ATV

Category: Lajme

  • “V+O Communication Albania” lidh partneritet me kompaninë e njohur ajrore “Wizz Air”

    “V+O Communication Albania” lidh partneritet me kompaninë e njohur ajrore “Wizz Air”

    “V+O Communication Albania” ka njoftuar bashkëpunimin e saj të ri me “Wizz Air”, një ndër kompanitë më të njohura ajrore ‘low-cost ‘në Evropë. Ky partneritet paraqet një ngjarje kyçe në historinë e agjencisë si dhe pasqyron përkushtimin e saj në ofrimin e shërbimeve të një niveli të lartë profesional në sektorin e marrëdhënieve me publikun.

    Wizz Air, një kompani shumë e njohur në Evropë, jo vetëm për kostot e ulëta të udhëtimeve, por edhe për gamën e gjerë të destinacioneve të ofruara për klientët e saj, ka zgjedhur “V+O Communication Albania” si një partner të besuar në tregun shqiptar për sa i përket krijimit të strategjive të komunikimit apo zgjidhjeve efektive të marrëdhënieve me publikun, të personalizuara sipas nevojave të klientëve.

    Në bashkëpunim të ngushtë me “Wizz Air”, agjencia do të krijojë dhe zbatojë strategjji gjithëpërfshirëse të mardhënieve me publikun dhe median si dhe do të iniciojë fushata marketingu me qëllim angazhimin e qytetarëve, në përputhje me objektivat e linjës ajrore.

    Si një pjesë e këtij partneriteti strategjik, “V+O Communication Albania” do të mbështesë në mënyrë të vazhdueshme operacionet e “Wizz Air “si dhe do të forcojë praninë e saj në vend duke shfrytëzuar ekspertizën dhe njohuritë e thella në tregun shqiptar.

    “V+O Communication” është një agjenci udhëheqëse në fushën e strategjisë së komunikimit në Evropën juglindore, me një ekip prej 200 konsulentësh në Athinë, Beograd, Bukuresht, Sofje, Tiranë dhe Nikosia. Ekipi i larmishëm ndërkombëtar është i trajnuar sipas metodave më të fundit dhe vijnë nga profesione të ndryshme. “V+O Communication” ofron një gamë të gjerë shërbimesh për të plotësuar të gjitha nevoja aktuale të klientëve. Kompania ka fituar 3 çmime Evropiane të Ekselencës si dhe 40 çmime të tjera botërore dhe globale në fushën e marrëdhënieve me publikun.

  • Mungon siguria në parqet e kryeqytetit, komuna premton vendosjen e kamerave

    Mungon siguria në parqet e kryeqytetit, komuna premton vendosjen e kamerave

    Përdorimi i motoçikletave, qentë endacakë dhe përdorimi i narkotikëve mbesin dukuri shqetësuese për qytetarët që frekuentojnë në parqet e kryeqytet, veçanërisht në atë të Gërmisë. Për të pasur më shumë siguri në parqe, qytetarët kërkojnë vendosje të kamerave në parqe, ndriçim të mjaftueshëm dhe shenjëzim të shtigjeve.

    Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica ka thënë se ndriçimi në parqe do të shtohet, do të rregullohen lodrat për fëmijët, do të bëhet shejnëzimi i shtigjeve, vendosja e kamerave jo vetëm në parqe, por në të gjithë kryeqytetin, si dhe do të shtohet numri i patrullave policore.

    Megjithatë, ai tha se është shtuar edhe një dukuri e re që është sipas tij, shqetësuese, si përdorimi i motoçikletave që po frekuentohen nëpër shtigjet e vizitorëve, që janë në Gërmi.

