ATV

Category: Lajme

  • Plagoset një person në Prizren, arrestohen dy persona

    Plagoset një person në Prizren, arrestohen dy persona

    Një person është plagosur dje në Prizren, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas policisë dy persona tashmë janë arrestuar si të dyshuar, për përfshirje në këtë rast.

    Ndërkaq, në vendin e ngjarjes është gjetur një revole me gjashtë fishekë.

    “Prizren. 10.10.2023 – 14:20. Është raportuar se viktima mashkull kosovar ka mbetur i plagosur në këmbë pasi ishte qëlluar me revole nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore me ç’rast është konfiskuar një revole me 6 fishekë. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent me vendim të të cilit dy persona të dyshuar që ndërlidhen me rastin dërgohen në mbajtje. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Dhunohet një grua në Ferizaj, i dyshuari në arrati

    Dhunohet një grua në Ferizaj, i dyshuari në arrati

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është dhunuar një grua dje në Ferizaj.

    Sipas Policisë i dyshuari për kryerjen e kësaj vepre gjendet në arrati.

    “DHUNIM/ Ferizaj. 10.10.2023 – 01:15. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari gjendet në arrati”, thuhet në njoftim.

    Tutje, Policia bëri të ditur se lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për procedurat e mëtejme hetimore.

     

  • Biden për sulmet ndaj Izraelit: Një akt i pastër ligësie

    Biden për sulmet ndaj Izraelit: Një akt i pastër ligësie

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden denoncoi të martën Hamasin dhe theksoi mbështetjen e SHBA-së për Izraelin ku mbi 1000 vetë përfshirë 14 amerikanë kanë humbur jetën, që kur filluan sulmet e Hamasit gjatë fundjavës.

    Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden shprehu gjithashtu shqetësim për amerikanët që janë marrë peng nga Hamasi, grupi militant që mbështetet nga Irani.

    “Ka momente në jetë … kur një e keqe e paimagjinueshme godet botën. Populli i Izraelit jetoi një moment të tillë këtë fundjavë,” tha zoti Biden.

    “Ky është një akt i pastër ligësie,” tha ai.

    Presidenti Biden përshkroi ato që i quajti njoftime për veprime neveritëse për “prindër të vrarë”, “foshnja të vrara”, “familje të tëra të vrara” dhe “gra të përdhunuara”.

    Ai tha se Hamasi ka kërcënuar se do të ekzekutojë pengje, përfshirë të mbijetuar të Holokaustit, duke shkelur “çdo kod të moralit njerëzor”.

    Presidenti amerikan tha se brutaliteti dhe “etja për gjak” e grupit të kujton “tmerret më të mëdha të ISIS-it”.

    “Ky është terrorizëm, por fatkeqësisht për popullin hebre, nuk është diçka e re,” tha zoti Biden.

    Incidenti risolli në kujtesë antisemitizmin dhe gjenocidin ndaj popullit hebre, shtoi ai.

    Në një referencë që dukej se drejtohej ndaj Iranit dhe grupeve të mbështetura nga Irani si Hezbollahu i Libanit, zoti Biden tha se ai kishte një mesazh për çdo vend apo organizatë që mund t’i shkonte ndër mend të përfitonte nga situata – “Mos e bëni!”

    Presidenti Biden tha gjithashtu në fjalimin e tij se agjencitë e sigurisë në SHBA po ndërmarrin hapa për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm të brendshëm pas sulmit të fundjavës së grupit islamik palestinez Hamas ndaj Izraelit.

    FBI tha më herët se po “monitoronte nga afër zhvillimet”, por shtoi se “nuk ka informacione konkrete dhe të besueshme zbulimi për ndonjë kërcënim në Shtetet e Bashkuara të lidhur me sulmet e Hamasit në Izrael”.

    Zoti Biden foli pas telefonatës së tij të tretë në katër ditë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

    Ai përmendi ndihmën ushtarake që SHBA po dërgon për të ndihmuar Izraelin.

