ATV

Category: Lajme

  • Nga sot gomat e dimrit të obligueshme, kaq është dënimi nëse nuk i keni të vendosura

    Nga sot gomat e dimrit të obligueshme, kaq është dënimi nëse nuk i keni të vendosura

    Ndërrimi i gomave të verës me ato të dimrit në veturë për të gjithë shoferët do të fillojë nga sot dhe do të zgjasë deri më datën 15 mars.

    Të gjithë shoferët pa marrë parasysh kushtet atmosferike, duhet t’i zëvendësojnë gomat e verës me ato të dimrit, si dhe të pajisen me pajisje të tjera dimërore.

    Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën ndërmjet 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore.

    Shoferi, që drejton automjetin pa pajisje dimërore, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh.
    Sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

    Edhe pse ligji i Kosovës për rregullat e trafikut rrugor parasheh ndërrimin e gomave të verës me ato të dimrit nga data 15 nëntor deri 15 mars, ekspertët e ndryshëm ndërkombëtarë thonë se posa temperaturat të bien më pak se 7 gradë, ju duhet t’i vendosni gomat e dimrit për të pasur një fërkim, frenim dhe mbajtje më të mirë.

    Gomat e sotme të dimrit jo vetëm se janë të dizajnuara të performojnë mirë në dëborë, por performojnë mirë edhe në asfalt të ftohët.

    Për sigurinë tuaj dhe të pasagjerëve, vendosni goma të cilat i përshtaten veturës suaj, dhe, keni parasysh: gomat e dimrit duhet të vendosen që të katërtat për të pasur një kontroll dhe stabilitet më të mirë të veturës, përndryshe, nëse i vendosni vetëm dy gomat e para apo dy gomat pas, ju do ta rrezikoni veten.

    Rikujtojmë se thellësia e vijave të gomës për përdorim të dimrit duhet të jetë më e madhe se 4 milimetra.

  • Scholz: Po punojmë të zgjidhim situatën e vështirë mes Kosovës e Serbisë

    Scholz: Po punojmë të zgjidhim situatën e vështirë mes Kosovës e Serbisë

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se janë duke punuar shumë që ta zgjidhin situatën që ai e ka cilësuar si “vërtet të vështirë” mes Kosovës dhe Serbisë.

    Duke folur në një konferencë shtypi me kryeministrin grek të martën, Scholz ka thënë se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit të Ballkanit, Berlini është në anën e procesit të anëtarësimit në BE.

    “Po punojmë shumë për ta zgjidhur situatën vërtet të vështirë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi gjithmonë në anën e procesit të anëtarësimit”, ka thënë Scholz, transmeton DW.

    Scholz bashkë me liderët e tjerë evropianë u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 26 tetor në Bruksel në përpjekje për të bindur liderët e Kosovës dhe Serbisë për zbatim të marrëveshjeve. Aty u paraqit draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e pranoi Kurti, por kërkoi nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, të cilën refuzoi ta bënte Vuçiqi.

  • LDK-ja organizon tryezë për projektbuxhetin e vitit 2024

    LDK-ja organizon tryezë për projektbuxhetin e vitit 2024

    Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës sot do të organizojë tryezë diskutimi për projektbuxhetin e vitit 2024.

    Sipas njoftimit për media nga kjo parti, thuhet se tryeza do të mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, duke filluar nga ora 14:00.

  • KQZ-ja organizon tryezën për ndryshimet në ligjin për zgjedhjet dhe për pjesëmarrjen gjinore në këshillat e vendvotimeve

    KQZ-ja organizon tryezën për ndryshimet në ligjin për zgjedhjet dhe për pjesëmarrjen gjinore në këshillat e vendvotimeve

    Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon tryezën për pjesëmarrjen e barabartë gjinore në trupat menaxhuese të zgjedhjeve (Komisione Komunale të Zgjedhjeve dhe Këshilla të Vendvotimeve).
    Po ashtu, në këtë tryezë do të diskutohet edhe për ndryshimet ligjore në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
    Sipas agjendës, përveç kryetarit të KQZ-së, edhe shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Davenport do të mbajë një fjalë rasti.
    Në këtë tryezë do të marrin pjesë përfaqësues të subjekteve politike, gra deputete që përfaqësojnë subjekte politike në Kuvendin e Kosovës, Agjencisë për Barazi Gjinore, PZAP-it, organizatave ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile dhe të mediave.
  • Inspeksioni mbyll nëntë qendra masazhi në Prishtinë

    Inspeksioni mbyll nëntë qendra masazhi në Prishtinë

    Inspektorati i Tregut, në kuadër të MINT-it, ka mbyllur përkohësisht nëntë qendra masazhi, të cilat ushtronin veprimtari ilegale.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë realizuar inspektime në 17 lokacione në Prishtinë.

    “Sot, gjatë orëve të mbrëmjes, Inspektoriati i Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz) dhe inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë realizuar inspektime të përbashkëta në 17 lokacione në Prishtinë, ku cak ishin qendrat e masazhit, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së tyre”, thuhet në njoftim.

