ATV

Category: Lajme

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Prishtina dhe Mitrovica me nga 3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 11 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajnë qyteti i Gjilanit dhe Ferizajt me nga 1 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 13 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot i vranët. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 4 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë dhe Durrës me nga 19 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Arrestohet një i mitur në Gjakovë, u kap me thikë në shkollë

    Arrestohet një i mitur në Gjakovë, u kap me thikë në shkollë

    Është arrestuar një i mitur në Gjakovë pasi u kap me thikë në shkollë.

    Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar mjetin-thikën, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Rr. Normalja e Gjakovë, Gjakovë 13.11.2023 – 12:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar – i mitur pasi që të njëjtit, në objektin e shkollës, nga stafi i shkollës, i është gjetur një armë e ftohtë-thikë. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar mjetin-thikën, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Dërgohet në jetimore një 12-vjeçare, u sulmua fizikisht nga nëna dhe njerku i saj

    Dërgohet në jetimore një 12-vjeçare, u sulmua fizikisht nga nëna dhe njerku i saj

    Një 12 vjeçare ka raportuar në polici së është sulmuar fizikisht nga nëna dhe njerku i saj në Ferizaj.

    Siç njofton policia të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa viktima në jetimore.

    “Ferizaj 13.11.2023 – 13:00. Viktima femër (12 vjeç) ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga nëna e saj dhe njerku i saj. Viktima është dërguar në strehimore. Me vendim të prokurorit, të dyshuarat janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • IKShPK me udhëzime se si ta parandalojmë diabetin

    IKShPK me udhëzime se si ta parandalojmë diabetin

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Ditën botërore kundër diabetit bën të ditur se është një sëmundje kronike metabolike që karakterizohet me nivele të larta të glukozës në gjak (sheqerit në gjak), e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave.

    IKSHPK në një postim në Facebook thekon se më i zakonshmi është diabeti i tipit 2, zakonisht tek të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.

    “Në tri dekadat e fundit prevalenca e diabetit të tipit 2 është rritur në mënyrë dramatike në të gjitha vendet pa dallim nga niveli i të ardhurave. Më shumë se 500 milionë njerëz aktualisht jetojnë me diabet në të gjithë botën”, thuhet më tej.

    IKSHPK po ashtu njofton se qasja në insulinë dhe kujdesin për diabetin mbetet sfidë për shumë njerëz, gjersa mbikëqyrja e sheqerit-glukozës në gjak është një komponent themelor i kujdesit për diabetin.

    Në kuadër të masave për parandalimin e diabetit, Instituti thekson se diabeti i tipi 2 në 50 për qind të rasteve mund të parandalohet.

    Po ashtu kryerja e kontrolleve të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e të rrezikuarve, ndërkaq persona tjerë 1 herë në 3 vjet.

    Po ashtu rekomandohet kontrolli i rregullt i tensionit të gjakut, mbajtja e peshës nën kontroll, aktivitet fizik, përdorimi i ushqimeve të pasura me fibra etj.

  • Ambasadori i Kosovës ia dorëzon letrat kredenciale presidentit Macron, në një ceremoni në Pallatin Elysse

    Ambasadori i Kosovës ia dorëzon letrat kredenciale presidentit Macron, në një ceremoni në Pallatin Elysse

    Ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, ka takuar mbreme presidentin francez, Emmanuel Macron, të cilit edhe i ka dorëzuar letrat kredenciale të emërimit të tij.

    Kjo ceremoni, u zhvillua nga Protokolli i Shtetit në Pallatin presidencial Elysse.

    Momentin e dorëzim-pranimit, ambasadori Halimi, e ndau përmes platformës X.

  • Lajçaku sot në Beograd për t’u takuar me Vuçiqin

    Lajçaku sot në Beograd për t’u takuar me Vuçiqin

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohet sot me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njoftoi të hënën Presidenca serbe.

    Siç thuhet në njoftim, takimi do të mbahet në orën 11:00 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës në Beograd.
    Më 7 nëntor, Lajçaku e vizitoi Kosovën, ku u takua me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe me liderët e partive opozitare për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Propozimi i ri evropian dhe modern” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë iu dorëzua autoriteteve të Kosovës nga pesë emisarët perëndimorë gjatë vizitës së tyre në Prishtinë më 21 tetor.

    Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të BE-së, Shteteve të Bashkuara, si dhe Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

    Më 26 tetor, në Bruksel u mbajt një takim i veçantë mes kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni me kryeministrin e Kosovës Kurti dhe më pas me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

    I pranishëm në takim ishte edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

    Takimet nuk dhanë fryte sepse Kurti kërkoi nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, për të cilën liderët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksin e saj, për të cilin u dakordua më 18 mars në Ohër.

    Kurti pranoi se plani i të dërguarve perëndimorë do të ishte korniza e re e negociatave.Reklama

    Presidenti serb Vuçiq e hodhi poshtë këtë. Në atë takim, pala kosovare gjoja pranoi një propozim të ri për statutin e Komunitetit.

    Një ditë pas këtij takimi, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë kërkuan që Kosova të formojë Asociacionin, ndërsa Serbia ta njohë Kosovën de facto.

  • Nesër afati i fundit për ndërrimin e gomave të verës me ato të dimrit

    Nesër afati i fundit për ndërrimin e gomave të verës me ato të dimrit

    Ndërrimi i gomave të verës me ato të dimrit në veturë për të gjithë shoferët do të fillojë nga nesër më datë 15 nëntor dhe do të zgjasë deri më datë 15 mars.

    Pajisjet dimërore të cilat duhet t’i posedojnë pjesëmarrësit në trafik janë gomat e dimrit dhe zinxhirët.

    Shoferi që drejton automjetin pa pajisje dimërore, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh.

    Ndërkaq, sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

    Me këtë rast, Policia u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të kenë kujdes të shtuar në trafik.

    “Policia e Kosovës apelon për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar për fillimin e sezonit dimëror ku ndryshimet atmosferike janë të pranishme. Sigurohuni që gomat e mjetit tuaj janë ndërruar para fillimit të sezonit dimëror, gjithashtu presioni i ajrit të tyre duhet të jetë sipas rekomandimeve të prodhuesit, në temperaturat e ulëta!”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.

    Në faqen zyrtare të DhSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

  • Buxheti për vitin 2024 pritet të diskutohet të enjten në Kuvend

    Buxheti për vitin 2024 pritet të diskutohet të enjten në Kuvend

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënën, ka caktuar seancën e re plenare për të enjten, ku pritet të diskutohet dhe të votohet buxheti për vitin 2024.

    Sipas rendit të ditës, në seancën e caktuar për të enjten, për diskutim dhe votim do të jetë Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024, sipas rekomandimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku është rekomanduar votimi i Ligjit për buxhetin.

    Rendi i ditës:

    1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-260 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.
    Vendi: Kuvendi KosovësKoha: 10:00

  • “Kodimi”, nga shtatori si lëndë e re në shkolla

    “Kodimi”, nga shtatori si lëndë e re në shkolla

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Avancimet teknologjike vlerësohet se do të jenë më të pranueshme e më lehtë të përdorshme, kur për to do të mësohet edhe në shkolla.

    Duke u bazuar në këtë, rreth 390 mijë nxënës në Kosovë, nga viti i ardhshëm akademik lëndë mësimore do ta kenë “kodimin”.

    “Nxënësit dhe studentët tanë janë të etshëm dhe të gatshëm për t’i përvetësuar shkathtësitë e së ardhmes. Ne si qeveri do të punojmë intensivisht që shkathtësitë e kodimit, duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor 2024/25, të mësohen nga klasa e 1-rë e shkollës fillore”, tha Kurti.

    Në kuadër të Javës së Kodimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka vizituar njërën nga shkollat në kryeqytet, me ç’rast bisedoi me nxënës që tashmë kanë nisur ta praktikojnë “kodimin”.

    “Unë ju dëshiroj shumë suksese, ju falënderoj që më mësuat për këtë proces shumë të rëndësishëm, kënaqësi që i keni tejkaluar të gjitha nivelet e kësaj lënde, vitin e ardhshëm do të kemi një përdorim më të madh të kësaj lënde”, tha Nagavci.

    Njohësit e arsimit këtë vendim të qeverisë e konsiderojnë të duhur, mirëpo kërkojnë nga MASHT-i përpilim më të shpejtë të plan-programit mësimor.

    “Prezenca e kësaj lënde është një superiniciativë për shkak që e nxitë të menduarin kritik dhe inteligjencën e nxënësve. Koha më pak se një vit t’u shërbejë të
    gjithëve përfshirë politikëbërësve që të garantojnë mirë zbatim të caktuar dhe se kjo lëndë nuk mund të paraqesë ndonjë shqetësim për nxënësit tanë”, tha njohësi i arsimit nga “Ed Guard”, Rinor Qehaja.

    ATV-ja është interesuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sa i përket numrit të mësimdhënësve që do të ligjërojnë këtë lëndë, mirëpo nga ky institucion të hënën nuk ka marrë përgjigje.