ATV

Category: Lajme

  • Ambasadori Malaj: Në vitin 2024, Shqipëria do të rrisë prezencën e KFOR-it në Kosovë

    Ambasadori Malaj: Në vitin 2024, Shqipëria do të rrisë prezencën e KFOR-it në Kosovë

    Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka theksuar se rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është ajo e dialogut.

    Këto komente i ka bërë Malaj pas një takimi që pati me Komandantin e KFOR, Gjeneralmajor Ozkan Ulutas.

    Malaj thotë se ia ka konfirmuar Komandantit të KFOR, se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë KFOR, pasi vendi ynë e ka Kosovën në prioritetin më të lartë. “Po kështu, kjo mbështetje do të vijojë pasi në vitin 2024, Shqipëria do të rrisë prezencën e saj”

    “I shoqëruar nga Atasheu Ushtarak Kolonel Altin Kurti, zhvillova një takim miqësor me Komandantin e KFOR, Gjeneralmajor Ozkan Ulutas. Gjatë këtij takimi biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë. Gjeneralmajor Ulutas falënderoj Shqipërinë për mbështetjen që i jep KFOR-it. I konfirmova se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë KFOR, pasi vendi ynë e ka Kosovën në prioritetin më të lartë. Po kështu, kjo mbështetje do të vijojë pasi në vitin 2024, Shqipëria do të rrisë prezencën e saj. Gjithashtu, i bëra të ditur se rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është ajo e dialogut”, ka shkruar ai në faqen e tij në ‘Facebook’.

  • Shefi i NATO-s: Nuk mund të lejojmë që Putini të fitojë

    Shefi i NATO-s: Nuk mund të lejojmë që Putini të fitojë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka riafirmuar mbështetjen për Ukrainën dhe tha se Vladimir Putin nuk mund të lejohet të fitojë luftën.

    Duke folur pas një takimi me ministrat e mbrojtjes të BE-së në Bruksel, Jens Stoltenberg tha: “Situata në fushën e betejës është e vështirë.

    “Dhe kjo thjesht e bën edhe më të rëndësishme që ne të mbështesim dhe të rrisim mbështetjen tonë për Ukrainën, sepse ne nuk mund të lejojmë që presidenti Putin të fitojë, shkruan Sky News.

    “Ukraina duhet të mbizotërojë si një komb sovran i pavarur në Evropë dhe është në interesin tonë të mbështesim Ukrainën”.

  • Gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 29 aktakuza

    Gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 29 aktakuza

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur   njëzetenëntë (29) aktakuza kundër njëzetenëntë (29) personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tetë (8) persona dhe janë paraqitur dhjetë (10) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë  (10) personave.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar pesë (5) persona, ka paraqitur pesë (5) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë (5) personave, dhe ka ngritur nëntë (9) aktakuza kundër nëntë (9) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) personave dhe ka ngritur tetë (8) aktakuza kundër tetë (8) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve me urdhër të prokurorit ka ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orëve, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë 24 orëve ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi, si dhe ka ngritur  shtatë (7) aktakuza kundër shtatë (7) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve me urdhër të prokurorit ka ndaluar dy (2) persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi si dhe ka ngritur dy (2) aktakuza kundër dy (2) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi dhe ka ngritur tri (3) aktakuza kundër tre (3) personave, për vepra të ndryshme penale.

  • Aliu: 135 mijë euro për renovimin e pesë shkollave të Komunës në Shtime

    Aliu: 135 mijë euro për renovimin e pesë shkollave të Komunës në Shtime

    Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu bashkë me drejtoreshën e Arsimit, Yllka Fejzullahu, kanë vizituar shkollën e mesme IAAP, që bashkë me shkollat “Emin Duraku” në Shtime, “Hasan Prishtina” në Godanc, “Bajram Curri” në Petrovë dhe shkolla në Davidovc janë renovuar këtë vit në vlerë 135.000 euro.

    Sipas kryetarit Aliu ky investim do të krijohen kushte më të mira e hapësira më të përshtatshme për mësimdhënie e mësimxënie.

    “Bashkë me drejtoreshën e Arsimit, Yllka Fejzullahu, vizituam shkollën e mesme IAAP, që bashkë me shkollat “Emin Duraku” në Shtime, “Hasan Prishtina” në Godanc, “Bajram Curri” në Petrovë dhe shkolla në Davidovc janë renovuar këtë vit në vlerë 135.000 euro, investim nga i cili do të krijohen kushte më të mira e hapësira më të përshtatshme për mësimdhënie e mësimxënie. Urime nxënësve e arsimtarëve dhe suksese në misionin e tyre të shenjtë”, ka shkruar në Facebook Aliu.

  • Shoqëria civile reagon: Të shuhet ndërmarrja publike NKEC dhe të ndalet politizimi dhe kapja e saj

    Shoqëria civile reagon: Të shuhet ndërmarrja publike NKEC dhe të ndalet politizimi dhe kapja e saj

    Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me mosveprimin e Qeverisë së Kosovës në raport më ndërmarrjen publike Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC), e cila kryen shpenzime buxhetore nga paratë publike, ndonëse nuk kryen asnjë funksion në tregun e energjisë në Kosovë.

    “NKEC ishte themeluar për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, marrëveshje në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, projekt ky tashmë i anuluar. Megjithatë, NKEC nuk ka nisur asnjëherë operimin efektiv, duke mos mbuluar asnjë pjesë në tregun e energjisë në vend, përkundër prezentimit të planeve të biznesit tek Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (Njësia) pranë Ministrisë së Ekonomisë në vitet 2020 dhe 2021”, thuhet në reagim.

    Sipas komunikatës, në vitin 2020, edhe Zyra Kombëtare e Auditimit kishte rekomanduar që në rast të anulimit të projektit “Kosova e re”, “bordi i drejtorëve në bashkëpunim me Qeverinë (aksionarin) duhet të kenë vizion të qartë se si do të jetë e ardhmja e ndërmarrjës …”, duke marrë parasysh se i gjithë fushëveprimi i kësaj ndërmarrjeje ndërlidhej me realizimin ose jo të një projekti të vetëm (“Kosovës së re”). Përkundër kësaj, Qeveria duke mos e mbyllur këtë ndërmarrje ose duke mos i dhënë rol tjetër në tregun e energjisë, po lejon që ajo të jetë barrë buxhetore për vendin. Sipas deklarimeve në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), vetëm kosto e pagesave për anëtarët e bordit dhe stafit të ndërmarrjes për vitin 2022, kap vlerën e rreth 96 mijë eurove, ndërsa vetëm Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje kishte pagë mujore prej 2,000 euro.

    “Në komunikatën e datës 27 mars 2019 të subjektit politik që sot qeveris me vendin ishte thënë se NKEC “do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.” Për më tepër, në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës emëroi anëtarët e ri të bordit të kësaj ndërmarrje, pas shkarkimit të bordit të vjetër, pavarësisht që ndërmarrja mbetet jo aktive. Për më tepër, në bordin aktual ka anëtarë të emëruar në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike. Anëtarja e bordit, znj. Elvisa Destanovic ka garuar me iniciativën “INICJATIVA BOSNJACKOG JEDINTSVA” në garën për zgjedhjet komunale për Kuvendin e Istogut në vitin 2021. Sipas Ligjit për Ndërmarrjet publike, askush nuk mund të emërohet në Bordin e Drejtorëve nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike””, thuhet në komunikatë.

    Në fund thuhet se marrë parasysh argumentet e lartpërmendura, përmes këtij reagimi, CorrËatch kërkon që Qeveria e Kosovës të vendosë sa më shpejtë lidhur me këtë ndërmarrje, nëse dëshiron t’i ngarkojë një rol në sektorin e energjisë ose ta mbyllë krejtësisht atë, meqë e njëjta është barrë buxhetore e shtetit të Kosovës.

  • Kur planifikohen të blihen katër helikopterët e parë për FSK-në, Ministri i Mbrojtjes jep detaje

    Kur planifikohen të blihen katër helikopterët e parë për FSK-në, Ministri i Mbrojtjes jep detaje

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se në invertarin e pajisjeve me armatim dhe automjete për Forcën e Sigurisë së Kosovës parashihen edhe helikopterët.

    Maqedoni tha se një flotë e helikopterëve parashihet të blihet, të prokurohet gjatë fazës së fundit që është faza 2025-2028.

    “Ne fillimisht do të kemi flotën prej katër helikopterëve që do të jenë multi-funskional dhe përveç aspektit të mbështetjes ushtarake, do të jenë edhe transportues”, tha Maqedonci.

    Ministri tha më tej se tashmë e kanë personelin e trajnuar për këtë.

    “I kemi pilotët e certifikuar dhe diplomuar për këtë çështje…”, tha ai.

    Duke folur për planifikimet për pajisjen me armatim, ministri tha se nuk janë paraparë tanket.

    “Tanku është mjet kryesisht që mundëson sulme, ofensiva… dhe ne jemi të drejtuar në aspektin e mbrojtjes…”, tha ndër të tjera ai.

    Po ashtu, Maqedonci tha se përveç dronëve, janë blerë edhe shumë sisteme tjera të armatimit e municioneve.

