ATV

Category: Lajme

  • Osmani: Nga Izraeli janë evakuuar 60 shtetas maqedonas

    Osmani: Nga Izraeli janë evakuuar 60 shtetas maqedonas

    Gjashtëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut janë evakuuar nga Izraeli që nga fillimi i sulmit masiv të militantëve të Hamasit, të shtunën, më 7 tetor, bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

    Ai tha se autoritetet kanë regjistruar rreth 150 shtetas të Maqedonisë së Veriut në qytete të ndryshme të Izraelit dhe në territoret palestineze. Por, ky numër mund të arrijë deri në 200 persona pasi disa nuk janë paraqitur për identifikim në thirrjen e autoriteteve të Shkupit.

    Të shtunën, sipas Osmanit, pritet të kthehen në Shkup edhe 90 të tjerët, të cilët janë duke komunikuar me shtabin e krizës të formuar menjëherë pas shpërthimit të konfliktit të Izrael.

    Shefi i diplomacisë maqedonase tha se ambasada në Kajro, është duke komunikuar me dy persona të tjerë që ndodhen brenda zonave të rrezikuara të Gazës, të izoluara nga Izraeli, pasi nuk arritën të dilnin para mbylljes së pikës së vetme kufitare me Egjiptin.

    “Situata atje është shumë e ndryshueshme dhe vlerësojnë se janë të ekspozuar ndaj rrezikut. Ne po punojmë, gjithashtu, me autoritetet në Egjipt për t’i liruar ata dhe më pas do të organizojmë transportin nga Egjipti. Mirëpo, për momentin nuk kemi si t’i nxjerrim nga Gaza”, tha Osmani.

    Disa nga shtetasit maqedonas që gjendeshin në zonat e rrezikuara në rajonin e Gazës, të mërkurën në mbrëmje kanë arritur Athinë prej nga me autobus janë transferuar në kufirin e Maqedonisë së Veriut.

    Sipas Osmanit, fillimisht fokusi ishte identifikimi, kontaktimi dhe nxjerrja e qytetarëve nga zonat e rrezikuara dhe më pas transportimi i tyre në Tel Aviv.

    Osmani theksoi se një pjesë e qytetarëve të kthyer, kanë ardhur përmes Jordanisë, Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Serbisë, me ç’rast u shprehu mirënjohje autoriteteve të këtyre shteteve.

    Maqedonia e Veriut i ka dënuar sulmet e militantëve të Hamasit ndaj Izraelit, ndërsa ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

    “Ne i dënojmë fuqishëm sulmet terroriste të Hamasit ndaj Izraelit. Mendimet tona janë me popullin izraelit, me të cilin solidarizohemi dhe ndajmë dhimbjen. Bëjmë thirrje për zgjidhje me dialog pasi bota ka nevojë për paqe”, thuhet në reagimin me shkrim të kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski./REL/

  • Konjufca e lëshon sallën: Le ta udhëheq nënkryetari i PDK-së ose i LDK-së seancën

    Konjufca e lëshon sallën: Le ta udhëheq nënkryetari i PDK-së ose i LDK-së seancën

    Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.

    Musliu, kritikoi mazhorancën për mosparaqitje në seancë dhe i ka bërë thirrje kryeparlamentarit Konjufca, që t’i ftojë në seancë deputetët e pozitës, duke i thënë që nuk është njeri pa fuqi në VV.

    “Kryetar nuk jeni krejtësisht i pafajshëm në krejt këtë ngjarje sepse nuk jeni pa fuqi politike brenda subjektit tuaj politik dhe unë mendoj që edhe për ju tani më mirë do të ishte që t’u bëni thirrje publike deputetëve të partisë tuaj që të jenë këtu dhe t’i përkrahin kërkesat e Policisë së Kosovës ose ta lironi karrigen dhe t’ia lironi një nënkryetari ta udhëheq këtë seancë”, tha ajo.

    I menjëhershëm qe reagimi i kryekuvendarit Konjufca.

    “Atëherë zonja Musliu unë pajtohem plotësisht me kërkesën tuaj. Seancën pra le ta udhëheq nënkryetari i juaj PDK-së ose i LDK-së. Faleminderit”, ka thënë Konjufca dhe është ngritur për të dalë nga salla.

    Seanca me këtë rast nuk ka vazhduar më.

  • Krasniqi: Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku, pushteti e do Policinë vetëm për mburrje

    Krasniqi: Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku, pushteti e do Policinë vetëm për mburrje

    Pas refuzimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në seancën ku do të votohej Rezoluta për Policinë e Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se pushteti e do policinë vetëm për mburrje.

    Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, theksoi se sot, për herë të dytë brenda një jave, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila, me miratimin e saj, do të ndihmonte shpejtë dhe konkretisht Policinë e Kosovës.

    “Është e mjerueshme dhe për keqardhje kjo qasje e pushtetit ndaj policëve tanë. Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij, të cilët, çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka shkruar kreu i PDK-së.

    Krasniqi tha se PDK nuk do të ndalet dhe do të insistojë, përmes të gjitha mënyrave dhe mekanizmave që këtë Rezolutë të miratohet. “Shtesat për rrezikshmërinë, sigurimi shëndetësor dhe miratimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm – janë më të paktat që meritojnë policët tanë”, është shprehur Krasniqi.

  • Hoti për bojkotimin e seancës: Është cenuar rendi Kushtetues

    Hoti për bojkotimin e seancës: Është cenuar rendi Kushtetues

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën tha se është cenuar demokracia parlamentare në Kosovë.

    Ai përmendi tri instrumente që opozita i ka në dorë dhe sipas tij që të tria po cenohet drejtpërdrejtë nga vendimet e shumicës, raporton Ekonomia Online. Ai tha se Konjufca duhet t’i japë rrugë kësaj çështje ose të shpërbëhet Kuvendi.

    “Situata e sotme ka kulmuar me një pozicion që besoj që cenohet demokracia parlamentare në Kosovë. Janë tri instrumente që i ka opozita në dorë: seanca e jashtëzakonshme, komisionet parlamentare dhe pyetjet parlamentare të deputetëve. Të tria këto, në dy javët e fundit janë cenuar drejtëpërdrejtë me vendime të shumicës. Pak ju mbaj përgjegjës juve dhe kryesinë e Kuvendit, ju duhet të uleni të diskutoni këtë situatë, kjo është e patolerueshme”.

    “Nuk është veprim i thjeshtë parlamentar mosprezenca e mazhorancës sot këtu ose veprim i thjeshtë i kryeministrit mos e u përgjigj në pyetjet parlamentare, ose pamundësimi i konstituimit të komisionit hetimor. Ky është cenim i rendit kushtetues”, tha ai.

  • Rama: Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës po i vështirëson përpjekjet tona

    Rama: Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës po i vështirëson përpjekjet tona

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës dhe sipas tij gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut po vështirësojnë përpjekjet e Shqipërisë. Ai përsëriti kërkesën e tij që KFOR-i të marrë në kontroll veriun, meqë sipas tij forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme. Rama foli në seancën e Kuvendit të Shqipërisë ku po diskutohet për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Kuvendi i Shqipërisë po mban interpelancë me kryeministrin Edi Rama, të ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Interpelanca është ftuar me arsyetimin “dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, hapat që parashikohen të ndërmerren dhe qëndrimet në raport me zhvillimet e pritshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan”.

    Në këtë seancë, Rama teksa foli për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, u shpreh se lajmi i vrasjes së policit Afrim Bunjaku ishte bombë që shpërtheu me forcën tronditëse.

    “Ai agresion i nxori sërish thonjtë e krizën të veriut të Kosovës dhe ja nguli më fortë se asnjëherë mu në fyt procesit të dialogut, normalizimit, shtet-njohjes përfundimtare të Republikës së Kosovës. Shfaqja ogurkeqe e hijes së përgjakshme të së shkuarës me armë dhe me uniforma ushtarake në skenën e ngarkuar me frymën e ekstremizmit nacionalist serb, armatimet e trafikuara për sulm, jo për vetëmbrojtje dhe thasët e financimeve kriminale në veriun e Kosovës ishte si kronika e zezë e një vdekje të paramenduar. Lajmi i vrasjes së efektivit të Policisë së Kosovës në krye të detyrës ishte si një bombë, që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali pa ekuivok, përshkallëzimit të konfliktit në atë skenë ku prej kohësh tani më prodhohet tensioni që kthen dhe rikthen prapësht sistematikisht procesin e dialogut, normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndez llambën e vjetër të krizës ballkanike në sytë e botës demokratike”, deklaroi ai.

    Zhvillimet e mëtejme, siç tha Rama, kishin pamjen e materialit arkivor nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

    “Fundi i ngjarjes ishte shembullor, falë veprimeve të forcave të sigurisë së Kosovës, të cilat nuk ranë në kurthin e ngritur prej organizatorëve, por me gjakftohtësi të admirueshme dhe me profesionalizëm të lartë e neutralizuan rrezikun e zgjerimit dhe zgjatjes së paparashikueshme të konfliktit, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë të mundshme të provokimit djallëzor të grupit kriminal serb. Ndërsa, epilogu i ngjarjes, shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës pasi i morën jetën një polici të Republikës së Kosovës, ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes së së shkuarës e cila bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë, si hija që e ndjek kudo njeriun sapo del drita”, shtoi ai para deputetëve shqiptarë”, theksoi Rama.

    Kryeministri shqiptar theksoi se për herë të parë Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e Bashkimit Evropian.

    “Prisnim një deklaratë të dytë të BE-së ku do të dënoheshin qoftë organizatorët e agresionit kriminal, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd dhe të kërkohej fillimi i menjëhershëm i një hetimi ndërkombëtar. Na shpjeguan se kohët dhe procedurat e BE-së nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë. Sipas nesh e domosdoshme paralelisht në të njëjtën kohë me të parën. Kështu që si përfundim ne nisëm mesazhin zyrtar të mos linjëzimit me deklaratën e parë. Për herë të parë në marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian. Një mos linjëzim me politikën e jashtme të BE-së nuk është një fjalë goje, për një vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE dhe që përgatitet në javët e ardhshme të nis me një prej pjesëve të negociatave që lidhet pikërisht me politikën e jashtme”, theksoi Rama.

    Tutje, Rama tha se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe ShBA-së e bëjnë të vështirë përpjekjen e Shqipërisë.

    “Ne nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral, siç janë prej kohësh tanimë dhe fatkeqësisht e them me keqardhje një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë në raport me dialogun e normalizimit, përfshirë edhe ndaj qeverisë sonë përmes zërash të dytë dhe të tretë. Por mbajtëm një qëndrim parimor dhe politik në funksion të nxitjes së Brukselit për të siguruar një përqapje serioze për një qëndrim të unifikuar të 27 vendeve anëtare, jo thjesht lidhur me ngjarjen dhe me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj ngjarjes, jo thjesht me fjalë por edhe me masa kuptimplote në adresë të Serbisë, por edhe lidhur me çfarë vjen, çfarë mund të vijë dhe çfarë duhet të vijë nesër. Pozicioni i vet dobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe ShBA-së gjithashtu, si dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra bujarisht gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, e kemi vazhduar në çdo instancë”, përfundoi ai.

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama u shpreh se Kosova po rrezikon ta humbas shansin historik, siç e quajti ai, që i jep plani franko-gjerman.

    “E kam thënë në samitin e NATO-s, mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i. Fokusimi tek suksesi dhe jo te dështimi i planit tejet të favorshëm franko-gjerman dhe dhënies drejtim të atij asociacioni të komunave me shumicë serbe sepse është një nyje, e cila pikërisht pse ka marrë proporcione komplet të pa merituara për substancën që e ka, nuk duhet të mbahet si një litar në këmbë që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe veç e largon objektivin për tu bërë pjesë e OKB-së, BE-së. Ajo nyje duhet të këputet, ai litar duhet këputur një orë e më parë. Nuk duhet shkencë këtu, duhet vetëm logjikë e ftohtë elementare për të kuptuar se ai asociacion duke mos u bërë është kthyer në një litar”, potencoi ai.

    Teksa përmendi edhe deklaratën e tij në samitin e NATO-s për kontrollin e veriut, ai shtoi se është sulmuar nga një “armatë e hedhur në veprim”.

    “Këtyre thirrjeve të zakonshme momentesh të pazakonshme, këtë herë ju shtuan edhe piskamat për sovranitetin e kërcënuar nga kërkesa ime e përsëritur për NATO-n që KFOR-i të marrë në kontroll veriun. Ku kufiri me Serbinë është katandisur prej vitesh në një rrjetë të çarë ngado, prej nga hyjnë sërbes armatime, drogë, dreqi me të birin, ndërkohë që forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme”, përfundoi Rama.

    Rama shtoi se KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë meqë “nuk ka ku të shkojë, deri kur dialogu të ketë garantuar paqen përfundimtare”.

    Në këtë seancë parashihet edhe një mocion me debat dhe miratimi i projektrezolutës në mbështetje të Kosovës.

    Debati pritet të zgjasë minimalisht 5 orë, ndërsa nga seanca e kaluar ka pasur përplasje të forta me opozitën që ka kritikuar mazhorancën për mënyrën se si e ka trajtuar “24 shtatorin”, ndërsa për partinë në pushtet opozita kërkon të bëjë politikë me Kosovën. /KP

  • Spanca: Pavarësisht sfidave, auditimi ka vlerë thelbësore në dobi të qytetarëve

    Spanca: Pavarësisht sfidave, auditimi ka vlerë thelbësore në dobi të qytetarëve

    Auditimi i organizatave buxhetore është një proces me sfida, por pavarësisht vështirësive sjell vlera thelbësore që fondet publike të administrohen në dobi të qytetarëve. Kështu u tha në konferencën “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në dobi të qytetarëve”, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

    Auditorja e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca tha se roli i auditimit është thelbësor, meqë sipas saj transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike çdo herë e më shumë bëhet më e domosdoshme.

    “Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike çdo herë e më shumë bëhet më e domosdoshme, prandaj roli i auditimit është padyshim thelbësor. Auditimi është një proces i përcjellë me sfida, por pavarësisht vështirësive, sjell vlerë thelbësore që fondet publike të administrohen në dobi të qytetarëve e me këtë edhe rrit besimin e publikut në ata që i administrojnë fondet e besuara. Që nga themelimi ZKA ka pasur një zhvillim të hovshëm si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë profesional. Tani ZKA numëron rreth 170 punonjës prej tyre rreth 87 për qind janë staf auditues”, tha Spanca.

    Ajo shtoi se përmes auditimit për temën “Efektiviteti i Institucioneve për trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, është vendosur në qendër të vëmendjes së Qeverisë, Kuvendit dhe qytetarëve nevoja për të adresuar dukurinë e dhunës në familje.

    Tutje, Spanca tha se auditimi për temën “Programi i Trajtimit të Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, ka ndikuar në përshpejtimin e përditësimit te Udhëzimit Administrativ, derisa shtoi se kjo u lehtësoi qytetarëve procedura e aplikimit.

    “Rezultatet e auditimit të performancës “Programi i Trajtimit të Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike” përmes së cilit është përshpejtuar përditësimi i Udhëzuesit administrativ me anë të të cilit qytetarëve u është lehtësuar procedura e aplikimit dhe mundësia për të përfituar nga programi tani është e barabartë për të gjithë. Po ashtu, nëse rekomandimet e dhëna merren seriozisht dhe zbatohen, atëherë, qytetarët përfitojnë përshpejtim të vlerësimit të aplikacioneve dhe mundësi të vlerësimit të saktë dhe meritorë për secilin rast. Qytetarët mund të përfitojnë vetëm për rastet të cilat realisht nuk trajtohen në institucionet shëndetësore publike, gjë që mundëson përfitim nga ky subvencionim për një numër të madh të qytetarëve”, potencoi Spanca.

    Ndërkaq, përmes një video mesazhi, drejtori i përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim, Einar Gorrisen tha se ka ndjekur zhvillimin e Zyrës së Auditimit të Kosovës, derisa shtoi se ka vërejtur zhvillime të suksesshme.

    “Ndikimi i auditmit në përmirësimin e financave publike ngre një temë shumë të rëndësishme. Shpresojmë që do të sigurojmë që auditimet tona do të çojnë në ndryshime shoqërinë tonë dhe jo vetëm të kemi si raporte të tilla. Nga eksperienca ime kjo kërkon marrjen në konsideratë të shumë gjërave gjatë auditimit, për shembull fillimin me selektimin e temave nga shoqëria civile dhe trajtimin e rekomandimeve të auditimit…Kam pasur privilegjin të punoj m ISA-në në të gjithë botën. Kam ndjekur zhvillimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, dhe kam parë zhvillime dhe kam parë të zhvillohet një institucion auditimi i suksesshëm”, tha Gorrisen.

    Ndërsa, auditori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Gene Dodaro vuri në pah rëndësinë e avancimit të teknologjisë informatike, duke thënë se në këtë mënyrë mund të rritet siguria kibernetike.

    Ai shtoi se pandemia Covid-19 nxori në pah se institucionet supreme të auditimit kanë shumë sfida, derisa shtoi se duhet përgatitur më mirë ndaj situatave urgjente.

    Ndryshe, në kuadër të 20 vjetorit të themelimit të ZKA-së, nga ky institucion u zotuan se do të vazhdojnë të mbajnë standarde të larta, kjo ngase sipas tyre janë gardianë të llogaridhënies, transparencës dhe mbrojtës të fondeve publike./KP

  • ​Vetëvendosje nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për Policinë

    ​Vetëvendosje nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për Policinë

    Partia në pushtet ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e ftuar nga opozita, ku është paraparë të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës. Kjo është bërë e ditur nga shefja e deputetëve të mazhorancës, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media, në kohën kur parashihej të fillonte seanca.

    Kusari-Lila ka kritikuar partitë opozitare për mos votim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sipas saj kërkesat e tyre kanë synim dëmtimin e interesit të shtetit.

    “Arsyeja e ftesës për këtë konferencë është që para opinionit publik të shpalosim qëndrimin e Grupit Parlamentar të LVV-së për mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme të ftuar sot nga opozita e drejtuar në ftesën e sotme nga Grupi Parlamentar i PDK. Që nga java e kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së ka tentuar që të ndryshojë rendin e ditës në seancë për të futur një pikë të cilën nuk e kanë pasur ende të dorëzuar me shkrim, që ka të bëjë me një rezolutë për kushtet dhe disa prej legjislacionit që ata konsiderojnë tash të nevojshëm për të kaluar për Policinë e Kosovës. Përderisa ky material tashmë është dorëzuar, ne e vlerësojmë se tendenca apo qëllimi i PDK-së dhe AAK-së që nuk votojnë asgjë në Kuvendin e Kosovës, nuk votojnë marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje me rëndësi jetike për qytetarët, nuk ka të bëjë me gjendjen apo statusin e PK-së, por ka të bëjë vetëm me arsyetimin dhe argumentimin e tyre se kinse Qeveria nuk është e angazhuar sa duhet dhe synimi i tyre i vetëm është pushteti dhe jo interesi i shtetit. Ne sot po qëndrojmë në mbi 400 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare të pa votuara, disa prej të cilave janë edhe për mbështetje të drejtpërdrejt të buxhetit të Kosovës, të cilët do të përfitonin të gjitha kategoritë shoqërore, përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Përderisa ata refuzojnë të votojnë, kanë kërkesat të cilat synimin e vetëm e kanë dëmtimin e interesit të shtetit, vetëm për çmimin e tyre të ardhjes në pushtet”, ka thënë Kusari-Lila.

  • ​S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

    ​S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

    Ka dështuar mbledhja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme për shkak të mungesës së kuorumit.

    Deputetët e partive opozitare kanë lëshuar sallën. Në këtë mbledhje ishte paraparë që zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi të raportonte lidhur me dialogun Kosovë-Serbi i cili nuk është para aty.

    E pranishme nga Lëvizja Vetëvendosje ishte vetëm kryetarja e këtij komisioni, Arbëreshë Kryeziu- Hyseni.

  • NATO dënon sulmin terrorist të Hamasit, Stoltenberg: Izraeli nuk është vetëm

    NATO dënon sulmin terrorist të Hamasit, Stoltenberg: Izraeli nuk është vetëm

    Në selinë e NATO-s në Bruksel, sot është duke u zhvilluar dita e dytë e takimeve të të gjithë ministrave të Mbrojtjes të Vendeve anëtare të NATO-s.

    Në orët e mëngjesit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mirëpriti në një takim me një paraqitje para mediave edhe sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd J. Austin, i cili ka ardhur mu për këtë takim për të diskutuar gjitha çështjet edhe situatat të cilat janë duke ndodhur tani për tani sa i përket anës së sigurisë në botë, raportoi në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli, gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku.

    Pak minuta më parë edhe u mbajt një takim me të gjithë ministrat e Mbrojtjes në vendeve aleate të NATO-s, por gjithashtu në mënyrën virtuale u lidh në këtë takim edhe ministri i Mbrojtjes së Izraelit, i cili edhe për nga afër iu paraqiti gjitha informacionet e fundit se çfarë po ndodh në Izrael.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi të gjithë këtë sulm që iu bë Izraelit dhe të gjitha shtetet aleate të NATO-s janë duke e dënuar këtë sulm terroristë, duke thënë se Izraeli ka të drejtën ta mbrojë vendin e tyre. Stoltenberg shtoi në këtë takim se Izraeli nuk është vetëm.

    Në mbledhjen e sotme të ministrave të vendeve aleate të NATO-s, gjatë ditës do të diskutohet edhe mbështetja për Ukrainën. /atvlive.tv

  • E konfirmuar: Ministrat e NATO-s sot do të diskutojnë edhe për Kosovën

    E konfirmuar: Ministrat e NATO-s sot do të diskutojnë edhe për Kosovën

    Në selinë e NATO-s në Bruksel, sot është duke u zhvilluar dita e dytë e takimeve të të gjithë ministrave të Mbrojtjes të Vendeve anëtare të NATO-s.

    Në takimin e mbajtur në orët e hershme të mëngjesit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se gjatë ditës së sotme do të diskutohet edhe për Kosovë, raportoi në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli, gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku.

    Temë e diskutimit do të jetë siguria në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, më specifikisht për sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator., ku është parë e arsyeshme që të rritet numri i pjesëtareve të misionit të NATO-s në Kosovë. /atvlive.tv