ATV

Category: Lajme

  • 20-vjeçari humb jetën në vendin e punës në Partesh

    20-vjeçari humb jetën në vendin e punës në Partesh

    Një 20-vjeçar ka vdekur në vendin e punës në fshatin Budrikë e Epërme të Parteshit, pasi dyshohet se ka rënë në makinerinë e përzierjes së betonit.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se rasti ka ndodhur të hënën në mbrëmje, ku viktima po punonte në një fabrikë për prodhimin e tullave dekorative.

    Hashani ka bërë të ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe se aty është konfirmuar vdekja.

  • Përfundon takimi i Miroslav Lajçak me ambasadorët e akredituar në Kosovë

    Përfundon takimi i Miroslav Lajçak me ambasadorët e akredituar në Kosovë

    Ka përfunduar takimi i emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

    Mirosllav Lajçak, do të takohet sot me liderët e opozitës, si pjesë e vizitës së tij dyditore në Kosovë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.

    Lajçaku u takua dje me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, me të cilin tha, në një postim në rrjetin social X, se u pajtua për hapat e ardhshëm dhe për zbatimin e plotë dhe pa vonesa e parakushte të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërsa, Bislimi tha pas takimit se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

    Lajçak ndodhet prej ditës së djeshme në Kosovë, ku gjatë vizitës, Lajçak pritet të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.

    Pjesë e diskutimeve pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.

  • Presidentja Osmani vizitë në Singapor, paralajmëron se do të jetë intensive

    Presidentja Osmani vizitë në Singapor, paralajmëron se do të jetë intensive

    Presidentja Osmani ka njoftuar se ka nisur një vizitë të shkurtër, por siç ka thënë ajo intensive në Singapor.

    Vizita to do të jetë e përqendruar në potencialin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

    “Fillimi i një vizite të shkurtër por intenzive në Singapor, e përqëndruar në potencialin e partneritetit ekonomik ndërmjet vendeve tona.

    Singapori, dikur një ekonomi e papërfillshme, është shndërruar në pak dekada në një ndër vendet më të zhvilluara në botë, falë njerëzve punëtorë, vendimeve të mençura e strategjike, luftimit të korrupsionit, investimit në arsim dhe shndërrimit në kryeqendër për investime të huaja.

    Një shembull i shkëlqyeshëm për Kosovën!”, ka shkruar presidentja Osmani.

  • Joseph: Me propozimin e ri është përjashtuar modeli i Republikës Serbe

    Joseph: Me propozimin e ri është përjashtuar modeli i Republikës Serbe

    Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Lajmet e fundit” në RTK ka thënë se me propozimin e ri të draft-statutit të Asociacionit është eliminuar modeli i Republikës Serbe në Kosovë.

    “Me atë që kam dëgjuar unë, edhe pse nuk është gjë formale, propozimi i SHBA-së dhe BE-së e përmbyll këtë telashin mbi atë se a duhet të jetë Asociacioni në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht se duhet të jetë në pajtim me atë vendim dhe ky lloj misteri është sqaruar. Propozimi që është bërë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe për aq sa kam kuptuar modeli i Republikës Serbe është lënë komplet jashtë. Në vend të këtij modeli është bërë një propozim krejt i ri, praktik, i arritshëm dhe që përmbush standardet kushtetuese dhe është në përputhje me atë kolumnen që është shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, ka thënë Joseph.

    Ai tutje ka thënë se jo detyrimisht duhet të publikohet tani draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nëse qëllimi është që të arrihet një lloj marrëveshje e avancuar përtej asaj që ekziston.

    “Nganjëherë dokumentet duhet të mbahen të fshehta, larg publikut derisa është në negocim e sipër. Pra nuk është se detyrimisht duhet të publikohet. Pyetja është se çfarë do të jetë pozicioni përfundimtar i SHBA-ve dhe BE-së në veçanti dhe pastaj shteteve kyçe siç janë Franca, Gjermania, Italia dhe cili do të jetë pozicioni kur bëhet fjalë për Serbinë. Refuzimi i presidentit të Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen dhe pastaj refuzimi për ta zbatuar atë marrëveshje që e ka pranuar në Bruksel dhe Ohër”, ka theksuar profesori Joseph.

    Ai tutje ka thënë se më 6 tetor ia ka parashtruar pyetjen emisarit Lajçak në Malin e Zi se pse nuk e shfrytëzoni mundësinë, sidomos pas agresionit mbi Kosovën më 24 shtator në Banjskë.

    “Pse të mos përdoret kjo gjë dhe t’i prezantohet Beogradit propozimi merre ose lëre. Këtu Serbia vihet para pozicionit që ta pranojë plotësisht se do ta përmbush obligimin e saj ndaj Kosovës, që ka të bëjë me njohjen de-facto, njohjen e dokumenteve dhe simboleve dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra pse të mos shfrytëzohet kjo lloj përparësie kur Beogradi dhe presidenti Vuçiq është në situatë të brishtë. Këtë pyetje ia kam bërë Lajçakut kur ai ishte në Malin e Zi muajin e kaluar. Ai nuk dha përgjigje publike, por pashë disa elemente të asaj që unë kam vërejtur në atë dokument të QUINT-it”, ka shtuar Joseph.

