ATV

Category: Lajme

  • ​Ndërrohet komanda e KFOR-it, Turqia do të udhëheq me trupat në Kosovë

    ​Ndërrohet komanda e KFOR-it, Turqia do të udhëheq me trupat në Kosovë

    Komanda e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë nga sot do të udhëhiqet nga komandanti turk, Ozkan Ulutas. Në kampin “Film City”, në Prishtinë, është organizuar ceremonia e ndërrimit të komandës së deritanishme të gjeneralit, Angelo Michele Ristuccia dhe të atij turk. Në pranim dorëzimin e detyrës ka marrë pjesë edhe admirali Stuart B. Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.

    Komandanti i ri i KFOR-it, Ozkan Ulutaş u shpreh se po merr komandën në Kosovë në një periudhë të ndjeshme në të cilën po kalon Kosova, për çka u zotua se do të punojë me vendosmëri.

    “Sot, në vitin e 24-të të një rrugëtimi të gjatë që filloi në qershor të vitit 1999, kam nderin të marrë komandën e kësaj force të shquar. Si komandanti i parë turk që mori përsipër këtë mision, e kuptoj rëndësinë e përgjegjësisë që kam marrë përsipër. Do të doja të shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen time për autoritetet kombëtare dhe të NATO-s, të cilët më besuan këtë detyrë. Përveç ndjenjave të larta dhe të fuqishme që krijojnë te individët të cilëve u janë besuar detyrat e rëndësishme, ato sjellin me vete edhe përgjegjësi të mëdha. Duke qenë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vendosur mbi supet e mia në këtë periudhë të ndjeshme nëpër të cilën po kalon Kosova, po e marr komandën me vendosmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet dhe përvojën time për të siguruar që kjo njësi e shquar të shërbejë me sukses në të ardhmen siç ka bërë në të kaluarën”, theksoi gjeneral Ulutaş.

    Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë, mori pjesë edhe admirali Stuart B. Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, në Napoli. Ai tha se së fundmi KFOR-i, ka intensifikuar koordinimin me Policinë e Kosovës dhe se janë duke forcuar funksionin e tyre si reagues i parë.

    “Së dyti, KFOR-i ka trefishuar numrin e patrullave përgjatë vijës kufitare administrative ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Së treti, KFOR-i ka rritur forcën e trupave pas sulmit të 29 majit ndaj KFOR-it, forca e trupave u rrit me aktivizimin e forcës rezervë operacionale të batalionit mbi 600 trupa nga Turqia dhe më pas u lirua nga një batalion shumëkombësh i udhëhequr nga Greqia. Së katërti, KFOR-i ka rritur edhe më tej forcën e trupave, pas sulmit të 24 shtatorit kundër PK, me aktivizimin e kësaj force rezervë strategjike, duke ndihmuar një batalion nga Britania e Madhe dhe nga Rumania. Krahas kësaj force të trupave, ky batalion po sjell edhe armatim më të rëndë, për të pasur fuqi luftarake për KFOR-in. Dhe së fundi, NATO po mban forca të mëtejshme, të pajisura me armatim edhe më të rëndë, të aftë për fuqi të mëtejshme luftarake në një gjendje të lartë gatishmërie që mund të vendoset nëse vendet e NATO-s vendosin ta bëjnë këtë”, u shpreh ai.

    Komandanti i deritanishëm, Angelo Michele Ristuccia u shpreh se gjatë mandatit të tij është operuar në menaxhim të përhershëm të krizave.

    Sipas tij, KFOR punon për të ruajtur mjedis të qartë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit, në mënyrë të paanshme.

    “KFOR 27 ka operuar në një menaxhim të vazhdueshëm dhe të përhershëm të krizave. Aty ku ngjarje të shumta kanë sfiduar stabilitetin në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto kriza kanë kërkuar një … për të rivendosur një situatë më të qetë dhe më të ekuilibruar dhe një bashkëpunim të fortë me institucionet vendore. Situata është bërë më komplekse për t’u menaxhuar për shkak të një sërë faktorësh të përkohshëm, veçanërisht, mosbesimit midis partnerëve, çështjeve të gjata dhe të pazgjidhura, retorikës kundër produktive dhe narrativave partizane. Të gjithë këta faktorë konfirmuan se situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të përshkallëzohet lehtësisht. Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në zonë. Kjo është arsyeja pse KFOR-i mbështet plotësisht dhe vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja të mbështetur nga SHBA-të dhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, deklaroi ai.

    Në ceremoninë e ndërrimit të komandës kanë marrë pjesë diplomatë të akredituar në Kosovë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, krerë fetarë e figura tjera të larta shtetërore./kp

  • Ambasadorja e SHBA-së në NATO flet për situatën në veri

    Ambasadorja e SHBA-së në NATO flet për situatën në veri

    Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, tha se misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR, do të ketë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me sfidat.

    Para takimit të ministrave të Mbrojtjes së aleancës ushtarake perëndimore, Smith tha për gazetarët se pas rritjes së dhunës në veri të Kosovës, në selinë e NATO-s ishin monitoruar nga afër zhvillimet në terren.

    “Të gjithë ne këtu në selinë e NATO-s, të gjithë aleatët e kemi monitoruar situatën në terren në Ballkanin Perëndimor. Kemi qenë të shqetësuar për rritjen e shenjave për paqëndrueshmëri dhe disa pika shpërthyese ku si pasojë pamë rritje të dhunës. Për këtë arsye, KFOR-i ka marrë disa vendime në ditët e kaluara për përdorimin e forcave strategjike rezervë”, tha ajo, duke shtuar se në Kosovë është rritur prania e ushtarëve nga Mbretëria e Bashkuar, Rumania dhe shtetet e tjera.

    Pasi më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, NATO njoftoi për dërgimin e ushtarëve shtesë në kuadër të misionit të KFOR-it.

    “E kemi thënë edhe më herët, ne të gjithë e kemi dënuar, të gjitha aleatët po e monitorojnë nga afër situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kemi qenë të shqetësuar pas ngritjes së tensioneve dhe përplasjeve që çuan në dhunë”, ka thënë ajo duke shtuar se si rezultat i tensioneve dhe dhunës KFOR-i ka vendosur të shtojë praninë.

    “Ne do të vazhdojmë t’u çojmë mesazh miqve tanë në rajon se e vetmja rrugë përpara drejt normalizimit është nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, që përkrahet fuqishëm nga aleanca e NATO-s”, ka shtuar ajo, duke përsëritur se “aleatët kërkojnë shtensionim”.

    Si pasojë e sulmit në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve mes policisë dhe grupit të armatosur u vranë tre sulmues.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

    Ambasadorja Smith tha se aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të konsultohen me komandantin e forcave të NATO-s, gjeneralin Christopher Cavoli, për të parë nëse ka nevojë për ndihmë shtesë në mënyrë që KFOR-i të ketë mundësi të kryejë mandatin në Kosovë dhe të përballet me të gjitha sfidat eventuale.

    Ajo përsëriti thirrjet drejtuar gjithë partnerëve në rajon që të ndjekin rrugën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke thënë se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme.

    Ndryshe, ministrat e Mbrojtjes së 31 shteteve të NATO-s do të takohen të mërkurën dhe të enjten në Bruksel.

  • KMDLNJ-ja e quan Gjykatën Speciale raciste

    KMDLNJ-ja e quan Gjykatën Speciale raciste

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i ka quajtur raciste Dhomat e Specializuara, duke thënë se arrestimet, gjykimet dhe dënimet po bëhen në baza etnike.

    KMDLNJ-ja ka thënë se ky institucion po vazhdon në rrethana të mungesës së transparencës dhe të redaktimeve të shumta “që efektivisht shkaktojnë huti dhe mosbesim në opinion”.

    Sipas Këshillit, Gjykata Speciale ua ka pakësuar mundësinë për mbrojtje të akuzuarve, e dënimet ndaj Nasim Haradinajt, Hysni Gucatit dhe Salih Mustafës “ishin kapitale, drakonike dhe të pashembullta”.

    “Risi e kësaj Gjykate, nga aspekti i të drejtave të njeriut pa asnjë dyshim raciste (sepse të gjitha arrestimet, gjykimet dhe dënimet janë në baza etnike) është numri i madh i të arrestuarve dhe atyre që merren në pyetje për një vepër që është risi, pengimi i administrimit të drejtësisë dhe frikësimi i dëshmitarëve e që është numër më i madh se i atyre që janë arrestuar, po gjykohen apo që janë dënuar. Në njërën anë, Gjykata Speciale përkatësisht Prokuroria e Specializuar nuk lë mjet pa keqpërdorur për të ardhur te provat kundër atyre që po gjykohen apo që janë dënuar duke filluar nga fakti që shumica e provave janë siguruar nga shteti i Serbisë përkatësisht nga shërbimet inteligjente të këtij shteti që ka kurdisur prova dhe dëshmitarë, ka joshur dëshmitarë me para dhe premtim për strehim në një vend tjetër, ka hyrë në marrëveshje me dëshmitarë të ndryshëm, ka marrë deklarata në prani të prokurorëve të Serbisë dhe ka trajnuar dëshmitarë se si duhet të dëshmojnë”, thuhet në komunikatën dërguar mediave të martën.