    “Si rezultat i këtyre inspektimeve, Inspektorati i Tregut ka bërë mbylljen e përkohshme të 9 lokaleve ku ushtrohej veprimtaria e masazhave”, vijon njoftimi.

    Ndaj këtyre operatorëve ekonomikë, pritet t’u shqiptohen masa ndëshkuese.

    Pronarët e bizneseve janë të obliguar të paraqiten në Inspektorat.

  • Kurti: Unë në opozitë i kam votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare, tani opozita nga 10 s’po e voton asnjë

    Kurti: Unë në opozitë i kam votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare, tani opozita nga 10 s’po e voton asnjë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në, mos votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e opozitës po shkon në dëm të qytetarëve.
    Ai tha se në kohën sa ishte në opozitë për rreth një dekadë, kishte votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare.

    “Janë 10 marrëveshje ndërkombëtare të bllokuara në Kuvendin e Republikës. Deri vonë kanë qenë 360 milionë euro, tash janë 380 milionë euro, sepse është edhe kjo marrëveshja me Bankën Botërore për kredi 20 milionë euro për digjitalizim, pra 380 milionë euro, 10 marrëveshje ndërkombëtare janë të bllokuara dhe mos përgjigjet në pyetjet parlamentare nuk janë shkaku për pasoja. Kur kam qenë në opozitë për gati një dekadë, unë i kam votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare. Vetëm tri nuk i kam votuar, që i bie më pak se një për qind. Ndërkaq tash 10 marrëveshje, nuk e votojnë asnjërën dhe ato mjete ngelen të bllokuara që është keq për qytetarët”, tha Kurti. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: Qëndrimi i im për shtesat e rrezikshmërisë është racional, NJSI do t’i ketë 150 euro në muaj dhe nuk është pak

    Kurti: Qëndrimi i im për shtesat e rrezikshmërisë është racional, NJSI do t’i ketë 150 euro në muaj dhe nuk është pak

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në, komentoi vendimin e Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Ai tha se qëndrimi i tij është racional dhe se shtesat që do t’i marrin pjesëtarët e Policisë së Kosovës, nuk janë pak.

    “Unë do t’i takoj po sa të kthehem, do të thotë këtë javë që vjen dhe kjo 150 euro është. deri vonë kemi pasur pagën minimale për personat nën 35 vjeç 130 euro, për ata mbi 35 vjeç i kemi pasur 170 euro. Kjo është shtesë e rrezikshmërisë dhe rrezikshmërinë ne do ta zvogëlojmë jo veç me shtesa, por me pajisje gjithnjë e më moderne për pjesëtarët e Njësisë Speciale Internuese për të cilët unë jam shumë mirënjohës për kontributin që japin, por zgjidhja duhet të jetë racionale në Kosovë dhe nëse e shikoni me e krahasu me bruto produktin vendor për kokë banori, është mbi vendet e Evropës Perëndimore”, tha Kurti. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Ankesa për “superpunën”, Qeveria nuk i ekzekutoi pagat për disa punëtorë

    Ankesa për “superpunën”, Qeveria nuk i ekzekutoi pagat për disa punëtorë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dalmat Ismaili nga Ferizaj para 5 muajve u punësua përmes platformës qeveritare “Superpuna”. Por, jo gjithçka i shkoi siç e mendoi, pasi Qeveria nuk ia ekzekutoi pagën siç edhe e parashihte kontrata.

    Për tërë këta muaj punë, ai u pagua vetëm një herë nga Qeveria.

    Por jo vetëm ky, në rrjete sociale vazhdimisht publikohen ankesa të qytetarëve për mosekzekutim të pagave nga ana e Qeverisë, siç edhe e parasheh platforma.

    Sidoqoftë, Qeveria vazhdimisht e vlerëson si sukses të madh çështjen e punësimeve përmes “Superpunës”.

    Madje, sipas Ministrit të Financave, Hekuran Murati, deri më tani përmes kësaj platforme janë punësuar mbi 7.700 të rinj.

    Por, sipas ekonomistëve këto shifra nuk janë të sakta dhe një platfromë e tillë nuk e zgjidh problemin e papunësisë.

    E meqë kontrata është për gjashtë muaj, Dalmat Ismailit tani i ka mbetur vetëm dhe një muaj punë, teksa nuk di se çfarë do të bëhet më pas.

    Sido që të jetë, Ministria e Financave nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit lidhur me ankesat e qytetarëve, veçanërisht për mosekzekutim të pagesave.

  • Masat ndëshkuese të BE-së, Kurti: Kosova nuk ka faj, për këtë po pajtohen të gjithë faktorët ndërkombëtarë

    Masat ndëshkuese të BE-së, Kurti: Kosova nuk ka faj, për këtë po pajtohen të gjithë faktorët ndërkombëtarë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në pas përfundimit të Forumit të Paqes në Paris, tha se masat ndëshkuese kundër Kosovës janë vendosur nga BE-ja për çështjen e de-eskalimit të situatës në veri të vendit.

    Sipas tij, de-eskalimi ka ndodhur, mirëpo në anën tjetër thotë ai, ka ndodhur ri-eskalim për të cilën Kosova nuk ka faj.

    “Çështja e masave ndëshkuese kundër Kosovës ka të bëjë përgjithësisht me çështjen e de-eskalimit që në veri të Kosovës mund të themi që ka ndodhur, mirëpo në anën tjetër kishim ri-eskalim për të cilin sërish Kosova nuk ka faj. De-eskalimi ka ndodhur në verën e këtij viti, kanë rënë edhe incidentet, edhe protestat e dhunshme. Ne e kemi përgjysmuar policinë në ndërtesa të komunave dhe në afërsinë e tyre dhe në këtë mënyrë, de-eskalimi që është kërkuar tashmë ka ndodhur”, tha Kurti.

    Ai tregoi se Kosova ka ofruar edhe zgjidhjen ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit.

    “Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, ne kemi ofruar zgjidhje ligjore që është neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, i cili parasheh që 20 për qind të qytetarëve në një komunë bëjnë një peticion dhe shkaktojnë një votim të përgjithshëm ku me 50 për qind plus një, ia përfundojnë mandatin kryetarit aktual dhe shkaktojnë zgjedhje të parakohshme. Ne jemi plotësisht dakord me këtë gjë, sepse edhe ashtu legjitimiteti nuk ka qenë i plotë i tyre, por duhet që zgjidhja të jetë ligjore”, tha Kurti.

    Ai tha se për ri-eskalimin e situatës me Serbinë, të gjithë faktorët ndërkombëtarë po pajtohen se jo vetëm që Kosova nuk ka faj.

    “Faji është tek Beogradi, i cili ka mbështetur logjistikisht, financiarisht, ushtarakisht edhe me armatim edhe me trajnime luftarake, grupin terrorist të Milan Radojiçiqit, i cili ishte vetëm disa orë në burg ose stacion të policisë para se të lirohej dhe sot të jetë sikur çdo qytetar tjetër i Serbisë, që është e patolerueshme për neve, e besoj që të jetë edhe për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Kurti. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti tregon çka përfiton Kosova nga marrëveshja të cilën e ka pranuar

    Kurti tregon çka përfiton Kosova nga marrëveshja të cilën e ka pranuar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në pas përfundimit të Forumit të Paqes në Paris, tha se nga marrëveshja bazike, Kosova përfiton njohjen de facto nga ana e Serbisë, por kjo e fundit sipas tij, nuk po e zbaton dhe po e shkelë atë.

    “Marrëveshja bazike është njohje de facto. Problemi është që Serbia nuk po e zbaton dhe po e shkelë. Marrëveshja bazike është njohje de facto. Ajo duhet respektuar dhe duhet zbatuar. Në vend që të respektohet dhe të zbatohet, Serbia as s’po e zbaton edhe po e shkelë. Nuk më përket e vetëm mua të flas si palë në anën tjetër të tryezës, i përket ndërmjetësve që ta thonë këtë gjë hapur”, tha Kurti.

    Ai kritikoi ndërmjetësuesit se nuk po e ndëshkojnë Serbinë për shkelje të marrëveshjes.

    “Nëse marrëveshja është valide, e pa tjetër që është valide, atëherë pala e cila e shkelë do të duhej ta dëgjonte vërshëllimën e arbitrit, referit që nuk guxon të vazhdohet me dhunim të marrëveshjes siç po bën presidenti i Serbisë, qoftë atëherë kur votoi me 24 prill kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës apo edhe atëherë kur po bënë sulme terroriste e kriminale e që i sponsoron sikurse në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator”, tha Kurti.

    Ai thotë se mos nënshkrimi i kësaj marrëveshje është keqpërdorur nga Beogradi.

    “Unë kam insistuar në nënshkrim për shkak se pikërisht, mos nënshkrimi është keqpërdorur nga Beogradi. Ne kemi marrëveshje dhe ajo është pjesë e konkluzioneve të mbledhjeve të Këshillit Evropian, mirëpo Serbia edhe po e shkelë edhe nuk po e zbaton. Nënshkrimi është ai i cili praktikisht i anulon shkeljet e më hershme dhe parandalon shkelje të reja. Kjo është arsyeja pse unë kam insistuar, përveç faktit që me 9 shtator të vitit të kaluar, kur ma kanë sjellë draftin e parë të marrëveshjes bazike, gjithmonë është folur se në fund bëhet fjalë për një normalizim midis palëve kontraktuese që merren vesh me nënshkrimin që japin. Pra unë kam pranuar të nënshkruaj, mirëpo nënshkrimi është pranim dhe është garancion për zbatim”, tha Kurti. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë: