ATV

Category: Lajme

  • Aksioni i Policisë në komunat veriore – Reagon Lista Serbe

    Aksioni i Policisë në komunat veriore – Reagon Lista Serbe

    Aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në komunat veriore e ka kundërshtuar Lista Srpska, e cila e pretendon se njësitë speciale të PK-së “kanë hyrë brutalisht në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicë”.

    Kjo parti ka vazhduar retorikën propaganduese se policia po i terrorizon serbët e Kosovës, duke thënë se sot ka penguar dhe ka shqetësuar pacientët në këtë klinikë.

    “Sot, në orët e hershme të mëngjesit, njësitet speciale të Kurtit, të cilat janë të pranishme ilegalisht në veri të Kosovës hynë brutalisht në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicë dhe me atë rast rrënuan disa nga dhomat me forcë dhe me brutalitet të tepruar ka penguar punën e punonjësve shëndetësorë dhe ka frikësuar pacientët që po i nënshtrohen trajtimit spitalor në këtë institucion”.

    Po ashtu, Lista Srpska ankohet që bastisje u kryen edhe në disa prona të nënkryetarit të saj, Milan Radojiçiq.

    “Paralelisht me këtë bastisje, një bastisje brutale është bërë edhe në disa objekte private në veri të Kosovës dhe ne ende jemi duke mbledhur të dhëna për këto bastisje. Gjatë këtij aksioni brutal të forcave speciale të Kurtit është bllokuar rruga që të çon në kopshtin e fëmijëve, përkatësisht në institucionin parashkollor “Danica Jaramaz” dhe shkollën fillore “Sveti Sava”. Mësuesit dhe edukatorët nuk mund të shkonin në vendet e tyre të punës, fëmijët ishin të tmerruar dhe prindërit e shqetësuar nuk lejoheshin t’i çonin fëmijët e tyre në kopsht ose në klasa”.

    Lista Srpska po ashtu kritikon EULEX-in se ka qëndruar si vëzhgues derisa Policia e Kosovës ka kryer bastisjet.

    “Është e qartë se regjimi i Kurtit tani po i shfrytëzon ngjarjet tragjike nga Banjska për të justifikuar të gjitha aktivitetet antiserbe në Kosovë, si dhe për të vazhduar keqtrajtimin e mëtejshëm të qytetarëve tanë. Duhet të theksohet se anëtarët e EULEX-it i kanë ndjekur të gjitha këto inkursione brutale nga një distancë prej dhjetëra metrash, absolutisht të painteresuar për të parandaluar keqtrajtimin e popullit serb apo për t’u përfshirë aktivisht dhe për të parandaluar veprimet ilegale të slautëve të Kurtit”.

    Kësaj deklarate i ka bërë jehonë edhe institucioni i ashtuquajtur Zyra për Kosovën në qeverinë serbe në Beograd.

    Ajo tha se “njësitë speciale në gjendje terrori” thyen derën në hyrje, plaçkitën disa dhoma dhe “të armatosur deri në dhëmbë, marshuan nëpër këtë objekt shëndetësor qendror serb në Kosovë”.

  • Policia thotë se ka identifikuar personin e dyshuar për plagosjen në Prishtinë

    Policia thotë se ka identifikuar personin e dyshuar për plagosjen në Prishtinë

    Një person është plagosur paraditen e sotme në lagjen “Dardania” në Prishtinë. I dyshuari është identifikuar nga policia.

    Rastin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti e cila shtoi se i plagosur është dërguar për tretman mjekësor.

    “Sot rreth orës 11:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen Dardania në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha ajo.

    Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person është plagosur dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor.

    “Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”.

  • Plagoset me armë zjarri një person në lagjen “Dardania” në Prishtinë

    Plagoset me armë zjarri një person në lagjen “Dardania” në Prishtinë

    Një person raportohet se është plagosur me armë zjarri para pak çasteve në lagjen ‘Dardania’, në Prishtinë.

    Në vendngjarje ka dalë Policia e Kosovës dhe ekipi i Emergjencës, të cilët po merren me rastin.

    Lajmi në përditësim…

  • Parlamenti Evropian javën e ardhshme diskuton për Kosovën

    Parlamenti Evropian javën e ardhshme diskuton për Kosovën

    Një debat për Kosovën është paraparë të mbahet javën tjetër në Parlamentin Evropian. Eurodeputetët pritet të flasin për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me Komisionin dhe Këshillin të martën pasdite, pas konflikteve të fundit në veri.

