ATV

Category: Lajme

  • ​Bateritë e ndërtuara nga pambuku

    ​Bateritë e ndërtuara nga pambuku

    Nxjerrja e litiumit dhe mineraleve të tjera që na duhen për bateritë po sjell një dëm në rritje për mjedisin.

    Megjithatë, ka materiale alternative rreth nesh. Por në një rrugë në Indi, ka një bankomat që ende është në funksion, falë, pjesërisht, pambukut të djegur. Për këtë makinë parash ka një bateri rezervë brenda saj – një bateri që përmban karbon nga pambuku i djegur.

    “Procesi i saktë është sekret, të jem i sinqertë me ju,” thotë Inketsu Okina, shefi i inteligjencës në PJP Eye, firma japoneze që prodhoi baterinë.

    “Temperatura, atmosfera dhe presioni janë sekrete”, vazhdon ai me hezitim.

    Në bateritë e zhvilluara nga kompania, së bashku me studiuesit në Universitetin Kyushu në Fukuoka, Japoni, karboni përdoret për anodën – një nga dy elektrodat midis të cilave rrjedhin jonet, grimcat e ngarkuara në bateri.

    Jonet lëvizin në një drejtim kur bateria është duke u ngarkuar dhe në drejtimin tjetër kur lëshon energji në një pajisje.

    Shumica e baterive përdorin grafit si anodë, por PJP Eye argumenton se qasja e tyre është më e qëndrueshme, pasi ato mund të bëjnë anoda duke përdorur pambuk të mbetur nga industria e tekstilit.

    Me kërkesën e madhe për bateri që pritet në vitet e ardhshme, e nxitur nga rritja e automjeteve elektrike dhe sistemeve të mëdha të ruajtjes së energjisë, disa studiues dhe biznese po zhvillojnë furishëm alternativa të mundshme ndaj baterive të litiumit dhe grafitit që janë të zakonshme sot.

    Ashtu si PJP Eye, ata argumentojnë se ne mund të përdorim materiale shumë më të qëndrueshme dhe të disponueshme gjerësisht për prodhimin e baterive. /BBC

  • ​Shumë gra janë viktima të dhunës dhe abuzimit, thotë Papa

    ​Shumë gra janë viktima të dhunës dhe abuzimit, thotë Papa

    Dhuna ndaj grave është një “bar helmues” që duhet të zhduket nga shoqëria, tha Papa Françesku të enjten.

    “Dhuna ndaj grave është një bar helmues që prek shoqërinë tonë dhe duhet çrrënjosur”, tha Papa në një mesazh për fushatën kundër dhunës ndaj grave të organizuar nga Rai Radio1 dhe Cadmi D.I.Re.

    “Dhe këto rrënjë janë kulturore dhe mendore, ato rriten në tokën e paragjykimit, të zotërimit, të padrejtësisë”, shtoi ai.

    “Sa gra janë të pushtuara nga pesha dhe tragjedia e dhunës! Sa të keqtrajtuara, të skllavëruara, viktima të arrogancës së atyre që mendojnë se mund të kenë në dispozicion trupin dhe jetën e tyre”, tha Papa.

    Në mesazhin e tij Françesku i bëri thirrje shoqërisë që “të mos qëndrojë indiferente”, të “veprojë menjëherë, në të gjitha nivelet, me vendosmëri, urgjencë dhe guxim” për t’i dhënë zë “motrave tona pa zë”.

    “Si e trajtojmë një grua tregon shkallën tonë të humanizmit”, vazhdoi ai. Françesku theksoi gjithashtu rolin e paqartë që luan masmedia dhe përsëriti nevojën urgjente për edukim, “duke nisur nga familja, që e vendos individin me dinjitetin e tij në qendër” dhe promovon “marrëdhënie të drejta dhe të balancuara të bazuara në respektin dhe njohjen reciproke”. /ANSA

  • ​Çmimet e naftës rriten pasi kishin rënë nën 80 dollarë për fuçi

    ​Çmimet e naftës rriten pasi kishin rënë nën 80 dollarë për fuçi

    Çmimet e naftës u rimëkëmbën të enjten pasi ranë me më shumë se 2.3% për shkak të marrjes së moderuar të fitimeve nga investitorët dhe rreziqeve të furnizimit nga tensioni i përshkallëzuar midis Izraelit dhe Palestinës.

    Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 80,11 dollarë për fuçi në orën 10:24 të mëngjesit me orën lokale , një rritje prej 0,71% nga çmimi i mbylljes prej 79,54 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të mërkurën.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) tregtohej në të njëjtën kohë me 75,82 dollarë për fuçi, 0,65% më shumë nga mbyllja e së mërkurës prej 75,33 dollarë për fuçi.

    Intensifikimi i konfliktit izraelito-palestinez ka ngritur shqetësime për furnizimin, të cilat po vazhdojnë të bëjnë presion mbi çmimet dhe mbartin rrezikun e destabilizimit të rajonit dhe sabotimit të rrugëve të furnizimit me naftë.

    Ndërkohë, ndryshe nga parashikimet e tregut për një humbje prej 300,000 fuçi në rezervat e naftës së papërpunuar të SHBA, Instituti Amerikan i Naftës (API) njoftoi të martën se inventarët ishin rritur me rreth 11.9 milionë fuçi.

    Kjo tregoi një rënie të konsumit të naftës në vendin më të madh në botë që konsumon naftë, i cili nga ana tjetër kufizoi presionet në rritje të çmimeve./AA

  • ​AKP shpall shitjen numër 64 të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim

    ​AKP shpall shitjen numër 64 të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim

    Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit numër 64 prej 39 aseteve/njësive të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore.

    Kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara është aprovuar në Bordin e Drejtorëve, kurse AKP i ka njoftuar paraprakisht të gjitha komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit www.pak-ks.org dhe në mediat e shkruara dhe ato elektronike.

    Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim numër 64 duhet të dorëzohen në sallën e konferencave – hoteli “Grand”, në Prishtinë më 29 nëntor 2023, nga ora 10:00-12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30, thuhet në njoftimin e AKP-së.

  • Haxhiu: Në Prekaz të Poshtëm gjenden mbetjet mortore të tre individëve

    Haxhiu: Në Prekaz të Poshtëm gjenden mbetjet mortore të tre individëve

    Sot gjatë ditës Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se ka gjetur mbetje mortore në Prekaz, të cilat mund të jenë të personave të zhdukur gjatë luftës.

    E lidhur me këtë, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu përmes një njoftimi ka thënë se në Prekaz të Poshtëm janë gjetur mbetjet mortore të tre individëve.

    ‘’Në Prekaz të Poshtëm gjenden mbetjet mortore të tre individëve.Ekipet e Institutit të Mjeksësisë Ligjore me mbështetjen e EULEX, KQPZH dhe PK, kanë lokalizuar mbetjet kockore të së paku tre individëve të cilët dyshohet se janë nga lufta e fundit në Kosovë. Mbetjet do të dërgohen në IML për vazhdimin me procedurat e ekzaminimit dhe indentifikimit mjekoligjor’’, është shprehur Haxhiu.

    Më tutje Haxhiu ka thënë se në vendin ku janë gjetur mbetjet mortore, punimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

  • Rashiq thotë se Lista Serbe s’po bashkëpunon: Është ndërtuar “muri” i Berlinit si pengesë

    Rashiq thotë se Lista Serbe s’po bashkëpunon: Është ndërtuar “muri” i Berlinit si pengesë

    Në Qendrën Mediale në Çagllavicë është mbajtur debati me temën “Një vit pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës – çfarë fituan dhe çfarë humbën”, raporton EO.

    Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, tha se largimi i serbëve nga institucionet ka sjell shumë pasoja dhe ka lënë mangësi në institucione. Ai tha se me largimin e tyre kanë humbur profesionistët dhe tash po mungojnë nëpunësit e licencuar e kualifikuar.

    Duke përmendur Listën Serbe si nxitëse të dorëheqjeve ai tha se personalisht ka bashkëpunuar me këtë parti me ndikim në veri, por që sipas tij, krerë të saj kanë ndërtuar “murin” e Berlinit si mbrojë për mosbashkëpunim.

    “Ata që janë larguar nga institucionet, nuk është dashur që të largohen. Nuk e di a kanë mundësi që të kthehen serbët në veri të Kosovës. Kur ka ndodhur dhënia e dorëheqjeve numri i madhe i tyre është dashur të japin dorëheqje me shkrim”.

    “Së pari ne kemi humbur njerëzit dhe kohën, nuk kemi nëpunës të cilët janë të licencuar, duhet t’i kthemi vetvetes me aq sa kemi më atë të veprojmë”.

    “…kam bashkëpunuar me Listën Serbe, por është ndërtuar një mur, muri i Berlinit, kam qenë i vetmi për largimin e murit. Ne nuk kemi fituar asgjë por duhet t’i kthehemi vetës të kemi dhe forcën ta mbrojmë veten edhe serbët në veri”.

  • Rifillojnë gërmimet në Serbi për varrezë masive

    Rifillojnë gërmimet në Serbi për varrezë masive

    Pas 2 vitesh kërkesash e takimesh në mes të nëngrupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, gërmimet e nisura në maj të vitit 2021, me datë 08.11.2023, përkundër disa paqartësive që ekzistojnë, kanë rifilluar në lokacionin e quajtur Shtavalj, Sienicë, në territorin e Serbisë.

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se të pranishëm në këto gërmime, janë ekipet e tyre nga KQPZH dhe IML.

    “Me qellim të ruajtjes së procesit, për detajet tjera, Komisioni do t’iu njoftoj në momentin e parë që mund të kemi gjetje në atë lokacion.

    Lokacioni Shtavalj, është vetëm njëri nga lokacionet e shumta që Kosova prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi, dhe që në vazhdimësi ka bërë kërkesë për të marrë informacione kredibile dhe për të vazhduar me gërmimet”, thuhet në njoftim.

  • Sërish kaos në Kuvendin e Shqipërisë

    Sërish kaos në Kuvendin e Shqipërisë

    Vetëm 20 minuta zgjati seanca e sotme e Kuvendit në Shqipëri.

    Kjo pasi u mbyll mes kaosit dhe gazit lotsjellës (tymueseve).

    Deputetët e opozitës grumbulluan sërish karriget dhe ndezën tymueset me qëllim bllokimin e seancës.

    Kërkesat e opozitës në Shqipëri janë: ngritja e komisioneve hetimore, përfshirja në komisionin e reformës zgjedhore dhe mazhoranca të heqë dorë nga përfshirja në zhvillimet e brendshme të opozitës.

  • Prokuroria kërkon intervistimin si dëshmitare të minsitres Haxhiu për rastin e Astrit Deharit

    Prokuroria kërkon intervistimin si dëshmitare të minsitres Haxhiu për rastin e Astrit Deharit

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar një dokument, sipas të cilit, prokurori special Afrim Shefkiu, kërkon që të intervistohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në cilësinë e dëshmitares për rastin e Astrit Deharit, për shkak të një shkrimi që e ka bërë me datën 5 nëntor 20223.

    Haxhiu ka thënë se është përgjegjësi e prokurorit Afrim Shefku që të tregojë se kush janë vrasësit, ndërkohë që ka thënë se do ta japë dëshminë e saj për këtë rast.

    “Prokurori Special, Afrim Shefkiu, paska kërkuar nga unë që të përgjigjem se kush janë vrasësit e Astrit Deharit! E gjithë kjo bazuar në një status timin në rrjetet sociale, në përvjetorin e Astrit Deharit.Është një gjë e thjesht që duhet ta dijë një prokuror. Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar. Unë nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e tij. Lëndën e Astrit Deharit, prokurori Afrim Shefiku e ka që nga viti 2019 dhe ende nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e këtij rasti. Ai është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit!Unë natyrisht do të jap dëshminë time lidhur me këtë.Prokurori Shefiku dhe eprori i tij, që nuk mund të na heshtin, në kërkesën tonë për drejtësi.Bashkëngjitur gjeni Autorizimin”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

    Minsitrja Haxhiu më 5 nëntor ka shkruar se provat ekzitojnë dhe gjithçka që duhet dhe se është vullneti i prokurorisë dhe policisë për zbardhjen e rastit. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse prokurori Shefkiu ka kërkuar intervistimin e ministres, për ta pyetur rreth provave dhe kush janë sipas saj “kryersit e veprës penale”.

    “Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast. Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar”, ka shkruar Haxhiu.

  • Gjeneral Jashari takohet me homologun gjerman, Carsten Breuer

    Gjeneral Jashari takohet me homologun gjerman, Carsten Breuer

    Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është pritur në takim nga Shefi i Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, gjeneral Carsten Breuer.

    “Dy homologët diskutuan rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në Kosovë, rajon dhe me gjerë, ata gjithashtu theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ushtarak ndërmjet ushtrive të dy vendeve”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Informimit Publik e FSK-së.

    “Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi homologun e tij gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman dhe në veçanti Bundesëehri ka dhënë dhe po jep në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së”.

    Në komunikatë thuhet që të dy shefat u pajtuan që ta përforcojnë bashkëpunimin mes dy shteteve, ku homologu gjerman i Jasharit pranoi ftesë nga ky i fundit për vizitë zyrtare në Kosovë.

    “KOMFSK gjithashtu i ofroi homologut të tij bashkëpunim mes dy ushtrive përfshirë bashke-zbarkimet në misione të ndryshme, në operacione ndërkombëtare si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”.

    “Gjenerali Breuer shprehu vlerësim të lartë për gjeneral Jasharin në funksion të ngritjes dhe profesionalizimit të kapaciteteve të FSK-së, si dhe për angazhimin që po e bëjnë në funksion të paqes në Ballkan, si dhe rritjes së bashkëpunimit mes dy ushtrive”.

    “Të dy shefat e mbrojtjes u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe me këtë rast gjeneral Jashari e ftoi gjeneralin Breuer për vizitë zyrtare në Kosovë”.