ATV

Category: Lajme

  • Deliu Kodra shkarkohet nga pozita e anëtares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit

    Deliu Kodra shkarkohet nga pozita e anëtares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Paratë i mori e në mbledhjet e komisionit u tha që shkoi rrallë fare.

    Nga 16 mbledhjet që kishte komisioni për kompensimin e viktimave, deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra shkoi në vetëm 7, ndonëse u pagua për të gjitha.

    Kjo edhe qe arsyeja që Deliu-Kodra u shkarkua nga pozita e anëtares në këtë komision. Shkarkimi i saj u përcoll me debat të ashpër mes Deliu-Kodrës dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila edhe paraqiti këto pretendime.

    Për këtë çështje dhe për disa etiketime që u tha se Ministrja Haxhiu kishte bërë drejt Deliu-Kodrës, të dyja do të përballen në gjykatë.

    Megjithatë, vendimi për shkarkim nga komisioni u konsiderua i padrejtë nga deputetja e opozitës.

    Emra s’u përmendën, por u tha se Ka Edhe Të Tjerë Anëtarë Që Janë Paguar Pa Shkuar Nëpër Komisione.

  • Ani pse garantohet me ligj, nga Shoqata e të Verbërve ankohen për mungesë literature në shkolla

    Ani pse garantohet me ligj, nga Shoqata e të Verbërve ankohen për mungesë literature në shkolla

    Të verbërit përballen çdo ditë me sfida të ndryshme në Kosovë, duke filluar nga kushtet elementare për të ecur lirshëm në hapësira publike e deri te shkollimi e punësimi.

    Një nga problematikat më të mëdha e cila shprehet në vazhdimësi nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, është mungesa e literaturës me alfabetin e Brajit, ndërkohë që sfidë është edhe mungesa e asistentëve që e dinë mire këtë alfabet, ani pse vlen të përmendet se Ministria e Arsimit aftësoi qindra asistentë për të ofruar ndihmë për këtë kategori.

    Pikërisht për të diskutuar për këtë çështje por edhe përgjithësisht për sfidat me të cilat përballen të verbërit, të ftuar në emisionin “LIBERO” ishin Daut Tishuki – Kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bajramshahe Jetullahu – Drejtoreshë Ekzekutive në Komitetin e Grave të Verbëra dhe Xhemajl Avdyli – Menaxher i projektit “100 libra – audio për të verbërit”.

    Tishuki nga Shoqata e të Verbërve, u shpreh kritik për sa i takon mungesës së literaturës, sidomos në nivelin e arsimit të lartë.

    “…Kur bëhet fjalë për arsimin e lartë, aty mungon tërësisht literatura në shkrimin brail, kjo i vështirëson shumë studimet e studentit të verbër… Arsimi fillor dhe i mesëm është i mbuluar…”, potencoi ai.

    Një gjë të tillë e potencuan edhe nga Komiteti i Grave të Verbëra.

    “…Kemi mungesë të librave, qoftë libra që na nevojiten për fakultete e mos të flasim për libra të tjerë…”, theksoi Jetullahu.

    Ndërkohë, Avdyli vullnetarisht është angazhuar për ta ndihmuar Komitetin e të Verbërve në një projekt që synon sigurimin e 100 librave audio për të verbërit.

    “…E kemi parë që librat shkollorë sidomos ata universitarë janë në mungesë të madhe… Jemi duke punuar kryesisht në libra të letërsisë, psikologjisë, juridikut por edhe të tjera…”, deklaroi ai.

    Kujtojmë se përdorimi i shkrimit brail por edhe kushtet e tjera, garantohen me ligjin e Kosovës. Ndër tjera, në nenin 10, thuhet se: “Personave të verbër ju sigurohet përdorimi i shkrimit braill, shkrimit relievor, shkrimit me shkronja të zmadhuara dhe tekstet në teknikën akustike dhe digjitale nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”

    Gjithashtu, vlen të theksohet se Qeveria e Kosovës e kishte krijuar edhe strategjinë kombëtare për të drejtat e personave me nevoja të veçanta për periudhën 2013 – 2023, me qëllimin që të sigurohen të drejtat e barabarta të njeriut, pa diskriminim.

    Për të marrë më shumë informacione në lidhje me këtë temë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Havolli kërkon përfshirjen e psikologëve në çdo institucion: Është mënyra për parandalimin e problemeve

    Havolli kërkon përfshirjen e psikologëve në çdo institucion: Është mënyra për parandalimin e problemeve

    Ilir Havolli, psikolog klinik, specializant i Psikologjisë Klinike dhe kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, tha se shëndeti mendor është fundament i shëndetit fizik.

    Ai i tha Ekonomia Online se ka kërkuar përfshirjen e psikologëve në çdo institucion ku frymon individi, ngase sipas tij, kjo është mënyra për parandalimin e problemeve.

    Këto komente ai i bëri pas Kongresit Ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja” organizuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

    Duke folur për Kongresin ai ka pohuar se aty kanë marrë pjesë më shumë se 250 pjesëmarrës dhe 300 persona të përfshirë online.

    “Çdo vit më datën 10 tetor Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka caktuar këtë ditë si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Kosovë, duke pasur rritjen enorme të sjelljeve të dukurive të ndryshme atëherë kjo na shtynë të mendojë se shëndeti mendor është fundamenti i shëndetit fizik”.

    “Pa një shëndet mendor nuk mund të kemi një shëndet fizik, atëherë thirrja jonë si Shoqatë e psikologëve të Kosovës është që t’i drejtohemi institucioneve që të bëjmë diçka në të mirë të shëndetit mendor të popullatës”.

    “Në këtë Kongres nga vendet shqipfolësve, nga rajoni nga Turqia, nga Ukraina dhe pjesëmarrësja në sallë është 250 ndërsa online kemi mbi 300 presona. Adresimi drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve relevante që të bëhet implementimi i projekteve për shëndetin mendor, apo inkorporomi i psikologëve në çdo institucion ku frymon individi, kjo është mënyra për parandalimin e problemeve”.

    Bruna Abdyli, përfaqësuese e Shoqatës së Psikologëve të Kosovës për Shqipërinë, tha se bashkëpunimi ndërmjet psikologëve të të dyja vendeve është produktiv dhe reflektohen në gjithë popullatën, raporton EO.

    “Edicioni i pestë i këtij Kongresi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shkëmbimin e eksperiencave pozitive dhe punimeve me shumë vlerë ndërmjet kolegëve nga Shqipëria dhe Kosova. Bashkëpunimi ndërmjet psikologëve janë tepër produktive dhe reflektohen në gjithë popullatën”.

  • Komuna e Istogut lanson linjën “Konsultohu me Psikologun”

    Komuna e Istogut lanson linjën “Konsultohu me Psikologun”

    Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati të martën ka lansuar linjën e ndihmës psikologjike, përmes së cilës të gjithë ata që kanë nevojë për të folur me psikologun mund ta bëjnë në numrin 0800 110 09.

    Në njoftimin e komunës thuhet se linja “Konsultohu me Psikologun” është një platformë telefonike ku qytetarët e Istogut, të cilët kanë shqetësime me shëndetin mendor, ankth, depresion, mendime për vetëvrasje e probleme të tjera të cilat lidhen me shëndetin mendor mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 110 09.

    “Bisedat nuk regjistrohen dhe mbahen anonime ndërsa në regjistrat e “Konsultohu me Psikologun” mund të shohësh vetëm orën e saktë në sa është pranuar një telefonatë. Ata që thërrasin në këtë linjë nuk janë të obliguar të tregojnë identitetin e tyre por në anën tjetër të njëjtëve u mundësohet të vazhdojnë trajtimin psikologjik edhe në institucione të tjera”, thuhet në njoftim.

  • Putin: Amerika ka dështuar në Lindjen e Mesme, nuk i mori parasysh interesat e popullit palestinez

    Putin: Amerika ka dështuar në Lindjen e Mesme, nuk i mori parasysh interesat e popullit palestinez

    Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Gaza, shfaq “dështimin” e politikës së Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për krijimin e “një shteti sovran palestinez” që tha se është gjë “e domosdoshme”.

    Lideri rus i bëri këto komente gjatë takimit me kryeministrin irakian, Mohammed Shia al-Sudani, në Moskë, disa ditë pasi Hamasi nisi një sulm masiv në Izrael.

    “Mendoj se shumë njerëz do të pajtoheshin me mua se ky është një shembull i qartë i dështimit të politikës amerikane në Lindjen e Mesme”, tha Putin.

    Ai foli për “nevojën e zbatimit të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez”.

    Putin tha se SHBA-ja “ka tentuar të monopolizojë zgjidhjen e konfliktit, por fatkeqësisht ata nuk ishin të preokupuar në gjetjen e kompromiseve që do të ishin të pranueshme për të dyja palët”.

    Perëndimi “nuk ka marrë parasysh interesat thelbësore të popullit palestinez”, tha ai.

    Një ditë më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se krijimi i një shteti palestinez është “zgjidhja më e qëndrueshme” për paqe me Izraelin.

    Grupi militant i Hamasit nisi një sulm masiv ndaj Izraelit mëngjesin e 7 tetorit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme në Gaza.

    Të paktën 900 persona në Izrael dhe mbi 700 në Gaza janë vrarë që kur shpërtheu dhuna.

    Hamasi – që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe fuqitë e tjera botërore – udhëheq me Gazën që nga viti 2007.

    Izraeli ka urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës dhe autoritetet kanë thënë se kjo masë nënkupton ndërprerjen e ujit, ushqimit dhe energjisë për këtë territor.

    Izraeli dhe Gaza deri më tani kanë zhvilluar katër luftëra, teksa palestinezët vazhdimisht kërkojnë të krijojnë një shtet të tyre me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

    Bregu Perëndimor dhe Gaza, të cilat njihen si territore palestineze, si dhe Jerusalemi Lindor dhe Izraeli kanë qenë pjesë e tokës së njohur si Palestinë që nga koha romake.

    Këto ishin gjithashtu tokat e mbretërive hebraike në Bibël dhe shihen nga hebrenjtë si atdhe i tyre i lashtë.

    Izraeli u shpall shtet në vitin 1948, megjithëse toka ende quhet Palestinë nga ata që nuk e njohin të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

    Palestinezët përdorin gjithashtu emrin Palestinë si një term ombrellë për Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor.

  • Shkarkohet Deliu-Kodra, insiston se Haxhiu e quajti “hajneshë” – ministrja e mohon

    Shkarkohet Deliu-Kodra, insiston se Haxhiu e quajti “hajneshë” – ministrja e mohon

    Me katër vota për e dy abstenime Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka votuar për shkarkimin e Blerta Deliu-Kodrës, si anëtaren e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, raporton EO.

    Deliu-Kodra, tha se ministrja Albulena Haxhiu e ka bërë një linçim publike në lidhje më të kur ka folur në një televizion duke e quajtur “hajneshë”.

    “Ky diskutim nuk do të kishte me ndodh nëse ministrja nuk do të dilet në një linçim publik para së me sjell një raport në kuvend. Ministrja ka zgjedhur e para të ju drejtohet mediave për të më linçuar si hajneshë në opinionin publikë dhe pastaj të vije raportimi në Komision. Më vjen keq kjo po shihet së është vetëm tendencë personale. Nëse sot vini dhe thoni që Rozeta Hajdari nuk është fajtore, ti je fajtore. Unë jam turpëruar prej një interviste”, tha ajo.

    Ministrja Haxhiu tha se duhet që t’i vije turp deputetes dhe të kërkoj falej për këtë, sipas saj, ajo duhet që të kthej ato para që ka marr pa shkuar në Komision fare.

    Haxhi po ashtu tha se nuk e ka përdorur termin “hajneshë” në atë intervistë.

