ATV

Category: Lajme

  • Parandalohet futja ilegale e 65 mijë eurove në Kosovë

    Parandalohet futja ilegale e 65 mijë eurove në Kosovë

    Njësia K9 e Doganës ka zbuluar mjete monetare gjatë tentimin për tu futur ilegalisht në Kosovë, në vlerë prej 65 mijë eurove.

    Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, rasti ka ndodhur në Vërmicë ndërsa është zbuluar nga njësia K9 e Doganës së Kosovës.

    “Vërmicë 10 nëntor 2023, gjatë zhvillimit të operacionit nga njësit e antikontabandës dhe njësisë K9 të Doganës së Kosovës është arritur të parandalohet futja ilegale e 65.000 mijë eurove.

    Në hyrje është paraqitur një automjet ne targat të Republikës së Shqipërisë i cili është përzgjedhur për kontroll në vijën e të dytë së bashku me Policinë.

    Gjatë kontrollit të veturës, nga njësia K9 në pjesën e bagazhit, në vendin e destinuar për pajisje e ndihmës së parë, është zbuluar një pliko e verdhë e fshehur, e cila përmbante mjete monetare në shumë totale prej 65,000 euro”, thuhet në komunikatë.

  • ​Osmani mori pjesë në varrimin e ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari

    ​Osmani mori pjesë në varrimin e ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari

    Me ftesë të Qeverisë finlandeze, presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-presidentin Fatmir Sejdiu, morën pjesë sot në varrimin e ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari.

    Në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezentë më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së ish-presidentit Ahtisaari.

    “Sot i dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë”, tha Osmani.

    Ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor.

    Mysafirët në varrimin e presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së presidentit Ahtisaari.

    Martti Ahtisaari, ka vdekur në moshën 86-vjeçare në Helsinki. Ai ka qenë i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës. Mbi planin që ai hartoi, u shpall edhe pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.

    Ai u shpërblye me Çmimin Nobel për Paqe më 2008 për shkak të kontributit të tij për dhënien fund të konflikteve edhe në Indonezi, Namibi apo Irlandën Veriore.

    Ahtisaari ishte tërhequr nga jeta publike dhe politike më 2021, pasi u diagnostikua me sëmundjen e Alzheimerit. Ai ishte president i Finlandës nga viti 1994-2000.

  • ​Akademikët kërkojnë trajtim adekuat të materialeve plastike

    ​Akademikët kërkojnë trajtim adekuat të materialeve plastike

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka mbajtur sot tryezën shkencore “Ndotja e mjedisit nga materialet plastike dhe substancat organike rezistente dhe metodat e trajtimit”.

    Materialet plastike janë problem i mjedisit dhe se 14% prej tyre digjen dhe 14% riciklohen, ndërsa, në vit prodhohen rreth 367 milionë tonë materiale plastike. Kështu ka prezantuar rezultatin anëtari korrespodent i ASHAK-ut, Fetah Podvorica.

    Podvorica tha se plastika është materiali i tretë në botë i cili prodhohet më së shumti, sipas tij arsyeja pse plastika përdoret kaq shumë është qëndrueshmëria e saj dhe pesha e lehtë e cila është material shumë i rëndësishëm për qytetarët.

    “Aktualisht në vit prodhohen diku rreth 367 milionë tonë materiale plastike, dhe aktualisht janë materiali i tretë në botë për nga sasia pas prodhimit të çimentos dhe çelikut. Materialët plastike janë materiale lehtë të deformueshme dhe lehtë marrin forma të ndryshme, janë rezidente ndaj goditjeve ndaj ndryshimeve temperaturave dhe lagështisë. Një ndër arsyeje kyçe pse materialet plastike janë kaq të përdoreshme, është në radhë të parë qëndrueshmëria e tyre, pastaj ka të bëjë edhe me peshën e tyre e cila nëse e shihni, p.sh. në mënyrë të thjeshtë kur krahasohet me shishe qelqi dallimi është 75 herë. Përdorimi i këtyre materialeve është shumë i rëndësishëm edhe për shkak të transportit, sepse sot në të gjitha pajisjet në aeroplan bashkëkohorë përdoren shumë materiale plastike për shkak se zvogëlohet pesha dhe ruhen në të njëjtën kohë vetitë e këtyre fluturakeve. Për shkatë problemeve që ndodhin në ndotjen e mjedisit edhe kjo qëndrueshmëri paraqet një problem në vete, problem tjetër te polimerët paraqet edhe masa e tyre kimike, molekuare, sepse sa më e madhe të jetë masa, pastaj rezistenca ndaj zbërthimit ose degradimit, është më e madhe”, tha Podvorica.

