ATV

Category: Lajme

  • Për herë të tretë dështon konstituimi i Komisionit Hetimor për rezerva shtetërore

    Për herë të tretë dështon konstituimi i Komisionit Hetimor për rezerva shtetërore

    Ka dështuar sërish konstituimi i Komisionit Hetimor për rezerva, për shkak të mungesës të kuorumit.

    Kjo për shkak se nuk ishin të pranishëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Opozita thotë se pushteti po fsheh diçka që nuk po vjen, dhe se nuk ka ndodhur asnjëherë në praktikën parlamentare që pas votimit në kuvend, komisioni të mos konstituohet në mbledhje.

    Njësoj komisioni dështoi dy herë edhe të mërkurën e kaluar.

  • ​“1500 trupa” të palestinezëve të armatosur janë gjetur në Izrael, tha zyrtari i ushtrisë

    ​“1500 trupa” të palestinezëve të armatosur janë gjetur në Izrael, tha zyrtari i ushtrisë

    Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha të martën se ushtria ka gjetur rreth “1500 trupa” të palestinezëve të armatosur në vendbanimet përreth Gazës.

    “Në ditët e kaluara, ushtria izraelite gjeti jo më pak se 1,500 trupa të armatosur palestinezë brenda territoreve izraelite”, tha zyrtari i ushtrisë izraelite, në kushte anonimiteti, për Anadolu.

    Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje të tjera për këtë çështje.

    Pala palestineze, veçanërisht grupi Hamas, ende nuk ka komentuar mbi pretendimin e ushtrisë izraelite.

    Gjatë tre ditëve të fundit, krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al-Qassam publikoi disa video të luftëtarëve të saj që hynë në objektet ushtarake izraelite rreth Gazës, të cilat gjithashtu treguan ushtarë izraelitë që vriteshin dhe arrestoheshin.

    Grupi palestinez i Hamasit nisi operacionin ‘Al-Aksa Flood’ kundër Izraelit herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke depërtuar në Izrael nga toka, ajri dhe deti. Ai tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, dhe rritjes së dhunës kundër palestinezëve.

    Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacionin ‘Shpatat e Hekurta’ kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

    Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza është rritur në 704, përfshirë 143 fëmijë dhe 105 gra, tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza të martën herët. Sipas ministrisë numri i të plagosurve është rritur në rreth 4,000.

    Të paktën 900 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2600 të tjerë janë plagosur në luftime, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë.

  • ​Pociej: Sulmi ndaj Policisë së Kosovës duhet të hetohet dhe përgjegjësit të dënohen

    ​Pociej: Sulmi ndaj Policisë së Kosovës duhet të hetohet dhe përgjegjësit të dënohen

    Në diskutimin për situatën në Kosovë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përfaqësuesi i Polonisë, Aleksander Pociej, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës duhet të hetohet dhe përgjegjësit të dënohen.

    Anëtari i grupit të Konservatorëve Evropianë dhe Aleancës Demokratike, ka thënë se dhuna nuk mund të tolerohet apo justifikohet.

    “Sulmi i forcave paramilitare paralele serbe ndaj Policisë së Kosovës duhet të hetohet plotësisht dhe përgjegjësit të dënohen. Përshkallëzimi i kësaj dhune, siç thashë më parë, mund të jetë i dobishëm vetëm për Vladimir Putin. Rruga për të dalë nga kjo zgjidhje dhe nga kjo situatë dhe zgjidhja e këtij konflikti është zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Kosova duhet të themelojë asociacionin e komunave serbe dhe të mbrojë pakicat. E drejta e pakicës, kjo është edhe ajo që ne qëndrojmë pas në këtë organizatë. Serbia duhet të shpërbëjë strukturat e saj në veri të Kosovës dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ai./kp

  • BQK: Ngadalësohet rritja ekonomike në Kosovë, kjo është norma

    BQK: Ngadalësohet rritja ekonomike në Kosovë, kjo është norma

    Aktiviteti ekonomik në tremujorin e dytë të këtij viti (TM2 2023) është ngadalësuar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej vetëm 2 për qind në këtë periudhë.

