ATV

Category: Lajme

  • Krasniqi: Pas OKB-se, Kryeministri Kurti nuk u ftua as në Granadë të Spanjës

    Krasniqi: Pas OKB-se, Kryeministri Kurti nuk u ftua as në Granadë të Spanjës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i padëshiruar dhe i izoluar nga komuniteti ndërkombëtar.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se në Granadë të Spanjës, ku u mbajt samiti i tretë i liderëve të Komunitetit Politik Evropian, shumica absolute e shteteve u përfaqësuan nga Kryeministrat e tyre, por jo edhe Republika e Kosovës.

    “Kryeministri Kurti që del dhe zhurmon për marrëveshjet ndërkombëtare që s’po mundet t’i miratojë, vazhdon të mbetet i padëshiruar dhe i izoluar nga komuniteti ndërkombëtar. Pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është hera e dytë brenda një muaji që Kryeministri i Kosovës nuk ftohet dhe nuk pranohet në mbledhjet e liderëve botërorë. Dinjitet se jo mahi!”, ka shkruar kreu i PDK-së.

  • Abazoviq për sulmin në veri të Kosovës: Serbia zyrtare duhet të hetohet, ndërkombëtarët të marrin përgjegjësi

    Abazoviq për sulmin në veri të Kosovës: Serbia zyrtare duhet të hetohet, ndërkombëtarët të marrin përgjegjësi

    Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, nga Tirana ku ishte i pranishëm për ministerialin e ministrave të Jashtëm në kuadër të Porcesit të Berlinit, kometoi situatën në veri të Kosovës.

    Abazoviç foli me tone të ashpra ndaj ndërkombëtarëve, duke u shprehur se duhet të mbajnë qëndrim dhe jo të “lajnë duart”, ndërsa kërkoi që Serbia zyrtare të hetohet.

    “Mali i Zi ka një politikë paqësore dhe mendoj se qeveria jonë dhe shteti jonë, ka krijuar një model që si mundet që kombësi të ndryshme të jetojnë në harmoni. Hetimi që do të realizohet do të tregojë të vërtetën. Është e papranueshme kjo që ka ndodhur në veriun e Kosovës. Mali i Zi përkrah atë që ka thënë BE dhe NATO. Serbia zyrtare të hetohet. E pres edhe nga ndërkombëtarë, autoritete e Kosovës por edhe nga Serbia. Ndërkombëtarë nuk duhet të lajnë duar. Ka pasur paralajmërime nga ana e Kosovës se atje ka shumë kriminel. Edhe ndërkombëtarët duhet të mbajnë qëndrimin e vet. Politika ndërkombëtare nuk ishte efikase në rajon”, tha Abazovq.

  • Ish-ambasadori Kosnett: Pas Banjskës, BE dhe SHBA duhet ta rimendojnë Asociacionin

    Ish-ambasadori Kosnett: Pas Banjskës, BE dhe SHBA duhet ta rimendojnë Asociacionin

    Ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka folur për situatën aktuale në vend dhe sulmin terrorist në Banjskë.

    Duke shpjeguar atë që kishte ndodhur, Kosnett thotë se pretendimi i terroristit Milan Radoiçiq se kishte organizuar sulmin i vetëm është i pabesueshëm.

    “Përgjigjja e Serbisë ishte klasike e Vuçiqit – duke luajtur me ndjenjat nacionaliste, ai shpalli një ditë zie për luftëtarët e martirizuar serbë, së bashku me përpjekjet për ta portretizuar veten para shteteve të Perëndim si një person me ndikim të moderuar, duke premtuar një hetim. Ndërkohë politikani serb i Kosovës dhe gangsteri i supozuar, Milan Radoiçiç, – i fotografuar në skenë gjatë përleshjes në manastir – u shfaq në Beograd për të marrë përgjegjësinë, duke thënë se ai kishte grumbulluar armë dhe kishte formuar një grup të armatosur, pa mbështetjen apo dijeninë e Beogradit. (Nëse dikush e beson këtë, ju lutemi, ecni përpara!)”.

    Kosnett tha se çështja themelore është se as Serbia dhe as Kosova nuk ndjejnë ndonjë urgjencë për të zbatuar një marrëveshje, derisa shtoi se pas sulmit në Banjskë, BE dhe SHBA duhet ta rimendojnë se si do të duket Asociacioni.

    “Janë tri ide që mund të rrisin fleksibilitetin te pala kosovare: Së pari, pas Banjskës, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të rimendojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në të kaluarën, diplomatët perëndimorë (përfshirë edhe mua) kanë deklaruar se vetëqeverisja e kufizuar për komunat serbe mund ta zvogëlojë me kohë mosbesimin ndërmjet serbëve të Kosovës dhe fqinjëve të tyre me shumicë shqiptare. Kosovarët kanë frikë se Asociacioni mund të përbëjë një kërcënim të brendshëm të sigurisë dhe të parashikojë ndarje de facto të Kosovës. Shumë e krahasojnë Asociacionin me Republikën Srpska ultranacionaliste të Bosnjës, duke i parë të dyja si të dobishme për përpjekjet e mbështetura nga Rusia për të destabilizuar Ballkanin. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja duan të shesin në Kosovë ndonjë version të Asociacionit, atyre do t’u duhet të kenë një argument bindës se ai nuk do të kërcënojë sigurinë e Kosovës”, tha Kosnett për Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane.

    Qendra për Analizë të Politikave Evropiane: Në vazhdën e përleshjeve të rënda ndërmjet Policisë së Kosovës dhe serbëve të armatosur të Kosovës më 24 shtator, të ndjekura nga lëvizjet e trupave serbe dhe të NATO-s, dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja, ka ngecur. A është tash kohë për të riinvestuar apo kohë për të rimenduar?

    Philip Kosnett, ish-ambasador i SHBA-së në Kosovë: Tetë muaj më parë, përpjekja e ndërmjetësuar nga BE dhe e mbështetur nga SHBA për të negociuar një paqe gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dukej se po përparonte. Në shkurt, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, miratuan një marrëveshje që kërkonte, ndër të tjera, vetëqeverisje të kufizuar për serbët e Kosovës përmes një Asociacioni të Komunave Serbe (për herë të parë u pajtua në parim në 2013); dhe njohjen reciproke të simboleve kombëtare, dokumenteve dhe integritetit territorial – atë që Kurti e quajti njohje “de facto” serbe të Kosovës. Askush nuk priste që zbatimi të ishte i lehtë. Vuçiq fluturoi në shtëpi dhe menjëherë hodhi poshtë marrëveshjen para audiencës së tij lokale; Kurti (si shumica e komunitetit shumicë shqiptare të Kosovës) ishte thellësisht skeptik ndaj Asociacionit. Por bisedimet vijuese për zbatimin e marrëveshjes u bënë dhe dukej sikur treni ishte në shina, por nuk u desh shumë kohë për të dalë nga binarët. Në prill, serbët e Kosovës bojkotuan zgjedhjet për kryetar komunash në katër komunat me shumicë serbe në një përpjekje për të rritur presionin perëndimor mbi Kosovën për të zbatuar Asociacionin, duke rezultuar me zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë etnikë. Në maj, Kurti vendosi policinë në veri, me gjithë kundërshtimet e Perëndimit për të vendosur kryetarët e rinj në zyrat e tyre. Demonstruesit serbë plagosën dhjetëra paqeruajtës të KFOR-it e të NATO-s. Më pas, të dielën më 24 shtator, rreth 30 serbë të armatosur rëndë sulmuan Policinë e Kosovës pranë qytetit verior të Banjskës, duke vrarë një policë përpara se të tërhiqeshin në një manastir ortodoks serb. Në një betejë njëditore, Policia e Kosovës vrau katër dhe arrestoi disa serbë të armatosur (të tjerët u arratisën) dhe kapën një depo armësh të sekretuara në manastir, si dhe automjete që ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pretendoi se ishin të ushtrisë serbe. Kosova kërkoi ekstradimin e personave të armatosur që kishin ikur në Serbi.

    Shtetet e Bashkuara fillimisht u përgjigjën me një gjuhë më të përmbajtur, duke mbrojtur Policinë e Kosovës, ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve që të “përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet” dhe të rifillojnë negociatat.

    Përgjigja e Serbisë ishte klasike e Vuçiqit – duke luajtur me ndjenjat nacionaliste, ai shpalli një ditë zie për luftëtarët e martirizuar serbë, së bashku me përpjekjet për ta portretizuar veten para shteteve të Perëndim si një person me ndikim të moderuar, duke premtuar një hetim. Ndërkohë politikani serb i Kosovës dhe gangsteri i supozuar, Milan Radoiçiç, – i fotografuar në skenë gjatë përleshjes në manastir – u shfaq në Beograd për të marrë përgjegjësinë, duke thënë se ai kishte grumbulluar armë dhe kishte formuar një grup të armatosur, pa mbështetjen apo dijeninë e Beogradit. (Nëse dikush e beson këtë, ju lutemi, ecni përpara!)

    Vuçiq më pas filloi dislokimin e njësive ushtarake në kufirin e Kosovës. Me këtë, Uashingtonit dhe aleatëve të tij më në fund duket se i ka mbaruar durimi me Beogradin. Më 29 shtator, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John, e quajti vendosjen e ushtrisë serbe “shumë destabilizuese” ndërsa NATO vendosi një batalion britanik për të përforcuar KFOR-in, dhe më vonë një batalion rumun. Në të njëjtën kohë, BE-ja dhe SHBA-ja vazhdojnë të bëjnë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshje të dala nga dialogu.

  • Në Kolegjin AAB fillon viti i ri akademik 2023/2024

    Në Kolegjin AAB fillon viti i ri akademik 2023/2024

    Teatri ”Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB, bëri bashkë studentët nga i gjithë vendi, në ceremoninë e pranimit të studentëve të rinj, të cilët do të jenë pjesë e vitit të ri akademik 2023/2024.

    Duke iu uruar mirëseardhje, rektori i Kolegjit, Lulzim Tafa, u foli studentëve për rëndësinë e studimeve në këtë kolegj.

    “Kjo ditë nuk është e rëndësishme vetëm për ju por për të gjithë ne, sepse po filloni etapën kyçe të jetës studentore dhe këtë po e bëni me ne. Nga sot emri juaj dhe i Kolegjit AAB janë të njësuar. Studimet janë një ëndërr dhe ju sot po e fillon atë. Duhet ta dini një gjë se rruga e suksesit nuk është e lehtë, duhet shumë mund e sakrificë Puna jonë është të përgatisim kuadro për tregun e punës jo vetëm në Kosovë, por në tregun rajonal dhe atë global. Përveç mësimeve, studimet edhe përjetohen prandaj mos hezitoni ta shijoni jetën studentore në ambientet relaksuese që ka kolegji”, tha rektori Tafa.

    Të entuziazmuar që nga e hëna do të fillojnë rrugëtimin e ri, studentët thonë se zgjodhën AAB-në për shkak të rëndësisë që i jep rrugëtimit akademik.

    Ndryshe, Kolegji AAB është institucioni më i madh jopublik i arsimit të lartë në trevat shqiptare./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Mbi 50 gra do të kenë mundësinë të bëjnë rikonstruktimin e gjirit

    Mbi 50 gra do të kenë mundësinë të bëjnë rikonstruktimin e gjirit

    Në kuadër të muajit të Ndërgjegjësimit për luftimin e Kancerit të Gjirit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot vizitoi Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive.

    Ministri Vitia shprehi kënaqësinë se shteti i Kosovës për herë të parë, përmes buxhetit të ShSKUK, ka siguruar mbi 100 implante dhe 50 ekspander, ku tashmë rikonstruktimi i gjirit mund të bëhet në QKUK, pa pasur nevojë që të paguhet 3 deri në 5 mijë euro në institucionet private shëndetësore.

    Sipas tij, mbi 50 gra do të kenë mundësinë të bëjnë rikonstruktimin e gjirit, ku Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë me investime me qëllim që gratë e prekura nga kanceri të kenë me të lehtë diagnostikimin dhe trajtimin e tyre në institucionet publike shëndetësore.

    Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive, Violeta Zatriqi, falënderoi ministrin Vitia që ka mbështetur furnizimin me implante dhe materiale për të bërë rikonstruktim të gjirit.

    Ajo theksoi se deri me tani për 25 gra është kryer me sukses rikonstruktimi i gjirit dhe pritet të vazhdohet me rikonstruktim edhe te gratë e tjera.

    Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një komunikate thekson se bashkë me ShSKUK, do të vazhdojnë me investime të tjera për të lehtësuar diagnostikimin dhe trajtimin e grave të prekura nga Kanceri.

