ATV

Category: Lajme

  • Kurti dhe Aliu nga terreni bëjnë thirrje për shmangien e qeseve plastike

    Kurti dhe Aliu nga terreni bëjnë thirrje për shmangien e qeseve plastike

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pa inspektorë të tregut me vete, kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, të hënën dolën në terren për të parë sa po zbatohet udhëzimi administrativ për qeset plastike.

    Duke i këshilluar qytetarët që të kenë torba me vete, kryeministri Kurti thotë se shumica e bizneseve tashmë po e zbatojnë udhëzimin në fuqi.

    “Shumë qese të panevojshme plastike janë shndërruar në mbeturina, që në mënyrë masive kanë ndotur ambientin. Prandaj, shpresoj në bashkëpunimin e juaj me këtë udhëzim të ri administrativ, me këtë fushatë t’i themi jo qeseve të plastikës”, tha Kurti.

    “Këto qese në pjesën e frutave do të dhurohen pa pagesë, ndërsa ato të tipit 25 deri në 50 mikronë do të ofrohen me pagesë për qytetarët”, tha Aliu.

    Por, ka raste që disa biznese nuk po e respektojnë në përpikëri udhëzimin administrativ.

    Për këtë dilemë Kurti dha një sqarim.

    Mirëpo, qytetarët vlerësojnë se nuk duhet të paguajnë për asnjë qese me logo, pavarësisht mikronit që ka ajo.

    Një qese e plastikës kushton 5 centë, 2 centë shkojnë për buxhetin e shtetit.

  • Dëmet nga erërat e forta, ndërpritet mësimi në një shkollë në Mitrovicë

    Dëmet nga erërat e forta, ndërpritet mësimi në një shkollë në Mitrovicë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Një pjesë e kulmit të shkollës fillore “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës, përfundoi në tokë në mbrëmjen e së dielës, shkaku i erërave të forta.

    Si rrjedhojë, në mëngjesin e së hënën përveç menaxhmentit të shkollës dhe punëtorëve teknikë që po përkujdeseshin për t’i larguar copëzat e kulmit të shpërndara nëpër oborr, askush nga nxënësit nuk erdhi në shkollë.

    “Si shkak i erërave të forta një pjesë e kulmit ka rënë në tokë, dhe si pasojë e saj ka dëmtime shumë të mëdha. Kjo gjendje është shqetësuese pasi që në radhë të parë është siguria e fëmijëve dhe ende nuk e dimë se sa janë pasojat e mëdha brenda shkollës, ka klasë që ka pik edhe shiu”, drejtoresha e shkollës, Saranda Ademi.

    Kësisoj as drejtoresha Ademi nuk është e sigurt nëse mësimi këtu do të nisë të martën.

    “Kemi pasë problem në pjesën e kulmit lart, por me përmasa të mëdha kjo është hera e parë që shkolla ka këto probleme, jemi në kontakt me DKA-në, dhe po presim që të zgjedhin këtë problem emergjent, pasi që është një situatë emergjente”, tha Ademi.

    Megjithatë, Komuna e Mitrovicës thotë se do të përkujdeset për riparimin sa më të shpejtë të dëmeve dhe rinisjen e mësimit.

    “Menjëherë pasi kemi marrë informatën për dëmet e shkaktuara, kemi dalë në terren dhe hapin e parë që e kemi ndërmarrë ka qenë ndërprerja e procesit mësimor për sot, për shkak të sigurisë së nxënësve, kulmi i shkollës do të rregullohet shumë shpejt, në mënyrë që nxënësit të jenë më të sigurt dhe se orët e humbura do të zëvendësohen për të mos humbur asgjë nga plan programi mësimor dhe se nëse fillon mësimi mësimor do t’i njoftojmë nxënësit më vonë përmes drejtorisë, mësimdhënësve, por edhe përmes rrjeteve sociale”, tha Drita Kadriu, DKA në Mitrovicë.

    Përveç dëmeve në këtë shkollë, erërat e forta shkaktuan edhe ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Mitrovicës.

