ATV

Category: Lajme

  • Hoti: Kemi hasur në mbetje mortore, potencialisht të personave të zhdukur në Arbanë

    Hoti: Kemi hasur në mbetje mortore, potencialisht të personave të zhdukur në Arbanë

    Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka njoftuar se janë gjetur mbetje mortore në lagjen Arbanë të Prizrenit, që dyshohen të jenë të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

    “Pas zhvarrimit do të vazhdohet me procedurat e nevojshme të ekzaminimeve mjekoligjore dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur”, tha mes tjerash ai.

    Postimi i tij i plotë:

    NJOFTIM!
    (Kemi hasur në mbetje mortore, potencialisht të personave të zhdukur, në Arbanë, Prizren)
    ——–
    Vazhdojnë gërmimet në kërkim të personave të zhdukur me forcë
    Pas përfundimit të gërmimeve në Bishtazhin të Gjakovës, në zbatim të Planit të Punës, pas konsultimeve ndërinstitucionale ekipet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës , me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq sot kanë vazhduar me gërmimet në lokacionin e varrezave në lagjen Arbanë të Prizrenit.
    Gërmimet e filluara paradite , kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave (mbetjeve mortore) te minimumi një individi, viktimë e luftës, që potencialisht vazhdon të jetë në Listën e Personave të Zhdukur.
    Pas zhvarrimit do të vazhdohet me procedurat e nevojshme të ekzaminimeve mjekoligjore dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

  • Universiteti Drake nderon Osmanin me çmimin për Qytetari Globale

    Universiteti Drake nderon Osmanin me çmimin për Qytetari Globale

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është duke e zhvilluar ditën e dytë të vizitës së saj në Iowa.

    Sot, Universiteti Drake, një institucion prestigjioz i njohur për promovimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit global, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Presidentes Osmani duke i dhënë asaj çmimin e çmuar të Qytetarisë Globale.

    Ky vlerësim është një dëshmi e përkushtimit të saj të palëkundur për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të avokuar për çështje globale gjatë mandatit të saj si presidente e Kosovës.

    Çmimi Global i Qytetarisë është një nder i dalluar që u jepet individëve që kanë demonstruar përkushtim të jashtëzakonshëm për promovimin e unitetit, gjithëpërfshirjes dhe respektit të ndërsjellë në skenën e politikës globale. /atvlive.tv

  • Ministria e Bujqësisë pezullon nga puna Fehmi Gecin

    Ministria e Bujqësisë pezullon nga puna Fehmi Gecin

    Drejtor i Institutit Bujqësor të Pejës, Fehmi Geci, është pezulluar nga puna nga Ministria e Bujqësisë, raporton ATV.

    Për më shumë detaje, do të njoftoheni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në ora 19:00.

  • Nisin punimet për rrugën e re që lidh Lakërishten me Fushë-Kosovën

    Nisin punimet për rrugën e re që lidh Lakërishten me Fushë-Kosovën

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kanë filluar punimet për krijimin e rrugës së re e cila do të lidhë Lakërishtën me Fushë-Kosovën përmes nënkalimit në rrethrrotullimin e Lakërishtës.

    Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se krijimi i kësaj rruge do të shkarkojë komunikacionin në rrugët “Tirana” dhe “Bill Klinton”.

    “Filluam punimet në krijimin e rrugës së re e cila do të lidhë Lakërishtën me Fushë Kosovën përmes nënkalimit në rrethrrotullimin e Lakërishtës”, ka shkruar ai.

  • Aksident në Prishtinë, vetura godet një këmbësore

    Aksident në Prishtinë, vetura godet një këmbësore

    Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ku një veturë e ka goditur një këmbësore.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se këmbësorja ka pësuar lëndime trupore, për çka është dërguar për tretman mjekësor.

    “Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësorja dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë ajo.

    Ajo ka bërë të ditur se me rastin po merret njësiti i trafikut.

  • ​Osmani: Kosova, historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane

    ​Osmani: Kosova, historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sulmi terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ishte akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, që kishte synim aneksimin e veriut.

    Në ditën e dytë të vizitës së saj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani tha se Kosova është rezultati dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.

    Në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Drake, e para e vendit akuzoi Serbinë se po dëshiron të nxisë luftë në rajon.

    “Ne asnjëherë nuk i kemi karakterizuar këto si tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk po sulmojmë askënd, ne jemi në shtëpinë tonë dhe po sulmohemi. Ajo që ndodhi më 24 shtator ishte kulmi i një akti të rëndë agresioni që Serbia po i bënte popullit të Kosovës brenda territorit tonë dhe atë ditë ishin një numër i grupeve terroriste që hynë në Kosovë me numër të madh armësh, armë të shkallës ushtarake me të cilat planifikonin të aneksonin veriun e Kosovës. Policia jonë ka vepruar me shumë profesionalizëm dhe ka penguar aktin e agresionit që në minutat e para të tij. Por, nëse ne nuk do të ishim aq efektivë në fillim, padyshim që ata do të kishin qenë efektiv në afrimin gjithnjë e më shumë brenda veriut të Kosovës dhe aneksimin e pjesëve të territorit tonë. Sigurisht që atëherë do të detyroheshim të përgjigjeshim dhe kjo do të destabilizonte jo vetëm Kosovën, por pjesën tjetër të rajonit… Ai ishte një plan që destabilizoi të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe na ktheu në vitet ’90, të mbushura me dhunë. Fatkeqësisht, këtë dëshiron Serbia. Ajo është ende e udhëhequr nga mendësia e viteve ’90. Ata duan të rrëmbejnë territorin nga fqinjët e tyre, duan të shkaktojnë më shumë vuajtje dhe luftë. Ne duam të mbrojmë paqen dhe stabilitetin në vendin tonë dhe më gjerë, sepse e dimë se sa vuajti populli ynë dhe sa vuajtën të gjithë të tjerët në rajon për shkak të mendësisë që ekzistonte në Serbi në vitet ’90”, theksoi Osmani.

    Përkitazi me këtë, Osmani, tha se angazhimi më i madh i trupave të NATO-s në Kosovë do të bëjë që mos të lejohen të hyjnë njerëz të armatosur në territorin e vendit.

    “Ajo që po bëjmë tani është se po rrisim nivelin e sigurisë dhe kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse të kesh një kufi të sigurt është një aspekt themelor i mos lejimit të njerëzve të armatosur, automjeteve të armatosura dhe armëve që të hyjnë në Kosovë në mënyrë që ata mund të shkaktojë dhunë, dhe së dyti ne kemi më shumë trupa të NATO-s tani në Kosovë që po na ndihmojnë të merremi me këtë. Pra, dua të them se kur Serbia sulmon, ajo jo vetëm që po rrezikon jetën e popullit të Kosovës, por po rrezikon edhe jetën e ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Kosovë, në shumicën e rasteve kjo do të thotë anëtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s, pra, ata po rrezikojnë edhe popullin e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.

    Në anën tjetër, Osmani tha se Kosova është rezultat dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.

    “Kosova është rezultat dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane, ne jemi të lirë, të pavarur dhe demokraci për shkak të investimeve të SHBA-së në vendin tonë. Putini në çdo konferencë për shtyp thotë se ‘do t’ju dëshmoj se Kosova është një dështim amerikan’. Pra, për të, është një luftë kundër Amerikës. Ai po na sulmon sepse dëshiron të të sulmojë ty (Amerikën). Pra, Kosova është një histori suksesi, është kaq e rëndësishme për t’u mbrojtur dhe ruajtur sepse në fund të fundit duke destabilizuar pjesën tonë të botës, Rusia dëshiron të hapë një front të ri kundër Perëndimit, një front të ri kundër Amerikës, dhe ne nuk duhet të lejojmë ndodh. Pra, ne duhet të jemi në këtë së bashku. Dhe në këtë rast, parandalimi është thelbësor”, theksoi Osmani.

    Gjatë qëndrimit në Iowa të ShBA-së, Osmani u prit ne takim edhe nga kryetari i qytetit Norwalk, Tom Philips, nga i cili u nderua me Çelësin e Qytetit dhe Yllin e Norwalkit.

    Ajo pati edhe një bashkëbisedim me kryetaret e qyteteve të binjakëzuara me disa nga qytetet e Kosovës, ku u zotuan që marrëdhëniet ndërmjet qyteteve, shkollave dhe bizneseve të Iowa-s e të Kosovës, do të vazhdojnë të thellohen, duke forcuar më tej dhe duke i bërë kështu lidhjet midis popujve tanë edhe më të fuqishme.

    Osmani takoi edhe diasporën shqiptare në Iowa ku iu falënderua atyre për mbështetjen ndaj atdheut.

    Presidentja Osmani po qëndron për një vizitë zyrtare disaditore në Iowa të ShBA-së.

  • Elsa Lila flet për arrestimin në Itali: Ngjarja më e rëndë në jetën time, vetëm pse njihja 2 prej grupit

    Elsa Lila flet për arrestimin në Itali: Ngjarja më e rëndë në jetën time, vetëm pse njihja 2 prej grupit

    Këngëtarja Elsa Lila që prej më shumë se dy dekadash jeton në Itali, e cilëson si ngjarjen më të rëndë në jetën e saj arrestimin e para disa muajve në shtetin italian, e dyshuar si pjesë e një grupi të trafikut të drogës.