  • ​Gashi: Mospërgjigjet e Kurtit janë shkelje e Kushtetutës

    ​Gashi: Mospërgjigjet e Kurtit janë shkelje e Kushtetutës

    Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka reaguar pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk iu është përgjigjur pyetjeve të opozitës, pasi këta të fundit nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

    Gashi tha se veprimet e Kurtit janë shkelje e Kushtetutës. Sipas tij, sjellja e sotme e qeverisë është “gur i keq” për demokracinë e vendit.

    “Sjellja e sotme e qeverisë është momentum i ri dhe një gur i keq për demokracinë në Kosovë… Për ne kjo është e papranueshme, është cenim i demokracisë, dhe është shkelje e rëndë, është rrezik i paparë deri më sot në Kosovë. Prandaj, ne vlerësojmë se kjo që po bënë sot kryeministri është një nivel i ri i rrezikimit të demokracisë në Kosovë, ne nuk mund ta tolerojmë një sjellje të tillë”, tha Gashi.

    I pyetur nëse do të marr pjesë në seancat tjera, Gashi tha se deputetët do të jenë aty ku e kanë vendin, porse kjo e sotit ishte për shkak të sjelljes arrogante të qeverisë.

    Gashi ka ritheksuar sërish që qeveria nuk i ka numrat të qeverisë, dhe sa më parë duhet të gjejë një zgjidhje për këtë .

    “Patjetër se do të marrim pjesë. Parlamenti është aty ku kanë vendin deputetët, është sot në formë demonstrimit, me sjelljen arrogante të qeverisë… Qeveria nuk i ka numrat të qeverisë dhe që katër seanca nuk mund të kalojë asnjë vendim. E ka për detyrë qeveria të qeverisë, nuk e ka për detyrë opozita ta rrezojë qeverinë. Qeveria e ka për detyrë të qeverisë vendin, të nxjerrë ligje, të marrë dhe të aprovojë vendime. Problemi që ka sot Kosova është se Qeveria e paaftë të qeverisë, prej 69 deputeteve sa ka pas, sot s’ka as 61, ky është problemi”, shtoi Gashi.

    Mes tjerash, Gashi tha se është çështje e qeverisë nëse e zgjerojnë koalicionin për të gjetur zgjidhje nëse duan të qeverisin.

    “Dje kam thënë, vendi është në krizë me dy situata të vërteta. E para është se Qeveria nuk i ka numrat për të qeverise dhe është shumë vështirë. I duhen muaj të tërë për t’i mbledhë 61 deputetë të votojnë pastaj 50 gjana, që nuk është zhvillim normal demokratik. Opozita nuk i ka numrat të rrezojë qeverinë… Ose të gjejnë zgjidhje si të qeverisin, është çështje e tyre a e zgjerojnë koalicionin, ose ulet me partitë politike dhe i diskuton disa tema që janë në interes nacional dhe duhet të votohet”, tha Gashi.

    Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Kurti kur pati thënë se nëse vendi shkon në zgjidhje, zhduket opozita.

    “Ani more le të zhduket. Nëse vullneti i qytetarëve të Kosovës është që të zhduket dikush nga skena politike, le të zhduket. Kjo është demokracia, por problemi është tek mentaliteti, mënyra e të menduarit e kryeministrit Kurti. Pra, ai në vetëdijen e tij e ka zhdukjen e kundërshtarit, kjo nuk i duhet Kosovës. Sot i ka bërë katër vjet qeverisje, cili është rezultati i këtij pushteti”, përfundoi Gashi.

    Sot gjatë seancës, kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet parlamentare të deputetëve të opozitës.

    Kurti i ka thënë opozitës, që nëse duan përgjigje nga ai, duhet t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë duke u bartur nga seanca në seancë.

  • Gjermania do të dërgojë 150 ushtarë në Kosovë në prill të vitit të ardhshëm

    Gjermania do të dërgojë 150 ushtarë në Kosovë në prill të vitit të ardhshëm

    Gjermania do të dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë në prill të vitit të ardhshëm si një kontribut për misionin e KFOR-it të OKB-së atje, tha të premten në Berlin një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes.

    Zëdhënësi theksoi se vendimi nuk kishte të bënte me tensionet aktuale në veri të Kosovës dhe në vend të kësaj ishte marrë për të kompensuar tërheqjen e trupave austriake.

