ATV

Category: Lajme

  • Dhunohet një grua në Gjilan

    Dhunohet një grua në Gjilan

    Një grua në Gjilan ka njoftuar policinë se është dhunuar më 3 shtator nga një person që ka përdorur identitet të rremë.

    Lidhur me rastrin dje është arrestuar në person dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Gjilan 03.09.2023, NN. Viktima femër kosovare me datën 03.09.2023 ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar duke përdorur identitet të rremë ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Lidhur me rastin sot me datën 11.10.2023 është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Sanksionet ndaj Serbisë “gati të pamundura”, dialogu para paralizës totale dhe dhuna e sërishme në veri “pothuajse e sigurt”

    Sanksionet ndaj Serbisë “gati të pamundura”, dialogu para paralizës totale dhe dhuna e sërishme në veri “pothuajse e sigurt”

    Gjasat që Bashkimi Evropian (BE) t’i vendosë sanksione Serbisë konsiderohen pothuajse minimale për shkak të mungesës së konsensusit brenda BE-së, derisa njohësit e çështjeve politike shprehin paralelisht frikën se cikli i dhunës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë mund të kthehet sërish pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit dhe bllokimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

    Eksperti i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC), Toby Vogel, në një prononcim për Albanian Post, thotë se kërkesa e Kosovës që njëherë t’i vendosen sanksione Serbisë e tek pastaj të procedohet tutje me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së, në këtë moment është jorealiste, për shkak se kërkohet unanimitet në mesin e 27 shteteve anëtare.

    Vogel kujton se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së mendojnë njësoj kur bëhet fjalë për ndërmarrjen e sanksioneve ndaj Serbisë, derisa përmend faktin se kryeministri hungarez Viktor Orban mbështet hapur presidentin serb Alesandër Vucic dhe, rrjedhimisht, refuzon të pajtohet për vendosjen e sanksioneve, ndonëse një pjesë e tyre tashmë janë skicuar dhe priten veprimet e radhës nga eurokratët në Bruksel.

    Hungaria nuk është problemi i vetëm, shton Vogel. Ai beson se ka edhe disa vende të tjera anëtare brenda unionit që mund t’i kundërshtojnë sanksionet ndaj shtetit serb, duke përfshirë Kroacinë dhe Sllovakinë. Megjithatë, ai thotë se ka hapa të tjerë që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell mund t’i ndërmarrë – njësoj sikurse në rastin e Kosovës në muajin qershor.

    “Llogaritjet ndryshojnë nëse ka prova të pakundërshtueshme të përfshirjes së qeverisë serbe në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjë. BE-ja thotë se nuk ka prova të tilla deri më tani – një pretendim që i bën sanksionet të pamundshme. Gjithsesi, ajo që Borrelli mund të bëj është e njëjtë me atë që bëri me Kosovën, ku në fakt nuk u konsultua me të gjitha shtetet anëtare dhe prapë doli dhe tha se 27 shtete vendosin sanksionet kundër Kosovës”.

    Jasmin Mujanoviç, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave të huaja, në një prononcim për Albanian Post, thotë se cështja e sanksioneve ka krijuar probleme politike brenda unionit, përtej çështjeve teknike të planit funksionalist të BE-së, ndërsa shton se përvec Hungarisë, ka indikacione se shtetet e tjera anëtare të BE-së – Austria dhe Qipro – ndoshta edhe Kroacia, janë kundër sanksioneve të BE-së.

    “Hungaria ka një ndikim të jashtëzakonshëm mbi politikën e Komisionit Evropian (KE) për Ballkanin Perëndimor dhe Orbani ka qenë shumë i qartë se do të vazhdojë të bllokojë sanksionet kundër Dodikut, njëjtë sikurse do të vazhdojë të bllokojë edhe idenë e sanksioneve visa-a-vis ndaj Vuçiçit dhe qeverisë në Beograd. Kjo pasqyron faktin që Vuçiçi dhe bashkëpunëtorët e tij kanë një audiencë simpatizuesish në një numër të konsiderueshëm kryeqytetesh evropiane”.

    Vogel nga ana tjetër jep një shpjegim tjetër se gjasat për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë janë minimale. Ai thotë se përfaqësuesve evropianë iu duhet Vucici për të mos e bllokuar dialogun. Vogel argumenton se ideja e vijimësisë së procesit të dialogut është bërë qëllim në vetvete për diplomatët në Bruksel, derisa shton se presidenti serb e ka shfrytëzuar jashtëzakonisht mirë këtë kartë.

    “BE-ja dhe SHBA-të janë të dëshpëruar për të vazhduar qasjen e tyre aktuale, edhe pse dialogu nuk ka dhënë asgjë për shumë vite. Dialogu është abuzuar si mjet për menaxhimin e konfliktit apo menaxhimit të krizave dhe Serbia posacerisht e ka luajtur me shumë sukses këtë kartë. Ata prodhojnë kriza pastaj përdorin dialogun për të zbutur krizën”.

    Vogel nuk mendon se momentalisht ekziston vullnet as nga ana e kryeministrit kosovar Albin Kurti e as nga pala serbe për të ndërmarrë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve, derisa arsyeton kryeministrin Kurti që nuk e trajton dialogun prioritet të lartë, sepse sipas tij, sidoqoftë Kosova është e bllokuar dhe nuk ka shanse të njihet nga të paktën tre nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së – Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro.

    “Kam frikë se fotografia është shumë e zymtë. Mendoj se dhuna e mëtejshme nuk është vetëm e mundur, por ndoshta e sigurt. Ajo që ndodhi në Banjë është jashtëzakonisht e turbullt… Për sa kohë që këto gjëra mbeten të errëta, mendoj se është shumë e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë, por nuk shoh ndonjë gjë pozitive të vijë pas zhvillimeve të fundit”, thotë Vogel.

    Optimist nuk shprehet as Mujanovici. Ai konsideron se BE-së do t’i atribuohet edhe një dështim tjetër që do të shkojë në dëm të Kosovës. Mujanovici nënvizon se është vetëm cështje kohe kur presidenti serb do të provojë përsëri të zbatojë modelin e njëjtë sikurse në Banjë.

    “Mendoj se është shumë e qartë se BE-ja do të dështojë në këtë test. Kjo do ta bëjë Kosovën më të pasigurt e situatën më të rrezikshme sepse Vuçiçi do të trimërohet dhe, kam frikë, do të jetë çështje kohe përpara se ai të testojë ujërat përsëri mbi një lloj dhune. Ai ka qenë shumë sistematikisht duke vjellur nxehtësi dhe duke normalizuar gjithnjë e më shumë si kërcënimet ashtu edhe përdorimin e dhunës”.

  • Shqipëria mbledh Kuvendin për “24 shtatorin”

    Shqipëria mbledh Kuvendin për “24 shtatorin”

    Edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka vendosur që sot të mbajë seancën e posaçme për Kosovën, për miratimin e një rezolute rreth situatës në Kosovë.

    Kjo seancë është bërë edhe me pajtim të PD-së, ku kreu i grupit parlamentar Gazmend Bardhi kërkoi seancë urgjente për mocion me debat dhe miratimin e rezolutës për situatën në Kosovë.

    Nga ana tjetër, PS-ja propozoi që rezoluta dhe mocioni me debat të mos jenë urgjente dhe të mbahet me 19 tetor.

    Megjithatë, kryeministri Edi Rama do të jetë ditën e enjte në Kuvend. Sekretari Organizativ në Partinë Socialiste, Arben Pëllumbi, ka thënë se kreu i qeverisë do të mbajë fjalën e tij.

    Besohet se ideja fillestare e Ramës që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës, është tkurrur në një thirrje për të rritur prezencën, duke afruar qëndrimet me demokratët.

  • Brenda një dite zhduken tri gra në Kosovë

    Brenda një dite zhduken tri gra në Kosovë

    Rastet kanë ndodhur në Klinë, Prizren dhe Podujevë.

    Raporti i plotë i policisë:

    Fsh. Klinavc, Klinë 09.10.2023 – 11:00. Ankuesja femër kosovare me datën 11.10.2023 ka raportua se vajza e saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar.

