ATV

Category: Lajme

  • Deputeti serb: Dënoj vrasjen e policit të Kosovës

    Deputeti serb: Dënoj vrasjen e policit të Kosovës

    Deputeti serb Gjorgje Miketiq, e ka dënuar vrasjen e policit të Kosovës Afrim Bunjaku.

    Ai tha se është e nevojshme të bëhet një hetim i plotë për atë çfarë ndodhi në Banjskë.

    “Çdo gjë që ka ndodhur të dielen ishte e tmerrshme. Unë e dënojë fuqishëm vrasjen e një polici. Po ashtu edhe përdorimin e tmerrshëm të dhunës nëse ka ndodhur duhet dënuar”,tha Miketiq për Euronews Albania.

    “Ne nuk e dimë sa njerëz janë vrarë dhe ne duhet të caktojmë sa serbë janë plagosur apo dorëzuar, kemi nevojë për një hetim për këtë çështje”, theksoi ai.

    Deputeti i partisë “Zajedno” apo (Së Bashku) tha se e kishte pyetur presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, lidhur me informacionin se nënkryetari i listës serbe Milan Radojiçiq, ishte në mesin e sulmuesve të policisë së Kosovës, gjë që siç tha serbët kanë nevojë ta dinë.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me mot të kthjellët dhe vranësira të herëpashershme gjatë pasdites.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Gjakova me 8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 25 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 25 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 31 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Prokurori Abazi: Aksioni është realizuar kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Radojiçiq

    Prokurori Abazi: Aksioni është realizuar kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Radojiçiq

    Prokurori special Naim Abazi ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës të premten është zhvilluar kryesisht në pronat të cilat tanimë janë evidentuar si prona të të dyshuarit Milan Radojiçiq.

    Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Abazi tha se aksioni është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale e me urdhër të gjykatës kompetente.

    “Ky aksion është bë me urdhër të Gjykatës, me kërkesë të kësaj Prokurorie në pesë lokacione të ndyshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës. Kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Milan Radojiçiq, ndërsa sa i përket rezultateve ose gjërat që kemi gjetë në këto lokacione, provat qoftë ato materale dhe ato sendeve të cilat ne konsiderojmë të sekuestrohen do t’ju njoftojmë me kohë pëmes një kumtese nga zëdhënësësit e kësaj Prokurorie”, tha Abazi.

    I njëjti shtoi se janë duke i evidentuar pronat të cilat dyshohen se janë në emër të Radojiçiqit dhe personave të tretë ku ai i ka transferuar ato prona.

    “Gjithçka që i përket operacionit dhe çështjeve të realizimit sa i përket kësaj urdhërese është përkujdesë Policia e Kosovës me detaje. Ne jemi ende tu i evidentu pronat të cilat dyshohet se kanë qenë në emër të tij apo personave të tretë ku ai ka transferu këto prona, por për rezultatin e tyre më saktësisht do t’ju njoftojmë në një njoftim të radhës pasi të përfundon në tërësi operacioni”, tha Abazi.

    Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksioni është kryer në katër prej pesë lokacioneve ku po zhvillohen bastisjet.

  • Zjarr afër QKUK-së

    Zjarr afër QKUK-së

    Një objekt në afërsi të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, raportohet se është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm.

    Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me tymin e madh që u pa te QKUK, ku ka njoftuar se një objekt është përfshirë nga zjarri.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, e cila ka thënë se nuk raportohet për persona të lënduar.

    “Sot rreth orës 07:00, është raportuar se në QKUK në Prishtinë, një objekt (lokal) është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Ahmeti.

  • Pamje të reja nga bastisja e Policisë së Kosovës në veri

    Pamje të reja nga bastisja e Policisë së Kosovës në veri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke kryer bastisje në pesë lokacione në veri të vendit, lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e së dielës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit të PSRK-së.

    Derisa sipas Kontaktplus medium lokal në veri ka publikuar disa foto të reja nga bastisja në pjesën veriore të Mitrovicës.

