ATV

Category: Lajme

  • Kryesia e re e listës serbe e njohur në skenën politike kosovare

    Kryesia e re e listës serbe e njohur në skenën politike kosovare

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Lista serbe të martën ndryshoi strukturën udhëheqëse të saj. Megjithatë, emrat e rinj që morën poste brenda partisë, tashmë janë të njohur në skenën politike kosovare.

    Dy ish-ministra në qeveritë e kaluara në Kosovë, Ivan Todosijeviq e Dalibor Jevtiq, ky i fundit edhe ish zv/kryeministër i Qeverisë për disa vjet, morën poste drejtuese.

    Jevtiq do të jetë nënkryetar i Listës Serbe, ndërkaq Todosijeviq anëtar i kryesisë. Të dy për një kohë ishin ndjekur edhe nga organet e drejtësisë në Kosovë.

    Todosijeviq akuzohej për nxitje të urrejtjes, pasi mohoi masakrën e Reçakut, ndërkohë, Jevtiq ishte përballur me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sa ishte ministër për komunitete dhe kthim.

    Përveç tyre, pjesë e kryesisë janë edhe dy ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq dhe Verica Qeraniq.

    Jashtë kryesisë nuk mbetën as 3 ish-kryetarë të komunave, përfshirë atë të Zveçanit, Dragisha Milloviq, Sërgjan Popoviq, ish-kryetar i Graçanicës dhe Sërgjan Vulloviq i Zubin Potokut.
    Brenda kryesisë do të jenë edhe Sasha Milloshevic, ish-nënkryetar i listës serbe dhe Nemanja Bishevac (ish-Kryetar i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut).

    Ndërkohë, njëra prej figurave më kryesore brenda partisë, ish-nënkryetari Igor Simiq, tashmë do të jetë vetëm zyrtar për marrëdhënie me publikun.

    Ndërkohë, për atë që drejtoi këtë parti për 10 vjet rresht nuk u tha se do të marrë ndonjë post të ri. Megjithatë, me gjithë ndryshimet, vlerësohet se përsëri duhet parë ligjshmëria e veprimtarisë politike të listës serbe.

    “Institucionet e Kosovës, Listën Serbe duhet të shqyrtojnë me shumë kujdes sa i përket ligjshmërisë së veprimtarisë së saj politike dhe të drejtës së saj për të garuar në zgjedhje. Shpallja e zgjedhjeve është proces që kërkon kohë. Procesi më i rëndësishëm është ai i sigurisë”, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Sipas kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, me këtë veprim Lista Serbe nuk mund ta pastrojë veten nga përgjegjësia e sulmit më Banjskë.

    Ditë më para, para se ta ndërronte kryesinë, Lista Serbe tregoi gatishmëri për mbajtje të zgjedhjeve në katër komunat veriore, komuna këto që i lëshuan me dëshirë në nëntor të vitit të kaluar, kur braktisën institucionet e Kosovës.

  • Vazhdojnë bastisjet në veri, s’ka të arrestuar

    Vazhdojnë bastisjet në veri, s’ka të arrestuar

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Një muaj pas sulmit në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku, bastisjet në katër komunat veriore janë duke vazhduar.

    Policia e Kosovës, të mërkurën, kreu kontrolle në 8 lokacione.

    Gjatë ditës u raportua se policia kreu bastisje në banesën e Vladimir Toliqit, njërit nga pjesëtarët e grupit terrorist, i cili kishte mbetur i plagosur gjatë sulmit në Banjskë dhe më pas ishte arrestuar.

    Megjithatë, kjo nuk u konfirmua nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, i cili tha se hetimi për ngjarjen e 24 shtatorit është delikat.

    Ndonëse, të mërkurën nuk u arrestua askush, gjatë një muaji hetime e bastisje, policia ka konfiskuar sasi të mëdha armatimi – nga granatahedhësit deri tek eksplozivët.

    Pjesë e municionit të sekuestruar para një jave, ishte edhe një minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD, me llojin e të cilës dyshohet se u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

    Sipas disa informacioneve të konfirmuara, që nga 24 shtatori janë kontrolluar rreth 30 lokacione.

  • OSBE rekomandon: Gjykatat në Kosovë të vendosin paraburgimin vetëm si mjet të fundit

    OSBE rekomandon: Gjykatat në Kosovë të vendosin paraburgimin vetëm si mjet të fundit

    Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka publikuar raportin e fundit në të cilin thuhet se përdorimi i tepruar i paraburgimit është çështje globale që paraqet shqetësim për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ndërsa edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme.