    Rr. Tahir Sinani, Prizren 17.07.2023 – 05:30. Ankuesja femër kosovar me datën 11.10.2023 ka raportua se vajza e saj, viktima femër kosovare me datën 17.07.2023 ka dalë nga shtëpia, nuk është kthyer më dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Rasti është duke u hetuar.

    Fsh. Lupç, Podujevë 03.10.2023 – 11:00. Ankuesja femër kosovar me datën 11.10.2023 ka raportua se vajza e saj, viktima femër kosovar ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar.

  • Gjermania furnizon Izraelin me dy dronë

    Gjermania furnizon Izraelin me dy dronë

    Gjermania e ka furnizuar Izraelin me dy dronë të quajtur “Heron TP”, teksa shteti hebre vazhdon të kundërpërgjigjet ndaj sulmeve të Hamasit.

    Dronët “Heron TP” do të merren me qira nga forcat e armatosura izraelite, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes.

    “Gjermania mbështet Izraelin me deri në dy drone të marrë me qira nga Bundesëehr”, thuhet në një deklaratë, shkruan Sky News, transmeton Klankosova.tv.

    Ushtria gjermane aktualisht i ka dhënë Izraelit me qira pesë dronë, të cilët përdoren për “trajnimin e ushtarëve gjermanë, ndër të tjera”.

  • ​Kuvendi sot mban seancë të jashtëzakonshme

    ​Kuvendi sot mban seancë të jashtëzakonshme

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e enjte) në seancë të jashtëzakonshme.

    Në rend dite është shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit, seanca do të nisë nga ora 11:00.

  • Sot Kuvendi diskuton për mbështetjen urgjente financiare të Policisë

    Sot Kuvendi diskuton për mbështetjen urgjente financiare të Policisë

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme.

    Në seancën që pritet të fillojë në orën 11:00 është vetëm një pikë në rendin e ditës, ku do të bëhet shqyrtimi i i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës , Abelard Tahiri, në emër të deputetëve nënshkrues.

    Dokumenti përmban edhe nënshkrimet e 33 deputetëve të: Grupit Parlamentar të PDK-së, të LDK-së dhe AAK-së.

    Kjo kërkesë ka ardhur pas situatës së krijuar në Banjskë, si pasojë e të cilës mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Gjatë atij aksioni, u shpërfaqën mungesat që kanë policët në punën e tyre, si mospagimi i shtesave të rrezikut, mungesa e Ligjit të Sigurimit Shëndetësor dhe çështje të tjera.

  • Serwer: ShBA-ja dhe BE s’kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë

    Serwer: ShBA-ja dhe BE s’kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë

    Njohësi i zhvillimeve politike dhe profesori amerikan, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-se, Peter Stano, për masat ndaj Kosovës, duke thënë se BE-ja ende s’ka parë veprime nga Kosova që çojnë në de-eskalim të plotë të situatës në veri.

    Sipas Serwer, “BE-ja është bërë një kundërshtar de-facto i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

    “Ajo [BE] dëshiron të kufizojë dislokimet e policisë në përgjigje të një kërcënimi të qartë dhe aktual, si dhe të krijojë një strukturë të veçantë qeverisëse për popullatën serbe, të paktën në veri”, ka shkruar Serwer.

    Më tej profesori i Universitetit amerikan “John Hopkins”, ka shkruar se “SHBA-të po mbështesin BE-në në të dyja këto synime, ndërsa mohojnë se do të lejojnë arritjen e objektivit të fundit”.

    “Por as BE dhe as SHBA nuk kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë, siç tregohet nga dështimi për të reaguar ndaj tentativës së kryengritjes së Beogradit”, ka shkruar Serwer.

    Situata në veri e ka ndikuar edhe në mënyrë tjetër ekonominë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë në fund të qershorit disa masa ndëshkuese ndaj vendit.

    Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nuk u është bindur, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kërkesave të saj për ta shtensionuar situatën në veri.

    Këto masa kanë përfshirë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.

    Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë deklaruar se këto masa nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ apo të prodhojnë humbje financiare për bizneset, por, megjithatë, “ato kanë pezulluar nënshkrimin e kontratave të reja, që do të kishin krijuar një vlerë potenciale për bizneset në Kosovë”.

  • Afganistani goditet nga tërmeti i dytë brenda pak ditësh

    Afganistani goditet nga tërmeti i dytë brenda pak ditësh

    Përgatiti: Lum Haliti

    Një tjetër tërmet i fuqishëm ka goditur Afganistanin perëndimor, vetëm disa ditë pas një tërmeti në këtë rajon, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 1 mijë njerëzve.

    Tërmeti i ri me magnitudë 6.3 shkallë të Rihterit, goditi të mërkurën në orën 5 të mëngjesit sipas kohës lokale, 28 kilometra në veri të qytetit Herat.

    Më shumë se 100 persona u lënduan dhe u dërguan në spital, sipas zyrtarëve shëndetësorë. Sipas autoriteteve, shumë njerëz ishin duke fjetur në ambient të hapur pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan të shtunën.

    Agjencitë e ndihmave kanë thënë se gjithashtu ka mungesë të batanijeve, ushqimit dhe furnizimeve të tjera, për të pastrehët. Tërmeti i së shtunës goditi distriktin rural Zindajan, që ndodhet rreth 40 kilometra larg qytetit të Heratit.

    Afganistani shpesh goditet nga tërmetet, veçanërisht në vargun malor Hindu Kush, pasi shtrihet afër kryqëzimit të pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në Kfar Aza, militantët e Hamasit vranë edhe familjet brenda shtëpive

    Në Kfar Aza, militantët e Hamasit vranë edhe familjet brenda shtëpive

    Përgatiti: Lum Haliti

    Trupat e banorëve izraelitë dhe sulmuesve palestinezë, ndodhen të shtrirë jashtë shtëpive të djegura, në komunitetin izraelit Kfar Aza, disa ditë pasi militantët e Hamas-it nisën sulmet brenda territorit të Izraelit.

    Hamasi në orët e hershme të së shtunës, dërgoi dhjetëra luftëtarë të armatosur rëndë nga Rripi i Gazës drejt komuniteteve rurale të Izraelit jugor.

    Në komunitetin Kfar Aza, Forcat izraelite të Mbrojtjes po shkonin nga shtëpia në shtëpi, për t’i mbledhur trupat dhe për t’i vendosur ato në kamionë, para se t’i varrosnin.

    Shtëpitë në Kfar Aza u plaçkitën dhe më pas u dogjën. Brenda shtëpive kishte trupa të civilëve, përfshirë edhe të fëmijëve dhe foshnjave, të vrarë nga militantët e Hamasit.

    Për “CNN”, ushtria izraelite tha se të moshuar, gra, fëmijë dhe foshnja “u vranë në mënyrë brutale, ashtu siç kishte vrarë ISIS-i”. Përveç Kfar Aza-s, cak i sulmeve të militantëve të Hamasit ishte një numër komunitetesh dhe qytezash, si Be’ri, Ofakim, Sderot, Yad Mordechai, Yated, Kissufim dhe Urim.

    Në një shkretëtirë në afërsi të komunitetit Be’ri, në një festival muzikor gjithashtu ndodhi masakra e të paktën 260 të rinjve dhe marrja peng e dhjetëra të tjerëve, për fatin e të cilëve nuk dihet.

    Ndërkohë, në ditën e pestë të përshkallëzimit të konfliktit, luftimet ndërmjet forcave izraelite dhe forcave të Hamas-it janë intensifikuar.

    Ushtria izraelite tha se qindra mijëra trupa janë rreshtuar afër Rripit të Gazës dhe se “ato janë të gatshme ta ekzekutojnë misionin i cili iu është dhënë”.

    Më herët këtë javë, Izraeli njoftoi për një rrethim të plotë të Gazës, duke i ndërprerë furnizimet me ujë, energji dhe derivate, duke bërë që civilët në Gaza të përballen me katastrofë humanitare.

    Autoriteti Palestinez i Energjisë tha të mërkurën se termocentrali i vetëm në Rripin e Gazas do të mbetet pa derivate, brenda disa orëve.

    Qëkur nisën luftimet të shtunën, numri i të vdekurve në Izrael si pasojë e sulmeve të Hamasit ka shkuar në të paktën 1.200, ndërsa më shumë se 1 mijë njerëz janë vrarë në Gaza, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: