ATV

Category: Lajme

  • Banorët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit protestuan në Prishtinë

    Banorët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit protestuan në Prishtinë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Diskriminimi gjatë shkollimit, në konkurse të punës, por edhe në marrjen e shërbimeve mjekësore, janë disa nga arsyet që bashkuan banorët e Medvegjës, Bujanocit e Preshevës, në një protestë në Prishtinë.

    “Po për shkak të pasivizimit të adresave, kemi probleme edhe në shkollim, edhe me marr shërbime mjekësore edhe krejt. Andaj u bëj thirrje Presidentes edhe Kryeministrit që të bëjnë diçka”, tha Selman Rexhepi, kryetari i shoqatës “Shqiponja”.

    Sipas përfaqësuesve të Këshillit organizativ të Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unionit Shqiptar të Shoqërisë Civile, për të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve në Kosovën Lindore, duhet të flitet në çdo tryezë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Problemi kryesor qëndron te trajtimi i shqiptarëve në Serbi, në të gjitha fushat. Në sektorin e shëndetësisë situata është shumë e rëndë, në Preshevë, ku jetojnë 90% shqiptarë, drejtori i shtëpisë së shëndetit është serb, në spitalin rajonal të Vrajës ku rreth 40% të pacientëve janë shqiptarë nuk ka mjekë, motër medicinale e as mirëmbajtëse shqiptare. Në doganë janë vetëm 13 shqiptarë. Të ketë reciprocitet, nëse serbët duan asociacion, edhe ne duhet të kemi”, tha Dashamir Uruqi, kryetar i Unionit Shqiptar.

    Një protestë si kjo e të hënës do të organizohet edhe në Shqipëri.

  • Gazetari nga Gjeneva për ATV-në shpjegon dallimin e fitores së një deputeti shqiptar në Zvicër me atë në Serbi

    Gazetari nga Gjeneva për ATV-në shpjegon dallimin e fitores së një deputeti shqiptar në Zvicër me atë në Serbi

    Në zgjedhjet që u mbajtën dje për Parlamentin Federal të Zvicrës, ku kandiduan 30 shqiptarë për një ulëse në parlamentin helvetik në Bernë, një shqiptar është zgjedhur deputet. Bëhet fjalë për Islam Alijajn, kandidat i Partisë Socialdemokrate (SP).

    Gazetari nga Gjeneva, Nefai Maliqi, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin ‘A LIVE’ në ATV, tha se fitorja e Alijajt është një ditë historike për diasporën shqiptare në Zvicër.

    “Islam Alijaj si kandidat i Partisë Socialdemokrate (SP) ka fituar 95,054 vota. Kjo shifër e madhe e votave për Islamin dëshmon se shqiptarët sot kanë krijuar rrethin e tyre të gjerë me miqtë zviceranë dhe kanë besim tek ta, sepse vetëm me votat e shqiptarëve nuk do të kishte mundur të fitonte”, tha Maliqi.

    Ai shpjegoi se edhe në Zvicër, shqiptaret kane mosmarrëveshje, divergjenca dhe iu mungon uniteti.

    “Po bej një krahasim, paralele mes fitores së një deputeti shqiptar në Zvicër dhe një në Serbi. Në Zvicër, fitorja një deputeti është sukses i madh. Por, sikur te ishim unik, sigurisht do të kishim fituar 3-4, sikur në Preshevë, nga mos uniteti shqiptar, atje ka fituar vetëm një deputet deputet në parlamentin e Serbisë, edhe atë me zor, në vend që të kishin 3-4 sosh”, vlerësoi gazetari nga Gjeneva.

    Gazetari Maliqi tregoi edhe dallimin kur një shqiptar fiton ulëse në parlamentin në Zvicër, dhe një shqiptar kur fiton ulëse në parlamentin në Serbi.

    “Dallimi mes deputetit në Zvicër dhe atij në Serbi qëndron aty se, deputeti Islam Alijajn u duartrokit, u përshëndet dhe u urua nga qeveria e populli zviceran, ndërsa ai në Luginë, Shaip Kamberi, jo që nuk u duartrokit e nuk u urua nga serbët, por u pengua, bllokua në forma të ndryshme dhe përmes gjykatave që t’mos fitojë, por megjithatë triumfoi”, u shpreh gazetari nga Gjeneva, Nefail Maliqi. /atvlive.tv

  • Sekuestrohet vila e ish-kryeministrit Sali Berishës në Gjirin e Lalzit

    Sekuestrohet vila e ish-kryeministrit Sali Berishës në Gjirin e Lalzit

    Vila në Gjirin e Lalzit e ish-kryeministrit Sali Berisha është sekuestruar pas vendimit të GJKKO-së.

    Ish-kryeministrit, Sali Berisha i është caktuar masa “detyrim paraqitje” dhe i është bllokuar pasaporta, pas akuzave për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

    Sali Berisha dyshohet për korrupsion pasiv të funksionarëve në bashkëpunim. Veç tij, Gjykata e Posaçme vendosi detyrim paraqitje edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërsa ra në pranga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

    Vendimet u dhanë dy ditë më parë, ndërsa berisha e konsideron një komplot të SPAK-ut në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama./TCH

  • SHBA: Hyjmë në luftë nëse preken ushtarët tanë nga konflikti Izrael-Hamas

    SHBA: Hyjmë në luftë nëse preken ushtarët tanë nga konflikti Izrael-Hamas

    Shtetet e Bashkuara presin që lufta mes Izraelit dhe Hamasit të përshkallëzohet mes rrezikut të përfshirjes së Iranit, dhe paralajmëruan se administrata Biden është e përgatitur të ndërhyjë nëse nga luftime të tilla preket personeli amerikan apo forcat e armatosura.

    Pohimet i bënë vetë sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe ai i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Edhe pse nënvizoi se Amerika nuk dëshiron ashpërsimin e situatës, është e përgatitur për të.
    “Kjo nuk është çfarë duam ne, as çfarë kërkojmë. Ne nuk duam përshkallëzim. Nuk duam që të hapet zjarr ndaj forcave apo personelit tone. Por, nëse kjo ndodh, jemi gati të ndërhyjmë”, tha Antony Blinken.

    Austin, pohoi po ashtu se po e shohin me kujdes mundësinë e përshkallëzimit ndaj trupave dhe njerëzve tanë në rajon”. “Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë të vetëmbrohen dhe ne nuk do të ngurrojmë të ndërmarrim veprime të duhura”, tha ai.

    Paralajmërimet e zyrtarëve të lartë amerikanë vijnë në kohën kur konflikti mes Hamasit dhe Izraelit, i nxitur nga sulmi i përgjakshëm i grupit militant Islamik në 7 tetor, po hynë në javën e tretë, e nuk ka asnjë shenjë qetësimi. Shteti hebre këtë radhë duket i vendosur ta çrrënjosë Hamasin përfundimisht. Lufta e Ushtrisë Izraelite në Rripin e Gazës mund të zgjasë “dy deri në tre muaj” dhe “pasi të përfundojë ajo, nuk do të ketë më Hamas”, deklaroi Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant.

    “Sa i përket anëve operacionale të manovrimit, në fund të fundit, asgjë nuk do t`i ndalë forcat izraelite të mbrojtjes. Është një përzierje e dy gjërave: aftësive tona ajrore dhe manovrimeve tokësore”,tha ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant.

    Një pushtim tokësor i Rripit të Gazës mund të jetë i pashmangshëm, edhe pse trysnia ndaj izraelit është e madhe që të mos e ndërmarrë inkursionin, pasi kjo rrezikon shtrirjen e konfliktit më gjerë në rajon. Avionët luftarakë izraelitë i vazhduan bombardimet mbi Rripin e Gazës gjatë fundjavës, e sulmuan dy aeroporte në Siri dhe një xhami në Bregun e pushtuar Perëndimor, me pretendimin se përdorej nga militantët, ndërsa ushtria izraelite shkëmbeu zjarr edhe grupin militant të Libanit, Hezollah, duke i vrarë atij gjashtë luftëtarë.

  • Rizvanolli: Për një muaj kemi pranuar 9253 aplikime për subvencionim të pajisjeve efiçente për ngrohje

    Rizvanolli: Për një muaj kemi pranuar 9253 aplikime për subvencionim të pajisjeve efiçente për ngrohje

    Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se për një muaj, janë pranuar 9 mijë e 253 aplikime, për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje.

    Ndërsa ka bërë të ditur se thirrja për aplikim, vazhdon të jetë e hapur deri me datën 22 nëntor të këtij viti.

  • Arrestohen pesë persona në Lipjan, dyshohen për vjedhje të rënda

    Arrestohen pesë persona në Lipjan, dyshohen për vjedhje të rënda

    Pesë persona janë arrestuar në Lipjan, nën dyshimin për disa vjedhje të rënda.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rastet kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore.

    “Nga hetuesit policor të stacionit të Lipjanit dhe nënstacionit të Janjevës, janë arrestuar pesë persona të dyshuar për disa vjedhje”, thuhet në njoftim.

    “Rastet kanë ndodhë në periudha të ndryshme kohore,(gjatë vitit 2023). Katër nga personat e dyshuar janë dërguar në qendrën e mbajtes dhe ndaj tyre po kryhen procedurat për së paku tri raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda”.

    “Veprimet e mëtejme ndaj personave të dyshuar, të cilët janë përsëritës të veprave të natyrës së njëjtë, po ndërrmeren në koordinim me prokurorin e shtetit”.

  • Kurti me Minxhozin, e falënderon për punën, angazhimin dhe bashkëpunimin gjatë mandatit të tij

    Kurti me Minxhozin, e falënderon për punën, angazhimin dhe bashkëpunimin gjatë mandatit të tij

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

    Sipas njoftimit të kryeministrisë, Kurti e falënderoi Minxhozin për punën, angazhimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë gjithë mandatit të tij , si dhe për kontributin e tij të çmueshëm në ruajtjen dhe përparimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme.

    “Ambasadori falënderoi kryeministrin për mikpritjen, komunikimin e rregullt dhe bashkëpunimin e afërt”.

    “U vlerësua angazhimi i përbashkët me qëllim përmirësimin në jetën e qytetarëve dhe bizneseve, si dhe lehtësimin e problematikave të mbartura ndër vite, në fushat e sigurisë, tregtisë, drejtësisë, arsimit e kulturës. U theksuan marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, nënshkrimi i gjithsej 184 marrëveshjeve, protokolleve e memorandumeve, si dhe niveli i zbatueshmërisë së marrëveshjeve të deritanishme”.

  • Nis sekuestrimi i 25 pronave të dhëndrit të Berishës, oficerat gjyqësor ndërrojnë bravat e dyerve

    Nis sekuestrimi i 25 pronave të dhëndrit të Berishës, oficerat gjyqësor ndërrojnë bravat e dyerve

    Mëngjesin e sotëm pas vendimit të Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka nisur sigurimi pasuror “sekuestro preventive” për 16 pasuritë e paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit. Informacioni i siguruar nga Top Channel bën të ditur se oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur punën në terren për kryerjen e sekuestros në total 25 pasuri, bashkëngjitur 16 pronave të paluajtshm.

    Fillimisht ata kanë shkuar në banka të nivelit të dytë për të sekuestruar 6 llogari në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit dhe më pas do të shkojnë në tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.

    Nga 16 apartamente, 7 prej tyre ndodhen në rrugën “Mustafa Matohoti”, ku njihet edhe si rrugica e ish-kryeminiostrit, pasi këtu jeton Berisha, në banesën në emër të vajzës së tij, sipas vendimit të GJKKO edhe ky apartament do të kalojë në sekuestro.

    Gjithashtu nën sekuestero do të vihen edhe pronat tek ish-kompleksi “Partizani” dhe një vilë në Gjirin e Lalzit, ku Berisha kalon zakonisht kohën gjatë verës, bazuar edhe në postimet e tij në rrjete sociale.

    Oficerët do të paraqiten fizikisht në objekte për të bërë lajmërimin dhe ndërrimin e bravave. Deri në një vendim tjetër këto do të jenë në sekuestro dhe Malltezi nuk mund të kryejë asnjë procedurë tjetër qoftë shitje, blerje apo qira.

  • IKSHPK: Uji nga liqeni i Badovcit ende nuk është i pijshëm

    IKSHPK: Uji nga liqeni i Badovcit ende nuk është i pijshëm

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje që të mos konsumohet uji që vjen nga Liqeni akumulues i Badovcit, meqë ende nuk është zvogëluar sasia e manganit.

    Nëpërmjet një njoftimi, IKSHPK ka thënë se analizat e fundit tregojnë për rënie të vlerave të manganit, por se ende s’janë arritur vlerat sipas standardeve të parapara.

    “Analizat e fundit laboratorike tregojnë për rënie të vlerave referente të manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, por që, ende nuk janë arritur vlerat sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 -Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”, thuhet në njoftim.

    “Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera, përveç përgatitjes së ushqimit, sepse uji i vluar nuk e zvogëlon sasinë e manganit”, vijon njoftimi.

  • Rusia zgjat paraburgimin për gazetaren e REL-it

    Rusia zgjat paraburgimin për gazetaren e REL-it

    Një gjykatë ruse ka pranuar kërkesën e prokurorëve për të zgjatur paraburgimin për gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, pasi ajo u arrestua javën e kaluar nën akuzën se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj.

    Gjykata e Qarkut në Sovetski të Kazanit më 23 tetor ka refuzuar kërkesën e avokatit të Kurmashevës për masa paragjyqësor që nuk përfshinin burgosjen. Por, gjykata vendosi që gazetarja të qëndrojë në një qendër paraburgimi deri më 5 dhjetor.

    “Ne jemi shumë të zhgënjyer me vendimin gjatë seancës gjyqësore”, tha ushtruesi i detyrës së presidentit të REL-it, Jeffrey Gedmin.

    “Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm, në mënyrë që ajo të ribashkohet me familjen e saj”, shtoi ai.

    Kurmasheva punon në selinë qendrore të REL-it në Pragë të Republikës Çeke në Shërbimin Tatar-Bashkir. Ajo ka dyshtetësi, atë amerikane dhe ruse. Ajo kishte udhëtuar për në Rusi në maj për shkak të një emergjence familjare.

    Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dy pasaportat. Që atëherë, ajo nuk ka mundur të largohet nga Rusia.

    Më 11 tetor, autoritetet e gjobitën Kurmashevën me 103 dollarë për dështim të regjistrimit të pasaportës së saj amerikane tek autoritetet ruse.

    Kurmasheva u arrestua sërish më 18 tetor nën akuzën se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj. Sipas ligjeve ruse, për një akuzë të tillë ajo mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.

    Komiteti Hetues tha se Kurmasheva dyshohet se a dështuar “të përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni i Federatës Ruse që të dorëzojë tek autoritetet dokumentet e nevojshme për përfshirjen në regjistrin e agjentëve të huaj”.

    Kremlini ka mohuar se Moska po kryen fushatë për të ndjekur qytetarët amerikanë, por nuk ka komentuar më shumë lidhur me arrestimin e Kurmashevës.

    Kurmasheva është gazetarja e dytë amerikane që arrestohet në Rusi gjatë këtij viti, gjë që ka nxitur valë të kritikave nga grupet për të drejtat e njeriut dhe politikanët.

    Rusia është akuzuar se përdorë amerikanët e arrestuar për t’i këmbyer me rusët e burgosur në Shtetet e Bashkuara.

    Në mars të këtij viti, gazetari i Wall Street Journal, Evan Greshkovich, u arrestua nën dyshimet për spiunazh. Ai dhe gazeta ku punon kanë mohuar akuzat.

    Që nga viti 2012, Rusia ka përdorur ato që quhen ligje për agjentë të huaj për të ndëshkuar kritikët e politikave qeveritare. Po ashtu, Moska ka shpeshtuar përdorimin e këtyre legjislacioneve për të mbyllur organizata të shoqërisë civile dhe media që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.

    Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe kreu i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Kurmashevës.