    Sipas kësaj, duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset kjo masë.

    “Raporti vë në dukje praktika pozitive në sistemin e drejtësisë, krahasuar me konstatimet në raportet e mëparshme të OSBE-së, si për shembull respektimi i afateve procedurale dhe sigurimi i përfaqësimit të të gjithë të pandehurve me avokatë në seancat e paraburgimit. Megjithatë, raporti po ashtu vë në dukje brenga, duke përfshirë mungesën e shfrytëzimit të alternativave ndaj paraburgimit (si lirimi me dorëzani), arsyetimin e pamjaftueshëm në vendimet për paraburgim, si dhe dështimin në individualizim të vendimeve në rastet ku ka disa të pandehur, thuhet në njoftim.

    “Raporti përfundon me rekomandime specifike të shënjestruara për palët më kryesore të drejtësisë, sidomos për sa i përket trajnimit dhe zgjerimit të alternativave të disponueshme ndaj paraburgimit në fazën paraprake”.

    Raporti ka analizuar 70 seanca të “paraburgimit” të monitoruara nga Misioni në mbarë Kosovën në vitin 2022, nëntë vendime të apelit në vitin 2023, në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe të të drejtave të njeriut.

    Misioni do ta pasojë publikimin e raportit me diskutime në tryeza të rrumbullakëta me palët homologe të drejtësisë në mbarë Kosovën, për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet.

  • AI: Urdhri i Izraelit për evakuim në Gazë mund të jetë shkelje e ligjit ndërkombëtar

    AI: Urdhri i Izraelit për evakuim në Gazë mund të jetë shkelje e ligjit ndërkombëtar

    Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), tha më 25 tetor se urdhri i ushtrisë izraelite për banorët në veri të Gazës që të largohen nga ajo pjesë, mund të ketë shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar.

    Ushtria izraelite ka lëshuar fletushka në Gazë, duke u kërkuar palestinezëve që të largohen nga veriu i enklavës së rrethuar ose rrezikojnë të identifikohen si bashkëpunëtorë të grupit militant palestinez, Hamas.

    Fletushkat po lëshohen nga ajri afër një javë pasi fillimisht ushtria izraelite u bëri thirrje afër 1.1 milion banorëve në veri të Gazës që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në jug, teksa Izraeli po përgatitet për një pushtim tokësor të Rripit të Gazës.

    “Mesazhet në këto fletushka nuk mund të konsiderohen si paralajmërime efektive për civilët dhe në vend të kësaj ofrojnë dëshmi të mëtejme se Izraeli synon që me forcë të zhvendosë civilët në veri të Gazës”, tha Donatella Rovera, këshilltare e lartë në AI për përgjigje ndaj krizave.

    “Shpallja e një qyteti të tërë apo të një rajoni si cak ushtarak është në kundërshtim të ligjit ndërkombëtar humanitar”, shtoi Rovera.

    Izraeli po bombardon vazhdimisht Rripin e Gazës – ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë – në kundërpërgjigje të sulmeve të Hamasit. Hamasi kreu sulme të koordinuara nga toka, ajri dhe deti më 7 tetor në qytetet jugore izraelite, duke vrarë mbi 1.400 izraelitë. Në Gazë është raportuar për mbi 5.700 të vrarë.

    Izraeli është zotuar se do të kryejë një sulm tokësor në Gazë për të shënjestruar Hamasin, por nuk ka treguar se kur do të ndodhë një sulm i tillë.

  • ​Gjermania do të deportojë më shpejt azilkërkuesit e refuzuar

    ​Gjermania do të deportojë më shpejt azilkërkuesit e refuzuar

    Qeveria gjermane synon të intensifikojë dëbimin e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani, u bë e ditur pas mbledhjes së qeverisë në Berlin.

    “Ne do të sigurohemi që njerëzit që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani të largohen më shpejt nga vendi ynë”, tha ministrja e Brendshme Nancy Faeser.

    Ajo tha se dëbimi i atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani është i domosdoshëm në mënyrë që të mund të përmbushin detyrimet ndaj atyre që vërtet kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare.

