ATV

Category: Lajme

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me mot të kthjellët.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 26 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 27 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • “Zona më e bukur në Gaza u bë rrafsh me tokë”, gazetari palestinez tregon pamjet e shkatërrimit

    “Zona më e bukur në Gaza u bë rrafsh me tokë”, gazetari palestinez tregon pamjet e shkatërrimit

    Në rrjetet sociale janë publikuar pamje nga droni të një lagje të shkatërruar të Gazës, që forcat izraelite e bënë rrafsh me tokë nga sulmet ajrore.

    Një gazetar palestinez derisa ecte në këtë lagje tashmë të shkatërruar tha se ishte ‘zona më e bukur e Gazës, po tani ka mbetur i pafjalë‘.

    “Nuk e di çfarë të them, por më besoni është trishtimi më i madh që ka pasur ndonjëherë Gaza”, u shpreh gazetari.

    Kujtojmë se, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se numri i viktimave në Gaza nga sulmet ajrore izraelite është rritur në 1 mijë e 100.

    Sipas shifrave të reja, ministria thotë se numri i përgjithshëm i personave të lënduar është mbi 5 mijë e 300, shkruan BBC.

    Nga 1 mijë e 100 të vdekur, ministria e Shëndetësisë në Gaza ka bërë të ditur se në mesin e tyre janë 326 fëmijë, 171 gra dhe 603 burra.

    Kurse, nga 5 mijë e 339 të lënduar, 1 mijë e 217 janë fëmijë, 744 gra dhe 3 mijë e 378 burra.

  • Kastrati i PDK-së: Është çudi si u lanë të ikin terroristët në Banjskë, është dashur të asgjësohen ose dorëzohen

    Kastrati i PDK-së: Është çudi si u lanë të ikin terroristët në Banjskë, është dashur të asgjësohen ose dorëzohen

    Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, është i mendimit se në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, Kosova i ka lënë të lirë terroristët përmes një marrëveshjeje politike.

    Ai në emisionin DPT te Fidani, në ATV, ka thënë se si pasojë e kësaj tash terroristët serbë janë rrezik potencial për çdo natë i trupave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në veri, shkruan Reporteri.net.

    “Kush i lëshoi Radojiçiqin me ata terroristat me ecë? Nuk i ka lëshu policia, është bo negociatë në nivel politik. Ata janë rrezik potencial prapa trupave të KFOR-it dhe policisë tonë çdo natë tash e tutje”.

    “Në situata të tilla kur një shtet të sulmon, një brigadë armatim e ka sjellë, ti duhesh ose me i asgjësu ose me i bo me u dorëzu”.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, para një jave pati treguar se nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje për krijimin e një korridori që do t’ua mundësonte ikjen terroristëve serbë.

    Ai ka thënë se është tentuar që të komunikohet me terroristët, në mënyrë që të dorëzohen, mirëpo se ata nuk u janë bindur kërkesave të policisë dhe janë përgjigjur me armë zjarri.

    Tutje ka shtruar pyetje edhe se si u la të hyjë në Manastirin e Banjskës armatimi që u përdor gjatë sulmit, e që u sekuestrua pas tij.

    “E dyta, si u fut gjithë ai armatim, u leju me ardhë deri te Manastiri i Banjskës prej një depoje? S’jemi t’u folë për katër kallashnikova por për armatim për një brigadë të tanë”.

    “A ka shpjegim dikush prej qeverisë? A ka dikush shpjegim pse janë liru ata? Ata ecshin si fëmija në ekskursion”.

    “Nuk po konstatoj, unë dyshoj që dikush është prapa gjithë aksionit. Policia nuk është në dijeni. Si u lanë ashtu me ikë ata 30 veta është kogja çudi”, ka thënë Kastrati i PDK-së.

  • OKB-ja do të mblidhet të premten për të diskutuar mbi Izraelin dhe Gazën

    OKB-ja do të mblidhet të premten për të diskutuar mbi Izraelin dhe Gazën

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të premten për të diskutuar konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

    Brazili, i cili aktualisht mban presidencën e rradhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thirri takimin “për të adresuar situatën në Rripin e Gazës”, tha ministria e këtij vendi në një deklaratë.

    Ministri brazilian i Punëve të Jashtme Mauro Vieira ka ndërprerë një udhëtim në Azi për të udhëtuar në Nju Jork për të marrë pjesë në takim.

    Anëtarët e KS të OKB-së ishin të ndarë në lidhje me politikën në lidhje me Izraelin dhe palestinezët në një takim të dielën.

    “Fëmijët nuk duhet të mbahen kurrë peng, kudo në botë,” shkroi presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva në X, dikur Twitter, të mërkurën, raporton BBC.

    Ai tha se Hamasi duhet të “lirojë fëmijët që janë rrëmbyer nga familjet e tyre”.

    Presidenti gjithashtu i bëri thirrje Izraelit që “të ndalojë bombardimet në mënyrë që fëmijët palestinezë dhe nënat e tyre” të largohen nga Gaza përmes Egjiptit.