  • ​Policia bastis vilat e Radojiçiqit

    ​Policia bastis vilat e Radojiçiqit

    Pronat nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, janë në mesin e objekteve që po bastisen sot nga Policia e Kosovës në kuadër të aksionit që po zhvillohet në veri të vendit, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

    Sipas videove të publikuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Radojiçiq ishte pjesë e grupit terrorist të sulmit terrorist të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit. Ai është i sanksionuar i ShBA-së dhe i kërkuar nga institucionet e Kosovës.

    Ndryshe, Policia e Kosovës ka nisur sot në orët e hershme një aksion në pesë lokacione të veriut të vendit.

    Drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se deri më tash gjithçka ka shkuar mirë.

    “Policia ka ndërmarr një aksion të gjerë nëpër disa lokacione në veri dhe deri tash gjithçka është duke shkuar mirë dhe sipas planit”, ka thënë shkurt Elshani.

    Ai nuk ka dhënë detaje shtesë.

  • Sulmi terrorist në Banjskë, policia kryen kontrolle në pesë lokacione në Veri

    Sulmi terrorist në Banjskë, policia kryen kontrolle në pesë lokacione në Veri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer kontrolle në në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës.

    Në njoftimin e policisë thuhet se këto operacione po zhvillohen lidhur me ngjarjet e fundit në fshatin Banjskë, ku në një sulm terrorist mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë.

    Bëhet e ditur se këto kontrolle janë duke u zhvilluar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.

    “Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë. Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim. Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armatimi në Manastirin e Banjskës ku terroristët serbë u strehuan të dielën e 24 shtatorit. Armatimi që u gjet aty arrinë vlerën prej 5 milionë eurosh dhe ishte i bollshëm për qindra njerëz.

    Sulmin e së dielës e kanë dënuar institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

  • EULEX-i përgënjeshtron Serbinë lidhur me sulmin në Banjskë

    EULEX-i përgënjeshtron Serbinë lidhur me sulmin në Banjskë

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) hodhi poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë se nuk është lejuar që të marrë pjesë në operacionin policor më 24 shtator në Banjskë, pasi u sulmua Policia e Kosovës.

    “EULEX-i në asnjë mënyrë nuk është ndaluar që të marrë pjesë apo të vëzhgojë operacionet që janë kryer nga Policia e Kosovës më 24 shtator”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga ky mision i bllokut evropian.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, kanë thënë se Kosova nuk e lejoi EULEX-in që të marrë pjesë në operacionin policor, pasi një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

    Vuçiq gjatë një takimi me përfaqësuesit e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian më 26 shtator, tha se i ka pyetur ata pse “EULEX-i është refuzuar” që të marrë pjesë në operacionin në veri.

    “Pas sulmit të kryer ndaj Policisë së Kosovës dhe më pas intervenimit të Policisë, patrullat mobile të njësisë policore të EULEX-it dhe Njësisë policore rezervë, por edhe pjesëtarë të tjerë të stafit të EULEX-it kanë qenë në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe kanë shkuar në zonën përreth manastirit të Banjskës në veri të Kosovës”, thanë nga EULEX-i.

    Nga ky mision shtuan se kanë monitoruar nga afër operacionin policor dhe kanë qenë në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Grupi i maskuar dhe i armatosur – që sipas autoriteteve në Kosovë përbëhej prej rreth 30 personash – fillimisht sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, teksa autoritetet e rendit nisën një aksion për heqjen e një barrikade në rrugë.

    Më pas, sulmuesit u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty u përleshën gjatë gjithë ditës me zyrtarët policorë. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, tre sulmues të dyshuar janë vrarë.

    Si Vuçiq, ashtu edhe Petkoviq, kanë pretenduar se dy serbë janë vrarë pasi janë dorëzuar dhe kanë kërkuar që EULEX-i të përfshihet në hetime dhe që ky mision të ndërmjetësojë lejimin e hetuesve serbë të kryejnë autopsinë e sulmuesve të vrarë.

