ATV

Category: Lajme

  • Shkollat pa kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore për “kodim”

    Shkollat pa kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore për “kodim”

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Planprogramit mësimor në vitin e ri akademik pritet t’i shtohet edhe lënda e “kodimit”.

    Mirëpo, në disa shkolla nuk ka kapacitete infrastrukturore për aplikimin e kësaj lënde.

    Në shkollën fillore “Shkëndija” në Hajvali, 717 nxënës që do të vijojnë mësimin për këtë lëndë i kanë në dispozicion vetëm 10 kompjuterë.

    “Kapaciteti lë për të dëshiruar sa i përket pajisjeve teknologjike, sepse ne posedojmë kabinetin e informatikës, por kapaciteti nuk është i mjaftueshëm, sa i përket kompjuterëve të cilët i posedon kabineti. Ne e kemi mësimdhënësen e teknologjisë dhe matematikës që janë të kualifikuar për këtë lëndë”, tha drejtoresha e shkollës fillore “Shkëndija”, Minire Musliu-Berisha.

    Se shkollat në nivel vendi nuk kanë kapacitete infrastrukturore për këtë lëndë e thotë edhe profesori universitar Blerim Rexha. Sipas tij, sfidë shtesë për Ministrinë e Arsimit do të jetë edhe gjetja e ekspertëve që do të ligjërojnë “kodimin”.

    “Me shtimin e kësaj lënde do të kemi më shumë teknologji dhe për këtë arsye duhet më shumë teknologji dhe ne duhet të mbështesim këtë iniciativë të Qeverisë për shtimin e lëndës së kodimit në shkolla. Ministria e Arsimit nuk ka kapacitete në këtë drejtim, pra shkollat duhet të gjejnë pajisje, duhet të gjenden ekspertët e fushës që do të jetë një sfidë në vete, që të gjenden këta ekspertë të punojnë për rrogat e vogla që i kanë nëpër shkolla”, tha Rexha.

    Përgatitja e kabineteve me teknologji të avancuar, për njohësin e arsimit, Rinor Qehaja, duhet të përfundojë para shtatorit të vitit të ardhshëm.

    “Shtimi i lëndës së kodimit kërkon përgatitje, kërkon ngritje profesionale të mësimdhënësve që të ofrojnë mësimdhënie specifike, për të cilën jo të gjithë mësimdhënësit e teknologjisë informative kanë njohuri, kanë shkathtësi, duhet përkrahje në infrastrukturë, ku jo të gjithë shkollat kanë qasje në kompjuter për nxënës, pra deri në shtator gjithçka duhet të jetë gati”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit nga “Ed Guard”.

    Duke mos dhënë detaje se a do të jenë gati sa u përket kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore për lëndën e “Kodimit”, nga Ministria e Arsimit tregojnë se lënda do të jeta në plan-programe të shkollës fillore dhe të mesme.

    “Kjo nismë është një mundësi e jashtëzakonshme për vendin tonë, për të promovuar kodimin dhe edukimin e shkencave kompjuterike. Ky projekt është gjithëpërfshirës, prej parashkollor deri te nxënësit e nivelit të mesëm të lartë (K1-12). Shkollat ku do të realizohet kjo lëndë janë nga të gjitha komunat e Kosovës dhe numri i tyre po vazhdon të rritet çdoherë e më shumë”, thuhet në njoftimin nga MASHT.

    Në javën e kodimit në 250 shkolla të Kosovës po realizohen kurse të kodimit, projekte, prezantime e sesione informuese rreth kodimit, inteligjencës artificiale e shkencave kompjuterike.

  • Kurti për draft statutin e Asociacionit: Është pakrahasimisht më i avancuar se siç ka qenë në vitin 2013 e 2015

    Kurti për draft statutin e Asociacionit: Është pakrahasimisht më i avancuar se siç ka qenë në vitin 2013 e 2015

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në pas përfundimit të Forumit të Paqes në Paris, tregoi se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i propozura nga pesëshja e emisarëve ndërkombëtarë, është siç thotë ai, “pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015”.

    “Me datën 21 tetor erdhi pesëshja e emisarëve, e cila erdhi për draft statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe aty me 24 tetor, unë ua dërgova vërejtjet për atë draft statut. Është e çartë se ai draft statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015. Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, me qenë se natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj”, tha ai.

    Kurti thotë që dallimi kryesor tij është korniza, që sipas kryeministrit, është themeli se ku ky draft beson që do të zbatohet.

    “Për këtë arsye, edhe unë kam thënë se është i pakrahasueshëm me të tjerët, që përafroheshin në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015 dhe ku në fakt nuk kishte barazi midis palëve”, tha ai. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kushtetuesja ende s’ka vendosur për 100 eurot e tatimit në pronë

    Kushtetuesja ende s’ka vendosur për 100 eurot e tatimit në pronë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë vendim final lidhur me 100 eurot e tatimit në pronë që sipas vendimit të Ministrisë së Financave do të duhej t’u falen qytetarëve.

    Derisa komunat vazhdojnë të grumbullojnë tatimin Suhareka tashmë ka inkasuar mbi 2 milionë euro. Megjithatë në rast se Kushtetuesja vendos në favor të faljes së 100 eurove nga tatimi në pronë kryetari i kësaj komune thotë se ata do të rimbursohen.

    Ndërkaq në total gjatë këtij viti nga tatimi në pronë, komunat e Kosovës kanë grumbulluar mbi 44 milionë euro.

    Më 4 shtator, Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën e parashtruar nga Komuna e Prizrenit, duke vendosur masë të përkohshme deri në nëntor të vitit 2023 për nenin 5 të ligjit për tatimin në pronë që parashihte faljen e 100 eurove, derisa të merret një vendim përfundimtar. E Ligji për tatimin në pronë hyri në fuqi më 14 gusht.

  • Albin Kurti tregon çka bisedoi me asistentin e Sekretarit të Shtetit, James O’Brien

    Albin Kurti tregon çka bisedoi me asistentin e Sekretarit të Shtetit, James O’Brien

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në pas përfundimit të Forumit të Paqes në Paris, tregoi se cilat ishin temat për të cilat bisedoi me asistentin e Sekretarit të Shtetit për Evropë edhe dhe Euro Azi, z. James O’Brien.

    Ai thotë se biseda O’Brien ka qenë e përqendruar se si duhet ndihmuar Kosova drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

    “Biseda ka qenë e përqendruar në atë se si duhet ndihmuar Kosova, për të avancuar edhe në aspektin e njohjeve ndërkombëtare, të organizmave të ndryshëm ndërkombëtarë, këtu para se gjithash e kam fjalën për partneritetin për paqe, drejt anëtarësimit në NATO, se si kemi nevojë për më shumë siguri për Kosovën e anën tjetër se si përpjekja e Kosovës për integrim evropian dhe euroatlantik është shumë e lidhur me përpjekjen e Shtëpisë së Bardhë, administratës Biden për një udhë të fuqishme tans-atlantike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. James O’Brien më njeh shumë mirë. Më njeh qysh nga shekulli i kaluar, andaj u përqendruam kryesisht në atë se si në muajt në vijim, duhet ecim bashkërisht sa më mirë e sa më shpejt”, tha Kurti.

    Ai tregoi se në këtë takim me James O’Brien ishte bashkë me zëvendës kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz dhe me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Paris, Mehdi Halimin. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Të dielën zgjedhjet brenda LDK së, dy kandidatë në garë

    Të dielën zgjedhjet brenda LDK së, dy kandidatë në garë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë kuvendin e dhjetë zgjedhor të dielën e 19 nëntorit. Në këtë kuvend pritet të zgjidhet kryetari i këtij subjekti dhe kryesia e re.

