ATV

Category: Lajme

  • Prokuroria kërkon sekuestrimin e vilës së Radoiçiqit në zonën e liqenit të Ujmanit

    Prokuroria kërkon sekuestrimin e vilës së Radoiçiqit në zonën e liqenit të Ujmanit

    Policia e Kosovës sot ka kryer kontrolle në pesë lokacione nëpër tri komuna në veri të Kosovës.

    Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se sot në Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, kanë bastisur pesë lokacione me ç‘rast janë konfiskuar dy makina, një barkë motorike dhe dy motorë me katër rrota.

    Ai ka konfirmuar se i ka kërkuar gjykatës që të caktojë urdhrin ndalues që është hap para sekuestrimit për një vilë buzë liqenit të Ujmanit

    E gjithë bastisja ka lidhje direkte mbi hetimet që po i bën prokuroria për rastin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit kur një grup i armatosur terrorist sulmoi Policinë e Kosovës.

    Shteti tashmë e ka identifikuar që udhëheqës i këtij grupi është tash nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.

  • Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës/ Krejt çka u sekuestrua në pronën e Milan Radojiçiqit

    Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës/ Krejt çka u sekuestrua në pronën e Milan Radojiçiqit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njoftoi se me kërkesë të PSRK-së dhe me urdhër të Gjykatës, në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ka zhvilluar sot aksion për bastisje në pesë (5) lokacione të ndryshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarve M.R dhe V.R.

    Prokuroria Speciale njoftoi se operacioni Policor ndërlidhet me sulmin terrorist të datës 24.9.2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, si dhe urdhër kontrolli është zhvilluar në pronat e të dyshuarve M.R dhe V.R. dhe në hapësirën e një objekti ndihmës të Spitalit Rajonal në Mitrovicë-Veri. Ky objekt i spitalit përdoret për sistemin e ngrohjes së spitalit dhe nuk ndërlidhet me hapësirat e spitalit ku trajtohen pacientet.

    Pas realizimit të urdhër kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar në cilësi të provave materiale:

    · 2 Automjete Mercedes

    · Argjend 4.84 Kg

    · 2 Motor 4X4

    · 1 Barkë-Anije

    · 7 DVR

    · 2 Pllaka antiplumb me dy mbrojtës

    · 3 Thika

    · 2 Rutera

    · 2 Çelësa të veturave

    · 5 Gëzhoja

    · 1 Dronë

    · 5 USB

    · 1 Kamera GoPro- SSD

    · 1 Video kamerë me kartelë

    · 1 Shënjestër optike

    · 1 Spray

    · 7 telefona celular

    Po ashtu, Prokuroria Speciale do të parashtroj urdhrin ndalues në Gjykatën kompetente për sekuestrim të një vile buzë liqenit të Ujmanit, një penthouse dhe një lokali.

  • NATO-ja miraton forca shtesë për shkak të tensioneve në veri të Kosovës

    NATO-ja miraton forca shtesë për shkak të tensioneve në veri të Kosovës

    NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.

    “Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës.

    Sekretari i NATO-s, Stoltenberg: Të shpërshkallëzohet situata, Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog

  • Brenda vilës së sekuestruar të Milan Radojçiqit, ministri Sveçla publikon videon

    Brenda vilës së sekuestruar të Milan Radojçiqit, ministri Sveçla publikon videon

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje nga aksioni i Policisë së Kosovës në veri në vendit, ku është bastisur vila e Milan Radojçiqit në Liqenin e Ujmanit.

    Sveçla thotë se udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë është pikërisht Radojçiqi.

    Ministri shtoi se edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit.

    “Sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund”, shkroi Sveçla.

    “Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami””.

    “Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë”.

    “Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist”.

  • Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmet në Banjskë

    Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmet në Banjskë

    Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.

    Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi.

    Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

    “Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.

    “Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terror”, ka thënë ai.

    Ai ka vlerësuar se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.

    Në letër, Radoiçiq ka theksuar se vrasja e policit të Kosovës ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.

    Ai e ka njoftuar opinionin se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe, duke theksuar se përfshirja e tij politike në Listën Serbe “nuk kishte të bënte me kthimin e tij në Kosovë”.

    Ai ka thënë, mes tjerash, në letër se do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Republikës së Serbisë.

    Avokati i tij e ka mohuar se Radoiçiq është plagosur në Banjskë.

    Kjo është hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve të 24 shtatorit.

    Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.

    Deri më tani, deklarimet e tij për publikun janë përcjellë gjithmonë nga Lista Serbe.

    Kjo parti nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçiqit, i cili është në arrati.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.

    Avokati i Radojiçiqit, Goran Petronijeviq

    Kush është Petronijeviq, i autorizuari i Radoiçiqit?

    Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.

    Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.

    Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.

    Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.

    Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.

    Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

    Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.

    Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

    Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt. /REL

  • Sekretari i NATO-s, Stoltenberg: Të shpërshkallëzohet situata, Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog

    Sekretari i NATO-s, Stoltenberg: Të shpërshkallëzohet situata, Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog

    Këshilli i NATO-s është mbledhur sot për të diskutuar për situatën në Kosovë. Në një deklaratë për media, Sekretari Gjeneral i NATO-së, Jens Stoltenberg u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rikthehen në tavolinën e negociatave në Bruksel.

    “U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë situatën. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në deklaratën e Stoltenberg.

    Në deklaratë thuhet se misioni i KFOR-it ka një prezencë të dukshme në mbarë Kosovën.

    “Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurojmë lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në deklaratë.

    Stoltenberg ka deklaruar se NATO është e gatshme të rrisë praninë e trupave të KFOR-it nëse shfaqet nevoja për këtë.

    “Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”, ka thënë Sekretari Gjeneral i NATO-s.

  • Vuçiq: Milan Radoiçiq dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe

    Vuçiq: Milan Radoiçiq dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për televizionin kombëtar spanjoll TV Espanyol ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

    Radoiçiq nuk dëshiron ta dëmtojë më tej Listën Serbe”, ka thënë Vuçiq, transmeton Euronews.

    Ai përmendi se listën Srpska e sheh si luftëtarë të lirisë dhe se të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë mendojnë të njëjtën gjë.

    Në një intervistë për televizionin kombëtar spanjoll, presidenti serb e cilësoi situatën në Kosovë si shqetësuese.

    “Nuk e di nëse ajo që ndodhi ishte një pikë kthese. Jam shumë i shqetësuar sepse e di sa agresivë janë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Sidomos kur besojnë se kanë shumë mbështetje nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe kjo më shqetëson dhe më tremb”, tha Vuçiq.

    Autoritetet në Prishtinë e lidhën Milan Radoiçiqin me të shtënat në Banjska. Policia e Kosovës ka bastisur sot objektin ku ai jeton.

    Radoiçiq është në “listën e zezë” të SHBA-së dhe i ndalohet hyrja dhe të bëjë biznes në atë vend. Ai u vendos në listë për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar transnacional.

  • Digjet një banesë në Fushë-Kosovë, katër persona marrin tretman mjekësor

    Digjet një banesë në Fushë-Kosovë, katër persona marrin tretman mjekësor

    Një banesë në rrugën ‘Hajrullah Zymi’ në Fushë Kosovë është përfshirë nga zjarri, sot rreth orës 12:00.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti e cila njoftoi se zjarri është lokalizuar dhe policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

    Tutje bëhet e ditur se katër persona, dy nga ta janë hospitalizuar si pasojë e problemeve me frymëmarrje.

    “Sot rreth orës 12:00, është raportuar se një objekt (banesë) në rrugën Hajrullah Zymi në Fushë Kosovë, është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit. Nuk raportohet për persona të lënduar, mirëpo si pasojë e problemeve me frymëmarrje (nga tymi) tretman mjekësor kanë pranuar 4 persona (dy nga ta zyrtarë policor). Zjarri është lokalizuar dhe policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, njoftoi zëdhënësja e Policisë.

  • Personi i plagosur në Dardani, në gjendje të rëndë

    Personi i plagosur në Dardani, në gjendje të rëndë

    Një person është plagosur me armë zjarri në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

    Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, për Ekonomia Online, ka thënë se e ka pranuar personin e plagosur dhe se gjendja e tij është e rëndë.

    “E kemi pranuar një të plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij është e rëndë”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim për EO.

    Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e forenzikës dhe perimetri i sigurisë është rritur.

  • KMDLNj: Përkeqësimi i ushqimit për fëmijët e kopshteve publike në Prishtinë është i papranueshëm

    KMDLNj: Përkeqësimi i ushqimit për fëmijët e kopshteve publike në Prishtinë është i papranueshëm

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar për siç thonë përkeqësimin e ushqimit për fëmijët e kopshteve publike në Prishtinë, gjersa theksuan se kjo është e papranueshme dhe e papërgjegjshme.

    Në reagimin e KMDLNj-së u bëhet thirrje dhe të gjitha institucioneve dhe organizatave të pavarura që monitorojnë institucionet publike parashkollore, që të ketë monitorime më të shpeshta për të parë gjendjen e të drejtave të njeriut për fëmijët në kopshtet publike.

    Lexoni të plotë reagimin:

    A PO JUSTIFIKOHET RRITJA E PAGESËS NË KOPSHTET PUBLIKE PËRMES PËRKEQËSIMIT TË USHQIMIT TË FËMIJËVE?!

    Në kopshtet publike në komunën e Prishtinës ka disa javë që ushqimi për fëmijë ka filluar të pakësohet në sasi e që ndikon direkt në gjendjen e tyre emocionale dhe shëndetësore. Ushqimi në të gjitha kopshtet publike në komunën e Prishtinës përgatitet nga Kuzhina Qendrore dhe çdo mëngjes bëhet shpërndarja në të gjitha këto institucione.

    Kohë më parë është pasuruar menyja ditore e javore duke shtuar perime dhe smoothie për të vegjlit, por edhe nga një mes-shujtë pas zgjimit nga gjumi.

    Në kopshtet publike orari fillon prej 6:30 deri në 17:00. Gjatë këtij orari fëmijëve u ofrohen dy shujta ushqimi dhe një “zamër” që përfshinë pemë sezonale ose jogurt apo tambëloriz (e që kohëve të fundit edhe këtë po e sjellin rrallë). Mëngjesi starton prej 8:30 deri 8:45, dreka 11:30, koha e gjumit është ora 12:00 deri në zgjimin e fëmijëve në orën 14:00.

    Pas zgjimit fëmijët ushqehen vetëm me “zamër” e që kryesisht është pemë sezonale e cila është e pamjaftueshme për një ushqyerje të mirë të këtyre fëmijëve. Kohë më parë komuna e Prishtinës për këta fëmijë ua kishte shtuar në meny edhe nga një kifle e që ka disa javë që këto janë zhvendosur në shujtë të mëngjesit.

    KMDLNj-së në mënyrë anonime ia kanë shprehur dhe konfirmuar këto shqetësime edhe disa udhëheqës të këtyre Institucioneve Parashkollore dhe se janë në përpjekje që së bashku me komunën e Prishtinës të përmirësojnë gjendjen me ushqimin e fëmijëve dhe se po supozohet një rritje e çmimit eventual. Në kopshtet publike në komunën e Prishtinës çmimi për një fëmijë në bazë mujore është 50 euro kurse nëse ka dy fëmijë të të njëjtës familje çmimi për të dy është 85 euro.

    Përkeqësimi i ushqimit për fëmijët e kopshteve publike në komunën e Prishtinës për KMDLNj- në është e i papranueshëm dhe i papërgjegjshëm. Andaj, KMDLNj-ë i rikujton komunës së Prishtinës, Drejtorisë së Arsimit se në këtë mënyrë ata po shkelin të drejtat e njeriut për fëmijët në kopshtet publike duke mos i ushqyer në mënyrë të plotë dhe të mjaftueshme. Aq më parë nëse kjo po bëhet për të arsyetuar një rritje të çmimit e që do të vë në vështirësi edhe më të mëdha shumë familje në këto kohë kur të gjitha produktet dhe shërbimet kanë pasur rritje të papërballueshme për shumë familje.

    Andaj, KMDLNj-ë i bënë thirrje dhe të gjitha institucioneve dhe organizatave të pavarura që monitorojnë institucionet publike parashkollore që të ketë monitorime më të shpeshta për të parë gjendjen e të drejtave të njeriut për fëmijët në kopshtet publike.