    Po ashtu, ai tha se zgjidhja e materialeve plastike duhet të ketë kombinim të metodave që nga trajtimi, derisa shtoi se djegia e materialeve plastike është mënyra më e lehtë, por jo edhe më e duhura.

    “Aktualisht në botë janë të grumbulluara, për shkak të mos zbërthimit të materialeve plastike, rreth 8 milionë tonë material plastikë, dhe kjo i bie që pothuajse secili banor i ka nga një ton material plastikë, pra është një shifër enorme. Vetëm 14 % prej tyre janë ricikluar dhe mund të futen përsëri në përdorim, ndërsa 14% janë zbërthyer ose mënyrë totale ose duke i djegur, mirëpo djegia e këtyre materialeve plastike është problem në vete. Zgjidhjen e këtyre unë e shoh në këtë mënyrë, duhet të ketë një kombinim të metodave para trajtimit kimik, dhe po ashtu edhe përdorimin dhe biozbërthimin. Ndërsa sa i përket djegieve, kjo është ndoshta qasja më e lehtë, por problemin aktual siç është dekarbonizimin ose prodhimin e energjisë prej këtyre burimeve duhet të gjendet mënyra e rikuperimit”, tha Podvorica.

    Akademiku Ilirjan Malollari, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë tha se materialet farmaceutike janë të nevojshme për t’u përdorur, edhe pse në spitalet rajonale nuk ka mënyra të shkarkimit të tyre.

    “Nevoja për të përdorur këto kërkon detyrimisht instalimin e kimikateve të trajtimeve të ujërave të ndotura, të cilat mungojnë edhe në Kosovë. Besoj, mund të jetë në spitale rajonale ose qendrore që mungon impianti i trajtimeve të ujërave të shkaktuara nga aktiviteti spitalor që përbën trajtimin e një sasie shumë të madhe. Sipas normave të Bashkimit Evropian janë të nevojshme rreth 9.000 litra për shtrat, dhe detyrimisht duhet të trajtohen në impiante të mëdha. Përkundrazi, në impiantet e fabrikave e spitaleve tona nuk ekzistojnë të tilla, por ekzistojnë impiantet të shkarkimeve nëntokësore, të cilat derdhen në lumnej dhe përfundojnë në thellësi. Mbetjet farmaceutike, të cilat nuk shkatërrohen, nuk hiqen qafe, nuk izolohen ndryshe vetëm siç u përmendën me metoda kimike dhe biologjike te trajtuara me oksidues të fuqishëm oksidim të avancuar” tha Malollari.

    Po ashtu, anëtari korrespodent, Salih Gashi u shpreh se masat plastike prodhojnë mbeturina, pasi sipas tij nuk trajtohen në metoda adekuate.

    “Masat plastike janë të konsumueshme shumë dhe janë një prodhim i madh i tyre dhe në këtë mënyrë prodhojnë edhe mbeturina. Ato faktikisht prodhohen për shkak se nuk trajtohen në metoda adekuate, dhe e dyta për shkak se janë metodat të dobëta, të cilat i trajtojnë dobët këto materie organike. Diku afër 300 milionë tonë prodhohen masa plastike, dhe diku 400 milionë mbetje të tyre dhe 10 milionë tonë shkojnë në oqeane hyjnë sepse ato shpërndahen në tokë, ujë dhe në ajër. Kur këto materie hyjnë në oqean apo në lumenj, në dete, ato ndahen në fragmente të vogla të madhësisë 1 milimetër. Ato klasifikohen si mikroplastika, ndërsa të tjerat të cilat janë 1 deri 100 anemometra klasifikohen si nanogrimca. Këto grimca janë afër 1% në sipërfaqe kurse krejt tjerat nën sipërfaqe dhe bien poshtë në det. Këto plastika ndahen në dy mënyra termoplastika, të cilat janë shumë të përhapura dhe këto janë materie, të cilat gjatë transformimit me nxehje ato frekuentohen, bëjnë formë dhe me ftohje ato forcohen”, tha Gashi.

