ATV

Category: Lajme

  • Qytetarët e zhgënjyer me Kurtin për “pranimin e Asociacionit”

    Qytetarët e zhgënjyer me Kurtin për “pranimin e Asociacionit”

    Qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online, janë shprehur të zhgënjyer me kryeministrin Albin Kurti në lidhje me pranimin e draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

    Sipas tyre, shefi i ekzekutivit nuk e ka mbajtur fjalën për këtë çështje dhe se ka gënjyer kur ka thënë se nuk do ta pranojë.

    Murat Gerbeshi tha se kryeministri Kurti nuk i ka mbajt kurrë fjalët dhe se serbët kanë me shumë drejt se shqiptarët.

    “Kurrë Kurti fjalët nuk i ka mbajte edhe ka me i ndërru sa të jetë gjallë. Nga fillimi kanë më shumë drejta serbët se ne pse mos po paguajnë rrymë, mos po paguajnë tatim, mos po paguajnë ujë pse nuk janë këto drejta më shumë a?”, pyeti ai.

    Ndërsa Enver Latifi, akuzoi Kurtin se po e mban të fshehur draftin e Asociacionit.

    “I ka ndërruar fjalët sa ka mujt ka gënjyer sa ka mujt edhe po gënjen sa po mundet edhe po e fsheh draftin dhe nuk po e tregon nuk po e din kurrkush asgjë”, u shpreh ai.

    “Serbëve po ju jep më shume drejt se neve, u ndanë u kanë kundër ndarjes e tash i ndajti me gjithçka”, tha tutje ai.

    “E kanë bordin e vet, e kanë kryetarin e vet, e kanë flamurin e vet, i kanë të gjitha nëse vjen në kundërshtim diçka kundërshton Qeverinë. Qeveria nuk mundet me vendos asgjë”, tha ndër të tjerash Latifi.

    Ndërsa Fatmir Bahriu ka besim të plotë në kryeministrin Kurti në lidhje me Asociacionin.

    “E ka mirë, do të bëhet mirë me siguri. Serbëve neve duhet me përdor trurin, serbët pa fitu diçka nuk bën por jo çka kërkojnë ata, duhet me pas kujdes. Kurti është i kujdesshëm për këto punë edhe do të kryen këto punë”, u shpreh ai.

  • Maqedonci dhe shefi i EULEX-it, flasin për situatën e sigurisë në vend

    Maqedonci dhe shefi i EULEX-it, flasin për situatën e sigurisë në vend

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

    Bëhet e ditur se temë diskutimi në këtë takim ishte situata e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit.

    “Sigurisht se sulmi terrorist i 24 shtatorit ka ngjallur shqetësim tek të gjithë, mirëpo është menaxhuar në mënyrën jashtëzakonisht profesionale nga ana e Policisë së Kosovës dhe për këtë ishim që të dy dakord”, tha Maqedonci.

    Derisa e falënderoi shefin e EULEX-it për mbështetjen ofruar Policisë së Kosovës gjatë kësaj kohe, përmes prezencës së EULEX-it në veri.

    “Ai theksoi se në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in është duke u monitoruar situata me kujdes të shtuar, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Në fund të takimit, ministri Maqedonci dhe shefi i EULEX-it u dakorduan që garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është interes i përbashkët i të dy palëve”, thuhet tutje.

  • Osmani: Djegia e veturës së nënkryetares së Leposaviqit synon të frikësojë serbët vendas

    Osmani: Djegia e veturës së nënkryetares së Leposaviqit synon të frikësojë serbët vendas

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pasi nënkryetares së Leposaviqit, Dragana Miletiq, i është djegur vetura.

    Në një postim në “X” Osmani ka thënë se kjo vepër është kriminale dhe ka për qëllim të shpërndajë frikë te serbët vendas.

    Teksa është shprehur se autorët do të përballen me drejtësinë.

    “Djegia e veturës së nënkryetares së komunës së Leposaviqit, znj. Dragana Miletiq, është vepër kriminale që synon të përhapë frikë te serbët vendas dhe të pengojë integrimin e tyre në institucione. Autorët e këtij akti frikacak dhe të neveritshëm do të përballen me drejtësinë”, ka shkruar ajo.

    Djegien e veturës e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

    “Po është djegur një veturë në një pjesë të saj, motori. Dëmi është diku 200-250 euro”, ka deklaruar ai.

  • Vuçiq deklarohet lidhur me marrëveshjet e dialogut

    Vuçiq deklarohet lidhur me marrëveshjet e dialogut

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me përfaqësuesin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, pretendoi se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog.

    Sipas mediave serbe, Vuçiq e ka njoftuar përfaqësuesin special të BE-së për gjoja seriozitetin e situatës “me të cilën ballafaqohen serbët, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit, duke shprehur shpresën se procesi i mëtutjeshëm i dialogut do të çojë në rezultate”.

    Bëhet e ditur se në takimin e sotëm, Vuçiq ka insistuar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa janë diskutuar edhe tema të tjera të rëndësishme në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë.

    Diplomati sllovak erdhi në Beograd para takimit të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, të paralajmëruar për 16 nëntor në Bruksel.

    Më 7 nëntor, Lajçak ka vizituar Kosovën, ku është takuar Bislimin. Ai të nesërmen është takuar edhe me liderët e opozitës kosovare.

  • Dita Ndërkombëtare e Diabetit, studentët e Kolegjit AAB ofrojnë matjen e glikemisë falas

    Dita Ndërkombëtare e Diabetit, studentët e Kolegjit AAB ofrojnë matjen e glikemisë falas

    Në Ditën Ndërkombëtare të Diabetit, studentët e kolegjit AAB, nën kujdesin e asistentëve dhe profesorëve kanë kryer matjen e glikemisë për studentët, stafin dhe jo vetëm.

    Lidhur me këtë aktivitet ka folur edhe profesoresha e infermierisë, Teuta Bujupi, e cila tha se ky shërbim do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

    “Sot kemi dashur që studentet të kenë kontakt me pacientin thënë ndryshe kalimtarë të rastit apo edhe studentë duke i matur glikeminë në mënyrë vullnetare. Kemi dashur që ata ta kenë një pasqyrë se si punohet në komunitet, se si të bëjnë një këshillim rreth kësaj sëmundje, si për shembull ndryshim të jetesës sepse është një prej faktorëve kyç në sëmundjen e diabetit. Ka interesim dhe ky aktivet pritet të vazhdojë gjatë tërë ditës”, tha ajo në emisionin “A LIVE”.

    Ndryshe, nesër do të ofrohet matja e glikemisë falas për të gjithë qytetarët e Prishtinës në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 10:00 – 13:00./atvlive.tvl/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

     

     

     

  • Szpisjak: Viti i fundit ishte një nga më sfiduesit në historinë e KFOR-it

    Szpisjak: Viti i fundit ishte një nga më sfiduesit në historinë e KFOR-it

    Në kampin “Film City” në Prishtinë është organizuar ceremonia e ndërrimit të komandës së zëvendëskomandantit të KFOR-it, mes Jozsef Szpisjak dhe Federico Bernacca. Paraardhësi i këtij të fundit deklaroi se viti i fundit ishte më sfiduesi në historinë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Tutje, Szpisjak shtoi se gjatë kësaj periudhe kanë reaguar ndaj krizave të shkaktuara që nga dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës.

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutaş tha se Jozsef Szpisjak ka shërbyer me nder në NATO dhe se ka bërë hapa të mëdhenj në përmbushjen e mandatit të KFOR-it në Kosovë.

    “E di që ky vit ka qenë sfidues. Megjithatë, ju keni bërë hapa dhe përparim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar në përmbushjen e mandatit të KFOR-it, duke ofruar asgjë tjetër veçse më të mirën partnerëve tanë të vendit nikoqir të Kosovës…”, tha komandanti i ri i KFOR-it.

    Tutje përmendi edhe disa nga arritjet e ish-zëvendëskomandantit.

    “Ju siguruat rihapjen e linjave ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ai.

    Ai i uroi mirëseardhje edhe zëvendëskomandantit Federico Bernacca, për të cilën tha se ka punë të mëdha për të bërë.

    Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, ish-zëvendëskomandanti i KFOR-it, Jozsef Szpisjak tha se viti i kaluar ishte më sfiduesi për historinë e KFOR-it në Kosovë.

    “Viti i fundit ishte një nga më sfiduesit në historinë e KFOR-it”, tha ai.

    Zëvendëskomandanti Federico Bernacca tha se trashëgimia profesionale e paraardhësit do të jetë busulla që do të drejtojë mandatin e tij.

    Një muaj më parë është organizuar edhe ceremonia e ndërrimit të komandës mes Angelo Michele Ristuccia dhe Ozkan Ulutas. /kp

  • Ministri Sveçla priti në takim ambasadorin e Shqipërisë, Petrit Malaj

    Ministri Sveçla priti në takim ambasadorin e Shqipërisë, Petrit Malaj

    Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla priti në takim njoftues ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Malaj.

    Fillimisht ministri Sveçla e uroi z. Malaj për emërimin e tij për postin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

    Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve që do të vazhdojnë edhe më tutje, për zbatueshmërinë e marrëveshjeve të nënshkruara mes institucioneve të rendit dhe sigurisë mes dy vendeve e në veçanti për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

    Në fund të takimit ministri Sveçla dhe ambasadori Malaj u dakorduan për angazhim të mëtejmë në avancimin e politikave në shërbim të rendit, ligjit dhe qytetarëve të vendeve tona.

  • KQZ: Kuvendi Zgjedhor Listës Serbe ishte konform ligjeve – Kurteshi interesohet nëse janë marrë masa ndaj Radojiçiqit

    KQZ: Kuvendi Zgjedhor Listës Serbe ishte konform ligjeve – Kurteshi interesohet nëse janë marrë masa ndaj Radojiçiqit

    Kuvendi Zgjedhor i Listës Serbe ishte temë diskutimi të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), raporton EO.

    Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka monitoruar Kuvendin Zgjedhor të Listës Serbe, i cili është mbajtur më 24 tetor 2023.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, Besnik Buzhala tha se pas shqyrtimit të dokumenteve të pranuara nga Lista Serbe, rezulton se zgjedhja e kryetarit, kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhje me Rregulloren për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike dhe statutin e kësaj partie.

    Ndërsa Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, pyeti nëse janë marrë masa ndaj ish-nënkryetarit të kësaj partie, Millan Radojiçiq.

    “A ka ndonjë masë apo ndonjë përjashtim për shkak se e ka pranuar vetë se ka marrë pjesë në sulmet terroriste, nuk po dua t’i përmend emra sepse dihet por po dua të di nëse është shkarkuar për shkak të veprimeve kundër rendit kushtetues”, pyeti Kurteshi.

    Por përgjigje nuk mori nga Besnik Buzhala. Ai tha se për shkak të interesimit të madh nga mediet dhe numrit të madh të pjesëmarrësve, nuk janë dëgjuar të gjitha vendimet por që konstaton se zgjedhja e kryesisë ka qenë konform ligjeve.

  • Rritet interesimi për pasaporta në Kosovë, Krasniqi: Pas 1 janarit, mund të theksohet më shumë mungesa e fuqisë punëtore

    Rritet interesimi për pasaporta në Kosovë, Krasniqi: Pas 1 janarit, mund të theksohet më shumë mungesa e fuqisë punëtore

    Për gjashtë muaj mbi 51 mijë qytetarë të Kosovës, kanë bërë aplikime për herë të parë për pasaporta. Ky interesim i madh për pasaporta vjen pasi që nga 1 janari me pasaportë të Kosovës, pritet që qytetarët të lëvizin pa viza.

    Lidhur me këtë temë, në një lidhje direkte në emisionin “A LIVE”, foli Lirim Krasniqi nga “Germin”, i cili tha se interesimi i madh i qytetarëve për tu pajisur me pasaporta, nënkupton përgatitjen e tyre për të lëvizur lirshëm pas datës 1 janar 2024.

    “Besoj është e natyrshme sepse një numër i madh i qytetarëve të Kosovës nuk ka pasur mundësi që të lëvizin nëpër vende të zonës shengen dhe rrjedhimisht edhe s’kanë pasur nevojë për pasaporta. Mendoj se shpjegohet në këtë mënyrë, pra shumë njerëz janë duke e përgatitur që të lëvizin lirshëm pas datës 1 janar 2024”, tha ai.

    Tutje, ai përmendi se pas 1 janarit mund të theksohet më shumë mungesa e fuqisë punëtore në vend.

    “Edhe pa liberalizimin e vizave po vërehet mungesa e fuqisë punëtore, sepse ata që kanë pasur aftësi dhe shkathtësi veç sa janë pajisur me viza punë por mendoj se kjo do të theksohet më shumë edhe pas liberalizimit, të cilën bizneset në Kosovë do të duhet ta adresojnë duke gjetur format të tjera për të kompensuar mungesën e fuqisë punëtore, marrim shembull shtetet e rajonit që kanë gjetur alternativa të atilla si rritja e pagave, ardhja e punëtorëve të huaj etj.”, deklaroi Krasniqi./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Anëtarësimi në BE, kritikohet qeveria për mungesë konsultimi me shoqërinë civile

    Anëtarësimi në BE, kritikohet qeveria për mungesë konsultimi me shoqërinë civile

    Lëvizja “Fol” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të përmirësojë konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Përmes publikimit të raportit “Si mund të përmirësojë Kosova konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në BE?”, “Fol” e konsideron të domosdoshëm demokratizimin dhe zhvillimin e shoqërisë civile si parakusht për integrime evropiane.

    Burbuqe Kastrati nga Lëvizja “Fol”, në konferencë për medie të martën tha se raporti thellohet në përvojat e vendeve të rajonit në lidhje me rolin e shoqërisë civile, sektorin privat/odat ekonomike, akademinë, dhe palëve të tjera të interesuara në proceset e negociatave për anëtarësim në BE.

    Duke përmendur anëtarësimin e Sllovenisë në BE, ajo tha se një nga faktorët që dha një kontribut të rëndësishëm në suksesin e këtij shteti në procesin e integrimit evropian ishte sektori i gjallë i shoqërisë civile, i nxitur nga një kulturë e bashkëpunimit me institucionet publike.

    “Rregullorja thekson rëndësinë, konsultimin dhe shkëmbimin e informacionit me organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara në këtë proces”, tha ajo.

    Megjithatë, Kastrati kritikoi ekzekutivin për qasjen e saj në raport me shoqërinë civile për mungesën e konsultimeve në raport me zbatimin e MSA-së.

    “Qeveria s’bën konsultime paraprake me shoqërinë civile”, tha ajo.

    Duke paraqitur disa rekomandime, ajo tha se Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë një raport vlerësimi për përfshirjen e shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në punën e strukturave të stabilizim-asociimit. Po ashtu nënvizoi nevojën e prioritizimit të fushatave të ndërgjegjësimit publik që komunikojnë përfitimet, sfidat dhe implikimet e integrimit evropian, duke larguar keqkuptimet dhe duke nxitur mbështetjen.

    Të domosdoshme e pa edhe nevojën e rritjes së konsultimeve me sektorin privat në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të njohë rolin integral të sektorit privat, duke pasur parasysh fokusin ekonomik të Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit. Angazhimi i Odave të Ekonomisë dhe Tregtisë, së bashku me shoqatat specifike të sektorëve, në proceset e konsultimit dhe vendimmarrjes në lidhje me integrimin ekonomik. /kp