.

    “Kur Serbia shkoi në Drenicë që të qerojë hesapet me ata që donin ndaheshin nga shteti i njohur ndërkombëtarisht (Jugosllavia), ata (ndërkombëtarët) thanë se ata janë luftëtarë të lirisë të udhëhequr nga Adem Jashari e jo nga terroristët. Duket që vetëm serbët janë terroristë gjithmonë”, deklaroi përplot viktimizim Vuçiqi.

  • KFOR: Policia veproi sipas ligjit në Banjskë, ishim në koordinim

    KFOR: Policia veproi sipas ligjit në Banjskë, ishim në koordinim

    Forca e NATO-s në Kosovë – KFOR vlerëson se Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me prerogativat e saj të zbatimit të ligjit, si reaguese e parë të dielën në Banjskë.

    “Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej”, thuhet në një komunikatë për medie.

    “Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë”.

    KFOR-i nën të ditur se komandanti i tyre mbetet në kontakt të rregullt me të gjitha palët e interesuara, përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë.

    “Përmes KFOR-it, NATO gjithmonë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”.

    KFOR-i ka thënë se kjo forcë do të vazhdojë të ofrojë kornizën e sigurisë të nevojshme që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara.

    Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

  • Limaj tregon çka i ka pëlqyer Albin Kurti pas ngjarjeve të fundit në veri

    Limaj tregon çka i ka pëlqyer Albin Kurti pas ngjarjeve të fundit në veri

    Kryetari i Nisma’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se e vlerëson gjuhën e përdorur nga kryeministri ditën e diel, kur e ka bërë prezentimin e asaj çka po ndodh, por vazhdon ai, gjithçka tjetër pastaj, ka nisë ta shqetësojë.

    “Konferenca e kryeministrit më ka pëlqy, krejt çka ka folë ka qenë në vendin e duhur. Çkado mas andej, është e tepërt, është e panevojshme, është kundërproduktive, mundet me tu kthy”, tha Limaj.

    Ai tha se një prej arsyeve pse Kosova ka fituar, është sepse serbët e kanë nënçmuar këtë vend vazhdimisht.

    “Një nga arsyet pse ne kemi fituar sepse e kanë nënçmuar këtë vend, po vazhdojnë me e nënçmu dhe mirë që po vazhdojnë me na nënçmu. Na kanë nënçmu policinë, shikoni videot në vitin 2021, çfarë fyerje u bëjnë njësiteve tona të policisë atje ën barrikada, shikoni në Youtube dhe shikoni si i fyejnë, Majde thonë që këta nuk dinë me e shti as ‘okfirin’. Ata nuk e kanë ditur ose nuk kanë dashur me e ditë fatmirësisht, Beogradi e ka fy këtë njësi sepse ne i kemi përgatitjet si me thanë shkenca e fundit e teknikës është te policia e jonë. Ato çka duhet me i pasë, deri te droni. Ata janë befasuar kur i kanë pa fotografimet, kur i kanë pa xhirimet”, tha Limaj.

    Ai tha se beson që ka edhe xhirime të tjera.

    “Unë besoj që kemi ende xhirime. Nuk e di, por besoj që shumë xhirime ka atje, shumë prova ka atje, edhe të kufiri, edhe te hyrja edhe te dalja, plotë ka. Ky vend është i furnizuar me instrumente”, tha Limaj. /atvlive.tv

  • Limaj: Vuçiqi u tradhtua nga vetvetja, u tmerrua nga Policia e Kosovës

    Limaj: Vuçiqi u tradhtua nga vetvetja, u tmerrua nga Policia e Kosovës

    Kryetari i Nisma’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shpallja ditë zie nga Qeveria e Serbisë, si dhe konferenca e para dy nete, tregon qartë se presidenti Vuçiq qëndron mbrapa asaj që ka ndodh në veri.

    “Vetë faktin që Qeveria e Serbisë shpallë ditë zie, konferenca e shtypit të Vuçiqit neve na ka tregu që ai qëndron mbrapa këtij. Shqetësimi i Vuçiqit është mos realizimi me sukses i aksionit. Pesë-gjashtë vende e tradhton veten, tradhtohet nga qëndrimi atë natë. Një nga ato thotë, si është e mundur për një orë me u rrethu. Është i tmerruar për vrasjen e policit tonë, jo për shkak që është vra, por pse me ndodh ajo, sepse ka qenë plani tjetër. Flet këndej s’kam me e njoftë pavarësinë, do me thanë, asnjë rast atë natë nuk ka pasë distancim nga ajo që ka ndodhur veç ka pasë një gjë, ka hedhur zjarr”, tha Limaj.

    Ai tha se në vazhdimësi, politika e Serbisë i ka ‘gjuajtur’ serbët e shteteve të tjera.

    “Ka thënë ‘serbët e Kosovës’. I gjuajti sikur që i ka gju gjithmonë politika serbe, i ka gju gjithmonë serbët e Bosnjës, i ka futë në zjarr në Kroaci, i ka lënë pa shtëpi e pa tokë, pa atdhe, sot janë nëpër Serbi. I ka gju serbët e Bosnjës, të Malit të Zi, të Kosovës në vazhdimësi, dhe në fund, parmbrëmë tha ‘jo këta janë serbët e Kosovës’. Asnjë serb nga Serbia qendrore tha nuk është angazhuar”, tha Limaj. /atvlive.tv

  • Sulmi në veri, tre të arrestuarve u caktohet nga një muaj paraburgim

    Sulmi në veri, tre të arrestuarve u caktohet nga një muaj paraburgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Janë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që çdo ditë kujdesen për sigurinë në Pallatin e Drejtësisë. Por, në mëngjesin e së martës po marrin instruksionet më specifike se ku do të qëndrojnë pak para se aty të shfaqen Njësitë Speciale të Policisë.

    Brenda objektit të Gjykatës Themelore të Prishtinës do të sillen dy të arrestuar për terrorizëm, e paraprakisht sigurohet çdo pjesë e këtij institucioni të drejtësisë.

    Nën masa të rrepta të sigurisë e nën përcjelljen e njësisë elitë të Policisë, futen në sallën e gjykimit Blagoje Spasojeviq dhe Dusan Maksimoviq.

    Ndaj tyre Prokuroria Speciale ka dyshime të bazuara mirë se janë pjesëtarë të një grupi terrorist dhe bashkë me Vladimir Tolicin po dyshohen për vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës, si dhe kryerje të veprave terroriste për sulmin ndaj Policisë, të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Sipas kërkesës së PSRK-së për caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga ATV-ja, Vladimir Tolic dhe Blogoje Spasojevic janë të përfshirë direkt në vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku, dhe plagosjen e zyrtarit Alban Rashiti.

    “Me një grup personash, ende të paidentifikuar, në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme, me ç’rast afër Manastirit, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor, Alban Rushiti”, thuhet në Dosjen e Prokurorisë.

    Sipas dosjes, i dyshuari tjetër, Dusan Maksimovic, vetëm 27 vjeç, me dashje iu ka ofruar ndihmë, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

    Prokurori Special Naim Abazi në kërkesë ka theksuar se të arrestuarit janë shtetas të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar, gjë që, sipas tij, nëse lihen në liri mund të arratisen.

    Arsye tjetër, sipas organit të akuzës, është edhe fakti se shumica e të dyshuarve ndodhen në liri.

    “Si dhe rrethanat e përgjithshme, të cilat aktualisht e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që po të lihen të lirë, do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet më tej në Dosjen e Prokurorisë.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, Valon Kurtaj, ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, dhe të njëjtëve u ka caktuar nga një muaj paraburgim.

    Masa e njëjtë i është caktuar edhe Vladimir Tolicit, 38 vjeç, me adresë nga Zveçani, e i cili aktualisht ndodhet për trajtim mjekësor në Klinikën e Ortopedisë në QKUK.

  • Askush i dënuar për masakren e Abrisë, 25 vjet pas vrasjes së civilëve

    Askush i dënuar për masakren e Abrisë, 25 vjet pas vrasjes së civilëve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Por, as Dituria nuk jetoi shumë pas nënës, vëllait e motrës që u masakruan në Abri të Epërme.

    Foshnja e familjes Deliu, vdiq posa i bëri gjashtë javë, në krahët e gjyshit, Bajram, gjatë rrugës për te mjeku.

