ATV

Category: Lajme

  • Vidhen paratë e një xhamie në Kamenicë

    Vidhen paratë e një xhamie në Kamenicë

    Janë vjedhur paratë e një xhamie në fshatin Koretin të Kamenicës.

    Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.

    “Ankuesi mashkull kosovar përgjegjës i xhamisë, ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë dëmtuar kasafortën e xhamisë me ç’rast kanë vjedhur paratë dhe një DVR të kamerave. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Presidenti Herzog: Izraeli po përballet me një moment shumë të vështirë

    Presidenti Herzog: Izraeli po përballet me një moment shumë të vështirë

    Presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka thënë se Izraeli “po përballet me një moment shumë të vështirë”, por ai mund të “kapërcejë të gjithë ata që na dëshirojnë të keqen”.

    Në një deklaratë në X, i njohur më parë si Twitter, ai shkroi: “Shteti i Izraelit po përballet me një moment shumë të vështirë. Dëshiroj t’u ofroj forcë komandantëve dhe ushtarëve të IDF (Forcave të Mbrojtjes së Izraelit) dhe të gjitha forcave të sigurisë dhe shërbimeve të shpëtimit. Unë dërgoj inkurajimin dhe forcën time për të gjithë banorët e Izraelit që janë nën sulm”.

    Ai u bëri thirrje të gjithëve që të ndjekin udhëzimet nga Komanda e Frontit të Brendshëm dhe të tregojnë përgjegjësi dhe vendosmëri reciproke.

    “Ne mund t’i mposhtim të gjithë ata që na dëshirojnë të keqen,” tha ai.

  • ​Kosova pa fuqi punëtore, punëson qytetarë nga Bangladeshi

    ​Kosova pa fuqi punëtore, punëson qytetarë nga Bangladeshi

    Në mungesë të fuqisë punëtore në vend, kompanitë kosovare po mundohen të bëjnë zgjidhje me punëtorë të huaj. Konsiderohet që së fundmi janë rreth 500 punëtorë nga vendet si Bangladeshi, Pakistani dhe India, të cilët kanë gjetur vetën në Kosovë.

    Ata po punojnë në kompanitë e sektorit privat, pavarësisht që nuk njohin gjuhën, kulturën e as natyrën e punës.

    Sipas njohësve të ekonomisë, kjo situatë është për shkak të politikave të dobëta të Qeverisë. Ata vlerësojnë se është mjerim shkëputja e dialogut publiko-privat.

    Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë për KosovaPress, se qytetarët kanë humbur shpresën për punësim.

    “Është një situatë mjaft kaotike, nuk ka të dhëna të mirëfillta, nuk ka komunikim të mirëfilltë me sektorin privat, dhe më shqetësuesja është se njerëzit kanë humb shpresën që përmes rrugëve të rregullta, apo kanaleve zyrtare mund të gjejnë punë dhe të punësohen. Prandaj, vërtete konkurset janë të shumta, është një demotivim masiv dhe sot për fat të keq në Kosovë shumë më tepër shpenzohet kohë për të menduar si të iket nga Kosova, sesa si të qëndrohet në Kosovë… Një ndër parakushtet kryesore për një ekonomi të qëndrueshme është stabiliteti politik dhe kur kjo mungon si mund të flitet për zhvillim ekonomik. Në këtë drejtim vet fakti që në vitin 2022 por dhe 2023 kemi pas një shkëputje totale të dialogut publiko privat, është një mjerim ”, thotë Gërxhaliu.

    Gërxhaliu thotë se kompanitë në këtë drejtim do të detyrohen të marrin punëtorë nga vendet e ndryshme.

    “Është e vërtetë se sektori privat do të tentojë të gjejë alternativa për fuqi punëtore, mos të mendohet që punëtorët që vinë nga jashtë, qoftë nga India, nga Pakistani apo vendet tjera, do të jenë ato që do t’i zgjedhin problemet e fuqisë punëtore… Në këtë drejtim të punohet më tepër në mbështetje të sektorit privat, kushte më të mira për punëtorët, të rriten pagat për punëtore dhe vërtetë të ketë kampanja vetëdijesuese me të rinjtë që të motivohen për të qëndruar në Kosovë dhe jo për të ikur”, shton Gërxhaliu.

    Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë se gatishmëria e qytetarëve për t’u larguar është në rritje e tutje, me ç’rast shton se kompanitë do të vuajnë nga mungesa e punëtorëve.

    “Shqetësimi që është ngritur në vazhdimësi nga njohësit e ekonomisë si duket i erdhi fundi dhe këtu po shihet se ka pas mungesë të politikave ekonomike dhe atyre inevstive të cilat do të parandalimin këtë lloj gatishmërie të largimit, por edhe Qeveritë tjera bashkë me këtë, duket se nuk i ka bërë përshtypje ky shqetësim që ka qenë në vazhdimësi. Në këtë drejtim tani jemi para një akti të kryer që gatishmëria e qytetarëve për t’u larguar është në rritje e tutje. Tash ne do të përballemi me qytetarë dhe punëtore që do të vinë nga vendet e treta, që përveç që nuk do ta njohin natyrën e punës, gjuhën, pra do të ketë probleme jashtëzakonisht edhe ai punëtor që vjen dhe bizneset”, thotë Kadriaj.

    Edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve në Sektorin Privat, Jusuf Azemi konsideron se mungesa e kushteve të punës në vend, ka shkaktuar që të ketë mungesë të fuqisë punëtore në vend.

    Sipas Azemit, nga janari vitit 2024 pas liberalizimit të vizave, vendi do të vuaj më shumë nga mungesa e punëtorëve.

    “Ne kemi një mungesë shumë të madhe të fuqisë punëtorë, sidomos ata që janë të kualifikuar. Realisht në shumë projekte, shumë programe të shumë kompanive kanë dështuar në mungesë të punëtorëve. Ne veçse jemi çdo ditë në terren dhe i shohim. Fakti që jemi në këtë gjendje, është ajo që nuk i kemi trajtuar dhe nuk i kemi kryer obligimet ndaj punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, ashtu siç thotë ligji. Sidomos do të ketë një mungesë të punëtorëve që nga fillimi i viti të ardhshëm, sepse njerëzve do të ju jepet mundësia që të shkojnë jashtë dhe të kontaktojnë për të nënshkruar ndonjë kontratë me vende tjera për një punë më afatgjate. Kemi një ardhje të punëtorëve nga jashtë. Kemi ardhë në një gjendje që duhet pranuar punëtor nga Bangladeshi, që konsiderohet që në Kosovë për momentin kemi rreth 500 punëtorë të ardhur nga jashtë”, tha Azemi.

    Mes tjerash, Azemi potencon se për ata veçse kanë vendosur të lëshojnë vendin, tashmë është vonë për çdo hap tjetër në këtë drejtim nga Qeveria e Kosovës.

    “Ne kemi nuhatur herët që do të ketë mungesë të punëtorëve, dhe gjithëherë iu kemi ofruar që së paku si partnerë, sindikatë, punëdhënësve qeveritë të ofrojnë kushte aq sa munden, por Qeveria e Kosovës, në veçanti pronarët e kompanive në një formë e kanë injoruar kërkesën tonë dhe tash për tash është e kotë, sepse nëse sindikata, qeveria dhe punëdhënësi ofrojnë punëtorëve pagë 1 mijë euro, realisht këta e kanë ndarë mendjen dhe këta normal nuk po shohin ndonjë perspektivë”, përfundoi Azemi.

    Kujtojmë se nga 45% sa ka qenë shkalla e papunësisë në vitin 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, ajo ka rënë në afro 17 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, kështu tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

  • 200 ushtarët britanikë arritën në Kosovë

    200 ushtarët britanikë arritën në Kosovë

    Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se përforëcimet nga ky shtet për misioni paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, tanimë kanë arritur në Kosovë.

    Sipas një njoftimi në X, ushtarët e parë britanikë të një dislokimi prej 200 trupash arritën në Kosovë për t’u përforcuar misionin e KFOR-it.

    Edhe Gjermania do të dërgojë më shumë ushtarë në Kosovë si pjesë e forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO, KFOR, njoftoi të premten një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes.

    “Mund të konfirmoj se qeveria federale (gjermane) ka vendosur të zgjerojë angazhimin e saj ushtarak në KFOR që nga prilli i vitit 2024, pavarësisht nga ngjarjet e fundit në Kosovë”, tha Mitko Mueller në një konferencë rutinë për shtyp në Berlin

    Përndryshe, Turqia do ta marrë udhëheqjen e KFOR-it në mandatin e ardhshëm dhe Angelo Michele Ristuccia do të zëvendësohet nga gjenerali turk, Ozkan Ulutash. Të martën e ardhshme është planifikuar dorëzimi i detyrave nga komandanti aktual i KFOR-it.

  • Qeveria ndan 3 milionë euro shtesë për rehabilitimin e rrugëve rajonale

    Qeveria ndan 3 milionë euro shtesë për rehabilitimin e rrugëve rajonale

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje, në formë elektronike, në të cilën ka marrë dy vendime.

    Në këtë mbledhje, Qeveria ka ndarë 3 milionë euro shtesë për projektin “Rehabilitimi i Rrugëve Rajonale”.

    Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për të kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) Sh.A. dhe KfË, Frankfurt am Main, për projektin “Programi i Energjisë Solare I (Solar4Kosovo I) – Fotovoltaik.

  • Ellis: Duhet të ketë hetim ndërkombëtar për Banjskën

    Ellis: Duhet të ketë hetim ndërkombëtar për Banjskën

    Është e rëndësishme që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të hetohet nga një ekip ndërkombëtar, ashtu siç kërkon Kosova, thotë Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër.

    Ai thotë se ky ekip do të mund të mandatohej nga Kombet e Bashkuara, apo të ishte ekip i përbashkët i disa shteteve.

    Skenari më i mirë, sipas tij, do të ishte edhe sikur Serbia të pajtohej me të.

    “Degëzimi i hetimeve, një nga Kosova, një nga Serbia, për mua nuk është drejtimi i duhur. Duhet të ketë një hetim të konsoliduar dhe të pavarur ndërkombëtar, për të cilin të dyja palët do të binin dakord”, thotë Ellis për REL.

  • Komandanti i KFOR-it paralajmëron përforcime shtesë

    Komandanti i KFOR-it paralajmëron përforcime shtesë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Destabilizimi, sipas komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ishte qëllimi i sulmit terrorist në Banjskë, më 24 Shtator.

    Ai theksoi se sulmi ndaj KFOR-it, më 29 maj, dhe ndaj Policisë, para 12 ditësh, konfirmojnë situatën e paqëndrueshme në veri të Kosovës dhe lehtësinë e përshkallëzimit.

    “Ne e dënojmë plotësisht sulmin ndaj Policisë së Kosovës, sepse është absolutisht i papranueshëm. Së dyti, me siguri, me sa dimë dhe duke pasur parasysh cilësinë dhe sasinë e pajisjeve të konfiskuara nga Policia e Kosovës, me siguri qëllimi i kryerësve të këtij krimi, qëllimi i sigurt, është që të krijojnë paqëndrueshmëri, të rrisin destabilitetin dhe kaosin, kjo është e sigurt”, tha komandant i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

    Përveç njoftimit se po e hetojnë keqpërdorimin e logove të KFOR-it nga terroristët, Ristuccia nuk dha përgjigje të prerë për atë se si u fut në Kosovë arsenali i armëve e municionit të konfiskuar nga Policia.

    “Është shumë herët të thuhet se nga janë futur këto armë në Kosovë. Gjithsesi, ne jemi të pranishëm në veri të Kosovës si dhe përgjatë… dhe veprojmë në përputhje me mandatin tonë, pa u ngarkuar me detyra nga subjekte të tjera… Ekziston një marrëveshje teknike ushtarake, e cila përcakton qartë se kush duhet të bëjë çfarë, ka edhe aktivitete teknike dhe procedurale që ne i kryejmë dhe sigurisht që bëjmë maksimumin për t’i kryer këto aktivitete. Sigurisht që terreni këtu, ju e dini më mirë se unë, sepse jetoni këtu në Kosovë, terreni është kompleks, nuk është aq e lehtë të kontrollosh të gjithë terrenin dhe të gjithë vijën kufitare, por ne po bëjmë maksimumin”, tha Michele Ristuccia.

    Pasi konkludoi se zgjidhja e vetme e qëndrueshme mund të arrihet në dialog, ai foli për veprimet e ndërmarra nga NATO-ja.

    “Në dritën e zhvillimeve të fundit, KFOR-i ka rritur praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës, dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut, ka autorizuar vendosjen e forcave shtesë për ta adresuar situatën. Trupat janë tërhequr nga rezervat strategjike të NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos trupa shtesë dhe zbatimi i mëtejshëm do të vazhdojë së shpejti edhe nga aleatët e tjerë, duke përfshirë Rumaninë”, tha Michele Ristuccia.

    Komandanti Ristuccia konfirmoi se më 24 Shtator, ishte në koordinim, me siç u shpreh “të gjitha palët”. Javën e ardhshme, ushtaraku italian do t’ia dorëzojë detyrën e komandantit të KFOR-it gjeneralit turk, Ozkan Ulutash.

  • Kosova humb rastin në arbitrazh me “Contour Global”

    Kosova humb rastin në arbitrazh me “Contour Global”

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbi 20 milionë euro është shuma që Qeveria detyrohet t’i japë kompanisë “Contour Global” .

    Kjo kompani Amerikane, me të cilën Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në vitin 2017, nënshkroi kontratë për ndërtimin e termocentralit, me kapacitet 450 megavat, “Kosova e Re”, fitoi betejën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

    Kontrata e nënshkruar në fund të viti 2017, u neglizhua nga Qeveria aktuale, duke bërë kështu që kompania të tërhiqet nga projekti në mars të 2020-ës, duke kërkuar 20 milionë euro dëmshpërblim.