     

  • Gjendet i vdekur regjisori izraelit, Yahav Winner

    Gjendet i vdekur regjisori izraelit, Yahav Winner

    Trupi i regjisorit izraelit, Yahav Winner, u gjet mbrëmjen e djeshme (10 tetor) në kibutin jugor të Izraelit në Kfar Aza.

    Yahav u zhduk të shtunën (7 tetor) pasi terroristët e Hamasit pushtuan shtëpinë e tij.

    Winner po ruante dritaren e banesës së familjes së tij për t’i lënë kohë gruas së tij, regjisores Shaylee Aary dhe vajzës së tyre një muajshe Shaya, që të shpëtonin nga sulmuesit.

    Trupi i Yahav u gjet në Kfar Aza nga ushtria izraelite. Shumë njerëz që jetonin atje, duke përfshirë fëmijë dhe familje të tëra, u vranë gjithashtu në Kfar Aza.

    Filmi i shkurtër i Winner “The Boy” fitoi çmimin për ‘kinematografinë më të mirë’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Studentor të Tel Avivit të këtij viti.

    Kompania izraelite e shitjeve dhe shpërndarjes ‘Go2Films’ konfirmoi po ashtu vdekjen e Yahav.

    Në një deklaratë, Go2Films tha: “Me dhimbje të madhe ndajmë lajmin shkatërrues se regjisori ynë i dashur, Yahav Winner, u gjet i vdekur në Kfar Aza mbrëmjen e djeshme, pas tre ditësh në të cilat ai konsiderohej i zhdukur. Humbja e Yahav ka lënë një boshllëk të pashlyeshëm në zemrat tona dhe ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për Shaylee Aary, gruan e tij, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që u prekën nga arti dhe shpirti i tij”.

    “Pas kësaj tragjedie, gjejmë ngushëllim në mendimin për të festuar jetën dhe veprën e Yahavit. Filmi i shkurtër i Yahav, The Boy, shpalos një rrëfim që hedh dritë mbi jetën në Kfar Aza. Filmi fitoi çmimin për kinematografinë më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Studentëve të Filmit në Tel Aviv dhe do të shfaqet si pjesë e konkursit ndërkombëtar në Filmschoolfest Munich. Për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, jemi të përkushtuar që të shfaqim The Boy në sa më shumë vende”, thuhet më tej.

  • Arrestohet shtetasi serbë, postoi foto me armë në dorë në rrjetet sociale

    Arrestohet shtetasi serbë, postoi foto me armë në dorë në rrjetet sociale

    Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme në orët e hershme të mëngjesit ka arrestuar një shtetas serb të komunës së Leposaviqit.

    Shtetasi serb i arrestuar kishte postuar foto me armë në dorë në rrjetet sociale.

    Pas arrestimit është bërë kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit por nuk është gjetur diçka e dyshuar.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Kompania kroate të cilën e vizitoi dje presidentja Osmani, gjigant i prodhimit të armëve

    Kompania kroate të cilën e vizitoi dje presidentja Osmani, gjigant i prodhimit të armëve

    Kompania kroate “HS PRODUKT”, të cilën e vizitoi dje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e madje edhe pozoi me një armë të prodhuar prej saj, sipas të dhënave të publikuara në ueb faqen e kompanisë shet miliona armë në gjithë botën.

    “HS PRODUKT” ka rreth 30 vite eksperiencë në fushën e prodhimit të armëve, duke u renditur kështu si një nga prodhuesit kryesor në botë të armëve të vogla të cilësisë së lartë.

    Sipas të dhënave, kjo kompani ka shitur mbi 6 milionë pistoleta të prodhuara.

    Në katalogun e armëve që kjo kompani ofron nuk janë vetëm pistoletat.

    Sipas të dhënave të publikuara në ueb faqe, kjo kompani prodhon 4 lloje të pistoletave gjysmë-automatike: HS-9 G2, kalibër 9×19 mm, me karikator 16+1; SF19 4.5, kalibër 9×19 mm, me karikator 19+1; HS S5 3.3, kalibër 45ACP;  H11, kalibër 9×19 mm, me karikator 13+1.

    Përveç pistoletave gjysmë-automatike, kjo kompani prodhon edhe armë ushtarake, 5 lloje,

    Dhe, produktet e kompanisë që janë më së shumti në treg janë armët ushtarake.

    Nga armët ushtarake që i prodhon kjo kompani (njërën prej të cilave e “provoi” presidentja Vjosa Osmani) është edhe VHS-2,  pushkë sulmi, e kalibrit 5.56 të NATO-s.

    Mirëpo pushka nuk është i vetmi produkt që kjo kompani prodhon.

    Sipas të dhënave të publikuara, kjo kompani prodhon edhe VHS-BG, granatahedhës me veprim të dyfishtë me një goditje.

    Kjo kompani, e cila ndodhet në Karllovc, prodhon edhe një lloj të pushkës gjysmë-automatike VHS2S.

