ATV

Category: Lajme

  • Sinani: Raporti i BE-së konfirmon se Serbia po i shkel të drejtat e shqiptarëve në Luginë

    Sinani: Raporti i BE-së konfirmon se Serbia po i shkel të drejtat e shqiptarëve në Luginë

    Raporti i Progresit i Komisionit Evropian vazhdon ta kritikojë Serbinë për shkeljen e të drejtave të njeriut në Luginën e Preshevës. Në raport përmenden pasivizimi i adresave të shqiptarëve. Mungesa e librave shqip, integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore si dhe mungese lirive të medieve.

    Pas këtij raporti, ka reaguar ish-kryetarja e Preshevës, dhe njëherësh këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, Ardita Sinani.

    “Raporti i Bashkimit Evropian për Serbinë për vitin 2023 përforcon edhe më shumë konkluzionet e të gjitha raporteve paraprake të institucioneve ndërkombëtare. Se Serbia vazhdon të shënoj regres në shumë fusha e mes tjerash me theks të veçantë shkeljes së të drejtave të pakicave në përgjithësi, e pakicës shqiptare në veçanti”, thotë ajo.

    Sipas Sinanit, Bashkimi Evropian dhe të gjitha qendrat e vendosjes ndërkombëtare tash e sa vite në raportet e tyre këshillojnë përmirësimin e saj në shumë fusha, e ky raport evidenton atë që ky shtet nuk ka shënuar asnjë hap përpara.

    “Shqiptarët në Serbi e veçanërisht në Luginë të Preshevës në mënyrë konsistente po përballen me diskriminim të vazhdueshëm shtetëror në të gjitha sferat e jetës”, thotë ajo.

    Ish-kryetarja e Preshevës, pëmendn disa nga pikat e Raportit të BE-së për Serbinë.

    Raporti evidenton nevojën e domosdoshme për trajtimin konform konventave evropiane të pakicave kombëtare, nevojën për sigurimin e teksteve në gjuhën shqipe e shumë fusha tjera.

    “Sipas këtij raporti, Serbia ngulfat lirinë e shprehjes për pakicën shqiptare si dhe mungesën e integrimit të shqiptarëve në institucionet publike e shtetërore. Pasivizimi i adresave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi është një brengë e Bashkimit Evropian që nënvizohet në këtë raport. Gjuha e urrejtjes së zyrtarëve të lartë shtetëror serb dhe retorika diskriminuese është po ashtu një element që raporti i BE i jep theks shqetësues”, shkruan Sinani.

  • Rama në Paris, mbërrin në Forumin e Paqes

    Rama në Paris, mbërrin në Forumin e Paqes

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Paris këtë të premte. Ai do të marrë pjesë në Forumin e Gjashtë të Paqes. Në fokus të diskutimeve do të jetë konflikti mes Izraelit dhe Hamasit.

    Ditën e djeshme Rama shpërndau një deklaratë ku shprehu shqetësimin e Shqipërisë për ashpërsimin e konfliktit.

    Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit, por jemi gjithashtu shumë të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet në Gaza”, tha Rama.

    Për kreun e qeverisë shqiptare, ripushtimi i Gazës është i papranueshëm dhe me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga Gaza.

    Rama propozon që nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez./tvklan.al

  • Stoltenberg nuk e konsideron problematike afërsinë e Erdoganit me Hamasin

    Stoltenberg nuk e konsideron problematike afërsinë e Erdoganit me Hamasin

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nuk sheh problem për aleancën, në rastet kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan shpreh mbështetje për grupin palestinez Hamas, – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – i cili aktualisht është në luftë me Izraelin.

    “Nuk është asnjëherë e lehtë kur kemi pikëpamje të ndryshme brenda aleancës”, ka thënë Stoltenberg, në një intervistë për agjencinë e lajmeve dpa.

    Shefi i aleancës ka thënë se, megjithatë, “kjo nuk ndikon në ndonjë mënyrë në atë që bëjmë, sepse ne nuk jemi duke luajtur rol në atë konflikt specifik”.

    Pas sulmeve brutale të Hamasit në komunitetet izraelite më 7 tetor, në të cilat janë vrarë mbi 1.400 njerëz, Erdogani e ka përshkruar Hamasin si “grup çlirimtar”.

    Si rezultat i luftës në Gazë, Erdogan i ka shkëputur kontaktet me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.

    “Netanyahu nuk është më bashkëbisedues për ne në asnjë mënyrë. Ne e kemi fshirë atë, e kemi kryqëzuar”, ka thënë Erdogan.

    Presidenti turk e ka përshkruar me raste Izraelin si “shtet terrorist” për shkak të trajtimit të palestinezëve dhe vazhdimisht e ka prezantuar veten si kampion të kauzës palestineze.

    Deri më tani, liderët tjerë të NATO-s nuk janë dëgjuar duke e kritikuar Erdoganin.

    Stoltenberg i ka hedhur poshtë spekulimet se heshtja e anëtarëve të NATO-s mund të lidhet me mbajtjen peng të anëtarësimit të Suedisë në aleancë, nga ana e Turqisë.

    “Këto janë dy çështje të ndara”, ka thënë ai.

    Turqia dhe Hungaria janë dy vendet e vetme që ende nuk e kanë ratifikuar marrëveshjen për anëtarësim të Suedisë në NATO.

    Turqia ankohet se Suedia nuk ka bërë mjaftueshëm për luftim të atyre që i quan militantë kurdë, një organizatë të të cilëve Ankaraja e konsideron terroriste./REL/

  • Bislimi: Barazia gjinore parakusht për integrimin evropian

    Bislimi: Barazia gjinore parakusht për integrimin evropian

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur takim konsultativ të nivelit të lartë “Angazhimi i Kosovës drejt integrimit evropian nga perspektiva gjinore”.

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se trajtimi i drejtë i perspektivës gjinore është parakusht për integrimin të suksesshëm evropian, raporton RTKlive.

    “Perspektiva gjinore nuk është trajtuar sa duhet e rrjedhimisht shihet si problem dhe kemi nevojë për të adresuar perspektivën gjinore në rrugëtimin tonë drejtë Bashkimit Evropian”, tha ai.

    Sipas tij, kemi problem në barazinë gjinore dhe për këtë duhet të ketë vetëdijësim për këtë./rtk

  • ​Policia jep detaje për gjetjet mortore në Skenderaj

    ​Policia jep detaje për gjetjet mortore në Skenderaj

    Njësitet e DHKRL-së së bashku me komisionin qeveritar për persona të zhdukur dhe IML-në, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me ç’ rast në fshatin Prekaz i Poshtëm, kanë gjetur mbetje eshtrave që dyshohet se janë të së paku tre personave, të cilët dyshohet se janë në listën e personave të zhdukur gjatë periudhës së luftës së fundit në vitin 1999.

    Njësitet e angazhuara janë në proces të kryerjes së veprimeve të nevojshme.

  • ​Alarmi i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë

    ​Alarmi i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë

    Një alarm i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë, ku përmbytjet së fundmi vranë tetë persona.

    Shkollat dhe parqet do të mbyllen sot në Livorno dhe në provincën Massa Carrara.

    Alarmi portokalli është shpallur pasi një valë e re e motit të keq ka mbërritur në Itali, duke prekur kryesisht rajonet qendrore dhe jugore.

    Gjithashtu do të ketë një alarm të verdhë të premten në Kalabri, Sardenja, Abruzzo, Basilicata, Lazio, Molise, Pulia, Siçili, Umbria dhe Campania. /ANSA/.

  • ​Izraeli nuk planifikon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Gazën

    ​Izraeli nuk planifikon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Gazën

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se vendi nuk po kërkon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës së tij me Hamasin.

    Benjamin Netanyahu i tha televizionit amerikan Fox News se një “forcë e besueshme” do të ishte e nevojshme për të hyrë në enklavë nëse është e nevojshme për të parandaluar shfaqjen e kërcënimeve militante.

    “Ne nuk kërkojmë të pushtojmë Gazën, nuk kërkojmë të okupojmë Gazën dhe nuk kërkojmë të qeverisim Gazën,” tha ai, duke shtuar se do të kërkohet një qeveri civile, por se Izraeli gjithashtu do të duhet të sigurojë se një sulm si ai i 7 tetorit, në të cilin Hamasi vrau rreth 1400 njerëz, nuk do të përsëritet më.

    “Pra, ne duhet të kemi një forcë të besueshme që, nëse është e nevojshme, do të hyjë në Gaza dhe do të vrasë vrasësit. Sepse kjo është ajo që do të parandalojë rishfaqjen e një entiteti të ngjashëm me Hamasin”, tha ai. /BBC/

  • ​Kurti kërkon nga Bosnja zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime

    ​Kurti kërkon nga Bosnja zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Paris, dje zhvilloi një takim me kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljko Komsiq dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegonivës, Denis Beciroviq.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, tema qendrore të bisedës ishin Procesi i Berlinit, përkatësisht marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të tij dhe përfitimet dhe domosdoshmëria e zbatimit të plotë të tyre, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet në rajon.

    “Theks të veçantë nga ana e kryeministrit Kurti iu dha nevojës për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit të kaluar, e cila ende nuk është ratifikuar nga Bosnja dhe Hercegovina. Kryeministri Kurti, kryetari Komsiq dhe anëtari i Presidencës, Beciroviq gjithashtu diskutuan rreth mundësive dhe potencialin për shtim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë e të arsimit”, thuhet në komunikatë.

  • Izraeli akuzon gazetarët e Gazës se kanë pasur njohuri për sulmin e Hamasit

    Izraeli akuzon gazetarët e Gazës se kanë pasur njohuri për sulmin e Hamasit

    Ministri izraelit për Komunikime, Shlomo Karhi, i ka akuzuar katër gazetarë me bazë në Gazë, që kanë punuar me mediat perëndimore, se kanë pasur informacione për sulmin e Hamasit në Izrael.

    Karhi u ka thënë mediave si Reuters, AP, CNN dhe New York Times se “individë brenda organizatave tuaja kanë pasur njohuri paraprake për këto veprime të tmerrshme”.

    Reuters, AP, CNN dhe New York Times e kanë mohuar një pretendim të tillë.

    New York Times ka thënë se “akuza të tilla të pabaza” i rrezikojnë bashkëpunëtorët e jashtëm.

    Hamasi ka nisur sulme shkatërruese dhe të pashembullta në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë më shumë se 1.400 civilë dhe ushtarë izraelitë, dhe i ka kidnapuar më shumë se 240 persona tjerë.

    Në imazhet e shkrepura prej fotografëve janë parë: një tank i djegur izraelit, palestinezët duke e thyer barrierën në komunitetin Kfar Aza dhe skena tjera të sulmit.

    Karhi ka thënë se sulmet kanë ndodhur në vendin ku kanë qenë prezentë gazetarët “teksa i kanë dokumentuar këto tmerre, dhe kështu janë bërë pjesëmarrës në këto ngjarje të tmerrshme”.

    Ministri izraelit i ka bërë këto deklarata pas sugjerimeve të faqes pro-Izraelit Honest Reporting, se prezenca e gazetarëve mund të ketë qenë “pjesë e planit”.

    Mirëpo katër agjencitë e akuzuara kanë lëshuar deklarata duke thënë se nuk kanë pasur marrëveshje paraprake me asnjërin prej gazetarëve për të dërguar fotografi.

    “Asnjë pjesëtar i stafit të AP-së nuk ka qenë në kufi në kohën e sulmeve dhe asnjë pjesëtar i stafit të AP-së nuk e ka kaluar kufirin në atë kohë”, është thënë në deklaratën e agjencisë.

    “Kur pranojmë fotografi prej bashkëpunëtorëve të jashtëm, ne marrin shumë hapa për ta verifikuar vërtetësinë”.

    Agjencia ka thënë se nuk është duke punuar më me njërin prej gazetarëve, Hassan Eslaiah, i cili është parë në një fotografi me liderin e Gazës, pjesëtarin e Hamasit, Yahya Sinwar.

    Edhe CNN ka thënë se i ka pezulluar të gjitha kontaktet me një tjetër bashkëpunëtor të jashtëm.

    New York Times e ka mbrojtur punën e disa bashkëpunëtorëve të saj për mbulim të luftës, dhe akuzat i ka cilësuar si të pavërteta.

    Edhe Reuters e ka mohuar të ketë pasur dijeni paraprakisht për planet.

    Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve ka thënë se të paktën 39 gazetarë dhe punëtorë mediash janë vrarë prej nisjes së luftës, përfshirë 34 palestinezë, katër izraelitë dhe një libanez./REL/

  • Ja kur pritet të bie bora e parë në Kosovë

    Ja kur pritet të bie bora e parë në Kosovë

    Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka dhënë parashikimin e motit në Kosovë për ditët në vijim

    Në njoftimin e ASHNA-së, bëhet e ditur se bora e parë në Kosovë në viset e ulëta do të bie në fundin e javës së ardhshme.

    “Pas shiut që ra të mërkurën që lamë pas në sasi mbi mesatare, vendi ynë ditëve në vijim dhe javën që vjen do të përshkohet me riga lokale shiu që do të jenë të shtuara në intenzitet në intervale kohore të shkurtëra, sipërfaqet në nivelet mbi 1200m lartësi mund të mbulohen edhe nga shtresa të cekëta bore.

    Temperaturat minimale do të sillen nga 03°C deri në 05°C ndërsa temperaturat maksimale nga 10°C deri në 13°C.

    Erërat do të jenë kryesisht jug-jugperëndimore, me rritje në intensitet përgjatë ditës nga 03 m/s deri në 20m/s.

    Shtresat e petkut të bardhë sipas modeleve në dispozicion pritet të zënë vend në sipërfaqet e ulëta jo para fundit të javës së ardhshme” thuhet në njoftimin e ASHNA-së.