ATV

Category: Lajme

  • Asociacioni dhe detyrimi për zbatim i vendimeve të Kushtetueses

    Asociacioni dhe detyrimi për zbatim i vendimeve të Kushtetueses

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Rishikimi nga Gjykata Kushtetuese i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ishte një pikë të cilën kryeministri Albin Kurti u thirr kur tregoi se pranoi propozimin e BE-së dhe ishte i gatshëm të nënshkruajë më 26 Tetor.

    Një klauzolë të tillë e parashihte edhe marrëveshja e parimeve e vitit 2015.

    Megjithatë, në Kosovë ka vendime të pazbatuara të Gjykatës Kushtetuese, si ai i vitit 2016 për njohjen e pronësisë së tokave për Manastirin e Deçanit, apo ai i vitit 2022 për shkollat në Kamenicë.

    Në kontekstin e garancisë së zbatimit çfarëdo vendimi eventual të Gjykatës Kushtetuese, ish-nënkryetari i saj, Kadri Kryeziu, u referohet detyrimeve që rrjedhin nga neni 116 i Kushtetutës.

    “Gjykata Kushtetuese kur merr vendim, organet e shtetit janë të detyruara t’i zbatojnë këto vendime. Nëse jo, atëherë Prokuroria ka për obligim që të marrë masa në këtë drejtim për zbatimin e vendimeve… Nëse nuk zbatohen vendimet e gjyqësorit parashihen dënime penale, ose veprime penale nga Prokuroria e Shtetit”, tha Kryeziu.

    Drafti, sipas Kryeziut, mund të shqyrtohet nga Kushtetuesja vetëm njëherë.

    “Ky mund të shkojë vetëm një herë në Gjykatën Kushtetuese, vendim i Gjykatës Kushtetuese është ‘a res judicata’, që nënkupton që vendimet që i merr gjykata nuk i përsërit, por jep rekomandime. Dhe, organi kompetent ka për detyrë t’i përmirësojë”, tha Kryeziu.

    Duke përmendur deklaratën e viteve më parë, nga emisari Miroslav Lajcak, “se Kushtetuta nuk është bibël që të mos ndryshohet”, politologu Fidan Ukaj vlerëson se megjithatë ka dallime me vitin 2015.

    “Tashmë kemi edhe një qartësim nga faktori ndërkombëtar se drafti duhet të jetë në frymën e Gjykatës Kushtetuese, e po ashtu në harmoni me legjislacionin e Kosovës. Mendoj se kjo rezistencë e deritanishme nuk ka qenë krejt e kotë, sepse ka bërë që Kushtetuta të mos preket, por drafti të jetë i cili duhet t’i nënshtrohet frymës kushtetuese”, tha Ukaj.

    Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se marrëveshja për Asociacionin nuk është në harmoni me Kushtetutën, në 23 pika të saj, por kishte konstatuar se ai duhet të themelohet në pajtim me marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend më 2013.

  • Forumi ekonomik i Vjenës, Kurti përmend marrëveshjen e Brukselit

    Forumi ekonomik i Vjenës, Kurti përmend marrëveshjen e Brukselit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Bashkëpunimi ekonomik në kohë të vështira, ishte temë për të cilën kryeministri Albin Kurti u thirr për të diskutuar, si pjesë e panelit në forumin ekonomik të Vjenës.

    Meqë, Kosova aktualisht gjendet në një situatë jo të mirë me Serbinë, si shtet fqinj, Kurti u pyet nëse dëshirojnë të vazhdojnë para e të kenë bashkëpunim ekonomik edhe me të.

    Andaj, kryeministri Kurti nuk la pa përmendur gatishmërinë e tij për marrëveshje, teksa edhe kërkoi nga Bashkësia Ndërkombëtare të bëjë presion mbi Serbinë.

    “Serbia është fqinji ynë më i madh, kufiri mes Serbinë është 381 kilometra, tani përbën një rrezik sigurie dhe kjo duhet të jetë një mundësi ekonomike që për të shkuar atje duhet më shumë presion në Beograd, për të nënshkruar marrëveshjen dhe gjithashtu na duhet integrimi evropian, sepse nuk mendoj se rajoni ynë mund të integrohet jashtë BE-së ose pa BE-në, dhe procesi i Berlinit mund të jetë edhe më i thellë dhe më intensifikuar në këtë drejtim. Nënshkrimi i njohjes de-facto të dyanshme është hapi i parë dhe më i rëndësishëm”, tha Kurti.

    Përtej bashkëpunimit me vendet e tjera, Kurti foli edhe për zhvillimin ekonomik të në Kosovë, të cilin e quajti shembull të mirë nga një shtet i vogël.
    “Të gjithë ne kemi nevojë për rritje ekonomike. Më duhet të përmendi tri sfidat kryesore që kanë ndodhur, e para kërcënimet e sigurisë, e dyta pabarazia shoqërorë dhe e treta ndryshimet klimatike. Gjatë këtyre viteve sa jam në pushtet, ia kemi dalë t’ia shtojmë çdo vit nga 1 milion euro ekonomisë tonë”, tha Kurti.

    Në anën tjetër, Komisioneri evropian për ekonomi, Paolo Gentiloni, theksoi nevojën për integrim rajonal ekonomik të Ballkanit Perëndimor, teksa si mundësi për këtë e përmendi Procesin e Berlinit.

    “E para është përpjekja për të bërë atë që është e mundur për integrimin rajonal ekonomik. Më kujtohet kur shërbeja si kryeministër, ne kishim një takim që e quajmë Procesi i Berlinit dhe në atë kohë ka pasur një konkluzion me partnerët e Ballkanit Perëndimor për tregun e përbashkët rajonal. E dyta është shumë ambicioze se çka përshkruajmë në këtë pako për t’u përpjekur për të bërë hapa përpara për tregun unik, para pranimit formal në Bashkimin Evropian”, tha Gentiloni.

    Gjatë qëndrimit dyditor në Austri, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë.

  • Gjykimi ndaj ish deputetit Haxhi Shala dhe të tjerëve

    Gjykimi ndaj ish deputetit Haxhi Shala dhe të tjerëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-ministrja e integrimeve evropiane, Meliza Haradinaj, është paraqitur sërish në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Por, këtë të hënë Hardinaj Stublla erdhi në cilësinë e dëshmitares në procesin gjyqësor që filloi në Departamentin Special ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit e të tjerëve.

    Ata Prokuroria Speciale po i akuzon për falsifikim të rezultateve të votave, gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke shtuar kështu numrin e votave për Meliza Haradinajn dhe deputeten Albana Bytyqi.

    Megjithatë, mbrojtja pretendon se nuk ka prova që do të dëshmonin fajësinë e të akuzuarve në këtë rast.

    Haxhi Shala dhe të tjerët, përveç Dardan Gashit e Granit Halilajt, nuk e pranuan fajësinë.

    Për Gashin u veçua procedura, ndërsa për Halilajn do të shpallet aktgjykimi të martën.

  • Ndahen 53 grante për bizneset në pronësi të grave

    Ndahen 53 grante për bizneset në pronësi të grave

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Afërdita Murati është njëra nga 53 fitueset e granitit për bizneset në pronësi të grave.

    Në kuadër të grantit të dhënë nga Fondi për Zhvillim Komunitar dhe USAID, Murati ka përfituar pajisje të reja për prodhimin e shurupeve bimore.

    “Unë jam përfituese e këtij granti dhe kjo përzgjedhje do të ndikojë në biznesin tim, sepse unë kam pasë mungesë të pajisjeve dhe këto pajisje do t’i shtoj në produkte inovative, do të na ndihmojë për rritjen e kualitetit dhe cilësisë së produktit”, tha Murati.

