ATV

Category: Lajme

  • Panairi ndërkombëtar i Patundshmërisë që u hap për herë të parë në Kosovë është mbyllur

    Panairi ndërkombëtar i Patundshmërisë që u hap për herë të parë në Kosovë është mbyllur

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Më shumë sukses e më kontrata të nënshkruara është përmbyll panairi treditësh “PRISHTINA REAL ESTATE – EXPO 2023”.

    Rezultatet e panairit të parë ndërkombëtar të patundshmërisë në vend tejkalojë edhe pritshmëritë e organizatorëve duke bërë që shumë investitorë nga Dubai apo Anglia të fillojë bashkëpunim me disa kompani pjesëmarrëse.

    Edhe kompanitë pjesëmarrëse u ndanë të kënaqura me rezultatet e këtij eventi.

    Në panairin ndërkombëtar të patundshmërisë pjesëmarrëse ishin 25 kompani derisa nikoqir ishte kryeqyteti.

  • Projektligji për tekstet shkollore, theksohet nevoja për miratimin e tij në Kuvend

    Projektligji për tekstet shkollore, theksohet nevoja për miratimin e tij në Kuvend

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Janë bërë më shumë se 1 vit prej kur projektligji për tekste shkollore është prezantuar dhe ka përfunduar diskutimi publik për të.

    E me këtë projektligj parashihet të rregullohet çështja e teksteve shkollore e edhe një nga problemet me të cilin nxënësit e filluan këtë vit shkollor, ai me furnizim me libra.

    “Cakton afate të shumta ky projektligj, gjithashtu njëri prej tyre është se nxënësit duhet t’i kenë librat në qershor, që më pas në shtator të nisin mësimin”, tha Rinor Qehaja nga Instituti ‘Ed Guard”.

    Por që nga ardhja në Kuvend ky projektligj kalon nga një seancë në tjetrën.

    Vetëm herën e fundit kur ishte në rend dite u tentua dy herë të votohet për të.

    Por në mungesë të kuorumit dështoi edhe pse edhe deputetë nga LDK-ja e AAK-ja dhanë votën e tyre.

    “Unë dhashë votën time dje, e përkraha. Më pas, në mes dy leximeve ka vend për ndryshime për të. Por megjithatë është një projektligj i rëndësishëm”, tha anëtarja e komisionit për Arsim nga radhët e AAK-së,

    “Shpresoj që javën e ardhshme të kemi kuorum. Kjo nuk duhet të kuptohet si bojkot por shpesh po ndodh që deputetët për rrethana të ndjeshme familjare apo vizita të mos jenë në seancë e kjo ka ndodh edhe në këto seancat e fundit”, tha kryetari i komisionit për Arsim nga radhët e LV-së, Ardian Gola.

    Ndërkohë, projektligji parasheh edhe përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore dhe hap rrugën për tekste mësimore digjitale.

  • Rreth 30 nxënës janë helmuar nga ushqimi të cilin e kishin konsumuar në një lokal në Mitrovicë

    Rreth 30 nxënës janë helmuar nga ushqimi të cilin e kishin konsumuar në një lokal në Mitrovicë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Rreth 30 nxënës besohet se janë helmuar në Mitrovicë.

    Njëri prej tyre, 16 vjeçari, Valdrin Hasani ka thënë për ATV-në se simptomat e helmimit i janë shfaqur pasi ka ngrënë ushqim në një lokal.

    “E kam hëngër një hamburger dhe simptomat më janë shfaqur pas një dite si vjellje, barkqitje. Kam pasë shumë temperaturë, kam pasë kokë dhembje, ethe, e që këtu në qendër të mjekësisë familjare janë kujdesur shumë mirë për ne”, tha Hasani.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka dalë menjëherë në vend të ngjarjes dhe ka mbyllur lokalin. Sipas kësaj agjencie higjiena sanitare në këtë lokal nuk ishte në gjendje të mirë derisa lokali nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare.

    Sidoqoftë gjendja e pacientëve tashmë është e mirë.

    Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ndaj operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore konform gjetjeve përfundimtare raporteve të analizave laboratorike.

  • Takimi për Stabilizim Asocim, BE – Kosovë rrezikon të mos mbahet

    Takimi për Stabilizim Asocim, BE – Kosovë rrezikon të mos mbahet

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Takimi i radhës i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim, komision ky i përbashkët i Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian, ka gjasa të mos mbahet në nëntor, siç ishte planifikuar.

    Në një përgjigje për ATV-në, kjo u konfirmua nga kryesuesja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila.

    “Ende nuk kemi datë të saktë të takimit të radhës të KPSA-së. Parlamenti Evropian nuk e ka anuluar bashkëpunimin, por është me fushata parazgjedhore për zgjedhjet e radhës parlamentare. Prej muajit mars kur kemi pasur takimin e përbashkët në Strasburg, ka pasur indikacione që takimi i nëntorit në Prishtinë, mund të mos ndodhë, për shkak të zgjedhjeve. Megjithatë, ende asgjë të konfirmuar nuk kemi”, tha Kusari-Lila.

    Ndonëse, anulimi eventual i këtij takimi sipas Kusari – Lilës, nuk lidhet me masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, kryetarja e Komisionit për Integrime, Rrezarta Krasniqi, ka dyshime.

    Sidoqoftë, rëndësia e takimeve të tilla vlerësohet të jetë e madhe.

    Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit mes Kosova dhe Bashkimit Evropian u nënshkrua më 27 tetor të vitit 2015, teksa hyri në fuqi më 2016.

    Vendet që synojnë anëtarësimin në BE-së nënshkruajnë MSA-në, e cila është një kuadër ligjor dhe përkushtim për reforma politike, ekonomike, tregtare ose reforma për të drejtat e njeriut.

  • Trajnimi i mbi 300 rekrutëve të FSK-së është shtyrë për gati 3 javë

    Trajnimi i mbi 300 rekrutëve të FSK-së është shtyrë për gati 3 javë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Aplikimet iu pranuan, e testet fizike e psikike i kaluan me kohë. Megjithatë, mbi 300 të rinj nga grupi i dytë i rekrutëve të Forcës së Sigurisë, nuk e kanë filluar trajnimin më 2 tetor siç ishte planifikuar.

    Nga Ministria e Mbrojtjes, vonesa pohojnë se është shkaktuar nga angazhimi në ushtrimin “Defender Europe 2023.

    “FSK nuk ka filluar Stërvitjen bazë për Gjeneratën e dytë si rezultat Ushtrimit “Defender Europe 2023 i cili ka afektuar ne fillimin e stërvitjes për Gjeneratën e parë 2023 për dy muaj vonesë. Në këtë mënyrë për arsye ty përgatitjeve administrative të Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës kërkohet kohë shtesë për fillimin e Gjeneratës së dytë”, thotë gjeneral Ilir Qiriqi, shefi i stafit të ministrit.

    Mirëpo, burime të ATV-së bëjnë të ditur se arsye tjetër për shtyrjen e trajnimit të rekrutëve është edhe mungesa e veshmbathjeve. Këto pohime fuqizohen nëse shikohen të dhënat e tenderit për veshmbathje, kontrata për të cilin është nënshkruar para më pak se tri javëve.

    Marrë parasysh edhe problemet e mëhershme gjatë tenderimit, njohës të fushës së sigurisë sugjerojnë të ketë lehtësime të këtyre procedurave për këtë ministri.

    “Konsideroj se duhet të thjeshtohen procedurat e tenderimit në furnizimin e FSK-së…”, tha profesori i shkencave të sigurisë, Rrahman Sylejmani.

    Sidoqoftë, vonesa nuk besohet të ketë ndikim tek zhvillimi i ushtarëve potencialë.

    “Nëse shtyhet trajnimi për 2-3 javë nuk shkakton ndonjë pengesë të madhe. Më problem do ishte nëse pas nisjes së trajminit do kishte pauzë për ndonjë arsye”, tha njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

    Më 19 shtator, Ministria e Mbrojtjes nënshkroi kontratë me vlerë prej 537 mijë euro, për furnizim me uniforma dhe atlete sportive komplet për nevojat e FSK-së.

    Forca e Sigurisë së Kosovës që është në procesin 10 vjeçar të transformimit në ushtri, që nga viti 2018, planifikohet t’i ketë maksimalisht 5000 ushtarë aktivë dhe 3000 rezervë.

  • Sërish të marten përpjekje për konstituimin e komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore

    Sërish të marten përpjekje për konstituimin e komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbledhja e radhës në të cilën pritet konstituimi i komisionit hetimor parlamentar për keqpërdorime me rezerva shtetërore pritet të mbahet të martën. Fillimi i punës i këtij komisioni i kërkuar nga opozita tashmë ka dështuar dy herë për shkak të mungesës së anëtarëve nga partia në pushtet.

    Por sipas deputetit të PDK-së dhe anëtarit të këtij komisioni, Ferat Shala mungesa e deputetëve të pushtetit është ikje.

    Partitë opozitare dhe partia në pushtet kanë shprehur deri tash qëndrime të kundërta lidhur me punën e këtij komisioni.

    Sipas opozitës nevoja për themelimin e këtij komisioni është e domosdoshme ndërkaq në Vetëvendosje konsiderojnë se mund të paraqet ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, pasi prokuroria është duke hetuar këtë rast.

    Kuvendi në seancën e 21 shtatorit me 69 vota për votoi themelimin e Komisionin hetimor parlamentar për rezervat shtetërore.

  • Sulmi i Hamasit në Izrael, Ambasada e Kosovës në Jerusalem del me njoftim

    Sulmi i Hamasit në Izrael, Ambasada e Kosovës në Jerusalem del me njoftim

    Ambasada e Kosovës në Izrael ka publikuar numrin emergjent për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që aktualisht janë në Shtetin e Izraelit.

    Izraeli është zgjuar mëngjesin e sotëm nën sulmin masiv të Hamasit. Së paku 22 persona raportohet të kenë vdekur deri më tani nga ky sulm dhe mbi 500 të plagosur.

    “Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit i udhëzojmë që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale izraelite dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem në numrin e kontaktit: +9720586340450”, ka njoftuar ambasada e Kosovës në Izrael.

  • Kryeministri Kurti: Duhet të kemi siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

    Kryeministri Kurti: Duhet të kemi siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pret nga Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje që Serbia ka bërë, duke u bazuar në traktatin që Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në shkurt të këtij viti në mënyrë që të kthehet rruga e zbatimit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Kurti gjatë një interviste për Sky News, është pyetur për situatën pas sulmit të 24 shtatorit nga terroristët serbë në veri të vendit, si dhe dialogun në Bruksel, ku ka thënë se nuk pas asaj që ndodhi në veri, asgjë nuk është si më parë.

    “Ne nuk mund të kthehemi si zakonisht. Pas 24 shtatorit asgjë nuk është si më parë, dhe në këtë situatë ka kontribuar edhe toleranca ndaj shkeljeve të traktatit bazë që kemi rënë dakord me Serbinë në shkurt të këtij viti. Brukseli është një arbitër, i cili duhet të reagojë sa herë ka një shkelje, shkelje të marrëveshjes. Neni 3 i traktatit bazë thotë se palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i dhunës. Pres që Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje të traktatit tonë bazë, në këtë mënyrë ne të mund të kthehemi në rrugën e zbatimit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të mundësojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë demokratike evropiane”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për sigurimin e kufijve nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

    “Duhet të kemi siguri për Kosovën, dhe sanksione për Serbinë. Siguria do të thotë, para së gjithash, siguria e kufirit tonë, që është mjaft e gjatë kur bëhet fjalë për fqinjin tonë verior serb [pra ju doni më shumë paqeruajtës këtu], më shumë paqeruajtës, të cilët do të patrullojnë së bashku me policinë tonë përgjatë kufirit të gjatë në rajonet malore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është numri një, ne kemi nevojë për dënim për Serbinë, ata do të përsërisin krimet e tyre, nëse nuk ka dënim nga BE, NATO, SHBA, Britania e Madhe… Dhe çfarë tjetër na duhet është që këto organizata terroriste që ne i shpallim kështu tre muaj më parë, “brigada e veriut” dhe “mbrojtja civile”, duhet të shpallen terroriste edhe nga miqtë, aleatët dhe partnerët tanë”, tha ai, derisa shtoi se përreth kufirit të Kosovës janë 48 baza operative, 28 ushtarake, 20 janë xhandarmeri, që janë si patkua rreth vendit tonë të cilat duhet të hiqen prej andej.

    “Ne ende nuk kemi prova se ata i kanë hequr ato siç u kanë premtuar me sa duket aleatëve tanë perëndimorë, megjithatë, nga 50 deri në 150 njerëz të armatosur janë në secilën prej këtyre bazave operative. Baza e operimit duhet të hiqet prej andej. Numri një, statusi i tyre është i gabuar. Numri dy, prania e tyre është frikësuese”, tha ai.

    Ai ka shtuar se tani është koha për të filluar një kapitull të ri, ku perëndimi demokratik do t’i thotë Serbisë se ky lloj i veprimeve të librit të Putinit në Kosovë duhet të ndërpritet njëherë e përgjithmonë.

  • Krasniqi: I shokuar nga sulmi i tmerrshëm kundër shtetit të Izraelit

    Krasniqi: I shokuar nga sulmi i tmerrshëm kundër shtetit të Izraelit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas sulmeve në Izrael. Krasniqi ka thënë se dhuna nuk është kurrë një zgjidhje dhe shpreson për një fund të menjëhershëm të armiqësive.

    “I shokuar nga sulmi i tmerrshëm kundër shtetit të Izraelit. Ne qëndrojmë në solidaritet me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit. Dhuna nuk është kurrë një zgjidhje dhe ne shpresojmë për një fund të menjëhershëm të armiqësive”, ka shkruar Krasniqi në platformën “X”.

  • Haradinaj për sulmet në Izrael: Terrorizmi s’do të fitojë

    Haradinaj për sulmet në Izrael: Terrorizmi s’do të fitojë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dënuar sulmet kundër shtetit të Izraelit.

    Në platformën X, ai ka shkruar se terrorizmi nuk do të fitojë.

    “Ne dënojmë sulmin e tmerrshëm kundër shtetit të Izraelit. Terrorizmi nuk do të fitojë, si sot, si kurrë. Ne qëndrojmë me Izraelin dhe popullin e tij”, ka shkruar ai.

    Shkon në 22 numri i të vrarëve nga raketat e lëshuara nga Gaza në Izrael