ATV

Category: Lajme

  • Sot mbahet seanca e Apelit në rastin kundër Salih Mustafës

    Sot mbahet seanca e Apelit në rastin kundër Salih Mustafës

    Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara sot mban seancën në çështjen ndaj Salih Mustafës. Sipas njoftimit të Speciales, gjykimi do të mbahet nga ora 13:30 deri në 17:10.

    Salih Mustafa pretendohet se ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’).

    Aktakuza e ngarkon atë për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022 dhe deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.

    Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022: Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

    Në këtë çështje ishin 8 viktima pjesëmarrëse. Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023: Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

    Më 2 shkurt 2023, Mbrojtja e Mustafës njoftimin (konfidencial) për apel kundër Aktgjykimit. Versioni i redaktuar i fundit i dosjes së korrigjuar të apelit të Mbrojtjes u dorëzua më 15 shtator 2023. Seanca e apelit është caktuar të mbahet më 26 dhe 27 tetor 2023.

  • Bajrami tregon çfarë gabimi ka bërë Kosova në dialogun me Serbinë dhe pse e humbi njohjen

    Bajrami tregon çfarë gabimi ka bërë Kosova në dialogun me Serbinë dhe pse e humbi njohjen

    Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha Kosova ka bërë gabime në dialogun me Serbinë, duke mos qenë gjithmonë pragmatike.

    Sipas tij, kjo mungesë e pragmatizmit, i ka humbur Kosovës njohjen nga Serbia.

    “Pala kosovare ka bërë gabime në dialog, nuk ka qenë gjithmonë pragmatike, sepse të kujtojmë që para një viti a dy vitesh, Kosovës i është ofruar një zgjidhje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme me njohje në Qendër. Ajo ka qenë korniza e dialogut, ka qenë propozim amerikan por edhe evropian, që Kosova dhe Serbia duhet të përmbyllur dialogun me një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme, që do të thotë e akceptushme në Kushtetuat e dy vendeve, që kërkonte ndryshime kushtetuese nga Serbia, heqjen e Kosovës nga Preambula dhe që decidivisht parashihte njohjen reciproke”, tha Bajrami. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Bajrami: Nesër do të bëhet një trysni e padrejtë ndaj Kosovës

    Bajrami: Nesër do të bëhet një trysni e padrejtë ndaj Kosovës

    Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, në emisionin CONTEXT në ATV, duke folur për takimin e nesërm vlerëson se në takimin e nesërm të kryeministrit me liderët e BE-së, tha se Kosovës do t’i bëhet një trysni e padrejtë, në vend që nesër të koncentrohen më shumë te përgjegjësia që ka Serbia për ngjarjet e 24 shtatorit.

    “Me sa unë po shoh, nesër do të bëhet një plan i sekuencimit apo një prioritet, ku në radhë të parë do të bëhet një trysni e padrejtë ndaj Kosovës, në vend që nesër të koncentrohen më shumë te përgjegjësia që ka Serbia për ngjarjet e 24 shtatorit dhe t’i bëhet një presion që t’i dorëzojë kriminelët, të cilët i ka sponsoru ose të ekstradojë në Republikën e Kosovës, të shfrytëzohet ky momentum që ndoshta të po të ndërtohet një pozicion asimetrik, ku Kosovës do t’i kërkohen tri gjëra të shpejta. Pra, e para të diskutojë dhe të marrë në konsideratë një draft që tani si duket është përgatitë nga emisarët që kanë ardhë në Kosovë. Më dyta, të ndërtojë një agjendë e qartë të zgjedhjeve në katër komuna dhe pas cilës të zgjedhjeve të mundësojë rikthimin e serbëve në institucione, pra jo vetëm në asambletë komunale dhe në pozitën e kryetarëve të komunave, por edhe në administratë publike, ndoshta në polici dhe në gjyqësor. Mendoj që kjo kërkon prej palës kosovare që nesër të jetë shumë e përgatitur, konstruktive, por edhe shumë e vendosur”, tha Bajrami. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Minatorët të rraskapitur por të vendosur, greva vazhdon

    Minatorët të rraskapitur por të vendosur, greva vazhdon

    Përgatiti: Armand Hoti

    Me shpejtësi prej 4 metrash për sekondë, në ashensorin një shekull të vjetër, po shkojmë drejt horizontit të dhjetë të minierës së Trepçës, ku edhe po qëndrojnë minatorët grevistë.

    Rreth 800 metra nën sipërfaqen e tokës, me sasi të limituara të ushqimit e pijeve, punëtorët e nëndheshëm të Kosovës po zhvillojnë ditën e dytë të grevës.

    Brenda 24 orëve, tre nga minatorët u alivanosën, derisa dhjetëra të tjerë kërkuan ndihmë mjekësore.

    “Është rasti i tretë brenda 24 orëve. Jemi të rraskapitur pa ngrënë e pa pirë, 19 orë s’kam ngrënë”, tha Miftar Mehmeti, minator/grevist.

    Përkundër ekzekutimit të 55 përqindëshit të pagës së shtatorit, që ndërmarrja iu detyrohej, minatorët përveç sigurimit shëndetësor dhe përmirësimit të kushteve të punës, po kërkojnë shkarkimin nga detyra të ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ‘’Trepçës’’.

    “Nga muaji qershor, ne duhet çdo muaj të grevojmë për të arritur të marrin pagën mujore, ne e shohim një keq-menaxhim që po ndodh atje, e duhet të mbahet përgjegjës dikush për të e që mendojmë që është menaxhmeti dhe për këtë arsye kemi kërkuar shkarkimin e tij”, tha kryetari i Sindikatës të Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi.

    Minatorët të përkrahur edhe nga punëtorët e flotacionit, janë të vendosur ta vazhdojnë grevën e tyre deri në realizimin e kërkesave, derisa përkrahen edhe nga sindikatat e tjera të Kosovës.
    Kurse pensionisti Ferid Neziri, i cili qe pjesë e grevës së urisë në 89-ën, erdhi në minierë në mbështetje të grevës të kolegëve të tij.

    “Kam ardhur t’i përkrahë kolegët e mi, unë e kam djalin këtu, vëllezërit të gjithë të këtij vendi jemi”, tha Neziri.

    Se minatorët punojnë në kushte të vështira të punës, e thotë edhe Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Njësisë Biznesore ‘’Trepça’’, në Stan Tërg. Madje, sipas tij, si pasojë e grevës humbjet kapin vlerën e dhjetëra mijëra eurove.

    Ndërsa, si zakonisht, as kryeshefi i ndërmarrjes e as nga Bordi Mbikëqyrës i ‘’Trepçës’’, nuk iu përgjigjën televizionit.

    Punëtorët e ‘’Trepçës’’ kanë mbajtur grevë edhe në korrik të këtij viti, për shkak të mos-ekzekutimit të pagave të qershorit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, të cilin e gjeni në videon më poshtë:

  • Aparatura e re në Onkologji shkurton listën e pritjes

    Aparatura e re në Onkologji shkurton listën e pritjes

    Përgatiti: Sara Shehu

    Pacientët e diagnostikuar me kancer, për vite me radhë shërbimet mjekësore në Klinikën e Onkologjisë në QKU i kanë marrë përmes aparaturave të vjetra.

    Përveç aparaturave në këtë klinikë, edhe hapësirat janë të ngushta.

    Mirëpo, këto telashe sipas një postimi të kryeministrit Albin Kurti, do të evitohen.

    Të martën në mbrëmje, Kurti mes tjerash njoftoi se janë ndarë edhe 500 mijë euro për renovimin e objektit, derisa përmendi edhe blerjen e akseleratorit me vlerë mbi 1 milion euro.

    Me blerjen e aparaturave të reja, sipas drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, lista e pritjes është shkurtuar.

    “Aparaturat e avancuara po eliminojnë listën e pritjes, e cila është një sukses për stafin e onkologjisë. Pra përmes një rrezatimi të specializuar, jemi duke ia dalë në këtë pjesë”, tha drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

    Ndërsa sa i përket punimeve, sipas Kurtishit, i gjithë renovimi pritet të përfundojë në fillim të vitit 2024.

    “Brenda 6 muajve renovimi pritet të realizohet, këto ndryshime do të rrisin numrin e shtretërve nga 45 në 90. Do të kemi hapësirë më të përshtatshme për pacientët. Monitorimi i punës, po ashtu, do të jetë më i lehtë, puna e stafit mjekësor do të jetë më efikase e çdo gjë do të stabilizohet më shumë”, tha Kurtishi.

    Mirëpo, sipas Besim Kodrës, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, duhet të bëhet më shumë sa i përket trajtimit të pacientëve të prekur nga kanceri.

    “Rritja e nevojës për shtimin e kapaciteteve në Onkologji, na tregon se shteti nuk po e bën punën e duhur në parandalimin e kancerit. Përderisa, shteti nuk ka programe të skriningut të kancerit, gjithmonë do të merremi me pasojat. Kjo po e dëmton shëndetin e qytetarëve. Pra nevoja për shtim të kapaciteteve në kohën kur Kosova po zbrazet, tregon se kancerin nuk e kemi fare nën kontroll”, tha Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve.

    Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka njoftuar se deri në përfundimin e punimeve, pacientët e hospitalizuar në katin e dytë të objektit të onkologjisë, do të transferohen në hapësirat afër sterilizimit qendror, hapësirë kjo që më parë ka shërbyer për pacientët si ambulancë specialistike e Klinikës së Ortopedisë.

