ATV

Category: Lajme

  • Sanksionimi i Serbisë, pas “agresionit më 24 Shtator”, BE ja nuk ka qëndrim unik

    Sanksionimi i Serbisë, pas “agresionit më 24 Shtator”, BE ja nuk ka qëndrim unik

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Sanksionimi i Serbisë pas agresionit të 24 Shtatorit, ishte kërkesë e presidentes Vjosa Osmani në të gjitha takimet bilaterale me liderë të shteteve të ndryshme dhe krerë të institucioneve të Bashkimit Evropian, në Granda të Spanjës.

    Teksa kërkoi garantimin e sigurisë së kufirit me Serbinë, presidentja ritheksoi se sanksionimi i shtetit fqinj duhet t’i paraprijë vazhdimit të dialogut.

    Por, brenda Bashkimit Evropian nuk ka pajtim të plotë për kërkesën e Kosovës.
    Në samitin jo-formal të liderëve të shteteve anëtare të BE-së, kryeministri hungarez Viktor Orban doli haptas në mbrojtje të Serbisë.

    “Jo, jo, është qesharake, është e pamundur. Serbët kanë vuajtur nga provokimet e rregullta në dy vjetët e fundit, kështu që duhet ta kuptojmë që kosovarët duhet të sillen në mënyrë tjetër. Mos i provokoni serbët. Provokimet çojnë në përgjigje, kjo rezulton në jo-stabilitet. Pa Serbinë, nuk ka stabilitet në Ballkan. Kështu që unë definitivisht argumentoj që të ndihmojmë Serbinë të stabilizojë rajonin”, tha Orban.

    Në samitin ku kryetema ishin procesi i zgjerimit dhe migracioni, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, përmendi Kosovën teksa tha se asnjë shtet nuk mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhur konfliktet.

    Ndërkaq, krerët e institucioneve të BE-së, në deklarimet publike në Spanjë, nuk folën për sanksionim e Serbisë.

    Në margjina të samitit, presidentja Vjosa Osmani takoi homologun e saj Volodymyr Zelenskyy –për çka bëri përshkrim të shkurtë me tri fjalë: qëndresë, stoicizëm dhe shpresë.

  • Vrasja për disa kilogramë fasule në Batllavë familja e viktimës kërkon ashpërsim të dënimit

    Vrasja për disa kilogramë fasule në Batllavë familja e viktimës kërkon ashpërsim të dënimit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Fare pak minuta zgjati seanca në Gjykatën e Apelit, ku u kërkua ashpërsimi i dënimit ndaj Baki Brahimit, për vrasjen që e kreu para dy vjetësh në fshatin Batllavë.
    Ai ishte dënuar për vrasjen e djalit të xhaxhait, Gazmend Brahimi.

    Bashkëshortja e viktimës, përmes ankesës ndaj vendimit të shkallës së parë, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm, për autorin i cili e ka pranuar kryerjen e veprës.

    “Nuk jemi aspak të kënaqur me dënimin prej 17 vjet… Presim që gjykata ta dënojë me burgim të përjetshëm, se e ka vra burrin tim pa asnjë arsye… se e ka vra veç për shkak të xhelozisë… e jo për shkak të pasulit e as të tokës…”, tha Brahimi.

    Ndonëse, që nga koha kur ndodhi rasti, Naile Brahimi bashkë me fëmijët janë larguar nga fshati. Ata i druajnë lirimit eventual të autorit të vrasjes.

    “Ky është gjithmonë rrezik për neve: për mu e fëmijët e mi. Nesër del ky, na rrezikon…”, tha Brahimi.

    Sipas avokatit të familjes së viktimës, ekzistojnë mjaftueshëm arsye që gjykata ta ashpërsojë dënimin.

    “Autori ka qenë me vetëdije të plotë kur e ka kryer veprën. Andaj vlerësojmë se gjykata do të duhej të mos i jepte peshë pranimit të fajësisë, por mënyrës së kryerjes së veprës penale mizore të planifikuar”, tha Florim Shefqeti, avokat i palës së dëmtuar.

    Sidoqoftë, Gjykata e Apelit nuk pritet të vendosë për rastin pa kaluar së paku një javë nga seanca.

    Në tetor të vitit 2021, sipas aktakuzës para se ta qëllonte me armë zjarri në kokë, Baki Brahimi e kishte goditur me veturë Gazmend Brahimin, i cili po shkonte në punë me biçikletë.

    Sipas deklaratave të asaj kohe, konflikti mes viktimës e autorit kishte filluar për disa kilogramë fasule.

    Për veprën penale, autori ishte dënuar me 17 vjet e 10 muaj burgim. Ky dënim u konfirmua edhe pas rigjykimit të rastit për herë të parë.

  • Ministrja gjermane Baerbock e quan tinëzar sulmin në Banjskë

    Ministrja gjermane Baerbock e quan tinëzar sulmin në Banjskë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Së pari masa ndëshkuese për Serbinë e pastaj dialog, është shprehur ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla pas Samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Tiranë.

    Por, për një homologe të Gërvallës, “çelësi i zgjidhjes së konfliktit” mes Kosovës dhe Serbisë është në duart e Prishtinës dhe Beogradit.

    Duke folur në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani, dhe komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç paqes në rajon.

    “Provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencave të trupave në kufirin me Kosovën, e kanë nxehur edhe më tej situatën, që edhe ashtu ishte e tensionuar dhe për këtë biseduam gjatë këtij takimi, dhe kjo ndodhi pas një sulmi tinëzar kundër policisë kosovare, prej një bande terroriste të armatosur gjer në dhëmbë. Presim prej Qeverisë serbe që t’i çojë përpara proceset hetimore të ngjarjeve të 24 shtatorit dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave, ashtu sikurse edhe rrethanat e ngjarjes së majit kundrejt ushtarëve të KFOR-it”, tha Baerbock.

    Teksa kërkoi nga Serbia nisjen e hetimit serioz për grupin terrorist që vrau rreshterin Afrim Bunjaku, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, shtroi se formati i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë duhet të ngrihet në nivelin e një konference me planin francezo-gjerman, si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve.

    “Palët duhet të punojnë me guxim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, e cila do të mundësojë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, si dhe trajtimin e drejtë të pakicave, bazuar gjithmonë në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Hasani.

    Palëve u bëri thirrje për dialog edhe komisionari i BE-së, Oliver Varhelyi.

    Ndryshe, ky samit i Ministrave të Jashtëm u mbajt në prag të samitit të radhës, në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet më 16 tetor në Tiranë.

    Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daqiq, refuzoi të fotografohet krahë homologëve të tij, për shkak të prezencës së flamurit të Republikës së Kosovës.

  • Qeveria ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në Samitin e radhës, në kuadër të Procesit

    Qeveria ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në Samitin e radhës, në kuadër të Procesit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Për herë të parë, samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Kryeqyteti shqiptar, Tirana, më 16 tetor, pret presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët e rajonit.

    Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës.

    Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, sipas këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, nuk kanë ndikim në Samitin e Tiranës.

    Fakti që iniciativa rajonale e njohur si “Ballkani i Hapur” është zbehur, mund të ndikojë që Procesi i Berlinit të shihet si adresa e vetme për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

    Qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Njëra nga tri marrëveshjet për lëvizjen e lirë, të cilat u nënshkruan vitin e kaluar si pjesë e procesit të Berlinit, i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, marrëveshje e bllokuar nga Bosnja e Hercegovina.

    Dy të tjera, janë për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të stomatologjisë dhe arkitektëve.

  • Dy të arrestuar, Gjykata Speciale del me komunikatë

    Dy të arrestuar, Gjykata Speciale del me komunikatë

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar për arrestimin e dy ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin.

    Të dy janë transferuar në objektin e Paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe do të dalin para gjykatësit të procedurës paraprake së shpejti.

    Siç njofton ZPS-ja, ata janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalin para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesë të paarsyeshme.

    Sipas ZPS-së, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të bazuara se Bahtijari dhe Januzi janë përpjekur të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në Hagë.

    “Z. Bahtjari dhe z. Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftim.

    Në aksionin e arrestimit, ZPS-ja është ndihmuar nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

    ZPS në fund potencon se çështjen e frikësimit të dëshmitarëve apo hakmarrjen ndaj tyre e merr shumë seriozisht dhe se do të hetojë dhe ndjek penalisht cilindo që përfshihet në çdo rast.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”, përfundon njoftimi.

  • ​Meloni dhe Scholz “të kënaqur” me marrëveshjen për migrantët

    ​Meloni dhe Scholz “të kënaqur” me marrëveshjen për migrantët

    Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe kancelari gjerman Olaf Scholz shprehën “kënaqësi” për marrëveshjen e arritur në Bruksel në fillim të kësaj jave për menaxhimin e krizës në kuadër të negociatave mbi Paktin e ri të BE-së për migracionin dhe azilin gjatë takimit të tyre dypalësh në margjinat e Këshillit Evropian joformal në Granada, Spanjë.

    Udhëheqësit thuhet se “diskutuan çështjet kryesore evropiane në Këshill, me një fokus të veçantë në çështjen e migracionit, duke shprehur kënaqësinë për marrëveshjen e arritur në Bruksel për rregullimin e krizave”.

    Meloni dhe Scholz, duke vënë në dukje nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit midis Romës dhe Berlinit, ranë dakord të takohen në samitin ndërqeveritar italo-gjerman në Gjermani në fund të nëntorit, raporton ANSA.

    Takimi dypalësh zgjati rreth 45 minuta.

    Takimi erdhi pas një grindjeje midis Romës dhe Berlinit mbi vendimin e Gjermanisë për të financuar OJQ-të që kryejnë operacione kërkim-shpëtimi në Mesdheun qendror dhe të zbarkojnë emigrantët dhe refugjatët në Itali.

    Kishte gjithashtu mosmarrëveshje midis dy shteteve lidhur me seksionin kyç të menaxhimit të krizave të paktit të ri të BE-së për migracionin dhe azilin, por marrëveshje u arrit për këtë të mërkurën pasi Gjermania hodhi poshtë një amendament.

  • Varhelyi: Drejtësia të flas për autorët e sulmit ndaj policëve në veri, Serbia të bashkëpunojë me BE-në

    Varhelyi: Drejtësia të flas për autorët e sulmit ndaj policëve në veri, Serbia të bashkëpunojë me BE-në

    Komisioneri për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, gjatë një konference për media në Samitin e Ministrave të Jashtëm, ka deklaruar se drejtësia duhet të flas për autorët që sulmuan policët në veri të Kosovës.

    Varhelyi tha se qëndrimi i tyre ka qenë i qartë dhe se autorët në sulmin në veri të Kosovës duhet të dalin para drejtësisë.

    “Së pari ne duhet të kemi një ulje të plotë të tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës. Së dyti duhet të rikthehet dialogu dhe në këtë punë të jepen rezultate duke vënë në zbatim të gjitha marrëveshjet e mëparshme, përfshirë ata në Ohër. Së treti, të gjithë ata autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe drejtësia jo vetëm që duhet të flas, pra autoritet serbe duhet që plotësisht të bashkëpunojnë me ne në lidhje me këtë çështje dhe kjo besoj që kjo është gjuhë e qartë, nuk mund të ketë ndonjë keqkuptim dhe një mendim personal lidhur me këtë çështje, për aq kohë sa Ballkani Perëndimor e mendon këtë zonë me si zona me totalin zero, atëherë duhet të ndryshojë kjo mendësi sepse Ballkani perëndimor do të pësojë, duhet të ndryshohet ky qartë dhe ndryshohet vetëm me dialogun Kosovë-Serbi”, tha Varhelyi.

    Ai shtoi se rreth 15 milardë euro kanë investuar në Ballkanin Perëndimor për të transformuar ekonomitë e këtij rajoni.

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani tha se formati i dialogut Kosovë-Serbi duhet ngritur në nivelin e një konference normaliizmi me planin franko-gjerman si udhërrëfyes për normalizimin.

    “Ne presim që Serbia të nis një hetim serioz për grupin terroristë kriminal të përfshirë në sulmin e armatosur në veri të Kosovës, që pati një oficer policie të vrarë dhe një të plagosur, si dhe lidhjet e këtij grupi me trafikantët e armëve në Serbi apo diku tjetër“, tha ai.

  • A ka Aleanca plan nëse Serbia e kalon kufirin me Kosovën,çfarë thotë Ambasadorja e SHBA’së në NATO?

    A ka Aleanca plan nëse Serbia e kalon kufirin me Kosovën,çfarë thotë Ambasadorja e SHBA’së në NATO?

    Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën angleze, ka folur për zhvillimet në Veri dhe tensionet që u shkaktuan atje pas sulmit terrorist dhe grumbullimit të forcave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

    E pyetur nga gazetari i DW nëse NATO ka një plan në rast se Serbia vendos ta kalojë kufirin, Smith ka thënë se Aleanca është duke e monitoruar situatën derisa është duke u siguruar se KFOR ka aftësitë dhe personelin e mjaftueshëm për tu përballur me çdo eskalim të ardhshëm.

    “Aleanca e NATO’s ka një mision të quajtur KFOR atje. Jemi përballur me destabilizim në rajon që lidhet me ngjarjet që ndodhën para dy javësh, ku u vranë disa persona dhe po ashtu edhe me dhunën dhe destablizimin që ndodhi gjatë majit të kaluar . Ne u takuam për këtë cështje të premten për të biseduar se çfarë mund të bëjë KFOR’i” ka thënë ajo.

    Tutje Smith ka thënë se situata në Kosovë është në mendjen e aleatëve të NATO’s dhe se situata do të monitorohet.

    “Ajo që kemi bërë për momentin është rritja e disa forca rezervë por edhe po i monitorojmë ngjarjet në terren po bëjmë thirrje për deeskalim por po sigurohemi që forcat e KFOR’it kanë aftësinë që iu duhet dhe personelin që i duhet dhe që të jenë në nivelin e lartë të gatishmërisë, që të përgatiten për çdo eskalim të ardhshëm . Pra është diçka që është në mendjen e aleatëve të NATO’s dhe do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën nga afër” ka theksuar Smith.

  • ​Evropiani i femrave, Kosova mposht Gjeorgjinë

    ​Evropiani i femrave, Kosova mposht Gjeorgjinë

    Kombëtarja e Kosovës te femrat në grupmoshën U17 ka regjistruar sot fitoren e parë në kualifikimet e Kampionatit Evropian Euro 2024 për femra.

    Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Llapit, vashat e Kosovës U17 e kanë mposhtur Gjeorgjinë me rezultat soli 2:0, raporton KosovaPress.

    Golat e fitores për “Dardanet” e reja i shënuan Mirjeta Januzi (minuta e 5’) dhe Riga Kallaba (minuta e 45+4’).

    Me pikët e reja, Kosova U17 renditet në vendin e dytë të Grupit 1 të këtyre kualifikimeve me katër pikë të arkëtuara, krahas Gjeorgjisë që nuk e ka asnjë pikë.

    Rezultati final, 2:0 në favor të Kosovës U17.

  • ​Baerbock: Sulmi ndaj Policisë në veri ishte tinxar nga një bandë terroriste e armatosur

    ​Baerbock: Sulmi ndaj Policisë në veri ishte tinxar nga një bandë terroriste e armatosur

    Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock kërkoi hetim nga Serbia për sulmin në veri të Kosovës në 24 shtator.

    Në konferencën për shtyp pas samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, Baerbock u shpreh se provokimet e palës serbe për rritjen e trupave në kufi me Kosovën e kanë tensionuar situatën. Sulmin nga grupi i armatosur serb, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ministrja gjermane e cilësoi tinëzar.

    “Provokimet e palës serbe për rritjen e trupave në kufi me Kosovën e kanë nxehur edhe më tej situatën e cila edhe ashtu ishte e tensionuar dhe për këtë biseduam gjatë këtij takimi dhe kjo ndodh pas një sulmi tinëzar kundër Policisë së Kosovës nga një bandë terroriste të armatosur gjerë në dhëmbë. Presim që Serbia të çojë më përpara proceset hetimore për ngjarjet e 24 shtatorit dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes së majit kundër ushtarëve të KFOR. Situata është aq e tensionuar saqë NATO ka rritur prezencën e KFOR dhe përmes këtij sinjali ne bëjmë të qartë, qëndrojmë vigjilent, kontribuojmë për stabilitetin dhe sigurisë dhe të ardhmen e rajonit e kemi përemër por çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë… nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç që Serbia dhe Kosova të angazhohen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe ajo që presim është më shumë gatishmëri për kompromis, më shumë kurajo për t’u bërë ballë edhe rrymave të kundërta të politikave të brendshme”, tha ajo.

    Baerbock theksoi rëndësinë integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    “Është kënaqësi fakti që Procesi i Berlinit zhvillohet për herë të parë në rajon, aty ku procesi i Berlinit është në shtëpinë e vet. ..veçanërisht për të rinjtë e këtij rajoni, është tërësisht e qartë që e ardhmja gjendet në Evropë, dhe nëse Evropa nuk vjen tek ata, ata do të gjejnë një rrugë drejt saj, me gjasë shumë prej tyre e kanë gjet këtë rrugë, andaj të gjithë duhet të përshpejtojmë ritmin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vizita në Kievë, e neve si ministra të BE-së na ka bërë të qartë edhe një herë se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës e bën edhe e shndërron anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të domosdoshëm në dimensionin gjeopolitik”, tha ajo.

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, u shpreh se këto takime zhvillohen në një moment të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor

    “Lajmi i mirë është se ka një vullnet të ri politik për të zgjeruar Bashkimin Evropian me Ballkanin Perëndimor. Këto nisma na ndihmojnë të integrohemi në disa politika të tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian. Qëllimi është që rigjallërimi i procesit të integrimit të konkretizohet me masa që janë të prekshme nga qytetarët. Energjia dhe transporti janë dy sektorë kyç në agjendën e këtij viti të Procesit të Berlinit. Përtej këtyre dy fushave, kemi punuar për nisma konkrete edhe në sektorë të tjerë”, tha Hasani në fund të këtij samiti.

    24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit u mblodhën sot në Tiranë në takimin e Ministrave të Jashtëm. Ky ishte ministeriali i fundit në serinë e tre ministerialeve që i paraprijnë Samitit në Tiranë, që do mbahet në 16 tetor.