    Ndryshe, plastika është një material thelbësor që përdoret në të gjithë sektorët ekonomikë për shkak të shkathtësisë së saj. Për të përmbushur kërkesën gjithnjë në rritje për këto materiale, prodhimi global i plastikës është rritur në dekadat e fundit dhe në vitin 2021 arriti një kulm vjetor prej 390.7 milionë tonë metrikë. Si një rajon kryesor i prodhimit të plastikës, Evropa përbënte 15 për qind të prodhimit atë vit, me vetëm Kinën dhe Amerikën e Veriut që prodhonin më shumë.

    Gjermania është prodhuesi dhe prodhuesi më i madh i plastikës në Evropë deri tani, duke llogaritur një të katërtën e kërkesës së rajonit për konvertues të plastikës. Në vitin 2020, prodhimi gjerman i produkteve plastike kishte një qarkullim prej 76.6 miliardë eurosh.

    Segmenti i paketimit është industria më e madhe e përdorimit përfundimtar për plastikën në Evropë, me një pjesë tregu prej gati 40 për qind të kërkesës për materiale plastike. Prodhimi i mallrave të ambalazheve plastike në BE kishte një xhiro prej 54.8 miliardë euro në vitin 2020. /KosovaPress/

  • Krasniqi viziton dy kryetarët e PDK-së në komunat veriore – kërkon nga Qeveria trajtim të barabartë

    Krasniqi viziton dy kryetarët e PDK-së në komunat veriore – kërkon nga Qeveria trajtim të barabartë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përkundër rrezikut dhe kërcënimeve të paralajmëruara ditëve të fundit nga grupet terroriste serbe, ka vizituar dy komunat e pjesës veriore të Kosovës, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

    Ekonomia Online e ka përcjell vizitën e Krasniqit në dy komunat e pjesës veriore, ku i takoi kryetarët, Ilir Pecin, Izmir Zeqirin dhe ekipet e tyre, nga të cilët u njoftua për sfidat e përditshme në këtë pjesë të Kosovës.

    Kjo vizitë erdhi vetëm disa ditë pasi që liderit të Opozitës dhe PDK-së iu caktua mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës, si rrjedhojë e dyshimeve mbi rrezikun e shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

    “Me Kryetarin Ilir Peci diskutuam për punët dhe sfidat e tyre. Posaçërisht për situatën e sigurisë, e cila është e brishtë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Natyrisht, diskutuam edhe për përkushtimin dhe angazhimin e Kryetarit në shërbim të të gjithë qytetarëve të Zveçanit, pa dallim”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

    Duke parë nga afër gjendjen e qytetarëve në komunën e Zveçanit dhe mungesën e mbështetjes nga niveli qëndror, Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos diskriminojë dy komunat që udhëhiqen nga radhët e PDK-së, por t’i trajtojë ato në mënyrë të barabartë”.

    “U njoftova për sfidat dhe kërkesat e shumta, veçanërisht të banorëve shqiptarë të tri fshatrave Kelmend, Zhazhë e Boletin. Ftoj Qeverinë e Kosovës që me urgjencë dhe prioritet të miratojë kërkesat e qytetarëve të kësaj komune për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të cilët dëshirojnë të kthehen në fshatrat dhe vatrat e tyre”, ka thënë kryetari Krasniqi.

    Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka falënderuar Memli Krasniqi për vizitat dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj qytetarëve të asaj komune.

    “E falënderoj Kryetarin Krasniqi, si lideri i vetëm politik nga Prishtina që na ka vizituar dhe i cili që nga marrja e mandatit ka qenë pranë nesh për të na mbështetur në punën tonë në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Zveçanit”, ka thënë Peci.

    Pas Komunës së Zveçanit, Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka vizituar edhe Komunën e Zubin Potokut, ku ka takuar Kryetarin Izmir Zeqiri, kabinetin e tij dhe qytetarët e kësaj komune.

    “Sot pata nderin ta pres Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme ndaj nesh. E falënderoj shumë për përkrahjen ndaj nesh dhe qytetarëve të komunës tonë”, ka thënë kryetari Izmir Zeqiri, raporton EO.

