ATV

Category: Lajme

  • Gjenden mbetje mortore në Tusuz, dyshohet se janë të personave të zhdukur gjatë luftës

    Gjenden mbetje mortore në Tusuz, dyshohet se janë të personave të zhdukur gjatë luftës

    Gërmimet e filluar në mëngjes nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Tusuz të Prizrenit, kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund të iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur.

    Lajmin e ka bërë të ditur Komisioni përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

    “Njësitet e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it, janë duke kryer gërmimet vlerësuese në tri lokacione në hapësirat e ‘Varrezave të qytetit të Prizrenit”, ka shkruar Komisionin.

     

  • Orban: Negociatat për anëtarësim të Ukrainës në BE nuk duhet të ecin përpara

    Orban: Negociatat për anëtarësim të Ukrainës në BE nuk duhet të ecin përpara

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë të premten se ai nuk e mbështet përparimin në negociatat për anëtarësim të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

    Me këto deklarata, ai ka dhënë shenja se shteti i tij mund t’i bllokojë ambiciet e Kievit për t’iu bashkuar bllokut evropian.

    Liderët e BE-së pritet të vendosin në mesin e dhjetorit nëse Ukraina duhet të ftohet zyrtarisht për t’i nisur bisedimet për t’iu bashkuar bllokut me 27 vende anëtare, ndonëse Hungaria është parë edhe më herët si pengesë.

    Për pranim të një shteti të ri në BE, duhet të ketë unanimitet mes vendeve anëtare.

    Prandaj, kryeministri hungarez, Viktor Orban e ka në dorë një veto të fuqishme.

    Të mërkurën, Komisioni Evropian ka rekomanduar që Ukraina duhet të lejohet t’i nisë negociatat, pasi të adresohen disa çështje.

    Mirëpo, Orban ka thënë se shteti që po përballet me luftë, nuk është askund afër që t’i bashkohet bllokut më të madh tregtar në botë.

    “Ukraina nuk është aspak gati për t’i negociuar ambiciet për t’iu bashkuar BE-së”, ka thënë Orban.

    “Qëndrimi i qartë i Hungarisë është se negociatat nuk duhet të nisin”.

    Qeveria e Orbanit ka refuzuar ta furnizojë Ukrainën me armë, teksa mbrohet prej pushtimit rus, dhe ka kërcënuar me vënien e vetos në paketën financiare të BE-së për Kievin.

    Përveç Hungarisë edhe Sllovakia fqinje mund të jetë problematike në rrugën e Ukrainës drejt BE-së.

    Kryeministri i saj i sapozgjedhur Robert Fico, ka kërcënuar me tërheqje të mbështetjes ushtarake të shtetit të tij për Ukrainën, dhe së fundi e ka quajtur Ukrainën, “një prej shteteve më të korruptuara në botë”.

    Mirëpo në rekomandimin e së mërkurës, Komisioni Evropian e ka përgëzuar Ukrainën, duke thënë se qeveria atje ka treguar “nivel të lartë institucional, vendosmëri dhe aftësi për të funksionuar”.

    Ukraina ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE, disa ditë pas nisjes së luftës së Rusisë në territorin e saj, më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • ​Bisilimi përmend tri faza për të eliminuar pabarazinë gjinore në Kosovë

    ​Bisilimi përmend tri faza për të eliminuar pabarazinë gjinore në Kosovë

    Zëvendëskryeministrii parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se eliminimi i pabarazisë gjinore në Kosovë duhet të arrihet në disa faza. Ai tha se fillimisht është e rëndësishme që të fuqizohet gruaja brenda familjes, pastaj pavarësimi ekonomik dhe avancimi në pozitat vendimmarrëse.

    Në takimin konsultativ të Zyrës së Kryeministrit me temë “Angazhimi i Kosovës drejt integrimit evropian nga perspektiva gjinore”, Bislimi përmendi masat qeveritare që sipas tij kanë kontribuar në barazinë gjinore.

    “Eliminimi i pabarazisë në Kosovë duhet të arrihet në disa faza. Për mua faza fillestare dhe më e rëndësishme është fuqizimi i gruas brenda familjes. Unë mendoj se aty fillon pabarazia dhe pastaj bëhet normë dhe fillon të shihet si diçka e pranueshme edhe për shoqërinë. Në vitet e fundit kemi pas prioritet fuqizimin e gruas brenda familjes. Është Ligji për ndihmë juridike falas, janë disa strategji për adresimin e dhunës në familje, janë alokimet shtesë buxhetore për adresimin e dhunës në familje dhe përkujdesjen e atyre që janë nënshtruar dhunës në familje. Pra kemi disa masa që jemi munduar me fuqizua rolin e gruas brenda familjes. Të njëjtën kohë edhe me intervenimet financiare, siç janë shtesat për fëmijë që paguhen në llogari të nënës, po ashtu edhe shtesat për lehoni tregojnë se ne kemi pa bukur shumë si prioritet fuqizimin e gruas brenda familjes. Hapi i dytë që e shoh të rëndësishëm është fuqizimi i gruas në jetën ekonomike”, tha ai.

    Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe kryetarja e Komisionit parlamentar për integrime evropiane, Rrezarta Krasniqi, e cila tha se Kosova ka bërë hapa drejt barazisë gjinore, mirëpo ende shumë gra përballen me diskriminim në tregun e punës, financa, pronë dhe drejtësi.

    “Shumë gra ende përballen me sfida dhe diskriminim në punë, qasjes në financa, pronësi dhe drejtësi. Raportet njohin se korniza ligjore garanton mbrojtjen e të drejtave themelore dhe që është në përputhje me standardet evropiane. Pra ana formale është në përputhje me standardet evropiane… Megjithatë gratë janë ende të nën përfaqësuara në institucionet private dhe publike. Pjesëmarrja e grave në politikë ka filluar të rritet por ende mbetet e ulët”, theksoi Krasniqi.

    Në anën tjetër, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, kërkoi më shumë angazhim nga institucionet për arritjen e barazisë gjinore.

    “Përgjegjësia e institucioneve për të promovuar barazinë gjinore mbetet ende e kufizuar dhe shumë aspekte të barazisë gjinore mbeten ende të limituara. Raporti tregon në mënyrë specifike se ku duhet të adresohen çështjen gjinore që të arrihet një progres sa i përket barazisë gjinore. Është punuar, mirëpo ka ende shumë fusha që nuk janë trajtuar dhe na duhet një bashkëpunim i tillë për të adresuar në mënyrë specifike”, deklaroi ajo.

    Edhe penalistët të tjerë që ishin në këtë tryezë potencuan nevojën e arritjes së barazisë gjinore në Kosovë./KP/

  • Mustafa: S’i besoj LDK-së që s’e ka parë draftin e Asociacionit

    Mustafa: S’i besoj LDK-së që s’e ka parë draftin e Asociacionit

    Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se beson që partitë opozitare e kanë parë draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Ekonomia Online.

    Mustafa në një deklarim për media pas tryezës shkencore “Ndotja e mjedisit nga materialet plastike dhe substancat organike rezistente dhe metodat e trajtimit”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), është shprehur i bindur se nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri e ka konsultuar draftin sikurse edhe të gjithë krerët e opozitës që ishin në takim me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

    Ai ka thënë se përfaqësuesi i BE-së nuk ka pasur arsyeje që dikujt të ia prezantojë dokumentin e dikujt jo.

    “Draftin nuk e kam parë dhe është keq që nuk është parë ai draft jo nga unë, por duhet ta shohin deputetët dhe partitë opozitare të cilat po potencojnë që nuk e kanë parë sepse duan që të mbulohen për shkak të përgjegjësisë që e kanë, mendoj që të gjitha partitë opozitare e kanë parë draftin. Sepse nuk ka mundësi që në takim Lajçaku të zgjedh se kujt të ia prezantojë e kujt jo draftin. Nuk i besoj as Hazirit e as LDK-së që nuk e kanë pa draftin”, është shprehur Mustafa.