    Në garë për të udhëhequr me LDK-në përpos Lumir Abdixhikut që po synon rizgjedhjen, kundërkandidat do ta ketë Faton Bislimin.

    “Ky vendim imi vjen jo vetëm si vazhdimësi e angazhimit tim për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së së vërtetë, por edhe si përgjigje ndaj krejt atyre që kanë filluar të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar, si dhe atyre që asnjëherë nuk reshten së përkrahuri vizionin e përpjekjen time për LDK-në”, tha Bislimin.

    Pavarësisht se në garë do ta ketë edhe një kundërkandidat, fitorja e Lumir Abdixhikut vlerësohet e padiskutueshme.

    Në krye të LDK-së edhe për një mandat tjetër katërvjeçar, Lumir Abdixhiku po shihet edhe nga opinionistët. Megjithatë, sipas Artan Muhaxhirit, për të qenë gati për zgjedhjet e radhës parlamentare, duhet shumë punë.

    Lumir Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK-së më 14 mars 2021, pas dorëheqjes së Isa Mustafës, si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të atij viti. LDK-ja kishte fituar vetëm 12 për qind të votave.

    Në vitin 2021, për postin e të parit të LDK-së, Abdixhikun e kishin sfiduar edhe Lutfi Haziri, Besian Mustafa e Anton Quni. Ky i fundit ishte tërhequr nga gara krejt në fund.

  • Vërejtjet e Kurtit për draft statutin mbesin ende “sekrete”

    Vërejtjet e Kurtit për draft statutin mbesin ende “sekrete”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në vlerësimin e kryeministrit Albin Kurti draft-statuti i propozuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, është “pakrahasimisht më i mirë” sesa dokumentet nga viti 2013 apo 2015.

    Pa treguar vërejtjet për propozimin, të cilin ishte gati ta nënshkruajë, në një intervistë për ATV-në, referuar definicioneve dhe dispozitave të përgjithshme, Kurti tha se dallimi është te definimi ku bëhet Asociacioni dhe ligji i aplikueshëm.

    “Së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës, e që është shteti demokratik, Republika e pavarur e Kosovës. Dhe, në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia, për këtë draft më datën 24 Tetor, meqenëse natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj”, tha Kurti.

    As Bashkimi Evropian nuk tregoi se cilat janë vërejtjet që kryeministri Kurti ia ka dërguar Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak, e as nëse i kanë kthyer përgjigje për to.

    Ndërkaq, Qeveria e as BE-ja nuk i treguan as temat në rend dite, në vazhdimin e dialogut në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, të enjten. Por, sipas kryenegociatorit serb, Asociacioni do të jetë temë qendrore.

    “Është po ashtu e rëndësishme që më në fund po hyjmë në bisedime për Statutin e Asociacionit, gjithashtu kompetencat ekzekutive që ka në pajtim me marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015. Beogradi ka të drejtën e plotë të financimit të këtij institucioni”, tha kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.

    Javën e kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dialogu është në fazë të zbatimit të marrëveshjeve dhe se Kosova këmbëngul që ato të zbatohen në tërësi, pa parakushte dhe pa vonesa.

  • Rama i bën publicitet edhe një pune që është duke u kryer në Prishtinë: Duket si e re pas rinovimit

    Rama i bën publicitet edhe një pune që është duke u kryer në Prishtinë: Duket si e re pas rinovimit

    Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar pamje nga QMF në lagjen “Kodra e Timave”, e cila është duke u rinovuar.

    Rama ka thënë se është duke u punuar intensivisht që punëtorëve shëndetësorë tu ofrohen kushte sa më të mira të punës dhe pacientëve rehati.

    “Jemi duke punuar intenzivisht e me përkushtim të madh që punëtorëve shëndetësorë të ju ofrojmë kushte sa më të mira të punës e pacientëve rehati gjatë trajtimit.”