    “Jo vetëm dronët, por të gjitha sistemet e armatimit që i kemi në dispozicion, testohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu, përdoren edhe për t’u trajnuar, ushtarët trajnohen për të operuar si mjet, po edhe si ekip. Byraktarët kanë fluturuar mbi qiellin e Kosovës. Jo vetëm dronët Bayraktar, por janë blerë shumë sisteme të armatimit, shumë municione dhe në aspektin e automjeteve taktike të cilat kanë qenë të planifikuara të blihen në faza më të vonshme”, deklaroi Maqedonci.Më tej, Maqedonci tha se nga mbështetja e vazhdueshme e Qeverisë Kurti, blerja e këtyre dronëve është blerë para kohe, madje me buxhet shtesë.

    “Nuk mund të thuhet çështja e numrit apo çështjet teknike të blerjes së dronëve “Bayraktar”. Mund të themi që është kapacitet që është i planifikuar në tabelën organizative të pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pra, është një kapacitet i parashikuar më herët dhe që është blerë para kohe si mbështetje që e kemi pasur nga Qeveria e Kosovës, pra nga kryeministri Kurti, me buxhet shtesë në këtë çështje”, shtoi tutje ministri i mbrojtjes në Tëvë1.

  • Arrestohet në Kosovë një i kërkuar nga autoritetet gjermane, i dyshuari kishte dy palë dokumente me identitete të ndryshme

    Arrestohet në Kosovë një i kërkuar nga autoritetet gjermane, i dyshuari kishte dy palë dokumente me identitete të ndryshme

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në një hotel në Prishtinë është arrestuar një person që kërkohej nga autoritetet gjermane.

    Të dyshuarit i janë gjetur dy palë dokumente (jordaneze e gjermane), por me identitet të ndryshëm, përfshirë moshën në njërin dokument figuronte si 26 vjeçar e në tjetrin 23 vjeçar.

    Ai është dërguar në mbajtje.

    Komunikata e plotë:

    Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, ka pranuar një kërkesë për bashkëpunim nga Gjermania. Kërkesa është përcjellë për zbatim te Departamenti i Policisë Kufitare të PK-së.

    Në kërkesë të ardhur nga Gjermania kërkohej bashkëpunim në ndalim e një personi të dyshuar për autoritetet gjermane. I dyshuari, i kërkuar nga autoritete gjermane ishte me shtetësi jordaneze dhe gjermane.

    Hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, pas një pune hetimore-operative kanë arritur që në një hotel në Prishtinë të lokalizojë vend-ndodhjen e personit të cilin ishin duke u kërkuar.

    I dyshuari mashkull është arrestuar dhe është gjetur se ai posedon dy palë dokumente (jordaneze e gjermane), por me identitet të ndryshëm, përfshirë moshën në njërin dokument figuronte si 26 vjeçar e në tjetrin 23 vjeçar.

    Hetuesit policorë të dyshuarin e kanë shoqëruar në zyre të FAST Kosova për të vazhduar me procedurat e parapara në raste të tilla. Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore të Departamenti i Përgjithshëm në Prishtinë i dyshuari dërgohet në mbajtje.

  • Afro 1 mijë pacientë vizitojnë Klinikën e Endokrinologjisë brenda vitit

    Afro 1 mijë pacientë vizitojnë Klinikën e Endokrinologjisë brenda vitit

    Mbi 800 pacientë kanë vizituar gjatë këtij viti Klinikën e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku 510 prej tyre janë me diabet. Rreth 75 për qind prej tyre janë diagnostikuar me diabet melit (sëmundjen e sheqerit), ku mbi 90 për qind e tyre janë me diabet të tipit 2, ndërkaq të tjerët me diabet tip 1 dhe diabet gjatë shtatzënisë.

    Kështu thotë në intervistë për KosovaPress, drejtoresha e Endokrinologjisë, Merita Sadiku, derisa potencon se gjinia femërore dominon me këtë sëmundje, krahasuar me meshkujt.

    “Ne si klinikë e Endokrinologjisë brenda vitit i kemi mbi 800 pacientë, ndryshon vitin 2021 nga viti 2022, në vitin 2023. Në vitin 2022 ka qenë vit i plotë, kanë qenë 820 pacientë. 75 për qind e këtyre pacientëve janë me diabet melit, sëmundjen e sheqerit, diku 92 për qind janë me diabet tip 2.5 % për qind me diabet tip 1, dhe 3 për qind me diabet gjatë shtatzënisë. Femrat dominojnë në krahasim me meshkujt, diku 53 për qind, 47 për qind janë meshkuj. Kohëzgjatja e pacientëve me sëmundjen e sheqerit të shtuar në klinikë është mbi 11 vite… Ndërsa mosha mesatare e pacientëve është 63 vite, që është moshë e pjekur ose moshë e shtyrë”, thotë Sadiku.

    Sadiku thotë se sëmundja e diabetit ashtu si në tërë botën, edhe në Kosovë është në rritje e sipër. Sipas saj, shkaktarët kryesor janë mos ushqyerja me rregull, mungesa e aktivitetit fizik, prania e stresit etj.

    Siç thotë ajo, në Kosovë dominojnë pacientët me diabet tip 2, të cilit fillimisht trajtohen me barna e më pas edhe me insulinë.

    “Sëmundja e diabetit apo e sheqerit është sëmundje kronike e cila në të gjithë botën, po ashtu edhe në Kosovë është në rritje e sipër. Kjo jo për shkak të faktit se mungojnë mjekët ose mungojnë mjetet diagnostike ose terapeutike, por vetë ecuria e sëmundjes është e tillë, sepse pacientët jo të gjithë ose njerëzit ushqehen ashtu siç duhet, aktivitet fizik kanë më pak, stresi sa më shumë që po vjen duke u rritur. këta janë faktorët që e rritin numrin e pacientëve me diabet. Edhe në Kosovë dominojnë pacientët me diabet tip 2, që pacientët që fillimisht trajtohen me barna, pastaj vjen një kohë kur trajtohet me insulinë. Ndërsa me diabet Tip 1 janë më pak e po ashtu me diabet gjatë shtatzëninë edhe më pak”, potencon Sadiku për KosovaPress.

    Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Sadiku thotë se sipas një analize 19 mujore të bërë nga janari 2021 deri në korrik të vitit 2022, tregon se sëmundja e sheqerit shkakton shumë komplikime kronike. Ajo tregon se nga ky hulumtim del se mbi 60 për qind kanë sëmundje kardiovaskulare, 53 për qind neuropati diabetike, ndërsa rreth 25 për qind sëmundje të veshkave nga diabeti. Ajo shton se me këmbë diabetike kanë rezultuar 7.5 për qind.

    “Nga kjo analizë 19 mujore prej janari 2021 deri në korrik të vitit 2022, i kemi analizuar të gjithë pacientët me diabet, çfarë lloj të komplikimeve kanë. Sëmundja e sheqerit ka shumë komplikime kronike…kur ka dëmtime në sy dëmtime në veshka, dëmtime në zemër. Nga krejt këto i kemi nxjerrë të dhënat, diku mbi 60 për qind kanë sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të syve kanë 39.5 për qind, neuropati diabetike 53 për qind, neuropati apo sëmundje të veshkave nga diabeti 24.7 për qind…Edhe këmbë diabetike 7. 5 për qind”, thekson Sadiku.

    Ndryshe, dje është shënuar Dita Botërore e Diabetit, ku edhe në Kosovë ka pasur aktivitete për nder të saj.

    Diabeti është një sëmundje kronike metabolike e karakterizuar nga nivele të larta të glukozës në gjak, e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave. Më i zakonshmi është diabeti i tip 2, zakonisht tek të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 422 milionë njerëz në mbarë botën kanë diabet, shumica jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, dhe 1.5 milionë vdekje i atribuohen drejtpërdrejt diabetit çdo vit.

  • Kërkoheshin nga autoritetet austriake, arrestohen në Kosovë dy të dyshuarit

    Kërkoheshin nga autoritetet austriake, arrestohen në Kosovë dy të dyshuarit

    Dje janë arrestuar dy persona, mdaj të cilëve ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar nga Austria.

    Policia njofton se janë kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme dhe gjatë kontrollit janë sekuestruar një sasi e stolive të arit, dy automjete dhe 156 fishekë.

    Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “VJEDHJE E RËNDË- Austri 12.12.2022-15.01.2023. Lidhur me rastin, njësitë policore në koordinim me prokurorinë dhe gjykatën kompetente, me datë 14.11.2023 kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, ndaj të cilëve ishte i lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për veprat penale të kryera në Austri, si dhe kanë kryer bastisje ne 4 lokacione të ndryshme ne rrethinën e Prishtinës. Gjatë bastisjeve, në cilësi të dëshmive materiale janë sekuestruar një sasi e stolive të arit, dy automjete si dhe 156 fishek të kalibrit 9 mm. Të dyshuarit me aktvendim te prokurorit kompetent janë dërguar ne mbajtje”.

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj gruas së tij, arrestohet një person në Junik

    Ushtroi dhunë fizike ndaj gruas së tij, arrestohet një person në Junik

    Një person është arrestuar të martën në Junik , pasi dyshohet se e ka rrahur bashkëshorten e tij.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Mbi supet e të dyshuarit rëndon akuza për veprën penale “Dhunë në familje”, njofton policia.