    Ndërsa, KMDLNJ-ja ka shtuar se Gjykata Speciale e ka përndjekur çdo person që i ka kundërshtuar metodat e Prokurorisë Speciale duke ua konfiskuar telefonat, kompjuterët, librat apo publikimet.

    “Kishte dëshmitarë të organizatave me nam që dëshmuan se raportet e tyre janë bazuar në raporte të mediave serbe dhe institucioneve serbe sikur edhe organizatave në Kosovës që edhe ato mbështeteshin në të njëjtat burime. Rast flagrant është se dëshmitari që edhe tani është duke dëshmuar, serb i Serbisë që qenka ndaluar, sipas tij nga UÇK-ë botërisht e pranon se deklaratën fillimisht e ka dhënë te prokurori serb në Beograd ndërsa, po të njëjtën deklaratë e paska dhënë para Prokurorit të Specializuar, në praninë dhe shoqërimin e prokurorit të Serbisë”, thuhet tutje.

  • Berisha: PDK-ja, parti e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

    Berisha: PDK-ja, parti e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, në 24-vjetorin e themelimit të kësaj partie, ka thënë ky subjekt politik është sinonim i lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

    “24-vjetori, PDK-në e gjënë pranë obligimit civil e kushtetues për të ngadhënjyer sërish mbi shtresëzimet antikombëtare të shoqërisë shqiptare moderne, si neokomunizmi dhe izmat të tjerë ekstrem, përfshirë akuzat e ndërtuara nga Beogradi për figurat që janë themeli dhe muri mbrojtës i kalasë dardane politike, të njohur nga diplomacia botërore si Partia Demokratike e Kosovës (PDK)”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.

    Postimi i plotë i Berishës:

    24-vjetori i PDK-së – Partia e luftës, lirisë e pavarësisë

    Të fillosh veprimtarinë politike me civilizimin, duke zëvendësuar armët e UÇK-së me idetë për Republikën e Kosovës shtet sovran e i pavarur i të gjithë shtetasve që jetojnë në tokën e saj, është shenja që Zoti dërgon për njeriun në tokë “yllin polar”.

    24-vjetori, PDK-në e gjënë pranë obligimit civil e kushtetues për të ngadhënjyer sërish mbi shtresëzimet antikombëtare të shoqërisë shqiptare moderne, si neokomunizmi dhe izmat të tjerë ekstrem, përfshirë akuzat e ndërtuara nga Beogradi për figurat që janë themeli dhe muri mbrojtës i kalasë dardane politike, të njohur nga diplomacia botërore si Partia Demokratike e Kosovës.

    Rini shqiptare, ju që do të vini gjatë rrugëtimit tuaj atdhetar, do t’i gjeni këto vepra midis nesh, prandaj mbajini si shenja identifikuese dhe krijoni për pasardhësit ruaj shtetin e Kosovës si diellin që i rrezon krejt shqiptarët mbetur ende të okupuar nga shtetet fqinje.

    Betohem se do të jem me ju në secilin hap e në secilën ditë që do të punoni për të mirën e Republikës së Kosovës!

    Zoti e bekoftë rrugën tuaj!

    Lavdi të rënëve për lirinë që gëzojmë!

  • Për gjashtë ditë policia sekuestron 16 armë dhe municion në kafiterit e Pejës

    Për gjashtë ditë policia sekuestron 16 armë dhe municion në kafiterit e Pejës

    Policia e Kosovës nga data 02 deri më 08 tetor, ka kontrolluar qytetarët në lokale, kafiteri dhe bare nate, ku ka sekuestruar një sasi të konsideruar të armëve dhe municioneve.

    Sipas Policisë, janë konfiskuar njёmbёdhjetё armё (pistoleta) tё tipit Zoraki, njёmbёdhjetё karikator tё armeve, njё armё (pistoletё) Zastava, njё karikator i sё njёjtёs arme, njё armё (pistoletё) Wallter, njё karikator i sё njëjtës armё.

    “Njё armё (pistoletё) M-57 kal: 7.62mm, njё karikator i sё njëjtës armё, njё pushkё automatike kal: 7.62×39 mm, njё pushkё dy tyteshe kal: 12 mm, njёmbёdhjetё copё fishekё kal: 7.62×39 mm, dhjetё copё fishekё kal: 6.35 mm, njёmbёdhjetё copё fishekё kal: 7.65 mm, pesё copё fishekё 9×19, gjashtё copё fishekё 7.62mm”, thuhet në njofitm

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, fton të gjithë qytetarët që tё vazhdojnë bashkëpunimin me Policinë, me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt për të gjithë.

  • Osmani: Kroacia e kupton më së miri sfidën me të cilën po përballet Kosova

    Osmani: Kroacia e kupton më së miri sfidën me të cilën po përballet Kosova

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë me homologun e saj kroat, Zoran Millanoviq, ka thënë se Kosova është me fat që ka aletë si Kroacia.

    Osmani potencoi se e Kosova dhe Kraocia ndajnë vizion të përbashkët euroatlantik për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe përkushtimin e palëkundur për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta.

    “Kosova është e vendosur të ecë përpara dhe në këtë rrugë ne jemi me fat që kemi aletë si Kroacia. Kroacia dhe presidenti Milanoviq kanë vazhduar që të jenë zëri ynë në forume ku nuk jemi prezent”, u shpreh Osmani.

    E para e shtetit e përmendi edhe agresionin e Serbisë në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke thënë se Kosova po përballet me situatat më të rënda në 25 vitet e fundit.

    “Kosova në periudhën fundit po përballet me situatat më të rënda në 25 vitet e fundit, shkaku i veprimeve hibride nëpërmjet aktivitete dhe agresionit të sponsorizuara dhe urdhëruar nga Serbia, shpresoj se partnerët tanë ndërkombëtar do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprime të vendosura për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim jo vetëm të Kosovë por gjithë rajonit”.

    “Ka pak shtete në Evropë që e kuptojnë sfidën që ne po përballemi në Kosovë, më mirë se Kroacia. Kroacia në fillim të viteve 90-ta u përballe më matricë të ngjashëm të agresionit, atëherë nga regjimi i Millosheviqit, duke u përballur me grupet paramilitare serbe që kishin mbështetje politike, financiare, organizative, ushtarake nga regjimi i atëhershëm në Beograd, siç ka qenë rasti deri më tani, presim mbështetje të vazhdueshme të Kroacisë në ballafaqim me këtë sfidë të rëndë të sigurisë”, potencoi presidentja Osmani.

  • Shqipëria refuzon ta ekstradojë dhe e liron ish-anëtarin e UÇK-së

    Shqipëria refuzon ta ekstradojë dhe e liron ish-anëtarin e UÇK-së

    Gjykata e Apelit e Shqipërisë e ka liruar të martën ish-anëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj, pasi e hodhi poshtë kërkesën për ekstradimin e tij në Dhomat e Specializuara në Kosovë.

    Goxhaj ishte arrestuar më 31 korrik në Shqipëri, patën njoftuar Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë, asokohe.

    Të martën, Gjykata e Apelit e Shqipërisë tha se vendosi ta ndryshojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëroi “lirimin e menjëhershëm të tij”.

    Si pasojë “rrëzohet kërkesa për ekstradimin e Dritan Goxhajt nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, hiqet masa e sigurimit ‘arrest në burg’”, thuhet në njoftim.

    Ai ishte arrestua në bazë të një fletarrestimi si i dyshuar për vepra penale të frikësimit dhe pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave. Ai dyshohet se kishte publikuar emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale që janë ngritur pas luftës në Kosovë.

    Arrestimi u krye në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe kjo ishte hera e parë që Gjykata Speciale kryente arrestim në territorin e Shqipërisë.

    Goxhaj ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë luftës në Kosovë më 1998-99. Ai i ishte bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë shqiptare dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontante me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

    Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.

    Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL/

  • Ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari pritën në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus

    Ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari pritën në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur sot në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, të shoqëruar nga drejtori i Divizionit të Operacioneve dhe Planifikimit të Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar në Shtabin e NATO-s, gjeneralmajor Ulf Haeussler dhe drejtori i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s (NALT) gjeneral brigade, Ralf Peter Hammerstein. Temë e këtij takimi ishte çështja e sigurisë në vend, në veçanti situata e krijuar në veriun e Kosovës si pasojë e sulmit të fundit.

    Me këtë rast, ministri Maqedonci e falënderoi z. Goffus për vizitën e tij dhe përkushtimin e NATO-s për ofrimin e paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe theksoi nevojën që së bashku me partnerët ndërkombëtarë të tejkalohen sfidat e paraqitura si dhe nevojën për fuqizimin e sundimit të ligjit.