    “Shtrëngimi i ligjit është i nevojshëm në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë të përmbushim përgjegjësinë tonë ndaj njerëzve që kërkojnë mbrojtje nga terrori dhe luftërat, siç është rasti, për shembull, me mbi 1.1 milion refugjatë nga Ukraina”, shtoi ministrja socialdemokrate.

    Qëllimi i projektligjit, i cili ende duhet të kalojë në procedurë parlamentare, është të reduktojë rrethanat aktuale rënduese që pengojnë një proces më efikas të dëbimit nga Gjermania.

    Kështu, ndalimi që i paraprin dëbimit mund të zgjasë 28 ditë në vend të 10 ditëve aktuale. Gjithashtu, policia do të mund të kërkonte persona në listën për dëbim në shtëpitë e refugjatëve dhe të hynte në ambientet e banorëve të tjerë të akomodimit, jo vetëm ata që kërkohen.

    Në të njëjtën mënyrë, nuk do të kishte më asnjë njoftim për dëbim, i cili në të kaluarën shumë njerëz strehoheshin në një adresë të panjohur para deportimit, dhe është e mundur të inspektohen telefonat celularë dhe kompjuterët për të konfirmuar shtetësinë e personi që duhet të deportohet.

    Dëbimet shpesh dështojnë pasi njerëzit, të cilëve nuk u është dhënë statusi i refugjatit ose u është mohuar azili, shkatërrojnë dokumentet e tyre personale dhe refuzojnë të japin informacion për origjinën e tyre, kështu që autoritetet nuk mund të përcaktojnë se në cilin vend duhet të deportohen.

    Gjithashtu do të hiqen pengesat ligjore për të mundësuar dëbimin më të shpejtë të personave që kanë shkelur ligjin ose të personave që konsiderohen të rrezikshëm për shkak të prejardhjes së tyre ekstremiste.

    Në Gjermani, 7.861 persona u dëbuan në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kryesisht qytetarë të Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë.

    Në të njëjtën kohë, 280.000 njerëz jetojnë në Gjermani pa të drejtë qëndrimi. Por pjesa dërmuese e tyre nuk mund të deportohen për arsye të ndryshme, ndër të cilat më të shpeshtat janë mungesa e dokumenteve të udhëtimit apo sëmundjet.

    Qeveria gjermane njoftoi gjithashtu rritjen e kontakteve me vendet nga të cilat vijnë më shpesh njerëzit që nuk kanë mundësi të marrin azil në Gjermani, si vendet e Magrebit ose India dhe Pakistani, si dhe Gjeorgjia dhe Moldavia. Opozita kërkon që këto vende të shpallen të ashtuquajturat vende të sigurta, të cilat do të mundësonin një procedurë më të shpejtë për refuzimin e azilit.

    Opozita Kristian Demokrate nga Unioni CDU/CSU kërkoi, përveç masave të shtuara të dëbimit, ndalimin e “emigrimit të parregulluar” drejt Gjermanisë dhe atë në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, opozita, populliste e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka kërkuar masa më të ashpra për të ndaluar emigrantët e paligjshëm.

    “Për sa kohë që emigrantët e paligjshëm nuk ndalen në kufi, por tërhiqen nga përfitimet sociale që veprojnë si magnet i migrantëve, masat si heqja e pengesave për dëbimin më të shpejtë janë simbolike,” njoftoi AfD.

    Organizatat humanitare, si dhe pjesë të Partisë së Gjelbër në pushtet, kundërshtojnë lehtësimin e dëbimeve për shkak të masave që cenojnë të drejtën e privatësisë. Mbi 300 mijë kërkesa për azil janë regjistruar këtë vit në Gjermani dhe vlerësohet se numri i refugjatëve mund të arrijë shifrat rekord të vitit 2015.

  • ​Racizmi në rritje në Evropë, zbulon sondazhi

    ​Racizmi në rritje në Evropë, zbulon sondazhi

    Racizmi është në rritje në Evropë, ku gati gjysma e afro-amerikanëve në shtetet anëtare të anketuar nga BE-ja raportojnë diskriminim, duke filluar nga abuzimi verbal i fëmijëve të tyre deri te pengesa nga pronarët për të marrë shtëpi me qira.

    Në çdo sferë të jetës, nga shkollat te tregu i punës, strehimi dhe shëndetësia, një sondazh nga agjencia e BE-së për të drejtat e njerëzve me origjinë afrikane zbuloi nivele të larta diskriminimi, me disa nga rezultatet më të këqija të regjistruara në Austri dhe Gjermani.