    Këtë, ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Haradinaj e vlerësoi skandal tjetër të pushtetit.

    Por, ndryshe mendojnë ekspertë të energjisë. Sipas ish-drejtuesit komercial në Korporatën Energjetike të Kosovës, realizimi i këtij projekti do të pësonte me rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike.

    “Kthimi aq i shpejtë i vlerës së investimeve do të bënte që çmimi i energjisë elektrike të rritej dhe të ishte shumë i lartë… Mënyra se si është lidhur kontrata, kushtet e saj të disfavorshme, besoj që i kanë dhënë të drejtë ta anulojë atë kontratë Qeverisë së Kosovës”, tha Palok Berisha, ekspert i energjisë.

    Sipas tij, qeveritë duhet të kenë kujdes dhe të mos nënshkruajnë kontrata të cilat kryesisht janë në favor të kompanive investuese.

    Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është kundërshtuar, duke u konsideruar si projekt i dëmshëm për mjedisin dhe qytetarët. Jetëgjatësia e Termocentralit “Kosova e Re” është llogaritur të jetë 40 vjet dhe kishe vlerë mbi 1.3 miliard euro.

  • PSRK s’pajtohet me vendimin e Apelit, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve

    PSRK s’pajtohet me vendimin e Apelit, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve

    Përgatiti: Nora Luta

    Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është pajtuar me vendimin e Apelit, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

    PSRK-ja ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë, si mjet i jashtëzakonshëm juridik.

    Burimet i kanë thënë televizionit se Prokuroria Speciale e konsideron të kundërligjshëm dhe skandaloz lirimin e tyre nga paraburgimi. Sipas tyre, prokuroria po zhvillon hetime intensive dhe është në fazën e ekzaminimit të të gjitha provave të sekuestruara, nga bastisjet në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë.

    Kërkesën e PSRK-së, Gjykata Supreme e ka pranuar më 29 shtator.

    “Në Gjykatën Supreme, me datë 29.09.2023, është pranuar kërkesa për mbrojtje të Ligjshmërisë e ushtruar nga Prokurori i Shtetit, ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit. Kjo lëndë është në punë që nga data 03.10.2023”, tha Antigona Uka – lutfiu, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Supreme.

    Por, për një kërkesë të tillë nuk është ende në dijeni mbrojtja. Avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, thotë se nuk pasur bazë ligjore që të dyshuarit të mbahen në paraburgim.

    Para një muaji, Gjykata e Apelit i kishte pranuar ankesat e mbrojtjes si të bazuara, duke vendosur që Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi të lirohen për t’u mbrojtur në liri.

    Apeli kishte konsideruar se gjykata nuk ka arritur ta vërtetojë dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

    Dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa biznesmeni Ridvan Muharremi, i përfolur në publik për afërsi me Vetëvendosjen, dyshohet për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.

    Ata ishin arrestuar në gusht, gjatë një aksioni të Policisë, nën dyshime se në kundërshtim me procedurat ligjore, sasi e madhe e miellit dhe vajit është paguar pa u pranuar produktet.

  • Qeveria s’iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve që s’po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Qeveria s’iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve që s’po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Përgatiti: ATV

    Në pyetjen e deputetes nga AAK-ja, Time Kadrijaj, nuk u përgjigj ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Deputetja pati pyetje edhe për kryeministrin i cili po ashtu refuzoi të përgjigjej.

    “Udhëtimet e tua më të shpeshta kanë qenë në Greqi, por nuk kemi marrë ndonjë njohje?”, tha Kadrijaj.

    “As unë nuk do të përgjigjem në pyetjet e juaja. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të votohen e më pas ne mund të përgjigjemi”, tha kryeministri Kurti.

    Në seancën e së premtes të Kuvendit, në të cilën pyetjet e deputetëve ishin pika e vetme e rendit të ditës, kryeministri Albin Kurti, bashkë me kabinetin qeveritar, refuzuan t’iu përgjigjen opozitarëve, të cilët nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

    Vendimi i ekzekutivit nuk i pëlqeu opozitës.

    Pas përfundimit të seancës, PDK-ja dhe LDK-ja i kanë quajtur sulm e shantazh qëndrimet e kabinetit qeveritar.

    Megjithatë, pesë ministra të cilët ishin të pranishëm në seancë, megjithatë u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve të pushtetit.

    Qysh nga fillimi i sesionit pranveror, deputetët e dy partive opozitare, PDK-ja e AAK-ja, kanë refuzuar t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat sipas qeverisë kanë vlerë 360 milionë euro.