  • Zëdhënësi i Pentagonit pranon se mijëra civilë u vranë në Gaza

    Zëdhënësi i Pentagonit pranon se mijëra civilë u vranë në Gaza

    Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick S. Ryder tha se numri i civilëve që u vranë në Gaza është me mijëra.

    Ai këtë deklaratë e dha menjëherë pasi Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza, vuri në dukje se numri i të vrarëve në Gaza ka arritur në 10 mijë e 22, duke përfshirë 4 mijë e 104 fëmijë dhe 2 mijë e 641 gra, transmeton klankosova.tv.

    Grupi i të drejtave të njeriut kishte dënuar më parë deklaratat e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe administratës së tij, që hodhën dyshime mbi shifrat e publikuara nga ministria.

    Disa vëzhgues kanë thënë se shifrat janë dëshmuar të sakta në luftërat e kaluara në Gaza, raporton Al Jazeera.

  • Hoti: Në mungesë të projekteve, Kurti po i promovon qeset- nuk janë esenciale në aspektin ekonomik

    Hoti: Në mungesë të projekteve, Kurti po i promovon qeset- nuk janë esenciale në aspektin ekonomik

    Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se është koha kur do të duhej të promovoheshin projektet e kryera gjatë tri viteve në rrugë, arsim, shëndetësi, energjetikë e në ujitje të tokave bujqësore.

    “Është fundi i vitit 2023, që është viti i tretë i qeverisjes majtiste LVV-Guxo. Është koha kur do të duhej të promovoheshin projektet e kryera gjatë tri viteve në rrugë, në arsim e shëndetësi, në energjetikë e në ujitje të tokave bujqësore.”

    Ai ka thënë se kur këto projekte mungojnë, kryeministri Kurti promovon shpërndarjen e qeseve nëpër dyqane.

    “E kur mungojnë këto projekte, atëherë vetë Kryeministri promovon shpërndarjen e qeseve plastike nëpër dyqane, sado e rëndësishme që është kjo për ambientin, por nuk është esencial në aspektin ekonomik dhe jetën e rënduar të qytetarëve.”

    Ish kryeministri Hoti ka shkruar se në tri vjet qeverisje nuk ka pasur orientim zhvillimor.

    “Tri vjet qeverisje pa asnjë orientim zhvillimor, me normë të zhvillimit ekonomik që gati ka rënë në zero. Tri vjet të qeverisjes vetëm duke shpërndarë subvencione e transfere, të cilat kanë shkuar nga 32% në mbi 42% të buxhetit total. Tri vjet qeverisje me rënie të investimeve kapitale nga rreth 23% të buxhetit total sa ishin në qeveritë paraprake, në vetëm 15% të buxhetit total. Kjo lloj qeverisjeje vetëm zhvillim nuk sjell.”

    Kryeministri Kurti bashkë me ministrin Aliu kanë dalë sot në disa dyqane në Prishtinë për të promovuar zvogëlimin e përdorimit të qeseve plastike.

  • Krasniqi pret që Lajçaku t’ua prezantojë krerëve të opozitës draftin e Asociacionit

    Krasniqi pret që Lajçaku t’ua prezantojë krerëve të opozitës draftin e Asociacionit

    Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropiane, deputetja e LDK-së Rrezarta Krasniqi, e ka quajtur të rëndësishme vizitën që i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog Mirosllav Lajçak, do ta zhvillojë në Kosovës.

    Krasniqi i tha Ekonomia Online, se pret që emisari evropian krerëve të partive opozitare t’ua prezantojë draftin e Asociacionit, i cili javë më parë i është dhuruar kryeministrit Albin Kurtit nga pesë emisarët.

    Ajo tha se kjo vizitë është e mirëpritur pasi sipas saj, nga ky takimi me emisarin evropian do të mund të dihet se për çfarë draft Asociacioni bëhet fjalë.

    “Dëgjuam përmes mediave që Lajçak do të vije në Kosovë. Unë pres që ai të vije dhe të prezantoj draftin e Asociacionit. Por e rrugës do të ishte që kryeministri Kurti t’i njoftojë partitë opozitare jo Lajçaku. Mirë që edhe ai po vijë, po shpresoj që të del diçka nga ai takim dhe të dimë se për çfarë statuti të Asociacionit po bëhet fjalë”.

    “Është shumë i rëndësishëm çdo takim që vjen nga faktorët ndërkombëtare. Për ne më e rëndësishme do të ishte që Kurti vetë ta prezanton draftin e asaj marrëveshje. Ju e patë atë ditë në Kuvend që nuk e prezantoj. Dhe po presim që tash Lajçak që të prezantoj për partitë opozitare”.

    Lajçaku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë, raporton EO.

    Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.

  • Zyrtarët amerikanë ende punojnë për të rihapur vendkalimin Rafah për civilët

    Zyrtarët amerikanë ende punojnë për të rihapur vendkalimin Rafah për civilët

    Zyrtarët amerikanë po punojnë ende të hënën në mëngjes për të rihapur portën e Rafahut për civilët që të largohen nga Gaza në Egjipt, tha një burim i njohur me çështjen për CNN.

    Ata janë përpjekur të çojnë civilë të plagosur te porta, tha burimi, pas mbylljes së rrugës nga Hamasi këtë fundjavë pas një sulmi izraelit në një ambulancë. Zyrtarët izraelitë pretenduan se ishte identifikuar si “përdorur nga një celulë terroriste e Hamasit”, transmeton Klankosova.tv.

    Qeveria izraelite nuk e pengon rihapjen e portës për të lejuar largimin e civilëve, përfshirë të plagosurit, tha burimi.

    Kalimi në Egjipt – e vetmja rrugëdalje nga Gaza që kur Izraeli mbylli dy vendkalimet e tij – u mbyll të shtunën dhe nuk u hap të dielën.

    Një përparim u arrit javën e kaluar për të lejuar mbajtësit e pasaportave të huaja dhe një grup civilësh të plagosur rëndë të niseshin përmes Rafah, me grupin e parë që u nis të mërkurën e kaluar.

  • Kurti-qytetarëve: Merrni torba me vete për blerje të gjësendeve, mos përdorni qese të plastikës

    Kurti-qytetarëve: Merrni torba me vete për blerje të gjësendeve, mos përdorni qese të plastikës

    Kurti ka bërë thirrje për qytetarët që të marrin torba me vete, në mënyrë që të mos i përdorin këto qese që kontribuojnë në ndotje të ambientit.

    Pas kësaj vizite, Kurti ka njoftuar se qeset pa doreza janë falas, ndërsa të tjerat 5 centë, ku 2 centë do të shkojnë në buxhet të shtetit.

    “Ne i falënderojmë shumë për bashkëpunimin pronarët dhe menaxherët e marketeve apo vetëshërbimeve siç iu kemi thënë kaherë që ta zbatojmë me përpikëri udhëzimin administrativ dhe i ftojmë qytetarët që kur të shkojnë të blejnë në vetëshërbim në markete t’i marrin torbat me vete. Vetëm këto qeset pa dorëza pa vegëza do të jenë falas dhe këto përdoren për fruta dhe perime, ndërkaq ato qeset prej 25 deri 50 mikronë do të kushtojnë 5 centë, 2 centë shkojnë në buxhet të shtetit. Por është mirë që aso të kemi sa më pak dhe torbat merrini me vete kur blini gjësende nëpër vetëshërbime apo markete”, ka thënë Kurti, raportoi EO.

  • Kurti dhe Aliu në terren – promovojnë zvogëlimin e përdorimit të qeseve plastike

    Kurti dhe Aliu në terren – promovojnë zvogëlimin e përdorimit të qeseve plastike

    Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu kanë vizituar disa dyqane në qendër të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

    Kjo vizitë, është zhvilluar për të promovuar zvogëlimin e qeseve të plastikës.

    Kurti i falënderojë pronarët e marketeve për bashkëpunimin dhe i ftojë qytetarët të marrin torbat me vete. Mandej ai tha se qeset pa doreza janë falas ndërsa të tjerat 5 centë, ku 2 centë do të shkojnë në buxhetin e shtetit.

    “Ne i falënderojmë shumë për bashkëpunimin pronarët e marketeve dhe menaxherët e marketeve apo vetëshërbimeve siç iu kemi thënë kaherë që ta zbatojmë me përpikëri udhëzimin administrativ dhe i ftojmë qytetarët që kur të shkojnë të blejnë në vetëshërbim në markete t’i marrin torbat me vete”.

    “Vetëm këto qeset pa dorëza pa vegëza do të jenë falas dhe këto përdoren për fruta dhe perime ndërkaq ato qeset prej 25 deri 50 gram do të kushtojnë 5 centë, 2 centë shkojnë në buxhet të shtetit. Por është mirë që aso të kemi sa më pak të drejtë aspak dhe torbat merreni me vete kur blini gjësende nëpër vetëshërbime apo markete”.

  • Lajçak sot në Kosovë për takime me Kurtin dhe opozitën

    Lajçak sot në Kosovë për takime me Kurtin dhe opozitën

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të mbërrijë në Prishtinë të hënën pasdite për t’u takuar me liderët kosovarë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.

    Lajçaku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.

    Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.

  • Lista Serbe: Në vend të dialogut, Kurti kërkon ta zgjidhë problemin me militarizimin

    Lista Serbe: Në vend të dialogut, Kurti kërkon ta zgjidhë problemin me militarizimin

    Lista Serbe pretendon se deklarata e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se askush nuk do ta ndalojë as në veri e as në jug, dhe se vitin e ardhshëm do të angazhojë edhe 500 policë dhe 600 pjesëtarë të FSK-së, “është kërcënim i dukshëm ndaj serbëve në veri dhe në jug të Kosovës”.

    “Përkundër thirrjeve të qarta të bashkësisë ndërkombëtare që të ndalojë përshkallëzimin e mëtutjeshëm dhe që Prishtina të fillojë de-përshkallëzimin dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Albin Kurti bën deklaratë se askush nuk do ta ndalojë, as në veri e as në jug, dhe se për këtë qëllim vitin e ardhshëm do të angazhojë edhe 500 policë të tjerë dhe 600 pjesëtarë të FSK-së, që është një “kërcënim evident” për serbët si në veri ashtu edhe në jug të Kosovës”, pretendohet në kumtesën e kësaj partie të cilën e ka instaluar Vuçiqi në Kosovë, transmeton Paparaci.

    Sipas kumtesë së Listës Serbe, formimi i formacioneve shtesë të armatosura “njëkombëshe” në këtë moment është reflektim i dëshirës së dukshme për zgjidhjen e problemeve “me militarizimin e kësaj zone me formacione të armatosura në vend të dialogut”.

    “Pesha e këtij kërcënimi është edhe më e madhe sepse Albin Kurti në periudhën paraprake ka deklaruar se “gjysma e serbëve duhet të dëbohen dhe gjysma të arrestohen”, si dhe se “serbët do të paguajnë dhe do të vuajnë”, dhe pastaj serbët janë rrahur, arrestuar, shtypur ndërsa bota këtë po e shikon në heshtje”.

    Ata u bëjnë thirrje aktorëve ndërkombëtarë që “të ngrenë zërin” dhe, siç thonë ata, “të parandalojnë planet e Kurtit, të cilat nëse realizohen do të nënkuptojnë “dëbimin e komunitetit serb” nga vatrat e tyre shekullore dhe krijimin në tentativë të një shteti policor”, përfundon kumtesa e garniture të re të kësaj partie me fjalor dhe propagandë të njëjtë siç jemi mësuar të dëgjojmë më parë prej Radoiçiqit, Rakiqit, Simiqit dhe të tjerëve.