    Trupat shtesë nuk do të rrisin madhësinë e përgjithshme të KFOR-it, shtoi zëdhënësi.

    Rreth 3,400 ushtarë në total janë aktualisht të stacionuar në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it.

  • Aktivistja iraniane për të drejta të grave e fiton Çmimin Nobel për Paqe

    Aktivistja iraniane për të drejta të grave e fiton Çmimin Nobel për Paqe

    Narges Mohammadi e ka fituar këtë vit Çmimin Nobel për paqe për luftën e saj për pavarësinë e grave në Iran.

    Ajo aktualisht është në burg për shkak të aktivitetit të saj për ta luftuar shtypjen e grave në Iran.

    “Komitet Norvegjez i Nobelit ka vendosur ta shpërblejë me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2023, Narges Mohammadin, për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe për luftën e saj për t’i promovuar të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë”, është thënë në shpallje të vendimit.

    Mohammadi, 51-vjeçare, është një prej aktivisteve kyçe për të drejta të njeriut në Iran, e cila ka bërë fushatë për të drejta të grave dhe pezullim të vendimit me vdekje.

    Ajo është aktualisht duke vuajtur disa dënime në burgun Evin në Teheran dhe akuzohet për përhapje të propagandës kundër shtetit.

    Burri i saj, po ashtu aktivist, jeton jashtë shtetit me dy fëmijët e tyre.

    Pamjet e grave duke protestuar nëpër rrugët e Iranit, duke e djegur shamitë e kokës, dhe duke bërtitur “Gratë, Jetë, Liri”, janë shpërndarë në gjithë botën.

    Mohammadi është zëvendës-udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtje të të Drejtave të Njeriut, një organizatë joqeveritare e udhëhequr nga Shirin Ebadi, laureate për Çmimin Nobel për paqe më 2003.

    Protestat kundër Qeverisë së Iranit janë nxitur pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, sa ka qenë në mbajtje policore, për shkak se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

    Autoritetet e kanë shtypur më pas protestën, duke lënë qindra njerëz të vdekur.

    Fushata e Mohammadit për liri të shprehjes dhe liri të grave e ka nxitur regjimin e Iranit që ta arrestojë atë 13 herë, që ta dënojë pesë herë, dhe ta dënojë më 31 vjet burgim.

    Komiteti Norvegjez i Nobelit i ka pranuar këtë vit 351 aplikime – 258 për individë dhe 92 për organizata.

    Lista e plotë mbahet sekrete për 50 vjet.

    Mohammadi është gruaja e 19-të që e fiton këtë çmim 122-vjeçar. /rel

  • Pse dhe kur janë ndaluar testimet bërthamore?

    Pse dhe kur janë ndaluar testimet bërthamore?

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka lënë pezull mundësinë e rikthimit të testimeve bërthamore, për herë të parë në tri dekadat e fundit.

    Edhe zyrtarë tjerë në Rusi kanë thënë se do të shqyrtohet mundësia e revokimit të ratifikimit të një Traktati për Ndalim të Testimeve Bërthamore.

    Në këtë tekst do të mund të kuptoni sa testime të armëve bërthamore janë kryer, pse janë ndalur dhe kush dëshiron t’i rikthejë prapë?

    Epoka bërthamore

    Shtetet e Bashkuara e kanë nisur epokën bërthamore në korrik të vitit 1945 me një testim të një bombe atomike 20-tonëshe në Alamogordo të Nju Meksikos, dhe më pas me hedhjen e bombave atomike në qytetet japoneze, Hiroshima dhe Nagasaki në gusht të vitit 1945, për dhënie fund të Luftës së Dytë Botërore.

    Bashkimi Sovjetik e ka shokuar Perëndimin kur e ka testuar bombën bërthamore katër vjet më vonë, në gusht të vitit 1949.

    Sipas Kombeve të Bashkuara, përgjatë pesë dekadave, prej vitit 1945, janë kryer më shumë se 2.000 testime bërthamore – 1.032 nga SHBA-ja dhe 715 nga Bashkimi Sovjetik.

    Franca i ka kryer 210 testime të tilla, Britania i ka kryer 45 dhe Kina 45.

    Prej hartimit të Traktatit që i ndalon testimet bërthamore, më 1996, janë kryer edhe 10 testime të reja bërthamore.

