ATV

Category: Lajme

  • Dëmtohen varrezat në Mitrovicë

    Dëmtohen varrezat në Mitrovicë

    Të enjten në Mitrovicë të Veriut, një person ka raportuar që janë dëmtuar varrezat.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, dëmtimi ka ndodhur gjatë punimeve të një kompanie në atë lokacion.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se gjatë punimeve të një kompanie në atë lokacion, janë dëmtuar disa varreza. Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar një person mashkull kosovar”, thuhet në raport.

    Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • Biden dënon sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor

    Biden dënon sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor

    Presidenti amerikan, Joe Biden, ka dënuar sulmet hakmarrëse nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor.

    Ai tha se po dyfishon përkushtimin e tij në punën për zgjidhjen me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit shumëvjeçar midis Izraelit dhe palestinezëve.

    Biden tha se sulmet “nga kolonët ekstremistë” po i hedhin më shumë benzinë zjarrit në Lindjen e Mesme, ku situata është tensionuar që nga sulmet e Hamasit.

    “Kjo duhet të ndalet. Ata duhet të mbahen përgjegjës”, tha Biden, gjatë konferencës për media së bashku me kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, i cili po viziton Uashingtonin.

    Dhuna e kolonëve kundër palestinezëve është intensifikuar që nga sulmet e Hamasit dhe kolonët kanë vrarë palestinezë, kanë thënë autoritetet palestineze. Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se kolonët kanë djegur vetura dhe kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduinësh, duke i detyruar ata të evakuohen në vende të tjera.

    Konsorciumi për Mbrojtjen e Bregut Perëndimor – koalicion i organizatave joqeveritare dhe shteteve donatore, përfshirë edhe Bashkimin Evropian – tha se qindra palestinezë janë zhvendosur me forcë në Bregun Perëndimor për shkak të dhunës së kolonëve që nga 7 tetori.

    Dhuna vdekjeprurëse ka mbërthyer Bregun Perëndimor, përderisa ushtria izraelite po ndjekë militantët palestinezë pas sulmit të Hamasit nga Gaza.

    Dhuna po kërcënon që të hapet edhe një front i ri në luftën tashmë dyjavore mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

    Biden sërish dënoi sulmet e Hamasit që kanë lënë të vrarë 1.400 izraelitë.

    Presidenti amerikan tha se pasi të përfundojë konflikti Izrael-Hamas, Izraeli, palestinezët dhe partnerët e tyre duhet të punojnë në zgjidhjen me dy shtete.

    “Kur të përfundojë kriza, duhet të ketë një vizion se çfarë do të ndodhë më pas. Ne mendojmë se duhet të jetë zgjidhja me dy shtete”, tha ai.

    Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, tha se mbi 6.500 palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve hakmarrëse të Izraelit. Biden tha se është kritike që Izraeli të ketë kujdes gjatë përgjigjes së tij që të minimizojë numrin e viktimave në mesin e civilëve./REL/

  • Kush është Robert Card? I dyshuari për të sulmin masiv në Lewiston  në SHBA

    Kush është Robert Card? I dyshuari për të sulmin masiv në Lewiston në SHBA

    Policia në Lewiston të Maine-s në SHBA, ka identifikuar Robert Card, një oficer ushtarak 41-vjeçar në pension, si të dyshuarin kryesor për të shtënat në të paktën dy biznese në këtë qytet, shkruajnë mediat amerikane, transmeton atvlive.tv.

    Card, i cili është dy herë i divorcuar dhe baba i tre fëmijëve, ka një histori arrestimesh për dhunë në familje dhe krime të tjera. Një prej ish-gruas së tij ka marrë masën e ndalimit ndaj tij.

    Ndërsa Card identifikohet si një i pavarur politikisht, raportet sugjerojnë se ai mund të ketë votuar për Barack Obamën në të kaluarën.

    Nuk ka pasur asnjë shenjë aktiviteti të dyshimtë gjatë javëve të fundit, as personalisht, as në rrjetet e tij sociale dhe nuk ka të dhëna për sëmundje mendore.

    Automjeti i mundshëm me të cilin u arratis Robert Card

    Raportet kontradiktore rrethojnë përshkrimin e automjetit të të dyshuarit, me disa burime që thonë se ai ka ikur me një veturë të tipit Honda Civic, ndërsa të tjera përmendin një veturë Subaru Outback.

    Policia lokale dhe Departamenti i Sigurisë Publike në shtetin e Maine u kanë kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mbajnë dyert e tyre të mbyllura.

    Shanon Moss, zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Publike në Maine, ka konfirmuar se policia po heton në mënyrë aktive dy lokacione në kërkim të të dyshuarit.

    Numri i saktë i të vdekurve në Lewiston mbetet ende u panjohur, derisa raportet fillestare sugjerojnë se mund të jetë rreth 20 të vdekur dhe deri në 60 të plagosur.

    Raportet e para për të shtënat dolën rreth orës 20:00 sipas orës lokale në Lewiston , në disa lokacione, duke përfshirë një restorant të quajtur Schemengees Bar and Grille, një rrugicë boëling të quajtur Sparetime Recreation dhe lokalin e Walmart. /atvlive.tv

  • Zhduket një vajzë në Gjilan

    Zhduket një vajzë në Gjilan

    Një vajzë është zhdukur në qytetin e Gjilanit.

    Rasti ka ndodhur tri ditë më parë, rreth orës 17:00.

    Ankuesi, familjar i viktimës, rastin e ka paraqitur edhe në polici.

    Ai ka deklaruar se viktima, femër kosovare, është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më që nga 23 tetori.

    “Rasti është duke u hetuar”, bën të ditur policia.

