ATV

Category: Lajme

  • Grenell: Jam personi i vetëm në botë që kam marrë Medalje Nderi nga Kosova dhe Serbia

    Grenell: Jam personi i vetëm në botë që kam marrë Medalje Nderi nga Kosova dhe Serbia

    Ish-emisari presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se është i vetmi person në botë që ka marrë medaljet më të lartë të Nderit nga Kosova dhe Serbia.

    Grenell ka rikujtuar medaljen që ka marrë nga Hashim Thaçi sa kishte qenë president para tre vitesh dhe medaljen që sot ia ka dhënë në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

    “Sot, mund të them se tani jam i vetmi person në botë që kam marrë Medaljen më të lartë të Nderit nga Kosova (3 vjet më parë) dhe Serbia (sot)”, ka shkruar Grenell.

  • Rama publikon pamje të rrugës “A”, thotë se mund të vonohet por do të realizohet

    Rama publikon pamje të rrugës “A”, thotë se mund të vonohet por do të realizohet

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar pamje të trasesë së rrugës “A” në kryeqytet.

    Këtë rrugë, Rama e ka cilësuar si një ndër projektet më të rëndësishme për Prishtinën.

    “Në videon më poshtë mund të shihni trasenë e rrugës dhe të kuptoni rëndësinë e veçantinë e kësaj rruge 6 kilometra, e cila do të lidhë lagjet ‘Kalabria’ dhe ‘Mati’ me Prishtinën e Re, duke reduktuar kështu në masë të madhe kolonat, eliminuar në tërësi kundërmimin e ujërave të zeza në lagjen ‘Kalabria’ dhe rritur zhvillimin ekonomik në kryeqytet”, ka shkruar ai krah videos së publikuar në Facebook.

    Sipas Ramës, realizimi i këtij projekti mund të vonohet, por do të bëhet.

  • ​Ndalohen tri raste të kontrabandës në Merdare

    ​Ndalohen tri raste të kontrabandës në Merdare

    Në kuadër të planit operativ për luftimin e kontrabandës dhe formave të tjera të krimit, Njësitë Antikontrabandës së Doganës së Kosovës kanë parandaluar tri raste të tentativave të kontrabandimit në pikë-kalimin kufitar të Merdares.

    Në rastin e parë të këtij operacioni, Njësitë Antikontrabandë kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme të barnave dhe steroidëve të pa deklaruar.

    Mallrat identifikuar janë përfshirë në mbi 600 paketime të llojeve të ndryshme. Procedura kundërvajtëse është iniciuar ndaj personit përgjegjës dhe mallrat janë konfiskuar, duke ndaluar tentativën e kontrabandimit të këtyre substancave të rrezikshme.

    Në rastin e dytë është parandaluar kontrabandimi i preparateve kimike për dysheme/epoksit. Operacioni ka vazhduar me zbulimin e sasisë së preparateve kimike për dysheme, që arrijnë një peshë prej rreth 35 kilogramë. Mallrat janë konfiskuar dhe është nisur procedura kundërvajtëse për personin përgjegjës.

    Ndërsa rasti i tretë ka të bëjë me tentativë të kontrabandës së 10 telefonave të markës iPhone Pro Max 13 dhe 12. Këto mallra janë konfiskuar, duke parandaluar tentativën e paligjshme për t’u futur në territorin e Kosovës.

    Dogana e Kosovës është vendosur të vazhdojë përpjekjet e saj të ndihmojë në ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe të ndalojë aktivitetet e paligjshme të kontrabandës në kufirin e vendit, thuhet në një komunikatë për media.

  • Marrëveshjet ndërkombëtare​, Lushtaku: Ambasadori gjerman Rohde ta kritikojë edhe pozitën

    Marrëveshjet ndërkombëtare​, Lushtaku: Ambasadori gjerman Rohde ta kritikojë edhe pozitën

    Kritika e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde drejtuar opozitës për mos miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, po konsiderohet si e njëanshme nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ai u shpreh i habitur se përse kritika të ngjashme nuk po i drejtohen edhe pozitës, derisa shton se pavarësisht miratimit të disa marrëveshjeve nga opozita, ato nuk janë implementuar.

    Në një postim në rrjetin social X, Rohde ka shkruar se me mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare po vihen në rrezik projekte të mëdha energjetike e bujqësore.

    Në një intervistë për KosovaPress, Lushtaku thotë se janë mbi 800 milionë euro që janë në marrëveshje ndërkombëtare, të cilat janë aprovuar me shumicë parlamentare dhe nga vetë ata si opozitë. Derisa potencon se të njëjtat nuk po implementohen dhe që nuk po gjejnë zbatim.

    “Është mirë që ambasadori ka bërë një kritikë, sepse ndonjëherë na kanë munguar, por për çudi këto kritika janë vetëm për opozitën, nuk janë për pozitën, gjë që më bën të habitem edhe më shumë. Pse më bën të habitem? Ne i dimë shumë marrëveshje ndërkombëtare që i kemi votuar si opozitë, pavarësisht a na kanë dhënë meritën apo jo. Nuk janë implementuar dhe nuk po implementohen. Janë mbi 800 milionë euro që realisht janë në marrëveshje ndërkombëtare që janë aprovuar me shumicë parlamentare edhe nga ne si deputetë të opozitës dhe që nuk po implementohen, janë të ngathët dhe realisht nuk po gjejnë zbatim. Kritika të ngjashme ishte dashur të jepen edhe qeverisë dhe pozitës në përgjithësi. Ndërsa, ne e dimë shumë mirë që edhe kur kemi dhënë mbështetje në marrëveshjet ndërkombëtare ka pasur kritika nga ana jonë dhe nuk kanë reflektuar”, tha Lushtaku.

    Në intervistën për KosovaPress, Lushtaku foli edhe për qëndrimin e Bashkimit Evropian karshi Serbisë lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se është për t’u habitur fakti që Serbia ende nuk është sanksionuar.

    “Ne çuditemi edhe me Bashkësinë Evropiane, pas ngjarjes dhe sulmit, aktit terrorist të Serbisë në Kosovë, është e habitshme që nuk ka sanksione ndaj Serbisë. Ajo ka bërë një akt lufte në Kosovë. Pavarësisht sanksioneve që ka dhënë Kosovës BE-ja dhe SHBA-ja për shkak të “aventurave” të Albin Kurtit. Ne duhet të jemi të gjithë se bashku kritikë edhe ndaj bashkësisë evropiane pse nuk po sanksionon Serbinë për aktin terrorist që po bën ndaj Kosovës”, potencoi Lushtaku.

    Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillojnë takime të ndara me katër liderët evropianë më 26 tetor në Bruksel.

    Bashkimi Evropian konfirmoi se Kurti dhe Vuçiq janë ftuar në Bruksel në margjinat e samitit të Këshillit Evropian të enjten.

    Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku konsideroi se kryeministri Kurti po bën hapa të gabueshëm në këtë drejtim. Ai thotë se Kurti dalëngadalë po kthehet në hapat e liderëve të mëparshëm që vetë i ka kritikuar.

    “Sigurisht që pas ngjarjeve të fundit ka ndryshuar tërësisht rrethanat dhe për normalitet. Edhe pse në gjithë duhet të synojmë paqen mbi luftën, duhet të më shumë të konsiderojmë jetën mbi humbjen e jetëve. Sigurisht që një përgjegjësi e madhe i takon dy udhëheqësve të shteteve të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim duhet të jemi të vëmendshëm se çfarë veprojmë. Besoj që Albin Kurti ka bërë hapa shumë të gabueshëm në këtë drejtim, dalëngadalë po kthehet në hapa të liderëve të mëparshëm që vetë i ka kritikuar, por a është vonë, mbetet të shihet”, theksoi Lushtaku.

    Ndryshe, burimet diplomatike thonë se plani është që në margjinat e këtij samiti, Kurti dhe Vuçiq të kenë takime të ndara me katër liderët evropianë, përfaqësuesit e të cilëve vizituan Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor.

    Sipas burimeve, plani është që “katër liderët, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell, të kenë takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e samitit të BE-së të enjten”.

  • Shpaloset projekti i ri i arenës “Zahir Pajaziti”, mbulojë e stadiumit dhe rritje e kapacitetit të ulëseve

    Shpaloset projekti i ri i arenës “Zahir Pajaziti”, mbulojë e stadiumit dhe rritje e kapacitetit të ulëseve

    Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me Drejtorin e Sportit, Pajtim Balaj, i kanë pritur sot në takim drejtuesit e klubit të futbollit Llapi, të udhëhequr nga trajneri Tahir Batatina, drejtori sportiv Mentor Zhdrella, sekretari Muhamet Rexhepi dhe disa futbollistë të prirë nga kapiteni Benjamin Emini.

    Kryetari Bulliqi i ka përgëzuar drejtuesit dhe futbollistët e klubit për paraqitjet dhe ndeshjet e mira që i kanë zhvilluar në këtë fillim kampionati.

    Ndërsa, klubi llapjan njofton se qëllim i kësaj vizite ishte shpalosja e projektit të ri të Arenës “Zahir Pajaziti” ku parashihet vendosja e mbulojës së stadiumit, rritja e kapacitetit të ulëseve dhe ndërtimi i tribunës lindore, me ç’rast Kryetari Bulliqi u zotua se së bashku me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport do ta mbështesin idenë që Arena “Zahir Pajaziti” të marrë pamje edhe më të bukur.

  • Ministria serbe e Mbrojtjes kërkon që vetëm KFOR-i të ruajë kufirin e Kosovës

    Ministria serbe e Mbrojtjes kërkon që vetëm KFOR-i të ruajë kufirin e Kosovës

    Serbia insiston që vetëm pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, të dislokohen në kufi, në anën e Kosovës.

    Kështu u tha pas takimit që ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, zhvilloi më 25 tetor me homologun e tij turk, Jashar Guler.

    Turqia ka marrë komandën e KFOR-it në tetor.

    “Ne fuqishëm inkurajojmë një komunikim të drejtpërdrejtë mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe komandantit të KFOR-it dhe ne insistojmë që vetëm pjesëtarët e KFOR-it të jenë të pranishëm përgjatë vijës administrative nga ana e ‘Kosovës dhe Metohisë’. Po ashtu të vazhdojnë patrullimet e përbashkëta të pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe me ata të KFOR-it përgjatë vijës administrative”, tha Vuçeviq.

    Serbia, që nuk e njeh Kosovën, e quan vijë administrative vijën kufitare me Kosovën.

    Kufiri i Kosovës me Serbinë ruhet nga Policia Kufitare e Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it.

    Vuçeviq tha se siguria në Kosovë “ishte tema kryesore e bisedës” me homologun e tij turk.

    “Ne jemi të inkurajuar nga garancitë që morëm nga zoti Guler lidhur me sigurinë e komunitetit serb”, shtoi ai.

    Sipas njoftimit, Vuçevi ka përsëritur qëndrimin e Beogradit se serbët në Kosovë “nuk kanë problem me praninë e pjesëtarëve të KFOR-it dhe prania e tyre ulë tensionet dhe çon drejt shtensionimit”. /REL/

  • MINT ndan skemën e parë të granteve për certifikimin e produkteve në vlerë 400 mijë euro

    MINT ndan skemën e parë të granteve për certifikimin e produkteve në vlerë 400 mijë euro

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka filluar zbatimin e Politikës Industriale sipas analizës së përformancës industriale dhe studimeve të zinxhirëve të vlerës për zhvillim industrial, duke mbështetur bizneset për certifikimin e produkteve, që kanë për qëllim eksportin përmes skemës financiare të granteve.

