ATV

Category: Lajme

  • Murtezaj: Shkëmbimi i territoreve nuk është zgjidhje as evropiane, as praktike

    Murtezaj: Shkëmbimi i territoreve nuk është zgjidhje as evropiane, as praktike

    Zyrtari i LDK-së, Valon Murtezaj, në një intervistë për ATV-në, tha çështja e shkëmbimit të territoreve nuk është një zgjidhje as evropiane e as praktike që do të zgjidhte problemin mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Do të ishte një lloj edhe tragjike edhe ironike në të njëjtën kohë, nëse shtetet, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, po aspirojnë që të integrohen në një Evropë të bashkuar, ku baza e etnicitetit apo llojet e diversiteteteve tjera nuk janë aq të rëndësishme apo kanë shumë më pak peshë se sa të drejtat e individit dhe të drejtat e njeriut”, tha Murtezaj.

    Ai përmendi se edhe në rast se do të ishte vullneti i të dy vendeve për të bashkëpunuar, gjërat do të shkojnë mirë.

    “Në anën tjetër sa i takon njohjes de facto apo de jure, një gjë duhet ta kemi të qartë që në momentin që është vullneti për të bashkëpunuar ndërmjet dy vendeve, atëherë qoftë në situatën de facto për të përkohshme, qoftë në situatën de jure, gjërat shkojnë mirë. Nëse nuk ka vullnet, edhe nëse kemi njohje de jure, atëherë problemet mund të ndodhin. Shpeshherë ne kemi situacione nëpër botë kur shtetet janë të njohura dhe janë pjesë edhe e sistemit ndërkombëtar dhe anëtare të Kombeve të Bashkuara, për shembull si Ukraina, po megjithatë një shtet tjetër ka bërë agresion”, tha Murtezaj.

    Ai tha se do të flasin seriozisht për njohje në kohën kur të afrohet procesi i integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Evropë. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Barnatoret në kryeqytet, me orar të kujdestarisë

    Barnatoret në kryeqytet, me orar të kujdestarisë

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Nga fillimi i këtij muaji 140 barnatore në kryeqytet janë bërë pjesë e rregullores së re për ofrimin e shërbimeve njëzet e katër orë, kësi soji për herë të parë në Prishtinë, barnatoret do të kujdestarojnë.

    Për zbatimin e këtij projekti drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Izet Sadiku për ATV në një përgjigje me shkrim ka sqaruar funksionimin e orarit.

    Ai ka thënë se në çdo ditë e javës pesë barnatore janë kujdestarë nga ora 21:00 deri në orën 07:00 në mëngjes, ndërsa vikendit dhe festave, dhjetë barnatore do të punojnë 24 orë.

    Sipas Sadikut, është krijuar një grup punues, i cili ka filluar në bashkëpunim me Shoqatën e Farmacistëve të Kosovës dhe me Odën e Farmacistëve, ku është vendosur orari dhe pastaj është vendosur në diskutim publik për një muaj dhe mbas vërejtjeve dhe sugjerimeve është bërë një draft dhe është miratuar në Kuvendin e Kryeqytetit.

    Orari është dërguar tek të gjitha barnatoret dhe ka pasur disa barnatore që kanë kërkuar lirim nga kujdestaria, është shprehur Sadiku.

    140 barnatorët që kanë pranuar të jenë në sistem që i bie tri herë në vit me qenë kujdestare, pra që nga fillimi i muajit nëntor ka filluar zbatimi i këtij orari.

    Sadiku ka premtuar se do të jenë strikt dhe do të bëjnë mbikëqyrjen e këtij zbatimi të orarit.

    Çdo ditë e javës barnatorët punojnë prej orës 07:00 deri në 21:00 dhe gjatë natës pesë barnatorët do të jenë kujdestarë nga ora 21:00 deri në orën 07:00 në mëngjes.

    Sadiku gjithashtu është shprehur se ky nuk do të jetë një draft i ngurtë, do të jetë fleksibil dhe do të diskutohet. Në qoftë se nuk do të ketë nevojë për dhjetë barnatore ose për më shumë, do të jetë grupi punues që do ta ndryshojë.

    Me rëndësi do të jetë që të jepen shërbime njëzet e katër orë për qytetarët, për arsye se qytetarët e Prishtinës, për një bari nuk mund të shkojnë në Lipjan në ora 03:00 të mëngjesit për ta blerë kur ke QKUK-në dhe të gjitha shërbimet është e pajustifikueshme, ka thënë tutje Sadiku.