    Kompania në fjalë, sipas të dhënave, ka fituar mbi 40 çmime për armët më të mira, inovacion dhe ndërmarrësi

  • Kurti mbledh kabinetin qeveritar, ky është rendi i ditës

    Kurti mbledh kabinetin qeveritar, ky është rendi i ditës

    Qeveria e Kosovës do të mbaj sot mbledhjen e radhës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Mbledhja mbahet në ndërtesën e Qeverisë ndërsa pritet të filloj nga pra 08:30.

    Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

    Në mbledhjen e sotme në rend të ditës do të jenë gjithsej 23 pika.

    Ndër pikat e rendit të ditës do të jetë edhe shqyrtimi i vendimit për ti propozuar Kuvendit të Kosovës aprovimin e draft-statutit të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, e të tjera.

  • Ministrat e NATO-s sot diskutojnë edhe për situatën në Kosovë

    Ministrat e NATO-s sot diskutojnë edhe për situatën në Kosovë

    Sot në selinë e NATO-s do të diskutohet për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    Këtë e ka bërë të ditur sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Jens Stoltenberg. Ai, dje në nisje të takimit dyditor të ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, ka theksuar rëndësinë e rritjes së pranisë së NATO-s në Kosovë, pas rritjeve të tensioneve në veri të vendit.

  • Kjo është arsyeja pse Radojiçiq hoqi dorë nga kompanitë e tij

    Kjo është arsyeja pse Radojiçiq hoqi dorë nga kompanitë e tij

    Pamjet e vilës në shkëmbin pranë liqenit të Gazivodës në komunën e Zubin Potokut hodhën edhe një herë dritë mbi masën e pasurisë së Milan Radoiçiqit dhe kujtuan punët fitimprurëse që ai dhe kumbari i tij Zvonko Veselinoviq kanë marrë prej vitesh.

    Vetëm një punë e tillë me vlerë rreth një milion euro iu dha Novi Pazar-put vetëm tre ditë pas konfliktit të armatosur në Banjskë, sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një ure në Adrane afër Kralevës.

    Rruga Novi Pazar është një nga pesë kompanitë në pronësi të kompanisë INKOP, në të cilën Milan Radoiçiq kishte aksione deri vonë.

    Milan Culibrk, redaktor i të përjavshmes NIN, tregon se që kur vëllezërit Veselinoviq dhe Radoiçiq morën Novi Pazar-putin, fitimi i kësaj kompanie është rritur pothuajse një mijë herë.

    Aksionin e Radoiciqit në kompaninë mëmë – Inkop prej 40 për qind, pas daljes nga pronësia më 6 tetor të këtij viti, e ndanë vëllezërit Veselinoviq.

    Kështu, Zvonko Veselinoviq tani zotëron 60 për qind, në vend të 40 për qind të kompanisë, dhe Zharko Veselinoviq zotëron 40 për qind, në vend të 20 për qind, të kompanisë INKOP.

    “Çfarë do të thoshin njerëzit tanë – si erdhi, ashtu shkoi. Fillimisht, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij dhe Milan Radoiçiq nuk ishin as pronarë të Inkopit”, thotë Milan Culibrk.

    Pronari fillestar ishte Dushica Maksimoviq, e cila më 19 shtator 2018, 40 për qind të aksioneve të kompanisë ia kaloi Veselinoviq-it, ndërsa pjesën e mbetur ia transferoi kumbarit të tij, Milan Radoiciq.

    Heqja dorë nga pronësia e Radoiçiqit mund të parandalojë konfiskimin e mundshëm të pronës gjatë procedurave gjyqësore, sipas Bojana Pavloviq, gazetare e KRIK.

    “Dhe shumë shpesh, në kushte të caktuara, për të marrë këto vende pune është e nevojshme që personat që janë pronarë apo persona përgjegjës të mos jenë nën hetim”. Kjo po mbron llojin e biznesit të tyre dhe tregon se diçka mund të ndodhë më vonë me atë pronë, kështu që mbrohet në këtë mënyrë”, thotë ajo.

    Kurse Culibrk shton se, në thelb, asgjë nuk do të ndryshojë ndoshta.

    “Gjithçka do të mbetet njësoj përveç se ai nuk do të menaxhohet zyrtarisht si pronar, por bizneset do të vazhdojnë të rriten, zhvillohen dhe do të ndajnë fitimet sikur asgjë në strukturën e pronësisë nuk ka ndryshuar”, thotë redaktori i së përjavshmes NIN.

    Kompanitë e Veselinoviçit dhe Radoiçiqit ndërtuan disa nga rrugët më të rëndësishme në Serbi, si Moravski dhe Korridori 10. Ndër ndërtesat luksoze të lidhura me to janë hotelet dhe restorantet në Kopaonik dhe në Mitrovicë të Kosovës me logon e njohur të kokës së ujkut, si dhe një vilë prej 500 metrash katrorë në një pjesë elitare të Beogradit.