ATV

Category: Lajme

  • “Nuk ka autonomi”, ShBA: Kushtetuesja rishikon draft statutin e AKSH-së

    “Nuk ka autonomi”, ShBA: Kushtetuesja rishikon draft statutin e AKSH-së

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se draft-statuti i Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, që i është prezantuar Qeverisë muajin e kaluar, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

    Pasi përmendi përfshirjen e SHBA-së, ambasadori Jeffrey Hovenier tha se fjalën përfundimtare për draft-statutin do të japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    “Është përgatitur në mënyrë që respekton plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Dhe më lejoni t’ju kujtoj qëndrimin e SHBA-së se çfarë duhet të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe: duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, asnjë ndryshim kushtetues nuk duhet të kërkohet; duhet të jetë në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese; nuk duhet të ketë autoritete ekzekutive; nuk duhet të jetë një shtresë e re e qeverisjes; duhet të jetë në përputhje me pikë-vështrimin e dhënë, në Janar, nga këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dhe zëvendës-ndihmës-sekretari Gabriel Escobar. Ne besojmë se ky draft-statut që i është dhënë Qeverisë së Kosovës, i përmbush këto kritere”, tha Hovenier.

    Duke folur për afatet kohore dhe rëndësinë e zbatimit, ambasadori iu referua deklaratës së përbashkët të Kancelarit të Gjermanisë, Presidentit të Francës dhe Kryeministres së Italisë.

    “Ata përdorin gjuhë si, “urgjente”, “sa më parë të jetë e mundur”, pra ka një urgjencë, ka një dëshirë për ta parë atë të lëvizë shpejt dhe kjo tani është pjesë e bisedave tona me Qeverinë. Nuk ka arsye që Qeveria e Kosovës të mos lëvizë përpara me këtë draft-statut. Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi, vetëm disa javë më parë. Ne po punojmë që ta shohim të kryer si një element të strategjisë tonë më të gjerë. Kjo nuk është vetëm për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk mund të jetë. Është për arritjen zbatim të plotë dhe në tërësi të të gjitha obligimeve të dialogut, nga të dyja, Kosova dhe Serbia. Marrëveshjen bazike dhe shtojcën e Ohrit. Kjo është ajo që duam të shohim”, tha Hovenier.

    Komentet për kushtetutshmërinë dhe autonominë për serbët, në kohën kur drafti nuk është publik, ai i quajti të pavenda dhe gati histerike.

    “Para së gjithash, jam argëtuar me numrin e njerëzve që kanë interpretuar një draft-statut, të cilin nuk e kanë parë. Ky është një trik mjaft mbresëlënës. Në fund të fundit, ata që nuk e kanë parë statutin nuk kanë as bazë të mjaftueshme që të japin mendime për këtë draft-statut. SHBA-ja beson fuqishëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës; duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese; nuk duhet të jetë një shtresë e re e pushtetit; nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv. Nuk e shoh se si mund të keni autonomi në këto rrethana. Nuk keni!”, tha Hovenier.

    Ambasadori theksoi se draft-statuti nuk po mbahet sekret, por se diskutimet janë duke u zhvilluar në kushte diskrecioni e konfidencialiteti me qëllim të përparimit, dhe se në kohën e duhur ai do të jetë i qasshëm për publikun.

  • Deputetët, unikë në miratimin e deklaratës së Parlamentit Evropian

    Deputetët, unikë në miratimin e deklaratës së Parlamentit Evropian

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas dy tentativave, për herë të tretë Kuvendi ka miratuar deklaratën e Parlamentit Evropian, e cila e dënon sulmin e 21 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit.

    Kjo rezolutë e cila erdhi në Kuvend me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmban 7 pika.

    Por pozita me opozitën nuk ishin të bashkuara për rezolutën për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës, që as kësaj radhe nuk kaloi në Kuvend.

    Deputetët e pozitës nuk votuan as për ngritjen e koeficientit të pagave.

    Debat më i ashpër u zhvillua në lidhje me Projektligjin për promovimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, që u propozua për votim nga vetë Ministria e Ekonomisë. Megjithatë, pavarësisht se u kundërshtua ashpër nga opozita, projektligji në fjalë u miratua në shqyrtim të parë.

    Kritika pati edhe për gjetjet e Raportit të Auditimit për vitin 2022, të cilat i shpalosi para deputetëve Auditorja e Përgjithshme.

    Në këtë seancë u miratuan edhe disa projektligje, përfshirë edhe votimin në shqyrtim të parë të Projektligjit të Administrimit të Procedurave Tatimore.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmon dëshmitari i 34 të i ZPS-së

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmon dëshmitari i 34 të i ZPS-së

    Përgatiti: Nora Luta

    Pas tri seancave gjatë të cilave dëshmoi Gjergj Dedaj, këtë të enjte, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka dëshmuar Dragan Ivanisheviq. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se dëshmitari i 34-të ishte rrëmbyer e ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së, bashkë me një polic serb, Velko Markoviq, në shkurt të vitit 1999.

    Rrëmbimi i dëshmitarit përkoi me rrëmbimin e Velko Markovicit. Dëshmitari e pa Markovicin në atë ditë, disa herë, edhe kur i mbajtën mbrapa bashkë në bagazh, duke i çuar nga një vend te tjetri. Gjatë kësaj kohe, z. Markovic i tha dëshmitarit ndër të tjera se ishte polic, porse do t’u thoshte kidnapuesve se punonte në hekurudhë. Z. Markovic dhe dëshmitari arritën ta hapnin bagazhin dhe dëshmitari iku, ndërsa Markovici vazhdoi të ishte i ndaluar nga UÇK-ja”, tha prokurori, Andrew Boyle.

    Por Ivanisheviq gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja nuk i ka identifikuar personat që pretendon se e ndaluan. Ai u ballafaqua me deklaratat e dhëna në 1999-n, dhe më vonë në EULEX, kur kishte përmendur se uniformat e këtij grupi personash kishin emblemën e UÇK-së.

    “Ju i keni thënë policisë që kanë pasur emblemë të UÇK-së, por kjo askund nuk përfshihet në deklaratën tuaj, pra nuk ia keni thënë policisë. Keni nënshkruar një deklaratë që nuk përmend asnjë simbol, ose emblemë identifikuese të UÇK-së”, tha avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic.

    “Nuk e kam konsideruar si të rëndësishme këtë deklaratë në atë kohë”, tha dëshmitari, Dragan Ivaniseviq.

    Për rrëmbimin e Velko Markoviqit, dëshmitari nuk dha shumë informata.

    “Ju keni thënë se Markovic është marrë së pari në Fushë-Kosovë dhe nga aty ju e keni parë në Maxhunaj. A e ke thënë këtë gjë apo jo?”, tha avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic.

    “Nuk e thashë se Markovicin e kanë rrëmbyer në Fushë-Kosovë. E kam parë kur me rrëmbyen mu, e pashë në makinë, afër Novoselës, nuk e kam parë se ku ka qenë ai, apo ku e kanë ndaluar”, tha dëshmitari, Dragan Ivaniseviq.

    Pas Ivanisheviqit, të enjten, dëshminë para trupit gjykues e ka nisur edhe dëshmitari i 35-të. Ndryshe nga Ivanisheviq, identiteti i këtij dëshmitari është i mbrojtur.

  • Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, tym e karrige të përmbysura

    Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, tym e karrige të përmbysura

    Deputetët e opozitës zhvillimet e seancës së të enjtes fillimisht tentuan t’i ndërprenë me përmbysjen e karrigeve dhe rrethimin e foltores.

    Derisa kryetarja e Kuvendit vendosi të mos i ndërpresë punimet, deputetët e Partisë Demokratike ndezën edhe tymues brenda sallës plenare.

    Për largimin e tymuesve u desh ndërhyrja e gardës.