    “Gjama gjamën s’ja pritke… I thashë kusherinit nale kerrin se kjo vdiq… Kurrë nuk m’heket prej mendjes…”, tha Bajram Seferi, familjar i viktimave në masakrën e Abrisë.

    Diturinë e gjeti babai Ymeri, në krahët e nënës Lumnije, e cila ishte e masakruar, bashkë me 22 persona të tjerë, në 26 shtatorin e vitit 1998.

    “E kanë kry masakrimin e 23 anëtarëve… Shumicën i kanë vra me granata. Ka pasë edhe me armë të ftohta… nga mosha 6-javëshe ka pasë e deri te një 94-vjeçar. Kanë qenë 8 gra, 8 fëmijë, 8 pleq”, tha Ymer Deliu, familjar i viktimave në masakrën e Abrisë.

    Banorët e fshatit të Drenasit u vranë në pyllin ku u strehuan, pas largimit nga shtëpitë, një ditë më parë.

    “Aty kishin qenë 23 të masakruar. Gra, fëmijë e pleq. Një plak i masakrum…”, tha Shaqir Veseli, pjesëmarrës në varrimin e të masakruarve.

    Fakti që edhe pas dy dekadave e gjysmë nuk janë zbuluar autorët e krimit, familjarët i rëndon shumë.

    Prokuroria Speciale të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk ka treguar se në çfarë faze të hetimeve është lënda për këtë masakër.

  • Hovenier: Grupi i armatosur në veri ishte i trajnuar dhe i organizuar

    Hovenier: Grupi i armatosur në veri ishte i trajnuar dhe i organizuar

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se ende ka të panjohura lidhur me sulmin e së dielës ndaj Policisë së Kosovës. Sipas tij, grupi që sulmoi policinë, nuk përbëhej nga qytetarë që u takuan spontanisht “për të shprehur shqetësimet e tyre”.

    “Ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë bashkë për t’i shprehur shqetësimet. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture duke marrë parasysh trajnimin dhe pajisjet”, tha Hovenier.

    I pyetur rreth videos së publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilën shihej se pjesë e grupit të armatosur në Banjskë ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ambasadori Hovenier konfirmoi se e ka parë, por nuk mund as ta konfirmojë e as hedh poshtë vërtetësinë e videos.

    E kam parë këtë video. Kaq mund të them. S’jam në pozitë të komentoj. Ka shumë gjëra që nuk dihen ende dhe kjo është e komplikuar, por këtë e marrim shumë seriozisht. Ishte kërcënim për Kosovën dhe popullin e Kosovës, me pasoja tragjike. Po punojmë me partnerët që të kuptojmë çka ka ndodhur dhe të mbahen përgjegjës ata që e bënë këtë. Jemi me popullin e Kosovës kur përballen me kërcënime dhe kjo do të vazhdojë edhe në këtë rast”, tha Hovenier.

    I pyetur se çfarë pret tani nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – Hovenier u përgjigj se pret zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

    Ambasadori amerikan komentoi zhvillimet e së dielës pas takimit që pati gjatë ditës me presidenten Vjosa Osmani.

  • Për mossubvencionimin e dëmeve nga vërshimet, Peci fajësoi komunat

    Për mossubvencionimin e dëmeve nga vërshimet, Peci fajësoi komunat

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Raportimin në Komisionin për Bujqësi, ministri i këtij dikasteri Faton Peci, e shfrytëzoi kryesisht për ta lavdëruar punën e tij. Megjithatë, pjesa kryesore e debatit të këtij takimi ishin vonesat në subvencionim për dëmet nga përmbytjet.

    Për këtë, ministri Peci fajin ua la komunave, meqë nuk i faktuan saktë dëmet, siç tha ai.

    Por, ndryshe menduan anëtarët e komisionit.

    Ministri u akuzua edhe për presion ndaj drejtorëve në dikasterin që ai udhëheq.

    Gjatë raportimit në Komision, ministri Peci njoftoi se shpërndarja e subvencioneve për fermerët është duke shkuar sipas planit, kurse, sipas tij, që nga fillimi i vitit Qeveria shpërndau subvencione në vlerë prej 70 milionë eurosh.