ATV

Category: Lajme

  • Donald Trump shpallet fajtor për mashtrim financiar

    Donald Trump shpallet fajtor për mashtrim financiar

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mashtruar për vite të tëra duke e ndërtuar perandorinë e vet të pasurisë së patundshme e cila e bëri atë të famshëm dhe e çoi në Shtëpinë e Bardhë, sipas vendimit të një gjykatësi amerikan më 26 shtator.

    Gjykatësi Arthur Engoron – në verdiktin e tij për padinë civile ndaj Trumpit e cila u ngrit nga prokurorja e Nju Jorkut Letitia James – gjeti se Trumpi dhe kompania e tij i kishin mashtruar bankat, siguruesit dhe të tjerët duke i mbivlerësuar shumë asetet e tij dhe duke rritur tej mase vlerën e pasurisë së tij në dokumente të përdorura për të arritur marrëveshje dhe për të marrë hua.

    Engoron urdhëroi që Trumpit t’i hiqen licencat e disa prej bizneseve të tij si ndëshkim, duke ia bërë atij të vështirë apo të pamundur të bëjë biznes në Nju Jork. Ai tha se një vazhdues i pavarur do të vazhdojë t’i mbikëqyrë aktivitetet e Organizatës së Trumpit.

    Trumpit do t’i hiqet autoriteti për të marrë vendime strategjike dhe financiare në disa prej pronave kryesore në Nju Jork, nëse ankesa e tij ndaj këtij vendimi nuk është e suksesshme.

    Në një sërë deklaratash, Trumpi u ankua ashpër ndaj vendimit, duke e quajtur atë “joamerikan” dhe pjesë të një komploti të vazhdueshëm për ta dëmtuar fushatën e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.

    “Të drejtat e mia civile janë shkelur, dhe Gjykata e Apelit, qoftë ajo federale po shtetërore, duhet ta shfuqizojë këtë vendim të tmerrshëm”, shkroi ai në rrjetin e vet social, Truth Social.

    Ai nguli këmbë se kompania e tij ka “bërë punë të shkëlqyer për shtetin e Nju Jorkut” dhe se ka bërë biznes “në mënyrë të përsosur”, duke e quajtur vendimin “një ditë shumë pikëlluese për sistemin e drejtësisë në shtetin e Nju Jorkut”.

    Avokati i Trumpit, Christopher Kise, tha se do të ankohet ndaj vendimit, të cilin e quajti “aspak në përputhje me faktet dhe ligjin”.

    Përtej mburrjeve për pasurinë e tij, Trumpi bashkë me kompaninë dhe ekzekutivët e vet gënjyen vazhdimisht për pasurinë në deklaratat vjetore financiare, duke siguruar shpërblime si, hua të favorshme dhe sigurime të lira, tha Engoron në vendimin e tij.

    Këto taktika e kaluan kufirin dhe e shkelën ligjin, tha gjykatësi.

    Prokurorët e Manhatan kishin shikuar mundësinë të ngrinin aktakuzë penale për veprat e njëjta, por dështuan ta bëjnë, duke e lënë Jamesin ta padisë Trumpin dhe të kërkojë ndëshkime të cilat do t’ia pamundësonin atij dhe familjes së tij bërjen biznes.

    “Sot, një gjykatës mori vendim në favorin tonë dhe gjeti se Trumpi dhe Organizata Trump mashtruan financiarisht për vite”, tha prokurorja James.

    Avokatët e Trumpit i kishin kërkuar gjykatësit ta hidhte poshtë padinë, duke argumentuar se nuk kishte prova se publiku ishte penguar nga veprimet e Trumpit.

    James, një demokrate, e paditi Trumpin dhe Organizatën Trump para një viti, duke i akuzuar se i kishin fryrë rregullisht vlerat e aseteve, si rrokaqiejve, fushave të golfit dhe pronën e tij Mar-a-Lago në Florida.

    Engoron gjeti se Trumpi vazhdimisht e mbivlerësoi Mar-a-Lagon, duke e fryrë vlerën e saj në një deklaratë financiare për hiç më pak se 2.300%. Trump kishte gënjyer edhe për madhësinë e apartamentit të tij në Manhatan. Ai kishte pretenduar se ndërtesa e tij trekatëshe Trump Tower ishte gati tri herë më e madhe se madhësia e vërtetë e saj, duke vlerësuar atë 327 milionë dollarë.

    “Një mospërputhje e kësaj madhësie nga një zhvillues i pasurisë së patundshme, i cili e ka rritur hapësirën e vet të jetesës për dekada, mund vetëm të cilësohet mashtrim”, tha Engoron.

    Padia e Jamesit është vetëm njëra nga kokëçarjet ligjore për Trumpin, liderin e garës së republikanëve për kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

    Ndaj Trumpit janë ngritur katër aktakuza në gjashtë muajt e fundit, në të cilat akuzohet në Xhorxhia dhe Uashington se u përpoq ta zhbënte humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Në Florida për mbajtjen e jashtëligjshme të dokumenteve të klasifikuara dhe në Manhatan për falsifikimin e regjistrave biznesore. /REL

  • ​Stradner – Cholletit: Putin dhe Vuçiq po qeshin, do të testojnë sërish NATO-n në Ballkan

    ​Stradner – Cholletit: Putin dhe Vuçiq po qeshin, do të testojnë sërish NATO-n në Ballkan

    Analistja amerikane, Ivana Stradner, ka thënë se Rusia dhe Serbia po luajnë me Uashingtonin dhe Perëndimin ‘si fyell’.

    Këto deklarata Stradner i ka bërë teksa i ka reaguar këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili ka shkruar në “X” për bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Sipas saj, Putin dhe Vuçiq po qeshin me ShBA-në, pasi siç ka thënë ajo, e dinë se Uashingtoni nuk do të ngrejë gishtin.

    Ajo ka thënë se Serbia dhe Rusia do të testojnë NATO-n në Ballkan derisa ka përfunduar reagimin e saj duke thënë se “dobësia trimëron diktatorët.”

    “Moska dhe Beogradi po e luajnë Uashingtonin si ‘fyell’. Putin dhe Vuçiq po qeshin me SHBA-në dhe e dinë se Uashingtoni nuk do të ngrejë as gishtin. Do të shihni më shumë testime të NATO-s në Ballkan. Dobësia trimëron diktatorët”, ka shkruar ajo.

    Në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, një grup terroristësh sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa plagosi dy policë të tjerë. Ndërsa në mesin e terroristëve mbeten të vrarë 3 prej tyre.

    Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh në Manastirin e Banjskës ku terroristët u strehuan.

    Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojiçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

  • Janjiq: Shumica e njerëzve në Beograd e pranojnë realitetin, asgjë s’mund të arrihet me forcë në Kosovë

    Janjiq: Shumica e njerëzve në Beograd e pranojnë realitetin, asgjë s’mund të arrihet me forcë në Kosovë

    Analistët vlerësojnë sulmin e fundjavës në Kosovë si një ngjarje që sposton kontestin ndërmjet Kosovës dhe Serbi nga dialogu i lehtësuar nga bashkësia ndërkombëtare për normalizim mes dy vendeve në çështje urgjente të sigurisë, por edhe që i jep fund mendimeve në Serbi se me forcë mund të arrihet ndonjë rezultat në Kosovë.

    Analistë në Beograd vlerësojnë se sulmi i grupit të armatosur serb në Kosovë, nuk ishte i papritur, por një ngjarje e paralajmëruar, që pritet të ndryshojë parametrat e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar një realitet krejtësisht të ri mes dy vendeve.

    “Do të jetë shumë e vështirë të menaxhohen dy gjëra, fillimisht, reagimi shovinist, etno-nacionalist rreth humbjes së kontrollit të territorit në pjesën veriore të Kosovës, gjë që ka ndodhur në realitet… Në këtë moment, përqendrimi është në sigurinë dhe kjo nuk është gjë e keqe, sepse më në fund njerëzit do ta kuptojnë që zgjidhja nuk vjen me konflikte, me dhunë dhe këtë duhet ta pranojnë. Jam i bindur se shumica e njerëzve që jetojnë në Beograd e pranojnë realitetin – realitetin që asgjë nuk mund të arrihet me forcë në Kosovë”, deklaroi Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike.

    Analistja Maja Piscevic nga organizata Këshilli Atlantik me seli në Washington, thotë se publiku në Serbi është i vetëdijshëm se, siç tha ajo, “diçka e tmerrshme ka ndodhur.”

    “Ka kaq shumë pyetje. A ishte ky një tërmet? A ishte ky paralajmërim, apo një përgatitje e terrenit? Ngase të gjithë e kemi parashikuar dhe e kemi paralajmëruar bashkësinë ndërkombëtare se do të ndodhte. Dhe tani kur ndodhi, të gjithë u befasuam, ngase ndoshta shpresuam se nuk do të ndodhte. Vlerësimi im është se ky është një episod tragjik për serbët dhe shqiptarët, pasojë e mundësive të humbura, mungesës së guximit politik, zgjuarsisë politike dhe përgjegjësisë. Dhe në këtë kuptim, ishte e pashmangshme që diçka e tillë të ndodhte,” tha Piscevic.

    Sipas Janjiqit, ka gjithnjë e më shumë argumente se ky ishte një “përshkallëzim i përdorimit të dhunës për qëllime politike” por që përshtypja që kjo është bërë nga elementë kriminalë tashmë nuk qëndron.

    Ai thotë se është tashmë e qartë që “KFOR-i, EULEX dhe Policia e Kosovës kanë bashkëpunuar profesionalisht dhe që Beogradi është gjithashtu i përfshirë në strehimin e njerëzve në Serbi që nuk janë arrestuar dhe që nuk janë në spitale, në Prishtinë”.

    Sipas tij, Beogradi tani detyrohet të hetojë dhe shkëmbejë informata për të gjithë ata që janë të përfshirë.

    “Kemi ardhur në këtë pikë – përparësi është diskutimi, marrëveshja me Kosovën, me Prishtinën, jo për asociacionin e komunave, jo për shtetin. Tani ka të bëjë me sigurinë, që do të thotë me demilitarizimin e paramilitarëve”, deklaroi Janjiq.

    Sipas tij, Presidenti serb Vuçiq tashmë ka pranuar përgjegjësinë “kur e ka përcaktuar tërë procesin si protestë të njerëzve, qytetarëve dhe jo të kriminelëve”.

    “Nuk ma merr mendja se do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm të organizuar në Kosovë. Nëse Beogradi ka dashur të bëjë diçka, tash është e qartë që një gjë të tillë nuk mund ta bëjë në Kosovë. Ndoshta mund ta bëjë në Bosnjë, por në Kosovë, kjo vatër e nxehtë është tani e mbrojtur nga BE-ja, NATO-ja dhe prania amerikane”, theksoi ai.

    Piscevic thotë se një hetim i ngjarjeve është i domosdoshëm për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur. Megjithatë, sipas saj, një gjë është e qartë.

    “Është tashmë fakt që komuniteti serb është përfundimisht i radikalizuar dhe nuk u beson institucioneve të Kosovës. Diçka duhet të ndodhë. Diçka neutrale që të ndajë të dy palët. Kjo është gjithsesi një krizë sigurie. Dhe nuk mund të kesh zgjidhje politike pa e zgjidhur krizën e sigurisë. Dhe kjo çështje ka përparësi tani”, tha Piscevic.

    Por, përpos pasojave të menjëhershme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, analistët parashohin që sulmi i armatosur i grupit serb në pjesën veriore të Kosovës ndaj policisë së Kosovës shkon përtej kundërthënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur implikime për Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe për rajonin.

    Sipas Janjiqit, Rusia mund të ketë qenë e përfshirë në atë që ndodhi.

    Ai thotë se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të flasin “me një zë për të gjitha çështjet e rëndësishme.” Por, sipas tij, janë Shtetet e Bashkuara ato që tani duhet të vihen në krye të proceseve.

    “Amerika duhet të udhëheqë për një arsye të vetme, Amerika thjesht po udhëheq bllokun perëndimor të sigurisë për të garantuar paqen në Evropë dhe jashtë Evropës. Së dyti, koha do ta dëshmojë se Rusia është e përfshirë me (Milan) Radoiçiqin dhe të tjerët në këtë incident – Rusia po tenton të tregojë se Amerika nuk është garantuesi i vetëm i paqes, që nuk është garantues i besueshëm i saj dhe konsideroj se është tejet e rëndësishme që Amerika të marrë rolin udhëheqës në këtë çështje të sigurisë”, deklaroi Janjiq.

    Por, sipas Janjiqit, Moska tashmë synon lojtarë dhe shënjestra të tjera.

    “Beogradi duhet ta ndryshojë politikën e tij. Beogradi zyrtar i Vuçiqit nuk do të përkrahet shumë nga Moska. Shansi i fundit është Këshilli i Sigurimit (të OKB-së). Moska tashmë po bën llogari me njerëz të rinj në Beograd, në Serbi dhe po bën një lloj tregtie. Kosova nuk është shënjestra kryesore apo pikë interesi rus. Është pikë e rëndësishme për t’u përleshur dhe luftuar me NATO dhe për ta shpërndarë atë nëpër tërë Evropën. Është mësim shumë i rëndësishëm që u mësua”, tha ai.

    Ndërsa analistja Piscevic thotë se ndonëse roli i faktorëve të jashtëm nuk mund të përjashtohet nga sulmi i së dielës, duke marrë parasysh që situata e paqëndrueshme që ka ekzistuar për një kohë në Ballkan ka krijuar terren joshës për aktorë që janë të investuar në një rajon të destabilizuar.

    “Është terren i favorshëm për ata që janë të interesuar për një Ballkan të destabilizuar, që ta përkrahin një gjë të tillë. Por nuk mund të them nëse janë të angazhuar drejtpërdrejt, nëse po, flasim për Rusinë. Por, ka kuptim që nuk janë të palumtur me atë që po ndodh në veri këto ditë,” tha ajo.

    Analistët nuk mund të parashikojnë se çfarë zhvillime mund të priten, por ata theksojnë se vetëm një prani e shtuar e pranisë dhe vëmendjes ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë mund të sigurojë një rrugëdalje nga kjo gjendje.

    “Kjo ishte një tronditje e madhe. A do të pasohet nga ndonjë incident tjetër? Sinqerisht, e kam të vështirë të imagjinoj se kjo rrjedhë e ngjarjeve mund të ndalojë vet, pa bashkësinë ndërkombëtare dhe pa rritjen e pranisë dhe gatishmërisë së KFOR-it në këtë pjesë të Kosovës”, thotë Piscevic.

    Ndërkaq, Janjiq thotë se ndonëse nuk sheh përshkallëzim të mëtejmë në Kosovë, këto zhvillime paraqesin një moment të ri.

    “Është krijuar një realitet krejtësisht i ri. Ka pasur rrezik të lartë se do të nxiste ndonjë konflikt të ri të armatosur. Tani jam i sigurtë se nuk do të ketë aktivitete të armatosura. Është një moment, që politikanët në dy anët ta shfrytëzojnë këtë moment. Zgjidhja para tyre është jo si të vazhdojnë me menaxhimin e sigurisë; por si të vazhdohet me stabilizimin e paqes. Kjo e ka ndryshuar tërësisht kahjen dhe nuk jam i sigurtë nëse Vuçiqi do të shkojë deri në fund. Për momentin, ai duhet ta pranojë këtë”, thotë ai.

    “Njerëzit në Serbi janë shumë të frikësuar nga një luftë e re, nuk janë për të, por se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, nuk mund ta them tani. Zona e vetme ku tani transferohet pasiguria është në Bosnjë”, përfundoi Janjiq./VOA

  • Graçanica i bindet Listës Serbe, ulë flamurin në gjysmë shtizë

    Graçanica i bindet Listës Serbe, ulë flamurin në gjysmë shtizë

    Partia që për një dekadë i ka përfaqësuar politikisht serbët e Kosovës nuk po distanciohet nga sulmi terrorist në Banjskë.

    Madje, Lista Serbe po kërkonë që serbët të mbajnë tri ditë zie, për siç propagandojnë vdekjen e bashkëqytetarëve në ngjarjen tragjike në Banjskë të komunës së Zveçanit.

    “Në mjediset serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë: – do të anulohen të gjitha ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale, – Flamujt e Republikës së Serbisë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

    Ndonëse terrotorin e Kosovës në mjediset e banuara me serbë në komunat jugore të Kosovës, ky “vendim” i Listës Serbe po respektohet.

    “Thirrja e partisë Lista Serbe për të mbajtur tri ditë zie ka bërë jehonë edhe në Graçanicë. Në qendër të qytetit, flamuri shtetëror i Serbisë është ulur në gjusëm shtizë”.

    E njëjta gjë ka ndodhur edhe para objektit të komunës, përfshirë edhe në këtë objekt ilegal të postës serbe. Edhe në vendbanime më të thella në këtë zonë, nëpër qendra familjare e nëprë shkollë me sistem paralel po përfillet thirrja e partisë në të cilën Milan Radojçiq është nënkryetar.

    Situata në terren por edhe qëndrimet publike, sipas analistëve politk tregojnë se në sulmin terrorist është e përfshirë edhe Lista Serbe e ndihmuar nga Beogradi.

    “Ajo që u tha që nuk dihej që është prej Beogradit ose jo sot u konfirmua, me përfshirjen e Radojçiqit dhe Listës Serbe, dhe shpajlljes tri ditë zie për nder të këtyre viktimave sipas tyre “heroj”. Edhe shpalles së ditës së nesërme ditë zie nga Beogradi (Serbia) ata morën përgjegjësi për krejt aksionin dhe sulmin terrorist në veri”, ka thënë analisti Dibran Hoxha.

    Hoxha thotë tash është radha e instituconeve të Kosovës që të veprojnë.

    “Institucionet tona do të duhej që Listën Serbe, meqë nënkryetari i saj është i përfshirë në këtë sulm, ta shpallin si organizatë terroriste, siç kanë bërë me organizatat tjera që kanë veprimtari të tillë, edhe në një formë ose tjetër është fatkeqësi që ne si shtet kemi kontribuar në formimin e kësaj strukture kriminale në Kosovë”, ka thënë Hoxha.

    Ndërkohë, kjo thirrje e Listës Serbe vjen në ditën kur Serbia 27 shtatorin e ka shpalur ditë zie për kinse ngjarjen tragjike në Kosovë.

    Në faqen zytare të qeverisë serbe thuhet se të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike duhet t’i përshtatin programet e tyre me ditën e zisë dhe në këtë mënyrë t’i respektojnë viktimat e Kosovës.

  • Detaje të reja nga aksioni i policisë, u gjetën armë në disa shtëpi në Banjskë

    Detaje të reja nga aksioni i policisë, u gjetën armë në disa shtëpi në Banjskë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për konfiskimin e disa armëve gjatë kontrollit në disa shtëpi në Banjskë.

    Me vendim të prokurorit armët e gjetura janë konfiskuar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Nuk raportohet për të arrestuar.

    Rastet janë hapur për armëmbajtje pa leje.

    Të gjitha rastet:

    Fsh. Banjskë, Zveçan 23.09.2023 – 11:50. Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse pronë e të dyshuarit mashkull/Serb, i dyshuari ka lajmëruar se posedon një pushkë “ Karabin” me 87 copë fishekë dhe një pushkë ajrore. Me vendim të prokurorit armët e gjetura janë konfiskuar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    ·         Fsh. Banjskë, Zveçan 23.09.2023 – 11:50. Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse pronë e të dyshuarit mashkull/Serb, i dyshuari ka lajmëruar se posedon një pushkë gjuetie dhe 74 copë fishekë për të cilën nuk posedonte leje valide. Me vendim të prokurorit arma e gjetur është konfiskuar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    ·         Fsh. Banjskë, Zveçan 23.09.2023 – 11:50. Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse pronë e të dyshuarit mashkull/Serb, i dyshuari ka lajmëruar se posedon një pushkë “Karabin”  pa municion. Me vendim të prokurorit arma e gjetura është konfiskuar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    ·         Fsh. Banjskë, Zveçan 23.09.2023 – 14:35. Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse pronë e të dyshuarit mashkull/Serb, i dyshuari ka lajmëruar se posedon një pushkë gjuetie dhe 10 copë fishekë për të cilën nuk posedonte leje valide. Me vendim të prokurorit arma e gjetur është konfiskuar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • A e ka paralajmëruar Vuçiq sulmin në Banjskë?

    A e ka paralajmëruar Vuçiq sulmin në Banjskë?

    Mediumi serb Klix.ba ka hedhur disa dyshime pas një deklarate të mbrëmshme të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

    Kryeministri Albin Kurti ka zbuluar detaje të panjohura më parë për takimin e fundit me Aleksandar Vuçiqin në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Kurti mbrëmë ka thënë se Vuçiq është i fiksuar pas ish-komandantit suprem të UÇK-së, Adem Jasharit.

    Është kjo deklaratë për të cilën mediumi boshnjak thotë se ishte mesazh i qartë që presidenti serb ia dha Kosovës.

    Sipas Klix.ba, Vuciq në njëfarë forme e kishte paralajmëruar sulmin që ndodhi të dielën në Banjskë ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë.

    Kurti tha më 24 shtator (ditën e sulmit terrorist në Kosovë), ai ka dashur ta kthejë manastirin ortodoks të Banjskës në “kullën e Jasharisë” për serbët e Kosovës, përkatësisht si vend të martirizimit të tyre. Kujtojmë se sulmuesit së fundmi janë fshehur në atë manastir.

    Por Vuçiq, sipas Kurtit shkoi edhe më tej.

    Kryeministri Kurti në një takim në Bruksel më 2 maj ka thënë se Vuçiq ka përmendur se Milan Radoiçiq do të bëhet Adem Jasari i Serbisë.

    “Por duke qenë diktator, ai nuk e kupton historinë: epikat dhe çlirimi nuk shpiken apo kopjohen”. Kosova është vend demokratik dhe properëndimor. Serbëve në Kosovë nuk u nevojitet çlirimi nga Republika e Kosovës, por nga veglat terroriste të Serbisë”, tha Kurti.

    Fjala vjen, komandanti i UÇK-së Jašari u vra në masakrën në Prekaz. Ishte një operacion i policisë serbe i kryer më 5 mars 1998, gjatë të cilit në Prekaz u vra lideri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jašari së bashku me mbi 50 anëtarë të familjes së tij.

    Në Prekaz, përveç pjesëtarëve të UÇK-së, janë vrarë edhe një numër i madh i grave, fëmijëve dhe pleqve. Masakra në Prekaz konsiderohet si një nga seritë e masakrave në zonën e Drenicës, të cilat janë kryer nga forcat e sigurisë serbe gjatë luftës në Kosovë.

    Institucionet kompetente në Kosovë kanë mbledhur prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, si lider të grupit terrorist që sulmoi policinë e Kosovës, gjatë të cilit humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku.

    Radoiçiq është nën sanksione si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe nga Britania e Madhe, transmeton Klix.

  • Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në bankën e të akuzuarve janë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

    Seanca pritet të nis në orën 09:00.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

    Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

  • Mblidhen mbi 30 mijë euro për të ndihmuar familjen e policit të rënë në veri

    Mblidhen mbi 30 mijë euro për të ndihmuar familjen e policit të rënë në veri

    Mëngjesi i së dielës ishte i kobshëm për Kosovën, meqë rreshteri Afrim Bunjaku u vra nga disa terroristë serbë në Banjskë të Zveçanit.

    Pas kësaj ngjarjeje tragjike në ditën e varrimit të tij u mbajt një mbledhje komomerative, ku presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e shpalli hero, Afrim Bunjakun.

    Deri tani aty janë dhuruar mbi 30 mijë euro, shkruan Zeri.

  • Kurti mbledh ministrat

    Kurti mbledh ministrat

    Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit konfirmohet se ministrat do të mblidhen në orën 10:00, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    Rendi i ditës nuk është bërë publik.

  • Sot vendoset se si të procedohet tutje rreth zhvillimeve në veri

    Sot vendoset se si të procedohet tutje rreth zhvillimeve në veri

    Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, tha se sot paradite do të vendoset se si të procedohet tutje pas përfundimit të aksionit të bastisjes në Banjskë.

    Ndryshe të dielën, si pasojë e një sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku.

    Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar, raporton rtk.

    Gjatë bastisjes, Policia e Kosovës ka konfiskuar arsenal armësh dhe mjetesh të ndryshme, të cilat u prezantuan edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

    Gjithashtu ka Arrestuar të dyshuar për sulmin terrorist të së dilës.

    Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka caktuar nga një muaj paraburgim për të dy të dyshuarit për sulmin në Banjskë.