    Presidentja Vjosa Osmani duke shprehur shqetësimin se si pasojë e pandemisë janë mbyllur shumë biznese të udhëhequra nga gratë, ajo theksoi se fuqizimi i grave është gurthemel për zhvillimin ekonomik të vendit.

    “Është reflektor i angazhimit tonë të përbashkët në fushën e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, fuqizim i grave qëndron si një gurthemel. Këto gra po thyej barrierat në sektorët që dominojnë burrat. Është konfirmuar që gratë jo vetë që fuqizojnë bizneset e tyre, por kontribuojnë edhe në shoqëri. Ne po punojmë drejt një të ardhme që këto biznese jo vetëm që mbijetojmë, por edhe janë të suksesshëm”, tha Osmani.

    Për rëndësinë e grave në biznes ka folur edhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë.

    “Në thelbin e sistemit të vlerave është që të gjithë njerëzit nuk duhet të jenë vetëm të përfshirë, por edhe të ndërlidhur me vendin që i takojnë. Angazhimi gjithëpërfshirës i të gjitha segmenteve, sigurinë në rritje ekonomike më të madhe. Shoqëria bëhet më e fuqishme dhe më e madhe. Në Kosovë gratë dhe komunitetet hasin në pengesa kur marrin pjesë në sfera të shoqërisë e sidomos në ekonomik, kjo është arsyeja që ne sot marrim pjesë këtu”, tha drejtoresha e USAID-it, Mary Eileen Devitt.

    53 biznese në pronësi të grave dhe pjesëtarë të minoriteteve janë përfitues të grantit prej 530 mijë dollarëve.

    Kjo mbështetje jepet në kuadër të skemës së granteve të qëndrueshmërisë, ku përfshihen sektorë nga bujqësia, agrokultura dhe bukuria.

  • Projektbuxheti i vitit 2024 kritikohet nga AAK-ja

    Projektbuxheti i vitit 2024 kritikohet nga AAK-ja

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    102 milionë euro më shumë do t’i ketë shteti në dispozicion vitin e ardhshëm.

    Mirëpo, sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, rritja në krahasim me shkallën e inflacionit praktikisht është zvogëlim.

    Haradinaj thotë se projekt-buxheti për vitin e ardhshëm nuk është zhvillimor, por stagnues e i varfërisë.

    “Projektbuxheti me parametrat nuk është zhvillimor, por stagnues. Rritja minimale praktikisht është shkurtim i buxhetit, duke marrë parasysh inflacionin që është dhe që do të vijë. Rritja e koeficientit për vitin e ardhshëm nuk është rritje dhe investimet kapitale nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik”, tha Haradinaj.

    Ndërsa, sipas deputetit Pal Lekaj, plani i ndarjes së buxhetit tregon dështimet e Qeverisë. Sipas tij, përsëri nuk do të realizohen projektet kapitale.

    “Siç e dini, buxhetit për vitin 2024 është 3 miliardë dhe e ka ndryshuar strukturën dhe ato projekte që kanë qenë, janë bartur për vitin 2024 dhe këtu është dështimi i Qeverisë Kurti”, tha Lekaj.

    Për kryetarët e sindikatave, Qeveria duhet të punojë në rritje të koeficientit për paga.

    “Është ironike dhe këmbëngulëse dhe me ngritjen e koeficientit prej 110 eurosh, ngritja e pagës për mësimdhënësit do të jetë 28 apo 29 euro…”, tha kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

    “Në buxhetin e tanishëm, neve sindikatave po na bën me dije se as në vitin 2024 nuk do të kemi marrëveshje kolektive”, tha kryetari i SPSP-së, Jusuf Azemi.
    Derisa, Qeveria ka miratuar para dy javëve projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë e 314 milionë euro, AAK-ja ia ka kujtuar asaj se nuk i ka realizuar shumë premtime të dhëna.

  • QKMF-ja e Vushtrrisë zgjidh problemin me paratë false

    QKMF-ja e Vushtrrisë zgjidh problemin me paratë false

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, jo rrallë pagesat për shërbimet shëndetësore bëheshin me para false.