    “Kemi lloj-lloj të them kërcënime apo edhe ankesa që sillen sa i përket sigurisë të qytetarëve duke filluar prej qenve endacakë që janë në parqe, që i frekuentojnë dhe vazhdojnë edhe me dëmtimin e veturave , dëmtimin e pronës, vjedhjen e veturave, përdorimi i narkotikëve , mirëpo edhe një dukuri e re që rishtazi ka filluar të ndodhë, që është brengosje edhe për ne si kryeqytet dhe për policinë e Kosovës është edhe përdorimi i motoçikletave si me dy apo katër rrota që frekuentojnë edhe nëpër shtigjet e vizitorëve që janë në Gërmi dhe si të tillë e paraqesin rrezik për qytetarët “, tha Fushtica.

    Fushtica tha se është me rëndësi vendosja e kamerave edhe në parqe, por edhe në pjesë tjera të kryeqytetit , dhe vendosja e masave tjera shtesë që parashihen për këtë plan

    “Ne i kemi marrë ankesat e qytetarëve dhe si kryeqytet kemi vendosur dhe kemi pasur javën e kaluar takimin e parë me iniciativë të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca dhe kemi formuar grupin punues për hartimin e planit të sigurisë për të gjitha parqet e kryeqytetit. Në këtë plan që do të hartohet janë të përfshirë të gjitha palët e interesit, duke filluar nga Policia e Kosovës, shërbimi i zjarrfikësve, Drejtoria e parqeve, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Urbanizmit, është edhe Shoqata Alpine që kujdesët relatvisht për parkun e Gërmisë dhe të gjithë palët tjera të interesit për të hartuar masat e nevojshme, që të rritet siguria e parqeve në kryeqytet. Duke filluar me shejnëzimin e shtigjeve, përmirësimi i ndriçimit, përmirësimi edhe i lodrave, por ç’është me rëndësi vendosja e kamerave edhe në parqe edhe në pjesë tjera të kryeqytetit, dhe vendosja e masave tjera shtesë që parashihen për këtë plan”, vijoi Fushtica.

    Sa i përket ndriçimit Fushtica tha se,ndriçimi është një komponent shumë i rëndësishëm i sigurisë, pasi që sipas tij, aty ku ka ndriçim ka më shumë siguri.

    Ai tha se aty ku nuk ka ndriçim ka rrezik për zhvillim të aktiviteteve kriminale.

    “Sa i përket ndriçimit mendoj që është një hapësirë e madhe, dhe po punohet dita ditës. Drejtoria për shërbime publike është përgjegjëse për këtë pjesë, është duke e mbuluar dhe duke vazhduar të mbulojë. Duhet të kemi parasysh se ndriçimi është një komponent shumë i rëndësishëm i sigurisë, aty ku ka ndriçim ka më shumë siguri, aty ku s’ka ndriçim ka rrezik për zhvillim të aktiviteteve kriminale dhe si të tillë ne ndërlidhemi me këtë çështje. Pra edhe do të shikohet aty ku nuk ka ndriçim të mjaftueshëm, të shtohet numri i ndriçimit, të përmirësohet, të riparohet, por më së shumti të vendosen kamerat të monitorimit në mënyrë që të monitorohen aktivitete të dyshimta…Kamerat do të vendosen në çdo park, por jo vetëm në çdo park, ne vetëm kemi fillur me projektin, është në procesin e tenderimit, dhe do të vendosen kamerat në çdo pjesë të kryeqytetit, dhe si të tilla do të monitorohen nga policia e Kosovës “, theksoi Fushtica.

    Ndërkaq, për qenët endacak Fushtica ceku se, shpreson që do të ketë edhe strehimore të tjera që do të hapen nga qytetarët me subvencionim, me sterilizim, vaksinim dhe lëshim.

    Sipas tij, sa për kontrollimin e parqeve nga Policia e Kosovës do të rritet numri i patrullave në parqet.

    Fushtica gjithashtu theksoi se duhet të analizohen bashkërisht dhe të gjendet mënyra më e mirë se si të bëhet jo vetëm parandalimi i aktiviteteve kriminale, por edhe zbulimi i veprave kriminale që ndodhin në parqet e qytetit.

    Për sigurinë në parqe, një qytetar i lagjes “Taukbashçe”, Avdyl Tolaj tha se janë të rrezikuar qentë endacak.

    “Nga ana njerëzore nuk njoh raste se ka ndodhur diçka, por sa i përket qenëve sigurisht që janë të rrezikuar. Ky kryetari që kam shumë respekt për të, por duket se nuk ka mundur me arrit qëllimin… po shoh shumë qenë edhe nëpër qytet. Rinia, sidomos femrat janë shumë të frustëruara, ndoshta nuk i sulmojnë, por tash kanë marrë frikë. Kështu që ishte dashur të ketë një përkujdesje pak më të madhe…02:58 Prishtina ka nisur njëfarë tubimi, në qendra të tjera jo, por ka mundësi që i fusin këtu që të shtohet numri i banorëve”, tha Tolaj.

    Ndërsa një qytetarë tjetër, Drin Demaj, në parkun e Gërmisë tha se nuk janë të sigurtë, mund të ketë rrezik nga qentë në mbrëmje.

    “Normal që, sidomos në parkun e Gërmisë nuk janë të sigurt se mali është afër, nuk është vend i banueshëm, mundet me pasur rrezik nga qentë, ndoshta edhe prej dikujt se natën normal që nuk ka as njerëz të mirë që rrijnë, mundet me pasë, po ma mirë është me frekuentua ditën”, thekson Demaj.

    Ndërkaq, Shyqyri Thaçi, një qytetarë tjetër në parkun e “Taukbahqes” u ankua për rrjedhjen e kanalizimit që kalon në dy tre vende që disa vite, dhe sipas tij nuk po rregullohet nga institucionet përkatëse.

    “Në “Taukbahqe”, në këtë park, ku unë jetoj këtu afër, dhe dal rregullisht, këtu janë të sigurtë qytetarët natën, se gjithmonë ka më shumë qytetarë dhe ka drita. Nuk e di që ka ndodhur këtu diçka ndonjëherë, ndonjë incident, që dikush ka ngacmuar një qytetarë këtu. Në parqe të tjera kam dëgjua atje në qytet, në parkun afër Fabrikës së Tullave, kanë ndodhë incidente, por këtu jo. Është një park që mbahet shumë bukur, por problemi është se atje diku rrjedhin kanalizimet në dy vende, është mirë me paraqit, kanalizimet rrjedhin që disa vite në dy tre vende dhe nuk e rregullojnë “, shtoi Thaçi.

    Sa i përket sigurisë në parqe, Policia e Kosovës nuk është përgjigjur për KosovaPress.

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca së bashku me përfaqësues nga Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve -Prishtinë dhe Klubi Alpin Prishtina kanë mbajtur një mbledhje për “Hartimin e Planit për Siguri në Parqet e Kryeqytetit”.

    Në këtë mbledhje është diskutuar për elementet e domosdoshme për trajtimin e çështjes së sigurisë në parqet e kryeqytetit, evidentimin e faktorëve kërcënues, vendosja e pajisjeve të sigurisë, monitorimi, verifikimi dhe kontroll të vazhdueshme në mënyrë që të ndërmerren hapa konkret për realizimin e këtij plani./

  • Kërcënoi deputeten Musliu-Shoshi, arrestohet personi nga Skenderaj

    Kërcënoi deputeten Musliu-Shoshi, arrestohet personi nga Skenderaj

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, kohë më parë është kërcënuar nga një person.

    Behët fjalë për Bahri Ajetin nga komuna e Skenderajit.

    I dyshuari për kanosje ndaj deputetes së Kuvendit është arrestuar sot në aeroportin “Adem Jashari”, zbulon Gazeta Sinjali.

    Ai ka qenë në kërkim policor që nga qershori, kur është denoncuar rasti nga ligjvënjësja e Partisë Demokratike të Kosovës.

    I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet dhe motivin që e ka shtyrë për kërcënimin e deputetes Musliu-Shoshi.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orësh dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.

  • Clinton: Zvicra bëri gjëra të mëdha në luftën e Kosovës

    Clinton: Zvicra bëri gjëra të mëdha në luftën e Kosovës

    Ish-presidenti amerikan Bill Clinton në Zvicër para 420 të ftuarve, ka folur për veprimet që i ka bërë Zvicra karshi luftës së Kosovës.

    Bill Clinton ka folur për atë që Zvicra arriti gjatë kohës së tij në detyrë në vitet 1990, raporton RTKlive.

    “Zvicra bëri gjëra të mëdha në luftën e Kosovës dhe gjithashtu në bashkëpunim me SHBA-në në zbardhjen e krimeve naziste, me krijimin e një komisioni hetimor”, tha ai.

  • MPB: Çmimet e aplikimit për pasaportë mbeten të pandryshuara

    MPB: Çmimet e aplikimit për pasaportë mbeten të pandryshuara

    Gjithsej 51,365 shtetas kosovarë kanë bërë aplikime për herë të parë për pasaporta, me këto norma aplikimi të regjistruara vetëm nga data 1 qershor deri më 6 nëntor 2023.

    Duke krahasuar të dhënat e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, kosovarët kanë paraqitur rreth 5.2 për qind më shumë kërkesa për pasaportë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me numrin e aplikimeve që është rritur nga 48,791 në 51,365. Ata nën dy vjeç dhe 18 deri në 22 vjeç janë kryesisht më të zakonshëm në mesin e aplikantëve.

    Megjithatë, në një shkëmbim e-mail mes SchengenVisaInfo.com dhe zyrës së shtypit të Ministrisë së Brendshme, kjo e fundit mohoi se kishte pasur rritje të numrit të aplikimeve.

    Sipas autoritetit, tarifat e aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti – dy nga dokumentet më të rëndësishme për udhëtime, nuk kanë pësuar asnjë ndryshim që nga miratimi i liberalizimit të vizave nga Këshilli i BE-së, pavarësisht se në më pak se dy muaj, kosovarët do të mund të udhëtojë pa vizë në zonën Shengen për herë të parë.

    “Interesi i qytetarëve për të aplikuar për dokumente [pasaporta dhe letërnjoftime] vazhdon të jetë i ngjashëm me vitet e kaluara, pa ndryshime të dukshme”, thekson Ministria e Brendshme e Kosovës

    E njëjta konfirmon se edhe koha e përpunimit të kërkesave për pasaportë dhe dokumente identiteti mbetet e pandryshuar, në përpjesëtim me numrin e kërkesave, që sipas tyre është e qëndrueshme me ato të paraqitura në vitet e mëparshme.

    “Nuk ka pasur asnjë ndryshim në përpunimin e aplikimeve, pasi nuk ka pasur rritje të dukshme të tarifave të aplikimit”, thekson Ministria e Brendshme.

    Autoritete hodhwn poshtë gjithashtu pretendimet në lidhje me shqetësimet në lidhje me furnizimet dhe materialet e pamjaftueshme të nevojshme për krijimin e pasaportave dhe dokumenteve – një çështje që Ministria e Brendshme u përball vitin e kaluar.

    Vitin e kaluar ka pasur raste të shtetasve kosovarë që kanë pritur deri në dy muaj për të marrë pasaportën, ndërsa aktualisht koha e përpunimit të dokumenteve të pasaportës dhe identitetit është shtatë ditë.

    Me rritjen e lëvizjes së lirë drejt BE-së, janë shfaqur rreziqet e rritjes së shkallës së migrimit nga Kosova. Megjithatë, një sondazh i SchengenVisaInfo zbuloi se vetëm 37.7 për qind e të anketuarve planifikojnë të largohen nga Kosova në vitet e ardhshme.

    Sondazhi tregoi gjithashtu se shumë janë të interesuar të udhëtojnë në BE, veçanërisht ata që nuk kishin mundur të vizitojnë bllokun më parë, por migrimi atje nuk është zgjedhja e parë për shumicën e kosovarëve.

  • Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

    Sipas njoftimit, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të rifillojë sot në orën 09:45 të mëngjesit ku edhe pritet të vazhdon dëshmia e dëshmitarit të Prokurorisë.

    Ndryshe dëshmitari i mbrojtur W04444, i cili pretendohet se është arrestuar dhe keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë periudhës përkatëse, është dëshmitari i 35-të i ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve.

    Sot pritet vazhdimi i dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur W04444.

    Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë janë paraparë të mbahen katër seanca.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

  • Në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan vazhdon fushata informuese për udhëtim pa viza

    Në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan vazhdon fushata informuese për udhëtim pa viza

    Gjatë kësaj jave do të vazhdojë fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kampanja vetëdijësuese sot vazhdon me Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin.

    Kampanja në Mitrovicën e Veriut mbahet nga oea 10:30 deri 12:30, kurse në Zveçan mbahet nga ora 13:00 deri në 15:00.

    “Merrni pjesë në kuiz për të fituar një udhëtim falas në Vjenë dhe mësoni më shumë për të drejtat tuaja të udhëtimit #paviza nga 1 janari 2024”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.

    Nga janari qytetarëve të Kosovës u mundësohet të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

    Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën. Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

    Ja shtetet që do të mund të udhëtohet pa viza deri në 90 ditë:

    Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se edhe pas liberalizimit të vizave, bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj, raporton RTKlive.Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda, raporton RTKlive.Republika e Kosovës, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kosova ishte vendim i vetëm në Ballkan që kishte më së shumti kritere për fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

    Komisioni Evropian, në vitin 2018, kishte konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

    Etapat deri te liberalizimi i vizave për Kosovën

    Kosova ka kaluar disa etapa për të arritur liberalizmin e vizave

    Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën

    Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe

    Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.

    Hapat për heqjen e vizave:

    Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave

    Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian

    Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet

    Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave

    Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

    Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

    Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

    Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe

    Liberalizimi hyn në fuqi.

  • PSD sot mban aksion simbolik në lidhje me Asociacionin

    PSD sot mban aksion simbolik në lidhje me Asociacionin

    Partia Socialdemokrate sot do të realizojë një aksion simbolik në sheshin Ibrahim Rugova në lidhje me çështjen e asociacionit.

    Në njoftim thuhet se aksioni do të nisë në orën 11:00.

    Poashtu, kryetari i PSD’së, Dardan Molliqaj do të prononcohet për media.

    “Sot, me datën 13 nëntor (e hënë), nga ora 11:00, pranë Sheshit Ibrahim Rugova PSD, realizon aksion simbolik lidhur me çështjen e Asociacionit, ku do të prononcohet për media kryetari i PSD-së, z.Dardan Molliqaj.”

  • AAK-ja mbanë tryezë për Buxhetin për vitin 2024

    AAK-ja mbanë tryezë për Buxhetin për vitin 2024

    Grupi Parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve me sektorë të ndryshëm në vend, sot organizon tryezën e radhës që për temë ka “Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024”.

    Sipas njoftimit për media nga kjo parti, tryeza do të mbahet në ora 13:00, në sallën nr. 506 në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    “Në këtë tryezë do të ketë diskutime të ndryshme nga njohës të fushës dhe kryetarë komunash”, thuhet në njoftim të AAK-së.

  • Borrell sot pret ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Borrell sot pret ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë sot një takim në Bruksel nën drejtimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

    Fillimisht, ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe zhvillimet e fundit në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin.

    Siç njofton faqja zyrtare e BE-së, Këshilli më pas do të shkëmbejë pikëpamjet mbi situatën në Izrael dhe rajon, dimensionin e politikës së jashtme të sigurisë ekonomike.

    Pas Këshillit të Punëve të Jashtme më 13 nëntor 2023, ministrat e BE-së do të marrin pjesë në takimin ministror BE-Ballkani Perëndimor së bashku me gjashtë ministrat e jashtëm të partnerëve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbisë.

    Takimi do të fillojë në orën 17:30 dhe do të drejtohet nga kryediplomati evropian Josep Borrell.