    “Unë mendoj që ajo as një cent se ka keqpërdoru për dallim prej teje. Turpërohu për veprimet tuaja, po të isha ne vendin tënd do të deklarohesha publikisht. Për besë nuk besoj kurrë që e kam përdoru termin hajn apo hajneshë. E vazhdoj debatin ne gjykatë mediat i ftoj që të jenë edhe në seancën gjyqësore. Po të isha ne vendin ënde do të kërkoja do ta ktheja buxhetin që është i shteti dhe jo i joti”, tha ajo.

  • Rritet prodhimi i industrisë përpunues, bie numri i punësimit në këtë sektor

    Rritet prodhimi i industrisë përpunues, bie numri i punësimit në këtë sektor

    Në muajin korrik të këtij viti, numri të punësuarve kishte rënie në sektorin e industrisë nxjerrëse (minierat dhe guroret) me 15. 2 për qind.

    Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) gjatë këtij muaji, indeksi i vëllimit të industrisë kishte rritje në sektorin e industrisë përpunuese për 6.2 për qind.

    “Në muajin korrik 2023, indeksi i numrit të të punësuarve kishte ulje në sektorin e: industrisë nxjerrëse (minierat dhe guroret) 15. 2 për qind, furnizimit me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave 4 për qind, furnizimit me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar 3,8 për qind, si dhe në sektorin e Industrisë përpunuese 1,2 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak korrik 2022”, thuhet në raportin e ASK-së për Statistikat Afatshkurtra të Industrisë për muajin korrik 2023.

    Ndërsa, sipas ASK-së kishte rënie të prodhimit në sektorët: furnizim me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar 6,5%, industri nxjerrëse (minierat dhe guroret) 5,6 për qind dhe furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave 3,2 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, korrik 2022.

  • Euro 2028 do të mbahet në Britani të Madhe dhe Republikë të Irlandës

    Euro 2028 do të mbahet në Britani të Madhe dhe Republikë të Irlandës

    Britania e Madhe dhe Republika e Irlandës e kanë fituar të drejtën për ta organizuar së bashku Kampionatin Evropian në vitin 2028, njoftoi UEFA të martën.

    Fushata e përbashkët e tyre ishte e pa konkurrencë, pasi Turqia u tërhoq nga gara për t’u përqendruar në fushatën për organizimin e Euro 2032 së bashku me Italinë, të cilën e fitoi siç edhe u konfirmuar gjatë takimit të sotëm të shtëpisë së futbollit evropian në Zvicër.

    As Italia e Turqia nuk kishin konkurrencë në garë për organizimin e turneut veror më 2032, por, prapëseprapë, nevojitej aprovimi nga UEFA.

    “Asgjë nuk është kurrë formalitet deri në çastin e fundit”, tha kryetarja e Federatës së Futbollit të Anglisë, Debbie Hewitt.

    Euro 2028 do të jetë ngjarja më e madhe sportive që Britania e Madhe dhe Irlanda e kanë organizuar së bashku ndonjëherë.

    “Mendoj se kjo do të jetë diçka për të cilën të gjithë ndihemi krenarë”, shtoi ajo.

    Ish-kapiteni i Kombëtares së Uellsit, Gareth Bale, i cili u pensionua në janar, tha se ky turne do ta ndihmojë futbollin në Uells.

    “Mendoj se është e rëndësishme, posaçërisht për Uellsin, të shihet në hartë, të vazhdojë përpara dhe ne t’i vazhdojmë përpjekjet për ta përmirësuar veten”, tha Bale.

    Federata angleze tha se tre milionë bileta do të jenë në shitje për këtë turne, më shumë se në secilin Kampionat Evropian deri më sot.

    Ndeshjet do të zhvillohen në stadiume me një mesatare prej 58 mijë ulëse.

    Kampionati Evropian, i njohur si Euro, është gara kryesore e futbollit mes shteteve të kontinentit evropian, e cila zhvillohet çdo katër vjet që nga viti 1958.

    Gjermania dhe Spanja javë vendet me të suksesshme me nga tre tituj, ndërsa Italia ka dy. Anglia nuk e ka fituar atë kurrë dhe më së afërmi erdhi më 2020, kur u mposht në finale nga Italia./REL/

  • Serbi, aktakuzë penale kundër prindërve të të miturit që vrau 9 nxënës

    Serbi, aktakuzë penale kundër prindërve të të miturit që vrau 9 nxënës

    Prokuroria e Lartë publike në Beograd ka ngritur sot aktakuzë prej 267 faqesh kundër Vladimir Kecmanoviqit, babait të të miturit K.K. i cili më 3 maj 2023 vrau 9 nxënës dhe një roje të sigurisë në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, raporton Anadolu.

    Prokuroria kërkoi dënimin me 12 vjet dhe vazhdimin e paraburgimit për Kecmanoviqin, i cili akuzohet për vepër të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.

    Kryeprokurori publik i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq në konferencën për media tha se Kecmanoviq dyshohet se e ka trajnuar djalin e tij të përdorë armë zjarri dhe armë ajrore, dhe se e ka trajnuar atë se si të qëndrojë dhe të marrë frymë gjatë përdorimit të armës dhe për të qëlluar në objektiv.

    Kecmanoviq po ashtu dyshohet se armët i ka ruajtur në mënyrë të paligjshme në valixhe për transferim, e jo në çantë për ruajtje të armëve. Stefanoviq ka deklaruar se K.K. mbushi gjashtë karikatorë me 92 fishekë dhe i mori në shkollë.

    Fillimisht qëlloi rojën e sigurisë, dy nxënëse në tavolinë dhe një vajzë tjetër dhe më pas shkoi në klasë ku qëlloi 6 nxënës dhe mësuesen e historisë.

    Menjëherë pas incidentit u akuzua nëna e K.K. për armëmbajtje pa leje, pasi në një gëzhojë në kabinetin e historisë u gjet ADN-ja e saj. Prokuroria kërkon që ajo të dënohet me 2 vjet e gjysmë burg.

    Dënim me 3 vjet burg është kërkuar edhe për kreun e klubit të qitjes dhe instruktorin për dëshmi të rreme se nuk e kanë parë stërvitjen e djalit në poligonin e qitjes ku K.K. ushtronte me të atin.

  • Konjufca takon homologen gjermane, e falënderon për qëndrimet e qarta për sulmin në Banjskë

    Konjufca takon homologen gjermane, e falënderon për qëndrimet e qarta për sulmin në Banjskë

    Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka takuar presidenten e Bundestagut Gjerman, Barbel Bas.

    Në një postim në Facebook Konjufca ka shkruar se në këtë takim kanë diskutuar për çështje të rëndësishme.

    Ai ka theksuar se e ka falënderuar homologen e ti për mikpritjen dhe për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë gjithnjë Republikës së Kosovës që nga themelimi i saj, por edhe më herët.

    “Në veçanti, shpreha mirënjohjen time dhe të vendit tonë për qëndrimet e qarta të Gjermanisë, sa i përket sulmit terrorist në Banjskë”, ka shkruar Konjufca.

    “Në frymën e raporteve të ngushta mes vendeve tona aleate dhe mike, diskutuam për çështje të rëndësishme, me orientim në kahjen që partneritetin tonë të ngushtë e të palëkundur nëpër vite ta thellojmë edhe më tej në drejtim të zhvillimit të interesave dhe synimeve tona të përbashkëta”, ka shkruar Konjufca.

    Ai ka thënë se e ka njoftuar presidenten e Bundestagut se Kosova “ka arritur suksese të rëndësishme sa i përket treguesve të demokracisë në vend”. “Megjithatë, shpreha nevojën e shtetit tonë për shkëmbimin e mëtejshëm të përvojave parlamentare dhe ekstraparlamentare sa i përket rritjes së kapaciteteve demokratike. Nga zj. Bas mora konfirmimin se mbështetja diplomatike, partneriteti dhe bashkëpunimi i gjithanshëm mes nesh do të vazhdojë edhe më tutje”, ka shkruar Konjufca.