    Në komunikatë thuhet se në fazën e parë të kësaj skeme përfituan gjithsej 10 biznese derisa vlera e granteve të dhëna është 400 mijë euro.

    “Nga marrëveshjet e nënshkruara përmes kësaj skeme bizneset do të përfitojnë menjëherë 80% të mjeteve, derisa pjesa tjetër prej 20% do të realizohet atëherë kur bizneset të përfundojnë procesin e certifikimit të produkteve për eksport”, thuhet në komunikatë.

    Grantet u nënshkruan nga sekretari i MINT, Daut Latifaj, ndërkaq për një fjalë rasti ministrja e MINT Rozeta Hajdari para përfaqësuesve të bizneseve tha se Politika Industriale, zbatimi i së cilës po nis suksesshëm, ka krijuar një momentum të ri për bizneset tona, duke i përgatitur prodhimet vendore për tregun ndërkombëtar.

    “Vitin e ardhshëm planifikohet që vlera e granteve vetëm për certifikim do të jetë mbi 1 milionë euro. Në kuadër të Politikës Industriale, bizneset do të bëhen të konkurrueshme në tregun rajonal dhe ndërkombëtar dhe do të jenë shtytës kryesor i zhvillimit social, ekonomik dhe mjedisor për Republikën tonë”, theksoi Ministrja Hajdari.

  • Sveçla: Kosova është e angazhuar maksimalisht në luftimin e migrimit të parregullt

    Sveçla: Kosova është e angazhuar maksimalisht në luftimin e migrimit të parregullt

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim drejtorin e Zyrës për Migrim nga Belgjika, Freddy Roosemont dhe ambasadorin belg Gregoire Cuvelier me të cilët biseduan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës që hyn në fuqi nga data 1 janar 2024.

    Roosemont përgëzoi qytetarët e Kosovës që nga data 1 janar do të lëvizin pa viza drejt Belgjikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian dhe theksoi që kjo do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik dhe thellim të lidhjeve mes shteteve dhe qytetarëve.

    Ministri Sveçla falënderoi Roosemont për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për vendin tonë dhe shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar tashmë fushatën njoftuese në të gjitha komunat dhe për të gjithë qytetarët mbi procedurat dhe kriteret e lëvizjes së lirë nga data 1 janar 2024”, tha ai.

    Sveçla dhe Roosemont biseduan edhe për sfidën e menaxhimit të migrimit të parregullt me ç’rast ministri njoftoi delegacionin që institucionet e Kosovës janë të angazhuara maksimalisht në luftimin e këtij fenomeni duke përfshirë edhe rregullativën ligjore për menaxhimin me migrantë.

    Ndryshe, Kosova dhe Belgjika gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe mbesin të përkushtuar që këto raporte të vijojnë edhe më tutje.

  • ​Ish-emisari gjerman: Izraeli duhet të përmbahet nga ofensiva tokësore në Gaza

    ​Ish-emisari gjerman: Izraeli duhet të përmbahet nga ofensiva tokësore në Gaza

    Izraeli duhet të përmbahet nga nisja e një ofensive tokësore në Gaza dhe bisedimet diplomatike duhet të ringjallen për një zgjidhje me dy shtete, tha një ish-ambasador i njohur gjerman të martën vonë.

    Christoph Heusgen, i cili shërbeu gjithashtu si këshilltar i politikës së jashtme për kancelaren e gjatë Angela Merkel, paralajmëroi se një ofensivë tokësore mund të pengojë normalizimin midis Izraelit dhe vendeve arabe dhe të shkaktojë një zjarr më të gjerë në Lindjen e Mesme.

    “Kjo është gjithashtu ajo për të cilën po paralajmërojnë të tjerët, si ata që janë të përfshirë në bisedimet për lirimin e pengjeve, këtë po thotë Katari, këtë po thotë Egjipti,” i tha Heusgen transmetuesit publik ZDF dhe bëri thirrje për një de-përshkallëzimin e konfliktit.

