ATV

Category: Lajme

  • Në Serbi nisin hetime ndaj kreut të BIA-s dhe ministrit të Drejtësisë për dyshime për presion ndaj votuesve

    Në Serbi nisin hetime ndaj kreut të BIA-s dhe ministrit të Drejtësisë për dyshime për presion ndaj votuesve

    Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka nisur procedura parahetimore ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Vladimir Orliq, ministrit të Drejtësisë, Nenad Vujiq, dhe disa bashkëpunëtorëve të tyre.

    Sipas mediave rajonale dhe njoftimin e prokurorisë, kallëzimet lidhen me dyshime për shkelje të të drejtave zgjedhore, detyrim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë zgjedhjeve të 25 tetorit.

    Dyshimet përfshijnë organizimin e sigurimit të votave për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), veprime të kundërligjshme brenda BIA-s dhe presion sistematik ndaj punonjësve të institucioneve korrektuese.

    Në kallëzime përfshihen edhe drejtori i Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Mile Jandriq, këshilltarja e ministrit, Milica Radonjiq, dhe 60 persona të tjerë, përfshirë drejtues e punonjës burgjesh.

    Pretendimet përfshijnë gjithashtu dhënie dhe marrje ryshfeti lidhur me votimin dhe mbledhje të paautorizuar të të dhënave personale.

    Prokuroria i ka kërkuar shërbimit policor kundër krimit të organizuar të mbledhë informacione dhe të verifikojë pretendimet e kallëzimeve. Procedurat janë në fazën parahetimore dhe nuk përbëjnë konstatim fajësie. /Telegrafi/.

  • Arrestohet një grua në Fushë-Kosovë, kërcënoi një burrë pas një mosmarrëveshjeje

    Arrestohet një grua në Fushë-Kosovë, kërcënoi një burrë pas një mosmarrëveshjeje

    Një grua është arrestuar në Fushë-Kosovë, pasi dyshohet se ka kanosur një burrë pas një mosmarrëveshjeje.

    Rasti ka ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 06:00, ndërsa të dyshuarit janë shtetase kosovare.

    Sipas raportit të policisë, pas arrestimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.

     “Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, për shkak se pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka kanosur viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Kandiq: Serbia po i fsheh faktet për krimet e luftës në Kosovë, BE-ja duhet të reagojë

    Kandiq: Serbia po i fsheh faktet për krimet e luftës në Kosovë, BE-ja duhet të reagojë

    Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka akuzuar Serbinë për heshtjen dhe shtrembërimin e fakteve gjyqësore mbi krimet e luftës në Kosovë dhe gjenocidin në Srebrenicë.

    Në një reagim në platformën X, Kandiq ka kritikuar mënyrën se si institucionet dhe shoqëria serbe trajtojnë të kaluarën, duke theksuar se vendimet e gjykatave po zëvendësohen me të ashtuquajturën “e vërteta e popullit”.

    Ajo iu referua deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, i cili kishte paralajmëruar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte bie ndesh me vlerat evropiane.

    Sipas Kandiqit, përfaqësuesi i BE-së duhej të ngrinte shqetësimin edhe për praktikën e heshtjes ndaj aktgjykimeve dhe fakteve të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare.

    Ajo ka vlerësuar se shtrembërimi i së kaluarës është veçanërisht i theksuar në rastin e gjenocidit në Srebrenicë dhe të viktimave të luftës në Kosovë.

    Kandiq ka theksuar se përballja me të kaluarën kërkon respektimin e vendimeve gjyqësore dhe ndërprerjen e praktikave që mohojnë ose relativizojnë krimet e dokumentuara.

    Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare ka rikujtuar se kjo organizatë posedon një bazë të gjerë të dhënash për viktimat e luftës në Kosovë, ku dokumentohet fati individual i tyre, pavarësisht përkatësisë etnike.

    Sipas saj, Fondi disponon dokumente gjyqësore, dëshmi të familjarëve dhe dëshmitarëve, si dhe video-incizime të dëshmive të dhëna para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

    Ajo ka vlerësuar se ky dokumentacion mund t’i shërbejë Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi, nëse institucioni vepron në mënyrë të pavarur dhe i mbështet hetimet në prova, e jo në udhëzime politike.

    “Pavarësia e gjyqësorit, për të cilën insiston BE-ja, duhet të shtrihet edhe në ndjekjen penale të krimeve të luftës”, ka deklaruar Kandiq.

    Kandiq i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të ofrojë mbështetje politike dhe financiare për përfshirjen e të rinjve në hulumtimin e luftërave të viteve 1990.

    Ajo ka theksuar se studentët dhe të diplomuarit duhet të kenë mundësi të shqyrtojnë dokumentet, të analizojnë dëshmitë dhe të nxjerrin përfundime të pavarura për ngjarjet e së kaluarës.

    Sipas saj, politikat e kujtesës po përdoren për thellimin e ndarjeve kombëtare, mohimin e krimeve dhe glorifikimin e autorëve të tyre.

    Kandiq ka vlerësuar se dokumentimi i pavarur dhe respektimi i fakteve gjyqësore janë të domosdoshëm për ndërtimin e një kulture të përgjegjshme të kujtesës dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit.

  • Irani i vendos ShBA-së shtatë kushte për negociata, refuzon bisedimet pa u plotësuar ato

    Irani i vendos ShBA-së shtatë kushte për negociata, refuzon bisedimet pa u plotësuar ato

    Irani i ka përcjellë Shteteve të Bashkuara, përmes Katarit, një propozim lidhur me programin e tij bërthamor, por ka bërë të qartë se është i gatshëm të diskutojë për këtë çështje vetëm pasi Uashingtoni t’i plotësojë shtatë kërkesat e Teheranit.

    Këtë e ka bërë të ditur një zyrtar i lartë iranian për agjencinë Reuters, duke shtuar se administrata amerikane është duke e shqyrtuar propozimin. Megjithatë, ai nuk dha detaje të tjera rreth përmbajtjes së dokumentit.

    Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, u pyet nëse e kishte parë propozimin iranian. Ai u përgjigj se Irani “nuk bën asgjë pa miratim” dhe se, çfarëdo që të jetë duke shqyrtuar Uashingtoni, Irani nuk do të ketë armë bërthamore.

    Ndërkohë, zyrtari më i lartë iranian për sigurinë, Mohsen Rezaei, gjatë një vizite në Rusi, konfirmoi se Teherani i ka paraqitur Uashingtonit shtatë kushte, shkruan reuters.

    “Sa i përket diplomacisë, amerikanëve ua kemi bërë të ditura shtatë kushtet tona. Derisa ato të plotësohen, nuk do ta hapim Ngushticën e Hormuzit dhe as nuk do të negociojmë”, deklaroi Rezaei.

    Ndër kërkesat e Iranit janë heqja e sanksioneve amerikane, lirimi i aseteve iraniane të ngrira dhe pagesa e dëmshpërblimeve të luftës.

    Nga ana tjetër, Uashingtoni insiston që çështjet bërthamore të jenë pjesë e të gjitha negociatave fillestare.

    Ndërmjetësuesit kanë intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Iranit dhe SHBA-së, nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet sërish pas zgjedhjeve për Kongresin amerikan.

    Trumpi nuk e përjashtoi mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake pas zgjedhjeve, ndërsa Irani ka paralajmëruar kundërpërgjigje më të gjerë nëse lufta vazhdon. /Telegrafi/

  • Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekës mblidhet sot, në rend dite miratimi i buxhetit

    Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekës mblidhet sot, në rend dite miratimi i buxhetit

    Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje pritet të mblidhet sot, nga ora 14:00.

    Në këtë mbledhje, anëtarët e Komisionit pritet të shqyrtojnë dhe miratojnë buxhetin për funksionimin e tij.

    Arlinda Zeka u vra në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi kishte bërë denoncimin e fundit në Policinë e Kosovës për dhunë në familje.

    Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se u vra me një mjet të fortë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan.

    Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe protesta të përditshme në kryeqytet, ku qytetarët kanë kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa më të forta për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje.

  • Pas shtyrjes për shkak të mungesës së uniformave, sot diplomon gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës

    Pas shtyrjes për shkak të mungesës së uniformave, sot diplomon gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës

    Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës pritet të mbahet sot, nga ora 16:00, pasi janë siguruar uniformat për pjesëtarët e rinj.

    Kjo gjeneratë ishte paraparë të diplomonte më 30 tetor, por ceremonia ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave.

    Tashmë uniformat janë siguruar dhe rreth 400 pjesëtarë të rinj pritet të diplomojnë gjatë pasdites së sotme.

    Mungesa e uniformave, si dhe dyshimet për mungesë të armëve për policët e rinj, kishin nxitur reagime dhe vëmendje të madhe publike.

    Sipas gazetarit Reçica, problemet që çuan në këtë situatë erdhën si pasojë e vështirësive në procesin e prokurimit.

    Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e shefit të prokurimit të Policisë së Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

  • Blerjet online nën llupën e shtetit, mbi 24 inspektime dhe parregullsi në Kosovë

    Blerjet online nën llupën e shtetit, mbi 24 inspektime dhe parregullsi në Kosovë

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet ndaj bizneseve që operojnë online në Kosovë, me fokus të veçantë në produktet që janë në transport drejt konsumatorëve.

    Sipas njoftimit të IQMT-së, inspektimet po realizohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

    Përmes 10 ekipeve inspektuese, deri më tani janë realizuar mbi 24 inspektime në shërbimet postare në të gjithë territorin e vendit.

    Gjatë kontrolleve janë evidentuar raste kur produktet nuk posedonin kupon fiskal, si dhe raste kur mungonte deklaracioni i prejardhjes së produktit dhe dokumentacioni përcjellës.

    IQMT ka bërë të ditur se subjekteve përkatëse u është dhënë afat për të prezantuar dokumentacionin e nevojshëm. Në të kundërtën, ndaj tyre do të ndërmerren masa ligjore, përfshirë sekuestrimin e produkteve dhe shqiptimin e gjobave.

    Aksioni përfshin edhe inspektimin e faqeve online të bizneseve, reklamave të produkteve dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve.

    Kontrollet janë shtrirë edhe në komunat e rajonit të Dukagjinit, përfshirë Klinën, Istogun, Deçanin, Junikun, Rahovecin, Malishevën, Suharekën dhe Dragashin.

    IQMT ka theksuar se këto aktivitete synojnë forcimin e mbikëqyrjes së tregut, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në vend.

  • Alija: Grupi Punues s’do të ketë asnjë efekt në Apel – Ligji për Specialen nuk i liron ish krerët e UÇK-së

    Alija: Grupi Punues s’do të ketë asnjë efekt në Apel – Ligji për Specialen nuk i liron ish krerët e UÇK-së

    Avokati Amer Alija ka thënë se Grupi Punues s’do të ketë asnjë efekt në vendimin në Apel.

    Po ashtu, në emision Compass me Ilir Berishën, ai ka thënë se populli mendon se me Ligjin për Specialen ish krerët e UÇK-së do të lirohen, por që kjo nuk do të ndodhë përmes atij ligji.

    Ai ka theksuar se ligji mund të shpallet antikushtetues nga dhoma kushtetuese në gjykatën speciale.

  • Sopi kritika për Ligjin për Specialen: Është bërë hajgare, jemi në mjegull çka do të bëhet me të

    Sopi kritika për Ligjin për Specialen: Është bërë hajgare, jemi në mjegull çka do të bëhet me të

    Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL e UÇK-së, ka thënë se janë në mjegull sa i përket Ligjit për Specialen, i cili është kthyer në Kuvend me kërkesë të PDK-së.

    Ai ka thënë se nuk kanë asnjë informatë se çka do të bëhet tutje me të.

    Po ashtu, ai theksoi se është bërë hajgare me këtë ligj.

  • Komuna e Prishtinës arrin marrëveshje me punëtorët teknikë, greva pritet të përfundojë javën e ardhshme

    Komuna e Prishtinës arrin marrëveshje me punëtorët teknikë, greva pritet të përfundojë javën e ardhshme

    Kryeqyteti ka arritur marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve teknikë që kanë qenë në grevë, ndërsa rikthimi i tyre në punë pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme.

    Përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve dhe prindërve, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur se veprimet e nevojshme administrative janë ndërmarrë dhe se pagesat e para për punëtorët janë realizuar të enjten.

    “Pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën”, thuhet në njoftimin e Komunës.

    Ndërkohë, deri në rikthimin e punëtorëve teknikë, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohet nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.

    “Deri në rikthimin e punëtorëve teknik, duke filluar nga sot, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja ‘Pastrimi’”, thuhet në njoftim.

    Komuna ka bërë të ditur se Drejtoria e Arsimit do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, me qëllim të sigurimit të kushteve të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.

    Po ashtu, në njoftim theksohet se shqetësimet e prindërve për higjienën në shkolla janë edhe shqetësime të institucioneve komunale.

    “Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë. Presim që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, ndërsa çdo situatë që cenon kushtet higjieno-sanitare do të trajtohet me përgjegjësi dhe me masat e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit.

    Në fund, Komuna ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në tejkalimin e kësaj situate.