    Drejtori i Shëndetësisë ka thënë që qytetarët do të informohen edhe nëpër qendrat e mjekësisë familjare dhe në barnatore për orarin e ri. Sipas tij, të gjitha barnatoret do ta kenë orarin e paraqitur në dyertë e hyrjes së tyre, edhe Qendrat e Mjekësisë Familjare, për arsye se nëse qytetari vjen natën dhe ka nevojë për ta blerë ndonjë medikament, ai e din që në Qendrën e Mjekësisë Familjare ose në barnatore, secila prej tyre do të jetë kujdestare për sonte, do të jetë online edhe në faqen e Prishtinës.

    Ai ka thënë se ka pasur edhe skeptikë për implementimin e këtij projekti për shkak të presionit të mundshëm nga barnatorët.

    Më shumë detaje i gjeni në videon e më poshtme:

  • “Trepça” shpall konkurs për kryeshef ekzekutiv

    “Trepça” shpall konkurs për kryeshef ekzekutiv

    Ndërmarrja metalurgjike “Trepça” ka shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv, pas shkarkimit të Enis Abdurrahmanit, që për rreth dy vjet pati qenë ushtrues detyre.

    Në konkursin e shpallur, “Trepça” , u tha se Kryeshefi do të vlerësohet vazhdimisht nga Bordi i Drejtorëve, e kontrata do të jetë trevjeçare me mundësi vazhdimi.

    Në grevën 10-ditëshe, minatorët kishin kërkuar ndër të tjera shkarkimin e menaxhmentit.

  • Rritet numri i inspektorëve, Murati: Shtohen gjobat për bizneset që nuk respektojnë ligjin

    Rritet numri i inspektorëve, Murati: Shtohen gjobat për bizneset që nuk respektojnë ligjin

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se kanë trefishuar numrin e inspektorëve të punës, nga 22 në 60.

    Ai ka shkruar se numri i inspektorëve do të rritet edhe më tej.

    “Edhe një lajm i mirë: Numri i inspektorëve të punës shkon në 60, nga 22 sa ishte. Pra, gati trefishim i numrit, dhe ende do të rritet”, shkruan Murati.

    Krahas numrit, ai ka theksuar se janë shtuar edhe kontrollet dhe gjobat për bizneset që nuk respektojnë Ligjin e Punës dhe të drejtat e punëtorëve.

    “Ka shumë sfida, por gradualisht dhe sigurt po e bëjmë ndryshimin. Vazhdojmë”, shkruan Murati në Facebook.

  • Borrell thumbon Serbinë: Disa vende nuk kanë një histori të mirë me bashkrendimin e sanksioneve

    Borrell thumbon Serbinë: Disa vende nuk kanë një histori të mirë me bashkrendimin e sanksioneve

    Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, para ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian ka thënë se ka një pengesë kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë – Serbi.

    Borrell ka thënë se se takimi me kryediplomatët e Ballkanit po bëhet për të treguar se sa i rëndësishëm është ky rajon.

    Ndër të tjera kryediplomati i BE-së ka thënë se disa shtete të Ballkanit nuk kanë një histori të mirë në rreshtimin me politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet.

    Kështu, kujtojmë se Serbia nuk është renditur me bllokun euro-atlantik për të sanksionuar Rusinë.

    “Kemi takimin me ministrat e Jashtëm të Ballkanit, për të treguar se sa i rëndësishëm është ky rajon, për të diskutuar për propozimet e fundit të Komisionit për zgjerimin. Do të insistojmë në nevojën e ndjekjes më të afërt të politikës tonë të jashtme pasi që disa shtete nuk kanë një histori të mirë në rreshtimin me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet.

    Flet për vete se sa i rëndësishëm është që Komisioni ka propozuar hapjen e negociatave me Ukrainën. Kjo do të krijojë një lëvizje, dhe do të krijojë një rresht në pritje për anëtarësim. Ka një pengesë, kur bëhet fjalë për negociatat Kosovë-serbi, por dinamika e krijuar nga pranimi i shtegut për anëtarësim të Ukrainës, do të ndikojë të gjithë procesin e kandidaturave që është në një ngërç”, ka thënë Borrell.

