ATV

Category: Lajme

  • ​Dita e Falënderimeve, Hovenier viziton ushtarët amerikanë

    ​Dita e Falënderimeve, Hovenier viziton ushtarët amerikanë

    Me rastin e Ditës së Falënderimeve, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Jeffrey Hovenier ka vizituar ushtarët amerikanë në kampet Bondsteel dhe Nothing Hill.

    Ai në një postim në rrjetin social X ka falënderuar ushtarët amerikanë për shërbim në Kosovë.

    “I nderuar të kaloj Ditën e Falënderimeve në Camp Bondsteel dhe Camp Nothing Hill me anëtarët e shërbimit amerikan që shërbejnë jashtë shtetit dhe larg familjeve të tyre dhe me mysafirë kosovarë. Faleminderit për ushtarët tanë dhe të gjithë nëpunësit tanë publikë, si dhe për marrëdhënien e fortë dhe të qëndrueshme midis Kosovës dhe SHBA-së. Gëzuar Ditën e Falënderimeve”, ka shkruar diplomati amerikan.

  • ​Abdixhiku reagon pas vendimit të Kushtetueses: Gjykata shpërfaqi paaftësinë e kësaj Qeverie

    ​Abdixhiku reagon pas vendimit të Kushtetueses: Gjykata shpërfaqi paaftësinë e kësaj Qeverie

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rrëzimit të Ligjit për caktimet e çmimeve të Qeverisë Kurti nga Gjykata Kushtetuese.

    Në llogarinë e tij në Facebook, kreu i LDK-së tha se Kushtetuesja e ka rrëzuar një ligj, që siç tha ai të qeverisë më antikushtetuese, teksa shtoi se gjykata shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie por dhe tendencat e tyre që me vetëdije të shkelin Kushtetutën.

    “Ju thoshim se s’bën, nuk kuptuan. Ju treguam si të bëhet, nuk dëgjuan. Ju thoshim se do të rrëzohet, u rrëzua. Tani nuk di cila është më e rëndë; paaftësia apo shkelja kushtetuese? Apo lënia e qytetarëve pa politikë adekuate e kushtetuese tash e dymbëdhjetë muaj”, tha ai.

    Abdixhiku gjithashtu shtoi se sipas mendësisë së kësaj Qeveria, Kurti do të ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën.

  • ​Izraeli paralajmëron palestinezët që të mos lëvizin në veri të Gazës gjatë pauzës humanitare

    ​Izraeli paralajmëron palestinezët që të mos lëvizin në veri të Gazës gjatë pauzës humanitare

    Ushtria izraelite të premten paralajmëroi palestinezët që të mos lëvizin në pjesët veriore të Rripit të Gazës gjatë pauzës humanitare që hyri në fuqi herët në mëngjes.

    Sipas një gazetari të Anadolu në terren, ushtria izraelite hodhi fletëpalosje në pjesët jugore të Gazës, duke përfshirë qytetin Rafah, duke urdhëruar që të mos lëviznin në veri mes thirrjeve të palestinezëve për të lëvizur atje pasdite.

    “Për banorët e Rripit të Gazës, lufta nuk ka përfunduar ende, pauza humanitare është e përkohshme dhe rajoni verior i Gazës është një zonë lufte”, thuhet në fletëpalosje, shkruan Anadolu Agency, transmeton KosovaPress.

    Aty gjithashtu sqarohet se lëvizja lejohet vetëm nga veriu në jug përmes rrugës Salahuddin në anën lindore të enklavës së vogël.

    “Kthimi në veri është i ndaluar dhe i rrezikshëm, fati juaj dhe i familjes suaj janë në duart tuaja”, thuhet në përfundimin e fletëpalosjes.

    Katari më herët të enjten tha se një marrëveshje për pauzë humanitare midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës do të fillojë në orën 7 të mëngjesit sipas orës lokale (0500 GMT) të premten.

    Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

    Numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 14,854, tha të enjten zyra për mediave qeveritare në enklavën e bllokuar.

    Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1200.

  • ​Paga 7500 euro e këshilltarit të Gërvallës, reagon Besnik Tahiri

    ​Paga 7500 euro e këshilltarit të Gërvallës, reagon Besnik Tahiri

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka folur për pagën e lartë të një këshilltari të shefes së diplomacisë kosovare Donika Gërvalla.

    Ai në një postim në Facebook ka thënë se nuk bëhet fjalë për barazi sociale ku një këshilltar merr pagë 7.500 euro.

    “Një qeveri, e cila pretendon që angazhohet për barazi dhe drejtësi sociale raportohet se po shpenzon 7.500 euro mujore për shërbimet e një këshilltari të jashtëm politik. Heshtja e qeverisë ndaj këtij skandali është shpërfaqje e hipokrizisë dhe mashtrimit politik. Flisni, mos heshtni!”, ka thënë Tahiri.

  • KE-ja do t’i përgjigjet Qeverisë për heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta serbe

    KE-ja do t’i përgjigjet Qeverisë për heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta serbe

    Komisioni Evropian nuk u ka dhënë përgjigje pyetjeve specifike rreth propozimit që edhe bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të përfshihen në liberalizimin e vizave.

    Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

    Por, në propozimin e ri, KE-ja ka argumentuar se tashmë nuk ekzistojnë arsye për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të brendshme, Anita Huper, ka paralajmëruar se komisionarja për Punë të Brendshme, Ylva Johanson, do të mund të përgjigjet në letrën dërguar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

    “Komisioni Evropian më 16 nëntor ka miratuar propozimin me qëllimin për të siguruar përfshirjen e të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në mundësinë e udhëtimit pa viza në BE. Komisioni është në pritje që kjo të miratohet nga ligjvënësit në BE”, i është përgjigjur ajo pyetjes se cili është qëndrimi i Komisionit rreth vërejtjeve që ka dhënë Qeveria e Kosovës, dhe disa organizata joqeveritare nga Kosova, se me këtë propozim Komisioni do ta pengojë integrimin e serbëve në Kosovë dhe se një e gjë e tillë shkel integritetit territorial të Kosovës, raporton REL.

    “Sa i përket çështjes së dytë, ajo do të përcillet nga komisionarja Johanson në përgjigjen e saj për pyetjen specifike”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian duke iu referuar letrës që Qeveria e Kosovës i ka dërguar Komisionit Evropian.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 20 nëntor i ka dërguar një letër Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së ku thotë se ky propozim shkel sovranitetin e Kosovës, pengon integrimin e serbëve në Kosovë dhe hap rrezikun e përdorimit të të dhënave të pasakta çka paraqet edhe kërcënim të sigurisë.

    “Lëshimi i pasaportave nga Qendra ilegale koordinuese e Serbisë, që i konsideron komunat në Kosovë si pjesë e juridiksionit të Serbisë, është shkelje serioze e sovranitetit”, thuhet në letrën e Qeverisë së Kosovës, ku rikujtohet se Bashkimi Evropian e ka konsideruar Kosovën si të vetmin autoritet legjitim për regjistrin civil me të drejtë të lëshimit të pasaportave për qytetarët që jetojnë në hapësirën e saj.

    Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pohimet se serbët nuk do të përfshiheshin në liberalizimin e vizave pasi ata, me procedurë të përshpejtuar dhe të thjeshtëzuar, mund të pajisen me pasaporta të Kosovës.

    Në letrën e Qeverisë së Kosovës jepen edhe shifrat, sipas së cilave vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti 4.350 serbë të Kosovës kanë marrë pasaporta të Kosovës, që është rritje prej 29 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

    Lidhur me propozimin e KE-së kanë reaguar më herët gjatë 21 nëntorit edhe mbi 20 organizata të shoqërisë civile.

    Përmes një letre të hapur drejtuar Ylva Johansson, komisionares evropiane për Çështje të Brendshme, shoqëria civile ka kërkuar që KE-ja të tërheqë propozimin.

    Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Schengen.

    Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, nëse propozimi i KE-së nuk jetësohet, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza./REL

  • ​Ministria e Turizmit e Shqipërisë nënshkruan me UNICEF deklaratën për fëmijët dhe të rinjtë

    ​Ministria e Turizmit e Shqipërisë nënshkruan me UNICEF deklaratën për fëmijët dhe të rinjtë

    Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë dhe UNICEF-in nënshkruan sot në Tiranë “Deklaratën për fëmijët dhe të rinjtë dhe veprimet për klimën.”

    Ky është angazhimi i parë në llojin e tij për të përshpejtuar politikat dhe veprimet klimatike gjithëpërfshirëse, të përqendruara te fëmijët dhe të rinjtë në nivel kombëtar.

    Kjo deklaratë nënshkruhet në një moment të rëndësishëm, kur delegacione nga e gjithë bota do të marrin pjesë në Konferencën e 28-të të Palëve, e njohur edhe si COP28, për të diskutuar dhe për të ndërmarrë masa për ndryshimet klimatike.

