ATV

Category: Lajme

  • Moszbatimi i marrëveshjes nga Serbia, në favor të hyrje-daljes së terroristëve

    Moszbatimi i marrëveshjes nga Serbia, në favor të hyrje-daljes së terroristëve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Refuzimi i Serbisë për ta zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel më 2015, për hapjen e dy pikave të reja kufitare me Kosovën, ia lehtësoi hyrje-daljen në dhe nga Banjska e Zveçanit grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radojicic.

    Marrëveshja ndërmjet dy shteteve parashihte hapjen e pikave kufitare: në Sfircë të Kamenicës, për të lehtësuar qarkullimin e ndërsjellë me Medvegjën; dhe në Izvor për të lehtësuar qarkullimin e ndërsjellë me Novi Pazarin.

    Edhe pse Kosova ndërtoi pikën kufitare në Kapi të Sfricës më 2017, Serbia ende refuzon vendosjen e policëve atje, duke bllokuar funksionalizimin e saj.
    Tetë vjet pas marrëveshjes, si pasojë e refuzimit nga Serbia nuk është hapur as pika kufitare në Izvor.

    Në këto rrethana nuk u bënë investime infrastrukturore – gjë që ende vështirëson punën dhe vë në rrezik Policinë e Kosovës.

    Pikërisht kjo dhe dy rrugët lidhëse me Banjskën dyshohet se u përdorën nga grupi terrorist, i udhëhequr nga Milan Radojicic, që sulmoi Policinë e Kosovës, vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy zyrtarë policorë.

    Pas vetëm dy kilometrash në rrugën dytësore, në skaje të së cilës u panë kamionë, përfundon asfalti dhe vijon terreni i ngushtë malor për rreth 12 kilometra të tjera, para se të lidhet me rrugën parësore 1.5 kilometra nga kufiri.

    Edhe rruga që do të duhej të konsiderohej kryesore, po ashtu mes malesh, me gjatësi rreth 15 kilometra nga Banjska në kufi, është e pashtruar dhe qarkullimi nuk është i mundshëm për të gjitha automjetet.

    Pa asnjë bazë të përhershme dhe pa infrastrukturën e nevojshme rrugore, kjo zonë e thellë në viset kodrinore-malore në mes të rrugëve nacionale për në Jarinjë dhe Bërnjak, përbën terren të vështirë për Policinë e Kosovës.

  • Ish kryeministri Ramush Haradinaj ka dëshmuar, në rastin e njohur si 53 milionëshi

    Ish kryeministri Ramush Haradinaj ka dëshmuar, në rastin e njohur si 53 milionëshi

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka dëshmuar, në rastin e njohur si 53-milionëshi, ku i dyshuar është ministri i tij i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

    Gjatë marrjes në pyetje, në cilësinë e dëshmitarit, Haradinaj ka thënë se vendimi për ndarjen e 53-milionë eurove shtesë, për kompaninë “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, ishte i domosdoshëm duke shtuar se ky vendim arsyetohet me faktin se kjo çështje kishte mbetur në tavolinë dhe duhej t’i jepej epilog.

    “Po, bazuar në procedurat e vendimmarrjes së brendshme për mbylljen e projektit që ka qenë në tavolinë. Arsyeja është se projekti në fjalë, në gjendjen e atëhershme nuk mund të vazhdonte pa e definu konkluzionin për obligimin financiar”, tha Haradinaj.

    Haradinaj, gjithashtu, konfirmoi që Qeveria e drejtuar nga ai e ka votuar obligimin financiar ndaj operatorit dhe se e mbështet gjithë procesin e vendimmarrjes.

    E me dëshminë e Haradinajt, Musa Damati, avokat i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se u dëshmua edhe një herë që klienti i tij është i pafajshëm.

    “Është dëshmuar se vendimi ka qenë vendim në harmoni me legjislacionin në fuqi dhe ka qenë vendim i Qeverisë me vota unanime të kabinetit qeveritar. Unë mendoj se në bazë të provave dhe fakteve është vërtetuar teza e mbrojtjes së në raport me klientin tim nuk ekziston asnjë provë e vetme që mund ta inkriminojë atë me 53-milionëshin”, tha Damati.

    Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e 53 milionë eurove të paguara shtesë, janë Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i Lekajt, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

    Ata dyshohet se me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë, duke mos e përcaktuar koston financiare.

  • SHBA i kërkon Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën

    SHBA i kërkon Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën

    Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

    “Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

    Ai tha se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet.

    Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar që autorët e krimit të “mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”.

    Vuçiq, ndërkaq, më herët tha se Blinken ka paralajmëruar masa ndaj Serbisë.

    Kosova ka thënë se rreth 30 sulmues të maskuar dhe armatosur kanë sulmuar Policinë në Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Gjatë përleshjeve të grupit të armatosur me Policinë në manastirin e Banjskës, kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues.

    Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për Serbinë, lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

    Serbia ka mohuar çdo përfshirje.

    Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

    Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

  • Presidenca i përgjigjet kryeministrit Rama: Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës

    Presidenca i përgjigjet kryeministrit Rama: Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës

    Presidenca e Kosovës, i është përgjigjur kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, pasi ky i fundit kërkoi që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.

    Në përgjigjen e presidencës thuhet se në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët, presidentja Osmani e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë.

    Reagimi i plotë i Presidencës:

    Presidentja Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj.

    Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia.

    Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

    Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia.

    Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes

  • BERZH dhe ENEF II financojnë Ujë Rugove me 6 milionë Euro për linjat e reja prodhuese

    BERZH dhe ENEF II financojnë Ujë Rugove me 6 milionë Euro për linjat e reja prodhuese

    Instrumenti inovativ i financimit të gjelbër nga BERZH dhe ENEF II ndihmon prodhuesin kosovar të ujit të ambalazhuar Ujë Rugove me 6 milionë Euro kredi, e lidhur me qëndrueshmërinë për linja të reja prodhuese dhe rritje të konkurrentshmërisë.

    Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Fondi i Zgjerimit të Ndërmarrjeve II për Ballkanin Perëndimor (ENEF II) janë duke lëshuar një kredi të lidhur me qëndrueshmërinë në vlerë prej 6 milionë Euro për Ujë Rugove, prodhuesi më i madh i ujit të ambalazhuar në Kosovë, për të ndihmuar kompaninë të përmirësojë konkurrentshmërinë dhe të zgjerojë operacionet e saj.

    Mjetet e kredisë do të përdoren nga kompania për blerjen e një objekti të ri dhe instalimin e linjave të reja të prodhimit me kapacitet të lartë për mbushjen e shisheve prej qelqi, kanaçeve të aluminit, pako kartoni dhe fuçive të ujit. Kjo do t’i mundësojë Ujë Rugove të zgjerojë gamën e produkteve të saj duke prezantuar produkte të tilla si ujë i gazuar, ujë me shije dhe çaj.

    Ky projekt paraqet shembullin e parë në Kosovë të një instrumenti financiar të gjelbër, i cili integron standardet klimatike dhe mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG), si dhe konsideratat për rreziqet klimatike dhe të ESG-së në strukturën e financimit.

    Kredia ka tre objektiva mjedisore: zvogëlimin e humbjeve gjatë prodhimit të ujit; reduktimin e mbeturinave të ambalazhës; dhe futjen në përdorim të materialeve ambalazhuese në pako dhe etiketa me përmbajtje të plastikës së ricikluar në masë prej së paku 50%.

    Ujë Rugove është gjithashtu e përkushtuar për zbatimin e standardeve më të larta mjedisore, shëndetësore dhe të sigurisë.

    Marrëveshjet financuese u nënshkruan në [Zyrën e EBRD-it në Prishtinë] nga Drejtori Menaxhues i EBRD-it për Financat dhe Zhvillimin e NVM-ve, Claudio Viezzoli, i cili është gjithashtu anëtar i bordit të ENEF II, Shefi i Zyrës së EBRD-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko, Drejtoresha Menaxhuese e Ujë Rugove, Shqipe Ramadani-Kelmendi, si dhe Themeluesi dhe Kryesues i Bordit të Ujë Rugove, Visar Kelmendi.

    Sergiy Maslichenko tha: “Ne jemi të kënaqur të mbështesim sektorin e agrobiznesit në Kosovë duke nënshkruar një marrëveshje inovative financimi të lidhur me standardet e ESG-së për këtë projekt me liderin e tregut”.

    Visar Kelmendi, Themelues dhe Kryesues i Bordit të Ujë Rugove, theksoi rëndësinë e kësaj iniciative inovatore të kredive të gjelbra, duke thënë: “Kjo kredi e lidhur me qëndrueshmërinë jo vetëm që shënon një moment kyç për Ujë Rugove por edhe për Kosovën në tërësi. Ky financim tregon përkushtimin tonë të palëkundur për reduktimin e humbjeve të ujit gjatë prodhimit, minimizimin e mbetjeve nga ambalazhi dhe përfshirjen e materialeve të qëndrueshme dhe të ricikluara në ambalazhet tona. Kjo jo vetëm që përputhet me përkushtimin tonë ndaj ruajtjes së mjedisit si dhe ndaj shëndetit dhe sigurisë, por gjithashtu vendos një standard për qëndrueshmërinë në industrinë tonë, duke demonstruar se rritja ekonomike dhe përgjegjësia mjedisore mund të ecin paralelisht.”

    Duke nënshkruar në emër të ENEF II si anëtar i bordit të fondit, Claudio Viezzoli tha: “Ne jemi shumë të kënaqur që kemi Ujë Rugove si kompaninë e dytë investuese të fondit të ri dhe presim me padurim të riprodhojmë këtë instrument financimi të gjelbër me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) e tjera, në të gjithë rajonin duke i ndihmuar ato në rrugëtimin e tyre drejt ESG dhe rritjes.”

    ENEF II, e cila është pjesë e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian, ofron kapital për zhvillim dhe zgjerim për kompanitë me rritje të lartë të angazhuara për të përmirësuar performancën e tyre në standardet e ESG-së në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

    ENEF II është një fond i ri investimi i krijuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE). Ai këshillohet dhe menaxhohet nga ERBD. E dedikuar për NVM-të dhe kompanitë me kapital të mesëm në Ballkanin Perëndimor, ENEF II ka siguruar 57 milionë euro kapital të përkushtuar nga investitorët e saj, të cilët përfshijnë BE-në, Bankën Italiane të zhvillimit Cassa Depositi e Prestiti dhe Bankën Zhvillimore KfW të Gjermanisë. ERBD ka dedikuar 19 milionë euro për fondin, ndërsa KfW dhe BE sigurojnë mbulimin e rrezikut të humbjes së parë.

    Sektori i agrobiznesit të Kosovës ka një potencial të madh për rritje me një nën-sektor si pijet dhe kampionët si Ujë Rugove që ofrojnë produkte cilësore konkurruese në nivel rajonal.

    Deri më tani ERBD ka investuar 629 milionë euro në Kosovë.

  • Kush është Petronijeviq, avokati i Radojçiqit i cili dikur si gjykatës dënoi 150 shqiptarë me 1600 vjet burgim!

    Kush është Petronijeviq, avokati i Radojçiqit i cili dikur si gjykatës dënoi 150 shqiptarë me 1600 vjet burgim!

    Radio Evropa e Lirë raporton se Goran Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.

    Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.

    Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.

    Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.

    Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.

    Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

    Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.

    Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

    Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt. /REL

  • Osmani me ambasadorët e Quint-it dhe BE-së: Duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia

    Osmani me ambasadorët e Quint-it dhe BE-së: Duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar në një mëngjes pune, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian, për të diskutuar situatën aktuale në veri të vendit pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës.

    Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorët për solidaritetin dhe ngushëllimet e shprehura për vrasjen e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, si dhe lëndimit të disa policëve tjerë. Ajo ka vlerësuar lartë punën e shkëlqyeshme dhe profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në ballafaqimin me sulmin terrorist.

    Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla.

    “Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Presidentja ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për të ndihmuar në arritjen e ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

    Sipas Presidentes Osmani, duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.

    “Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka nënvizuar Presidentja Osmani.

  • Kurti: Pas sulmit terrorist në veri, ndoshta qëndron Moska

    Kurti: Pas sulmit terrorist në veri, ndoshta qëndron Moska

    Moska ndoshta fshihet pas sulmit terrorist në veri të Kosovës.

    Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë me Avda Avdiq për Istraga.ba.

    “Moska ndoshta qëndron pas sulmit terrorist në veri të Kosovës”, ka thënë Kurti

    Kryeministri i Kosovës foli edhe për propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.

    “Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”.

  • Familjarët kërkojnë të marrin trupat e pajetë të sulmuesve në Banjskë

    Familjarët kërkojnë të marrin trupat e pajetë të sulmuesve në Banjskë

    Familjarët e tre sulmuesve të vrarë gjatë përleshjeve të armatosur në Banjskë të Zveçanit janë interesuar që të marrin trupat e tyre, thanë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës (MD).

    Nga MD-ja thanë se është kryer autopsia për të tri trupat e pajetë, por ato po qëndrojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, “në kushte adekuate deri sa të lirohen nga Prokuroria”.

    Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur dhe i maskuar, që sipas autoriteteve ishte i përbërë prej 30 personash.

    Në sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe më pas autoritetet bënë të ditur se në përleshje mbetën të vrarë edhe tre sulmues.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

    Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë, që Kosova e konsideron sulm terrorist.

    Avokati i tij, Goran Petronijeviq, lexoi letrën e Radoiçiqit ku thuhej se ai kishte bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.

    “Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të [të kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, tha Radoiçiq, sipas letrës.

    Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

    Kosova, përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

    Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

  • Borrell: Nëse Serbia s’përmbush kërkesat e BE-së, do t’i shqyrtojmë masat ndëshkuese ndaj saj

    Borrell: Nëse Serbia s’përmbush kërkesat e BE-së, do t’i shqyrtojmë masat ndëshkuese ndaj saj

    Kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se po monitorojnë nga afër nëse Serbia po i përmbush kërkesat e BE-së për shtensionim në veri të Kosovës dhe nëse gjykojnë se Beogradi nuk i respekton ato, sipas tij, BE-ja është e gatshme të shqyrtojë masa ndëshkuese ndaj autoriteteve të Serbisë.

    “Janë marrë masa në lidhje me Kosovën. Këto janë masa politike dhe financiare, ndër të cilat është pezullimi i vizitave dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, me përjashtim të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Ato masa kanë ndikim edhe në mbështetjen financiare për Kosovën. Pezullimi është i përkohshëm dhe i kthyeshëm dhe do të hiqet sapo të ketë shtensionim në terren. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke monitoruar nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së dhe në rast të mospërmbushjes, BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat”, ka thënë Borrell, raporton N1.

    Nga përleshja mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur të dielën në Banjskë të Zveçanit, mbetën të vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash.

    BE-ja ka thënë se do të presin hetimin e plotë përpara se të marrin ndonjë vendim për sulmin në Banjskë.