    Sondazhi i 6.752 njerëzve me origjinë afrikane në 13 vende – Austri, Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Irlandë, Itali, Luksemburg, Poloni, Portugali, Spanjë dhe Suedi – zbuloi se 45% kishin përjetuar diskriminim racor, një rritje prej gjashtë pikë përqindjeje nga 39% në vitin 2016.

    Në Austri dhe Gjermani, tre në katër nga të pyeturit (72% dhe 76%) thanë se ishin ndjerë të diskriminuar në pesë vjetët e fundit, nga gjysma (51% dhe 52%) kur u bë e njëjta pyetje në vitin 2016.

    Një në katër (23%) të anketuar thanë se pronarët e pronave private i kishin penguar ata të merrnin shtëpi me qira për shkak të origjinës së tyre racore ose etnike.

    Një e katërta (23%) e njerëzve me ngjyrë treguan se dikush i bëri komente fyese ose kërcënuese personalisht fëmijës së tyre për shkak të prejardhjes së tyre etnike ose emigrante. Pothuajse dy nga pesë prindër në Irlandë (39%), Gjermani dhe Finlandë (të dy 38%) dhe Austri (37%) raportuan përvoja të tilla.

    Në të gjithë vendet e anketuara, të rinjtë me origjinë afrikane u zbuluan se kishin tri herë më shumë gjasa të linin shkollën herët, krahasuar me popullsinë e përgjithshme.

    Një në katër (26%) e të anketuarve thanë se ishin ndaluar nga policia në pesë vitet para anketës. Midis tyre, rreth gjysma (48%) e karakterizuan ndalesën si profilizimin racor.

    Përqindja mesatare e zezakëve që thanë se besonin se kishin qenë viktimë e profilizimit etnik nga policia ishte rritur në të gjithë vendet e anketuara nga 41% në 2016 në 48% në vitin 2022, kur u ndërmor sondazhi i fundit.

    Të anketuarit në sondazhin e BE-së ose kanë lindur në vendet e Afrikës Sub-Sahariane ose ishin pasardhës të emigrantëve me të paktën një prind të lindur në Afrikën Sub-Sahariane, raporton The Guardian.

  • ​CNN: Amerikanët po i bëjnë thirrje Izraelit të braktisë pushtimin total të Gazës

    ​CNN: Amerikanët po i bëjnë thirrje Izraelit të braktisë pushtimin total të Gazës

    Këshilltarët ushtarakë amerikanë po përpiqen, duke iu referuar mësimeve të nxjerra nga lufta në Irak, të parandalojnë Izraelin që të nisë një sulm tokësor gjithëpërfshirës në Gaza, raporton CNN.

    Ndërsa ata ndihmojnë Izraelin të përgatisë një strategji për të mposhtur grupin militant Hamas, këshilltarët shpresojnë se ushtria izraelite (IDF) do të shmangë zhytjen në luftime të përgjakshme shtëpi më shtëpi, diçka që amerikanët nuk kanë arritur ta bëjnë në Irak, thanë burime të shumta.

    Në veçanti, ata bëjnë thirrje për mësime të nxjerra në Falluxha, një nga betejat më të përgjakshme të luftës në Irak.

    Ata thonë se në vend që të nisë një sulm tokësor në shkallë të gjerë, Izraeli duhet të përdorë një kombinim të sulmeve ajrore precize dhe operacioneve speciale të synuara. Administrata Biden dërgoi një gjeneral marins me tre yje për të këshilluar IDF për planifikimin e sulmit, raporton CNN.

    Zyrtarët paralajmëruan gjithashtu se ekziston një shqetësim në rritje në Uashington se strategjia e sulmit tokësor të Izraelit është “me gjysmë zemre” dhe mund të çojë në pushtimin e Gazës nga forcat izraelite për një kohë të pacaktuar.

  • ​OSBE: Gjykatat në Kosovë të vendosin paraburgimin vetëm si mjet të fundit

    ​OSBE: Gjykatat në Kosovë të vendosin paraburgimin vetëm si mjet të fundit

    Përdorimi i tepruar i paraburgimit është çështje globale që paraqet shqetësim për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ndërsa edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme.

    Duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset kjo masë, thuhet në raportin më të fundit publikuar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

    Raporti ka analizuar 70 seanca të “paraburgimit” të monitoruara nga Misioni në mbarë Kosovën në vitin 2022, nëntë vendime të apelit në vitin 2023, në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe të të drejtave të njeriut.

    Raporti vë në dukje praktika pozitive në sistemin e drejtësisë, krahasuar me konstatimet në raportet e mëparshme të OSBE-së, si për shembull respektimi i afateve procedurale dhe sigurimi i përfaqësimit të të gjithë të pandehurve me avokatë në seancat e paraburgimit.

    Megjithatë, raporti po ashtu vë në dukje brenga, duke përfshirë mungesën e shfrytëzimit të alternativave ndaj paraburgimit (si lirimi me dorëzani), arsyetimin e pamjaftueshëm në vendimet për paraburgim, si dhe dështimin në individualizim të vendimeve në rastet ku ka disa të pandehur.

    “Vendimet për paraburgimin janë sfiduese. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të mbështesin sundimin e ligjit dhe të mbrojnë publikun. Ata duhet të marrin vendime të vështira – të vlerësojnë rrezikun dhe të baraspeshojnë të drejtat e të pandehurit me sigurinë publike, si dhe të sigurojnë që ata që kryejnë krime të mbajnë përgjegjësi”, tha ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

    Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, u zotua t’i adresojë gjetjet e raportit, duke punuar së bashku me Gjykatën Supreme dhe Akademinë e Drejtësisë, për të harmonizuar dhe përmirësuar praktikat gjyqësore në lidhje me paraburgimin, por edhe mbështetjen e trajnimeve të nevojshme për zyrtarët e drejtësisë.

    Raporti përfundon me rekomandime specifike të shënjestruara për palët më kryesore të drejtësisë, sidomos për sa i përket trajnimit dhe zgjerimit të alternativave të disponueshme ndaj paraburgimit në fazën paraprake.

    Misioni do ta pasojë publikimin e raportit me diskutime në tryeza të rrumbullakëta me palët homologe të drejtësisë në mbarë Kosovën, për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet, thuhet në një komunikatë për media të OSBE-së.

  • ​Haradinaj: Serbia ka rritur masivisht luftën hibride ndaj Kosovës, pas luftës në Ukrainë

    ​Haradinaj: Serbia ka rritur masivisht luftën hibride ndaj Kosovës, pas luftës në Ukrainë

    Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, ka thënë se Serbia ka rritur në mënyrë të shpejtë aktet shkatërruese për te zgjeruar ndikimin rus ndaj Kosovës.

    Haradinaj këto komente i bëri në një panel diskutimi online të organizuar nga universiteti prestigjioz britanik i Shkencave Sociale (LSE), ku tha se krejt kjo me qëllim të krijimit të një konflikti të ri në Evropë.

    Gjatë këtij diskutimi ajo ka paraqitur edhe një grafik ku shpjegohet qartë pretendimi i Serbisë për luftë, duke renditur në mënyrë kronologjike disa nga aktet serbe, e të cilin e ka përmbyllur me agresionin e 24 shtatorit në Banjskë dhe takimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me ambasadorin rus, vetëm një ditë më pas.

    Ish-ministrja ka potencuar po ashtu edhe qasjen e butë të ndërkombëtarëve karshi Serbisë.

    “Ndërsa flasim, Serbia në mënyrë paradoksale vazhdon të jetë një anëtare pjesëmarrëse e pa sanksionuar në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe gëzon statusin e kandidatit në BE, ndërsa aspiratat e integrimit euroatlantik të Kosovës janë të përjashtuara nga vështrimi ndërkombëtar”, ka shkruar ajo sipër grafitit, të cilin e ka shpërndarë në X.

  • ​Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për 183 kg ‘’Marihuanë’’

    ​Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për 183 kg ‘’Marihuanë’’

    Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Y.H. dhe D.H, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, nga neni 267, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Në komunikatë thuhet se sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Y.H. dhe D.H, më 24 Tetor 2023, rreth orës 21:35 minuta, në brezin kufitar afër fshatit Kokaj komuna e Gjilanit, në bashkëveprim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë kryer veprën e sipërshënuar penale, në atë mënyrë që nga policia task forca kufitare, tek të njëjtit është gjetur substancë narkotike, e dyshuar e llojit marihuanë, me peshë prej 182.715 kg, e cila është sekuestruar.