    Elsa Lila qëndroi dy muaj në paraburgim në Itali dhe më pas u provua pafajësia e saj dhe u la e lirë.

    Në një intervistë për emisionin Opinion, Elsa Lila tregoi se shkaku i arrestimit të saj ka qenë njohja me 2 prej shqiptarëve që ishin pjesë e rrjetit të drogës, me të cilët ishte takuar në disa raste

    “Për mua mbetet kjo mbetet pikëpyetje shumë e madhe nga momenti që jam e pafajshme dhe nuk kam asnjë lidhje. Sistemi i drejtësisë italiane sidomos në rastin e grupazheve është një sistem i mbrapshtë.

    Ata në filim bllokojnë grupin i cili dyshohet për diçka dhe më pas ky grup krasitet deri kur mbetet bërthama kryesore dhe ata që nuk kanë lidhje lirohen. Në këtë lloj sistemi grupazhi që mori brenda shumë njerëz qëllova edhe unë.

    Unë duke qenë personazh publik në Romë, dy prej shqiptarëve që unë njihja, mesa duket merreshin me aktivitet për të cilat unë nuk isha në dijeni. Telefoni im ka qenë i vetmi objekt i sekuestruar, nga apartamenti im procesverbali ka qenë shumë i varfër.

    Më pas pas disa muajsh këto objekte më janë rikthyer pasi nuk përbënin asnjë provë kundër meje pasi ishin pa asnjë lloj lidhje me këtë lloj grupazhi.

    Pasi unë gjatë gjithë këtyre 2 muajve në të cilat vuajta jolirinë time dhe zhdukjen nga shoqëria… Hallka që më lidhte ishte njohja.

    Për mua është mister i jashtëzakonshëm. Unë isha parë duke ngrënë darka apo dreka me këta persona, isha parë duke i frekuentuar. Këto ishin provat kryesore.

    Nëpërmjet avokatit im, i cili u gjet pas arrestimit tim, më është dhënë nga shteti italian, më shpjegoi dhe më tregoi më vonë që ndërkohë atë natë në shtëpitë e gjithë këtyre personazheve të tjerë, në procesverbalet e sekuestrimeve ishin shumë të pasura me elementë të jashtëligjshëm, janë gjetur para, armë, lëndë narkotike. Ndërkohë që në shtëpinë time nuk është gjetur asgjë.

    Celulari im nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënie telefonike as me këtë grupazh as me këta persona.

    Ishte ngjarja më e rëndë që më ka ndodhur më jetën time dhe që nuk ja uroj askujt sepse ja që ndodhka që të jesh i pafajshëm dhe të përfundosh në një histori absurde. Kush më njeh nga afër e di shumë mirë se si jetoj, i njeh shumë mirë principet e mia, vlerat e mia. Ishte thjesht një absurditet”, tha ajo.

    Të shumta kanë qenë edhe pyetjet e publikut në momentin e arrestimit të Elsa Lilës, se me çfarë jetonte këngëtarja shqiptare pasi prej vitesh nuk ishte aktive në muzikë.

    Edhe këtyre dyshimeve, Elsa Lila u ka dhënë përgjigje.

    “Në atë periudhë kisha AIR BNB timin personal, i cili është një aktivitet që në Romë më lejonte mua që të kisha një jetesë shumë të mirë krahas punëve të tjera artistike që bëja, sepse kam punuar shumë në studio”, u shpreh Lila.

    “Pjesëmarrja në grevën e urisë së PS”, Elsa Lila: Nuk e bëra për politikë

    Elsa Lila ka treguar më shumë edhe mbi marrëdhënien e saj me politikën në Shqipëri dhe pjesëmarrjen e saj në grevën e urisë nga Partia Socialiste ne vitin 2010. Ajo tha se nuk e bëri për politikë dhe se ajo ka qenë një nga eksperiencat e saj më të mrekullueshme

    Në vitin 2010 ju u përfshitë në grevën e urisë së Partisë Socialiste për çështjen e zgjedhjeve të 2009. Cne kjo lidhje dhe çfarë raporti keni sot më Ramën dhe Partinë Socialiste?

    Elsa Lila: Pjesëmarrja ime në atë grevë urie ka qenë spontane. Kthehesha nga Vlora nuk dija çfarë ndodhte në Tiranë atëherë. Shoh tendat, informohem çfarë po ndodhte dhe më tregojnë që po ndodhte ky lloj aksioni i PS. Pyes nëse kishte gra më thanë që kishte 6 gra dhe pyes nëse kishte artistë dhe më thanë që jo. Disa artistë kishin fimros një peticion kundra grevës së urisë, dhe unë si një shpirt i lirë mendova që të jap kontributin tim si artiste duke e menduar të drejtë atë kauzë dhe kërkova që të futem dhe u gjenda aty me 204 pjesmarës të tjerë. Ka qenë një nga eksperiencat më të mrekullueshme.

    Po ju e dinit çfarë kishte ndodhur me votat apo thjesht patë protestën dhe ju bashkuat?

    Elsa Lila: Unë besova atë version informacioni.

    Keni raporte me politikën?

    Elsa Lila: Dhe në atë kohë nuk e bëra për politikë, nuk jam marrë ndonjëherë me politik edhe këtë e kam demonstruar pas asaj greve urie.

    Gjithashtu këngëtarja foli edhe për marrëdhënien me vajzën e saj dhe bashkëshortin ku u shpreh se kanë një marrëdhënie shumë të mirë.

    Ndër të tjera lidhur me situatat e vështira në jetën e saj Elsa Lila shprehet:

    “Po t’i përmbledhim nga ky këndvështrim duket më keq se familja Kenedi, por unë nuk e shoh kështu sepse e shoh jetën time nga brenda pasi në këtë miks ka pasur momente brilante të cilat balancojnë momentet e vështira. Jeta ime ka qenë e vështirë, por ka qenë edhe e bukur. Unë besoj se të gjitha këto vështirësi që unë kam përjetuar, reflektohen shumë qartë në muzikën time dhe kjo është një nga armët e mia më të forta. Ka qenë terapia ime kjo”.

  • Auditori i Përgjithshëm nuk gjen asnjë parregullsi në tri Agjenci të pavarura për vitin 2022

    Auditori i Përgjithshëm nuk gjen asnjë parregullsi në tri Agjenci të pavarura për vitin 2022

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike në mbledhjen e radhës ka shqyrtuar raportet e auditimit për pasqyrat financiare vjetore për vitin 2022 të Autoritetit për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dhe për Agjencinë për Informim dhe Privatësi, raporton Ekonomia Online.

    Kryetarja e Komisionit Hykmete Bajrami, tha se në raportet e Auditimit për këto Agjenci të pavarura nuk ka pasur asnjë të gjetur dhe asnjë rekomandim.

    Ajo tha se kjo ka qenë edhe arsyeja pse nuk janë ftuar zyrtarët e Audtitimi për raportim.

    “Ky raport ka rezultuar pas asnjë gjetur nuk ka asnjë rekomnadim. Arsyeja pse nuk i kemi thirrur zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit është për shkak se nuk ka pasur të gjetura dhe rekomandime”, tha ajo.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i rendit të ditës;

    2. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mbajtur më 3.10.2023;

    3. Shqyrtimi i Raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, për vitin 2022;

    4. Shqyrtimi i Raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Autoritetit për Komunikime Elektronike dhe Postare – ARKEP, për vitin 2022;

    5. Shqyrtimi i Raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, për vitin 2022;

    6. Shqyrtimi i Raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022;

    7. Të ndryshme.

  • Plagosja e dy personave që tronditi Prishtinën, arrestohet i dyshuari

    Plagosja e dy personave që tronditi Prishtinën, arrestohet i dyshuari

    Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë të dyshuarin për plagosjen e dy personave në Prishtinë mbrëmjen e së premtes së kaluar.

    I arrestuari, i cili dyshohet për ‘vrasje të rëndë në tentativë’, kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të dy personave të tjerë në afërsi të unazës qendrore të Prishtinës, në lagjen Lakrishtë.

    Ai është arrestuar pas pesë ditësh në arrati.

    “Lidhur me rastin, me 25.10.2023 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • ​“Fadil Vokrri” rihap dyert për Ballkanin evropian

    ​“Fadil Vokrri” rihap dyert për Ballkanin evropian

    Kampioni i Kosovës, Ballkani do ta zhvillojë sonte ndeshjen e radhës në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.

    Rivali i tyre që zbarkon sonte në Prishtinë, përkatësisht në stadiumin “Fadil Vokrri” është Astana, skuadër kjo e cila ka dy humbje nga dy ndeshjet e zhvilluara dhe rrjedhimisht është e fundit në grupin C me zero pikë.

    Skuadra e Ilir Dajës do të luajë vetëm për fitore në mënyrë që të marr epitetin e liderit të grupit, aty ku momentalisht është Viktoria Plzen me gjashtë pikë, kundrejt tri sa ka Ballkani.

    Para ndeshjes, trajneri Ilir Daja dhe portieri Enea Koliqi u shprehën se do të japin maksimumin në këtë ballafaqim për të marr pikët e plota.

    Ndeshja zhvillohet nga ora 18:45.