ATV

Category: Lajme

  • Dita Ndërkombëtare e OKB-së

    Dita Ndërkombëtare e OKB-së

    Kombet e Bashkuara është Organizata Ndërkombëtare më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, veprimtaria e të cilës daton që nga viti 1945.

    Qëllimi kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik, dhe ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë. Ajo është vazhduese e Lidhjes së Kombeve, por me një strukturë, organizim dhe anëtarësi shumë më të gjerë dhe më të plotë.

    Iniciatorët te krijimit të saj u bënë fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist, SHBA dhe Britania e Madhe të cilët në pikën e 11 të Kartës së Atlantikut të nënshkruar në 14 gusht 1941 dhe që përmbante principet bazë mbi rendin e ri botëror të ardhshëm, ranë dakord që pas luftës do të krijohej “..një sistem i vazhdueshëm i sigurisë së përgjithshme”.

    Në Deklaratën e 1 janarit 1942, e nënshkruar nga përfaqësuesit e 26 shteteve të koalicionit anti-fashist dhe anti-nazist u ritheksua nevoja për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme që do t’u siguronte kombeve mundësinë për të jetuar të sigurt brenda kufijve të tyre.

    Ideja e krijimit të një organizate të re universale dhe emërtimi “Kombet e Bashkuara”, u rimor në shqyrtim në Konferencën e Ministrave të Punëve të Jashtme të SHBA, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe , që u zhvillua në Moskë me 19 deri 30 tetor të vitit 1943. Në Deklaratën mbi Sigurinë e Përgjithshme që u nënshkrua më pas edhe nga Kina, u formulua për herë të parë vendimi mbi krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.

    Ndërsa parimet, struktura dhe funksionet e organizatës u formuluan në Konferencën e Dumbarton Oaks ( lokalitet afër Uashingtonit), që u zhvillua nga 21 gusht deri me 29 shtator të vitit 1944, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Kinës. Konferenca përpunoi dokumentin e quajtur “…propozime për krijimin e organizatës ndërkombëtare të sigurimit të përgjithshëm”.

    Në shkurt 1945 u mbajt Konferenca e Jaltës, në Krime, me pjesëmarrjen e Franklin Ruzvelt, Stalin dhe Churcill. Ajo hodhi bazat politike të të gjitha bisedimeve për paqe pas përfundimit të luftës. Në këtë konferencë u ridiskutua dhe u ra dakord përfundimisht për krijimin e OKB si një organizatë ku mund të bënin pjesë kombe të mëdhenj e të vegjël.

    SHBA thirrën Konferencën e San Franciskos, ku do të merrnin pjesë të gjithë shtetet që i kishin shpallur luftë Gjermanisë naziste deri në mars 1944. Konferenca e San Franciskos i zhvilloi punimet e saj nga 25 prilli 1945 deri me 26 qershor të vitit 1945. Ajo pranoi dështimin e Lidhjes së Kombeve për pengimin e Luftës së Dytë Botërore.

    Me 26 qershor 1945 u miratua Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila hyri në fuqi me 24 tetor 1945. Kjo datë u shpall si Dita Ndërkombëtare e OKB-së.

  • Bërnabiq në OKB: Serbia nuk ka qenë e përshirë në sulmin në Banjskë

    Bërnabiq në OKB: Serbia nuk ka qenë e përshirë në sulmin në Banjskë

    Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

    Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin për Kosovën, Bërnabiq tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.

    “Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.

    Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiq akuzoi Kosovën se injoron marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Bërnabiq, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

    “Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

    Kosova, sipas saj, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj, serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

    Sipas Bërnabiqit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.

    Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.

    Shefja e UNMIK-ut kërkon rikthimin në dialogun e Brukselit

    Gjatë mbledhjes, shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh, tha se pavarësisht se nuk përfshihet në raportin gjashtëmujor, përmendi “incidentin e sigurisë” në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    Ajo tha se pas hetimeve, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Ajo tha se ngjarja ku u vra një zyrtar policor i Kosovës dhe tre sulmues, “ka përkeqësuar situatën” e sigurisë, e cila sipas saj, edhe para 24 shtatorit ishte e rëndë.

    “Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për ti mbajtur autorët përgjegjës”, tha ajo.

    Ajo kërkoi që palët t’i kthehen dialogut dhe tha se pret nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë masa të shtensionimit të situatës, duke vënë theksin në nevojën e një “kompromisi politik” në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.

    Ziadeh tha se shpreson që takimi i diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor do të bëjë që palët t’i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

    Shefja e UNMIK-ut tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen.

    Raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfshin periudhën gjashtëmujore nga 19 marsi deri më 18 shtator./REL

  • Përfaqësuesi i SHBA-së: Sulmi i 24 shtatorit vuri në rrezik jetën e shqiptarëve të Kosovës

    Përfaqësuesi i SHBA-së: Sulmi i 24 shtatorit vuri në rrezik jetën e shqiptarëve të Kosovës

    Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tha se sulmi më 24 shtator rrezikoi jetën e shqiptarëve të Kosovës.

    Ai tha se SHBA mbështetë dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE.

    “Qeveria ime e dënon sulmin më 24 shtator në veri të Kosovës. Sulmi ishte një akt që vuri në rrezik jetën e shqiptarëve të Kosovës. Duhet të ketë përgjegjësi të plotë në pajtim me sundimin e ligjit për autorët e krimit. Individët që janë në vende tjera duhet të ekstradohen në Kosovë. SHBA punon ngushë me BE dhe NATO-n për të ndërmarrë masa deskaluese. Të dy palët të vazdojnë dialogun me hapa konkret. SHBA mbështet dialogun nga BE. Gjithashtu mirëpresim numrin e rritur të forcës së Kosovës në veri të Kosovës. Kjo prani mbahet sa të ketë nevojë. UNMIK nuk ishte i përfshirë në sulmin e 24 shtator, nuk ka më rol në siguri”, tha ai.

  • Presidentja Vjosa Osmani e përmend heroin Afrim Bunjaku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

    Presidentja Vjosa Osmani e përmend heroin Afrim Bunjaku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

    Presidentja Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka përmendur vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.

    Ajo tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.

    “Më 24 shtator qytetarët e Kosovës u zgjuan me lajmin për vrasjen e një rreshteri të Republikës nga një akt i agresionit nga Serbia dhe grupet paramilitare. Dua të falënderoj heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, që e humbi jetën duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës”.

    “Pushoftë në paqe. Kjo duhet të na shërbejë të gjithëve si kujtim që u ngritë kundër forcave autoritare jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në gjithë botën”, ka thënë Osmani.

  • Pacientët ankohen se s’po gjejnë barna në barnatoren qëndrore

    Pacientët ankohen se s’po gjejnë barna në barnatoren qëndrore

    Përgatiti: Sara Shehu

    Para katërve muajve, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ishte deklaruar i sigurt se nga muaji shtator e tutje nuk do të ketë më mungesë të barnave, veçanërisht të insulinave.

    “Në muajt shtator dhe tetor nuk do të ketë fjalë mungesë në terminologji, për barnat dhe materialet shpenzuese dhe insulina”, kishte thënë Vitia.

    Megjithatë, derisa jemi në fund të muajit tetor, disa barna esenciale vazhdojnë të mungojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Pacientët thonë se nuk po arrijnë t’i sigurojnë barnat dhe insulinat në barnatoren qendrore pranë kësaj qendre.

    “Shqetësuese se pensioni i vogël, po duhet me ble 100 euro për çdo muaj se s’ka këtu në barnatore në qendër, e po duhet në privat me i ble barnat ma të thjeshta”, thotë një pacient.

    “Sigurisht që duhet me pas ma shumë barna se ka nevojë, Qeveria i ka fajet, qytetaret s’jemi tu pas mundësi me i ble ma, se s’po ka boll barna as sen”, tha një tjetër pacient.

    Si pasojë e kësaj gjendjeje, pacientët detyrohen që barnat që do të duhej t’i merrnin falas, t’i blejnë ato në barnatore private.

    “Bashkëshorti o me diabet e unë kam sëmundjen e harresës, e krejt këto barna po duhet me i ble me i siguru vetë nëpër barnatore private”, shprehet një pacient.

    Pavarësisht tentimeve të televizionit për të kuptuar se si qëndron problemi me barnat, askush nga menaxhmenti i Barnatores qendrore dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, nuk u deklaruan.

    Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka mohuar mungesën e barnave në këtë qendër. Sipas tyre, furnizimi i fundit me barna esenciale dhe insulina është bërë para 12 dite.

    “Ministria e Shëndetësisë ka në kompetencë furnizimin e QKMF-ve me barna, material shpenzues dhe disa programe specifike. Sipas kërkesës së tyre, përmes Sistemit të Menaxhimit të Stokut Farmaceutik (SMSF), QKMF në Prishtinë është furnizuar me barna dhe material shpenzues me datë 11.10.2023, po ashtu, furnizimi me Insulina është bërë në këtë datë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

    Madje, ky dikaster ka bërë të ditur se këtë vit asnjë tender nuk ka dështuar, sa i përket furnizimit me insulina në të gjitha Qendrat e Mjekësisë.

    Ndryshe, Qeveria ka ndarë 60 milionë euro për mbulimin e listës së barnave esenciale.

  • Nuk e respektuan orarin për furnizime, gjobiten disa shoferë

    Nuk e respektuan orarin për furnizime, gjobiten disa shoferë

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Disa shoferë të transportuesve të mallrave, këtë të hënë u gjobitën nga Inspektorati i Prishtinës.

    Ndëshkimi i tyre u bë, pasi që ata nuk e respektuarin orarin e ri përcaktues të Komunës.

    Pavarësisht që ky orar është në fuqi tash e disa muaj, shoferët thonë se nuk kanë qenë në dijeni.

    Aksione si këto, inspektorati i kryeqytetit do t’i vazhdojë edhe ditëve në vijim.

    Sipas Vendimit të kryetarit të Prishtinës, qarkullimi i të gjithë transportuesve të mallrave në kryeqytet do të lejohet sipas këtij orari:

    Zonën e I-rë, që përfshin pjesën qendrore të kryeqytetit, nga ora 19:00 deri të nesërmen në orën 07:00 në mëngjes;

    Zonën e II-të, që përfshin pjesën përtej qendrës së kryeqytetit, nga ora 18:00 deri të nesërmen në orën 07:00 në mëngjes;

    Bulevard/Sheshi i Kryeqytetit, nga ora 23:00 deri të nesërmen në 07:00 në mëngjes, për mjetet deri në 3.5 tonë.

  • Kosova në pritje të raportit të ekspertëve të Këshillit të Evropës

    Kosova në pritje të raportit të ekspertëve të Këshillit të Evropës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kosova është në pritje të përmbylljes së raportit fillestar nga ana e Këshillit të Evropës, që do të derivojë nga vizita e ekspertëve ligjorë të kësaj organizate në Prishtinë, në fund të muajit të kaluar.

    Pa dhënë një afat të prerë për finalizimin e raportit, në një përgjigje për ATV-në, Këshilli i Evropës konfirmoi se së shpejti raportuesja Dora Bakoyannis, do të zhvillojë një vizitë në Kosovë – lidhur me procesin e anëtarësimit.

    “Raporti i juristëve eminentë do të shqyrtohet nga Byroja e Asamblesë në kohën e duhur, pas procedurave të zakonshme, dhe në fund do të bëhet publik. Sa i përket vizitës së raportueses, ajo duhet të zhvillohet në javët në vijim”, thuhet në përgjigjen nga Këshilli i Evropës.

    Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, i cili mori pjesë në diskutimet me ekspertët e Këshillit, tha se, në plan të parë, pritet një vlerësim i përputhshmërisë së legjislacionit me konventën për të drejtat e njeriut dhe liritë e njeriut, si dhe me nivelin praktik të zbatimit.

    “Primare është analiza, vlerësimi i kornizës ligjore në Kosovë, nëse Kushtetuta, ligjet përcjellëse janë në harmoni me praktikat, standardet që i promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Në këtë drejtim nuk ka dyshim që Kosova i ka, jo vetëm në harmoni, por ka diskriminim pozitiv, të të drejtave dhe lirive të njeriut, të komuniteteve apo grupeve të margjinalizuara, që në këtë pjesë është kampion dhe ndoshta është më e zhvilluar se shtetet e Bashkimit Evropian”, tha Miftaraj.

    Miftaraj nuk e përjashtoi mundësinë që ekspertët të kenë përfshirë në raport edhe moszbatimin e disa prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe mosmiratimin e Projekt-Kodit Civil.
    “Është fakt që ky grup punues në nivel teknik mund t’i identifikojë këto si mangësi, sepse në një shtet që aspiron bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, ose që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, nuk ka logjikë që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe në rastet kur ka kontekst politik, në këtë rast raportet Kosovë-Serbi. Kështu që e përsëris dua të besoj që, mund të japin vërejtje grupi teknik, por do të japin dritë jeshile për të vazhduar në nivelin politik”, tha Miftaraj.

    Ai theksoi se në një fazë të mëvonshme, kur përfshihet niveli politik dhe shtetet anëtare, mund të priten kushtëzime të caktuara në raport me legjislacionin apo zbatueshmërinë e vendimeve të gjykatave.

    Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa në prill të këtij viti e përmbylli fazën e parë të procesit, nga tri gjithsej.

  • Gjykimi ndaj ish 20 policëve të akuzuar për korrupsion, drejt fundit

    Gjykimi ndaj ish 20 policëve të akuzuar për korrupsion, drejt fundit

    Përgatiti: Nora Luta

    Zoran Radunoviq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, sa ishte në uniformë punonte kryesisht në Zubin Potok e pjesët kufitare me Serbinë, në veri të vendit.

    Ai nga viti 2020 akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, por nga kjo vepër penale u tërhoq Prokuroria Speciale, ndaj tij dhe 19 të tjerëve që akuzohen në këtë rast për kontrabandë në pjesën veriore.

    Në fjalën përfundimtare, të hënën, Radunoviq ka thënë se është penguar gjatë punës së tij në luftimin e kontrabandës, e është kërcënuar nga ish-mbikëqyrësi i tij, i akuzuari tjetër në këtë rast Zvezdan Spasojeviq.

    Por në fjalën e tij ai e ka përmendur edhe zëvendësministrin për komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq, duke i dhënë epitetin si kontrabandisti më i madh.

    “Tabelat kur i janë hequr vajzës së të tani zv.ministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomirovic, i cili është kontrabandist i njohur dhe është urdhërdhënës I djegies së veturës sime të parë, vetura e dytë është djegur në vitin 2015, kur e kam kapur një kamion me pije të kontrabaduara, dhe i gjithë faji më është hedhur mua, dhe ish-udhëheqësi im në atë kohë ka shkuar te kontrabandisti dhe i ka kërkuar falje që ia kemi kapur kamionin”, tha Radunoviç.

    Ndaj deklaratave të Radunoviqit reagoi prokurori special, në këtë rast Burim Qerkini.

    Në këtë seancë, fjalën përfundimtare e kanë dhënë edhe mbrojtësit e ish-policëve të tjerë duke kërkuar aktgjykim lirues pasi sipas tyre Prokuroria nuk ka arritur ta vërtetoj se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

    Aktgjykimi ndaj njëzetë policëve që punonin në veri, përfshirë komandantin e stacionit policor Zvezdan Spasojeviq do të shpallet të premten.

    Sipas aktakuzës, ata mundësuan kontrabandë me mallra të ndryshme nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, gjatë vitit 2017 deri në vitin 2019.

  • Opozita s’e ndryshon mendjen, i bllokon marrëveshjet ndërkombëtare

    Opozita s’e ndryshon mendjen, i bllokon marrëveshjet ndërkombëtare

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mbi 400 milionë euro po i humb Kosova, sipas partisë në pushtet, shkaku i mosvotimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, nga dy subjekte politike opozitare.

    Ato do të procedohen sërish këtë javë në Kuvend, pasi shefat e grupeve parlamentare u morën vesh për mbajtjen e tri seancave, dy nga to të enjten e një tjetër të premten.

    Megjithatë, Partia Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e kanë ndërmend ta ndërrojnë qëndrimin, ndonëse arsyetimet për mosvotimin e tyre i kanë të ndryshme.

    “Ndryshimi i qëndrimit në votimin e këtyre marrëveshjeve do të ishte gabim fatal. Është interes nacional që sa ma pak me i dhanë kësaj qeverie mundësi me pas fonde, nëse i japim qasje në këto fonde, e rrisim borxhin publik, nuk përmirësohet jeta e qytetarëve, d.m.th. na po kontribuojmë me vetëdije në degradim”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “Neglizhimi që kjo qeveri e ka bërë, sidomos në ligjin e pagave, është i papranueshëm. Nuk mundemi ne me u sjell sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ne jemi parti që kemi qëndrime politike. Në qoftë se kërkesat tona për rritjen e koeficientit të pagave nuk do të realizohen, atëherë nuk do të ketë mbështetje”, tha tha shefi i GP të AAK-së, Abelard Tahiri.

    Por, për rezolutën e fundit që e propozoi opozita, atë për rritjen e koeficientit për paga, shumica parlamentare do të marrë pjesë, edhe pse nuk dihet nëse do ta përkrahë me votim.

    “Sa i përket pjesëmarrjes në rezolutën e ftuar nga opozita, ne do të marrim pjesë në seancën e jashtëzakonshme të enjten, dhe kjo e tregon edhe vullnetin tonë politik për t’u ulur dhe diskutuar çështje të cilat konsiderohen me rëndësi e mbi të gjitha kthimin e opozitës në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha shefja e GP të KV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    E një thirrje të tillë opozitës i erdhi edhe nga jashtë.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, përmes një postimi në platformën X, kërkoi nga opozita që të jetë më konstruktive dhe t’i votojë marrëveshjet pasi po humben shumë para për projekte me rëndësi për qytetarët.

  • BE-ja dënon sulmin ndaj Kosovës, pret zbatim të marrëveshjeve

    BE-ja dënon sulmin ndaj Kosovës, pret zbatim të marrëveshjeve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Raportet Kosovë-Serbi ishin temë në takimin e Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian, krahas konfliktit Izral-Gaza dhe luftës në Ukrainë.

    Në nisje të takimit, ministri Jashtëm i Kroacicë, Gordan Grlic Radman, kërkoi përgjigje ndërkombëtare për sulmin terrorist-paramilitar ndaj Kosovës.

    “Kontakti diplomatik me partnerët tanë rajonal mbetet i rëndësishëm. Do të përmend, gjithashtu, sulmin e fundit të armatosur nga paramilitarët serbë në Kosovë, të cilin duhet ta marrim shumë seriozisht. Ky është një akt serioz i destabilizimit të rajonit dhe ne duhet të përgjigjemi”, tha Grlic Radman.

    Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, nuk përmendi Kosovën, as në deklarimin e tij në mëngjes e as në konferencën gjysmë orëshe pas takimit.

    Megjithatë, Radio Evropa e Lirë raporton se Këshilli për Punë të Jashtme, përfshiu Kosovën në draftin e konkluzioneve që do t’i paraqitet liderëve në fund të javës.

    Mes tjerash, në draft dënohen sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës, kërkohet që përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe që “Serbia të bashkëpunojë plotësisht”.

    Në draft-dokument kërkohet shtensionim i plotë i gjendjes në veri, organizim i zgjedhjeve të reja dhe pjesëmarrje e aktive e komunitetit serb në to – ndërsa theksohet se dështimi për diçka të tillë do të përcillet me pasoja.

    Këshilli Evropian, po ashtu, shpreh keqardhje për mungesën e vullnetit nga Serbia dhe Kosova për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.