    Gjithashtu, ministri Maqedonci shprehu vendosmërinë e vendit tonë për orientimin euroatlantik, drejt vlerave të vendeve perëndimore, për bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n në dhënien e kontributit aktiv në sigurinë rajonale dhe globale.

    Në këtë takim, ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari theksuan se do të vazhdojnë angazhimin në drejtim të zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të FSK-së për mbrojtjen e territorit, mbështetjen ushtarake për autoritetet civile dhe operacionet e mbështetjes së paqes, në bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in.

  • Kurti nga Liverpool-i: Fola për pengesat që na bën Serbia dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit

    Kurti nga Liverpool-i: Fola për pengesat që na bën Serbia dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar nga dita e parë dhe e dytë në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar në Liverpool.

    Kurti thotë se laburistët na kanë shoqëruar në dy prej momenteve më historike të vendit.

    “Partnerë të kohës e të dëshmuar ndër vite, ata i kishim përkrah në çlirim dhe pavarësi, e Mbretërinë e Bashkuar aleat të pazëvendësueshëm në zhvillim dhe afirmim”, shkroi kryeministri.

    “Dje, para fillimit të drekës së punës së Partive Simotra, u mirëprita nga Sekretari nën hije për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.

    “Takova edhe Sekretarin nën hije të Mbrojtës, John Healey si dhe Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Partisë Evropiane të Socialistëve (PES), Giacomo Fillibeck”, shkroi Kurti.

    “Isha i nderuar që si folës kryesor në drekën me Partitë Simotra të mund të prezantoja qeverisjen tonë social-demokrate në Kosovë, reformat e ndërmarra, politikat sociale dhe të punësimit, ato të energjisë dhe në arsim, fushat prioritare të qeverisë sipas buxhetit të këtij viti, indikatorët ekonomikë dhe progresin demokratik të njohur edhe nga raportet kredibile ndërkombëtare. E krahas tyre, edhe sfidat dhe pengesat që na bën Serbia në vazhdimësi, deri te sulmi terrorist e paramilitar i 24 shtatorit i sponsorizuar nga shteti serb, dhe rreziku që autokratët dhe politikat e tyre hegjemoniste dhe ekspansioniste paraqesin për sigurinë dhe paqen”, tha kryeministri Kurti.

    Kurti tutje tha se gjatë drekës, pati kënaqësinë që ta takojë e bisedojë me social-demokratë të shumtë në mesin e tyre me Andrew Giles, Ministër i Imigrimit, Shtetësisë, Shërbimeve të Migrimit dhe Çështjeve Multikulturore të Australisë, Stephen Smith, Komisioner i Lartë i Australisë në Mbretërinë e Bashkuar, Annelise Dodds, Sekretare në Hije e Shtetit për Gra dhe Barazi, Francois Comet, zëvendëssekretar nacional për Evropë i Partisë Socialiste në Francë, Thijs Reuten, eurodeputet holandez në Parlamentin Evropian, Tsvetelina Penkova, eurodeputete bullgare në Parlamentin Evropian dhe Baroneshën Hayter”.

  • Gjyqi ndaj Millorad Dodikut do të fillojë më 16 tetor

    Gjyqi ndaj Millorad Dodikut do të fillojë më 16 tetor

    Fillimi i gjyqit ndaj presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, është caktuar për të hënën e 16 tetorit, njoftoi të martën Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës (BiH).

    Në gusht, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë kundër Dodikut dhe kundër drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq, për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

    Aktakuza ndaj tyre u ndryshua dhe u konfirmua pastaj më 11 shtator.

    Avokatët e Dodikut dhe Lukiqit në kundërshtimet e tyre deklaruan se “vepra penale për të cilën akuzohet Dodiku nuk ekziston, sepse Schmidt është i paligjshëm”.

    Më 9 tetor, Gjykata e BiH konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se i ka hedhur poshtë si të pabaza kundërshtimet e mbrojtjes.

    Mbrojtjes iu refuzuan dy kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Jasmine Dedoviq Qosiq, e cila ka konfirmuar aktakuzën dhe më pas ka refuzuar kundërshtimet.

    Në qershor, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi ligje në lidhje me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Përfaqësuesi i Lartë Schmidt më pas vendosi t’i shfuqizojë ato.

    Dodik nënshkroi dekretin për hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve dhe Lukiq i publikoi ato në Gazetën Zyrtare të Republikën Sërpska.

    Kur e shfuqizoi ligjin e Republikës Sërpska, Schmidti vendosi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës, sipas të cilit mosrespektimi i vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë është vepër penale./REL/