ATV

Category: Lajme

  • Lista Serbe sot mban zgjedhjet brenda partisë

    Lista Serbe sot mban zgjedhjet brenda partisë

    Sot është bërë një muaj nga sulmi terrorist serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Policia e Kosovës, në orët e para të mëngjesit, të dielës së 24 shtatorit, rreth orës 03:00, është sulmuar me arsenal armësh, si pasojë e të cilit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Situata vazhdimisht ishte e tensionuar për shkak të të shtënave me armë mes grupit të armatosur dhe policisë.

    Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar, rreth 30 sosh, ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës. Nga ky sulm terrorist u bë e ditur se tre terroristë serbë janë vrarë, dje disa të tjerë të përfshirë në sulm u arrestuan, disa nga të cilët më pas u liruan.

    Reagimet nga faktori ndërkombëtar ishin të menjëhershme duke dënuar këtë sulm. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ishte ndër të parët që reagoi duke dënuar fuqishëm aktin.

    Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

    Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.

    Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash, përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

    Një muaj pas kësaj ngjarje, partia më e madhe e serbëve të Kosovës “Lista serbe” sot mban zgjedhjet brenda partisë.

  • Obama i bën thirrje Izraelit ta respektojë ligjin ndërkombëtar

    Obama i bën thirrje Izraelit ta respektojë ligjin ndërkombëtar

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i bëri thirrje Izraelit më 23 tetor të jetë i matur në operacionet ushtarake në Rripin e Gazës, pas sulmeve të 7 tetorit nga grupi militant Hamas në qytetet jugore izraelite.

    “Në veçanti, ka rëndësi – siç e ka theksuar vazhdimisht presidenti Biden – që Ushtria e Izraelit t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar, përfshirë ligjeve të cilat kërkojnë shmangien e vdekjeve dhe vuajtjeve të popullatës civile”, shkroi Obama në platformën online, Medium.

    Mijëra palestinezë kanë vdekur tashmë si pasojë e bombardimeve në Gazë, shumica e të cilëve fëmijë, tha ish-presidenti amerikan, duke shtuar se qindra mijëra njerëz në këtë vend janë zhvendosur.

    Obama theksoi se pas “brutalitetit të papërshkrueshëm” nga Hamasi, Izraeli ka të drejtë t’i mbrojë qytetarët e vet nga dhuna e tillë, por “bota po shikon me vëmendje”.

    Izraeli është duke e bombarduar pareshtur Rripin e Gazës qëkur Hamasi kreu sulme të tërbuara më 7 tetor në qytetet jugore izraelite, ku i vrau mbi 1.400 njerëz. Si pasojë e sulmeve ajrore izraelite janë vrarë më shumë se 5.000 palestinezë, sipas zyrtarëve në Gazë.

    “Vendimi i Qeverisë së Izraelit për ta ndërprerë furnizimin me ushqim, ujë dhe rrymë për një popullsi civile të rrethuar, kërcënon jo vetëm përkeqësimin e krizës humanitare në rritje, por mund ta ashpërsojë edhe qëndrimin palestinez për gjenerata më radhë, ta shkatërrojë mbështetjen globale për Izraelin, t’u japë përparësi armiqve të Izraelit, dhe t’i minojë përpjekjet afatgjate për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, shtoi Obama.

    Ai e mbështeti plotësisht presidentin amerikan Joe Biden, i cili u zotua për ta përkrahur Izraelin për “luftimin e Hamasit, çarmatimin e tij, si dhe ndërmjetësimin e kthimit të sigurt të qindra pengjeve te familjet e veta”.

    Obama theksoi se është e kuptueshme që shumë izraelitë kanë kërkuar që Qeveria e tyre të bëjë gjithçka që nevojitet për ta rrënuar Hamasin dhe për t’u siguruar që sulmet nga Hamasi nuk ndodhin më kurrë./REL/

  • BQK: Vlera e kredive për muajin shtator ishte 4.79 miliardë euro, norma në kredi në 6.51%

    BQK: Vlera e kredive për muajin shtator ishte 4.79 miliardë euro, norma në kredi në 6.51%

    Sipas kalendarit të publikimeve BQK publikoi statistikat bankare për muajin shtator 2023.

    Asetet e bankave komerciale në muajin shtator 2023 kanë shënuar rritje me rreth 67.6 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Në shtator 2023, vlera e aseteve të bankave komerciale ishte 7.16 miliardë euro.

    Investimet e bankave komerciale jashtë vendi (në formë të depozitave, letrave me vlerë dhe plasmanëve tjera) kanë shënuar rritje prej rreth 43.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

    Vlera e kredive bruto në fund të muajit shtator 2023 ishte 4.79 miliardë euro, e që paraqet një rritje prej 61.53 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

    Depozitat e klientëve në shtator 2023 kanë shënuar rritje për rreth 14.63 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Vlera e depozitave në shtator 2023 arriti vlerën 5.89 miliardë euro. Rreth 25% e depozitave janë të afatizuara. Ekonomitë familjare dominojnë me rreth 66.5% të totalit të depozitave (apo rreth 3.88 miliardë euro).

