ATV

Category: Lajme

  • Afërdita Bytyqi zgjidhet zëvendëskryesuese e KGJK-së – fiton përballë Artan Abazit me vetëm një votë diferencë

    Afërdita Bytyqi zgjidhet zëvendëskryesuese e KGJK-së – fiton përballë Artan Abazit me vetëm një votë diferencë

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka zgjedhur sot Afërdita Bytyqin në pozitën e zëvendëskryesueses së KGJK-së, pas një gare të ngushtë me anëtarin tjetër të Këshillit, Artan Abazi.

    Bytyqi, e cila është gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe anëtare e KGJK-së, ka marrë besimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit në votimin e zhvilluar në mbledhjen e së enjtes.

    Në votim kanë marrë pjesë 11 anëtarë, ndërsa rezultati ka qenë tejet i ngushtë: gjashtë vota për Afërdita Bytyqin dhe pesë për kundërkandidatin e saj, Artan Abazi.

    Me këtë rezultat, Bytyqi është zgjedhur zëvendëskryesuese e organit më të lartë përgjegjës për administrimin e sistemit gjyqësor në vend.

    Mandati i saj në këtë pozitë nis sot, më 27 gusht 2026, dhe do të zgjasë tri vjet.

    Pas zgjedhjes, Bytyqi ka falënderuar anëtarët e Këshillit për besimin e dhënë dhe është zotuar për bashkëpunim dhe angazhim në avancimin e sistemit të drejtësisë, me fokus edhe në rritjen e transparencës së KGJK-së.

    Gara mes Bytyqit dhe Abazit për këtë pozitë ishte hapur më herët, ndërsa zgjedhja e zëvendëskryesuesit ishte diskutuar edhe në mbledhjen e KGJK-së të mbajtur në korrik. Atëkohë, pasi ishte propozuar që votimi të futej si pikë shtesë e rendit të ditës, propozimi ishte tërhequr.

    Pas votimit të sotëm, Afërdita Bytyqi merr zyrtarisht detyrën e zëvendëskryesueses së KGJK-së për tre vjetët e ardhshëm.

  • Dhunimi i një burri nga tre të tjerë, Prokuroria jep detaje: Ndodhi në Burgun e Dubravës

    Dhunimi i një burri nga tre të tjerë, Prokuroria jep detaje: Ndodhi në Burgun e Dubravës

    Rasti i rëndë i dhunimit seksual i cili u raportua sot nga Policia e Kosoovës ka ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    Sipas tij, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për këtë rast.

    Dhunohet seksualisht një person nga tre të tjerë në Istog, rasti po hetohet.

  • Istog: Një burrë dyshohet se u dhunua seksualisht nga tre të tjerë

    Istog: Një burrë dyshohet se u dhunua seksualisht nga tre të tjerë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të rëndë të dyshuar të dhunimit seksual në Istog.

    Sipas informacioneve të Policisë, një burrë ka deklaruar se tre të tjerë, fillimisht kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe më pas dyshohet se e kanë dhunuar seksualisht.

    Viktima ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës.

    Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa me urdhër të tij rasti është duke u hetuar nga autoritetet.

  • Bie pak çmimi i naftës, kaq kushton sot

    Bie pak çmimi i naftës, kaq kushton sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës për ditën e enjte.

    Sipas njoftimit të ministrisë, çmimi i naftës do të jetë 1.76 euro për litër, ndërsa benzina do të kushtojë 1.53 euro për litër.

    Ndërkohë, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.63 euro për litër.

  • Njësia A3 e KEK-ut rikthehet në operim: Në këtë fazë mund të ketë emetim më të theksuar të tymit

    Njësia A3 e KEK-ut rikthehet në operim: Në këtë fazë mund të ketë emetim më të theksuar të tymit

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se njësia A3 ka filluar startimin dhe së shpejti do të sinkronizohet me rrjetin elektroenergjetik, pas sanimeve të suksesshme.

    KEK sqaroi se gjatë kësaj faze “mund të ketë emetim më të theksuar të tymit për disa orë,” duke e cilësuar këtë si “dukuri e përkohshme.”

    Korporata kërkoi “mirëkuptimin e Komunës së Obiliqit dhe të qytetarëve” gjatë periudhës së shkurtër të startimit, duke falënderuar publikun paraprakisht.

  • Autoritetet nepaleze: 33 shtetas britanikë të zhdukur pas përmbytjeve

    Autoritetet nepaleze: 33 shtetas britanikë të zhdukur pas përmbytjeve

    33 persona nga Britania e Madhe janë në mesin e qindra personave që dyshohet se rezultojnë të zhdukur pas një përmbytjeje vdekjeprurëse në kufirin Nepal-Tibet.

    Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut goditën rajonin Rasuwa të mërkurën në mëngjes, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 157 personave në Nepal dhe tre të tjerëve në Tibet, sipas mediave shtetërore kineze, shkruan BBC.

    Policia e Nepalit tha se 579 turistë rezultojnë të zhdukur, përfshirë 466 shtetas të huaj nga 28 vende të ndryshme.

    Kryeministri Andy Burnham tha se është në kontakt me autoritetet lokale dhe se “do të bëjmë gjithçka që mundemi” për të mbështetur shtetasit britanikë të prekur.

    Ai u bëri thirrje personave që ndodhen në atë zonë “të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe këshillat tona për udhëtimet”.

    Sipas policisë së Nepalit, 113 nga turistët e zhdukur janë shtetas nepalezë, ndërsa 54 janë nga Shtetet e Bashkuara.

  • Vrasja e 80-vjeçares në Prizren, Haxhiu: Mjaft më me vrasjen dhe dhunën ndaj grave

    Vrasja e 80-vjeçares në Prizren, Haxhiu: Mjaft më me vrasjen dhe dhunën ndaj grave

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje 80-vjeçare në Prizren, duke kërkuar hetim të plotë dhe të shpejtë të rastit.

    Haxhiu ka thënë se vrasja e gruas së moshuar nuk mund të trajtohet si rast i izoluar, duke marrë parasysh se vetëm dy ditë më parë një tjetër grua ishte vrarë.

    “Më tronditi lajmi për vrasjen e një gruaje 80-vjeçare në Prizren. Vetëm dy ditë më parë, një tjetër grua u vra, ndaj këto nuk mund të trajtohen si raste të izoluara”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë rastet deri në fund dhe që autorët të marrin dënimin më të ashpër të paraparë me ligj.

    “Çdo rast duhet të zbardhet deri në fund, por po aq e rëndësishme është që dhuna të njihet dhe të ndalet para se të përfundojë në vrasje”, është shprehur ajo.

    Haxhiu ka kërkuar gjithashtu nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre.

    Në fund, ajo i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës. /Telegrafi/

  • Takimi Kurti-Abdixhiku sot në ora 18:00, a do të ketë marrëveshje për Presidentin?

    Takimi Kurti-Abdixhiku sot në ora 18:00, a do të ketë marrëveshje për Presidentin?

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do të takohen sot në orën 18:00 për të vazhduar bisedimet lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës.

    Siç mësohet takimi pritet të fokusohet në gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

    Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Abdixhiku do të shoqërohet nga ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari Lutfi Haziri, kurse Kurti do të shoqërohet nga nënkryetarja Arbërie Nagavci dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

    Për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ka folur edhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca.

    Në një prononcim për gazetarë të mërkurën, Konjufca ka thënë se ekzistojnë gjasa që takimi i radhës ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut të përfundojë me marrëveshje për Presidentin e ri të Kosovës.

    Takimi i sotëm vjen në kuadër të përpjekjeve për të arritur konsensus politik për zgjedhjen e kreut të ri të Republikës.

    Kujtojmë se të martën e javës së kaluar, Kurti dhe Abdixhiku u takuan në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.

    Pas takimit, të dy thanë se diskutimin do ta bartin edhe brenda subjekteve që udhëheqin./Telegrafi/

  • Aktakuza ndaj Shehollit për spiunazh, OVL-UÇK: Të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare

    Aktakuza ndaj Shehollit për spiunazh, OVL-UÇK: Të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet vetëm si çështje e përgjegjësisë individuale, por të konsiderohet edhe në aspektin e sigurisë kombëtare të Kosovës.

    OVL e UÇK-së ka theksuar se respekton prezumimin e pafajësisë dhe se fajësia mund të vërtetohet vetëm përmes një procesi gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent.

    Megjithatë, sipas organizatës, akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e pretenduar me BIA-n e Serbisë, kërkojnë nga institucionet që të hetojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe rrugë të mundshme të përcjelljes së materialeve të ndjeshme.

    “Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim”, thuhet në reagim.

    OVL e UÇK-së vlerëson se Kosova nuk duhet të tolerojë struktura të fshehta që grumbullojnë informacione, formësojnë narrativa apo u shërbejnë interesave të huaja kundër sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

    Po ashtu, organizata ka kërkuar nga institucionet që të verifikojnë nëse shërbimet inteligjente armike kanë mbledhur, përcjellë apo shfrytëzuar materiale që lidhen me luftën çlirimtare të UÇK-së.

    Sipas OVL e UÇK-së, kjo kërkesë nuk synon ta barazojë aktakuzën ndaj Shehollit me proceset që zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara, por kërkon qartësi mbi origjinën, përcjelljen, kontekstin dhe përdorimin e materialeve që mund të kenë pasoja politike, institucionale apo gjyqësore.

    “Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999”, thuhet më tej, duke theksuar se kjo betejë vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të historisë.

    Në fund, OVL e UÇK-së ka kërkuar që institucionet e drejtësisë dhe sigurisë t’i ndjekin provat kudo që të çojnë.

    “Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt”, thuhet në reagim.

  • Samiti per IA dhe Teknologji 2026

    Samiti per IA dhe Teknologji 2026

    Shkruar nga:

    Dr. Sc. Blerim Olluri

    Prof. Ass. Dr. Venera Llunji

    Kolegji AAB organizon dialog ndërkombëtar mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale, teknologjisë dhe shoqërisë

    Në një kohë kur inteligjenca artificiale po transformon mënyrën se si shoqëritë mësojnë, punojnë, qeverisin, komunikojnë dhe ofrojnë risi, Kolegji AAB në Prishtinë do të organizojë AI & Tech Summit 2026, më 3 dhe 4 shtator duke bashkuar një komunitet ndërkombëtar akademikësh, përfaqësuesish qeveritarë, profesionistësh të teknologjisë, studiuesish, liderësh të industrisë, sipërmarrësish dhe inovatorëve për të shqyrtuar një nga transformimet përcaktuese të kohës sonë.

    Nën temën “Formësimi i së Ardhmes së Inteligjencës Artificiale, Transformimit Digjital dhe Teknologjive në Zhvillim”, Samiti do të krijojë një platformë ndërkombëtare që lidh akademinë, qeverinë, industrinë dhe inovacionin rreth mundësive dhe përgjegjësive që sjell zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe i teknologjive në zhvillim.

    Kjo ngjarje vjen në një moment vendimtar. Inteligjenca artificiale po lëviz me shpejtësi nga sfera e eksperimentimit teknologjik në jetën e përditshme, duke transformuar arsimin, administratën publike, biznesin, kërkimin, sigurinë kibernetike, tregjet e punës dhe ekonominë globale. IA gjeneruese, mësimi automatik, automatizimi inteligjent, modelet e mëdha gjuhësore, analizat e përparuara dhe sistemet inteligjente në zhvillim po krijojnë mundësi të papara për inovacion, ndërsa njëkohësisht po sfidojnë institucionet të rishqyrtojnë mënyrën se si krijohet njohuria, si merren vendimet dhe si përgatiten shoqëritë për të ardhmen.

    AI & Tech Summit 2026 (Samiti i IA dhe Teknologjisë 2026) do t’i përgjigjet këtij transformimi me një perspektivë të qartë ndërkombëtare dhe ndërdisiplinore. Në vend që ta shohë inteligjencën artificiale thjesht si një zhvillim teknologjik, gjatë Samitit IA do të eksplorohet si një transformim i thellë shoqëror, arsimor, ekonomik dhe institucional, një transformim që kërkon bashkëpunim midis disiplinave dhe kufijve.

    Premisa qendrore e Samitit është se përparimi teknologjik nuk mund të ndahet nga përgjegjësia njerëzore. E ardhmja e inteligjencës artificiale nuk do të varet vetëm nga sofistikimi i algoritmeve dhe infrastrukturës digjitale, por edhe nga cilësia e arsimit, fuqia e institucioneve, parimet që udhëheqin inovacionin dhe aftësia e shoqërive për të siguruar që teknologjia t’u shërbejë njerëzve.

    Kjo qasje e vendos arsimin e lartë në qendër të debatit.

    Institucionet akademike po hyjnë në një periudhë ndryshimesh thelbësore, ndërsa inteligjenca artificiale po riformëson mësimdhënien, të nxënit, kërkimin shkencor, vlerësimin dhe praktikën akademike. Institucioneve gjithnjë e më shumë u kërkohet jo vetëm t’i përgatisin studentët për përdorimin e teknologjive të reja, por edhe t’i pajisin ata me aftësinë për t’i kuptuar, vlerësuar dhe zhvilluar ato në mënyrë të përgjegjshme. Të diplomuarit e së ardhmes do të kenë nevojë për një ndërthurje të njohurive teknologjike, mendimit kritik, krijimtarisë, aftësive komunikuese, arsyetimit etik, përshtatshmërisë dhe njohurive ndërdisiplinore.

    AI & Tech Summit 2026 do të kontribuojë në debatin ndërkombëtar gjithnjë e më të gjerë mbi universitetin e së ardhmes dhe marrëdhënien në ndryshim ndërmjet inteligjencës njerëzore dhe inteligjencës së makinerive. Samiti do të shqyrtojë mënyrën se si institucionet mund t’i përgjigjen përhapjes së shpejtë të inteligjencës artificiale gjeneruese, duke mbrojtur njëkohësisht integritetin akademik, nxitur krijimtarinë, forcuar shkrim-leximin digjital dhe siguruar që teknologjia ta pasurojë, e jo ta zbehë, dimensionin njerëzor të arsimit.

    Roli i inteligjencës artificiale në arsimin e lartë do të trajtohet gjithashtu në ndërthurje me zhvillimet në kërkimin shkencor në fushën e IA-së. Ekspertët do të shqyrtojnë zhvillimin e modeleve të besueshme të inteligjencës artificiale dhe sfidën e kalimit nga të dhënat te vendimet e besueshme, duke analizuar njëkohësisht mënyrën se si universitetet dhe studiuesit mund të kontribuojnë në zhvillimin e përgjegjshëm të teknologjive inteligjente. Diskutimi do të nënvizojë se e ardhmja e inteligjencës artificiale nuk varet vetëm nga kapaciteti teknologjik, por edhe nga cilësia, besueshmëria dhe përgjegjshmëria e sistemeve që po zhvillohen.

    Samiti do t’i kushtojë gjithashtu rëndësi të veçantë marrëdhënies ndërmjet inteligjencës artificiale dhe politikave publike. Ndërsa qeveritë po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë mundësitë e përdorimit të IA-së në shërbimet publike dhe administratën digjitale, çështjet e qeverisjes, sigurisë kibernetike, privatësisë, transparencës, llogaridhënies dhe besimit të publikut po bëhen gjithnjë e më thelbësore për zhvillimin teknologjik. Inteligjenca artificiale nuk mund të integrohet në institucionet publike pa i marrë parasysh ndikimet e saj më të gjera te qytetarët dhe shoqëritë demokratike.

    Një dimension i rëndësishëm i këtij diskutimi do të jetë marrëdhënia në zhvillim ndërmjet rregullimit të IA-së dhe inovacionit. Derisa qeveritë dhe institucionet përpiqen të krijojnë korniza të përshtatshme për teknologjitë që zhvillohen me ritme të shpejta, shoqëritë përballen me një pyetje themelore: a duhet rregullimi të shihet si pengesë ndaj inovacionit, apo si një kornizë normative dhe e domosdoshme për të siguruar që inovacioni të zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme? AI & Tech Summit 2026 do të shqyrtojë këtë ekuilibër ndërmjet përparimit teknologjik, konkurrueshmërisë ekonomike, interesit publik, të drejtave themelore dhe qeverisjes së përgjegjshme.

    Për Kosovën, ky diskutim ka një rëndësi të veçantë. Vendi po kalon një periudhë të rëndësishme të transformimit digjital, me përpjekje për modernizimin e administratës publike, forcimin e shërbimeve digjitale, përmirësimin e ndërveprueshmërisë dhe zhvillimin e qasjeve më të integruara dhe më të orientuara drejt qytetarit në qeverisje. AI & Tech Summit 2026 do të krijojë një hapësirë ku agjenda digjitale në zhvillim e Kosovës mund të ndërlidhet me ekspertizën akademike ndërkombëtare, inovacionin teknologjik dhe zhvillimet më të gjera evropiane dhe globale.

    Karakteri ndërkombëtar i Samitit do të pasqyrohet në pjesëmarrjen e ekspertëve dhe institucioneve nga Kosova, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli, Hungaria, Turqia, si dhe nga organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Programi do të bashkojë akademikë, studiues dhe profesionistë të shquar të teknologjisë, me ekspertizë në fusha si inteligjenca artificiale, arsimi i lartë, biznesi, siguria kibernetike, teknologjitë në zhvillim dhe inovacioni digjital.

    Ndër kontribuuesit akademikë ndërkombëtarë do të jenë Prof. Dr. Karsten Low nga Schmalkalden University,  Gjermani; Prof. Dr. Naim Bajcinca nga Rheinland-Pfälzische Technische Universität Kaiserslautern-Landau, Gjermani; Prof. Dr. Arnon Hershkovitz nga Tel Aviv University, Izrael; Prof. Dr. Faruk Bulut nga the University of Essex, Colchester, Angli; Prof. Dr. Vas Gyorgy nga Károli Gáspár University of the Reformed Church,  Hungari; Prof. Dr. Murat Gök nga Yalova University, Turqi; dhe Doç. Dr. Muhammed Kürşad Uçar nga Sakarya University, Turqi.

    Perspektiva e teknologjisë dhe industrisë do të forcohet më tej nga z. Fatos Ismali, krye-arkitekt i Inteligjencës Artificiale në Microsoft, Mbretëria e Bashkuar, i cili do të sjellë këndvështrimin e industrisë mbi zhvillimin dhe zbatimin praktik të inteligjencës artificiale. Esmeralda Kazia, Cybersecurity Woman of the World 2026 dhe Drejtoreshë e Teknologjisë në KESH sh.a do të sjellë ekspertizën e saj në fushën e sigurisë kibernetike, infrastrukturës kritike dhe qëndrueshmërisë kombëtare në epokën e inteligjencës artificiale.

    Samiti do të mbledhë gjithashtu përfaqësues të nivelit të lartë të institucioneve publike të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Sh.T. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, Sh.S. Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Sh.T. Hajrulla Çeku, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe Sh.T. Lulëzon Jagxhiu,  Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Pjesëmarrja e tyre pasqyron synimin më të gjerë të Samitit për të ndërlidhur zhvillimin teknologjik me politikat publike, zhvillimin ekonomik, arsimin, inovacionin dhe agjendën më të gjerë të transformimit të Kosovës.

    Së bashku, këto perspektiva do të trajtojnë disa nga çështjet më të rëndësishme që po shfaqen si pasojë e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale. Diskutimet do të përqendrohen në marrëdhënien ndërmjet inteligjencës artificiale, investimeve dhe së ardhmes së ekonomisë digjitale, sfidat dhe mundësitë që revolucioni i inteligjencës artificiale paraqet për industrinë dhe akademinë, si dhe rolin në zhvillim të inteligjencës artificiale në politikat publike. Samiti do të trajtojë gjithashtu sfidat etike të inteligjencës artificiale, përfshirë çështjet e transparencës, llogaridhënies, besimit, privatësisë, përgjegjësisë njerëzore dhe kufijve të përshtatshëm për zhvillimin dhe përdorimin e sistemeve inteligjente.

    Dimensionet teknike dhe kërkimore të inteligjencës artificiale do të trajtohen krahas këtyre çështjeve më të gjera institucionale. Ekspertët do të shqyrtojnë zhvillimin e modeleve të besueshme të inteligjencës artificiale dhe kalimin nga të dhënat te vendimmarrja e besueshme, si dhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të inteligjencës artificiale në arsimin e lartë. Diskutimet do të trajtojnë mënyrën se si universitetet po përshtaten me inteligjencën artificiale dhe se si kjo teknologji po ndryshon mësimdhënien, të nxënit, kërkimin shkencor, vlerësimin dhe praktikën akademike.

    Samiti do të trajtojë gjithashtu marrëdhënien që po evoluon me shpejtësi ndërmjet inteligjencës artificiale dhe sipërmarrjes. Inteligjenca artificiale po ndryshon modelet e biznesit, po krijon mundësi të reja për ndërmarrjet e reja dhe po ndikon në investime, vlerësimin e kompanive dhe financimin e tyre. Zbatimet praktike të inteligjencës artificiale në biznes do të shqyrtohen krahas çështjeve më të gjera që lidhen me mënyrën se si kompanitë e teknologjive në zhvillim mund të zhvillohen, zgjerohen dhe të konkurrojnë në tregje gjithnjë e më të orientuara nga inteligjenca artificiale.

    Marrëdhënia ndërmjet inteligjencës artificiale dhe financimit të ndërmarrjeve të reja do të jetë veçanërisht e rëndësishme për ekonominë digjitale në zhvillim. Ndërsa inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si kompanitë krijojnë vlerë, investitorët dhe sipërmarrësit po rishqyrtojnë gjithashtu mënyrën se si kompanitë e teknologjisë duhet të vlerësohen, financohen dhe zhvillohen. Këto çështje janë veçanërisht të rëndësishme për ekosistemet teknologjike në zhvillim që synojnë të ndërlidhin talentin dhe inovacionin vendor me kapitalin dhe tregjet ndërkombëtare.

    Në të njëjtën kohë, Samiti do të shqyrtojë zhvillimin e sistemeve inteligjente gjithnjë e më autonome dhe agjentëve të inteligjencës artificiale. Ndërsa inteligjenca artificiale po kalon përtej aplikacioneve tradicionale softuerike drejt sistemeve të afta për të bashkëvepruar, për t’u përshtatur dhe për të kryer detyra gjithnjë e më komplekse, nevojiten qasje të reja për vlerësimin e performancës së tyre. Diskutimet do të trajtojnë mënyrën se si agjentët e inteligjencës artificiale mund të vlerësohen jo vetëm në bazë të rezultateve përfundimtare, por edhe të proceseve përmes të cilave ata arsyetojnë, bashkëveprojnë, përshtaten dhe kryejnë detyrat.

    Rregullimi i inteligjencës artificiale do të përbëjë një tjetër dimension të rëndësishëm të diskutimit ndërkombëtar. Ndërsa qeveritë synojnë të krijojnë korniza të përshtatshme për teknologjitë që po zhvillohen me shpejtësi, po shfaqet një pyetje themelore: a duhet parë rregullimi kryesisht si një pengesë e mundshme ndaj inovacionit, apo si një kornizë e nevojshme normative që garanton zhvillimin e përgjegjshëm të inovacionit? Samiti do të shqyrtojë këtë ekuilibër ndërmjet lirisë teknologjike, konkurrueshmërisë ekonomike, interesit publik dhe qeverisjes së përgjegjshme.

    Një nga momentet veçanërisht të rëndësishme të Samitit do të jetë nderimi nga Kolegji AAB me titullin Doctor Honoris Causa,  Sh.T. Rudolf Scharping.

    Si Ministër Federal i Mbrojtjes i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2002, Scharping luajti një rol të drejtpërdrejtë në përgjigjen e Gjermanisë ndaj krizës në Kosovë dhe në kontributin e saj në përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen dhe ruajtjen e sigurisë në Kosovë. Nderimi i tij e lidh Samitin me historinë e afërt të Kosovës, ndërsa njëkohësisht nxjerr në pah dimensionin më të gjerë evropian të sigurisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimit të institucioneve.

    Prania e një game kaq të gjerë dhe të larmishme aktorësh pasqyron thelbin e Samitit se e ardhmja e teknologjisë nuk mund të ndërtohet nga një sektor i vetëm. Studiuesit gjenerojnë njohuri të reja, universitetet përgatisin dhe zhvillojnë talentet, qeveritë hartojnë politika dhe krijojnë kornizat e nevojshme publike, industria i shndërron idetë në produkte dhe shërbime, ndërsa sipërmarrësit i kthejnë mundësitë e reja teknologjike në vlera dhe mundësi të reja ekonomike. Bashkëveprimi ndërmjet tyre është thelbësor që inovacioni teknologjik të sjellë rezultate dhe ndikim të qëndrueshëm.

    Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ekonominë digjitale në zhvillim.

    Inteligjenca artificiale tashmë po ndryshon në mënyrë të ndjeshme peizazhin global të investimeve, duke krijuar industri të reja dhe duke transformuar njëkohësisht sektorë dhe industri tashmë të konsoliduara. Për vende si Kosova dhe për rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor, revolucioni i inteligjencës artificiale paraqet një mundësi të rëndësishme për të përshpejtuar inovacionin, për të zhvilluar një fuqi punëtore me aftësi konkurruese në tregun ndërkombëtar, për të nxitur sipërmarrjen dhe për t’i lidhur bizneset vendore me tregjet globale. Megjithatë, shfrytëzimi i plotë i këtij potenciali kërkon investime të qëndrueshme në arsim, kërkim shkencor, infrastrukturë, siguri kibernetike, qeverisje digjitale dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

    AI & Tech Summit 2026 do t’i bashkojë këto dimensione përmes prezantimeve akademike, fjalimeve kryesore, punëtorive praktike, ekspozitave dhe diskutimeve me përfaqësues të industrisë, investimeve, sipërmarrjes dhe politikëbërjes publike. Programi është konceptuar jo vetëm për të nxitur shkëmbimin e ideve, por edhe për të mundësuar bashkëpunim praktik, transferim të njohurive dhe krijimin e partneriteteve të reja.

    Një nga temat qendrore të Samitit do të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe industrisë.

    Teknologjitë që do të formësojnë dekadën e ardhshme nuk mund të zhvillohen me sukses në mënyrë të izoluar. Institucionet akademike sjellin kërkimin shkencor, dijen, mendimin kritik dhe kapitalin njerëzor, ndërsa industria ofron infrastrukturën teknologjike, njohjen e tregut, kapacitetet për zbatim dhe përvojën praktike. Ndërthurja e këtyre kapaciteteve krijon mundësi për kërkime të përbashkëta, laboratorë inovacioni, projekte të aplikuara, praktika profesionale, transferim të teknologjisë, sipërmarrje, zhvillim profesional dhe rrjete ndërkombëtare të kërkimit shkencor.

    Samiti do të trajtojë gjithashtu dimensionin etik të përparimit teknologjik. Inteligjenca artificiale ofron mundësi të jashtëzakonshme, por zhvillimi i saj ngre një sërë çështjesh komplekse që lidhen me privatësinë, paragjykimet algoritmike, diskriminimin, mbikëqyrjen, dezinformimin, pronësinë intelektuale, integritetin akademik, transparencën, llogaridhënien dhe autonominë njerëzore. AI & Tech Summit 2026 do t’u qaset këtyre sfidave nga një perspektivë të ekuilibruar, të mbështetur në dëshmi dhe të orientuar drejt njeriut, duke theksuar se parimet etike duhet të jenë pjesë e vetë procesit të zhvillimit teknologjik dhe jo të trajtohen vetëm pasi sistemet e reja të jenë krijuar.

    Siguria kibernetike do të jetë një shtyllë tjetër e rëndësishme e këtij diskutimi. Ndërsa shoqëritë po bëhen gjithnjë e më të varura nga sistemet digjitale, siguria dhe qëndrueshmëria e tyre po bëhen thelbësore për zhvillimin ekonomik, besimin e publikut dhe stabilitetin institucional. Prandaj, transformimi digjital nuk mund të ndahet nga siguria kibernetike, mbrojtja e privatësisë dhe qeverisja e përgjegjshme e të dhënave.

    Samiti do të trajtojë kalimin nga përballja me krizat kibernetike drejt qëndrueshmërisë kombëtare, me vëmendje të veçantë te mbrojtja e infrastrukturës kritike në epokën e inteligjencës artificiale dhe përballë kërcënimeve digjitale gjithnjë e më të sofistikuara. Kjo qasje e ndërlidh sigurinë kibernetike jo vetëm me mbrojtjen teknike, por edhe me përgatitjen kombëtare, qëndrueshmërinë institucionale, sigurinë e infrastrukturës, qeverisjen e përgjegjshme të të dhënave dhe mbrojtjen e shërbimeve thelbësore.

    Shtatë fushat e ndërlidhura të fokusit të Samitit, inteligjenca artificiale, inovacioni digjital, siguria kibernetike, teknologjia në arsim, sipërmarrja, aftësitë e së ardhmes dhe zgjidhjet e mençura, pasqyrojnë bindjen se transformimi teknologjik nuk po zhvillohet në sektorë të veçuar.

    Secili prej këtyre dimensioneve ndikon dhe ndërvepron me të tjerët, ndaj përparimi i mirëfilltë dhe i qëndrueshëm kërkon që ato të trajtohen së bashku, si pjesë të një tërësie të ndërlidhur.

    Kjo qasje ndërdisiplinore përbën thelbin e identitetit të Samitit.

    Inteligjenca artificiale nuk mund të kuptohet vetëm përmes shkencave kompjuterike. Transformimi digjital nuk mund të realizohet vetëm përmes teknologjisë. Siguria kibernetike nuk mund të shkëputet nga qeverisja. E ardhmja e punës nuk mund të trajtohet pa marrë parasysh arsimin. Ndërsa inovacioni nuk mund të gjenerojë vlerë të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore pa sipërmarrjen, investimet dhe politikat publike të përgjegjshme.

    Prandaj, Samiti synon të vendosë në një tryezë të përbashkët aktorë dhe komunitete të ndryshme: studiuesin dhe politikëbërësin, profesorin dhe sipërmarrësin, zyrtarin qeveritar dhe arkitektin e teknologjisë, studentin dhe drejtuesin e industrisë.

    Për Kolegjin AAB, organizimi i këtij Samiti përfaqëson një angazhim më të gjerë ndaj rolit që arsimi i lartë bashkëkohor duhet të luajë në shoqëri. Sot, institucioneve të arsimit të lartë u kërkohet gjithnjë e më shumë të jenë jo vetëm qendra të mësimdhënies, por edhe hapësira ku krijohet dija, nxitet inovacioni dhe sipërmarrja, zhvillohet bashkëpunimi ndërkombëtar dhe promovohet një dialog publik i informuar.

    Përmes krijimit të një platforme ku studiues ndërkombëtarë, politikëbërës, profesionistë të teknologjisë, sipërmarrës dhe studentë mund të takohen dhe të bashkëpunojnë, Kolegji AAB synon të forcojë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe komunitetit më të gjerë akademik dhe teknologjik ndërkombëtar. Samiti synon t’u ofrojë studiuesve të rinj dhe studentëve qasje të drejtpërdrejtë në ekspertizën ndërkombëtare, duke krijuar njëkohësisht mundësi që institucionet dhe profesionistët të ndërtojnë forma të reja bashkëpunimi.

    Po aq domethënëse është edhe zgjedhja e Prishtinës si vendi ku do të zhvillohet Samiti.

    Ballkani Perëndimor po përjeton një transformim të shpejtë teknologjik dhe ekonomik, ndërsa njëkohësisht po përballet me procesin e integrimit evropian, ndryshimet demografike dhe shfaqjen e sektorëve të rinj teknologjikë. Inteligjenca artificiale i ofron rajonit një mundësi të rëndësishme për të përshpejtuar zhvillimin dhe për të marrë një rol më aktiv në ekonominë digjitale globale.

    AI & Tech Summit 2026 synon të dëshmojë se ky rol nuk duhet të jetë pasiv.

    Ballkani Perëndimor mund të jetë kontribuues aktiv në ekosistemin global të inteligjencës artificiale. Universitetet e tij mund të prodhojnë kërkime shkencore dhe të zhvillojnë talente të reja. Sipërmarrësit mund të krijojnë zgjidhje të reja. Qeveritë mund të ndërtojnë institucione moderne digjitale. Bizneset mund të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare.

    Dhe brezi i ri mund të bëhet një burim i rëndësishëm i inovacionit në ekonominë teknologjike në zhvillim.

    Kjo e bën Samitin shumë më tepër se një ngjarje ndërkombëtare që zhvillohet në Kosovë. Ai përfaqëson një mundësi për ta lidhur rajonin me rrjetet më të gjera ndërkombëtare dhe për ta pozicionuar Prishtinën si një pikë takimi ku ekspertiza globale ndërthuret me ambiciet dhe potencialin e rajonit.

    Dimensioni praktik i Samitit do ta përforcojë më tej këtë ambicie. Ndërmarrjet e reja, inovatorët dhe kompanitë e teknologjive në zhvillim do të kenë mundësi të prezantojnë idetë e tyre, ndërsa hapësirat e inovacionit, demonstrimet teknologjike dhe Ekspozita e Inteligjencës Artificiale dhe Teknologjisë do t’u mundësojnë pjesëmarrësve të njihen dhe të ndërveprojnë drejtpërdrejt me teknologji dhe zbatime të reja. Këto aktivitete do të krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet kërkimit shkencor dhe politikave publike, nga njëra anë, dhe eksperimentimit, sipërmarrjes, investimeve dhe zgjidhjeve teknologjike të zbatueshme në praktikë, nga ana tjetër.

    Qellimi afatgjatë i AI & Tech Summit 2026 shkon përtej dy ditëve të zhvillimit të këtij eventi.

    Samiti synon të nxisë partneritete akademike, kërkime të përbashkëta, mobilitetin e studentëve dhe stafit, bashkëpunimin ndërmjet universiteteve dhe industrisë, projekte në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, iniciativa sipërmarrëse, programe të zhvillimit profesional, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe krijimin e rrjeteve ndërkombëtare të kërkimit shkencor.

    Në fund të fundit, vlera e Samitit nuk do të matet vetëm me numrin e pjesëmarrësve apo cilësinë e prezantimeve individuale. Ndikimi i tij afatgjatë do të përcaktohet nga marrëdhëniet e krijuara, idetë e zhvilluara, kërkimet e nisura, partneritetet e ndërtuara dhe mundësitë e reja të krijuara për brezin e ardhshëm.

    Inteligjenca artificiale është ende në fazat e hershme të zhvillimit të saj. Teknologjitë që diskutohen sot do të vazhdojnë të evoluojnë, shpesh me një ritëm më të shpejtë sesa mund ta parashikojnë institucionet. Organizatat dhe shoqëritë që do të arrijnë të përparojnë në këtë mjedis nuk do të jenë domosdoshmërisht ato që përdorin më shumë teknologji, por ato që janë në gjendje t’i kuptojnë pasojat e saj, t’i menaxhojnë rreziqet dhe ta orientojnë potencialin e saj drejt qëllimeve me vlerë për njeriun dhe shoqërinë.

    Pikërisht për këtë arsye, AI & Tech Summit 2026 nuk është vetëm një Samit për inteligjencën artificiale.

    Është një Samit për arsimin, njerëzit, institucionet, ekonominë dhe të ardhmen e shoqërisë.

    Është përkushtim ndaj një të ardhmeje ku përparimi teknologjik shoqërohet me dije, përgjegjësi dhe bashkëpunim.

    Është një mundësi për të krijuar lidhje më të forta ndërmjet universiteteve, qeverive dhe industrisë.

    Dhe është një përpjekje për të siguruar që vendet dhe komunitetet jashtë qendrave tradicionale të teknologjisë në botë të mos jenë vetëm përdoruese të teknologjive të së ardhmes, por edhe pjesëmarrëse aktive në krijimin e tyre.

    Për dy ditë në shtator, Prishtina do të jetë arenë e këtij dialogu ndërkombëtar.

    AI & Tech Summit 2026 do të sjellë së bashku ekspertizën globale dhe ambicien e rajonit, në një moment kur vendimet që po merren sot do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në peizazhin teknologjik, arsimor dhe ekonomik të së nesërmes.

    E ardhmja e inteligjencës artificiale po formësohet sot.

    E ardhmja e arsimit po rishikohet dhe po merr formë të re sot.

    E ardhmja e teknologjisë duhet të ndërtohet së bashku.

    AI & TECH SUMMIT 2026

    3–4 shtator 2026

    Kolegji AAB, Prishtinë, Republika e Kosovës

    Inteligjencë Artificiale • Transformim Digjital • Siguri Kibernetike • Arsim • Inovacion • Sipërmarrje • Aftësi për të Ardhmen • Zgjidhje të Mençura

    Formësojmë të ardhmen së bashku.