    Kështu thuhet në në raportin “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë TM2 2023” të publikua nga Banka Qendrore e Kosovës.

    Sipas BQK-së, vlerësimet e ASK-së sugjerojnë se Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej vetëm 2 për qind në TM2 2023, kryesisht si pasojë e rritjes së deficitit të eksporteve neto.

    “Rritja e deficitit tregtar ishte kryesisht rezultat rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve, ndërkohë që eksporti i mallrave dhe shërbimeve ka shënuar rritje të ngadalësuar. Në anën tjetër, konsumi ka shënuar rritje më të lartë, si rezultat i rritjes së burimeve të financimit si dhe ngadalësimit të rritjes së çmimeve të konsumit”, thuhet në raport.

    Po ashtu, sipas BQK-së investimet vlerësohet se kanë shënuar një rritje më të lartë krahasuar me tremujorët paraprak, kryesisht si rezultat i rritjes së investimeve publike si dhe kredive të reja investuese.

    “Për gjysmën e dytë të vitit 2023, aktiviteti ekonomik pritet të mbështetet nga investimet e përgjithshme, konsumi publik dhe eksporti i shërbimeve, ndërkohë që ndikim negativ pritet të ketë eksporti imallrave”, thuhet në raport.

    Në vitin e kaluar vendi pati normën e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) rreth 3 për qind.

  • PSRK-ja dhe Prokuroria Kundër Korrupsionit e Shqipërisë formojnë njësinë e përbashkët hetimore

    PSRK-ja dhe Prokuroria Kundër Korrupsionit e Shqipërisë formojnë njësinë e përbashkët hetimore

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani, kanë nënshkruar sot marrëveshje me të cilën kanë formuar njësinë e përbashkët hetimore, të përbërë nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.

    Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit.

    Kryeprokurori i PSRK-së, Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshje e kanë vlerësuar të rëndësishëm duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë

    .Nënshkruesit e marrëveshjes, u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.

  • 24-vjetori i themelimit të PDK-së, Krasniqi: 24 vjet punë e përkushtim për Kosovën – 24 vjet krenari

    24-vjetori i themelimit të PDK-së, Krasniqi: 24 vjet punë e përkushtim për Kosovën – 24 vjet krenari

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e 24 vjetorit të themelimit të PDK-së ka uruar themeluesit, anëtarët dhe përkrahësit e kësaj partie. Krasniqi përmes një videoadresimi tha këto 24 vjet të PDK-së nënkuptojnë, 24 vjet punë e përkushtim për Kosovën, si dhe 24 vjet krenari.

    “24 vjet më parë, në 10 tetorin e vitit 1999, kur Kosova po i jetonte ditët e para të lirisë, shumë burra dhe gra që ndër dekada kontribuuan për këtë të arritur historike, u bënë bashkë, si dikur në organizatat patriotike, si dikur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe themeluan Partinë Demokratike të Kosovës, një parti që mbi supe bart të kaluarën heroike, që pa ndalur punon për te sotmen, dhe që me besim shikon nga e ardhmja. Ky ishte ideali i atij brezi që, pasi arriti çlirimin, punoi fort për Kosovën e re, me besim në vizionin e qartë të Hashim Thaçit e të Kadri Veselit”, është shprehur kreu i PDK-së.

    Krasniqi rikujtoi se me PDK-në në pushtet Kosova u shpall shtet i pavarur, u ndërtuan rrugë, autostrada, shkolla e spitale të reja, u ngritën pagat dhe pensionet, ndërsa u ulën taksat dhe tatimet.