    Andaj për të evituar këtë, Drejtoria e Shëndetësisë e kësaj komune para një muaji ka siguruar detektorë për të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare.

    “Ne në QKMF kemi realizuar kontratën që detekton paratë false, një problem tejet i madh që po qarkullon në Republikën e Kosovës. Kontrata na ka kushtuar 1200 euro dhe detektor kemi vendosë në 14 Qendrat e Mjekësisë Familjare. Besojmë jemi optimistë që me detektor kemi me eliminua sadopak këtë telash”, tha drejtori i Shëndetësisë në Vushtrri, Lorik Maxhuni.

    Këtë investim të komunës po e mirëpresin vushtrriasit, të cilët marrin shërbimet shëndetësore në kujdesin primar.

    “…….shembull dje kisha do para false në xhep, po nuk m’i pranuan për me bo pagesën për një shërbim mjekësor”, tha Blerim Kalludra, pacient.

    “…Brenda mundësisë së tyre komuna ka bërë shumë mirë me këtë plan”, tha Halil Selimi, pacient.

    Megjithatë, situata qëndron ndryshe në Prishtinë, meqenëse Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ku marrin shërbime të ndryshme mjekësore një numër i lartë i qytetarëve, nuk është pajisur me detektor të këtillë.

    Zëvendësdrejtori i QKMF-së në Prishtinë, Rrezart Halili, e pranon se janë përballur me situata të tilla dhe për këtë arsye edhe kanë filluar të ndërmarrin masa.

    “Kemi hapur tenderin për detektor në të cilin kanë aplikuar dy kompani, por ende nuk ka përfunduar procedura e tenderimit, ndërkohë kemi shumë raste me para false. Pasi t’i sigurojmë pajisjet do t’i testojmë nëse kanë rezultat, nëse po atëherë do t’i shpërndajmë në të gjitha njësitë”, tha zv. drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Rrezart Halimi.

    Sigurimin e detektorëve, po e shohin të nevojshëm edhe pacientët që drejtohen për trajtim mjekësor në këtë qendër.

    “Duhet me pas aparat për pare fals, shteti i ka fajet që nuk po i siguron se ma e lehtë do të ishte pagesa”, tha një pacient.

    “Shumë keq që nuk ka aparatura për me i zbulu paret fals në këtë qendër”, tha një tjetër pacient.

    Në fakt, shumica e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në qytetet e tjera të vendit ende nuk janë pajisur me detektor për evidentimin e parave false.

  • Vrasja në kafenenë në Gjilan, 27 vjet burgim për Lirim Jakupin

    Vrasja në kafenenë në Gjilan, 27 vjet burgim për Lirim Jakupin

    Përgatiti: Nora Luta

    Për vrasjen që ndodhi në njërën nga kafenetë në shtatorin e vitit 2021, këtu në qendër të Gjilanit, Lirim Jakupi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata Themelore e Gjilanit i shqiptoi edhe dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

    Përveç Jakupit, për vrasjen e Bakush Veselit, gjykata e gjeti fajtor edhe Afrim Ismajloviqin, të cilit i shqiptoi dënim 22 vjet, e 3 vjet për armëmbajtje pa leje.

    Në drejtim të viktimës ishin shkrepur 14 plumba, 6 në pjesët vitale të trupit.

    Ndërsa, me 15 vjet burgim u dënua Faton Osmani, për ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

    Mbrojta e të akuzuarit kryesor nuk është pajtuar me vendimin e gjykatës, duke i kontestuar disa nga provat kryesore në këtë rast.

    Sipas aktakuzës, më 12 shtator të 2021, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq, pas një përgatitje paraprake, kishin vrarë me 14 plumba Bakush Veselin, në një nga kafenetë e Gjilanit, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

  • Takohet Task-Forca për Mbrojtjen e Shfrytëzimin e pyjeve – Peci: Ka rënie të prerjeve ilegale, do të shtohen hektarët e pyllëzuar

    Takohet Task-Forca për Mbrojtjen e Shfrytëzimin e pyjeve – Peci: Ka rënie të prerjeve ilegale, do të shtohen hektarët e pyllëzuar

    Është mbajtur takimi i IV-të i Task-Forcës për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve në Kosovë, raporton Ekonomia Online. Nga të pranishmit u tha se qëllimi i krijimit të kësaj Task-Force është unifikimi i përpjekjeve ndërinstitucionale për zhdukjen e veprimtarisë së paligjshme në pyje dhe tregtisë me lëndë drurore.

    Task Forca përbëhet nga institucionet përkatëse shtetërore të cilat janë përgjegjëse dhe të përfshira në aktivitetet të ndërlidhura me pyjet, dhe që mund të sigurojnë më shumë koordinim dhe bashkëpunim përmes veprimeve më të shpeshta për parandalimin e veprimtarive të paligjshme në pylltari.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se fal mbështetjes së programit të Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO) kanë arritur që t’i realizojnë disa objektiva në mbrojtjen dhe zhvillimi të qëndrueshëm të sektorit pyjor.

    Ai ka theksuar se synojnë rritjen e numrit të hektarëve të pyllëzuar. Peci tha se po ashtu synohet edhe rritja e kapaciteteve të stafit në APK.

    Në fund të këtij takimi ministri Peci tha se do të duhet që të fokusohet në fushata vetëdijesues intensive për mbrojtjen e pyjeve, ku sipas tij, në këtë rast këto fushat mund të transmetohen në bashkëpunim me televizionin publik.

    “Ne si Qeveri në 100 ditëshin e parë kemi themeluar Task-Forcën për parandalimi e prerjeve ilegale. Deri tash kemi realizuar tre takim që po besoj që kanë qenë të frytshme. Fal mbështetjes së programit të FAOS ka arritur që ti realizoj disa objektiva në mbrojtje dhe zhvillimi të qëndrueshme të sektorit pyjor. Them me bindje që kemi vendosur një bazë të thellë që na presin në të ardhmen”.

    “Synojmë që t’i ngrisim kapacitet të stafit në APK dhe në mënyrë do t’i kontribuojmë mbikëqyrjes dhe kujdesit ndaj pyjeve të Kosovës. Do të vazhdojmë që të ngrisim numrin e hektarëve të pyllëzuar në teren duke u fokusua në cilësinë e fidanëve”, tha ai.

    Fidan Dema, u.d. kryeshef i Agjencia Pyjore të Kosovës (APK), tha se numri i rojeve të pyjeve është rreth 187, ku sipas tij, ata shpesh edhe janë në mbingarkesë.

    Sa i përket gjendjes se përgjithshme të pyjeve në vend, Dema tha se këtë vit ka pasur nivel më të ultë të prerjeve ilegale për dallim prej viteve të kaluara.

    “Aktualisht Agjencia Pyjore e Kosovës është ne proces te bartjes se kompetencave ne nga niveli lokal ne nivel qendror ne koordinim me MAPL dhe MFPT prej te cilëve kemi marr konfirmim për sigurimin e buxhetit për 266 zyrtare te cilët do te barten ne APK. Aktualisht komunat kanë të themeluara njësit apo sektorët e pylltarisë ne kuadër te cilat përfshihen rojet e pyjeve dhe tekniket e pylltarisë. Numri i rojeve te pyjeve ne Kosovë aktualisht është 187 ku te gjithë këta mbulojnë 201 terrene pyjore e qe në disa raste kanë mbingarkese te sipërfaqeve për ruajtje, duke pas parasysh qe normat ligjore qe një roje e pyllit mund te ngarkohet me sipërfaqe deri në 1 500 hektar, gjithashtu numri i teknikeve të pyjeve në komuna është aktualisht i vogël ku prej tyre kemi vetëm 34”.

    “Vlen te theksohet qe deri me tani Komunat e Kosovës në shumicën e rasteve përveç qe nuk e kishin në prioritet mbrojtjen e pyjeve te njëjtit madje nuk kishin krijuar as kushte minimale për stafin dhe mbrojtjen e pyjeve dhe e cila do te ndryshoje rrënjësisht me kalimin e kompetencave në APK. Sa i përket gjendjes se përgjithshme te pyjeve ne vendin tonë mund te themi se këtë vit ka pasur nivel më të ultë te prerjeve ilegale për dallim prej viteve te kaluara. Masa drusore e konfiskuar për periudhën janar-shtator 2023 është 974.14 metër kub për dallim nga vitit 2022 qe ishte 1789.86 metër kub”, tha ai.

    Dorian Juniku, nga Prokuroria Themelore në Pejë, tha se në parandalimin e prerjeve ilegale të pyje rol të madh ka luajtur edhe Prokuroria e Shtetit.

    “Një prej faktorëve kyç që ka ndikuar më uljen e numrit të prerjeve ilegale është edhe luan madhe e Prokurorisë së Shtetit. Përmes mekanizmave tonë kemi vepruar në atë mënyrë që brenda afateve ligjore kemi hetuar çdo kallëzim penal të parashtruar në prerjen ilegale të pyjeve”, tha ai.

    Gani Berisha zv.drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se janë të gatshëm për çdo lloj bashkëpunim për mbrojtjen e pyjeve.

    Tahir Ahmeti, drejtor i Departamentit të Pyjeve në APK, tha se në bazë të statistikave Kosova harxhon mbi 1.5 milionë metra kub dru gjatë një viti, raporton EO.

    “Statistika tregojnë se Kosova harxhon mbi 1.5 milionë metra kub dru, rritja vjetore është 1,5 milion. Ndërprerja e prerja legale e drurit në pyje publike është rreth prerjet 30 mijë metra kub. Ne konsiderojmë se shfrytëzimi i qëndrueshëm dhe i planifikuar i pyjeve publike ndikon gjithsesi në ndaljen e prerjeve ilegale”, tha ai.

  • ​Kurti në Vjenë: T’i bëhet presion Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit

    ​Kurti në Vjenë: T’i bëhet presion Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar presion më të madh ndaj Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës, nënvizoi se hapi i parë dhe më i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është nënshkrimi i njohjes de-facto.

    Në panelin me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”, Kurti përmendi edhe sukseset që sipas tij janë arritur në ekonomi gjatë qeverisjes së tij.

    “Serbia është fqinji ynë më i madh. Kufiri me Serbinë është 381 kilometra dhe tani përbënë një rrezik sigurie por që mund të jetë një mundësi ekonomike. Për të shkuar atje duhet më shumë presion në Beograd për të nënshkruar marrëveshjen për të cilën jemi pajtuar. Gjithashtu na nevojitet integrimi evropian. Nuk mendoj se rajoni ynë mund të integrohet jashtë BE-së ose pa BE-në. Duhet të jetë drejt BE-së dhe me BE-në… Nënshkrimi i njohjes de-facto të dyanshme është hapi i parë dhe më i rëndësishëm”, tha ai.

    Përkitazi me këtë, Kurti tha se Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim evropian.

    “Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim. Nëse i shkoni deklarimet në të gjitha vendet ka dallime se cila dëshiron të integrohet në BE. Kosova nuk pëlqen të përdorë këtë metaforën e kryeministrit Denkov. Ne nuk i përgatisim politikat ‘quantum’. Ne jemi me BE-në, ShBA-në dhe NATO-n, kemi vendosur sanksione kundër Federatës ruse dhe nuk kemi dilema se demokracia dhe zhvillimi duhet të shkojnë dorë për dore, prandaj presim me padurim të bashkëpunojmë”, shtoi Kurti.

    Para të pranishmëve, Kurti bëri të ditur se rritja ekonomike gjatë këtij viti në Kosovë pritet të jetë 3.8 për qind.

    Ndërkaq, tha se kanë ulur pabarazinë në paga në sektorin publik, derisa kanë rritur buxhetin për arsim, kujdes shëndetësor, bujqësi dhe mbrojtje.

    “Ne ia kemi dal të shtojmë çdo vit 1 miliard euro në ekonominë tonë. Paraardhësit tanë kanë pasur nevojë për tri vjet për të shtuar 1 miliard. Në vitin 2021 kemi pasur rritje 10 për qind, pastaj 5.2 për qind dhe këtë vit do të kemi rreth 3.8 për qind, gjithashtu ka rënie inflacioni këtë vit. Në janar të këtij viti ishte 12 për qind dhe muajin e kaluar ka rënë në 3.3 për qind. Kosova nuk është vend i madh por është shembull i mirë si liria bëhet zhvillim dhe si antikorrupsioni bëhet rritje”, theksoi Kurti.

    Ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që hekurudhën Prishtinë-Durrës të përfshijnë në rrjetin transevropian.

    Në anën tjetër, Komisioneri evropian për ekonomi, Paolo Gentiloni, theksoi nevojën për integrim rajonal ekonomik të Ballkanit Perëndimor, teksa si mundësi për këtë e përmendi Procesin e Berlinit.

    “E para është përpjekja për të bërë atë që është e mundur për integrimin rajonal ekonomik. Më kujtohet kur shërbeja si kryeministër ne kishim një takim që e quajmë Procesi i Berlinit dhe në atë kohë ka pas një konkluzion me partnerët e Ballkanit Perëndimor për tregun e përbashkët rajonal. E dyta është shumë ambicioze se çka përshkruajmë në këtë pako për t’u përpjekur për të bërë hapa përpara për tregun unik para pranimit formal në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.

    Gjatë qëndrimit dyditor në Austri, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë, siç thuhet në komunikatën qeveritare për t’i njoftuar më për së afërmi me mundësitë për investime që Kosova ofron në këtë fushë./KP/

  • Haradinaj: Projektbuxheti për vitin 2024 nuk është zhvillimor, por stagnues e i varfrisë

    Haradinaj: Projektbuxheti për vitin 2024 nuk është zhvillimor, por stagnues e i varfrisë

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, buxhetin për vitin 2024 e ka quajtur stagnues e të varfërisëpër qytetarët, ndërsa kritika adresuan edhe për investimet kapitale, pasi që sipas tyre nuk do të ketë zhvillim ekonomik.

    Në tryezën e mbajtur nga Grupi Parlamentar i AAK-së me temë “Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024”, u tha se ka shumë institucione që nuk kanë përfituar rritje të buxhetit, që sipas tyre është në dëme të shtetit.

    Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj tha se projektbuxheti për vitin e ardhshëm nuk është zhvillimor, por stagnues. Ai shtoi se ky buxhet është i varfërimit dhe asesi rritje e tij.

    “Projektbuxheti për vitin 2024 në parametrat e përcaktuar nga qeveria nuk është buxhet zhvillimor por stagnues si në aspektin e zhvillimit ekonomik, edhe në aspektin social dhe të standardit jetësor. Rritja nominale për vetëm 102 milionë euro, praktikisht është zvogëlim real i buxhetit kur marrim parasysh shkallen e inflacionit këtë vit dhe vitin që vjen. Rritja e koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro nuk është rritje, është zvogëlim real i pagave, investimet kapitale gjoja të shtuara për vetëm 48 milionë euro nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik… Asnjë nga projektet e mëdha infrastrukturore nuk është realizuar as këtë vit, por janë bartur për vitin e ardhshëm me shuma të pamjaftueshme për të përfunduar edhe në vitin e ardhshëm. Për Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk është paraparë asnjë cent shtesë, s’ka rritje të buxhetit, përveç 52 milionë euro që barten nga ky vit. Investime të reja kapitale, Ministrinë e Mbrojtës në vitin 2024 nuk do të ketë… Ndarja e buxhetit në nivelin lokal, nuk është rritje, është mashtrim… Ky buxhet është i varfërimit dhe stagnimit, është vazhdim i dështimit të tri viteve të Qeverisjes Kurti”, tha Haradinaj.

    Se kjo qeveri nuk është duke punuar për zhvillimet ekonomike të vendit e tha edhe Pal Lekaj. Ai tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm ka rritje të luksit dhe jo të investimeve kapitale.

    “Asnjë kërkesë e kryetareve të komunave e departamenteve që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik për buxhetin e vitit 2024 nuk janë përkrahur. Buxheti në total për vitin 2024 është mbi 3 miliardë e 314 milionë euro, e ka ndryshuar komplet strukturën buxhetore, sepse nëse përpara kanë qenë 35 për qind në investime kapitale, sot kemi 16 për qind dhe ato projekte janë të bartura nga viti 2022/23 për vitin 2024, këtu është dështimi total i qeverisë Kurti dhe do të mbahet mend… Kjo ka ndikuar në ngecje të zhvillimit ekonomik, shumica e buxhetit kanë shkuar në skema sociale dhe subvencione që nuk janë fare transparente, aty e kanë gjet vetëm dhe mashtrimin që ja kanë bërë qytetarëve. Nëse kanë premtuar në sigurime shëndetësore, pozicioni këtu është zero…Nëse shohim luksin e kësaj qeveri, nëse krahasojmë me vitin 2021/22 është rrit shuma e këtyre kategorive për 7.5 milionë, sot e kanë rrit luksin në mallra dhe shërbime, ku aty edhe e kanë gjet vetëm dhe janë shpenzuesit më të mirë. Kjo qeveri për tri vjet do të mbahet mend edhe për ngecje në zhvillimin ekonomik, e kanë marrë qeverinë me 16 për qind të rritjes ekonomike dhe këtë vit rritja ekonomike do të jetë 3.5 që është më e ulëta në historinë e qeverive”, tha Lekaj.

    Ndërkaq, kritika për qeverinë në këtë drejtim kishte edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj. Ai tha se ngritja e koeficientit në 110 euro është ironike e nënçmuese. Ndërsa ka kërkuar nga qeveria të merret me këtë çështje, në të kundërtën do të ketë mungesë të kuadrove në arsim.

    “Qeveria Kurti duke mos dashur të përballet me zërin tonë ka prirje të gabuar e të vazhdueshme që edhe kur i qajmë hallet me opozitën, ata na etiketojnë se gjoja opozita po na dirigjon neve, ose po thonë se sindikatat po kanë tendenca ta dirigjojnë opozitën. Buxheti për vitin 2024 është shokues për ne. Po ndalemi të kërkesa për koeficient… 110 ngritja është ironike e nënçmuese ngase mesatarja në arsimin para universitar do të jetë rreth 28 euro…Ne do ju drejtohemi deputetëve që edhe njëherë gjatë leximit të parë e dytë mos po ju ndërrohet mendja, sepse me 110 vetëm se shtohen pakënaqësitë. Fatkeqësia sa vjen e shtohet, ngase janë rreth 300 mësimdhënës që kanë kërkuar pushim pa pagesë me ndonjë arsyetim, pra njerëz me viza qe po na hiqen do të provojnë të shkojnë jashtë, kam frikë se do të kemi mungesë të kuadrove…Nëse na ikin mësuesit do të kemi telashe se kush do t’i mësojë fëmijët”, tha Jasharaj.

    Kujtojmë se, qeveria ka miratuar para dy jave projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë euro 314 milionë euro. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri, Albin Kurti tha se me këtë projektbuxhet rëndësi të veçantë i kanë kushtuar mbrojtjes së sigurisë. Ai theksoi se buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme do të tejkalojë 216 milionë euro, ndërkaq Ministrisë së Mbrojtjes do të ketë buxhet prej mbi 153 milionë euro. /kp