Gjithsej 39 të burgosur palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite në këmbim të një grupi pengjesh të mbajtura nga Hamasi të premten në mbrëmje, raporton BBC.
Marrëveshja – e ndërmjetësuar nga Katari – përfshin armëpushim katërditor. Ata akuzohen për një sërë veprash, nga gjuajtja me gurë deri te tentativa për vrasje. Disa u dënuan ndërsa të tjerët ishin në pritje të gjykimit.
Grupi prej 24 femrash dhe 15 djemsh adoleshentë u lirua nëpër pikën e kontrollit Beituniya në Bregun Perëndimor të okupuar. Ata më pas do të lejohen të kthehen në shtëpi, sipas shërbimit të burgut të Izraelit. Të arrestuarit u zgjodhën nga një listë prej 300 grave dhe të miturve të përpiluar nga Izraeli.
Më pak se një e katërta e atyre në listë janë dënuar – shumica dërrmuese po mbahen në paraburgim në pritje të gjykimit. Shumica e të listuarve janë djem adoleshentë – 40% e tyre nën moshën 18 vjeç. Ka gjithashtu një vajzë adoleshente dhe 32 gra.
Hamasi liroi gjatë ditës së sotme 13 pengje izraelite, si pjesë e marrëveshjes. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe për tre ditë.
Sot do të inaugurohet busti i heroit kombëtar, Hasan Prishtina, në Prishtinë.
Inaugurimi i bustit të heroit të kombit do të bëhet nga fondacioni “Hasan Prishtina”, ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore nga Kosova e Shqipëria.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni pritet të jenë kryeministri i vendit, Albin Kurti, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e personalitete të tjera.
Ka më shumë se dy muaj që telefoni në bazën e zjarrfikësve në Lipjan është jashtë funksionit.
Për shkak të mosshlyerjes së borxhit, thirrjet urgjente bëhen në Polici, e më pas zyrtarë të stacionit policor në Lipjan duhet t’i drejtohen bazës së zjarrfikësve për t’i njoftuar.
Duke treguar për rëndësinë e një telefonate, kryetari i sindikatës së zjarrfikësve, Muharrem Beka, thotë se ky problem duhet të rregullohet sa më parë.
Për mosshlyerjen e borxhit për dy muaj dhe se kur do të rifunksionalizohet lidhja në bazë, televizioni ka insistuar të marrë përgjigje dy ditë radhazi në Komunën e Lipjanit, por askush nuk ka dhënë përgjigje.
Afro 15 kilometra larg Suharekës, në udhëkryqin që lidh fshatrat: Budakovë, Jezerc e Devetakë, është gjetur vetura që përdorën grabitësit e argjendarisë të mërkurën mbrëma.
Megjithatë, 4 të dyshuarit vazhdojnë të jenë në arrati, derisa hetimet për rastin vazhdojnë. Ndërkohë, Policia ende nuk i ka arrestuar as të dyshuarit për grabitjen në Ferizaj.
Duke llogaritur grabitjet e njëpasnjëshme, njohës të punës së Policisë dhe drejtësisë sugjerojnë që hetimet duhet të intensifikohen.
“Kjo tregon se nuk kanë të dhëna konkrete. Dhe grupi tani trimërohet dhe mund të pritet një tjetër grabitje…”, tha Rrahman Sylejmani, kolonel në pension.
“Po shohim shtimin e grabitjeve dhe natyrisht që shteti duhet të vihet në lëvizje për t’i përfunduar në kohë optimale hetimet. Në të kundërtën do të kemi inkurajim për grupet kriminale”, tha Valdet Hoxha, avokat, ish-zëvendësministër i mbrojtjes.
Përveç intensifikimit të hetimeve, me qëllim të menaxhimit më të mirë në raste të tilla, propozohet që krahas trajnimeve policëve t’u vihen në dispozicion armë të gjata.
“Paralelisht me hetimet do të duhej që të trajnohen policët për përdorimin e armëve të gjata nga ana e policisë dhe pajisjen e menjëhershme të stacioneve policore, sepse një reagim me kohë…”, tha Hoxha.
“Policia e Kosovës duhet të veprojë në dy drejtime, e para duhet të krijojë një task-forcë e cila merret me veprimet e tilla, por në anën tjetër do të duhej që departamenti për siguri publike të ketë një shtim më të madh të personelit policor, të uniformuar edhe civil”, tha njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.
Në grabitjen në qendër të Suharekës, grabitësit vodhën ar në vlerë prej 200 mijë eurosh dhe plagosën një polic.
Dy muaj kohë, sipas kryeministri Albin Kurti janë të mjaftueshme për hetime të detajuara lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Përtej kësaj, shefi i Qeverisë theksoi nevojën për ndëshkim të Serbisë, siç tha, që ajo të mos përsëritet më.
“Në një situatë si ajo e Zveçanit, ato janë tri gjëra që paraqesin të njëjtën gjë, duke mbrojtur ligjin, ne mbrojmë edhe sovranitetin dhe garantojmë siguri… Për të mos ndodhur kjo është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së në njërën anë, por edhe sanksionet, masat ndaj Serbisë, në anën tjetër. Nuk mund ta tolerojmë, durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, si sulm terrorist e kriminal, për këtë arsye duhet të veprohet sot e jo nesër. Për këtë u bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë ta shtrojmë çështjen, kanë kaluar 2 muaj”, tha Kurti.
Kurti përmendi edhe mosgatishmërinë e Serbisë për nënshkrim të marrëveshjeve, teksa shtoi se Serbia nuk është e interesuar për paqe.
“Pasnesër bëhen nëntë muaj prej se në Bruksel përfundimisht jemi dakorduar për marrëveshjen bazike, gjatë këtyre nëntë muajve, Serbia i ka shkelur së paku tetë nga 11 nenet e marrëveshjes bazike. Në kushtet kur kemi këso shkeljesh të marrëveshjes, konsiderojmë që aq më tepër nënshkrimi i saj është i domosdoshëm, sepse është nënshkrimi ai që anulon shkeljet dhe garanton pranim dhe zbatim të qëndrueshëm”, tha Kurti.
I pyetur për draft statutin e Asociacionit, dhe deklaratat e presidentes se ai ka dykuptimësi, Kurti shtoi se ai mund të publikohet vetëm nga emisarët, pasi ishte kërkese e tyre për mospublikim.
Kreu i ekzekutivit pati kritika për Serbinë, për të cilën tha se ka dëshmuar se Asociacionin synon ta bëjë kundër Kosovës e jo për serbët që jetojnë në vend.
7 mijë e 500 euro është raportuar se është paga me të cilën artisti Gani Jakupi paguhet nga Qeveria, për pozitën e këshilltarit në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës.
Jakupi i cili me vite jeton në Spanjë, është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike.
Ndërkaq, shefja e Jakupit e Bajramit thotë se pagesa është modeste.
“Me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore, është shumë modeste për gjithë lobimin që bën. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë. Më vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushat të tillë”, tha ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla.
Derisa raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme, kryediplomatia kosovare pati debat të ashpër për 7 mijë e 500 eurot e Jakupit me deputeten e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi.
Artisti, Gani Jakupi ka lidhur kontratë me MPJD-në në qershor të këtij viti, edhe shpenzimet për angazhimin e tij paguhen nga buxheti i Kosovës, ka sqaruar gjatë ditës Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. MPJ-ja, madje, kontaktet e tij i quajti pasuri!
MPJ-ja sqaroi se kontrata është lidhur duke i respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj dhe se përzgjedhja e konsulentit është bërë duke u bazuar në nevojat specifike të projektit konkret.
Prokuroria Speciale e Kosovës është e bindur që Zlatan Arsiq, i cili gjatë 20 vjetëve të kaluara shërbeu në Policinë e Kosovës, ka kryer krime lufte në Kamenicë gjatë periudhës së luftës.
Sipas organit të akuzës, Arsiq, në bashkëpunim me pjesëtarë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, keqtrajtoi e kanosi me jetë Besim Muhaxherin.
Por, sipas Prokurorisë, gjatë provave që do të prezantohen në këtë gjykim, do të dëshmohet që ish-pjesëtari i Policisë mori pjesë edhe në dëbimin e torturimin e civilëve të tjerë shqiptarë në Kamenicë, gjatë marsit të vitit 1999.
Ndërsa, Arsiq duke u thirrur në kohën kur shërbente si Polic, mohon akuzat.
“Qe 20 vjet kam qenë polic i Kosovës në Kamenicë, e njoh Besimin dhe ai më njeh mua. Ajo me të cilën po ngarkohem nuk e kam bërë unë dhe nuk kam pasur problem me asnjë shqiptar”, tha Arsiq.
Megjithatë, mbrojtja nuk kontestoi se ngjarja ka ndodhur. Sipas mbrojtjes, megjithatë, nuk ka prova materiale që e inkriminojnë Arsiqin. Rrjedhimisht mbrojtja kërkoi që t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, ose të dorëzanisë.