    Një nga qëllimet e Deklaratës është të zgjerojë pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve në proceset e zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike përmes një edukimi më të zgjeruar rreth ndryshimeve klimatike dhe mjedisit, si dhe përvetësimit të njohurive dhe aftësive të nevojshme për të mbrojtur veten dhe për të kontribuar në një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme.

    Mesazhet kryesore të të rinjve nga e gjithë bota që do të jenë pjesë e delegacioneve do të jenë: mbrojtja e jetës, shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve; fuqizimi i çdo fëmije gjatë gjithë jetës së tij me mundësi zhvillimi, me arsimimin dhe aftësi për të qenë përkrahës i mjedisit; zvogëlimi i emetimeve dhe përmbushja e marrëveshjeve ambicioze ndërkombëtare për qëndrueshmërinë dhe ndryshimet klimatike.

    Dy të rinj nga Delegatët e OKB-së për të Rinjtë do të jenë pjesë e delegacionit shqiptar në COP28.

    Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se UNICEF është një ndër partnerët më të rëndësishëm mbi edukimin e fëmijëve në mënyrë përfshirëse.

    “Sfida është që këtë deklaratë ta përkthejmë në veprimet konkrete të përditshme dhe mesazhet e saj të përthithen nga fëmijët. Jam e bindur se do të kemi një rrugë të bukur, ama tepër sfiduese, që çështjet e klimës dhe natyrës të dëgjohen prej të rinjve e pastaj t’i kthejmë në prioritet për ta. Shqipëria natyrisht që nuk ndikon në ndryshimet globale të klimës, nuk ndot globalisht, por është shumë e rrezikuar prej pasojave që po i ndjejmë çdo vit e më tepër”, u shpreh ajo.

    Përfaqësuesi i UNICEF-it, Roberto De Bernard shprehu kënaqësinë të shohë përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve, në veprimet klimatike.

    “Vlerësoj ambicien e shtuar të qeverisë shqiptare mbi angazhimi për të nënshkruar Deklaratën e fëmijëve, të rinjve dhe veprimet për klimën,” tha ai.

    Ndryshimet klimatike kërcënojnë mbijetesën, zhvillimin, ushqyerjen, arsimimin dhe aksesin e fëmijëve në kujdesin shëndetësor – të gjitha këto janë të drejta të fëmijëve dhe të përcaktuara në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.

    Sipas Indeksit të UNICEF-it mbi risqet e klimës ndaj fëmijëve afërsisht 1 miliard fëmijë (gati gjysma e fëmijëve në botë) jetojnë në vende me rrezik jashtëzakonisht të lartë. Dhe nga ky risk nuk përjashtohen as fëmijët që jetojnë në Shqipëri.

    Raporti i Progresit i BE-së i vitit 2023 tregon se Shqipëria ka një nivel përgatitjeje për të trajtuar ndryshimet klimatike, megjithatë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka në fokus një numër të lartë nismash që do të përkthehen në projekte konkrete veprimi për ndryshimet klimatike.

  • Ministri Peci pritet për vizitë zyrtare nga homologia e tij shqiptare, Anila Denaj

    Ministri Peci pritet për vizitë zyrtare nga homologia e tij shqiptare, Anila Denaj

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me ftesë të homologes së tij, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takimin e zhvilluar mes dy palëve u ngritën çështje me interes të përbashkët për sektorin e bujqësisë së të dyja shteteve.

    Ministri Peci gjatë këtij takimi tha se mbetemi të përkushtuar drejt qëllimit të përbashkët për krijimin e lehtësirave për prodhuesit e përpunuesit tanë, për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për eliminimin e burokracive që rëndojnë bujqit tanë, këndej e andej kufiri.

    “Kosova dhe Shqipëria në sektorin e bujqësisë nuk janë shtete konkurruese sa janë komplementare. Gjatë gjithë vitit, qytetarët tanë, falë punës së palodhshme të bujqve tanë, mund të shërbehen me prodhime shqiptare” shtoi mes tjerash Ministri Peci, i cili gjithashtu u shpreh se prodhimet bujqësore mbarëshqiptare me të cilat prodhuesit dhe agropërpunuesit tanë eksportojnë, na përfaqësojnë dinjitetshëm kudo në botë të udhëhequr gjithmonë nga cilësia.

    Integrimi në politikat dhe mekanizmat e fondeve të para-anëtarsimit në BE, IPA dhe akreditimi për IPARD, mbeten një synim i Ministrit Peci, andaj përmes realizimit të projekteve të përbashkëta e shkëmbimit të eksperiencës dhe ekspertizës në këtë fushë, do jetë një shtysë pozitive në maratonën e sukseseve të deritanishme.

    Tutje, vizita e Ministrit të BPZhR-së, Faton Peci bashkë me përfaqësuesit e sektorit të verëtarisë dhe vreshtarisë nga Kosova do të vizitojnë qytetin e Beratit ku pritet të takohen me homologët e tyre vendas dhe bashkërisht të vizitojnë bodrume të verës dhe kësisoj të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim të shkëmbimit të përvojave në këtë sektor.

  • ​Kosova për herë të parë me databazën për viktimat e trafikimit

    ​Kosova për herë të parë me databazën për viktimat e trafikimit

    Ministria e Punëve të Brendshme për herë të parë ka lansuar data-bazën e të dhënave për viktimat e trafikimit, e cila do të shërbejë për të gjitha institucionet për të paraqitur rastet e trafikimit, për mbledhjen e tyre dhe analizën për të luftuar trafikimin njerëzor.

    Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se ndëshkimi i kryerësve të veprave të trafikimi njerëzor, është përgjegjësi sociale dhe sot për herë të parë Kosova përmban një bazë të dhënave për të menaxhuar këto raste deri në identifikimin e tyre.

    “Trafikimi me njerëz siç e dini ju është një shkelje fondamentale e të drejtave të njeriut që shkel vlerat themelore të një shoqërie demokratike, është e vërtet që ne si Kosovë kemi marrë obligime karshi bashkësisë ndërkombëtare në përmbushjen e standardeve që dëshmojnë që jemi të gatshëm të jemi pjesë e integruar e Bashkimit Evropian, e organizmave ndërkombëtare, gjë të cilën tashmë e kemi dëshmuar. Puna jonë e pa ndalur në këtë fushë nuk është vetëm përmbushje kritereve por është përgjegjësi sociale, është obligim që e kemi t’i mbrojmë fëmijët, të mbrojmë të drejtat dhe lirit fondamentale të njeriut, t’i ndëshkojmë kryesit e veprave dhe të ofrojmë shërbimet më të mira të mundshme për viktimat deri në riintegrimin e tyre.03:31 Sot po bëhemi vendi i parë në rajon me një bazë të dhënave ndërinstitucionale, një mjet thelbësor që do të mundësoj mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave kyçe për hartimin e politikave strategjike në parandalim dhe luftim të trafikimit me njerëz dhe ofrim cilësor të shërbimeve të viktimave të prekura. Baza e të dhënave e rregulluar me udhëzim administrativ do të na mundësoj gjenerimin e të dhënave të detajuara, identifikimin e trendeve dhe tendencave, identifikimin e hapësirave për intervenim dhe përmirësimin, por në të njëjtën kohë do të mbrojë identitetin e viktimave dhe do të ofrojë rekomandime për përmirësimin e shërbimeve në përputhshmëri me të drejtat e njeriut dhe standardet evropiane”, tha Gashani.

    Nga Policia e Kosovës, nënkoloneli Bahri Shala, u shpreh se policia deri më sot është marrë me raste të viktimave të trafikimit, pa pasur një data-bazë. Ai tha se me posedimin e data-bazës nga sot policia e Kosovës do të ketë një pasqyrë të këtyre rasteve në mënyrë për të ndërmarrë masa të parandalimit.

    “Trafikimi me njerëz është një ndër krimet më të rënda dhe më komplekse dhe si i tillë cenon sigurinë e viktimave e po ashtu edhe në sigurinë dhe imazhin e përgjithshëm të një vendi. Fatkeqësisht ky krerë ka prekur edhe vendin tonë Kosovën dhe duke marrë parasysh rrezikun dhe pasojat që vinë nga kjo dukuri negative, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa adekuate në aspektin organizativ dhe të ngritjes se kapaciteti të saj me qëllim të parandalimit të trafikimit me njerëz, mbrojtjes së viktimave, hetimit dhe arrestimit të kryerësve të këtyre veprave penale… Në frymën e kësaj është edhe baza e të dhënave që po lansohet kjo nënkupton që ne si polici nuk kemi poseduar të dhëna për këto raste, por një bazë e të dhënave e avancuar që përfshin të gjitha institucionet, do të shërbej në shumë dimensione e në veçanti do të kontriboj në hartimin e objektivave strategjike, pasi që do te kemi një pasqyre dhe analizë më të saktë se cilat janë grupet më të cenueshme”, tha Shala.

    Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tankut Soykan u shpreh se Këshilli i Evropës do t’u ofrojë ndihmë në vazhdimësi institucioneve të Kosovës për të hetuar rastet e trafikimit të njerëzve. Ai shtoi se zhvillimi i data-bazës për të dhënat e trafikimit është një hap përpara për këtë çështje.

    “Si Këshill i Evropës, ne u ofrojmë ndihmë institucioneve të Kosovës në përpjekjet e tyre për të parandaluar, hetuar dhe ndjekur trafikimin e qenieve njerëzore në përputhje me konventën evropiane kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Në këtë rrugëtim, projekti ynë për rritjen e veprimeve kundër trafikimit ka ofruar ekspertizë teknike për të përmirësuar kuadrin normativ, për të përmirësuar përgjigjet e drejtësisë penale, për të forcuar mbrojtjen e viktimave dhe për të kryer fushata informuese, veçanërisht për të miturit. Zhvillimi i bazës së të dhënave për viktimat e trafikimit është një hap i rëndësishëm përpara në këtë drejtim. Ne besojmë se Kosova tani është më e barabartë me monitorimin e tendencave në zhvillim, identifikimin e sfidave të reja dhe hartimin e strategjive afatgjata, politikat e synuara dhe modalitetet efektive të bashkëpunimit për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore “, potencoi Soykan.

    Zhvillimi i bazës së të dhënave është financuar nga projekti “Forcimi i veprimeve anti-trafikim”, zbatuar nga Këshilli i Evropës dhe bashkëfinancuar nga Belgjika, Gjermania, Irlanda, Norvegjia dhe Këshilli Evropës.

  • Ministrja belge kërkon de-eskalim të situatës në veri e përkushtim në dialog

    Ministrja belge kërkon de-eskalim të situatës në veri e përkushtim në dialog

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se temë diskutimi me homologen e saj nga Belgjika, Hadja Lahbib, ka qenë diaspora kosovare. E kjo e fundit, i ka kërkuar de-eskalim të situatës në veri dhe përkushtim në dialogun Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.

    Duke folur për situatën në veri të vendit, ministrja Lahbib ka thënë në një konferencë për medie se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ende të lartë dhe për këtë është i nevojshmen dialogu.

    Ajo tha se deeskalimi i situatës dhe përkushtimi në dialog është mënyra e vetme për paqe afatgjatë në rajon.

    “Është një nder që jam këtu në një qytet më një histori të pastër dhe e çmoj relacionin pozitive të dyja vendeve tona. Belgjika ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Jemi të lidhur me një diasporë gjithnjë në rritje nga Kosova, rreth 40 mijë tani janë në Belgjikë, që e pasurojnë kulturën tone dhe ndikojnë në zhvillimin tonë ekonomikë. Shtetet tona janë fuqizuar viteve të fundit. Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është një çështje që e kam ngritur edhe dje në Beograd. Tensionet janë ende të larta, vetëm me dialog shkojmë tutje. Përgjigja që po e kërkoj është deeskalimi dhe një përkushtim i ri për procesin e normalizimit. Është kjo e vetmja mënyrë për paqe afatgjatë”, tha ajo.

    E ministrja Gërvalla ka deklaruar se temë diskutimi ka qenë diaspora e Kosovës në këtë shtet, e cila sipas saj është duke kontribuar në të dyja vendet.

    “E kam falënderuar shumë ministren për përkushtimin e Mbretërisë së Belgjikës për t’i ndihmuar Kosovës për shtetndërtimin e saj. Jemi sot këtu për të bërë një hap edhe më tëj për thellimin e marrëdhënieve tona. Ministren e njoftova për zhvillimin që ka bërë Kosova për sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik. Biseduam gjatë rreth sfidave të sigurisë, të cilat vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë. Biseduam për diasporën që kemi në Belgjikë, është një diasporë shumë mirë e integruar që kontribuon në të dyja vendet”, tha ajo.

  • Aliu: Në Varosh rregulluam fushën sportive, do t’u shërbejë nxënësve dhe sportistëve

    Aliu: Në Varosh rregulluam fushën sportive, do t’u shërbejë nxënësve dhe sportistëve

    Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka shpërndarë disa fotografi ku shihen investimet për terrene sportive në zonat rurale.

    Këto investime sipas tij do t’u shërbejë nxënësve dhe sportistëve të fshatit Varosh.

    “Në oborrin e shkollës në Varosh rregulluam fushën sportive në vazhdën e investimeve për terrene sportive në zonat rurale, duke i shërbyer nxënësve dhe sportistëve të gjithë fshatit e më gjerë”.