  • Autoritetet kosovare: Rreshteri Bunjaku u vra me armë të ndaluara ndërkombëtarisht

    Autoritetet kosovare: Rreshteri Bunjaku u vra me armë të ndaluara ndërkombëtarisht

    Autoritetet kosovare në një raport preliminar të lëshuar më 20 tetor, po thonë se grupi terrorist serb vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, me armë ndërkombëtarisht të ndaluara, sipas Konventës së Otavës.

    Kryeministri Kurti e ministri Sveçla nëpër konferenca bënë me dije se rreshteri Bunjaku ishte vrarë nga një minë me telekomandë, teksa mbronte territorin e Republikës së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    Në raportin preliminar të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se minat e konfiskuara nga Policia e Kosovës prej grupit terrorist, prodhim i vitit 1984, janë të ndaluara sipas Konventës së Otavës.

    “Minat e konfiskuara, të cilat janë prodhuar në vitin 1984, janë shkak për shqetësim të veçantë, veçanërisht pasi Serbia ende posedon një numër të konsiderueshëm të këtyre minat në stoqe. Këto armë madje janë të ndaluara sipas Konventës së Otavës. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, është vrarë me armë të ndaluara ndërkombëtare nga Serbia. Ai iu nënshtrua plagëve të shkaktuara nga një minë e tillë që u aktivizua nga distanca”, thuhet në raport preliminar.

    Mina të ngjashme, sipas autoriteteve të Kosovës, janë konfiskuar nga bandat e tjera kriminale në Serbi, të cilat, pretendohet nga raporti preliminar, janë të lidhura ngushtë me udhëheqësinë e Serbisë, si dhe me kriminelë dhe paraushtarakë si Milan Radoiçiq.

    Duke cituar ekspertët ushtarakë serbë, raporti preliminar thotë se këto armë mund të kenë hyrë në veri të Kosovës përmes vjedhjes së ndonjë depoje të armëve në Serbi, shitje nga tregtarë private apo transferim direct nga vetë shteti.

    Krerët shtetërorë kanë konfirmuar se vrasja e Afrim Bunjakut ka ndodhur në vendin e ngjarjes, pasi i njëjti ishte sulmuar me një minë telekomanduese nga grupi terrorist serb.

  • Arrestohet një person në Ferizaj, dyshohet për dhunim në vitin 2021

    Arrestohet një person në Ferizaj, dyshohet për dhunim në vitin 2021

    Është arrestuar një i dyshuar për kryerjen e veprës penale dhunim në vitin 2021.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Ferizaj. Prill 2021 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Bilanci i sulmit në Amerikë: Të paktën 22 persona të vrarë nga të shtënat, më shumë se 50 të plagosur

    Bilanci i sulmit në Amerikë: Të paktën 22 persona të vrarë nga të shtënat, më shumë se 50 të plagosur

    Të paktën 22 persona u vranë dhe të paktën 50 u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në qytetin Lewiston në shtetin amerikan të Maine.

    Vrasësi është në arrati dhe shërbime të shumta janë në kërkim të tij.

    Maine ndodhet në verilindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, afër Nju Jorkut dhe Zyra e Sherifit të Qarkut Androscoggin ka publikuar dy foto të një të dyshuari që mbante një pushkë.

    Të shtënat kanë ndodhur në tre ndërtesa të ndryshme, duke përfshirë një restorant.

    Thuhet se sulmuesi është 40-vjeçari Robert Card, sepse policia e ka etiketuar atë si “person me interes” dhe ka thënë se ai duhet të konsiderohet “i armatosur dhe i rrezikshëm”.

    Policia e Maine thotë se i dyshuari për të shtënat masive është një instruktor i armëve të zjarrit, i cili kohët e fundit mori trajtim në një institucion të shëndetit mendor. Ai u trajnua nga ushtria dhe së fundi u dërgua në një institucion për të marrë ndihmën e duhur për problemet e tij mendore.

  • Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme për ngritjen e koeficientit të pagave

    Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme për ngritjen e koeficientit të pagave

    Kuvendi Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme me të vetmën pikë të rendit të ditës.

    Deputetët do të mbajnë debat parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave.

  • Ndërprerja e punimeve në “Rrugën A”, sot protestohet në Prishtinë

    Ndërprerja e punimeve në “Rrugën A”, sot protestohet në Prishtinë

    Sot do protestohet në lagjen Kalabria në Prishtinë, për të kundërshtuar vendimin për ndërprerjen e punimeve në projektin “Rruga A”.

    Protesta është thirrur nga 12:00 përmes një faqeje në Facebook, ku bëhet thirrje që kundërshtohet vendimi i Gjykatës Komerciale.

    Njoftoheni se të enjten më dt. 26.10.2023 do të organizohet protesta paqësore lidhur me pezullimin e projektit në “Rruga A”(Jim Xhema), e cila lidhet me kolektorin në lagjen Kalabria, përkatësisht në rrugën ‘Ali Vitia. Protesta ka për qëllim shprehjen e qëndrimit tonë paqësor lidhur me pezullimin e punimeve tek ‘Rruga A’ dhe të planit rregullativ për lagjen. E njëjta do të zhvillohet dhe organizohet në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të ruhet rendi dhe qetësia publike”, thuhet në njoftim

  • Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, do të kenë takime individuale me liderë të caktuar të BE-së

    Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, do të kenë takime individuale me liderë të caktuar të BE-së

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ftuar në Bruksel sot për takime me liderët e Bashkimit Evropian.

    Ndryshe sipas qeverisë, agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kurtit, por ai është shprehur i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtjesore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes.

    “Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtjesore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes” ka bërë të qeveria”, kanë thënë ata.