ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj për Raportin e KE: Shqetësues, jemi kthyer mbrapa në marrëdhëniet me BE-në

    Haradinaj për Raportin e KE: Shqetësues, jemi kthyer mbrapa në marrëdhëniet me BE-në

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar Raportin e Komisionit Europian për Kosovën, duke i quajtur të gjeturat si shumë shqetësuese.

    Sipas tij, performanca e qeverisjes është e vlerësuar dobët si dhe është përmendur edhe çështja e korrupsionit.

    Sa i përket çështjes që Kosova nuk ka marrë rekomandimin për nisjen e negociatave, ai tha se kjo ka ndodhur për shkak të qasjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në marrëdhëniet me BE-në dhe për shkak të sanksioneve.

    “Është pritur që vlerësimi do të jetë me mjaftë çështje që janë shqetësuese për vendi edhe janë adresuar shumica e këtyre shqetësimeve. Pra, performaca e qeverisjes është e vlerësuar dobët e po ashtu ka shumë fenomene të cilat janë identifikuar veç e veç. Ju e cekët çështjen e korrupsionit, por ka edhe shume çështje të tjera”, tha ai.

    “Ju jeni në dijeni që ne jemi të ndëshkuar nga BE-ja. Kemi sanksione edhe financiare ekonomike politike. E kuptohet, pra, Kosova nuk është se ka ecur përpara, por ka ecur prapa në marrëdhëniet me BE-në edhe e ato reflektojnë edhe në këtë raport dhe fatkeqësisht edhe pasojat e atyre marrëdhënieve i kemi në jetën e përditshme”, tha ai./EO/

  • Murati nënshkruan marrëveshje me USAID, garantojnë siguri për investitorët

    Murati nënshkruan marrëveshje me USAID, garantojnë siguri për investitorët

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar marrëveshje me drejtoreshën në detyrë e Misionit të USAID në Kosovë, Kerry Monaghan Hogler dhe zv. drejtorin e Projektit “Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa”, Artan Loxha, për mbështetje në marrjen e vlerësimit kreditor për Kosovën.

    Sipas komunikatës, marrëveshja mbështet në marrjen e vlerësimit kreditor të Kosovës në mes të MFPT dhe USAID.

    “Në kuadër të marrëveshjes së mirëkuptimit parashihen aktivitetet e përbashkëta si edhe mbështetja që USAID do të ofrojë për Republikën e Kosovës në marrjen e vlerësimit kreditor. Marrja e vlerësimit kreditor ka një rëndësi të veçantë sepse mundëson që investitorët e huaj të kenë një pasqyrë të qartë të mundësive dhe përfitimeve nga investimet që ata bëjnë në Kosovë si dhe rritë besueshmërinë mbi stabilitetin financiar të vendit”, thuhet në komunikatë.

    Ministri Murati theksoi se “Si Ministri përgjegjëse për financa është shumë me rëndësi që të sigurojmë qasje sa më të lehtë në financa për të gjitha institucionet financiare, andaj marrja e vlerësimit kreditor për vendin është një hap tjetër i rëndësishëm në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

    Kurse Monaghan Hogler shprehu se “vlerësimi kreditor do t’i ofrojë Kosovës qasje më të madhe në tregjet kapitale ndërkombëtare si dhe do të zvogëlojë kostot e huamarrjes”.

    Drejtoresha në detyrë znj. Monaghan Hogler gjithashtu theksoi rëndësinë e vlerësimit kreditor për të rritur besimin e investitorëve dhe për ta bërë Kosovën më tërheqëse për investimet e huaja.

  • Gjeneral Jashari takohet me homologun gjerman, Breuer

    Gjeneral Jashari takohet me homologun gjerman, Breuer

    Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është pritur në takim nga Shefi i Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, gjeneral Carsten Breuer.

    “Dy homologët diskutuan rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në Kosovë, rajon dhe me gjerë, ata gjithashtu theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ushtarak ndërmjet ushtrive të dy vendeve”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Informimit Publik e FSK-së.

    “Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi homologun e tij gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman dhe në veçanti Bundesëehri ka dhënë dhe po jep në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së”.

    Në komunikatë thuhet që të dy shefat u pajtuan që ta përforcojnë bashkëpunimin mes dy shteteve, ku homologu gjerman i Jasharit pranoi ftesë nga ky i fundit për vizitë zyrtare në Kosovë.

    “KOMFSK gjithashtu i ofroi homologut të tij bashkëpunim mes dy ushtrive përfshirë bashke-zbarkimet në misione të ndryshme, në operacione ndërkombëtare si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”.

    “Gjenerali Breuer shprehu vlerësim të lartë për gjeneral Jasharin në funksion të ngritjes dhe profesionalizimit të kapaciteteve të FSK-së, si dhe për angazhimin që po e bëjnë në funksion të paqes në Ballkan, si dhe rritjes së bashkëpunimit mes dy ushtrive”.

    “Të dy shefat e mbrojtjes u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe me këtë rast gjeneral Jashari e ftoi gjeneralin Breuer për vizitë zyrtare në Kosovë”.

  • Abdullahu: Sa më i paqartë Asociacioni aq më lehtë e bën Qeveria të pranueshëm për qytetarët

    Abdullahu: Sa më i paqartë Asociacioni aq më lehtë e bën Qeveria të pranueshëm për qytetarët

    Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.

    Në një postim në Facebook, Abdullahu ka thënë se Qeveria qëllimshëm po e bën të paqartë çështjen e Asociacionit, pasi sipas tij e konsideron të pranueshëm për qytetarët.

    Postimi i plotë i tij:

    Asociacioni sa mi i komplikum aq më mirë për Qeverinë – prandaj ‘Zot bone llugë’ të mos i bjen në fije hiç askush, asnjëherë.

    1) Sa më i paqartë Asociacioni aq më lehtë e bën Qeveria të pranueshëm për qytetarët.

    2) Sa më i paqartë Asociacioni aq më pak kuptohet drejtë dhe mirë.

    3) Sa më i paqartë Asociacioni aq më pak do ta kundërshtojnë .

    4) Aq më pak do të kuptohen mirë dhe drejtë kundërshtimet që i bëjnë opozita dhe gjithë të tjerët.

    5) Aq më pak do të dëmtohet Qeveria Kurti dhe VV-ja.

    6) Aq më larg zemrës

    7) Aq më shpejt harrohet

    8. Aq më keq do të bëhet

    Qëllimisht komplikimi vazhdon, prandaj nuk i dihet – me nënshkrim apo pa nënshkrim, u pranua nuk u pranua, autonomi jo nuk është autonomi, menaxhim apo jo, Vuçiqi e pranoj jo e refuzoj, Amerikanët e përkrahin shumë jo kanë rezerva pak, Lajqaku i mirë apo vazhdon të jetë i njëjti, transparencë apo nuk ka transparencë, Gjermanët me ne apo veç me Kurtin, Franca kundër apo jo, Statuti, Drafti, finalja jo nuk është finalja, Rama, Rusia, Ukraina……..

    – vazhdone ju miq listën edhe pse zor me qenë më kreativ se Qeveria në komplikime e paqartësi.

  • VV abstenon – s’kalojnë Rezolutat e AAK-së për mbështetjen e Policisë e koeficientin e pagave

    VV abstenon – s’kalojnë Rezolutat e AAK-së për mbështetjen e Policisë e koeficientin e pagave

    Në Kuvendin e Kosovës nuk ka kaluar Propozim-Rezoluta për mbështetje urgjente financiare të Policisë së Kosovës, kjo pasi mazhoranca ka abstenuar për këtë pikë, raporton EO.

    Në këtë pikë kanë marr pjesë në votim 84 deputet, 25 votuan për, asnjë kundër ndërsa 59 deputetë të VV-së abstenuan për këtë Rezolutë.

    Nuk ka kaluar as Rezoluta tjetër e propozuar nga AAK-ja në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave.

    Kjo pasi shumica e despotëve të VV-së votuan kundër kësaj pike. Kjo pikë ka marr 28 vota për, 52 deputet votuan kundër, dhe ndërsa 4 deputet abstenuan.

  • PDK e dërgon në Gjykatë Kushtetuese edhe Projektligjin për Investime të Qëndrueshme

    PDK e dërgon në Gjykatë Kushtetuese edhe Projektligjin për Investime të Qëndrueshme

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Investime të Qëndrueshme.

    Lajmin e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së sekretarit të Kuvendit, Arben Loshi.

    Po ashtu, deputeti nga Grupi Parlamentar i PDK-së, Ferat Shala, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se i mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të PDK-së, dërguan këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.

    Ndryshe, më 19 tetor 2023, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Investime të Qëndrueshme.

    Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.

    Sipat Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, projektligji nuk procedohet nga ana e Kuvendit për shpallje tek Presidentja e Republikës së Kosovës derisa për të nuk ka vendim përfundimtar nga ana e Gjykatës.

  • ​Hovenier: Kushtetuesja do ta thotë fjalën e fundit për draft-statutin për Asociacionin

    ​Hovenier: Kushtetuesja do ta thotë fjalën e fundit për draft-statutin për Asociacionin

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier deklaroi se draft-statuti për Asociacionin përmbush kriteret që i parasheh ShBA-ja. Megjithatë, theksoi që fjalën e fundit për këtë do ta thotë Gjykata Kushtetuese. Ai para mediave të hënën u shpreh se histeria rreth kushtetutshmërisë është e gabuar dhe se këto interpretime po bëhen nga persona të cilët nuk e kanë parë këtë propozim.

    Hovenier u shpreh se draft-statuti euroamerikan i prezantuar për Asociacionin është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

    “Statuti është prezantuar nga Bashkimi Evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara prezente dhe është konsideruar nga Bashkimi Evropian, dhe Shtetet e Bashkuara e kanë përgatitur atë në një mënyrë që respekton plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Dhe, më lejoni të ju kujtoj qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara se si duhet të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Këtë e kemi thënë shumë herë, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë autoritete ekzekutive, nuk duhet të jetë një shtresë shtesë e qeverisë. Ai duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që kemi paraqitur në artikullin tonë të janarit nga Këshilli i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari ynë special për Ballkanin dhe Zëvendësekretari, Gabriel Escobar”, deklaroi ai.

    Tutje, ambasadori Jeffrey Hovenier shtoi se këto kritere përmbushen në draftin e prezantuar javë më parë. Sipas tij, fjalën e fundit në lidhje me këtë propozim duhet ta jap vetë Gjykata Kushtetuese.

    “Ne besojmë se ky draft-statut që i është ofruar Qeverisë së Kosovës i përmbush të gjitha ato kritere, i plotëson ato kritere. Pra, ne besojmë se është shkruar në një mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Por, në të vërtetë ekziston një subjekt që në fund mund të marrë vendimin nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës apo jo, dhe kjo është Gjykata Kushtetuese. Dhe, siç tha kryeministri Kurti të premten në Kuvend, një nga dispozitat e këtij draft-statuti është që ai të shkojë në Gjykatën Kushtetuese që ta bëjë atë shqyrtim dhe ta bëjë atë përcaktim para se të hyjë në fuqi. Pra, mendoj se shumë nga këto pyetje dhe komente dhe thuajse ‘histeria’ rreth kushtetutshmërisë së saj duken të gabuara për ne, sepse është bërë një punë e kujdesshme në hartimin e statutit dhe dispozitave në fuqi për të siguruar që i vetmi organ në Kosovë që në fakt ka aftësinë dhe autoritetin për të përcaktuar kushtetutshmërinë e saj është Gjykata Kushtetuese, ajo do të ketë mundësi ta bëjë këtë para se të hyjë në fuqi”, shtoi ai para gazetarëve.

    Sa i përket publikimit të këtij propozimi euroamerikan, Hovenier deklaroi se nuk ka asgjë sekrete por ka të bëjë me negociata diplomatike.

    “Më lejoni të filloj me pyetjen e fundit, të ashtuquajturën fshehtësi. Nuk ka asgjë të fshehtë këtu, por negociatat diplomatike dhe angazhimet e ndjeshme nga komuniteti ndërkombëtar me qeveritë shpesh bëhen në mënyrë diskrete sepse kushtet në atë mënyrë janë më të përshtatshme për të arritur në të vërtetë në mirëkuptime të përbashkëta dhe për të avancuar gjërat, dhe qoftë nëse ishin marrëveshje dhe dialog, qoftë marrëveshjet në Rambuje, marrëveshjet e Ahtisarit, shumë gjëra të ndryshme, ka raste kur publiku bëhet i vetëdijshëm për gjërat, ka raste kur shkëmbimet diplomatike konfidenciale shkojnë përpara dhe mbrapa ndërsa zvogëloni dallimet dhe bëni gjëra. Pra, nuk mendoj se dikush prej nesh duhet të kërkoj falje për biseda konfidenciale apo diskrete me Qeverinë e Kosovës për një çështje shumë të ndjeshme. Në një kohë të përshtatshme, jam i sigurt se publiku do të ketë aftësinë për të vlerësuar draft-statutin. Ajo kohë do të përcaktohet nga një kombinim i qeverisë dhe Miroslav Lajçakut në mënyrë të përshtatshme”, deklaroi ai.

    Sipas tij, qeveria nuk ka arsye që të mos ecë përpara me këtë draft-statut të Asociacionit.

    “Në vetë afatin kohor, nëse lexoni deklaratën e lëshuar nga kancelarja gjermane, presidenti i Francës, kryeministri i Italisë, dhe më lejoni të ndalem për të thënë se sa e jashtëzakonshme është që këta tre liderë shumë të lartë evropianë po përfshihen drejtpërdrejt në këtë proces për të ndihmuar Kosovën të ecë përpara në rrugën e saj evropiane dhe euroatlantike dhe për të normalizuar marrëdhëniet e saj me Serbinë në të mirë të të dy vendeve, por në veçanti të popullit të Kosovës. Ata përdorin fjalë si ‘urgjente, sa më shpejt të jetë e mundur’, fjalë të tilla. Pra, ka një urgjencë, ka një dëshirë për ta parë të lëvizë shpejt dhe kjo është pjesë e bisedës sonë me qeverinë tani. Nuk ka asnjë arsye që Qeveria e Kosovës të mos ecë përpara me këtë draft-statut. Kryeministri e pranoi gatishmërinë e tij për ta pranuar atë në tërësi vetëm disa javë më parë”, potencoi ai të enjten.

    Për më tepër, ai tha se “është argëtuar me numrin e njerëzve që po interpretojnë një draft-statut që nuk e kanë parë”.

    “Jam argëtuar me numrin e njerëzve që po interpretojnë një draft-statut që nuk e kanë parë. Ky është një truk mjaft mbresëlënës. Dhe në fund të fundit, ata që nuk e kanë parë statutin ndoshta nuk kanë shumë arsye për të qenë në gjendje të shprehin mendimin rreth draft-statutit. Mund të them vetëm atë që thashë më parë, Shtetet e Bashkuara besojnë fuqishëm se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë një shtresë shtesë e qeverisë, nuk duhet të ketë ndonjë autoritet ekzekutiv. Pra, nuk e kuptoj se si keni autonomi në ato rrethana. Nuk ka autonomi. Dhe ne besojmë fuqimisht se ky draft statut që i është paraqitur Qeverisë së Kosovës është në përputhje me ato kritere që i kam parashtruar”, përfundoi ambasadori Jeffrey Hovenier.

    Propozimi i këtij drafti i është bërë kryeministrit Albin Kurti më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Francës, Gjermanisë dhe Italisë./kp

  • Pozitë e opozitë bashkë – Miratohet deklarata në mbështetje të Rezolutës së PE-së për sulmin në Banjskë

    Pozitë e opozitë bashkë – Miratohet deklarata në mbështetje të Rezolutës së PE-së për sulmin në Banjskë

    Me 86 vota për Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën në mbështetje të rezolutës të Parlamentit Evropian për sulmin në Banjskë, raporton Ekonomia Online. Ky votim erdhe pas rreth 40 minutave konsultimeve të shefat e Grupeve Parlamentare.

    Shefi i GP të AAK-së Besnik Tahiri, e ka prezantuar para deputetëve Rezolutë e cila përmban 8 pika.

    “Në respekt të vlerave dhe parimeve demokratike, fuqizimit të partneriteti me vendet anëtare të BE-së, bashkëpunimit dhe me mekanizmat e vendeve të NATO-së, duke çmuar lartë mbështetjen e lartë të Parlamentit Evropian”.

    “Kuvendi i Kosovës vlerëson lartë të gjitha qëndrime politike të PE në lidhje me kërcënimet e integritet territorial të Kosovës nga Serbia. Nënë dy mbështet fuqishme thirrje e PE për ta mbajtur përgjegjëse Serbinë për sulm”, tha ai.

    Më 24 shtator, një formacion ushtarako-policor serb kreu një sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë një rreshter i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

  • Presidenti gjerman bisedon me hebrenj dhe myslimanë

    Presidenti gjerman bisedon me hebrenj dhe myslimanë

    Presidenti Frank-Walter Steinmeier diskutoi me hebrenj dhe myslimanë në Gjermani mbi pasojat e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Mysafirët e tij treguan për hendek të thellë në shoqërinë gjermane.

    Presidenti Frank-Walter Steinmeier ftoi për një diskutim të hapur në presidencë, por fillimisht kreu i shtetit mbajti një fjalim: “Ne nuk do ta tolerojmë antisemitizmin në këtë vend”, ky ishte mesazhi i parë i fjalës së tij. Steinmeier siguroi hebrejtë, se “ky vend nuk do të bjerë në qetësi për aq kohë sa do t’i duhet të druhet për sigurinë Tuaj dhe të fëmijëve Tuaj.”

    Mesazhi i dytë iu adresua “komunitetit palestinez” në vend: “Nuk duhet të ketë racizëm antimysliman dhe as dyshim kolektiv ndaj myslimanëve.” Këtë mesazh presidenti e lidhi me një apel: “Mos lejoni të instrumentalizoheni nga ndihmësit e ndihmësave të Hamasit. Flisni për veten tuaj. Refuzoni terrorin.”

    Rritje alarmuese e dhunës me motive antisemitiste

    Gjermania në vjeshtën 2023 po përjeton një debat të nxehtë lidhur me luftën në Lindjen e Mesme. Që pas sulmit të organizatës islamiste palestineze Hamas më 7 tetor ndaj Izraelit, ekspertët njoftojnë për rritje alarmuese të dhunës me motiv antisemitizmin. Ka pasur demonstrata të flakta pro-palestineze të shoqëruara me prani masive të policisë. Ndërkohë hebrejtë nuk guxojnë të dalin nga shtëpia dhe kanë frikë për sigurinë e fëmijëve të tyre. Njëkohësisht shoqatat e myslimanëve ankohen për dyshim kolektiv dhe rritjen e kufizimeve ndaj tyre.

    Presidenti dëshiron të japë një sinjal. “Lufta në Lindjen e Mesme: Për një bashkëjetesë paqësore në Gjermani” – nën këtë titull ai ftoi (08.11.2023) në rezidencën presidenciale në Schloss Bellevue në një tryezë të përbashkët mysafirë hebrej dhe myslimanë. Ata të gjithë prezantojnë projekte për bashkëpunimin hebreo-mysliman.

    Ajo çfarë i treguan presidentit të ftuarit e tij ishte shqetësuese. Ata vërejnë një hendek të thellë, që po përshkon shoqërinë. Ky hendek nuk është diçka e re, por ai po thellohet gjithnjë e më shumë pas 7 tetorit. Emocionet po vlojnë në secilin komunitet.

    Michael Fürst është kryetar i komunitetit hebre në landin e Saksonisë së Ulët. Prej vitesh ai angazhohet për dialogun mes hebrejve dhe palestinezëve. Tani, ai i tregon presidentit Steinmeier, “shumë anëtarë të komunitetit më thonë, se e përjetojnë si një show projektin”. Ajo që ka ndodhur në Izrael me sulmin e Hamasit, të klasifikuar si organizatë terroriste nga shumë shtete, është për ta si një “çarje e digës – vrasja më e madhe ndaj hebrejve që nga Holokasuti.” Shumë hebrej po tërhiqen duke qendruar vetëm brenda komunitetit të tyre. Dialogu është i rëndësishëm, por është bërë ndërkohë shumë i vëhstirë.

    Dyshim kolektiv kundër myslimanëve dhe migrantëve

    Përvoja të ngjashme ka edhe Derviş Hızarcı. Berlinezi, djalë emigrantësh nga Turqia, drejton projektin e Berlinit “Nisma e Kreuzbergut kundër antisemitizmit”. Kjo nismë lufton kundër urrejtjes dhe paragjykimeve në bashkësinë e migrantëve myslimanë. “Ne kemi marrë javët e fundit rreth 500 kërkesa nga mësuese dhe mësues, se si duhet të veprojnë ata me fëmijët në shkollat e tyre”, i tregon ai presidentit Steinmeier. Atmosfera në shumë shkolla është e acaruar. Fëmijët e migrantëve myslimanë ndihen të përballur me dyshimin kolektiv prej shumicës së shoqërisë gjermane. Ndërsa shkollat janë të mbingarkuara, se si duhet ta trajtojnë temën e antisemitizmit. “Nëse i stigmatizojmë këta fëmijë dhe të rinj, nëse nuk ia dalim që t’i integrojmë ata, atëherë ata nuk do duan t’ia dinë më për Gjermaninë”, tërhoqi vëmendjen presidenti.

    Steinmeier qendron i tërhequr në dialog. Ai fokusohet tek pyetjet që u drejton të ftuarve, Ai e pyet 102 vjeçaren Margot Friedländer, e mbijetuar e Holokaustit, se çfarë do t’u thoshte vajzave dhe djemve hebrej, që kanë dyshim, nëse mund të jetojnë më në Gjermani. Pjesëmarrësit e tjerë ai i pyet, nëse kanë pasoja projektet e tyre nisur nga gjendja aktuale. Ai herë pas here tërheq vëmendjen duke i inkurajuar e vlerësuar nismat e tyre për guximin dhe punën që ata bëjnë. Presidenti u siguron të dyja palëve, se janë pjesë e këtij vendi. “Gjermania është sot një vend kozmopolit dhe i hapur.” Ai përpiqet, t’i inkurajojë e t’i mbështesë moralisht ata. Të ftuarit e tij e vlerësojnë këtë. Por njëkohësisht duket se realiteti është deprimues.

    Një ditë përpara takimit në presidencë disa shoqata dhe studiues skicuan një imazh të zymtë sa u përket incidenteve me motiv antisemitizmin në Gjermani.

  • Mjetet e BE-së për Kosovën dhe Serbinë vetëm pas përparimit në normalizimin e marrëdhënieve

    Mjetet e BE-së për Kosovën dhe Serbinë vetëm pas përparimit në normalizimin e marrëdhënieve

    Ministrat e financave nga Ballkani Perëndimor do të takohen javën e ardhshme në Shkup për planin për rritje ekonomike në vendet e rajonit, në vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, të cilin dje e prezantoi Komisioni Evropian. Kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën, ekziston një parakusht për marrjen e fondeve në lidhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

    Edhe Serbia edhe Kosova do të punojnë veçmas për përmbushjen e kushteve për normalizimin e marrëdhënieve dhe nuk do të ketë fonde për ta, edhe nëse zbatojnë reforma por nuk ka përparim në dialog. Prandaj, për Serbinë dhe Kosovën, parakusht themelor është normalizimi i marrëdhënieve për të siguruar fonde, transmeton Paparaci.

    Nëse njëra palë i plotëson kushtet paraprake dhe tjetra jo, burimet financiare do t’i kalojnë palës tjetër.

    Pagesat në kuadër të planit katërvjeçar janë planifikuar çdo gjashtë muaj, ndërsa kësti i parë pritet të jetë në verën e vitit të ardhshëm. Gjithsej janë parashikuar 6 miliardë euro, dy për grante dhe katër në formë kredie. Çdo qeveri mund të përdorë fondet e BE-së sipas dëshirës.

    Kur bëhet fjalë për masat e BE-së kundër Kosovës, sipas një zyrtari të lartë të BE-së, pritet që ato të tërhiqen para fillimit të alokimit të fondeve, me kusht që Kosova të bëjë atë që është e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve.