ATV

Category: Lajme

  • ​Fushë-Kosovë, 16 persona kërkojnë ndihmë mjekësore pas zjarrit në një banesë

    ​Fushë-Kosovë, 16 persona kërkojnë ndihmë mjekësore pas zjarrit në një banesë

    Një banesë ishte përfshirë nga zjarri në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë gjatë ditës së premte, ku për pasojë 16 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    Sipas policisë, për shkaqe të panjohura nga zjarri ishte përfshirë një banesë e cila gjendet në katin e 5 të objektit banesor.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë, zjarrfikësit të cilët e kanë shuar zjarrin, eksperti i zjarreve dhe autoambulanca.

    Si pasojë e zjarrit disa banorë janë evakuuar nga objekti banesor, ndërsa si pasojë e tymit 12 qytetarë, dy zyrtarë policorë dhe dy zjarrfikës kanë pranuar tretman mjekësor, ku tre prej qytetarëve janë dërguar edhe në QKUK dhe pas tretmanit janë liruar.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe vazhdon të hetohet.

  • Kongresisti amerikan Torres: Serbia t’i tërheq trupat nga kufiri, po përshkallëzon situatën

    Kongresisti amerikan Torres: Serbia t’i tërheq trupat nga kufiri, po përshkallëzon situatën

    Kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka reaguar ndaj dislokimit të madh të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

    Torres në një postim në X shkruan se është i alarmuar me këtë dislokim të madh dhe të sofistikuar të forcave serbe, ndërkaq ka kërkuar nga Serbia t’i tërheqë trupat.

    “Si një përkrahës dhe aleat krenar dhe i palëkundur i Republikës së Kosovës, jam gjithnjë e më i alarmuar nga raportimet për një dislokim të madh dhe të sofistikuar të forcave serbe përgjatë kufirit Serbi-Kosovë”, shkruan ai.

    Sipas tij, ky është një vazhdim i hapur i cenimit nga Serbia kundër Kosovës që po përshkallëzon tensionet në mënyrë të panevojshme për një kohë të gjatë.

    “Unë i mbështes thirrjet e administratës së Bidenit që Serbia të tërheqë menjëherë këto forca. Serbia duhet të de-përshkallëzojë situatën, të kërkojë llogari nga përgjegjësit për sulmet e dhunshme të fundit dhe të respektojë pavarësinë e Kosovës, si një komb sovran”, shkruan ai.

  • Ishte duke prerë dru, humb jetën pas lëndimeve me motosharrë

    Ishte duke prerë dru, humb jetën pas lëndimeve me motosharrë

    Një person ka humbur jetën në fshatin Jabllanicë e Madhe të komunës së Pejës pasi kishte pësuar lëndime me motosharrë.

    Policia konfirmoi se rasti ishte raportuar nga i biri i të ndjerit që në çastin kritik kishte qenë duke prerë dru.

    “Ankuesi ka raportuar se babai i tij, viktima mashkull kosovar, duke prerë dru, dyshohet se është lënduar me motosharrë dhe për pasojë ka mbetur pa shenja jete”, raportoi policia.

    Vdekjen e ka konfirmuar ekipi i emergjencës.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin Mjekoligjor për obduksion.

  • Latifi: Kanceri i gjirit nuk po kursen as moshat e reja

    Latifi: Kanceri i gjirit nuk po kursen as moshat e reja

    Numri i rasteve të kancerit të gjirit tek moshat e reja po shënon rritje. Rreth 430 gra gjatë këtij viti mendohet se do të jenë raste të reja të atakuara me këtë sëmundje. Përveç sfidave me shëndetin, ato ballafaqohen edhe me kushte jo të mira për trajtim. Drejtoresha e Qendrës për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi ngrit shqetësimin se 5.5 gra konkurrojnë në ditë për një shtrat në Klinikën e Onkologjisë. Gjatë “muajit rozë”, siç njihet tashmë tetori, ajo thotë se do të organizojnë ligjërata me komunitetet në vend. Për të 17-n herë me radhë do të marshohet edhe me thirrjen “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”.

    Nafije Latifi, e cila është drejtoreshë e Qendrës për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” thotë se mbi 400 raste me kancer të gjirit po shënohen çdo vit në vend.

    “Kemi kërkuar çdo herë ndërgjegjësim së pari, sepse ne si shoqëri civile këtë kompetencë e kemi, që të informojmë dhe të ndërgjegjësojmë gratë që sëmundja është këtu, atakon një numër të madh të tyre. Këtë vit mendohet që do të jenë rreth 430 gra raste të reja. Dhe jemi munduar që të sensibilizojmë edhe institucionet që të kenë kujdes më të madh për mundësitë e diagnostikimit dhe të trajtimit të grave. Për vite nga koha kur jam atakuar unë në vitin 2004 ka ndryshime të mira, pozitive”, shprehet ajo.

    Rastet e reja të prekura me këtë sëmundje po atakojnë së fundmi edhe moshat më të reja.

    “Për fat të keq po shihet se po bie mosha e grave që atakohen me këtë sëmundje. Derisa viteve të kaluara dhe nëpër botë atakohet një moshë rreth 45-55 (vjeçare) kjo është mesatarja që atakohen gratë nëpër botë, tek ne për shkak të moshës më të re të popullsisë po vërehet që edhe mosha e grave që atakohen me këtë sëmundje është në rënie. Kemi edhe raste edhe rreth të 30-tave, rreth të 40-tave që janë paciente në Onkologji”, deklaron Latifi.

    Derisa thotë se kosto për trajtimin e pacientëve është shumë e madhe, gruaja e cila u atakua vet nga kjo sëmundje tregon se mungojnë kushtet për trajtimin e kancerit të gjirit.

    “Kushtet në Onkologji janë mjaft të kufizuara, ajo ndërtesë është paraparë për një numër shumë më të vogël të pacientëve, kurse numri çdo herë shtohet dhe mundësitë janë të vogla. Vitin e kaluar është dhënë një shënim që 5.5 pacientë konkurrojnë në ditë për një shtrat. Merreni me mend sa duhet të pritet. Kemi edhe lista të pritjes edhe në Radiologji në Radioterapi, mirëpo nuk janë të jashtëzakonshme, sepse është sjellë edhe një aparat shumë i sofistikuar për radioterapi. Kushtet po përmirësohen dita-ditës por jo me atë dinamikë sa është nevoja e pacientëve”, shton Latifi.

    Qendra për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” po kërkon çdo vit që të sigurohen produktet që u nevojiten grave gjatë trajtimit me kancer të gjirit.

    “Një prej kërkesave tona është edhe sigurimi i produkteve të cilat ndikojnë në psikiken e grave, siç janë parukat, protezat dhe gjoksoret. Për vite me radhë i kemi siguruar duke i lypur nga kompanitë e ndryshme të cilat na kanë ofruar donacionet për shoqatën, por ne të gjitha ato i kemi orientuar për nevojat e pacientëve”, deklaron ajo për KosovaPress.

    Me mesazhin se sëmundja e kancerit mund të tejkalohet, Nafije Latifi e cila mposhti kancerin e gjirit kërkon nga rrethi që të përkrahin gratë.

    “Të gjitha gratë që diagnostikohen edhe trajtohen nga kjo sëmundje duhet të gjejnë forcën në vete që të trajtohen me një pozitivit, me një forcë, besim të madh që do ia dalin. Së pari është mesazhi për familjarët edhe për rrethin e tyre që të kenë mirëkuptim, t’i mbështesin, t’ju ndihmojnë dhe t’ia dalin së bashku. Në rrugëtimin tim nga viti 2004 me këtë sëmundje, ka qenë familja, bashkëshorti im i ndjerë dhe miqtë e mi të cilët kanë qenë çdo moment pranë meje dhe më kanë dhënë shumë forcë që t’ia dal për vite me radhë edhe pse sëmundja më është kthyer disa herë, unë kam pasur shumë mbështetje dhe shumë besim, përkrahje nga familjarët dhe miqtë që të përballojë dhe t’ia dal kësaj sëmundje”, shprehet Latifi.

    Tetori, i njohur ndryshe si “muaj rozë” shënon muajin ndërkombëtar të luftimit të kancerit të gjirit.

    Edhe këtë vit do të organizohet marshi tradicional “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, me thirrjen që gratë të bëjnë kontrolle të rregullta.

    “Këtë vit kemi paraparë ligjërata në bashkëpunim me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës, me të cilët bashkëpunojmë për vite me radhë dhe me të cilët kemi qenë në të gjitha komunat e Kosovës. Vitin e kaluar kemi qenë në 11 kolegje dhe kemi bashkëbiseduar sepse këto ligjërata janë interaktive… Sivjet kemi planifikuar ligjërata me pjesëtarë të minoriteteve, të cilat jetojnë në Kosovë dhe jemi në koordinim me ta. Kemi paraparë ecjen tradicionale për herë të 17-të, shpresojmë që do të kemi popullatë por do të kemi edhe krerët e institucioneve”, përfundon ajo.

    Marshi tradicional do të organizohet me 14 tetor nga ora 12 nga sheshi “Skënderbeu” në drejtim të atij “Zahir Pajaziti”

    Po ashtu do të publikohet edhe promo televizive, e cila fton gratë për vet kontrolle dhe donacione për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

  • Kurti kërkon ndihmë më të madhe nga ShBA-ja kundër planeve të Serbisë

    Kurti kërkon ndihmë më të madhe nga ShBA-ja kundër planeve të Serbisë

    Kryeministri Albin Kurti ka pasur një bisedë telefonike me këshilltarin për siguri kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Jake Sullivan.

    Ai ka falënderuar zyrtarin e lartë amerikan për mbështetjen e SHBA por në të njëjtën kohë ka kërkuar ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë.

    “Kam falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhënë Kosovës në sigurinë kufitare dhe kam kërkuar ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë. E kam siguruar për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur”, ka shkruar Kurti në “X”.

    Një ditë më parë (29 shtator) Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

    Në orët e para të 24 shtatorit, një grup terrorist i udhëhequr nga njeriu i ngushtë i presidentit serb Aleksandër Vuçiq si dhe nënkryetari i dorëhequr i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, sulmuan policinë e Kosovës ku humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku.

  • Sveçla: Në Banjskë ishin mbi 80 terroristë, Radoiçiqi e ka mbështetjen e Vuçiqit

    Sveçla: Në Banjskë ishin mbi 80 terroristë, Radoiçiqi e ka mbështetjen e Vuçiqit

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se mbi 80 terroristë ishin të përfshirë në sulmin e së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ndërsa shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe vet Qeveria e Serbisë janë të përfshirë në këtë akt terrorist.

    Më 24 shtator, një grup terrorist në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ministri Sveçla thotë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiq nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga Aleksandër Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka”, tha Sveçla.

    Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

    “Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme – për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë – dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80”, tha Sveçla.

    Ministri i Brendshëm tha gjithashtu se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

  • Parashikimi i motit për këtë fundjavë

    Parashikimi i motit për këtë fundjavë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon që sot (30 shtator) të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-10 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-25 gradë celsius.

    Të dielën parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Vranësirat vende-vende, kryesisht rreth relievi malor parashihen të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-5m/s.

  • FSK: Forca jonë po rritet dhe po zhvillohet me standardet më të larta profesionale

    FSK: Forca jonë po rritet dhe po zhvillohet me standardet më të larta profesionale

    Forca Sigurisë së Kosovës (FSK) përmes një njoftimi publik thotë se po vazhdojnë të rritën dhe të zhvillohen me standardet më të larta profesionale.

    FSK po ashtu njofton për stërvitjen e fundit që janë duke realizuar.

    “Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), po vazhdon të jetë qendër e gravitetit për edukimin, stërvitjen dhe realizimin e kurseve me qellim të mbështetjes dhe rritjes se gatishmërisë luftarake në nivel Force.

    Kurse këto të cilat do të jene qenësore në ndërtimin e Liderëve, krijimin e bazës për këmbësori si specializim ushtarak, mbështetjen e njësive në operacione përmes transportit, reaguesve të parë ne fushëbetejë, operatorëve dhe qitësve në distanca të largëta”, theksohet në komunikatë.

  • Kurti: Vuçiq e Radojiçiq si Millosheviqi e Arkani, dëshirojnë ta kthejnë rajonin në vitet 90-ta

    Kurti: Vuçiq e Radojiçiq si Millosheviqi e Arkani, dëshirojnë ta kthejnë rajonin në vitet 90-ta

    Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Al Jazeera, ka thënë se sulmi i së dielës në veri të Kosovës s’ka qenë rezistencë civile apo vepër e bandave, por një sulm i formacioneve të armatosura paraushtrake të pajisura e të përgatitura nga Beogradi. Kurti ka thënë se një sulm i tillë u krye me urdhër të Serbisë.

    I pyetur nëse autoritetet e Kosovës kanë ndonjë informacion të inteligjencës për sulmet e reja, Kurti u përgjigj se ka shumë informacione dhe se këto “grupe të armatosura”, të cilave, siç shtoi ai, Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion, janë duke kryer vazhdimisht stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe “po përgatiten për luftë”.

    “Nuk përjashtohet ri-agresioni”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia donte që lufta të fillonte të dielën.

    Ai akuzoi Beogradin dhe grupet e armatosura se duan të përsërisin skenarin e fillimit të luftës në Sarajevë.

    Kurti po ashtu ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës, janë “Slobodan Millosheviq dhe Zheljko Raznatoviq Arkan” të cilët siç deklaroi Kurti, dëshiron ta kthejë rajonin në vitet e 90-ta, duke shtuar dhe se “grupet paramilitare” në Kosovë janë të lidhura edhe me grupe nga Rusia, si Wagner, duke i quajtur Vuçiqin dhe Radoiçiqin “Putin dhe Prigozin”.

    Kryeministri i Kosovës e akuzoi Vuçiqin se “deshi një luftë tjetër dhe një gjenocid, sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë”.

    “Ashtu siç Rusia zhvilloi një luftë hibride në Ukrainë në fillim, Serbia po bën kundër nesh”, tha ai.

  • Plagoset një person në “Dardani”, u gjuajt tri herë në drejtim të tij

    Plagoset një person në “Dardani”, u gjuajt tri herë në drejtim të tij

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Paraditja e së premtes nuk ishte e qetë për banorët e lagjes “Dardania” të kryeqytetit.

    Teksa po qëndronte në një kafene, të cilën e frekuentonte shpesh, Dëfrim Kuqi u plagos me armë zjarri nga një person tashmë i identifikuar.

    Prapa kamerës, dëshmitarët rrëfyen për incidentin që ndodhi rreth orës 11:00.

    Naser Syla, drejtor i Emergjencës, përmes telefonit konfirmoi se gjendja e të plagosurit është e rëndë. Kurse, televizioni mësoi se 36-vjeçari ka plagë në abdomen dhe në këmbë.

    Ndërkohë, policia e cila iu përgjigj thirrjes menjëherë, është duke i vazhduar hetimet.

    “Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar (i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Deri në transmetimin e kësaj kronike, personi i njohur për Policinë, pasi që dyshohet edhe për vepra të tjera penale, nuk është arrestuar.