    Presidenti Biden ofroi gjithashtu mbështetje për hebrenjtë amerikanë dhe tha se ata duhet të lejohen të udhtrojnë besimin e tyre në paqe në Shtetet e Bashkuara.

    Zoti Biden tha muajin e kaluar se antisemitizmi në Shtetet e Bashkuara ishte rritur në nivele rekord.

    Ambasada e Izraelit në Uashington tha se numri i të vdekurve nga sulmet e fundjavës së Hamasit është tani mbi 1000.

  • Von Cramon: Masat kundër Serbisë janë në tavolinë

    Von Cramon: Masat kundër Serbisë janë në tavolinë

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka theksoi se masat që po përgatiten në Bashkimin Evropian ndaj Serbisë, për shkak të konfliktit të armatosur në Banjskë, nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve të Serbisë dhe se futja e tyre varet nga bashkëpunimi i pakushtëzuar i Serbisë në hetim.

    Ajo beson se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kontrollon shumë gjëra që ndodhin në vend dhe se është e vështirë të besohet se ai nuk e dinte se çfarë po ndodhte për blerjen e armëve apo organizimin e grupit që ishte në Banjskë.

    Në një intervistë për gazetën serbe “Nova”, Von Cramon ka theksuar se çdo masë duhet të dëmtojë regjimin në pushtet në Serbi, duke theksuar se janë të arsyeshme kritikat se Bashkimi Evropian shpeshherë është treguar i butë ndaj Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë.

    Sipas eurodeputetes ndaj Serbisë po përgatiten masa ndëshkuese, e pyetur se për çfarë masash bëhet fjalë, Von Cramon ka thënë se nuk mund të jap detaje pasi gjithçka ende është konfidenciale dhe po zhvillohen diskutime.

    “Megjithatë, atë që u thashë disa mediave më herët, mund ta konfirmoj tani – masat janë vërtetë në tavolinë dhe topi është në fushën e Serbisë. Këtu do të doja të jem e qartë – këto nuk janë sanksione të BE-së, sepse atëherë ato do të miratoheshin unanimisht nga të gjitha vendet anëtare në Këshill. Bëhet fjalë për ‘masa’ të miratuara dhe të zbatuara nga Komisioni Evropian, me propozim të Këshillit. Tani është absolutisht në duart e tyre dhe më lejoni të theksoj se Parlamenti Evropian nuk ka asnjë rol në këtë. Në thelb, nëse miratohen, ato do të ishin masa reciproke me atë që ka Kosova tani – nuk ka takime [të Serbisë] zyrtare me liderët e BE-së dhe anulimi i fondeve IPA. Aplikimi i tyre absolutisht varet nga bashkëpunimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Serbisë në hetimin e sulmit në Banjskë. Ka shumë pyetje të hapura dhe i takon Vuçiqit të sigurojë një hetim të duhur dhe transparencë për atë që ka ndodhur. Kur Shërbimet e sigurisë së BE-së të nxjerrin konkluzionet e hetimit, atëherë ne do të reagojmë”, tha Von Cramon.

    Eurodeputetja thotë se këto masa nuk janë ndaj qytetarëve të Serbisë.