  • Dëshmitari i 35-të vazhdon dëshminë në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

    Dëshmitari i 35-të vazhdon dëshminë në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

    Dëshmitari i 35-të po e vazhdon dëshminë e tij në rastin ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Në fillim të seancës së të hënës mbrojtësi i Rexhep Selimit, Goeffry Roberts, kërkoi mbyllje të seancës, gjë që e pranoi gjykata pa u përmendur ndonjë arsye.

    Ngjashëm, në seancën e mbajtur të enjten ky dëshmitar i mbrojtur dha dëshmi kryesisht në seancë të mbyllur. Prokurorja Lies van Welde në përmbledhjen për këtë dëshmitar tha se ai kishte dëshmuar në prokurori paraprakisht për ndalim e keqtrajtim.

    “Dëshmitari 0444 u arrestua nga 8 ose 9 pjesëtarë të armatosur të UÇK-së, shumica kishin maska, e vendosën në një automjet me duart e lidhura prapa (në shpinë) dhe me maskë në kokë. Në automjet e morën edhe një të arrestuar tjetër. Të dy këta persona i çuan në një dhomë dhe u mbajtën të ndaluar së bashku dëshmitari me numër 0444 u rrah kaq shumë saqë nuk merrte dot frymë, ra në tokë dhe humbi ndjenjat. Dëshmitarit nuk iu dha asnjë arsye për arrestimin e tij apo për ndalimin e tij. Pas katër ditësh dëshmitari 444 u lirua nga rojet e burgut me uniforma të zeza, derisa të ndaluarit e tjerë mbetën në dhomë. Pas lirimit iu desh të merrte trajtim mjekësor dhe medikamente për dhimbjet që ja kishte shkaktuar rrahja”, tha Welde derisa lexonte përmbledhjen për këtë dëshmitar.

    Dëshmitari tha se pjesëtarët e UÇK-së e kishin hipur në veturë dhe ja kishin lidhur duart.

    Gjatë transmetimit të seancës në faqen e Dhomave të Specializuara, veçanërisht asaj të dëshmitarit të 35-të, nuk janë dëgjuar përgjigjet e shkurtra siç janë ato me “po” ose “jo”.

    Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, e pyeti dëshmitarin lidhur me kontradiktat në deklaratat e tij lidhur me kohëzgjatjen e keqtrajtimit gjatë ndalimit të tij.

    “Pra nuk keni ide se sa kohë ka zgjatur rrahja apo se sa e ashpër ka qenë”, pyeti Roberts.

    E dëshmitari iu përgjigj se nuk kishte se si ta dinte këtë. “Nuk kam pasur orë ta mati sesa më kanë rrahur. Pesë minuta apo ka mundur të jetë një orë, ku ta di unë? Orë s’kam pasur”, tha dëshmitari.

  • “Nuk e di kush është Ramadani, nuk komentoj çka boton ai”: Stano refuzon të konfirmojë ose demantojë autenticitetin e Draftit të Asociacionit

    “Nuk e di kush është Ramadani, nuk komentoj çka boton ai”: Stano refuzon të konfirmojë ose demantojë autenticitetin e Draftit të Asociacionit

    Draftin e publikuar nga ish-Shefi i AKI-së, Burim Ramadani, e që sipas burimeve të ndryshme është drafti autentik i ofruar nga pesë emisarët më 21 tetor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka refuzuar ta konfirmojë apo demantojë duke thënë se “nuk shoh arsye ta komentojë”. Këtë koment Stano e bëri në një prononcim për portalin evropian “Euractiv”.

    “Nuk e di se kush është zoti Ramadani dhe nuk shoh arsye të komentojë mbi atë se çfarë mund të pretendojë ose publikojë”, ka thënë Peter Stano.

    “Ne kurrë s’japim dokumente zyrtare të cilat janë në diskutim e sipër dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët, pasi që kjo është edhe praktikë normale në ndërmjetësimet ndërkombëtare në kryerjen e proceseve në konfidencialitetit”, ka thënë Peter Stano, duke shtuar se është politikë e kahershme e Komisionit Evropian që të mos komentojë mbi rrjedhjet e pretenduara të dokumenteve.

  • Fillon aksioni i PSD-së, ndërrohen flamujt shtetëror para ndërtesës së Qeverisë

    Fillon aksioni i PSD-së, ndërrohen flamujt shtetëror para ndërtesës së Qeverisë

    Ka filluar aksioni simbolik i PSD-së para Qeverisë së Kosovë, lidhur me çështjen e Asociacionit.

    Pranë ndërtesë së Qeverisë, aktivistët e PSD-së hoqën flamujt origjinalë të Kosovës. Ata i zëvendësuan me flamuj të ri të Kosovës, por këta flamuj kishte ngjyrë të bardhë në zona specifike që sipas tyre rrezikohen të humbnin me pranimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, raporton ATV.

    Në njoftimin për media, PSD ka paralajmëruar se pas aksionit do të ketë edhe një prononcim nga kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj.

    Pamje nga aksioni i PSD-së për para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës mund t’i shikoni në videon e më poshtme./ atvlive.tv

  • Ndahen 53 grante në mbi 500 mijë euro për bizneset në pronësi të grave

    Ndahen 53 grante në mbi 500 mijë euro për bizneset në pronësi të grave

    Në vlerë prej 530 mijë dollarë janë 53 grantet e ndara për bizneset në pronësi të grave dhe minoriteteve, ku sot është bërë ceremonia e nënshkrimit të këtyre granteve.

    Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani tha se ndarja e 53 granteve për bizneset e udhëhequra nga gratë, do të shërbejë për qëndrueshmërinë në ketë sektor.

    “Arritjet e sipërmarrëse në Kosovë nuk janë vetëm suksese individuale. Arritjet e tyre po riformësojnë sektorin e biznesit. Angazhimi ynë për të përkrahur gratë ne biznes mbetet i pa lëkundur”, deklaroi ajo.

    Osmani shtoi se mbështetja e USAID ka qenë dhe mbetet esenciale. Ajo uroi te gjitha bizneset për grantet e fituara, ku tha se shpreson që do të vazhdojnë punën si katalizator i zhvillimit ekonomik.

    E drejtoresha e misionit të USAID-it, Mary Eileen Devitt tha se bizneset e vogla janë motori i shoqërisë.

    “Angazhimi gjithëpërfshirës i gjitha segmenteve siguron një rritje më të mëdha. Dhe kur ata kanë mundësi të marrin pjesë, shoqëria bëhet më prosperuese… kjo skemë e furnizimit do të ofrojë 530 mijë dollarë”, deklaroi ajo.

    Edhe drejtoresha ekzekutive e CDF, Nermin Mahmuti foli për rëndësinë e këtyre granteve për gratë sipërmarrëse.

    “Qëllimi kryesor i aktivitetit është që të ofrojë mundësi të shtuara ekonomike. Fuqizimi i tyre do të shërbejë në rritjen ekonomike. Sot po fillojmë me nënshkrimin e 53 granteve të para”, u shpreh ajo.

  • IHMK njofton se kjo javë parashihet të jetë tipike vjeshtore

    IHMK njofton se kjo javë parashihet të jetë tipike vjeshtore

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se java e ardhshme parashihet të jetë tipike vjeshtore pasi që në fushat termike do të ketë rënie të dukshme.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se vranësirat do të jenë kryesisht të stadit të mesëm dhe të ulët të troposferës, ndërsa presioni atmosferik do të ketë luhatje të lehta duke i ruajtur vlerat e normales.

    “Nuk përjashtohen mundësitë që të krijohet edhe mjegulla në shumë zona , pasi që ndryshimi i grafikut termik do të mundësoj formimin e kësaj dukurie. Në viset me lartësi mbidetare mbi 1100m parashihen edhe ngrica të dobëta”, thuhet në njoftim.

    Më poshtë e keni motin për pesë ditët në vijim:

    E hëne – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius.

    E marte – Mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius.

    E mërkurë- Do të mbajë mot kryesisht i vranët. Vranësirat parashihen të sjellin reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-5 gradë Celsius, ndërsa, maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius..

    E enjte – Mot i vranët dhe me intervale të shkurta me diell. Në fushat termike nuk parashihet të ketë ndryshime, pasi që do të regjistrohen temperaturat e ditës paraprake,përveç minimaleve të cilat parashihen të jenë lehtësisht më të ulëta. Minimalet 2-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius.

    E premte- Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës do të pësojnë zhvillime duke krijuar kushte për reshje të shiut. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 10-12 Celsius.