    Në njoftim, thuhet se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, ka dënuar ashpër sulmin e një grupi të armatosur ndaj policëve të Kosovës.

    Gjithashtu theksohet se në dy raporte të veçanta në maj, deputetët i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në një dialog nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe të sigurojnë pa vonesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në parimin e njohjes reciproke.

  • Kurti kërkon mbështetje nga Zvicra për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Kurti kërkon mbështetje nga Zvicra për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në një intervistë për NZZ, Kurti ka thënë se për t’u bërë anëtarë të Këshillit të Evropës, Kosova ka nevojë për miq, të cilët ofrojnë një pasqyrë të vërtetë për ne, transmeton Klan Kosova.

    Qëllimi i Kosovës është që vitin e ardhshëm të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, ka thënë Kurti për gazetën e Cyrihut.

    Para së gjithash, është një çështje gjeopolitike. Vendet e BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) nuk e njohin Kosovën. “Kemi nevojë për ndihmë nga Zvicra”, tha Kurti. Intervista për Neue Zürcher Zeitung u publikua pas takimit të një jave më parë me presidentin e Konfederatës Alain Berset.

    Zvicra mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, bëri të ditur Departamenti Federal i Brendshëm (DFI) pas bisedimeve, duke shtuar se kjo do t’u mundësonte të gjithë banorëve të vendit – dhe për rrjedhojë edhe anëtarëve të pakicës serbe dhe komuniteteve të tjera – të kenë qasje. në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

    Nga ana e tij, gjatë bisedimeve, Berset nënvizoi mbështetjen e Zvicrës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ftoi të dyja vendet që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, të negociuara në pranverë.

    Megjithatë, dy ditë pas takimit, në veriun e Kosovës të banuar nga serbët ndodhën përleshje të rënda.

    Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (DFA) dënoi sulmin ndaj policisë kosovare “me termat më të ashpër” dhe apeloi për qetësi. Autorët e këtij akti dhune do të duhet të mbajnë përgjegjësi, shkruan FDFA në X (ish-Twitter).

  • Prokurori serb: Nuk dihet se në çfarë cilësie do të dëgjohet Radoiçiq, si qytetar apo i dyshuar

    Prokurori serb: Nuk dihet se në çfarë cilësie do të dëgjohet Radoiçiq, si qytetar apo i dyshuar

    Nga deklarata e Aleksandar Vuçiqit nuk është e qartë se në çfarë cilësie ka mundur të dëgjohet Milan Radoiçiq para organeve gjyqësore serbe, tha prokurori Goran Iliq

    “Nga deklarata e Vuçiqit nuk është e qartë nëse Milan Radoiçiq do të dëgjohej si qytetar dhe kjo ndodh kur një person ka dijeni për një vepër penale por nuk ka statusin e të dyshuarit. Një mundësi tjetër është që ai të dëgjohet si i dyshuar dhe nëse ka një mbrojtës, atëherë deklarata e tij ka karakter provash dhe në të mund të bazohet aktgjykimi i gjykatës. Nuk e dimë se në çfarë statusi do të thirret dhe do të merret në pyetje në polici dhe në prokurori”, ka thënë prokurori Goran Iliq në N1.

    Duke folur për RTS, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Milan Radoiçiq ndodhet në Serbi dhe se do t’i përgjigjet ftesës së organeve kompetente.

    Milan Radoiçiq dyshohet nga autoritetet kosovare si një nga organizatorët e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë një polic.

  • Miftaraj: Milan Radojiçiq duket paska jetuar si Pablo Eskobar, populli serb të informohet

    Miftaraj: Milan Radojiçiq duket paska jetuar si Pablo Eskobar, populli serb të informohet

    Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit Kosovar për Drejtësi, thotë se institucionet e Kosovës, duhet ta informojnë popullin serb për stilin e jetesës së Millan Radojçiq.

    Miftaraj shkruan:

    Institucionet e Kosoves duhet të informojnë popullin serb ne Kosove lidhur me stilin e jetës se Milan Radojiçiq. Milan Radojciq si “perfaqesues politik” i Listes Serbe si duket ka pas nje jete te nje narko-dilleri me pasuri miliardeshe. I njejti si duket paska jetuar ne villa multi milioneshe njejte si Pablo Eskobar dhe El Chapo, me koleksion te makinave qe kalojne vleren miliona Euro, si dhe me ushtri private-paramilitare dhe me armatim qe e ka zili edhe nje ushtri moderne.Si ka mundesi qe nje “politikan” si Radojciq ne te njejten kohe te “mbroj” interesat e popullit serb ne Kosove dhe te kete nje jete si neper filmat me narko dilere?Lista Serbe duhet te informoj publikun se nga e ka prejardhjen gjithe kjo pasuri e nen kryetarit te tyre dhe cila eshte lidhja e tyre me gjithe kete perandori te jashteligjshme

  • Rashiq: Konflikti i armatosur në Banjskë ishte akt terrorist, Kurti është pacifist dhe intelektual

    Rashiq: Konflikti i armatosur në Banjskë ishte akt terrorist, Kurti është pacifist dhe intelektual

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq tha sot se sulmi i armatosur në Banjskë, i cili u krye nga një formacion paramilitar, ishte akt terrorist.

    Rashiq tha se kryeministri Kurti është pacifist e intelektual, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “(Kryeministri i Qeverisë së Kosovës) Albin Kurti për mendimin tim është pacifist dhe intelektual”, ka thënë Rashiq për Nova.rs.

    I pyetur se sa realiste është që KFOR-i të marrë përsipër sigurinë në veri të Kosovës, Rashiq tha se mandati i KFOR-it thotë se anëtarët e tij ruajnë kufijtë e jashtëm dhe për sa i përket sigurisë së brendshme, nuk është realiste të pritet një ushtar nga Finlanda, Turqia, Suedia, Britania apo dikush tjetër.

    “Rrjedhimisht, për këtë ju nevojiten institucione që i njohin njerëzit dhe këtë e bën policia. Mendoj se është pothuajse e pamundur që KFOR-i ta mbrojë atë siguri të brendshme,” tha Rashiq.

    Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

    Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pa u lirun.

    Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

    Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

  • ​Gashi: Parandaluam depërtimin e zjarrit në Fakultetin e Mjekësisë

    ​Gashi: Parandaluam depërtimin e zjarrit në Fakultetin e Mjekësisë

    Dy lokale afariste brenda oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë kapluar nga zjarri mëngjesin e së premtes. Përveç dëmeve materiale nuk është raportuar për të lënduar, derisa zjarrfikësit që kanë intervenuar kanë parandaluar përhapjen e tij në Fakultetin e Mjekësisë, i cili është prapa lokaleve të djegura.

    Komandanti i Brigadës së Zjarrfikëseve në Prishtinë, Mal Gashi, tha se zjarri ka qenë i përmasave të mëdha.

    “Zjarri ka qenë i përmasave të mëdha se siç po shihet nuk është vetëm një lokal por janë dy lokale apo më shumë. Po ashtu materiali i ndërtimit të këtyre lokaleve është aq i dobët dhe pa asnjë kriter që zjarri ka mundësi të përhapjes me shpejtësi marramendëse të lartë. Me rëndësi tjetër ka qenë se kur kanë intervenuar zjarrfikësit nuk e kanë lënë me depërtu zjarrin në objektin e fakultetit i cili është i ri dhe shumë me vlerë. Pak është kap një pjesë e objektit por aty është ndal dhe nuk është lënë me u zgjeruar”, tha ai.

    Mirëpo shtoi se me të marrë informacionin në orën 07:15 kanë dal në teren dhe e kanë lokalizuar zjarrin dhe shuar atë.

    “Në orën 07:15 minuta në mëngjes është dhënë informata se është duke djegur një lokal. Kur kanë ardhur ekipet këtu, fati që ka qenë mëngjes dhe komunikacioni s’ka qenë shumë i dendur kanë arritur shumë shpejtë. Në mënyrë shumë profesionale kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit, në radhë të parë në izolimin që mos me lënë mu shpërnda në objekte të tjera dhe tashmë po shihet se është në fund. Për të lënduar nuk kemi informata që dikush është lënduar”, theksoi Mala.

    Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës duke bërë të ditur se kanë ndërmarrë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që e karakterizojnë ngjarjen./kp

  • Ramush Haradinaj dëshmon në rastin e njohur si 53-milionëshi

    Ramush Haradinaj dëshmon në rastin e njohur si 53-milionëshi

    Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj të premten ka dëshmuar në rastin e njohur si 53-milionëshi, në të cilin është i akuzuar bashkëpartiaku i tij, Pal Lekaj dhe të tjerë.

    Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri. Haradinaj, është dëshmitar i propozuar nga mbrojtja.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.Ndërsa, më 9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.