“Jemi të gatshëm t’i deponojmë 30 mijë euro. Mbrojtja konsideron që Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë provë materiale”, tha Vasilije Arsiq, avokat i Zlatan Arsiqit.
Gjykata ka refuzuar propozimin e mbrojtjes, i cili u kundërshtua edhe nga Prokuroria.
Zlatan Arsiq është arrestuar në mars të këtij viti dhe po mbahet në Burgun e sigurisë së lartë.
operatorëve ekonomikë që ofrojnë vetura me qira në Kosovë.
Tre ditë pas nënshkrimit të udhëzimit administrativ nga Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, objekti i Ministrisë u rrethua nga dhjetëra vetura të qiradhënësve.
Pronarët me protestë, kundërshtuan dy pika të udhëzimit.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu, sepse është bërë një udhëzim i papranueshëm për ne, ne kundërshtojmë që qiradhënësi t’i ketë më shumë se 10 vetura dhe kilometrazhi i tyre të jetë 200 mijë kilometra”, tha Fehmi Morina, pronar.
“Ne e kemi këtë biznes, punë jetësore, kemi investuar në të, nuk kemi tjetër, andaj nuk janë të logjikshme këto kushte aspak”, shtoi Morina.
Teksa Policia kishte bërë përgatitjet duke shtuar numrin e policëve, Ministrja Hajdari u largua nga objekti gjysmë ore para protestës.
Megjithatë, u kthye disa orë më pas dhe takoi protestuesit. Ajo u kishte premtuar se udhëzimi administrativ do të rishikohet.
“Në u takuam me të dhe ia adresuam kërkesat tona, ka mbetur të rishikohet udhëzimi administrativ”, tha Albion Shala, pronar.
Për më shumë se tri orë sa zgjati protesta, rruga kryesore “Arbënor e Astrit Dehari” mbeti e paqarkullueshme.
Nëse kërkesa e qiradhënësve të veturave për ndryshimin e udhëzimit nuk merret parasysh, ata kanë paralajmëruar se do të ketë bllokim të qarkullimit në tërë kryeqytetin gjatë protestave të radhës.
Përkundër afatit të përmendur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, e cila do t’i hapte rrugë faturimit të energjisë eklektike në katër komunat me shumicë serbe në veri, nuk u nënshkrua këtë javë.
Këtë e konfirmoi për ATV-në Zyra e Rregullatorit për Energji, derisa KEDS-i, Elektroseveri dhe Qeveria e Kosovës vazhduan me heshtje.
“Ju informojmë se Marrëveshja/Kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit është në proces e sipër”, thuhet në përgjigjen e Zyrës Rregullatorit për Energji.
Pasi tha se nuk ka lajm për të dhënë lidhur me këtë çështje, zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE-së, Peter Stano, theksoi se u takon palëve të merren vesh për dëmin buxhetor, si pasojë e mosfaturimit që nga licencimi i Elektroseverit.
“Si lehtësues të procesit, ne përpiqemi t’i ndihmojmë palët e përfshira të gjejnë zgjidhje, por nuk flasim në emër të tyre. Lidhur me përgjigje praktike në pyetje praktike e konkrete, për ndikimin në buxhetin e Kosovës, kush çfarë paguan, kjo është diçka që duhet të trajtohet nga akterët kryesorë dhe partnerët kontraktualë. Ne jemi aty për t’iu ndihmuar t’i gjejnë zgjidhjet më të mira”, tha Stano.
Të enjten, ATV-ja raportoi se puna për finalizimin e kontratës po vijon, pas disa propozim-ndryshimeve të paraqitura në përmbajtje nga Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak, më 16 Nëntor, në Bruksel.
Që nga licencimi në Kosovë të kompanisë bijë të ndërmarrjes shtetërore energjetike të Serbisë, si pasojë e mos-faturimit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok dëmi buxhetor është rreth 60 milionë euro.
Kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit për nën-kontraktim të energjisë, sipas Udhërrëfyesit për Energjinë, do të duhej të ishte nënshkruar më së largu 10 ditë nga data e licencimit të kompanisë me seli në Mitrovicë të Veriut.
Në shkurt të këtij viti, kryeministri Albin Kurti njoftoi se kostoja e përgjithshme buxhetore nga mos-pagesa e energjisë elektrike në katër komunat në veri, që nga viti 1999, pa llogaritur koston e këtij viti, është rreth 320 milionë euro.