    Sipas tij, çdo ndryshim e plotësim i bërë sa i përket draftit të Asociacionit duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

    “Marrëveshje personale nuk ka, ka nënshkrim personal sepse marrëveshja e viti 2015 është ajo që siguron që statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e mira e asaj marrëveshje është që një gjë të tillë e ka pranuar Serbia, ka pranuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, vlerësimi i statutit jo vetëm në fazën e prurjes së tij, por edhe në të gjitha ndryshimet dhe plotësimeve ato duhet të i nënshtrohen të njëjtës procedurë dhe është një e arritur mjaftë e madhe që duhet ta shfrytëzojë edhe Qeveria edhe Kurti por jo vetëm të shfrytëzoj që të mbulohet me Gjykatën Kushtetuese por që të i bëjnë të gjitha përpjekjet që statuti që shkon në Gjykatën Kushtetuese të jetë plotësisht në harmoni me Kushtetutën”, ka deklaruar ai.

  • Forumi i Paqes në Paris, kryeministri Kurti nuk gjendet fare në Francë

    Forumi i Paqes në Paris, kryeministri Kurti nuk gjendet fare në Francë

    Në ditën e parë të Forumit të Paqes në Paris, sipas burimeve jozyrtare të ATV-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk gjendet fare në Francë.

    Kryeredaktori i ATV-së, Leart Hoxha, përmes një lidhje të drejtpërdrejt nga Parisi, në emisionin A LIVE në ATV, tha se burimet e njëjta kanë konfirmuar se, Kurti do të jetë prezent në Paris nesër nga ora 10:00, për të marrë pjesë në këtë forum.

    “Kryeministri Kurti, sipas do burimeve tonat që ma konfirmuan jozyrtarisht para pak çastesh, nuk është nuk është në Paris, nuk është në Francë. Ai ka vazhdu me një agjendë e tjetër në kuadër të qëndrimit të tij disa ditor në disa vende evropiane, meqë edhe pas Francës nuk do të kthehet në Kosovë. Do të vazhdojë në Austri, kështu është plani, por, në Forumin e Paqes në Paris do të jetë nesër diku në ora 10:00. Ai parashihet të jetë pjesë e një paneli në kuadër të njërit prej katër programeve që janë në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, e kryesisht të pritet të jetë pjesë e një programi që në fokus ka zgjidhjen e konflikteve në vende të ndryshme të botës, në fakt edhe tema e sivjetshme është gjetja e rrugëve të përbashkëta në një botë përplot rivalitete”, tha Hoxha.

    Ai tregoi se në ndërtesën në Paris ku po mbahet Forumi i Paqes, nga liderët rajonal është i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili është bërë pjesë e një prej paneleve kryesore të këtij forumi. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje, ndiqeni videon e më poshtme:

  • Zgjedhjet në veri, Daka: Mund të mbahen vetëm nëse kryetarët japin dorëheqje

    Zgjedhjet në veri, Daka: Mund të mbahen vetëm nëse kryetarët japin dorëheqje

    Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka deklaron se zgjedhjet në veri të vendit mund të mbahen vetëm pas dorëheqjeve të kryetarëve aktual. Kjo çështje, sipas saj, mund të zgjidhet vetëm me një marrëveshje politike, por jo edhe me udhëzimin administrativ për largimin e kryetarëve nga funksioni i tyre. Për këtë dokument, Daka në intervistën për KosovaPress, shprehet se nuk është kushtetues dhe që KQZ, nuk mund të organizojë diçka që nuk ka mandat.

    Udhëzimi administrativ që iu mundëson qytetarëve të veriut shkarkimin e kryetarëve përmes një peticioni, u hartua nga qeveria për shtensionimin e plot të situatës në veri të Kosovës.

    Ish-kryetarja e KQZ-së, konsideron se ky dokument nuk do të ofrojë zgjidhje.

    “Unë konsideroj që meqenëse tanimë i kemi katër kryetarë në katër komunat veriore, të cilët janë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, zgjedhjet mund të mbahen vetëm në qoftë se ata japin dorëheqje, apo bëhen ato procedurat ashtu siç është menduar me një peticion nga ana e qytetarëve, ku unë mendoj se ai udhëzim administrativ, megjithatë, nuk është kushtetues, sepse prek disa çështje të cilat janë adresuar në këtë udhëzim dhe të cilat prekin edhe në të drejtat e njeriut dhe ajo është fakti që këta kryetarë të cilët janë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, nuk mund të detyrohen që të japin dorëheqje apo kjo dorëheqje duhet të bëhet për arsye të caktuara dhe me vullnetin e tyre. Vetëm atëherë ato dorëheqje mund të konsiderohen ligjore dhe mund të prodhojnë pastaj zgjedhje të reja në ato komuna”, deklaron Daka për KosovaPress.

    Daka konsideron se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të organizojë referendum, meqë nuk është në mandatin e saj.

    “Ky udhëzim administrativ së pari i referohet referendumit, i cili duhet të organizohet nga KQZ-ja. KQZ nuk e ka atë mandat për momentin, sepse një ligj për referendumin nuk ekziston. Dhe meqenëse KQZ është institucion kushtetues, kjo do të thotë që KQZ organizon diçka që nuk e ka mandat. Pra, është çështje ligjore dhe si e tillë do të rezultonte me shkelje, aq më tepër që zgjedhjet mund t’i shpall vetëm presidenti i shtetit, apo presidentja, dhe nuk mundet KQZ të organizojë zgjedhje pa pasur një dekret të nënshkruar nga presidentja e Kosovës”, shprehet Daka.

    Megjithatë, ajo konsideron se duhet të ekzistojë një marrëveshje politike, meqë më shumë është çështje e tillë.

    “Gjithsesi marrëveshja politike, e cila duhet të ekzistojë për atë pjesë të Kosovës është ajo e cila mund të çojë në zgjedhje tjera, të cilat zgjedhje me siguri që do të përfshinin edhe pjesëtarët e qytetarëve të kombësisë serbe apo jo-shumicë të cilët jetojnë në atë pjesë. Dhe të cilët pastaj do të marrin pjesë dhe do të votojnë për ata të cilët mendojnë se duhet të zgjedhën. Pra, gjithsesi kjo çështje nuk është çështje ligjore, por është çështje me tepër politike e cila edhe mund të zgjidhet në mënyrë politike dhe me marrëveshje politike”, shton Daka.

    Serbët e veriut kishin bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit dhe më pas kanë kundërshtuar edhe kryetarët e zgjedhur në katër komuna.

    Më pas, Kosova kishte arritur marrëveshje me Bashkimin Evropian për ulje të tensioneve dhe në është ishte përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

  • ​Shtetases së huaj ia grabisin paratë

    ​Shtetases së huaj ia grabisin paratë

    Një shtetase e huaj ka raportuar se derisa ka qenë në shtëpinë e saj, kanë hyrë disa persona të panjohur dhe nën kërcënimin e armës i kanë grabitur një shumë parash në vlerë të konsiderueshme dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur dje dhe vazhdon të hetohet.

  • Kapet në Stamboll kreu i kartelit të drogës ‘Kompanio Bello’

    Kapet në Stamboll kreu i kartelit të drogës ‘Kompanio Bello’

    Dritan Rexhepi, kreu i kartelit të drogës ‘Kompanio Bello’, i cili kërkohej, u kap në një bastisje droge në Stamboll, tha të premten ministri i brendshëm turk.

    Rexhepi po kërkohej nga autoritetet në Itali dhe Shqipëri për akuza që përfshijnë “vrasje me qëllim, trafik droge, rrëmbim, heqje lirie, falsifikim dokumentesh udhëtimi, dhe sigurim (të paligjshëm) të armëve dhe municioneve”, shkroi Ali Yerlikaya në X.

    Rexhepi ishte vënë nën mbikëqyrje ndërkombëtare nga forcat e sigurisë dhe hyri në Turqi përmes aeroportit të Stambollit me një pasaportë kolumbiane me pseudonimin Benjamin Omar Perez Garcia.

    Kreu i kartelit u gjet falë ndarjes së informacionit me policinë italiane dhe më pas u kap gjatë një operacioni në lagjen Beylikduzu të Stambollit.

    Rrjeti ‘Kompanio Bello’ njihet si një rrjet i madh në kontrabandën e drogës nga Amerika e Jugut në Evropë.

    Që nga marrja e detyrës këtë qershor, Yerlikaya ka theksuar përpjekjet më të forta për të luftuar krimin e organizuar në Turqi./AA

  • ​Erërat e fora hiqen kulmin e një shkolle në Mitrovicë, të hënën nis mësimi

    ​Erërat e fora hiqen kulmin e një shkolle në Mitrovicë, të hënën nis mësimi

    Erërat e forta të së dielës kishin hequr një pjesën më të madhe të kulmit të Shkollës Fillore “Shaban Idrizi”, në Zhabar të Mitrovicës, megjithatë pas një pune me dinamikë të madhe, nxënësit do të kthehen në shkollë të hënën, me datë 13 nëntor.

    Sot është dita e pesë që nxënësit e kësaj shkolle nuk zhvilluan mësimin për shkak të këtij dëmi.

    Drejtoresha e arsimit në Komunën e Mitrovicës, ka njoftuar se për sanimin e dëmeve, po punohet me dinamikë të madhe.

    “Sipas planit nxënësit do të kthehen në shkollë të hënën, me datë 13 nëntor”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • KPM-ja me Rregullore për pranimin, vlerësimin e disiplinën e kryeshefit ekzekutiv

    KPM-ja me Rregullore për pranimin, vlerësimin e disiplinën e kryeshefit ekzekutiv

    Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e dhjetë të rregullt me katër vota për e ka miratuar Rregulloren për pranimin, vlerësimin dhe disiplinën e kryeshefit ekzekutiv, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Komisionit të pavarur Jeton Mehmeti tha se Rregullorja përcakton kriteret për emërimin e kryeshefit ekzekutiv. Madje ai ka paralajmëruar se pas miratimit të Rregullores do të shpallin konkursin për këtë pozitë.

    “Në të kaluarën emërimi është administruar nga ministria përkatëse. Rregullorja ka për qëllim të vendos të gjitha kriteret për emërimin e kryeshefit ekzekutiv”.

    “Ai ka rol të rëndësishëm është përgjegjës për financat, nëpunësit civilë, ofrimin e këshillave dhe politikave të Komisionit dhe zhvillimin e marrëdhënieve me institucionet tjera”.

    Kryeshefi Faruk Rexhaj përmendi ankesat që kanë ardhur në KPM, gjatë kësaj periudhe duke përmendur reality shoë “Big Brother”.

    “Big Brother gjatë orës 21:00 ku të gjithë fëmijët ishin të zgjuar ka pasur fjalosje në këtë reality shou. Poashtu cigarja është promovuar në masë të madhe. Me 26 tetor kemi pranuar një ankesë nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit”.

    Përderisa anëtari i Komisioni Besnik Berisha, tha se në vitin e kaluar nuk kanë pranuar raporte, prandaj këtë vit duhet të sillet patjetër, raporton EO.

    “Big Brother u transmetua edhe sezonin e kaluar, por raporti i vitit të kaluar nuk është sjellur dhe ne bëjmë kërkesë të sillet në KPM”.