    “Kjo histori e jashtëzakonshme e suksesit, na bën shumë krenarë. Por dhe na rikujtojnë aftësinë e PDK-së për ta rizbuluar vetveten në çdo situatë dhe para çdo sfide, sepse, ne qëndrojmë mbi themele të forta të krenarisë kombëtare. Falënderues për të djeshmen dhe të gatshëm për përgjegjësitë e së nesërmes, sot ju uroj të gjithë juve që kontribuuat në këtë rrugëtim të përbashkët. Gëzuar Ditëlindjen e Partisë Demokratike të Kosovës”, është shprehur ai.

  • Protestojnë specializantët, kërkojnë pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të Pagave

    Protestojnë specializantët, kërkojnë pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të Pagave

    Një grup i specializantëve kanë protestuar të martën, për mospagesën e kujdestarive sipas Ligji të ri të Pagave si dhe mospagesa fare e kujdestarive me subvencione prej muajit shkurt, raporton Ekonomia Online.

    Specializantët thanë se janë detyruar që të paguajnë vitin e shkollimit specialistik 500 euro për një vit.

    Ata kanë qëndruar para objektit të Ministrisë duke bërë thirrje që të merren parasysh kërkesat e tyre të vazhdueshme.

  • Zbulohet identiteti i të dyshuarit për vrasjen në Podujevë, ka nënshtetësi holandeze

    Zbulohet identiteti i të dyshuarit për vrasjen në Podujevë, ka nënshtetësi holandeze

    Policia e Kosovës e ka zbuluar identitetin e të dyshuarit për vrasjen e rëndë që ka ndodhur 1 muaj më parë në Podujevë. I dyshuari është Lordi (Arsim) Sulja nga fshati Gllamnik, por që ka nënshtetësi holandeze.

    Sulja dyshohet se ka vrarë në një market Valmir Breznicën me nofkën “dhija”.

    Policia e Kosovës është vënë në kërkim ndaj të dyshuarit Lordi Sulja, pasi dyshohet   “Vrasje e rëndë” ,” Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

    Tutje, Policia e Kosovës ka kërkuar edhe ndihmë nga qytetarët për kapjen e tij.

    “Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar.
    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192″ thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • “Ky vend është i radhës”, djali i Trump “zbulon” se ku do të shpërthejë lufta e madhe

    “Ky vend është i radhës”, djali i Trump “zbulon” se ku do të shpërthejë lufta e madhe

    Një konflikti i radhës global mund të shpërthejë në Tajvan, tha Eric Trump, djali i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

    “Tajvani është i radhës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

    Sipas tij, çdo konflikt i madh i armatosur në botë është pasojë e dobësisë së SHBA-së.

    Izraeli u godit nga sulme me raketa në shkallë të gjerë nga Rripi i Gazës të shtunën. Shërbimi për shtyp i ushtrisë izraelite deklaroi se janë hedhur më shumë se tre mijë raketa. Përveç kësaj, luftëtarët e Hamasit , pas sulmeve masive me raketa, depërtuan në zonat kufitare në jug të vendit.

    Krahu ushtarak i lëvizjes palestineze njoftoi të shtunën Operacionin “Përmbytja Al-Aksa” kundër Izraelit.

    Forcat e Mbrojtjes izraelite njoftuan nisjen e operacionit hakmarrës “Shpata të Hekurta” kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një fjalim drejtuar kombit, tha se vendi ishte në një gjendje lufte dhe tha se ai kishte urdhëruar një mobilizim të gjerë të rezervave.

  • Sulmohet seksualisht një e mitur në Gjakovë, arrestohet një burrë

    Sulmohet seksualisht një e mitur në Gjakovë, arrestohet një burrë

    Një e mitur dyshohet se është sulmuar seksualisht nga një person të hënën në Gjakovë.

    Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    Ai tha se tashmë ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    “09.10.2023 në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast ‘sulm seksual’, ku viktima e mitur ishte sulmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull i moshës madhore. Me vendim të prokurorit të shtetit të njëjti i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve”, ka thënë Elezaj.