    Për transformimin e tërësishëm të klinikës së onkologjisë, Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Qeverinë, kanë ndarë gjithsej 2.1 milionë euro.

  • ASK: Regjistrimi i popullsisë me 1 nëntor, i pamundur

    ASK: Regjistrimi i popullsisë me 1 nëntor, i pamundur

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas katër shtyrjeve, 1 nëntori u vendos si datë për fillimin e regjistrimit të popullsisë.

    Por ky proces do të presë edhe për pak kohë, pasi që në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ende mungojnë tabletët me të cilët ishte menduar të zhvillohej ky proces.

    “Kemi shumë probleme në furnizim me tabletë, gjë që e pamundëson që regjistrimi të fillojë më 1 nëntor”, tha Avni Kastrati, drejtor i Departamentit për Statistika Sociale dhe të Popullsisë.

    Për mosfillimin e këtij procesi, Drejtori i Departamentit për Statistika Sociale dhe të popullsisë e ka njoftuar edhe Qeverinë, mirëpo prej saj ende nuk e ka marrë një përgjigje.

    “Para disa javëve është bërë një kërkesë ndaj Qeverisë, për shkak të çështjeve teknike, por ka edhe aspekte të tjera që regjistrimi të bëhet me kohë, Qeveria është duke e bërë shqyrtimin që të ndërrohet kjo datë”, tha Kastrati.

    Ekzekutivi nuk ktheu përgjigje as në pyetjet e televizionit. Mirëpo, për këtë çështje nuk kanë informacione as anëtarët e Komisionit për Buxhet, i cili monitoron punën e ASK-së.

    Pas dështimit të furnizimit me tabletë nga operatori ekonomik “BOTEK SHPK”, një kontratë e re u nënshkrua në vlerë mbi 1 milion e 100 mijë euro, vetëm para pesë ditëve me kompaninë “Aritech”, prej së cilës ASK-ja pret që furnizimin me këto pajisë digjitale të bëjë brenda dy javëve.

  • Furnizimi nga Badoci, uji vazhdon të jetë i papijshëm

    Furnizimi nga Badoci, uji vazhdon të jetë i papijshëm

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Po bëhet pothuajse 1 javë prej kur uji për qytetarët e Prishtinës që furnizohen nga liqeni i Badocit, është i papijshëm.

    Por edhe për disa ditë gjendja do të jetë e njëjtë.

    ATV-ja mëson nga burimet brenda IKSHPK-së, se vlera e Manganit vazhdon të jetë e njëjtë si para dy ditëve.

    Sipas profesorit të departamentit të Kimisë, Ilir Shehu, për uljen e vlerës së Manganit nevojiten së paku 2 javë.

    Ndërkaq, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se nuk ka nevojë për shqetësim, derisa bën apel që të përfillen rekomandimet.

    Derisa vlerat e shtuara të manganit në ujin e Liqenit të Badocit vijnë si pasojë e faktorëve natyrorë dhe njerëzorë, aktualisht, sipas IKSHPK-së, uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe të ambienteve të banimit.

  • KGJK-ja konfirmon shkarkimet e kryetares së gjykatës në veri

    KGJK-ja konfirmon shkarkimet e kryetares së gjykatës në veri

    Përgatiti: Nora Luta

    Pak para se të bëhet një vit prej kur dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në Gjykatën Themelore të Mitrovicës së Veriut, Liljana Stefanovic e Nikolla Kabashiq janë shkarkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

    Procedurat disiplinore ndaj ish-kryetares së Gjykatës dhe ndaj udhëheqësit të divizionit të Apelit në veri, kishin nisur vitin e kaluar, kur ata kishin marrë pjesë në organizimet e Listës Serbe kundër vendimeve të Qeverisë.

    Vendimin për shkarkimin e Stefanovicit e Kabashiqit, KGJK-ja e kishte marrë në korrik, por asnjëri nuk e shfrytëzoi të drejtën e ankesës në Gjykatën Supreme.

    KGJK-ja është duke e hetuar edhe zv.administratorin e Gjykatës në veri, Marko Jakshiq.

    Ndërkohë, KGJK-ja ende nuk i ka aprovuar dorëheqjet e pjesës tjetër të stafit të gjykatës.

    Sipas kryesuesit, secili që ka konsumuar shkelje disiplinore mund të shkarkohet.

    Stevanovic dhe Kabashiq, bashkë me gjyqtarët e tjerë dhe stafin administrativ të Gjykatës, i ishin bashkuar banorëve lokalë në pjesën veriore për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për targa dhe të suspendimit të ish-drejtorit të Policisë për këtë rajon, Nenad Gjuriq, duke dhënë edhe dorëheqje nga pozitat e tyre.

    Dorëheqje nga pozitat e tyre më 7 nëntor të vitit të kaluar dhanë edhe zyrtarët policorë të nacionalitet serb dhe ata të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

    Ndërkohë, Stevanovic ishte ndëshkuar edhe kur kishte marrë pjesë vitin e kaluar në takimin e thirrur nga presidenti serb Aleksandar Vucic, në Beograd bashkë me Listën Serbe për të diskutuar rreth situatës në Kosovë.

  • Komisioni evidenton lëndët e përmbaruesit të shkarkuar nga Ministria e Drejtësisë

    Komisioni evidenton lëndët e përmbaruesit të shkarkuar nga Ministria e Drejtësisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Për klientë, zyra e ish-përmbaruesit Ilir Mulhaxha, të mërkurën, qe e mbyllur tërë ditën.

    Dera e vendit të punës të të suspenduarit nga Ministria e Drejtësisë u hap vetëm për komisionin e krijuar nga po ky dikaster, i cili do t’i evidentonte lëndët, para se t’ua bartte përmbaruesve të tjerë.

    Mulhaxha vendimin e konsideron politik dhe të padrejtë.

    “Unë jam viktimë e këtij procesi. Po i shihni lëndët. Po presim vendimin për transferin e lëndëve, të cilin e konsideroj të paligjshëm. Vetëm se i kam zbatu vendimet gjyqësore të gjykatës së arbitrazhit”, tha Mulhaxha.

    Derisa komisioni po vazhdonte evidentimin e mbi 4000 lëndëve, avokatët e Mulhaxhës dorëzuan ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Mulhaxha është shkarku vetëm se ka zbatu një vendim të Gjykatës Komerciale të Kosovës. Besojmë se Gjykata Kushtetuese do t’i aprovojë argumentet tona”, tha Ylli Zeka, avokat i Ilir Mulhaxhës.
    Ilir Mulhaxha u shkarkua më 28 shkurt të këtij viti, me vendim të Ministrisë së Drejtësisë, të cilin e kishte nënshkruar zëvendësministri Blerim Sallahu.

    Arsye kryesore, sipas vendimit, ishin shkeljet disiplinore të cilat i kishte evidentuar Komisioni Disiplinor në punën e përmbaruesit, që është edhe vëlla i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku.

  • Kurti pranon “planin e ri” shkon në Bruksel për takime me liderë evropianë

    Kurti pranon “planin e ri” shkon në Bruksel për takime me liderë evropianë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për vazhdimin e diskutimeve për planin e ri për dialogun, pjesë e të cilit është asociacioni, apo forma e vetë-menaxhimit të komunitetit serb, kryeministri Albin Kurti do të zhvillojë takime me liderët e BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

    Në margjina të Këshillit Evropian në Bruksel, të enjten, kryeministri do të takojë presidenten Ursula Von Der Lyen, kancelarin Olaf Scholz, presidentin Emmanuel Macron dhe kryeministren Giorigia Meloni.

    “Takimi do të jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët, gjatë vizitës së tyre në Prishtinë, me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

    Duke u pajtuar me planin e ri të prezantuar nga pesë emisarët në fundjavë, Kurti shprehu gatishmërinë për vazhdimin e diskutimeve, siç theksohet, “në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”.

    “Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
    Pa treguar modelin e propozuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se ai nuk bie ndesh me Kushtetutën.

    “Në një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë”, tha Konjufca.

    Ndërsa, pa dhënë detaje për “propozim-modelin modern evropian” për Asociacionin, BE-ja konfirmoi se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë do të kenë takime të ndara – dhe jo një të përbashkët të nivelit të lartë.

    “Liderët, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës janë ftuar të vijnë në Bruksel për një seri të takimeve individuale me liderë të caktuar evropianë. Në këtë fazë nuk do të lëshohem në detaje logjistike, do t’i publikojmë ato më vonë. Por, ideja është që të kemi këto takime në margjinat e Këshillit Evropian në mbështetje të kthimit në dialog, sepse ky është mesazhi kryesor i BE-së, mesazhi i 27-shes së BE-së me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, siç është dërguar nga Përfaqësuesi i Posaçëm dhe kolegët e tij në fundjavë. Ne presim që Serbia dhe Kosova të kthehen menjëherë dhe pa kushte në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga dialogu. Menjëherë dhe pa kushte të nisin ose të vazhdojnë të punojnë për deeskalimin, si dhe urgjentisht dhe pa asnjë kusht të ri-angazhohen në dialog”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.

    Zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së konfirmoi se Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, do të informojë liderët e shteteve anëtare në takimin e Këshillit Evropian lidhur me dialogun dhe raportet Kosovë – Serbi.

    Këshilli, po ashtu, pritet të shqyrtojë draft-konkluzionet lidhur me dialogun dhe raportet Kosovë – Serbi.