  • Osmani reagon për djegien e veturës në Leposaviq: Synon ta pengojë integrimin e serbëve

    Osmani reagon për djegien e veturës në Leposaviq: Synon ta pengojë integrimin e serbëve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur vepër kriminale djegien e veturës së nënkryetares së Leposaviqit, Dragana Miletiq.

    Presidentja Osmani ka shkruar në X, se djegia e veturës së Miletiqit synon të përhapë frikë te serbët vendas dhe të pengojë integrimin e tyre në institucionet e Kosovës.

    Ajo tha se autorët e këtij akti frikacak dhe të neveritshëm do të përballen me drejtësinë.

    “Djegia e veturës së nënkryetares së komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq, është vepër kriminale që ka për qëllim të përhapë frikë te serbët vendas dhe të pengojë integrimin e tyre në institucionet e Kosovës. Autorët e këtij akti frikacak dhe të neveritshëm do të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në X.

  • “Punët e shtëpisë nuk janë veç për gratë, ato duhet të paguhen” – deklarata e fuqishme e aktivistes për të drejtat e grave

    “Punët e shtëpisë nuk janë veç për gratë, ato duhet të paguhen” – deklarata e fuqishme e aktivistes për të drejtat e grave

    Aktivistja e të drejtave të grave, njëherësh edhe sociologe dhe poete Sibel Halimi në vazhdimësi ka ngritur zërin për pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri dhe të drejtave të saj.

    Ajo ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” ku foli për sa i takon kësaj tematike dhe mes tjerash përmendi edhe barazinë gjinore sa i përket punëve të shtëpisë, duke potencuar se ato nuk janë vetëm të grave dhe duhet të paguhen.

    “Punët e shtëpisë  nuk janë  vetëm të  grave… Puna të cilën gratë e bëjnë në shtëpi duhet të jetë e paguar, shteti duhet të njohë punën e pa paguar të grave, sepse ekzistojnë gra të cilat e lënë pas veten dhe karrierën e tyre si pasojë e kryerjes së punëve të shtëpisë …”, shtoi ajo

    Sibeli, gjithashtu nuk la pa përmendur edhe të drejtat e grave për trashëgimi, e po ashtu ju bëri thirrje të gjitha grave të luftojnë  për të  drejtat e tyre dhe ta ngrisin zërin kundrejt çdo padrejtësie që ju bëhet.

    Vlen ta theksojmë se në Kosovë, vetëm katër për qind e grave deri me tani kanë gëzuar të drejtën për trashëgimi.

    Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të  klikoni në  linkun e mëposhtëm:

     

  • Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi

    Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi, lidhur me akuzën për vjedhje të energjisë elektrike.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, në gusht të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj Muharremit për shkak të veprës penale “Vjedhje e shërbimeve” pasi që në furrën “Bukë e Zemër”, i njëjti e kishte shfrytëzuar njehësorët e energjisë elektrike pa autorizim të KEDS-it, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës, e paraqitur nga i pandehuri R.M e ushtruar kundër aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, …. të datës, 05.08.2023, si e pa bazuar”, thuhet në vendimin e Themelores.

    Në vendimin e Themelores, thuhet se mbrojtësi i të akuzuarit Muharremi, avokati Mahmut Halimi brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës, me pretendimin se njehësori elektrik i vendosur në biznesin e tij ishte i bllombuar dhe i paprekur nga askush.

    Mbi këto arsye, avokati Halimi ka kërkuar që të hudhet aktakuza pasi që nuk është arritur që të vërtetohet dashja e të mbrojturit të tij për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e shërbimeve”.

    Pas analizimit të kërkesës së avokatit Halimi dhe përgjigjes në ankesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Themelorja ka ardhur në përfundimin se duhet që të lëshohen në shqyrtim gjyqësor dhe pas administrimit të provave, do të vërtetohet fajësia ose pafajësia e të akuzuarit Muharremi.