ATV

Category: Lajme

  • ​Çeku: Qëllimi i grupit terrorist ishte dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike

    ​Çeku: Qëllimi i grupit terrorist ishte dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro për mbështetje të familjes së rreshterit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, u tha se në sulmin e së dielës, ku nga grupet terroriste u vra Bunjaku, qëllimi i tyre ishte edhe dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se do të jenë gjithmonë pranë familjes, e cila dha një hero.

    “Në mbështetje të familjes të heroit Afrim Bunjaku të rënë në detyrë, propozoj që të aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumën prej 50 mijë euro, e cila ndahet nga shpenzimet e paparashikuara”, njoftoi Murati.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që i mori jetën një polici kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore.

    “Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Kosovës, u përdor si strehë nga grupi terrorist, përfshirë armatimin e tyre. Për dijeninë e të gjithëve, Manastiri i Banjskës u ndërtua në pjesën e parë të shekullit 14 mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme, paleokristiane. Ndërsa supozohet që në atë lokacion gjendej edhe një vendbanim antik romak, pasi që aty janë gjetur mbishkrime epigrafike, të periudhës romake. Nga ajo çfarë kemi parë, terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi, por edhe i urdhërdhënësve të tyre, ka qenë që përveç dëmit fizik në manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”, deklaroi ai.

    Tutje, Çeku u shpreh se qeveria deri më tani ka dhënë dëshmi të panumërta për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, e në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse.

    “Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve. Menjëherë pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante për ndërhyrje profesionale, me qëllim të sanimit të dëmeve të strukturën fizike të këtij manastiri”, shtoi ai.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

    Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar tetë persona.

    Policia e Kosovës ka gjetur në Manastir të Banjskës arsenal armësh./kp

  • Qeveria ndan 5 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçente për ngrohje

    Qeveria ndan 5 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçente për ngrohje

    Qeveria e Kosovës ka ndarë pesë milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçente për ngrohje.

    Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi ndau edhe gjashtë milionë euro shtesë për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë.

    Po ashtu, u ndan mbi 1 milion euro për kompensimin e dëmeve natyrore në bujqësi në 14 komuna.

    Ndërkaq, iu dha drita e gjelbër vendimit për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të dëmtuara gjatë viteve 1998-1999.

  • ​Banka evropiane rrit parashikimin për zhvillim për vitin 2023

    ​Banka evropiane rrit parashikimin për zhvillim për vitin 2023

    Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të mërkurën rriti parashikimin e saj për zhvillim për këtë vit në rajonet e saj – Evropën, Azinë Qendrore dhe Afrikën e Veriut.

    Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i rajoneve të BERZH-it, i cili mbulon afro 40 ekonomi, parashikohet të rritet me 2.4% në 2023, një rishikim 0.2 pikë përqindjeje në rritje krahasuar me parashikimin e saj në muajin maj, thuhet në një raport të bankës.

    Kjo erdhi nga rishikimet e mëdha në rritje në Turqi dhe Azinë Qendrore, e kompensuar pjesërisht nga një perspektivë më e dobët e rritjes në Evropën në zhvillim, thuhet në raport.

    Rritja ekonomike pritet të rritet në 3.2% në vitin 2024, pasi presionet inflacioniste do ulen gradualisht. Shifra u rishikua në rënie me 0.2 pikë përqindjeje nga raporti i mëparshëm, për shkak të efektit bazë të rritjes më të lartë të pritur në vitin 2023, raporton AA.

    “Rritja e fuqishme e ekonomive të Azisë Qendrore dhe performanca më e dobët e atyre në Evropën Qendrore dhe shtetet baltike reflektojnë pasojat e ndryshme të çmimeve të energjisë, inflacionit dhe modeleve të ndryshimit të tregtisë,” tha Beata Javorcik, kryeekonomistja e BERZH.

    Rritja në Evropën Qendrore dhe në shtetet baltike pritet të arrijë në 0.5% në vitin 2023 dhe të përshpejtohet në 2.5% në vitin 2024.

    PBB-ja në Azinë Qendrore parashikohet të rritet me 5.7% këtë vit dhe 5.9% vitin e ardhshëm.

    Banka parashikon që ekonomia ruse të rritet me 1.5% në 2023 dhe 1% në 2024.

    Rritja e PBB-së në Turqi, përfituesi më i madh i fondeve të BERZH-it, u rishikua me 0.1 pikë përqindjeje në 3.5% në vitin 2023, duke reflektuar stimulin fiskal parazgjedhor, megjithëse rritja pritet të ngadalësohet në gjysmën e dytë të vitit. Ekonomia turke parashikohet të rritet me 3% vitin e ardhshëm.