    Ndërsa, për deputetët që shkaktuan kaos ministri i Brendshëm, Taulant Balla, paralajmëroi veprime në përputhje me ligjin.

    Pas fjalimit të shkurtër të Ballës, nën mjegullën e tymit e krismave në tavolinë nga opozitarët, deputetët socialistë votuan disa projektligje.

    E, kur deputetët e pushtetit po votonin, kryetari i PD-së, Sali Berisha, po transmetonte drejtpërdrejt në Facebook, fjalimin e tij në lidhje me zhvillimet brenda.

    Këto zhvillime vijnë pas protestës disa-ditore të deputetëve të opozitës, të cilët pretendojnë se Kuvendi është kthyer në një mekanizëm në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

    Ditë më parë disa deputetë të opozitës hynë nga dritaret në Kryesinë e Kuvendit, pas vendimit për përjashtimin e 26 ligjvënësve të opozitës nga Parlamenti. /atvlive.tv

  • Në tri shkolla, komuna e Prishtinës hap kabinete të logopedisë

    Në tri shkolla, komuna e Prishtinës hap kabinete të logopedisë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në këto karrige çdo ditë ulen nxënësit që kanë nevojë për konsultime me logopedë. Këto seanca logopedie po bëhen pa pagesë për 20 nxënësit e shkollës fillore “Emin Duraku”, në kryeqytet, falë një projekti të Drejtorisë së Mirëqenies Sociale.

    “I kemi gjashtë logopedë, të cilët po mbajnë konsulta falas për 20 fëmijë. Kjo është shumë e kushtueshme, por është bërë e mundshme falë një projekti nga komuna e Prishtinës, projekt ky njëvjeçar, për të cilin ne po mundohemi që ta rrisim kohën”, tha drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani.

    Nga komuna e Prishtinës thonë se krijimi i këtyre kabineteve ishte i domosdoshëm.

    “Ky projekt është shumë i rëndësishëm për Drejtorinë e Mirëqenies Sociale, që ndërlidhet me mundësinë e barabartë për gjithë fëmijët që kanë probleme me artikulim të fjalive, këtë projekt e kemi filluar, në shkollën “Emin Duraku” në bashkëpunim të ngushtë me Institutin Kosovar për Logopedi. Ka pasë rezultat shumë të mirë se u pa dita-ditës edhe artikulimi më i mirë i fjalëve”, tha Adelina Sahiti, drejtoreshë e mirëqenies sociale në Kuvendin Komunal në Prishtinë.

    Prania e logopedëve në shkolla, po cilësohet e rëndësishme edhe nga njohës të arsimit. Porse, sipas tyre, fillimisht duhet identifikuar fëmijët që kanë probleme në të folur.

    “Prezenca e logopedëve në shkollave dhe vetëdijesimi i komunitetit në shkolla për ndihmën e logopedëve, shpresoj që të kemi një numër të logopedëve për identifikim të fëmijëve në nevojë. Më e rëndësishmja nëse këto seanca bëhen në shkollë paraqet një ambient më të rehatshëm dhe më të pranueshëm për fëmijët”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit “Edd Guard”.

    Përveç shkollës “Emin Duraku”, në kryeqytet me kabinete logopedie janë pajisur edhe shkollat “Asim Vokshi” e “Mehmet Gjevori”. Ndërkaq, projekti i njëjtë është duke u zbatuar edhe në Fushë-Kosovë, në shkollën “Mihal Gameno”.

  • Një vit nga dorëheqjet e policëve në veri, asnjëri prej tyre s’u kthye në punë

    Një vit nga dorëheqjet e policëve në veri, asnjëri prej tyre s’u kthye në punë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një vit më parë, Policia e Kosovës mbeti pa rreth 550 pjesëtarë. Policët e komunitetit serb që shërbyen në komunat veriore, zhveshën uniformat në vazhdën e dorëheqjeve nga institucionet e Kosovës.

    Tash e një vit, asnjëri prej tyre nuk është kthyer në polici.

    Ndonëse, pjesëtarë të tjerë të rinj u pranuan në konkurse të reja më vonë, por edhe në mesin e tyre disa dhanë dorëheqje për shkak të presionit. Nga ta vetëm njëri u kthye.

    Megjithatë, kthimi i tyre, qoftë vullnetarisht, s’do të duhej pranuar pa vlerësime.

    Për vendet që mbetën të zbrazura pas dorëheqjeve të policëve serbë, Qeveria vazhdimisht u bëri thirrje qytetarëve të këtij komuniteti të konkurrojnë.

    Megjithatë, në disa konkurse që hapi Policia, interesimi nuk ishte edhe aq i madh.

    Siç mëson ATV-ja vetëm rreth 50 policë nga komuniteti serb shërbejnë në komunat veriore.

  • Pezullohet tenderi 1.2 milionësh për t’i furnizuar policët me këpucë

    Pezullohet tenderi 1.2 milionësh për t’i furnizuar policët me këpucë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Tenderi 1.2 milionësh për furnizim me këpucë për pjesëtarët e Policisë, i rihapur në korrik të këtij viti, aktualisht është pezulluar. Pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, Policia e Kosovës vendosi për pezullim deri një vendim tjetër.

    Për t’i furnizuar me këpucë pjesëtarët e saj, Policia kishte hapur tender edhe në nëntor të vitit të kaluar, i cili kishte dështuar. Asnjëra prej gjashtë kompanive të interesuara nuk i kishte plotësuar specifikat e kërkuara.

    “Sipas gjetjeve dhe konstatimeve të Autoritetit Kontraktues, i cili ka bërë analizimin e mostrave në procedurën e vlerësimit, rezulton se mostrat e ofruara nuk i përmbushin disa kritere të specifikimeve teknike. Në bazë të mostrave të prezantuara nga ana e OE ankues, shihet se këpucët nuk i plotësojnë disa nga kërkesat e specifikimit teknik, këpucët e ofruara nga ana e OE ankues nuk e kanë të integruar shtresën ortopedike, ashtu siç kërkohet, po ashtu nuk e kanë të shënuar numrin në këpucë”, thuhet në reagimin nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
    Andaj, Paneli Shqyrtues kishte kërkuar që në rast të ritenderimit, të kihet kujdes me vendosjen e specifikave teknike për këpucët e policëve.

    “Numrat duhet të jenë të shënuar në këpucë, andaj Paneli Shqyrtues obligon Autoritetin Kontraktues, që në rast të ritenderimit të specifikojë kërkesat e paraqitura në Dosjen e Tenderit, në mënyrë të qartë që gjatë ofertimit Operatori Ekonomik të mos ofertojë me kuptime të dyanshme”, thuhet më tej në reagimin nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

    Zvarritja e një tenderi që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të punës për policët, është për keqardhje, sipas Diana Metushit, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Ajo shtoi se në shumicën e rasteve shkaktari për zvarritje të tenderëve është faktori njeri.

    Policia është pyetur në lidhje me tenderin në fjalë, por nuk ka kthyer përgjigje. Sidoqoftë, sipas informatave të ATV-së, ky institucion ka vite që nuk i ka furnizuar zyrtarët policorë me këpucë.

  • Refugjatët afganë vendosen në hotele në qendër të Prishtinës

    Refugjatët afganë vendosen në hotele në qendër të Prishtinës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Dhomat e këtij hoteli në qendër të Prishtinës janë kthyer në vendstrehim për dhjetëra refugjatë afganë, pas mbylljes së kampit Liya në Bondsteel, ku qëndronin prej para dy vjetësh.

    Megjithëse, lëvizin shpesh në rrugët ku banojnë, refugjatët hezitojnë të flasin për qëndrimin tani e tutje në Kosovë.

    Në këtë drejtim po punon edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili për ATV-në e konfirmoi mbylljen e kampit, më 30 shtator.

    “Një numër i vogël afganësh mbeten në Kosovë dhe vazhdojnë të marrin kujdesin dhe ndihmën e SHBA-së. Ne po punojmë për t’i identifikuar zgjidhjet e duhura dhe afatgjata për këta individë dhe për anëtarët e familjeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.

    Ministria e Punëve të Brendshme deri në transmetimin e kronikës, nuk u përgjigj nëse mund t’u ofrojnë mbështetje refugjatëve të mbetur në Kosovë pas mbylljes së kampit. Megjithatë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit vlerësoi angazhimin e Kosovës për pranimin e tyre.

    “Roli unik i Kosovës si një nga partnerët e parë, që ofroi për të pritur transitin e Afganistanit, është një nderim për dhembshurinë dhe bujarinë e popullit të saj dhe për përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në sigurinë globale”, thuhet më tej në përgjigjen e DASH-it.

    Afro 1900 refugjatë afganë u strehuan në Kosovë pas verës së vitit 2021, kur në Afganistan pushtetin e morën talibanët.

    Disa prej tyre u vendosën në Kampin Liya e disa në kampin pranë Bechtel – Enkas, i cili u mbyll në prill të vitit 2022, pasi fillimisht refugjatët ishin zhvendosur në shtete tjera.

  • Hungaria thotë se BE-ja nuk duhet të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën

    Hungaria thotë se BE-ja nuk duhet të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën

    Hungaria nuk po dëshiron që Bashkimi Evropian të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën.

    Në vend të kësaj, ai duhet të ofrojë një formë “partneriteti të privilegjuar” për vendin, tha shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban në një konferencë sot.

    Udhëheqësit e vendeve të BE-së do të vendosin muajin e ardhshëm nëse do të pranojnë rekomandimin e Komisionit Evropian për të ftuar Kievin të fillojë bisedimet e anëtarësimit sapo të përmbushë kushtet përfundimtare, duke përfshirë rritjen e masave mbrojtëse për pakicat kombëtare.

    Rekomandimi i komisionit është një moment historik i rëndësishëm në rrugën e Kievit drejt integrimit perëndimor, por çdo vendim i tillë kërkon unanimitet të 27 anëtarëve të bllokut, me Hungarinë që shihet si pengesa kryesore e mundshme, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.

    Hungaria, anëtare e BE-së, ka thënë se nuk do të mbështesë integrimin evropian të Ukrainës nëse Kievi nuk ndryshon ligjet e tij për pakicat, veçanërisht në lidhje me arsimin. Budapesti është përplasur me Kievin për atë që thotë se janë kufizime të të drejtave të rreth 150 mijë hungarezëve etnikë për të përdorur gjuhën e tyre amtare.

    Kryeministri hungarez Viktor Orban tha muajin e kaluar se strategjia e BE-së për luftën Rusi-Ukrainë “ka dështuar” dhe ai nuk shihte asnjë arsye që Hungaria të dërgonte paratë e taksapaguesve të saj për të mbështetur vendin e goditur nga lufta.

  • Aeroporti i Prishtinës shpërblen udhëtarin e 3-miliontë për vitin 2023, me një pushim në Turqi

    Aeroporti i Prishtinës shpërblen udhëtarin e 3-miliontë për vitin 2023, me një pushim në Turqi

    Ardit Alaj nga Deçani, është udhëtari i tremiliontë që ka udhëtuar përmes aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

    Alaj, së bashku me bashkëshorten e tij, Kaltrinën, janë shpërblyer me një udhëtim njëjavor në Turqi.

    Zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, tha se Aeroporti ka arritur një moment historik të jashtëzakonshme prej 3 milionë udhëtaresh!

    “Para se gjithash, me lejoni që në emër të kompanisë te shpreh falënderimet tona për secilin prej jush – mysafirët tanë te nderuar, udhëtaret e nderuar, stafi i përkushtuar, partnerët e përkushtuar të linjave ajrore dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë arritje të jashtëzakonshme. Se bashku, ne kemi bere histori”, tha ajo.

    E Ardit Alaj, i cili po udhëtonte drejtë Gjermanisë, falënderoi ANP-në për këtë befasi.