    India i ka kryer dy më 1998, Pakistani, po ashtu, dy më 1998, dhe Koreja Veriore ka kryer testime më 2006, 2009, 2013, dy herë, më 2016 dhe 2017, sipas OKB-së.

    Shtetet e Bashkuara e kanë kryer testimin e fundit bërthamor më 1992, Kina dhe Franca më 1996 dhe Bashkimi Sovjetik më 1990. Rusia, e cila trashëgon pjesën më të madhe të arsnealit të ish-Bashkimit Sovjetik, nuk e ka kryer kurrë një kësi testimi.

    Dhënia fund e testimeve

    Me kalimin e kohës janë rritur shqetësimet për këto testime për tokën, nëntokën dhe zonat nënujore, më pas për ndikimin në shëndetin e njeriut dhe ambientin.

    Duke e ndaluar një kësi lloj testimi, ekspertët kanë thënë se do të mund të ulen edhe tensionet mes fuqive botërore.

    Traktati për armët bërthamore parasheh që shpërthimet bërthamore të ndalohen nga të gjithë dhe në çdo vend.

    Ai është nënshkruar nga Rusia më 1996 dhe është ratifikuar më 2000.

    Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar traktatin më 1996, mirëpo nuk e kanë ratifikuar atë.

    Pse testim i ri bërthamor?

    Për të mbledhur informacione – ose për të dërguar sinjal.

    Testimet ofrojnë dëshmi se çfarë mund të bëjë një armë e re bërthamore – dhe nëse të vjetrat funksionojnë ende.

    Më 2020, Washington Post ka raportuar se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka diskutuar nëse duhet kryer një testim bërthamor.

    Mirëpo, përveç mbledhjes së të dhënave, një testim i tillë do të mund të shihej në Rusi dhe Kinë si shpërfaqje e fuqisë amerikane.

    Putin ka thënë në shkurt të vitit 2023 – një vit pas nisjes së luftës në Ukrainë – se nëse Shtetet e Bashkuara rinisin testimet bërthamore, edhe Rusia do të vepronte njëjtë.

    Të enjten, më 6 tetor, Putin e ka theksuar se për dallim prej Rusisë, SHBA-ja nuk e ka ratifikuar kurrë traktatin për testim të këtij arsenali.

    Ai e ka përmendur edhe se Parlamenti rus, i cili është plotësisht besnik ndaj tij, do të mund ta revokojë ratifikimin.

    “Nuk jam i gatshëm të them nëse vërtet kemi nevojë të kryejmë testime apo jo, mirëpo në teori është e mundshme që të veprojmë njëjtë sikurse Shtetet e Bashkuara”. /REL

  • Komuna e Prishtinës dhuron dru për 140 familje me asistencë sociale

    Komuna e Prishtinës dhuron dru për 140 familje me asistencë sociale

    Adelinë Sahiti, drejtore e punës dhe mirëqenies sociale në komunën e Prishtinës një lidhje direkte për emisionin “A LIVE “, tha se këtë vit kjo komunë ka vendosur që t’i përzgjedhë disa familje me asistencë sociale, për t’iu dhuruar atyre dru për ngrohje, gjatë sezonit të dimrit.

    Ajo tha se familjet që janë përzgjedhur nga skema sociale, janë ato familje të cilat alternativë për ngrohje e kanë drurin.

    “Komuna e Prishtinës, sa herë afrohemi në stinën e dimrit përkujdesemi që familjet që janë pjesë e skemës sociale ta presin më lehtë dimrin në aspektin e ngrohjes. Kështu që këtë vit vendosur që për dallim nga vite e kaluara kur kemi ndarë mjete financiar, kësaj radhe e kemi vendosur që ato familje të cilat ngrohen me dru t’i ndihmojmë në këtë mënyrë. Janë 140 familje që i kemi përzgjedhur dhe janë gjithsej 420 metra dhe për çdo familje do të ndahen nga 3 metra, ndërsa gjithashtu do të kujdesemi edhe për familjet e tjera që nuk ngrohën me dru, ta marrin një shumë financiare me dedikim për ngrohje. Kemi filluar nga dita e marte dhe po vazhdon akoma dhe po shpresojmë se gjatë ditës së sotme edhe përfundon ky proces”, tha ajo.

    Tutje Sahiti shtoi se ndihmesa të tilla do të synojnë edhe në të ardhmen./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: