ATV

Category: Lajme

  • Kurti në Vjenë: Qytetarët kanë paguar më shumë taksa kur e kanë parë që nuk ka korrupsion

    Kurti në Vjenë: Qytetarët kanë paguar më shumë taksa kur e kanë parë që nuk ka korrupsion

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik në Vjenë të Austrisë, ka deklaruar se inflacioni është ulur gjatë këtij viti.

    Kurti me këtë potencoi se është e bërë e mundur që që qytetarët të paguajnë më shumë taksa meqë sipas tij, është larguar korrupsioni.

    “Inflacioni është ulur gjatë këtij viti. Kosova nuk është një shtet i madh por shembull. Ne kemi pasë progres dhe kështu ekonomia është rritur për shkak se qytetarët kanë paguar më shumë taksa kur e kanë parë që nuk ka korrupsion”, ka thënë Kurti.

    “Në vitin 2022 e kemi rritur buxhetin për arsim, siguri, shëndetësi, dhe këtë mëngjes ne filluam kodimin në të gjitha shkollat. Ne shikojmë përpara që t’i ndihmojë të rinjtë që është e ardhmja në të tashmen”.

    “Procesi i Berlinit është për ta ndihmuar anëtarësimin e Ballkani Perëndimor në BE, ata që duan, nëse shikon sondazhet shikon që ka vende që nuk kanë dëshirë, ne i kemi vendosur sanksione Rusisë. Ne shikojmë përpara që të bashkëpunojmë në ekonomi”.

    Ai theksoi se mirëpresin të gjitha vendet që të investojnë në Kosovë.

  • Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një personi

    Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një personi

    Njësiti i hetimeve të përgjithshme që vepron në kuadër të Stacionit Policor në Prizren, me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmojnë në arrestimin e personit të dyshuar.

    I dyshuari NN, kërkohet për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë se huajë” që ka ndodhur me 04.07.2023, në Prizren.

    Policia ka kërkuar që për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendndodhjes së personit të dyshuar qytetarët t’i kontaktojnë ata.

    Njoftimi i plotë:

  • Dënohet me 27 vjet burgim për vrasjen e dajës së tij në Gjilan, dy të tjerët me 24 dhe 15 vjet

    Dënohet me 27 vjet burgim për vrasjen e dajës së tij në Gjilan, dy të tjerët me 24 dhe 15 vjet

    Ish-ushtari i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Lirim Jakupi është dënuar me 27 vjet burgim të hënën për vrasjen e Bakush Veselit në muajin shtator të vitit 2021.

    Veseli ishte daja i Jakupit, tanimë i dënuar më 27 vjet burgim.

    I akuzuari tjetër Afrim Ismajloviq është dënuar me 24 vjet burgim dhe Faton Osmani me 15 vjet burgim.

    Aktgjykimi është shpallur të hënën nga një trup gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan.

    “Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarit L. J. i ka shqiptuar dënim unik në kohë zgjatje prej 27 (njëzeteshtatë) vjet burgim, ndërsa të akuzuarit A. I., i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 24 (njëzetekatër) vjet. Të akuzuarit F. O. për kryerjen veprës penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, Gjykata ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) vjet. Gjykata ka nxjerrë aktvendim me të cilin i vazhdohet masa paraburgimit të pandehurve L. J. A. I. dhe F. O., derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij Aktgjykimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim e Gjykatës Themelore në Gjilan.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Jakupi dhe Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene.

    Kurse, Faton Osmani ngarkohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

  • Gërvalla merr pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, diskutohet për sigurinë në Evropë

    Gërvalla merr pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, diskutohet për sigurinë në Evropë

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, sot do ta përfaqësojë Kosovën në në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së.

    Aty pritet të diskutohet për sigurinë dhe zhvillimet e fundit në Evropë.

    “Sot do të marr pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe sigurinë në Evropë”, ka bërë të ditur Gërvalla.

    Gërvalla, e përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit duke theksuar se pas atij sulmi ka ndryshuar gjithçka.

    “Për Kosovën dhe rajonin, sulmi paramilitar i Serbisë më 24 shtatori ndryshon gjithçka dhe dëshmon urgjencën e përballjes me kërcënimet e mëdha të sigurisë”, tha ajo.

    Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë, la të vdekur rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

    Përgjegjësinë e sulmit e ka marrë Milan Radoiçiq, i cili aktualisht gjendet në Serbi i lirë.

    Shteti i Kosovës, ka ofruar një mori provash që e vërtetojnë implikimin e shtetit të Serbisë në këtë sulm.

    Së fundmi, vetë Serbia e ka pranuar që një pjesë e armatimit që u përdor në sulm, ka origjinë apo prodhohet nga Serbia.

    Përkundër kësaj, Serbia ende nuk është sanksionuar nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat janë mjaftuar vetëm me deklarata duke e dënuar rastin.

  • Sveçla falënderon Turqinë për mbështetjen e Kosovës në fushën e sigurisë

    Sveçla falënderon Turqinë për mbështetjen e Kosovës në fushën e sigurisë

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, po e zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi.

    Ai është takuar me homologun e tij Ali Yerlikaya.

    Gjatë këtij takimi, Sveçla e falënderoi shtetin turk për mbështetjen e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, sidomos në fushën e sigurisë.

    “Gjatë këtij takimi, në frymën e gatishmërisë për të shkëmbyer përvojat më të mira dhe arritjet në fushat që ministritë e dy vendeve mbulojnë, ministri Sveçla ka kërkuar që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në ekspertizat specifike, që do të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

    I pari i MPB-së, u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë Yasar Guler.

    Sveçla dhe Guler, gjatë këtij takimi u diskutua për situatën e sigurisë dhe sfidat me të cilat po përballen të dy vendet.

    “Në këtë takim, ministri Sveçla ka potencuar gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të garantuar rend dhe siguri, si dhe rëndësinë për përkrahjen e partnerëve tanë në këtë aspekt.

  • ​Bugajski: Mali i Zi ka nevojë për një kundërsulm ndaj serbizmit

    ​Bugajski: Mali i Zi ka nevojë për një kundërsulm ndaj serbizmit

    Me formimin e një qeverie të re koalicioni, Mali i Zi përballet me një shtytje të intensifikuar nga Beogradi dhe bashkëpunëtorët e tij për të zhdukur identitetin e kombit dhe për të kufizuar shtetësinë e tij. Kështu thotë në një shkrim autorial njohësi i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski derisa thekson se “e ardhmja e afërt duket sfiduese për Malin e Zi, pasi patriotët e tij do të duhet të organizojnë një kundërsulm efektiv kundër serbizimit dhe klerikalizimit sistematik”.

    Sipas Bugajskit, Mali i Zi ka nevojë për një kundërsulm ndaj serbizimit.

    Shkrimi i plotë i tij:

    Forumi vjetor i Cetinjes, i organizuar nga Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze në fillim të nëntorit, është një nga të paktat pika të rezistencës ndaj serbizimit. Analistët në këtë ngjarje paraqitën një pamje të erët se si nën mbulesën e një qeverie pro-evropiane, nationalistët serbë penetrrojnë dhe deformojnë institucionet e vendit. Sa më gjatë që një qeveri e tillë është në detyrë, aq më i madh është rreziku.

    Administrata në largim e Dritan Abazoviqit është dënuar ashpër nga patriotët malazezë për hapjen e derës për infiltrimin politik nga nacionalistët serbë dhe Kisha Ortodokse Serbe. Pas muajsh pazaresh, qeveria e sapoformuar e Milojko Spajiqit duket se do të vazhdojë politikat e Abazoviqit. Këtë herë formacioni pro Beogradit “Për të Ardhmen e Malit të Zi” do të funksionojë nën mbulesën e partisë “Evropa tani”, e cila mori shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

    Objektivat e Beogradit për Malin e Zi mund të mos parashikojnë një bashkim të plotë ndërshtetëror, por krijimin e një shteti të varur që është nën kontrollin ose mbrojtjen e një shteti më të fuqishëm që do t’i përmbahet politikave të jashtme dhe të sigurisë së Serbisë dhe nuk do ta sfidojë Beogradin në arenën ndërkombëtare. Regjimi i Vuçiqit nuk ka gjasa të shtyjë daljen e Malit të Zi nga NATO. Në vend të kësaj, ai llogarit se agjencitë serbe dhe ruse mund të marrin inteligjencën e NATO-s dhe të minojnë kohezionin dhe efektivitetin e Aleancës.

    Partitë pro-serbe do të përpiqen të devijojnë çdo fushatë të vërtetë kundër korrupsionit nga qeveria e re në sulme kundër opozitës dhe anëtarëve të administratës së mëparshme të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS). Njëkohësisht, ata do të vazhdojnë të përfitojnë nga patronazhi i Beogradit dhe Moskës duke maskuar lidhjet e tyre të korruptuara të biznesit.

    Me parlamentin dhe qeverinë në varësi ose të shkrirë në agjendën serbe, organet dhe institucionet e tjera shtetërore të financuara nga shteti do të fuqizohen për të zbehur identitetin kombëtar malazez. Pjesa më e madhe e kësaj do të ndërmerret nën petkun e “lirisë fetare”, për të mashtruar vëzhguesit perëndimorë dhe promovuesit e demokracisë. “Fuqia e butë” e Kishës Ortodokse Serbe do t’i mundësohet të përhapë pikëpamjet e saj të shtrembëruara për historinë dhe identitetin malazez. Kur u krijua Jugosllavia e parë në fund të Luftës së Parë Botërore, Mali i Zi i pavarur iu nënshtrua shtetit, monarkut dhe fesë serbe.

    Ashtu si Kisha Ortodokse e Rusisë, e cila e përshkruan veten si “vëllai i madh” i Ukrainës dhe vjedh historinë e Ukrainës, Kisha Serbe grabiti trashëgiminë e Kishës Ortodokse Malazeze dhe pushtoi manastiret dhe kishat e saj, madje duke përfshirë edhe kryeqytetin tradicional të Cetinjes. Rendi fetar i Serbisë ka depërtuar gjithashtu në sistemin arsimor ku priftërinjtë-propagandistët e saj ua ‘pastrojnë’ trurin fëmijëve në moshë të hershme për të hequr dorë nga trashëgimia e tyre malazeze dhe të deklarohen si serbë. Historia falsifikohet sistematikisht përmes institucioneve shtetërore për të maskuar faktin se Mali i Zi mund të pretendojë një histori më të gjatë dhe shtetësi më të vazhdueshme se Serbia.

    Klerikalizimi jo vetëm që përmbys reformat e Princit Danilo të Malit të Zi në vitet 1850, të cilat ndanë kishën nga shteti, ai gjithashtu kundërshton vlerat thelbësore evropiane të liberalizmit dhe sekularizmit. Serbia tani po e shtyn Malin e Zi mbrapa drejt obskurantizmit, mesjetarizmit dhe stagnimit shpirtëror. Sulmet ndaj gjuhës, manipulimi i regjistrimit të ardhshëm për të rritur numrin e serbëve, mohimi i gjuhës malazeze si gjuhë e veçantë, rishkrimi i teksteve të historisë dhe kontrolli mbi mediat janë të gjitha pjesë e fushatës së serbizimit.

    Përmbysja e Malit të Zi po ndodh nën sytë e diplomatëve evropianë dhe amerikanë, të cilët besojnë me naivitet se qeveria e re e koalicionit do të jetë demokratike, liberale dhe moderne. Ata do të tronditen, si gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990, kur patriotëve malazezë t’u mbarojë durimi, kur të intensifikohen konfliktet dhe shtohen mundësitë për dhunë.

    Po afron me shpejtësi koha e rezistencës më efektive dhe pohimit të identitetit kombëtar nga një prej kombeve më të vjetra në Ballkan. Udhëheqësit, aktivistët dhe intelektualët malazezë duhet të mbledhin kombin në mbrojtje të identitetit, gjuhës, kulturës, vlerave dhe shtetësisë së vendit. Edhe ata qytetarë që votuan për qeverinë aktuale, duke besuar se kjo do të përmirësonte ekonominë dhe do të përshpejtonte anëtarësimin në BE, duhet të ndërgjegjësohen për rreziqet përpara. Nënshtrimi ndaj Serbisë jo vetëm që do të zhdukte lirinë dhe pavarësinë, do të krijonte gjithashtu një bazë politike ruse brenda NATO-s që përmbys Perëndimin.

  • ​Grantet për gratë, Osmani: Arritjet e grave po e riformësojnë sektorin e biznesit

    ​Grantet për gratë, Osmani: Arritjet e grave po e riformësojnë sektorin e biznesit

    53 biznese në pronësi të grave dhe pjesëtarë të minoriteteve janë përfituese të grantit prej 530 mijë dollarëve. Kjo mbështetje është në kuadër të skemës së granteve të qëndrueshmërisë, ku përfshihen sektorë nga bujqësia, agrokultura dhe bukuria. Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë organizuar ceremoninë e nënshkrimit të këtyre granteve.

    Presidentja Vjosa Osmani tha se ndarja e 53 granteve për bizneset e udhëhequra nga gratë, do të shërbejë për qëndrueshmërinë në këtë sektor.

    “Arritjet e sipërmarrëseve gra në Kosovë nuk janë vetëm suksese individuale. Ato janë arritje kolektive që ngrisin dhe fuqizojnë të gjithë shoqërinë tonë. Këto gra të jashtëzakonshme po thyejnë barriera në sektor tradicionalisht të dominuar nga burrat, duke prirë me praktika inovative dhe duke vendosur standarde të reja të cilësisë. Arritjet e tyre po e riformësojnë sektorin e biznesit, duke kontribuar drejt një kulture të barazisë dhe gjithëpërfshirjes. Është konfirmuar tashmë gjerësisht se gratë jo vetëm që fuqizojnë bizneset dhe familjet e tyre, por edhe kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e strukturës ekonomike dhe sociale të shtetit tonë. Angazhimi ynë për të përkrahur gratë ne biznes dhe për të mbështetur të gjitha komunitetet në po të njëjtin synim mbetet i pa lëkundur”, deklaroi Osmani.

    Shumë biznese në pronësi të grave, Osmani shtoi se u detyruan të mbyllen për shkak të pandemisë. Megjithatë, ajo theksoi se ka një valë të re të bizneseve të reja në pronësi dhe menaxhim të grave.

    Kryetarja e shtetit theksoi se mbështetja e USAID-it ka qenë dhe mbetet esenciale.

    “Ndarja e granteve nga USAID për 53 biznese në pronësi të grave dhe biznese të udhëhequra nga gra e burra nga komuniteti jo-shumicë, është më shumë se një investim financiar. Është një shenjë besimi në aftësitë e jashtëzakonshme të sipërmarrësve tanë. Këto fonde do të shërbejnë si katalizator për rritje, inovacion dhe qëndrueshmëri të mëtutjeshme në secilin nga këta sektorë jetik të ekonomisë tonë”, shtoi Osmani.

    Edhe drejtoresha e misionit të USAID-it, Mary Eileen Devitt tha se bizneset e vogla janë motori i shoqërisë. Sipas saj, shumë shpesh gratë dhe grupet e minoriteteve janë të përjashtuara.

    “Gjatë katër viteve të ardhshme, USAID nën aktivitetin 5,7 milionë dollarësh të angazhimit ekonomik gjithëpërfshirës do të akordojë këto grante të cilat do të sigurohen në një sektor privat më gjithëpërfshirës duke rritur mundësitë ekonomike dhe duke fuqizuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në pronësi të grave dhe minoriteteve. Kjo skemë e fuqizimit do të ofrojë 530 mijë dollarë grante. Këto biznese zakonisht operojnë në fusha siç janë turshitë, frutat e thatë, e kështu me radhë. Këto grante do të ju ndihmojnë, ndjejnë sot pasojat e pandemisë që të bëheni të qëndrueshëm ndaj ndonjë shoku që mund të vijë në të ardhmen. Dhe në përgjithësi do të ju ndihmojë që të jeni më konkurrent në tregjet vendore dhe rajonale”, u shpreh ai.

    Drejtoresha ekzekutive të Fondit për Zhvillim Komunitar (CDF) , Nermin Mahmuti foli për rëndësinë e këtyre granteve për gratë sipërmarrëse.

    “Qëllimi kryesor i aktivitetit gjithëpërfshirës ekonomik është që të ofrojë mundësi te shtuara ekonomike dhe të rris qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të synuara. Fuqizimi i tyre do të kontribuojë në zhvillimin e sektorit privat dhe në integrimin e tyre në sektorin ekonomik të Kosovës. Si rezultat i bashkëpunimit mes të CDF-së dhe USAID të gjitha bizneset përfituese të granteve do të kenë mundësi që përmes pajisjeve të fituara, mbështetjes teknike dhe mentorimit të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese dhe të jenë më atraktive në treg”, u shpreh ajo.

    Nga 53 ndërmarrjet që kanë qenë përfituese të këtij granti, 40 prej tyre janë në pronësi të grave dhe 13 të tjera në pronësi të minoriteteve. /KP

  • Sasia e manganit në Badovc – vjen lajmi i mirë nga IKShPK

    Sasia e manganit në Badovc – vjen lajmi i mirë nga IKShPK

    Drejtues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, por edhe ata të komunës së Prishtinës, paralajmëruan se, sipas informacioneve që kanë nga kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, cilësia e ujit është përmirësuar dukshëm dhe se brenda pak ditësh, uji nga Badovci, mund të jetë i përdorshëm për pije.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar së analizat e fundit laboratorike, tregojnë për rënie të vlerave referente të manganit në ujin e Liqenit të Badovcit dhe në rrjetin shpërndarës.

    Burbuqe Nushi, nga ky institut i tha Radio Kosovës së bazuar në vlerat e rënies së ditëve të fundit se shpejti pritet të normalizohet kjo gjendje.

    “Përkundër faktit se vlerat edhe në Liqenin e Badovcit janë dukshëm më të ulëta, mirëpo ende nuk e kanë arritur standardin e paraparë. Përmirësimi i gjendjes varet nga shumë faktor si kushtet klimatike dhe temperatura. Nëse bazohemi në trendin e rënies së vlerave besojë se shumë shpejtë do të bëhet kthimin në situatë normale“, tha ajo.

    Nushi, tha së uji me vlerat aktuale mund të përdoret për çdo veprimtari tjetër përveç që rekomandohet që të mos përdoret për pije e posaçërisht për fëmijët e moshës nga 0 deri në 5 vjeç.

    “Uji me vlerat aktuale të manganit mund të përdoret për të gjitha veprimtarit tjetër, përveç që rekomandohet të behët kujdes për pije. Përgatitje të ushqimit, pastrim të ambientit, higjiene personale të gjitha të tjerat. Aktualisht rekomandohet të mos përdoret për pijë posaçërisht të mos përdoret nga fëmijët prej moshës 0 deri në 5 vjeç”, theksoi ajo.

    Ndërkohë, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar së ka pasur një bisedë telefonike me Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahun, i cili e ka informuar se cilësia e ujit është përmirësuar dukshëm dhe brenda pak ditësh do të mund të përdoret për pije.

    Ai tha se, Fetahu e ka siguruar së shumë shpejt qytetarët që furnizohen nga Liqeni i Badovcit mund ta konsumojmë ujin sepse tashmë nivelet e manganit në të janë ulur dhe vetëm duhet zbatuar disa procedura të nevojshme që më pas ta përdorin ujin lirshëm për pije.

  • Kurti niset drejt Vjenës, pritet ta pranojë çmimin “Partneri i Vitit 2023” që do t’i ndahet Kosovës

    Kurti niset drejt Vjenës, pritet ta pranojë çmimin “Partneri i Vitit 2023” që do t’i ndahet Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Vjenë.

    Ai do të marr pjesë në edicionin jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.

    Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti do të pranojë Çmimin Vjetor të Forumit Ekonomik “Partneri i Vitit 2023”, që do t’i ndahet Republikës së Kosovës për bashkëpunimin dhe kontributin 15-vjeçar në zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe do të jetë pjesëmarrës në panelin e diskutimit me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”, nesër prej orës 14:05.

    Po ashtu, Kurti nesër do të jetë mysafir i ftuar nga Karl-Renner-Institut për të diskutuar mbi temën “Kosova: Shteti i ri demokratik si peng i interesave gjeopolitike”.

    “Ndërkaq, të martën do të zhvillojë takime me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë, për t’i njoftuar më për së afërmi me mundësitë për investime që Kosova ofron në këtë fushë“, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, Kurti gjatë këtyre ditëve ka qëndruar në Paris të Francës, ku mori pjesë në Forumin e Paqes.

  • ​Molliqaj: Drafti i Asociacionit i pranuar nga Kurti e zhbën pavarësinë e Kosovës

    ​Molliqaj: Drafti i Asociacionit i pranuar nga Kurti e zhbën pavarësinë e Kosovës

    Partia Socialdemokrate ka zhvilluar të hënën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke zëvendësuar flamurin e Kosovës me një improvizim të një flamuri me dy yje dhe ku komunat me shumicë serbe theksohen me ngjyrë të bardh në hartën e territorit të vendit. Sipas tyre, kjo dëshmon zhbërjen e pavarësisë së Kosovës me pranimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj para mediave tha se pas pranimit të draftit të Asociacionit zhduket barazia ndërmjet qytetarëve që kanë qenë të shprehura përmes yjeve më simbolet e shtetit.

    “Drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe presidenti i Serbisë në thelb e zhbën Republikën e 17 shkurtit të shpallur si shtet të pavarur, qytetarë dhe multietnik. Nga sot jo vetëm që e zhbën Republikën e si koncept, ku qytetarët janë të barabartë pa dallim etnie dhe kombësie, tani zhduket barazia mes qytetarëve të cilat kanë qenë të shprehura në simbolet e shtetit të Kosovës, përmes yjeve. Secili yje ka përfaqësuar një etni në këtë shtet të themeluar së bashku”, tha ai.

    Sipas tij, flamuri i Kosovës më nuk mund të jetë i njëjtë, pasi tani ka vetëm dy yje që përfaqësojnë shqiptarët dhe serbët.

    Ai tha se përmes draftit të Asociacionit janë vizatuar edhe kufijtë e brendshëm të vendit.

    “Nga sot as flamuri i Kosovës nuk mund të jetë i njëjtë. Ai duhet të paraqet një realitet të hidhur dhe të dëmshëm për Kosovën dhe të reduktohet siç edhe patë në ngritjen e ri të flamurit që e përfaqëson atë që kryeministri i Kosovës që e ka pranuar. Ajo është ndarja në thelb në etni, atë serbe dhe shqiptare. Nga sot flamuri i Kosovës ka vetëm dy yje që përfaqësojnë vetëm dy etni dhe përfaqësojnë thelbin e fillimit të konfliktit të vazhdueshëm që do të kemi ndërmjet veti. Përmes këtij drafti na janë vizatuar edhe kufijtë e brendshëm…Nëse e keni pa në njërën nga nenet e draftit të statutit të Asociacionit, kufijtë e tij janë kufijtë e komunave anëtare në Asociacion, siç janë të paraqitura në hartën e Kosovës. Ajo tash nuk është një ngjyrëshe por është dyngjyrëshe siç paraqet vet drafti dhe organizimi i saj. Kemi themeluar një konfederatë të brendshme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”, shtoi Molliqaj.

    Molliqaj paralajmëroi përshkallëzim të aksioneve të PSD-së në kundërshtim të këtij drafti të Asociacioni.

    “Aksionet tona do të përshkallëzohen dhe intensifikohen. Patjetër që do të kemi protesta dhe kundërshtime të fuqishme pasi besoj që ka ndodhur një ndryshim. Në fjalët tona të vazhdueshme kanë menduar që është çështje inati kur kemi treguar se po shkojmë drejt autonomisë apo shpërbërjes së Republikës në Kosovë”, përfundoi Molliqaj.

    Pas përfundimit të aksionit pati një përplasje por pa eskaluar ndërmjet Policisë së Kosovës dhe anëtarëve të PSD-së, ku këta të fundit refuzuan t’i dorëzojnë flamujt e Kosovës të cilët i hoqën nga shtiza tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës./KP/