    Ky mision i BE-së nuk tregoi nëse ka pranuar një kërkesë të tillë nga Serbia, por tha se nuk ka “mandat ekzekutiv për të kryer hetime”.

    “Misioni ka monitoruar dhe do të vazhdojë të monitorojë aktivitetet e kryera nga autoritetet në Kosovë që lidhen me sulmin, sikurse hetimet, konfiskimet dhe bastisjet. Në përputhje me mandatin që kanë dhe me legjislacionin e Kosovës, përfaqësuesit e EULEX-it ishin të pranishëm gjatë kryerjes së autopsisë, në cilësinë e monitoruesve”, u tha në përgjigjen e EULEX-it.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin në Banjskë, të cilën e cilëson si sulm terrorist dhe ka kërkuar të kryhet një hetim ndërkombëtar për këtë ngjarje. Serbia ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.

    Sulmi është dënuar fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. /REL

  • Shkrumbohet një veturë në “Rrugën C” në Prishtinë, frikësohen banorët

    Shkrumbohet një veturë në “Rrugën C” në Prishtinë, frikësohen banorët

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në Prishtinë te Rruga C, një veturë është bërë shkrumb e hi.

    Vetura Audi A7 ishte pronë e një shtetase të Shqipërisë, e cila nuk pranoi të flasë për rastin.

    Megjithatë, banorët të cilët jetojnë në këtë pjesë të kryeqytetit, thonë se dëgjuan një zhurmë të madhe.

    “Unë jam kanë aty, e kam ni krismën, ka ba shumë krismë të madhe. Na jena tut që oshtë naj bombë najsen. Kanë ardhë tani policia kanë këqyr për rastin. Ndër të parët e kom dëgju”, tha Nasmi Begaj, banor.
    Banorët kërkojnë më shumë siguri, për shkak të frekuentimit të madh që ka kjo pjesë e kryeqytetit.

    “Kanë mujtë tjera me u djegë aty, ose i oshtë vnu zjarri ose i dobtë kerri. Duhet siguri me pasë ma shumë, kamera duhet me pasë se s’ka knej. Se vallah prej kësaj situate janë frikësu me pleqtë, me fëmijë, të gjithë. Jemi në një kohë të keqe tu jetu”, tha Mejdi Isufi, banor i lagjes.

    Policia nëpërmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka bërë të ditur se kanë
    filluar hetimet për të kuptuar shkaqet që çuan deri të djegia e veturës.

    “Aktualisht, Policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

  • Presidentja kërkon që drafti për asociacion të bëhet me SHBA-në

    Presidentja kërkon që drafti për asociacion të bëhet me SHBA-në

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që Kosova së bashku me Shtetet e Bashkuara ta përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Pasi tha se marrëveshja drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur gjatë këtij viti nuk është perfekte, Osmani e cilësoi obligim ndërkombëtar që duhet përmbushur.

    “Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherinit”, tha Osmani.

    Komenti i Bashkimit Evropian në lidhje me qëndrimin e presidentes Osmani për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, ishte i shkurtër.

    “BE-ja ua ka prezantuar idetë dhe pritjet partnerëve në disa raste, së fundi madje në deklaratën e 27 shteteve anëtare të BE-së”, thuhet në komentin e BE-së.

    Teksa e cilësoi si hap pozitiv të presidentes, politologu Fidan Ukaj vlerëson se nuk është momenti i duhur të flitet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    Deri më tani, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë qarkulluar drafte si: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, ekip ky që u shkarkua më pas, draft-vizioni i kryeministrit Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit Edi Rama, dhe draft-statuti i hartuar nga një organizatë gjermane.

    Derisa Qeveria e Kosovës frikësohet se një asociacion njëetnik do të mund të cenonte funksionalitetin e shtetit, faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka insistuar në formimin e tij, që është edhe kërkesa kryesore e Beogradit.