    “BE-ja, thënë më vrazhdë, ka dy pika kryesore për Serbinë – paratë dhe regjimin e udhëtimit falas për qytetarët. Rivendosja e vizave do të prekte më së shumti qytetarët e thjeshtë dhe kjo është arsyeja pse në përgjithësi jam kundër. Ne duhet të godasim aty ku do të dëmtojë regjimin në pushtet – dhe ky është reduktimi i parave nga fondet e BE-së. Megjithatë, komunikimi i BE-së ndaj Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë në rastin më të mirë ishte i paqartë dhe nuk ka dyshim se tani dikush në Serbi mund të pyes – pse duhet të durojmë ndonjë masë nëse deri dje na keni thënë se ai është një djalë i mirë që bën gjëra të mëdha? Jam plotësisht e vetëdijshme se BE-ja duhet të ishte shumë më e rreptë ndaj Vuçiqit dhe regjimit të SNS në komunikim. Nuk është çudi që një qytetar i thjeshtë do të mendojë se BE-ja e mbështet Vuçiqin nëse vjen Presidenti i Komisionit ose komisioneri Oliver Varhelji dhe e lavdëron hapur. Megjithatë, unë shoh që gjërat ndryshojnë veçanërisht pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës; Partia Popullore Evropiane nuk qëndron më as pas Vuçiqit dhe as SNS-së. Megjithatë, shumë vonë”, tha ajo.

    Lidhur me sulmin terrorist serb në Banjskë dhe pretendimet se pushteti serb është përfshirë në konfliktin e armatosur, Von Cramon thotë se ende ka shumë pyetje pa përgjigje.

    “Çfarë ka ndodhur konkretisht, si ka arritur në veri kjo sasi mjetesh të blinduara me armatim dhe pajisje ushtarake? Kush qëndron pas kësaj dhe cilat grupe kriminale fshihen ende atje? A është i mundur ky lloj veprimi pa qenë të vetëdijshëm apo edhe pa ndihmuar autoritetet serbe? A u drejtua atëherë nga Serbia, apo ishte vetëm Milan Radoiçiq, siç pretendonte ai? Nuk jemi ende të qartë. Unë do të thosha se Serbia nuk ka interes për një sulm të madh ushtarak apo ndonjë lloj lufte. Të paktën kështu kuptova nga reagimet e Beogradit. Por është e qartë se shumë gjëra kanë shkuar keq dhe stabiliteti është rrezikuar. Presidenti Vuçiq kontrollon shumë gjëra që ndodhin në Serbi dhe është vërtet e vështirë të besohet se ai nuk e dinte se çfarë po ndodhte rreth blerjes së armëve apo organizimin e një grupi agresiv. Tani është në duart e tij të sigurojë një hetim dhe transparencë të duhur për atë që ndodhi”, tha ajo, transmeton Telegrafi.

    E pyetur nëse një vendim i tillë mund të rrisë euroskepticizmin në Serbi, Cramon tha se “absolutisht, jemi të vetëdijshëm që duhet bërë dallimi mes regjimit dhe popullit”.

    “Ne e bëjmë këtë në vende të tjera, për shembull në Gjeorgji apo Bosnje, ku elitat në pushtet dhe popullsia kanë aspirata të ndryshme. Do të ishte veçanërisht e padrejtë ndaj qytetarëve të Serbisë nëse dikush do të vinte tek ata dhe do t’u thoshte – BE gaboi me Vuçiqin, kështu që tani do të paguani. Kjo është arsyeja pse udhëtimi pa viza do të mbetet. Dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë ne si BE – t’i dërgojmë një mesazh të qartë qeverisë se gjërat janë keq, gjë që ishte një rast i rrallë, nëse ne përveç pak prej nesh”.

    Në pyetjen nëse është Vuçiq partneri i vetëm dhe i besueshëm i BE-së nga Serbia dhe me kë nga Serbia do të duhet të flasë BE-ja, Cramon tha se “ai nuk ka qenë kurrë i vetmi, por besueshmëria e tij pas 24 shtatorit është shumë e diskutueshme. Ne bashkëpunojmë me një gamë të gjerë aktorësh në Serbi, duke përfshirë shoqërinë civile, liderët e opozitës dhe zyrtarë të ndryshëm”.

    Ndërsa në pyetjen nëse Vuçiq të shmangë trajtimin e çështjes së Kosovës duke shpallur zgjedhje në Serbi, eurodeputetja tha se “nuk mund të them se çfarë mund të shmangë apo të vendosë si çështje zgjedhore”.