    “Presidenti i SHBA-së (Joe) Biden, ish-presidenti (Barack) Obama, po e thonë gjithashtu këtë, bazuar në përvojat e tyre me operacionet ushtarake amerikane pas 11 shtatorit dhe pasojat e tyre, se Izraeli nuk duhet të reagojë shumë tani nga zemërimi dhe urrejtja,” tha ai.

    Heusgen ishte këshilltari kryesor i Merkelit për sigurinë dhe politikën e jashtme midis 2005 dhe 2017 dhe shërbeu si ambasador i Gjermanisë në OKB nga 2017 deri në 2021. Ai aktualisht është kryetar i Konferencës së Sigurisë së Munihut.

    Diplomati me përvojë tha se të gjitha palët tani duhet të punojnë për të ringjallur diplomacinë dhe për të mundësuar rifillimin e bisedimeve për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

    “Duhet të ketë një zgjidhje diplomatike. Sigurisht, së pari duhet bërë gjithçka tani për të mundësuar lirimin e pengjeve. Atëherë ju duhet të parandaloni që kjo të kthehet në një zjarr të përhapur dhe për këtë trupat izraelite nuk duhet të bëjnë një inkursion në Rripin e Gazës,” tha Heusgen.

    “Dhe më pas ne duhet t’i kthehemi bisedimeve për një zgjidhje diplomatike të konfliktit. Ne duhet të ringjallim zgjidhjen me dy shtete, që është kuadri ligjor i zbatueshëm, dhe Izraeli gjithashtu duhet të kontribuojë në këtë. Ndoshta askush nuk mund ta imagjinojë këtë për momentin, por kjo është e vetmja rrugëdalje nga kjo trazira”, shtoi ai.

    I pyetur për kritikat e mprehta të Izraelit ndaj sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, pas komenteve të tij për Gazën, diplomati gjerman tha se ajo që tha Guterres ishte e drejtë.

    “Guterres është një njeri shumë i niveluar,” tha Heusgen, duke shtuar se Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu dënoi ashpër Hamasin për sulmet e 7 tetorit.

    “Guterres ka të drejtë kur tha se kjo nuk ndodhi në vakum dhe kur vuri në dukje pushtimin e territoreve palestineze për 56 vjet,” tha ai.

    “Kjo është pikërisht ajo që është në të drejtën aktuale ndërkombëtare dhe në rezoluta. Rezoluta e fundit thotë se pushtimi është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”, shtoi Heusgen.

    Konflikti në Gaza, i cili ka qenë nën bombardimet izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi Operacionin “Al-Aksa Flood”, një sulm i papritur i shumanshëm që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë “Al-Aksa” dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

    Ushtria izraelite më pas nisi një fushatë të pamëshirshme ajrore kundër Rripit të Gazës.

    Gati 7.200 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 5.791 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.

    2.3 milionë banorë të Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, dhe autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet. /AA

  • Stano e konfirmon: Kurti dhe Vuçiq do të kenë takime të ndara me krerë evropianë

    Stano e konfirmon: Kurti dhe Vuçiq do të kenë takime të ndara me krerë evropianë

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se të enjten në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të zhvillojë takime me liderë evropianë.

    Ai ka thënë se temë e këtyre takimeve do të jetë situata në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe procesit të dialogut. Ngjashëm sikurse Kurti takime do të zhvillojë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Takimet do të jenë përforcim i asaj që është thënë gjatë vizitës së Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi gjatë fundjavës. Kurti dhe Vuçiq do të kenë një seri takimesh individuale me krerë evropianë, për çfarë nuk do të japim detaje tash”, ka thënë Stano në konferencë.

    “Këto takime do të zhvillohen në mbështetje të dialogut. Presim që të dyja palët që të kthehen dhe t’i përmbushin obligimet e tyre pa vonesa si dhe të angazhohen për shtensionim. Nuk do të ketë takime të nivelit të lartë të dialogut, por vetëm takime individuale me liderë evropianë”.