    Ndërkaq, Krasniqi tha se është vërtetë domethënëse dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë fakti që, në mënyrë të veçantë shqiptarët e kësaj komune, të koncenturar në fshatin Çabër, kanë vazhduar dhe po vazhdojnë që përkundër sfidave të qëndrojnë e jetojnë aty dhe të zhvillojnë jetën institucionale.

    “Shfrytëzoj rastin që të ftoj dhe t’i kërkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që vërtetë të ketë një qasje ndryshe dhe shumë më përkrahëse për këta zyrtarë shtetërorë të cilët po punojnë pa ndalur në Komunën e Zubin Potokut, por edhe në komunat tjera në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

    Lideri i PDK-së tha se ajo që i bëri shumë përshtypje pozitive dhe që vlerëson, është fakti që kishte shumë qytetarë edhe të komunitetit serb të cilët janë aty në baza ditore për të kërkuar shërbime dhe po marrin shërbime, të cilat Kryetari Izmir Zeqiri dhe të gjithë zyrtarët i kanë ofruar për të gjithë, pa dallim.

    Lideri i Opozitës, Memli Krasniqi, në fund të këtij takimi i bëri thirrje të drejtpërdrejt Kryeministrit dhe ministrave tjerë të linjës që të vizitojnë komunat dhe qytetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, të adresojnë kërkesat e tyre dhe t’i mbështesin për zhvillimin e një jete të dinjitetshme sociale dhe institucionale atje.

  • ​Mustafa: Serbia ka pranuar autoritetin e Kushtetuese për Asociacionin, Kurti ta shfrytëzojë ketë

    ​Mustafa: Serbia ka pranuar autoritetin e Kushtetuese për Asociacionin, Kurti ta shfrytëzojë ketë

    Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se Serbia ka pranuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket vlerësimit kushtetues të statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe kjo është një e arritur e madhe të cilën duhet ta shfrytëzojë Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti, në mënyrë që statuti që shkoj në Kushtetuese dhe të jetë në harmoni me Kushtetutën.

    Mustafa pas tryezës shkencore “Ndotja e mjedisit nga materialet plastike dhe substancat organike rezistente dhe metodat e trajtimit”, të organizuar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK).

    “Marrëveshja e 2015 është marrëveshje që siguron që statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese dhe e mira e asaj marrëveshje është që një gjë të tillë e ka pranuar Serbia, do të thotë Serbia ka pranuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket vlerësimit kushtetues të statutit dhe jo vetëm fazën e prurjes së tij por edhe të gjitha ndryshimet duhet t’i nënshtrohen të njëjtës procedurë, kështu që është një arritur e madhe që mendoj se duhet ta shfrytëzojë edhe Qeveria dhe zoti Kurti, mirëpo jo vetëm ta shfrytëzojë atë që të mbulohet me Gjykatën Kushtetuese por që t’i bëjë të gjitha përpjekjet që statuti që shkon në Kushtetuese të jetë sa më afër ose të jetë plotësisht në harmoni me Kushtetutën”, tha ai.

    Ai shtoi se draftin duhet ta sheh kuvendi dhe opozita, edhe pse për këtë të fundit thekson se nuk beson që nuk e kanë parë.

    “Edhe pse unë nuk besoj që nuk e kanë parë, mirëpo po thonë që nuk e kanë parë sepse po duan që të mbulohen për shkak të përgjegjësisë që e kanë sepse nuk munden një parti opozitare me pa statutin me Lajçakun e dy përfaqësues mos me pa në të njëjtën sallë, sepse Lajçaku nuk ka zgjedh kur me ia dhënë e kujt mos me ia dhënë”, tha ai.

    Sipas tij, edhe Asociacioni i ardhshëm do ketë të njëjtën përmbajtje.

    “Ajo do të jetë i njëjti brumë, e njëjta përmbajtje e cila është paraparë në marrëveshjen e vitit 2013, sepse në atë marrëveshje është paraparë se çfarë është asociacioni dhe cilat janë elementet themelore të asociacionit e që është një vështrim, serbët i kanë thënë mbikëqyrje e plotë mbi fushën e arsimit, mbi fushën e shëndetësisë, mbi fushën e zhvillimit ekonomik lokal dhe zhvillimit urban. Aty janë dhënë vetëm parimet, por çka do të përpunohet nga ajo varet nga statuti i cili tani është akt juridik, sepse akte juridike nuk kanë qenë as marrëveshja e parë, as marrëveshja e vitit 2015”, tha ai.

    Ai duke komentuar deklaratat e Kurtit që asociacioni do të jetë më i mirë se sa paraardhësit e tij, tha se uron të dal një zgjidhje që është në favor të shtetit tonë, pro dyshon se mund të mbet ndonjë zgjidhje me pikën 7 të marrëveshjes së Ohrit.

    Mustafa tha se janë humbur 10 vite rreth kësaj çështje që do të duhet të jepte përgjegjësi.

    “Do të ishim larg në procesin e integrimeve, do ta kishim të përfunduar procesin e liberalizimit të vizave për atë do të duhej dikush të jep përgjegjësi por në vend të përgjegjësisë, ata që kanë pengu këtë kanë marrë vota, prandaj është çështje e qytetarëve, është përgjegjësi e qytetarëve, kështu që dëmi është, asociacioni është, masat e BE-së ndaj Kosovës, janë vlerësimi i keq i raportit të progresit është, do të thotë uroj që të ndërpritet kjo asgjë e mirë dhe të fillojë të bëjmë diçka të mirë”, tha ai.

    Mustafa në fund theksoi se me politika popullsitë, fiton vetëm individi por jo edhe shteti.

  • ​Vuçiq nuk pret progres në dialog, për këtë fajëson Kurtin

    ​Vuçiq nuk pret progres në dialog, për këtë fajëson Kurtin

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot ka folur në margjina të Forumit të Paqes në Paris edhe për procesin e dialogut me Kosovën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Vuçiq ka shprehur bindjen se derisa Albin Kurti të jetë kryeministër i Kosovës nuk pret të ketë ndonjë progres në procesin e dialogut.

    “Është mirë që ne të dimë se ku jemi, të dimë se me kë kemi të bëjmë, dhe nuk ka asnjë filozofi të madhe, por mendoj se tani është e qartë për ata në perëndim që Kurti nuk dëshiron që ta formojë asociacionin e komunave serbe, se ai nuk dëshiron përparim në dialog dhe se gjithçka tjetër ishin trika ballkanikë që mund të funksionojnë një ose dy herë, por sigurisht jo në planin afatgjatë. Pra, do të jetë e rëndësishme për ne që të ruajmë jetën e serbëve në Kosovë për të ruajtur paqen, por nuk besoj se ndonjë përparim serioz, veçanërisht jo formimi i asociacionit të komunave serbe, do të vijë ndonjëherë derisa Albin Kurti të jetë në pushtet në Prishtinë”, ka thënë Vuçiq.

    Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ka dërguar vërejte për draftin e asociacionit të prezantuar nga euro-amerikanët, më 21 tetor. Shefi qeveritar, gjatë një vizite para disa ditësh në rajonin e Dukagjinit, tha se drafti i modernizuar për asociacionin, është më i avancuar se marrëveshja e vitit 2013.

    “Për hir të konfidencialitetit të draftit, unë nuk mund të flas për vërejtjen dhe kritikat e mia. Ato janë shumë të rëndësishme, ia kam përcjellur emisarit evropian përmes zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, më 24 tetor, dy ditë para se të takohemi në Bruksel. Ky është draft krejt tjetër pakrahasimisht më i avancuar por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur, andaj unë kam dërguar vërejtjen”, theksoi ai.

    Ndërkaq, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kohë më parë pati deklaruar se rikthimi në dialog është urgjent dhe e vetmja mënyrë për të mos lejuar përsëritjen e ngjarjeve terroriste në veri sikur ato të 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit. /KP

  • Biden dhe Xi takohen javën e ardhshme

    Biden dhe Xi takohen javën e ardhshme

    Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, më 15 nëntor në San Francisko, në tentim për të “stabilizuar” raportet pas rritjes së tensioneve mes dy superfuqive, thanë zyrtarët amerikanë.

    Takimi, që më herët nuk ishte konfirmuar, në pritet të prodhojë ndonjë rezultat të madh, por synon të shmangë konfliktin midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, thanë zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

    Biden dhe Xi po ashtu do të bisedojnë për krizat në botë, sikurse lufta Izrael-Hamas dhe pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për tensionet në ishullin e Tajvanit.

    Dy liderët nuk janë takuar qe një vit dhe takimi i tyre i fundit ishte në Bali në nëntor të vitit 2022. Që atëherë, raportet mes Uashingtonit dhe Pekinit janë përkeqësuar.

    “Presidenti Biden do të mirëpresë presidentin e Kinës, Xi Jinping, në San Francisko të Kalifornisë”, tha një zyrtar i lartë amerikan për gazetarët.

    Biden dhe Xi do të marrin pjesë në Samitin për Bashkëpunim Ekonomik të Azi-Paqësorit javën e ardhshme.

    “Qëllimi ynë është që të tentojmë të ndërmarrim hapa që synojnë stabilizimin e raporteve mes Shteteve të Bashkuara, të largojmë disa keqkuptime dhe të hapim linja të reja të komunikimit”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.

    “Ne jemi në garë me Kinën, por ne nuk kërkojmë konflikt konfrontues apo Luftë të re të Ftohtë”, shtoi ai.
    Tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit janë rritur viteve të fundit. Më herët gjatë këtij viti, SHBA-ja tha se një balonë spiunazhi e Kinës fluturoi mbi territorin e saj.

    Dy shtetet i kanë vendosur njëra-tjetrës barriera edhe kufizime ekonomike.Tensionet mes SHBA-së dhe Kinës janë të larta veçmas sa i përket Tajvanit, ishullit vetëqeverisës që Pekini pretendon se një ditë do të marrë kontrollin e tij, qoftë edhe me forcë.

    Në takim, Biden pritet që të paralajmërojë liderin kinez kundër çdo ndërhyrje në zgjedhjet në Tajvan, të parapara për vitin e ardhshëm, dhe të kërkojë që Pekini të mos kryejë më stërvitje ushtarake afër Tajvanit./REL/

  • Deliu kërkon nga KRU “Prishtina” të bëjë maksimumin për pastrimin e ujit nga mangani

    Deliu kërkon nga KRU “Prishtina” të bëjë maksimumin për pastrimin e ujit nga mangani

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka kërkuar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” që të bëjë maksimumin për pastrimin e ujit nga mangan.

    Ajo këtë kërkesë e bëri pas vizitës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ku u takua me drejtoreshën, Burbuqe Nushi.

    Në njoftimin e saj në Facebook, Deliu ka shkruar se uji vazhdon të mbetët i papërdorshëm edhe pse vlerat e saj kanë rënë.

    “Dhjetëra mijëra qytetarë të Prishtinës ka dy javë që nuk guxojnë ta përdorin ujin e Liqenit të Badovcit për pije dhe përgatitje të ushqimit. Sipas Institut Kombëtar të Shëndetësisë, del se ka vlera të rritura të Manganit, çka e bën atë të papërdorshëm. Gjatë vizitës që kisha sot në IKSHKP, doktoresha Burbuqe Nushi më tregoi se kaq gjatë nuk ka pasur mangan asnjëherë. Sipas saj, kujdes të veçantë duhet të kenë prindërit e fëmijëve nga zero deri në gjashtë vjeç. Megjithëse vlerat kanë rënë, uji vazhdon të mbetet i papërdoshëm e shpenzimet e qytetarëve të rriten.Institucionet përgjegjëse, përfshirë KRU “Prishtina”, duhet të bëjnë maksimumin për pastrimin e ujit të Liqenit të Badovcit sa më parë. Vuajtja dhe maltretimi i qytetarëve për ujë të pijes nuk mund të vazhdojë pambarim!”, ka shkruar Deliu.

  • ​Lansohet programi për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

    ​Lansohet programi për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

    Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës nuk po gjen zbatim sa duhet dhe pandemia ndikoi që të pamundësohet një gjë e tillë.

    Kështu u tha në lansimin e programit për zbatimit të këtij ligji, ku u vlerësua si set edukativ i munguar në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Veç tjerash, u bë e ditur se ky program ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të profesionistëve për mbrojtjen e fëmijës në nivel komunal dhe qendror, si dhe për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e fëmijës.

    Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini deklaroi se ky program është dokument me rëndësi dhe punë e përbashkët mes institucioneve dhe shoqërisë civile.

    “Programi për zbatim të ligjit i dedikohet ngritjes së kapaciteteve të zyrtarëve publikë, jo vetëm. Dhe ky program që ne sot po e prezantojmë i dedikohet katër moduleve kyçe specifike për t’iu ngritur kapacitetet autoriteteve në nivel qendror dhe lokal. Natyrisht, nëpërmjet këtyre programeve, ne do të kemi si qëllim dhe synojmë që jo vetëm të rrisim kapacitetet, por edhe të fokusojmë në mënyrë efikase zbatimin e ligjit nëpërmjet zyrtarëve që janë përgjegjës për të marrë veprime adekuate në të gjitha dikasteret e ministrive dhe të komunave të Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Drejtoresha e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi deklaroi se pandemia pamundësoi zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

    “Pandemia krijoi një shkëputje të këtij procesi dhe kjo duket të jetë arsyeja kryesore që pse nuk kishte filluar të gjente zbatim Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës. Marrë parasysh këtë në një takim që kishim me Zyrën për Qeverisje të Mirë, me Habitin dhe Qëndresën diskutuar për këtë çështje dhe vendosëm që bashkërisht të mbajmë një seri të takimeve, të punëtorive nëpër komuna rreth përmbajtjes së Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe cilat ishin obligimet kryesore dhe risitë që i sillte ky si ligj. Në të njëjtën kohë, Zyra për Qeverisje të Mirë kishte planifikuar të hartonte një program me module për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe vendosëm bashkërisht që të mbështesim këtë proces shumë të rëndësishëm”, u shpreh ajo.

    Kelmendi shtoi se vitin e kaluar janë mbajtur punëtori e takime në të gjitha komunat e Kosovës me përfaqësues të institucioneve nga fusha e arsimit, shërbimeve sociale, shëndetësisë, policisë, gjyqësorit e prokurorisë.

    “Programi, i cili po lansohet është i një rëndësie të veçantë, është një set edukativ i çmuar dhe i munguar në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Shpresojmë shumë që do të mbështesë të gjithë zbatuesit dhe ofruesit e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijës e sidomos edhe të zyrtarëve dhe të ofruesve që i kemi parë nëpër komuna që janë punësuar rishtazi”, shtoi Kelmendi.

    Nënkryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Albana Bytyqi theksoi se Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve nuk po gjen zbatim sa duhet.

    “Është një ligj (Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës), ku mendoj që duhet të zbatohet sa më shumë në praktikë. Dhe në bazë të asaj ku kemi dëgjuar, është thënë edhe nga Avokati i Popullit që nuk po zbatohet aq sa duhet. Mirëpo, ka qenë edhe e nevojshme hyrja e këtyre 20 akteve nënligjore, ku do të mundohemi që ky ligj të jetë sa më efektiv dhe sa më i zbatueshëm në praktikë”, u shpreh ajo.

    Specialisti i politikave sociale dhe familjare nga UNICEF, Dren Rexha theksoi se pasojat e shkeljes së mbrojtjes së fëmijëve janë katastrofike.

    “Pavarësisht rrethanave çdo fëmijë ka të drejtë të mbrohet nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi. Sistemet e mbrojtjes së fëmijëve i lidhin fëmijët me shërbimet jetike sociale dhe me sistemet e drejtësisë, duke filluar që nga lindja. Mbi të gjitha mbrojtja e fëmijëve do të thotë të mbrosh nevojat e tyre fizike, mendore dhe psiko-sociale për të mbrojtur të ardhmen e tyre”, përfundoi ai.

    Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka hyrë në fuqi në vitin 2020 dhe ka për qëllim të sigurojë përgjegjësitë e të gjitha hallkave të shoqërisë për kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve. /KP

  • Tomë Gashi ka një kërkesë për prokurorin që e ftoi ministren për intervistim

    Tomë Gashi ka një kërkesë për prokurorin që e ftoi ministren për intervistim

    Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, e ka publikuar kërkesën që ia ka dërguar prokurorit të Speciales Afrim Shefkiu, që gjatë intervistimit të ministres së Albulena Haxhiut të jetë edhe ai prezent.

    Ky është postimi i Tomë Gashit në “Facebook”:

    Prokuroria në luftë me të vërtetën! Tani kërkon ta marrë ne pyetje ministren e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, e cila prej 7 vjetësh kërkon vetëm drejtësi për vrasjen e Astrit Deharit Prokurori ka kryer shumë veprime pa prezencën time, ka bërë rekonstruimin e vendi të vrasjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit , ka marrë në pyetje deputetin Haki Abazi. Tani te shohim si do t’i përgjigjet kësaj kërkese ..!