    “Në përgjithësi, do të dëshiroja që bisedimet Serbi-Kosovë të përfundojnë dhe të gjithë ne të ecim përpara sepse kjo pengon ‘pengjet’ e të dyja shoqërive të merren me çështje ekzistenciale”, tha Von Cramon.

  • Hysa: Pesha e sulmit në veri si agresion i dështuar po rritet tani pas ngjarjeve në Izrael

    Hysa: Pesha e sulmit në veri si agresion i dështuar po rritet tani pas ngjarjeve në Izrael

    Historiani e ish diplomati Ylber Hysa shtjelloi se pesha e sulmit në veri të Kosovës si agresion i dështuar po rritet tani pas ngjarjeve në Nagorno-Karbakh dhe Izrael. Kjo nuk mund të shmanget në konsideratën e vazhdimit të mëtutjeshëm të procesit të dialogut Kosovë-Serbi

    Ish ambasadori i Kosovës në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa, theksoi zhvillimet e fundit në botë me konfliktin në Ukrainë dhe efektin e tyre në sfera tjera. Ai iu referua ngjarjeve në konfliktin Armeni-Azerbajxhan ku përkundër përpjekjeve dhe zotimeve për të kundërtën pati agresion ushtarak. Afër ishte një ujdi mes Izraelit dhe Arabisë Saudite për normalizim e paqe, siç kishte edhe negociata e përafrim në ujdi mes SHBA e Iran për programin bërthamor, dështuan që të dyja pas sulmit në Izrael.

    Këto ngjarje kanë efekt edhe në Ballkan dhe nuk mund të shmanget si mundësi, shpjegoi Hysa. S’ka garanci që narracioni i zbatimit të marrëveshjes së dialogut do të rezultonte ndryshe kur ka këso lëvizje gjeopolitike në botë.

    “Se a do të kishte ndodhur Banjska po të kishte përparim në dialog mes Prishtinës e Beogradit është një pyetje shumë hipotetike duke e marrë parasysh edhe kontekstin gjeopolitik që u shpalos këtyre ditëve me atë që ndodhi në Nagorno-Karabakh dhe me atë që po ndodh fatkeqësisht në Izrael.”

    Elementet e dëshmitë e përgatitjes së sulmit në Veri nuk lënë hapësirë për nivelin e organizimit, tha Hysa.

    “Më duket se ngecja në dialog ka mundur të jetë një shkas i përdorur siç e kemi dëgjuar edhe këto ditë se mos pasja e përparimit në dialog, mos zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara ka rezultuar me intervenime policore në veri dhe ka sjellë një retorikë nga njëra për luftën ndaj krimit qoftë nga ana tjetër për persekutimin e serbëve, një përpjekje për të arsyetuar atë që ndodhi në Banjskë. Po ajo nuk mund të arsyetohet, në fakt një agresion klasik, një vepër terroriste në tentim e cila ka involvuar një organizim dhe një strukturë, e cila ka mobilizuar një njësit paraushtarak që ka pasur armatim për një brigadë dhe i cili falë ndërhyrjes të specializuar të policisë së Kosovës është ndërprerë”, vijon ai.

    Incidenti tash merr peshë edhe më shumë me ngjarjet në Izrael shtoi Hysa pasi do të kalonte në një rrafsh ndërkombëtar të konfliktit përtej Ballkanit e një procesit të dialogut. Kjo obligon që të shqyrtohet edhe përgjegjësia e llogaridhënia.

    “Poashtu po aq pyetje hipotetike do të ishte çka nëse ky aksion i grupit të udhëhequr nga Radoiçiq do të kishte pasur sukses. A do të thoshte kjo një fron i ri në Evropë? A do të thoshte kjo që dikush qoftë në Beograd apo në Moskë ka arritur që në kohën e një lufte gati globale t’i hapë prapa shpine edhe një front Perëndimit? Siç po ndodh ndoshta edhe në Izrael. Kështu që kjo pyetje është po aq hipotetike sa përgjigja në këtë të dytën.”

    Si do të vazhdojë dialogu tash e tutje ka vend për shqyrtim poashtu theksoi diplomati kur kihen parasysh këto rrethana të reja pas sulmit. Përfshirja e strukturave të Serbisë në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është pengesë. Skeptik u tregua Hysa në BE posaçërisht sa i përket sanksionimit për shkak të disa faktorëve brenda.

    “Sa i përket presionit për të vazhduar me dialog e kemi parë qëndrimin më të ri të ambasadorit amerikan, Hovenier që kërkon kthimin në dialog. Por, të kihet parasysh se Asociacioni i Komunave serbe të mos ketë kompetenca ekzekutive. Kjo duket një lloj risie por a do të ketë presion edhe tek palët pritet të shihet edhe për faktin që një sjellje e tillë sjell edhe pyetjen se a do të ketë involvim direkt apo indirekt të Serbisë me strukturat e saj në veri të Kosovës, sjellë edhe pyetjen a do të ketë Serbia sanksione që është pyetje e parë e që siç po shohim Brukseli nuk është aq parimor, sidomos një pjesë e saj. Kemi dëgjuar ministrin e jashtëm hungarez Siarto, i cili dëshiron të bllokojë çfarëdolloj sanksioni kundër Serbisë.”

    Më me peshë do të jetë rezultati i hetimit të grupit paramilitar serb që kreu inkursion e sulm terrorist në veri të Kosovës, do të ketë jashtëzakonisht më e rëndësishmja në mos parësorja tani pas ngjarjeve në Kaukaz e Izrael.

    Dhe një tjetër çështje me rëndësi mbetet puna e Millan Radoiçit. Të gjithë kërkojnë në strukturat më të larta të NATO-së, Uashingtonit dhe Brukselit, të ketë një investigim për atë se çfarë ka ndodhur. Tani besoj që me ngjarjet e fundit që ndodhën në Nagorno-Karabakh dhe sidomos këto që po ndodhin në mënyrë dramatike në Izrael, pesha e të zbuluarit se cili ishte motivi dhe kush qëndron prapa sulmit në veri shtohet më shumë se më parë”.

  • Moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me mot të kthjellët.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 6 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 23 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 26 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 30 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Të dielën “Termokosi” nis ngrohjen e kryeqytetit – Metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse

    Të dielën “Termokosi” nis ngrohjen e kryeqytetit – Metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse

    Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës “Termokos”, i ka bërë të gjitha përgatitjet e fundit për fillimin e sezonit të ngrohjes. Krahas kësaj, është arritur edhe marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës për furnizim me ngrohje për sezonin dimëror 2023-24.

    Këtë e ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i “Termokosit”, Fisnik Osmani. Ai për Ekonomia Online ka shprehur bindjen se ky sezon do të jetë i suksesshëm me furnizim.

    Ndonëse e pranon se ka pasur sfida pasi “Termokosi” ka bërë shtrirjen në shumë pjesë të Kryeqytetit, Osmani ka deklaruar janë mbushur me ujë sistemi i ngrohjes.

    “Ne i kemi bërë përgatitjet e nevojshëm që të fillojmë sezonin sipas ligjit, me datën e caktuar më 15 tetor. Kështu që ekipet tona i kanë përfunduar përgatitjen më të madhe, kemi filluar me mbushjen e ujit primar në sistemin e ngrohjes, po vërehet që do të jemi mirë e do të jemi gati për sezonin e ardhshme edhe jemi të bindur se përkundër sfidave që i kemi për shkak të zgjerimit ë rrjetit në qytet, do të kemi padyshim një sezon të suksesshëm me furnizim të mjaftueshëm edhe cilësor për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Osmani, teksa foli edhe për marrëveshjen që kanë nënshkruar me KEK-un.

    “Po është një marrëveshje që ne bëjmë vit pas viti rinovimin e marrëveshjes me Korporatën Energjetike të Kosovës. Marrëveshja nënkupton që edhe për këtë vit kemi siguri për furnizim me avull, respektivisht energji termike. Siç e dimë, sistemi i ngrohjes në Prishtinë varet kryekëput prej programit të kogjeneremit”, u shpreh Osmani.

    E me fillimin e sezonit të ngrohjes, risi do të jetë edhe faza testuese për metodën e re të faturimit sipas konsumit. Osmani ka thënë se edhe këtë vit metoda e faturimit do të jetë sipas sipërfaqes ngrohëse.

    “Ne fillojmë me matjen prej datës 15 tetor në 13500 njësi të banimit e të cilat i kemi instaluar gjatë kësaj periudhe. Ne do t’i marrim të dhënat në softuerin tonë i cili është gati, jemi në koordinim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe kemi vendosur në bashkëpunim me rekomandimet e ekspertëve të konsulencës ndërkombëtare për projektin që t’i evitojmë gabimet e mundshme, meqë është për herë të parë një gjë e tillë dhe potencialisht do të mund t’i ngarkonim qytetarët me fatura joreale, diku më tepër e diku më pak. Po e bëjmë testimin këtë sezon, pra ne i bëjmë faturat, mirëpo ato janë për nevojat tona dhe të ZRrE, për shkak të analizave, në mënyrë që vitin e ardhshëm të kemi fatura reale për matje”, u shpreh Osmani.

  • Bëhet pranim-dorëzimi i donacionit me drona për Policinë e Kosovës

    Bëhet pranim-dorëzimi i donacionit me drona për Policinë e Kosovës

    Policia e Kosovës mban sot konferencë për medie në të cilën do të bëhet nënshkrimi i pranim-dorëzimit të donacionit të dronëve, për Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

    Në njoftim thuhet se në konferencë pritet të marrin pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, ambasadori i amerikan Jeffrey Hovenier etj.

    Konferenca pritet të filloj nga ora 10:00.

  • Sot mbahet konferenca “Sulmi terrorist në Banjskë – implikimet rajonale e gjeopolitike”

    Sot mbahet konferenca “Sulmi terrorist në Banjskë – implikimet rajonale e gjeopolitike”

    Instituti “Octopus” sot (e mërkurë) mban konferencën “Sulmi terrorist në Banjskë – implikimet rajonale e gjeopolitike”.

    Sipas njoftimit, në këtë konferencë do të prezantohet studimi i radhës nga autorët Agim Musliu, drejtor i Institutit dhe hulumtuesit Arta Haxhixhemajli dhe Taulant Elshani.

    Në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe njohës të çështjeve të sigurisë nga vende të ndryshme.

    Në mesin e panelistëve do të jenë edhe Ilir Kulla nga Shqipëria. Jasmin Mujanoviq nga ShBA-ja, Ivica Antiq nga Kroacia etj.

    Konferenca do të nisë në ora 11:00.

  • Presidentja Osmani në Kroaci sot i adresohet komunitetit shqiptar

    Presidentja Osmani në Kroaci sot i adresohet komunitetit shqiptar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Zoran Milanoviq sot vazhdon ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kroaci.

    E para e vendit sot do të bëjë dekorimin e tre personaliteteve të shquara. Ceremonia do të mbahet në Ambasadën e Kosovës në Kroaci.

    Po ashtu Osmani do të ketë një bashkëbisedim me studentët e Libertas University me temën “Udhëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së: “Çfarë vjen më pas”?.

    Në qytetin e Karlovacit, ajo do të ketë një vizitë në një fabrikë të armëve.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë edhe statujën e Nenë Terezës.

    Në fund të agjendës së takimeve dhe aktiviteteve, Osmani do të ketë takim me komunitetin shqiptar në Kroaci, ku presidentja do t`i adresohet komunitetit shqiptar.