    Sa i përket takimit të nesërm të Lajçakut me partitë opozitare, ai ka thënë se kjo “është gjë e mirë që partitë opozitare të jenë pjesë e procesit dhe një hap i rëndësishëm për Republikën e Kosovës”.

    Sipas tij tani çështja është nëse ekziston tashmë vullneti politikë në SHBA dhe BE që t’i bëjnë presion palëve dhe ta përfundojnë këtë marrëveshje njëherë e përgjithmonë.

    “Më 26 tetor pas takimeve në Bruksel, Kosova është deklaruar se ka kërkuar nënshkrimin e dokumenteve nga Serbia. Unë besoj se kjo është kërkesë e arsyeshme në cilindo kontekst. Për mua kjo ishte kërkesë shumë e arsyeshme dhe SHBA dhe BE duhet të insistojnë te Serbia që ta nënshkruajë këtë dokumentet dhe dy dokumentet tjera të dakorduara më parë dhe përfundimisht të ndalet kjo lojë. A është marrëveshja që secila palë, Kosova dhe Serbia, duhet ta formalizojnë atë dhe të thonë ‘po kjo është ajo marrëveshje’. Si mund t’i besoj dikush fjalës së Serbisë se do të implementojë një marrëveshje e cila i ka këto elemente të rëndësishme të njohjes brenda – siç është mos kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si mund të besohet kjo kur presidenti Vuçiq nuk e nënshkruan këtë”, ka nënvizuar Joseph.

  • Dedaj vazhdon dëshminë në Speciale

    Dedaj vazhdon dëshminë në Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Dje Gjergj Dedaj ka dhënë dëshminë për ngjarjen e vitit 1998 në Drenicë.

    Ai tha se nuk i kujtohen ngjarjet, për të cilat kishte dhënë deklaratë më herët para hetuesve të ZPS-së.

    Dëshmia e dëshmitarit Dedaj do të vazhdojë edhe sot, ku pas përfundimit të marrjes në pyetje nga Prokuroria, ai do të merret në pyetje edhe nga pala mbrojtëse e të akuzuarve në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

  • Theri me thikë një person, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë

    Theri me thikë një person, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë

    Të hënën është arrestuar një person i dyshuar për një vrasje të rëndë në tentativë, në veri të Mitrovicës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti i therjes ka ndodhur të dielën pas një zënkë verbale.

    “Mitrovicë Veri 05.11.2023 – 22:25 Është raportuar se pas një zënke verbale viktima mashkull kosovar ishte sulmuar dhe therur me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar, i cili pasi e ka kryer veprën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati. Viktima për tretman mjekësor është dërguar në spitalin rajonal Mitrovicë Veri. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë gjetur dhe sekuestruar një revole dhe një granatë dore. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Netanyahu: Izraeli do të ketë përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme në Gazë pas luftës

    Netanyahu: Izraeli do të ketë përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme në Gazë pas luftës

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se Izraeli do të ketë “përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme” në Rripin e Gazës për një kohë të papërcaktuar pasi të ketë përfunduar lufta me Hamasin.

    Ai, po ashtu, u shpreh i hapur për “pauza të shkurtra” në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë në mënyrë që të lehtësohet lirimi i pengjeve.

    Këto deklarata të tij, të cilat i tha gjatë një interviste me ABC News, janë shenjat më të qarta deri më tani se Izraeli synon ta kontrollojë territorin i cili është shtëpi e rreth 2.3 milionë palestinezëve.

    Përsëri, Netanyahu e hodhi poshtë çdo mundësi për armëpushim, nëse nuk lirohen rreth 240 pengjet që i rrëmbeu grupi militant Hamas gjatë sulmeve të 7 tetorit në qytetet e Izraelit jugor. Megjithatë, ai tha se është i gatshëm për “pauza të shkurtra taktike”.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka theksuar nevojën për pauza humanitare gjatë një bisede telefonike me Netanyahun të hënën, por nuk ka mundur të arrijë marrëveshje me të, tha Shtëpia e Bardhë.

    Ministria e Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, ka thënë se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite ka arritur në 10.000, përfshirë më shumë se 4.100 fëmijë dhe 2.640 gra.

    Në Bregun e uzurpuar Perëndimor, më shumë se 140 palestinezë janë vrarë nga dhuna dhe nga bastisjet izraelite.

    Më shumë se 1.400 njerëz u vranë në Izrael, shumica dërrmuese në sulmet e 7 tetorit nga Hamasi, të cilat e nxitën këtë luftë, ndërsa 242 njerëz u rrëmbyen në Izrael dhe u dërguan në Gazë nga grupi militant.

    Rreth 1.100 njerëz janë larguar nga Rripi i Gazës përmes pikëkalimit kufitar, Rafah, prej të mërkurës kur u arrit një marrëveshje mes SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit./REL

  • Pezullohet protesta e Njësisë Speciale Intervenuese

    Pezullohet protesta e Njësisë Speciale Intervenuese

    Është pezulluar protesta e Njësisë Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës e paralajmëruar që të mbahet në mesditë. Kjo pas takimit që është zhvilluar ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, me NJSI dhe NJTME.

    Sipas njoftimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës ka premtuar që javën e ardhshme do t’i pres në takim zyrtar menaxhmentin e PK-së së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.

    Njoftimi i plotë:

    Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) dhe njësi tjera të Policisë së Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.08/L-166 për Tubime Publike, përmes njoftimit zyrtar kishin paralajmëruar mbajtjen e protestës për sot me 07.11.2023, nga ora 12:00, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, por e njëjta tani është pezulluar.

    Pas takimit të Drejtorit të Përgjithshëm të PK-se, me NJSI dhe NJTME, është marrë vendim që të pezullohet përkohësisht protesta e paralajmëruar për sot 07.11.2023, në ora 12:00.

    Deri te pezullimi i protestës ka ardhur pasi Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së,  gjatë takimit me këto njësi i ka informuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës ka premtuar që javën e ardhshme do ti pres në takim zyrtar menaxhmentin e PK-se së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për ti diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje.

    Andaj, protesta e paralajmëruar për sot është pezulluar deri në ndonjë vendim tjetër.

    Me respekt,

  • Sfidat dhe realizimi i ëndrrës së Erzen Halimit për gjeodezi

    Sfidat dhe realizimi i ëndrrës së Erzen Halimit për gjeodezi

    Matjet nën e mbi sipërfaqen e Tokës dhe shumë specifika të tjera e kanë shtyrë Erzen Halimin të ndjek shkollimin për tu bërë një gjeodet.

    Në rrugëtimin për të realizuar ëndrrën, e pati krah të djathtë familjen e tij, derisa përmend edhe prirjet në fushën e matematikës dhe shkencat natyrore, që sipas tij i’a lehtësuan këtë rrugëtim.

    Erzen Halimi thotë se puna e një gjeodeti nuk është vetëm vendosja e kufijve në prona, por shumë më e gjerë.

    Tutje, ai shtoi se projektet e shumta dhe madhore janë ato të cilat e përmbushin, përderisa synon të realizoj edhe shumë të tjera./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Njësia Speciale Intervenuese e Policisë sërish në protestë

    Njësia Speciale Intervenuese e Policisë sërish në protestë

    Pas protestës së një nëntorit, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues (NjSI) do të protestojnë sërish këtë të martë.

    Ata e kanë dorëzuar edhe paralajmërimin e protestës në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.

    Protesta pritet të fillojë në ora 12 deri në ora 12:30 me qëllim për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.

    Burime të televizionit Dukagjini, kanë bërë të ditur së në protestën e së martës, do t’i bashkohen edhe disa njësi të tjera përfshirë edhe Drejtoria Kundër Terrorizimit.

    Derisa qëndrimi i tyre vazhdon të jetë i njëjtë, institucionet qendrore të Kosovës, përveç reagimeve në rrjetet speciale pas protestës së parë, nuk kanë bërë ndonjë hap tutje.

    Më 1 nëntor, NJSI-ja, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës.

    Ata kanë protestuar me kërkesën për kushte më të mira duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë.

    Bashkë me ta ishte edhe Njësia për Eksploziv dhe Deminim.

    Ata i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me shtesat që u janë ndarë nga Qeveria e Kosovës.

    “Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive jemi mbledhur para objektit të Qeverisë së Kosovës për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë sidomos përfshirjen e shtesave të parapara me ligj. Këto dy njësi janë të trajnuara dhe përgatitura me standardet më të larta ndërkombëtare, operatorët e këtyre njësive janë të specializuar dhe certifikuar në luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve dhe në rastin ku cenohet siguria kombëtare përkatësisht janë të specializuara në trajtimin e kërcënive me eksploziv dhe bomba gjithashtu edhe në situata ku rrezikshmëria vlerësohet tejet ekstreme prandaj jemi njësitë elite të Kosovës”, ka thënë një nga pjesëtarët e NJSI-së.

    Ai ka thënë se si njësi janë të përgatitur dhe të barabartë me njësitë elite të botës.

    “Jemi të përgatitura dhe të barabarta me njësitë elite të botës, një gjë të tillë e dëshmon pjesëmarrja dhe suksesi në shumë operacione policore dhe gara ndërkombëtare në të cilat kemi treguar rezultate të shkëlqyera”.

    Ndryshe, më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

    Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.

    Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.