ATV

Category: Lajme

  • “Përparim në dialog” kërkesa e ministres belge në Kosovë

    “Përparim në dialog” kërkesa e ministres belge në Kosovë

    Përgatiti: Entela Sahiti

    Përkushtim në përmirësim të marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut, ka kërkuar ministrja e Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib, gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë.

    Lahbib e pritur nga ministrja Donika Gërvalla, po ashtu, ka folur edhe për sfidat e sigurisë në rajon dhe sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës.

    “Tensionet janë ende të larta. Nga përvoja e dimë se vetëm me dialog mund të shkojmë tutje. Përgjigja që po e kërkojmë është deaskalimi dhe një përkushtim i ri për procesin e normalizimit. Kjo është e vetmja mënyrë për një paqe afatgjatë dhe që do t’iu japë dy palëve një të ardhme të integrimit në BE”, tha Lahbib.

    Ndërkaq, kryediplomatja kosovare kërkoi nga Bashkimi Evropian që të jetë më e zëshme ndaj proceseve që po e rrezikojnë sigurinë dhe paqen në rajon.

    “Biseduam gjatë rreth sfidave të sigurisë, atyre gjeopolitike dhe të rajonit tonë. Jo vetëm Kosova që përballet me sfidat e shumta për shkak të sjelljes agresive të fqinjit të saj, por edhe Evropa në përgjithësi dhe bota perëndimore përballet me luftëra dhe kërcënime, që vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë”, tha ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla.

    Ministrja belge gjatë qëndrimit në Kosovë është takuar edhe me liderët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. /atvlive.tv

  • ​Aktakuzë ndaj tre zyrtarëve në Suharekë, keqpërdorën detyrën zyrtare

    ​Aktakuzë ndaj tre zyrtarëve në Suharekë, keqpërdorën detyrën zyrtare

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: B.K., E.Sh., B.S., – person përgjegjës i personit juridik si dhe personit juridik- operatorit ekonomik, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit B.K., dhe E.Sh., prej datës 18.05.2022 deri në muajin prill 2023, në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, dhe atë B.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe E.Sh., në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar, nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për persona tjerë, të njëjtit me dashje shkelin Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren për Prokurim Publik.

    “Në atë mënyrë që me vendimin e datës 18.05.2022 të lëshuar nga kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia – me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”, ku nga provat e siguruara rezulton që të hollat në vlerë prej 72,214.74 Euro, janë paguar për operatorin ekonomik, mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihej në kontratë, përderisa në vitin 2022 përpilojnë dokumentacione fiktive dhe të rrejshme, ku i pandehuri B.K., në bashkëkryerje me të pandehurin E.Sh., më datë 12.12.2022 përpilojnë dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse janë realizuar punimet sipas kontratës përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar deri në kohën kur prokuroria së bashku me hetuesit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore në këtë çështje penale, me ç’ rast të njëjtit të gjendur para një situate të tillë, në muajin prill të vitit 2023, në bashkëpunim me personin juridik – Operatorin Ekonomik me qëllim që t’i shmangen përgjegjësisë penale dalin në teren dhe shtrojnë rrugët e ridestinuara, të cilat rrugë nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me dëme material, ku trashësia mesatare e asfaltit në segmentin “Manastiri”, “Hasan Basha” dhe “Guri i gjatë” rezulton të jetë 6.5 cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 1.5 cm, trashësia mesatare e asfaltit në rrugën “Bajram Kurti” është 7.53cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 0.47 cm, trashësia mesatare e mbushjes me tampon në rrugën “Sadri Shasha” është 5.7 cm, ndërsa me kontratë është paraparë të jetë 10 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 4.3 cm, me këto veprime i mundësojnë nga njëra anë operatorit ekonomik përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe nga ana tjetër i shkaktojnë dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 8,651.97 euro, pa llogaritur shkallën e dëmit në stabilitetin dhe jetëgjatësinë e rrugëve të punuara. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë Themelore në Prizren.

    Ndërsa, i pandehuri B.S., si personi përgjegjës i personit juridik dhe personi juridik i operatori ekonomik, prej datës 17.05.2022 deri në muajin prill të vitit 2023, në Suharekë, duke vepruar në cilësi të pronarit dhe përfaqësuesit të autorizuar të personit juridik-operatorit ekonomik, me dashje shkel procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës, në atë mënyrë që i njëjti më datë 17.05.2022 nënshkruan kontratën e lartëcekur, në bashkëveprim me persona zyrtarë të Komunës së Suharekës, përkatësisht me menaxherin e kontratës B.K., në vitin 2022 përpilojnë procesverbale, situacione fiktive, si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve, përmes kompanisë së tij, përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar.

    Sipas komunikatës, me këto veprime kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, Prokurori i Shtetit konform dispozitave ligjore ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve B.K. dhe E.Sh., përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

    Si dhe B.S., dhe personi juridik- operatorit ekonomik, përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.

  • Kurti për Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane: Urë e fuqishme midis Kosovës dhe Gjermanisë

    Kurti për Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane: Urë e fuqishme midis Kosovës dhe Gjermanisë

    Me rastin e hapjes së Zyrës në Kosovë të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen ceremoniale të kësaj hapjeje.

    Nën mesin e liderëve të bizneseve Shqiptaro-Gjermane, kryeministri Kurti përgëzoi Unionin e Bizneseve të cilët, siç tha ai kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm në përmbushjen e premtimit për të shërbyer si urë e fuqishme ndërlidhëse midis Kosovës dhe Gjermanisë, dy shteteve të cilat gëzojnë marrëdhënie të shëndosha politike, ekonomike, kulturore, diplomatike e tregtare.

    “Unë e përgëzoj Unionin që ofron një platformë të këtillë bashkëpunimi, sepse janë ura jonë ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian, në veçanti me Gjermaninë, dhe jam i interesuar që të shohim se a ka mënyra të reja, të tjera, se si ta bëjmë këtë lloj bashkëpunimi edhe në fusha të cilat nuk i kemi bërë deri më tani, përveç se ta shtojmë intensitetin aty ku tashmë bashkëpunimi po ndodhë”, citohet në komunikatë Kurti.

    Tutje, ai shtoi se bizneset tona po bëhen gjithnjë e më shumë konkurruese në tregun global dhe për një arritje të tillë bashkatdhetarët kanë një rol të pazëvendësueshëm përmes krijimit të mundësive për ndërmarrjet tona lokale në skenën ndërkombëtare. Rrjedhimisht kjo po dëshmon se si ne po bëhemi vend i orientuar kah eksportet, duke u përfshirë në tregun ndërkombëtar me produkte ushqimore dhe joushqimore.

    Sipas kryeministrit, me mërgatën ndajmë edhe vlera të përbashkëta, siç është së fundmi edhe sistemi dual që tashmë e kemi me 12 profile, në 21 shkolla, në 14 komuna anembanë Kosovës, me ç’rast përveç forcimit të ekonomisë, mundësive të reja për punësim dhe zhvillimit të aftësive, ndërtojmë themelin për të mësuar gjatë gjithë jetës.

    Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ekonominë e vendit duke i përkrahur bizneset përmes subvencionimit të kredive investive, me Ligjin për Investime të Qëndrueshme në bazë të së cilit edhe po themelohet Agjencia për Investime dhe Eksport, me synim të promovimit të mjedisit e të bërit biznes në Kosovë dhe me Kosovën.

    “Projektet preliminare të investimeve për përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes deri në vitin 2030 do të jenë mbi 10 miliardë euro. Mbi 50 projekte infrastrukturore përafërsisht rreth 5 miliardë euro ku bëjnë pjesë transporti me 2.5 miliardë, energjia me 1.5 miliardë dhe mjedisi me 1 miliard, dhe projekte kapitale të cilat vetëm në vitet 2023-2024 janë mbi 6 mijë me përafërsisht 1.7 miliardë, dhe e fundit por jo për nga rëndësia siç thuhet mbi 1.2 GË shtesë të kapaciteteve energji të ripërtëritshme”, vazhdoi ai.

    Duke falenderuar ndërmarrësit për kontributin e tyre, kryeministri Kurti ritheksoi se fokusi i Qeverisë mbetet në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimit shoqëror, ku progresi është i pakthyeshëm.

  • ​Ajsbergu më i madh në botë është sërish në lëvizje: “Ishte në pushim nga 1986”

    ​Ajsbergu më i madh në botë është sërish në lëvizje: “Ishte në pushim nga 1986”

    Ajsbergu më i madh në botë ka filluar të lëvizë pasi është “ankoruar” në fund të oqeanit për më shumë se 30 vjet.

    Santa A23a u shkëput nga bregu i Antarktikut në vitin 1986, por pothuajse menjëherë u rrëzua në Detin Weddell dhe u bë një lloj ishulli akulli.

    Me një sipërfaqe prej gati 4000 kilometrash katrorë, është dyfishi i madhësisë së Londrës dhe trashësia e saj është rreth 400 m. Për krahasim, Shard i Londrës, rrokaqiejt më i lartë në Evropë, është 310 metra i lartë.

    Në vitet 1980, ajo ishte shtëpia e një stacioni kërkimor sovjetik, por pas ndarjes, Moska hoqi pajisjet nga baza Druzhnaya 1, nga frika se mund të mbetej pa të. Por ajsbergu nuk u largua shumë nga bregu dhe pjesa e poshtme e tij u “ankorua” fort në tokën me baltë të detit Weddell, shkruan BBC.

    “Ajo ishte ‘ankoruar’ që nga viti 1986, por përfundimisht u tkurr mjaftueshëm për të filluar të lëvizë përsëri.”

    Pse, pas pothuajse 40 vjetësh, A23a është përsëri në lëvizje? “Unë fola me disa kolegë për këtë. Pyesja veten nëse mund të ishte ndikuar nga ndryshimi i temperaturave të ujit. Konsensusi ishte se ishte koha për diçka të tillë,” tha Andrew Fleming nga British Antarctic Survey.

    “Ishte ‘ankoruar’ që nga viti 1986, por përfundimisht u tkurr mjaftueshëm dhe filloi të lëvizë përsëri. Ne vumë re lëvizjen e parë në 2020,” shtoi ai.

    Santa A23a tani kalon majën veriore të Gadishullit Antarktik. Ashtu si shumica e ajsbergëve nga sektori Weddell, A23a pothuajse me siguri do të lundrojë drejt Oqeanit Atlantik të Jugut dhe do të përfundojë në të ashtuquajturën “shtegu i ajsbergut”.

    Të gjithë ajsbergët, pavarësisht sa të mëdhenj janë, përballen me të njëjtin fat – shkrirjen. Por nëse A23a ngec në Gjeorgjinë e Jugut, mund të shkaktojë probleme për miliona foka, pinguinë dhe zogj të tjerë deti që shumohen në ishull.

    Një sasi e madhe A23a mund të prishë rrugët normale të kërkimit të ushqimit të kafshëve, duke i penguar ato të ushqejnë siç duhet të vegjlit e tyre. Por shkrirja e ajsbergëve nuk ka vetëm aspekte negative.

    Ndërsa shkëmbinjtë shkrihen, ata lëshojnë pluhurin mineral që grumbulluan kur ishin pjesë e akullnajës. Ky pluhur është një burim i lëndëve ushqyese për organizmat që formojnë bazën e zinxhirëve ushqimorë të oqeanit.

    “Këta ajsbergë mundësojnë jetën në shumë mënyra, ata janë burimi i shumë aktiviteteve biologjike”, tha Catherine Walker nga Instituti Oqeanografik Woods Hole.

  • ​Falja e tatimit në pronë, Ministria e Financave njofton komunat për vendimin e Kushtetueses

    ​Falja e tatimit në pronë, Ministria e Financave njofton komunat për vendimin e Kushtetueses

    Pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në lidhje me faljen e tatimit në pronë për tatimpaguesit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i ka njoftuar Komunat e Kosovës për përmbajtjen e aktgjykimit, si dhe për afatin e përcaktuar nga Gjykata për zbatimin e dispozitës ligjore për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerën prej 100 eurosh.

    Si rrjedhojë, komunat janë njoftuar se deri më datën 08.12.2023 mund të vendosin rreth faljes së tatimit në pronë, e cila mund të lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për 2023, por jo më shumë se njëqind euro.

    Tatimpaguesit e komunës e cila e merr këtë vendim, do të përfitojnë nga falja deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për 2023, por jo më shumë se njëqind euro, ndërsa ata të cilët e kanë paguar tatimin në pronë për 2023 shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

    Departamenti i Tatimit në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve do të jetë në dispozicionin e komunave për sqarime shtesë lidhur me këtë çështje, thuhet në njoftim.

  • ​BQK: Vlera e kredive të reja për tetor ishte 160.6 milionë euro, depozitat 61.3 milionë

    ​BQK: Vlera e kredive të reja për tetor ishte 160.6 milionë euro, depozitat 61.3 milionë

    Mbi 7 miliardë euro janë asetet e bankave komerciale në Kosovë dhe se investimet e tyre jashtë vendit kanë arritur në 1.12 miliard euro.

    Kështu thuhet në statistikat bankare për muajin tetor 2023, të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera e kredive bruto ka arritur në 4.83 miliardë euro me një rritje prej 42.47 milionë eurosh, derisa shuma e depozitave të klientëve është 5.87 miliardë euro.

    Sipas raportit, kapitali u bankave komerciale për këtë muaj ishte 838.3 milionë euro.

    Po ashtu, norma mesatare e interesit në depozita ishte 2.37% e që në muajin shtator 2023 ka qenë 2.43%, ndërsa norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.39% ku në muajin paraprak ishte 6.51%.

    Raporti kredi-depozita për shtator 2023 ishte 82.3%, ndërsa margjina e normës së interesit kredi – depozita 4.01%.

    Vlera e kredive të reja ishte 160.6 milionë euro, derisa shuma e depozitave të reja për shtator 2023 arriti në 61.3 milionë euro.

  • ​NATO: Vizita e Stoltenberg tregon riafirmimin për paqe e stabilitet

    ​NATO: Vizita e Stoltenberg tregon riafirmimin për paqe e stabilitet

    Aleanca Veri-Atlantike ka publikuar një video përmbledhëse të turneut ballkanik të shefit të kësaj organizate ushtarake Jens Stoltenberg, i cili vizitoi edhe Kosovën.

    Në një postim në rrjetin X thuhet se vizita e Stoltenberg dëshmon përkushtimin e NATO-s për paqe dhe stabilitet në rajon.

    “Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, vizitoi Ballkanin Perëndimor, duke riafirmuar përkushtimin e NATO-s për ta mbajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”, shkruan NATO.

  • Identifikohet i dyshuari për gjuajtjen me bombë në tregun e Prizrenit

    Identifikohet i dyshuari për gjuajtjen me bombë në tregun e Prizrenit

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për arrestimin e Xhevdet Selimit, të dyshuarit për hedhjen e granatës së dorës në Prizren.

    Selimi dyshohet për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” i cili ka ndodhur më 22 nëntor në tregun e kafshëve në Prizren.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren-Sektori i Hetimeve Rajonale, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar me autorizim të Prokurorisë Themelore Prizren, me qëllim lokalizimin të tije lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personi është: XHEVDET Shaban SELIMI i lindur me 23.03.1986 Fshati Uglar/ Gjilan. Personi kërkohet , për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” i cili ka ndodhe me 22.11.2023 në Prizren. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të zhdukur në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

  • Policia e Kosovës blen tetë qen, vlera e tyre gati 45 mijë euro

    Policia e Kosovës blen tetë qen, vlera e tyre gati 45 mijë euro

    Policia e Kosovës ka njoftuar për vendimin për blerjen e 8 qenve zyrtarë, në vlerë prej 44 mijë 944 euro.

    Sipas përllogaritjeve një qen do të kushtojë mbi 5600 euro.

    Tenderi për blerjen e qenve është hapur përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me operator ekonomik “Crazy Pet” Sh.P.K në Prishtinë.

  • Trazirat në Dublin: 34 persona të arrestuar pas protestave të dhunshme në qytet pas therjeve me thikë

    Trazirat në Dublin: 34 persona të arrestuar pas protestave të dhunshme në qytet pas therjeve me thikë

    Tridhjetë e katër persona janë arrestuar pas “shkatërrimit të madh nga një turmë e trazuar” në Dublin, ka thënë policia irlandeze.

    Tre fëmijë të vegjël u plagosën në një incident me thikë jashtë një shkolle fillore që shkaktoi protesta të dhunshme dhe përleshje me policinë, shkruan Sky News, transmeton KosovaPress.

    Një nxënëse pesëvjeçare dhe një mësuese, që besohet të jetë rreth të 30-ave, mbeten në gjendje shumë të rëndë, tha policia.

    “Këto janë skena që nuk i kemi parë në dekada, por ajo që është e qartë është se njerëzit janë radikalizuar përmes mediave sociale dhe internetit”, tha komisari Drew Harris.

    Një oficer i Gardës mori një lëndim të rëndë, ndërsa “shumë” oficerë të tjerë u plagosën pasi u hodhën predha në drejtim të tyre, shtoi ai.

    Oficerët me mburoja kundër trazirave mbajtën turmat në qendër të qytetit ku një makine të policisë iu vu flaka mes zemërimit për therjet me thikë në sheshin Parnell East.