    Raporti kredi-depozita në muajin shtator ishte në nivelin 81.9%.

    Gjithsej kapitali i bankave komerciale në fund të muajit shtator ishte 2023 ishte 821.3 milionë euro.

    Norma mesatare e interesit në depozita në muajin shtator ishte 2.43% ( në gusht ka qenë 2.52%).

    Norma mesatare e interesit në kredi në muajin shtator ishte 6.51% ( në gusht ka qenë 6.70%).

    Margjina e normës së interesit në kredi dhe depozita në muajin shtator ishte 4.08% ( në gusht ishte 4.18%).

    Vlera e kredive të reja në muajin shtator ishte 166.6 milionë euro.

    Vlera e depozitave të reja në muajin shtator ishte 87.02 milionë euro.

  • Policia arreston tre persona të dyshuar për fajde

    Policia arreston tre persona të dyshuar për fajde

    Sektori i Hetimeve të Krimeve të Rënda në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të PK-së, në vazhdimin e hetimit të rastit “Fajdeja”, sot me datën 24.10.2023, ka zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse në pesë (5) lokacione të cilat përfshijnë regjionin e Prishtinës dhe një në regjionin e Mitrovicës.

    Gjatë realizimit të operacionit policor dhe kontrollit janë arrestuar tre (3), persona të dyshuar dhe janë konfiskuar në cilësi të provave materiale:

    • Pesë (5) vetura,
    • Tre (3) telefona celular,
    • Një (1) llap top,
    • Dy (2) USB dhe disa dokumente të shkruar me dorë.

    Me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të lëshuar nga Prokurori i rastit, pasi të përfundohen të gjitha procedurat, personat e dyshuar do të dërgohet në qendrën e mbajtjes për 48 orë për procedura të mëtejme.

  • Vdes në QKUK personi që ishte aksidentuar në Prizren

    Vdes në QKUK personi që ishte aksidentuar në Prizren

    Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra ditë më parë në një aksident të ndodhur në Prizren.

    Sipas Policisë, aksidenti kishte ndodhur më 6 tetor. Ndërsa, viktima ka ndërruar jetë dje në QKU.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

  • Tahiri: Kosova ende nën ndëshkime, diplomacia jonë në gjumë

    Tahiri: Kosova ende nën ndëshkime, diplomacia jonë në gjumë

    Ish-kryenegociatorja për dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri thotë se diplomacia kosovare është në gjumë.

    Tahiri përmes një shkrimi në “Facebook” bëri këtë deklaratë pasi Kosova është ende nën masat e BE-së.

    “Çfarë po ndodh? Kosovës nuk iu hoqen ndëshkimet ndërkombetare, ndërsa Serbia ende e pandëshkuar! Diplomacia jonë në gjumë”, shkruan Tahiri.

  • Osmani fillon vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

    Osmani fillon vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nisur vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

    Përveç takimit zyrtar me guvernatoren e Iowas, Kim Reynolds, Presidentja Osmani do të ketë takim edhe me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Stephen E.Osborn.

    Ndër të tjera, Presidentja Osmani do të zhvillojë vizitë në Camp Dodge, kampin që ka një histori të pasur dhe që përdorët si një strukturë stërvitore për divizionet e ushtrisë amerikane.

    Në kuadër të vizitës në SHBA, Presidentja do të takohet me kryetaret e Des Moines, Norwalk, Fort Dodge, Council Bluffs, Johnston dhe Cedar Fallsit.

    Gjatë vizitës, Presidentja Osmani pritet të ketë një diskutim në Drake University dhe adresim në DMACC. Poashtu, Presidentja Osmani do të jetë folëse kryesore në ngjarjen e udhëhequr nga ambasadori Branstad, President i Fondacionit të World Food Prize, ku pritet ta dorëzoj edhe zyrtarisht çmimin e sivjetëm të World Food Prize.

    Në fund të kësaj vizite Presidentja do të ketë takim me mërgatën në ShBA.

  • Novobërdë: Arrestohet një person për dhunim seksual

    Novobërdë: Arrestohet një person për dhunim seksual

    Një person është arrestuar i dyshuari në Novobërdë nën dyshimin se ka kryer veprën dhunim seksual ndaj viktimës femër kosovare.

    I dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • Fushë-Kosovë: Arrestohet një burrë pasi sulmoi fizikisht dy gra

    Fushë-Kosovë: Arrestohet një burrë pasi sulmoi fizikisht dy gra

    Të hënën në Fushë-Kosovë është arrestuar një person që dyshohet se i ka rrahur dy gra.

    “Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se kishte sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Tutje, Policia njoftoi se viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • Kryeministri Kurti udhëton për në Greqi

    Kryeministri Kurti udhëton për në Greqi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar drejt Greqisë.

    Sipas një komunikate dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se gjatë kësaj vizite, Kurti do të marrë pjesë në panelin diskutues të organizuar nga The Economist, me temë “Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?”.

    Po ashtu gjatë qëndrimit në kryeqendrën helene, kryeministri Kurti do të ketë dhe takime bilaterale.