  • ​Kurti: Të dielën është cenuar siguria e integriteti territorial i shtetit

    ​Kurti: Të dielën është cenuar siguria e integriteti territorial i shtetit

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në sulmin e së dielës nga grupet terroriste serbe, është dëshmuar profesionalizimi i policëve të Kosovës, e që është suksesi i tyre më i madh prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Gjatë sulmit në veri, ai shtoi se është dëshmuar edhe rreziku dhe qëllimi i grupeve kriminale, me mbi pesë milionë euro vlerë të armatimit ushtarak. Shefi i ekzekutivit u shpreh se ky sulm terrorist ekspozon nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar më të madh për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë.

    Anëtarët e kabinetit qeveritar kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të rreshterit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.

    Në adresimin e tij, para fillimit të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare.

    “Po atë ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste të cilët i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Me mbi pesë milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup qindra luftëtarë, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqën në krahë e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë me presidentin e Serbisë, Vuçiq duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejt të shtetit serb në këtë mes”, u shpreh ai.

    Në sulmin e së dielës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, Kurti shtoi se është dëshmuar profesionalizimi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës.

    “Përballë kësaj është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, institucioneve tona të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plot për të mbrojtur republikën. Ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së pavarësisë, kjo na bën krenar të gjithëve dhe secilin. Andaj sot ju ftoj të gjithëve juve këtu dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i falënderojmë pjesëtarët tanë të policisë në uniformë kudo dhe kurdo që i shihni. Në mëngjes, gjatë ditës, a në mbrëmje, në rrugë, në sheshe, në vend të punës, në lagje, në trafik, ju faleminderit për shërbimin tuaj”, shtoi Kurti.

    Më tej, shefi i ekzekutivit potencoi edhe nevojën e bashkëpunimit më të madh ndërkombëtar për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit me Serbinë.

    “Sulmi terrorist i së dielës gjithashtu ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur me gjuhë të qartë e të përveçme dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar. Sepse kufirin me Serbinë më shumë se sa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, veçanërisht në pjesën veriore të rrezikshëm dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar. Njëkohësisht pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist, të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve, rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm, serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”, përfundoi ai.

    Afrim Bunjaku i u vra më 24 shtator në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit dhe ligjit, në Banjskë të Zveçanit.

    Deri më tani janë konfirmuar tre terroristë të vrarë dhe tetë persona të arrestuar nga Policia e Kosovës. /KP

  • Reagon ASHAK për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Reagon ASHAK për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), ka dalë me një reagim për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    “Ndihemi thellësisht të indinjuar me këto zhvillime, me sulmet e koordinuara terroriste mbi institucionet e Republikës së Kosovës, mbi sovranitetin dhe integritetin e saj dhe jemi njëkohësisht mbështetës të palëkundur të veprimeve të domosdoshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të organeve të rendit dhe të sigurisë, të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e ASHAK-ut.

    Reagimi i plotë:

    Reagim i Akademisë për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Kryesia e saj, është duke ndjekur me shqetësim ngjarjet më të fundit në veriun e Kosovës. Ndihemi thellësisht të indinjuar me këto zhvillime, me sulmet e koordinuara terroriste mbi institucionet e Republikës së Kosovës, mbi sovranitetin dhe integritetin e saj dhe jemi njëkohësisht mbështetës të palëkundur të veprimeve të domosdoshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të organeve të rendit dhe të sigurisë, të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare.

    I dënojmë me ndjenjën më të fuqishme të revoltës dhe indinjatës këto akte terroriste të Serbisë, të drejtuara kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës, kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kundër rendit të saj kushtetues. Ne kemi tërhequr vërejtjen me shumë se një herë, se Serbia është kthyer në faktorin kryesor destabilizues të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

    “Bota serbe”, versioni ballkanik i “botës ruse”, nga një program nacionalist i institucioneve akademike është kthyer tashmë në kredo politike dhe ideologjike të institucioneve shtetërore dhe vendimmarrëse të Serbisë. Jemi po ashtu të shqetësuar që një akt terrorist, siç është ky i fundit, synohet të përdoret si pretekst nga qarqe arriviste shqiptare, për të “ridizajnuar” historinë, tashmë të përmbyllur, të themelimit të Republikës së Kosovës.

    Gjithashtu, ndihemi të prekur nga humbja e jetës së oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut. Bashkëndjejmë me të afërmit dhe familjen e të ndjerit dhe përulemi para sakrificës dhe ndjenjës së përgjegjësisë të çdo mbrojtësi të rënë për liri dhe sovranitet.

    Kryesia e Akademisë
    Prishtinë, më 25 shtator 2023

  • Kurti: Bashkësia ndërkombëtare të dënojë Serbinë për sulmin terrorist në Veri

    Kurti: Bashkësia ndërkombëtare të dënojë Serbinë për sulmin terrorist në Veri

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmi terrorist i së dielës në veri ka cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe sigurinë kombëtare.

    Ai kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të dënojë Serbinë si dhe vigjilencë më të madhe të kontrollit të kufirit me Serbinë.

    Kurti shtoi se dëshmia për pjesëmarrjen e në kryetarit të Listës Serbe, Milan Radojinçiq në këtë sulm terrorist paraqet nevojën për pluralizëm politik të serbëve në Kosovë.

    Ndërkaq, tha se pas këtij sulmi terrorist është dëshmuar edhe profesionalizmi i policisë dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.

  • Qeveria ndanë 50 mijë euro në mbështetje të familjes së Afrim Bunjakut

    Qeveria ndanë 50 mijë euro në mbështetje të familjes së Afrim Bunjakut

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka ndarë një shumë prej 50 mijë eurosh për mbështetje të familjes së rreshterit Afrim Bunjaku.

    Rreshteri Afrim Bunjaku, ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2001. Ai u vra mëngjesin e 24 shtatorit pas përplasjes me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

    Sulmuesit e armatosur, rreth 30 persona, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit.

    Autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi. Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjës Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi fajësoi zyrtar serbët e Kosovës.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, për rreshterin Afrim Bunjaku ka urdhrin më të lartë të Kosovës, “Hero i Kosovës”.

    Osmani ka thënë se polici Bunjaku u vra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. /atvlive.tv

  • ​Digjet një veturë në Leposaviq

    ​Digjet një veturë në Leposaviq

    Në Leposaviq, dy persona i kanë vënë flakën një veture me targa të Serbisë.

    Një grua kosovare ka lajmëruar se para derës së shtëpisë së saj i kanë djegur veturën dy persona të panjohur.

    Policia njofton se janë duke hetuar rastin në fjalë.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar, se dy persona të panjohur i kanë djegur veturën (me targa të Serbisë) të cilën e kishte të parkuar para shtëpisë. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmia e dëshmitarit të 27-të vazhdon në seancë të mbyllur

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmia e dëshmitarit të 27-të vazhdon në seancë të mbyllur

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të mërkurën po vazhdon dëshmia e dëshmitarit të 27-të në këtë çështje (me kodin 04781), në seancë të mbyllur.

    Ky dëshmitar ka filluar dëshminë në seancën e djeshme, po ashtu edhe atë në seancë të mbyllur pas miratimit të kësaj kërkese nga trupi gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Para mbylljes së seancës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë urdhër me gojë lidhur me kërkesën e mbrojtjes për të zgjatur afatin për përgjigje ndaj mocionit të tretë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për pranim të provave.

    Gjykatësi Smith ka thënë se mbrojtja ka demonstruar arsye bindëse për zgjatje të kohës duke pasur parasysh volumin e punës dhe përmbajtjen e këtij dokumenti dhe se miratimi i zgjatjes së afatit për mbrojtjen nuk cenon palët e tjera dhe pjesëmarrësit dhe sipas tij nuk shkakton vonesë të procesin gjyqësor.

    Por se ai ka thënë se trupi gjykues ka vlerësuar se zgjatja e këtij afati deri më 27 tetor do të ishte e tepërt dhe do të vononte zgjidhjen e çështjes, andaj edhe afati është zgjatur deri më 17 tetor 2023.

    Në anën tjetër, trupi gjykues ka zgjatur edhe afatin për ZPS-në për t’iu kundërpërgjigjur deri më 31 tetor 2023.

    Seanca po vazhdon të jetë e mbyllur për publikun.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

    Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

    E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

    Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.

    Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të.

    Në të njëjtën ditë ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili ka përfunduar dëshminë më 14 shtator.

    Kurse, më 25 shtator ka filluar dëshminë dëshmitari i 26-të, i cili ka përfunduar më 26 shtator, ku në seancë të mbyllur ka filluar dëshminë dëshmitari i 27-të.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020

  • Edita Tahiri: Pa u ndëshkuar Serbia, Kosova nuk duhet të shkoj në dialog

    Edita Tahiri: Pa u ndëshkuar Serbia, Kosova nuk duhet të shkoj në dialog

    Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ka thënë se Kosova nuk duhet të shkoj në dilaogë, pa u ndëshkruar Serbia.

    Pas situatës në veri BE-ja dhe ShBA-ja u kanë bërë thirrje të dyja palëve që t’i kthehen dialogut dhe të shmangen veprimet që nxisin më tej tensione.

    Postimi i saj i plotë:

    Pa u ndeshkuar Serbia, Kosova nuk duhet te shkoj ne dialog – eshte njesoj sikur ‘Ti me bisht e une pa djale’ thenie e vjeter e jona e fuqishme!